VRASJA E FËMIJËS ARLIND AVDI KRYEZIU NË MALËSI
Nga: Gëzim Ajgeraj
Jemi
në ditën e parë të sulmit, të forcave serbe kundër fshatrave të Vërrinit dhe
zonës së lirë të shpallur nga Shtabi Lokal i Prizrenit, me seli në Vërri.
Fshatrat e Vërrinit, qysh një natë më parë, (më 31 gusht 1998), ishin vënë në rrethim të hekurt nga artileria e ushtrisë serbe. Dhe mëngjesi orës tetë të 1 shtatorit 1998 ( e martë), shënon edhe sulmin artilerik kundër zonës dhe fshatrave të Vërrinit. Predhat e para filluan të bien mbi Malësi të Vërrinit, dhe ato të drejtuara nëpër shtëpitë që ishin të mbushura me popullatë civile. Artileria serbe e vendosur përskaj kodrës së Cfilenit dhe rrugës përmbi fshatin Kushnin, në drejtim të Lezit, ato të vendosura në Shtava të Opojës, tek shpella e vogël, etj. hidhnin pa ndërprerë granata mbi fshatrat brenda zonës. Granata nga tanket serbe hidheshin edhe nga Shtavat, Mali Gjerman dhe nga pika te Shpella e Vogël. Granata të tilla ishin drejtuar edhe drejt shtëpisë së Salih e Limon Kryeziut, që gjendeshin afër njëra tjetrës, edhe pse këto shtëpi ishin mbushur me popullatë civile. Nga predhat serbe të rëna në këto shtëpi plagoset rëndë Resmije Kryeziu, ndërsa në krahët e saj copat e granatave i marrin jetën fëmijës së saj pesëvjeçar, Arlind Avdi Kryeziut, nga Lybeqeva (sot Malësia). Nga plagët e marra, e ëma e Arlindit, gjatë orëve të mbrëmjes përcillet për në Prizren, ndërsa trupin e pajetë të vogëlushit, e varrosin të afërmit e tij gjatë orëve të mbrëmjes në varrezat e Malësisë, dëshmi e xhaxhait të tij Elez Sali Kryeziu, i cili ishte prezent gjatë gjithë kohës). E ëma e Arlindit, më vonë u dërgua në Zvicër për operime të mëtutjeshme, ku edhe u shërua. E dhamë këtë shënim, si dëshmi se dhuna serbe, pavarësisht propagandës së saj, ajo nuk kurseu as fëmijë, gra, pleq e plaka, për të cilat kemi folur e do të flasim në vazhdim. Për ne si studiues e mbledhës i gjithë ngjarjeve të luftës së Vërrinit, Arlind Avdi Kryeziu, mbetet viktima më e re e terrorit serb gjatë luftës së UÇK-së, të vitit 1998/99, në Vërri. Po gjatë këtyre ditëve të ofensivës serbe, në Malësi, por edhe në gjithë Vërrinin, u vranë edhe shumë të rinj e të reja, pleq e plaka, emrat e të cilëve i kemi dhënë nëpër shënime tjera.
Mediet për vrasjen e Arlind Avdi
Kryeziut dhe kontestet tona në këtë ngjarje
Nga libri: Libër kujtimi i Kosovës 1998-2000, i FDH (Fondacioni i të
drejtës humanitare), i autores Natasha Kandiq, do të nxjerrim disa
detaje, duke i krahasuar ato me të dhënat dhe informacionet tona, të mbledhura
nga dora e parë në terren, dhe si njohës i rrethanave të njerëzve të vrarë dhe
regjionit të cilit i takoj, për të mundur të nxjerr edhe shumë të vërteta tjera
brenda këtij libri. Sigurisht se pozicioni im dhe njohuritë për situatën dhe
luftën e atëhershme, por edhe faktorët që i përmenda, më vejnë avantazh në
kërkim të së vërtetës dhe realitetit të kohës, në të cilën ndodhen këto ngjarje
dhe si u përshkuan ato edhe në këtë libër të kujtimeve dhe verifikimi i tyre i
mëvonshëm nga veprimtarët e këtij fondi edhe në Kosovë.
Ndalemi
te versioni i vrasjes së Arlind Avdi Kryeziut, sipas versionit
të FDH-së. Në këtë rast kemi një citat shumë kontrovers, i cili për njohësit e rrethanave,
pozitës gjeografike dhe njohësve nga afër të këtyre faktorëve, do të arrijë të
kuptoj që citati në fjalë është komplet i dhënë dhe i nxjerrë nga arkivat
ushtarake serbe dhe raportuesit e atëhershëm të policisë dhe ushtrisë serbe. Ja
si thotë citati: Rreth orës 12,30 një predhë e shkrepur nga drejtimi i fshatit Lez, e ka
qëlluar shtëpinë e Limanit, duke plagosur rëndë Arlindin dhe të ëmën Resmijen,
Arlindin e quan në spitalin e UÇK-së në fshat, por ai shpejt ndërroi jetë nga
plaga vdekjeprurëse. Gjithçka do të ishte në rregull, po të mos futej
në citat: një predhë e shkrepur nga drejtimi i fshatit Lez. Përgjigjja
ime si autor, si njohës i rrethanave, bashkëvendës, njohës i mirë i pozitës
gjeografike, por edhe si njohës i thelbit dhe esencës psikologjike të domethënies
së fjalës dhe qëllimit të saj, këtu kemi të bëjmë komplet me një version
ushtarak e policor që e shfrytëzon autorja. Se cili ka qenë qëllimi, le të
mbetet përgjegjësi e saj. Por në strategjinë e pasluftrave dhe kërkim të
drejtësisë, ky term do ta nxirrte të rastësishëm vrasjen e Arlindit, nga predha
e tankut serb. Pra, ky është kontesti dhe qëllimi i dyshimit tonë. Se ky term
është futur jo pa qëllim në të dhënat, për Arlind Avdi Kryeziun dhe nënën e tij
të plagosur, Resmijen.
Njohësit
e mirë e dinë se predha është gjuajtur nga tanket serbe të vendosura në *Shtava,
direkt në drejtim të shtëpisë së Salih e Limon Kryeziut në Lybeqevë (Malësi të
Vërrinit). Po të shikohet distanca ajrore në mes Lybeqevës dhe Lezit, ajo është
afro dy kilometra larg dhe nuk ekziston as teori të gabohet drejtimi i grykës
të tankut në një distancë të tillë. Po pse?! - Siç thamë, largësia gjeografike
në mes këtyre dy fshatrave, njëri faktor, i dyti se në tanket serbe dhe në
taktikat e rregullat ushtarake, drejtojnë njerëz profesionistë ushtarakë dhe
nuk ka asnjë teori të gabohet për dy kilometra. Ka dhe shumë arsye të tjera, që
në ekspertiza do të vërtetoheshin dhe evidentoheshin, por përgjigjes sonë do t’i
mjaftonin këto dy fakte për të vërtetuar versionin se, artileria serbe e ka vënë në
shënjestër shtëpinë e Limon Kryeziut dhe të vëllait të tij Salihut, që
gjendeshin në një oborr, dhe e ka goditur atë qëllimisht, për të kryer një
masakër të përmasave të mëdha. Arsyeja se, Limon Kryeziu ishte
udhëheqës në atë kohë i Shkollës së regrutëve të UÇK-së në Lybeqevë (Malësi)
dhe sigurisht se policia e ushtria serbe e dinin. Së dyti se, djemtë e Salihut,
ishin të angazhuar në UÇK, si Elez Sali Kyeziu, por edhe ata që ishin në mërgim,
Shaip Sali Kryeziu, Kasam Sali Kryeziu, dhe Avdi Sali Kryeziu (babai i
Alindit), ishin kontribuues të rregullt në mbështetje të UÇK-së, dhe shumë
aktivë. Pra, me këto të dhënat tona, mendojmë se e vërteta e vrasjes së fëmijës
Arlind Avdi Kryeziu dhe plagosjes së nënës së tij, janë vrasje të qëllimshme që ka
bërë ushtria e policia serbe. Por citati që jepet në versionin serb, ka
për qëllim, që në ndonjë gjykim eventual të pasluftës, rastin ta nxjerrë si
rastësi, që në asnjë mënyrë nuk do t’i qëndronte. Sipas nesh, qëndron fakti, se
shtëpia e Limon dhe Salih Kryeziut është gjuajtur qëllimisht, siç është
gjuajtur shtëpia e Ylmi Shani Shalës, shtëpia e Mestan Hasan Ajgerajt (spitali
ushtarak) dhe të gjitha shtëpitë në lagjen Ajgeraj, ku ka qenë kuzhina e
UÇK-së, shtabi i logjistikës së UÇK-së, shkolla e regrutëve të rinj dhe
objektet e tjera ushtarake. Por duhet të shtojmë faktin, se këto ditë, vështirë
të numëroheshin shtëpitë e goditura në Malësi, nga predhat serbe, të cilat më
vonë edhe i dogjën për t’i humbur gjurmët. Një rast tjetër kemi edhe në vrasjen
e Kadishe A. Berishës (gjyshes
së autorit) në Jeshkovë të Vërrinit, e cila u vra po nga granatat. Dhe
në versionin e dhënë nga ushtria e policia serbe thuhet se u gjuajt në drejtim
të shtabit në Jeshkovë, më saktë në shtëpinë e Naser Shalës. Por kontesti
qëndron në faktin se shtëpia e Naser Shalës gjendet në fund të fshatit, ndërsa
Kadishe Berisha u vra në krye të fshatit, në një largësi tepër të madhe, që
profesionalisht do ta argumentonte dyshimin tonë. Raste të vrasjeve të
qëllimshme dhe konteste në versione, ka edhe shumë tjera, por le t’i mbeten një
studimi tjetër më të thellë, për t’iu kundërvënë kësaj propagande. Në fund do
të themi se propaganda serbe dëshironte që shqiptarët edhe t’i vriste, edhe t’i
shpallte fajtorë. Ky është kulmi i absurdit, që herë pas here edhe mbledhësit
dhe publikuesit e shënimeve të FDH-së, janë vënë në këtë grackë.
------------------------------------------------------------------------------------
EDHE NJË DËSHMI E
DHUNËS SERBE NDAJ SHQIPTARËVE
FRANKFURTER RUNDSHAU
Shqiptarët dënohen nën akuza absurde për
terrorizëm
Mjeku i ri akuzohet se kishte sulmuar
policinë – në kohën kur ai ishte në arrest
*Mjeku 32-vjeçar, me figurë të brishtë, me
flokë të rralla dhe me syze briri mbi hundë, nuk duket si një terrorist. Thuhet
se Afrim Avdaj, pasditen e 16 korrikut, bashkë me katër të akuzuar të tjerë,
kishte hapur zjarr me kallashnjikov, mitraloz dhe granatahedhës kundër një
patrulle policre.
*Absurd, mendon avokati Bashkim Nevzati.
Sepse në çastin kur gjoja kishte ndodhur vepra Afrim Avdaj, siç është dëshmuar,
tashmë kishte qenë në stacion policor.
STEPHAN ISRAEL, PRIZREN
Beogradi po
zhvillon procese politike kundër 2 mijë shqiptarëve në Kosovë. Njerëzit
mblidhen me racione policore gja si anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
dhe paditen për “terrorizëm”. Afrim Avdaj kishte pasur fatin e keq që në çastin
e gabuar të jetë në vend të gabuar. Këtë javë Ai bashkë me katër shqiptar të
tjerë doli para djyqit në Prizren. Aktakuza e rëndë i referohet “terrorizmit”
dhe “aktiviteteve kundër integritetit të shtetit”, pika paditëse të cilat jurisprudenca
serbe i paraqet kryesisht kundër anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Mjeku 32-vjeçar, me figurë të brishtë, me flokë të rralla dhe me syze briri mbi
hundë, nuk duket si një terrorist. Thuhet se Afrim Avdaj, pasditen e 16
korrikut, bashkë me katër të akuzuar të tjerë, kishte hapur zjarr me
kallashnjikov, mitraloz dhe granatahedhës kundër një patrulle policore. Absurd,
mendon avokati Bashkim Nevzati. Sepse në çastin kur gjoja kishte ndodhur vepra
Afrim Avdaj, siç është dëshmuar, tashmë kishte qenë në stacion policor. Anëtarët
e vërtetë të UÇK-së as që dalin para gjyqit, është i bindur avokati. Sipas
mënyrës serbe të leximit “terroristët” ose kanë fatin të shpëtojnë ose
asgjësohen menjëherë. Megjithatë, çdo ditë policia serbe arreston shqiptarë.
Fundja duhet të dëshmohen suksese në luftë kundër “terrorizmit”. Nganjëherë
janë njëqind a më shumë që për një ditë sillen në stacion policor në Prizren,
thotë avokati. Një pjesë lirohet pas disa orësh, të tjerët, siç është Afrim
Avdaj, mbesin. Mjeku i ri, i cili ka qenë për specializim në një spital të
Sarajevës, në Prizren kishte dashur të qëndronte vetëm pak dhe të vizitonte të
atin të sëmurë nga kanceri. Por, ai ka vdekur deri sa i biri gjendej në arrest.
Para gjyqit Afrim Avdaj flet për orët e para në arrest policor. Për disa orë ai
ishte detyruar që bashkë me 18 të arrestuar, të qëndronte në dyshemenë e
stacionit policor në Prizren. Secili polic që hynte brenda i godiste shqiptarët
me shuplakë apo me shqelma. Por, kjo nuk është një gjë e veçantë: në qytete të
tjera bëhen edhe torturë për të nxjerrë pohime. Më vonë shkohet në testin me
parafinë, me të cilin mundë të konstatohen gjurmët e barutit në duar. Te Afrim
Avdaj testi gjoja kishte rezultuar pozitivisht. Kjo është “dëshmia” e vetme që
kanë organet hetimore. Në gjyqin e Prizrenit duket se gjithçka ecën sipas
rregullave. Këtë ditë toni ndoshta është më i përzemërt se herëve të tjera,
sepse, fundja, këtu si vëzhgues janë përfaqësuesit e organizatës **“Mjekët pa kufij” dhe
gazetarët e huaj. Në krye të sallës qëndrojnë ulur pesë gjyqtarë. Të akuzuarit
paraqiten me radhë. Sekretarja e gjyqit duhet të pyes vazhdimisht, sepse nuk
mundë t`i kapë menjëherë emrat e vendbanimeve dhe të akuzuarve shqiptarë. Ashtu
si i gjithë ekipi në bankën e gjyqtarëve edhe ajo është sjellë këtu nga
Beogradi. Drejtësia vendore nuk mundë të përballoi punën. Çdo ditë në orët e
paradites vetëm në Prizren para gjyqit dalin 5 deri 6 gjoja “terroristë”,
nganjëherë ka edhe fshatarë mbi 70-vjeçar, pastaj përsëri studentë të rinj.
Sipas të dhënave të organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në
zhvillime e sipër janë procedurat kundër rreth 2 mijë shqiptarëve të Kosovës,
procedura këto me karakter të qartë politik. Afrim Avdaj nuk kishte fat në
terminin e tij gjyqësor. Kërkesa për ndërprerjen e arrestit për shkak të
vdekjes së të atit nuk ka gjasë. Avokati Bashkim Nevzati dështon edhe me
kërkesën e tij për dëshmitar të tjerë. Por, ai s`ka pritur diç tjetër. Rolet në
këtë pjesë të keqe teatrore janë të ndara qartë. (E.R).
*Artikull i botuar në
Koha ditore, 21 dhjetor, 1998, Zvicër.
**Organizatën “Mjekët
pa kufij* e drejtonte z. Bernard
Kushner, më vonë Kryeadministrator i misionit të huaj në Kosovë -* Shënim i
yni.

Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen