Dienstag, 4. Oktober 2022




Sogje

 

Kam një jetë shikimi më është ngrirë

përtej guri

dhe nuk më ndahet një hije e zezë

për asnjë çast

 

seç më mban peng ideali

dhe ajo bjeshkë e ndarë atje majë mali,

e ai gur

mbi plagë ç’më rëndon

 

shpesh ma zë rrezen e diellit mbi Kukës

e me pamjen e brishtë

dritën ma verbon

mbi Prizren

 

eh, kam një jetë që i kam vënë syrin 

se si erdhi ora

se diellin me copëza

po e shoh

 

      2022, Prizren

 

Vegullia e diellit të zënë

 

Syrin ia gërvishten diellit

derisa ia zbehën rrezen e kristaltë

të shkëlqimit

 

hiena nate rizgjuan

nostalgjinë e moçme

miopët

matrapazët

argatët e dreqit

antikombëtarët

orla nën qiellin e amulluar

 

nëpër verbërinë e moteve

edhe zogjtë e tu luajtën lojën e korbave

 

këmishës tënde të shqyer

shitën copëza

asht nga ashti yt

e gjak nga rrjedha

e damarëve të tu

shesh i bajraqeve hileqare

në arenën e ligësive

 

 

mbete arenë e etjeve të fqinjëve

në duart e argatëve të tu të shitur

 

      2022

 

 

Udhëkryqet e shpresës

 

Nga koka, nga muza

na e pëlcitën mendimin

 

shpresa po thyhet

si kristalet

në buzët e njeriut

 

nga më të bukurat ditë

që s’po pikojnë lumturi

në kob shtrydhet koha mort

 

motet kovidiane

ia zunë frymën mendimit të mirë

e lanë pa qiell

 

tanimë

gishtat gati mbi sustat e kuqe

dhe atomi gati

 

luftërat dhe planet

e pakësimit të njerëzimit

strategji komitetesh

 

e kujt është

kjo botë

 

   2022

 

 

Sa herë shfletoj fletët e historishme

 

Sa herë hap fletët e ikjeve të historishme

Deshifroi ditët e dy dekadave më parë

Dhimbja trazon plagë e ndjellë trishtim

Fletë -fletë shpaloset dhuna e kobzezës

Mbi shtatin e Dardanisë

 

Tek përpëlitemi ecjes drejt së nesërmes

Assesi s’ dua ta harroj

Udhën e qëndresës

Dhe luftën për të kapur pak rreze diellin

Për shtatin tim të lodhur errësirës

 

Kulla të shkrumbuara deri në themel

Kodra që ndrydhen varreve

E gropa që presin eshtrat e atyre

Që ende s’ u kthyen

Nënat tek vajtojnë mbi dhimbjet e tyre

Fëmijë me rritën e këputur në mes

Pleq e plaka të vrarë në pragun e kullave

Dardania ime plot plagë

 

 

Edhe sot si këtu e dy dekada më parë

Ende kriminelët e Kalamegdanit

Ngritin hierarkinë e lavdisë mbi gjenocidin

Tek thurin lëvdata për krimet

Dhe gradat që i bartin turpshëm mbi shpatulla

Dhe numërojnë kokat e prera shqiptare

E kurrë nuk i thirrin pendesës

 

Dhe sa herë hapë fletët e ikjeve të historishme

Kriminelët e Kalamegdanit të zi

I shoh me një barrë krimesh e gjenocid

Që edhe sot e për dy dekada

Pinë verën e lavdisë së krimeve

Dhe pozojnë sharlatanizëm

Salloneve të Evropës plakë

 

Dhe sa herë shfletoi fletët e ikjeve të kuqe

Atdheu më fton në vigjilencë

Gjyshi plak me amanetin:

Kullën, frëngjinë dhe syrin vëngër

Kah veriu i zi

 

           Shkurt, 2022

 





Libri: Krekosja e dordolecit, poezi për fëmijë...!


IKJA E DIMRIT

 

Ngadalë edhe dielli nis e zemërohet

Me plot shkëlqim rrezet mbi borë lëshon

Me pika loti dimri largohet

Në rrjedhë lumi përfundon

 

Me rrezet e diellit bashkohen erërat

Dhe si me fshesë mbi borën bie

I fshinë gjurmët si herët e tjera

Me lule të reja pranvera vjen

 

Dhe pika - pika loton nga kulmet

I urtë, i qetë me lot në sy

Hap krahët pranvera mbulon me lule

Pa gjurmë, pa fjalë iku dhe ky

 

           2022, Vërri

KREKOSJA E DORDOLECIT

 

Një dordolec

Qanë tek oborri

Është i zemëruar

Se dielli doli

 

Lotët për faqe

Rrjedhë i shkojnë

Ngadalë dhe barku

Po i zvogëlon

 

Dhe lotët çurg

Rrjedhë duke qarë

U shkri i tëri

E s’mbeti gjë

 

Dielli i buzëqeshur

E plot zemërim

Kurrë mos u krekos

Para shkëlqimit tim

 

      2022, Vërri

 

DËSHIRA E LISËS

 

Në krahët e bletës

E mbolla një dëshirë

Që të bëhem

Punëtore e mirë

 

Në zërin e kanarinës

Një merak më shkoj

Këngët më të bukura

Atdheut t’i këndoj

 

Një flutur e bukur

Përmbi lule ra

Bukurisë së saj

Dua me i ngja

 

Një rreze e diellit

Dritaren e pushtoi

Dua t’i ngjaj asaj

Botën ta ndriçoj

 

     2022

 

E DREJTA DHE E PADREJTA

 

Thonë e drejta nuk pranoi

Kur padrejtësia kurth i ngriti

Ra në tokë, por nuk lakoi

Kokën lart përsëri e ngriti

 

Edhe kur udhët ia kurthuan

E intriga i ngritën plot

Asnjëherë nuk e nënshtruan

Eci drejt e s’u thye dot

 

Dhe kur në shesh doli e drejta

Edhe hilet u zbuluan

Gjithmonë fiton e vërteta

E të padrejtën e gjykuan

 

SMIRA

 

Tek një pemë e panë smirën

Kah po grindej plot inat

Kur e pyetën pse pështynte

Pemët e degëve atje lart

 

Janë të tharta s’kanë lezet

Foli smira plot zemërim

Qeshën pemët lart mbi degë

S’na arrin ndaj ke trishtim

 

Iku smira e turpëruar

Kokën ulur plot hidhërim

Por më shumë e qeshi bota

Plot përbuzje e nënçmim

 

     2022

 

SHTËPIA E MËRGIMTARIT

 

Nga parmaku i dritares

deri te doreza e një porte

rriten rrjetat e merimangës

kush s’ua prishë lojën ndër mote

 

Ngritën murit drejt çatisë

plot shkëlqim tela mëndafshi

janë bërë zonjat e shtëpisë

kush s’i tremb as s’ua prish rrathët

 

Thonë i zoti i shtëpisë

në mërgim diku ka ikur

deri tek portat e avllisë

merimangat duke pritur

 

            2022


GJYSH MË THUAJ KU E GJEN

FRYMËZIMIN?

 

Gjysh më thuaj: Ç’është frymëzimi?

Ku e merr që në vargje e sjell

Pyeti mbesa gjysh Gëzimin

Që aq shumë vjersha na sjell

 

Në gojë të fëmijëve kur këndojnë

Fytyrëqeshur kur i shoh

E në shkollë sa herë shkojnë

Nëpër libra kur mësojnë

 

E gjej në krahë të dallëndyshes

Në vende të ngrohta kah flatron

Njerëzve të mi që i kam mërgimit

Të fala vargjesh kah u çon

 

Në atdheun plot liri

E në kopshtet e gjelbëruara

E gjej në qiellin plot kaltërsi

Nëpër sheshe të gumëzhuara

 

E gjej bjeshkëve plot me borë

Nëpër pyjet e bleruara

E gjej fushave plot me lule

Nën burime në rrjedhë të gurrave

 

Në plis të gjyshit bardh si bora

Në frëngji të kullës plot qëndresë

Nëpër breza që rriti koha

Mbrojtën nderë e ruajtën besë

 

Në qëndresën për atdhe

Në lapidarin e dëshmorit

Për ditë të bardha që gëzojmë ne

Dhe në luftërat për fitore

 

Në aromë të lules aty në kopsht

Në krah fluture kah fluturon

Rritën tuaj kur e shoh

Gjithçka gjyshin e frymëzon

 

Ky frymëzim që marr në jetë

E rritë gjyshi nëpër vargje

Aty fjalës i jap jetë

Dritë për ju shpërndajë pa u ndalë

 

                  2022


KË DO MË SHUMË GJYSHI?

 

Gjysh o gjysh pa më thuaj

Cilën e do nga ne më shumë

Pyeti Lisa e zemëruar

Është Lona apo unë

 

Gjyshi qeshi i pushuar

I vë dorën përmbi flokë

U kam mbesa shumë ju dua

E asnjërën s’e dalloj

 

Shiko gishtat në një dorë

Të dhemb njëri po e preve

Ashtu dhemb tjetri njësoj

Të një dore të dy janë

 

Edhe ju mbesat e mia

Gjyshi zemër juve ju ka

Që të dyja jeni të mira

Ju për gjyshin jeni një

 

Lojën mbesat e vazhduan

Edhe grindje më nuk pati

Nga ajo ditë u pajtuan

Si dy pëllumbesha lozin bashkë

 

               2022

 

MËNGJESI,  RREZJA DHE VOGËLUSHI

 

Erdhi mëngjesi në dritare

Bashkë me rrezen plot shkëlqim

Mbuloi fusha edhe male

Mbi faqe të vogëlushit plot ledhatim

 

Por ky çuni s’qenka zgjuar

Qeshi rrezja hahaha

Ih, ç’dembelë paska bota

Dhe mëngjesi një fjalë e tha

 

Edhe pak pse nuk vonuat

U tha vogëlushi me zemërim

S’ndjehem mjaft i pushuar

Ju ma prishët gjumin tim

 

Duke qeshur hahaha

Iku rrezja poshtë oborrit

Ky vogëlush qenka gjumash

Me mëngjesin duke folur

 

Plot inat vogëlushi u zgjua

Shpejt e shpejt u vesh e u mbath

Uh, në shkollë qenkam vonuar

Me të drejtë gjumash më thanë!

 

           2022

 

VJERSHA DHE TONI

 

Zihen vjershat nëpër libra

Cila është nga ne më e mira

 

Unë në rima di të vallëzoj

Edhe në këngë bukur shkoj

 

Zënkën Toni kur e pa

Me kujdes i dëgjoi e u tha

 

Unë pa hile ju tregoj

Cila është nga ju më e mira

Nga ajo që më së shumti

Do të më flas e më mësoj

 

               2022


ERDHI PRANVERA

 

Erdhi pranvera plot freski

Dhe natyrën mbushulloi

Dilni jashtë ju fëmijë

Ajri i pastër t’ju freskojë

 

Mbyllni vesh e mbyllni sy

Për rreth teje dëgjo erën

Ajo tek të ledhaton

Me aromën e pranverës

 

Shiko qiellin lart përpjetë

Rrezet të diellit si ndriçojnë

Faqes suaj tek rrëshqet

Lehtë e lehtë ju ledhaton

 

Pa shikoni njëherë natyrën

Dhe blerimi si gjelbëron

Erdh pranvera, erdh pranvera

Jetës ngjyra na i dhuron

 

        Prill, 2022, Vërri

 

DIELLI I VERËS

 

Dielli verës i buzëqesh

Plot shkëlqim në fytyrë

Plot ngrohtësi hapësirën ia veshë

Ngrohtësi e mbush natyrën

 

E mbushë lulen me balsam

Plot aromë e bukuri

Mbi lëndina pikturon

Plot aromë e hijeshi

 

Sa shumë detit i buzëqesh

Dritë, shkëlqim e ngrohtësi

Edhe plazhin plot ia veshë

Me gumëzhima e fëmijë

 

           2022-6-21

 

VJESHTA

 

Sa shumë ngjyra marrin gjethet

vjeshta vjen me brushë në dorë

për çdo ditë natyrën veshë

është më i miri piktor

 

Dhe kur gjethet nisin bien

vjeshta zhvishet dalëngadalë

erërat nisin e tërbohen

dhe furtunat s’kanë të ndalë

 

Dhe kur gjethet i vishen tokës

vjeshta vjen ngadalë e ftohtë

kafshët pyllit në strofull mbrohen

të ftohtit zbret dhe përmbi tokë

 

Kur të gjitha gjethet të kenë rënë

edhe vjeshta pranë ka ardhur

dhe të ngrohtit të na ketë lënë

vjeshta tek dera ka ardhur

 

      2022

 

 

DIMRI

    

Flluska bore po vijnë qetë - qetë

Nga rruga e gjatë dhe e ftohtë

Kërkojnë qetësi e pushim pranë nesh

Dhe tokën e zbardhëllojnë

 

Pema tek oborri bëhet plisa - plisa

Tufa të bardha e plot shkëlqim

Mbi kokat e tyre orë e çast rrita

Tek po bie borë pa pushim

 

Qetë e qetë bie mbi lëndina

Për sajë e ski pista po bëhet gati

Vishuni ju fëmijë, vishuni si për dimër

Ejani të rrëshqasim nga maja e atij shpati!

 

            2022

 

 

XHELOZIA

 

Një natë pylli në dritë hëne

Ecte ujku plot trishtim

Prapa hija i ishte vënë

Po e ndiqte plot zemërim 

 

Sa andej e sa këndej

Hija trupin shpesh e zmadhon

Shtyhej ujku sa përtej

Hija lojën s’e ndalon

 

Xhelozinë ujku e ndezi

Përtej hijen tek shikon

Iu duk hija se përqeshi

I krekoset e xhelozon

 

Mori ikën ujku nga pylli

Shpejtoi hapat e vrapon

Sa më larg nga pylli

Ku edhe hija të xhelozon

 

 

 

BARSOLETAT E DHELPRËS

 

Tregoi dhelpra një barsoletë

I foli pyllit për drejtësi

Ariu i tha ç’flet moj dhelpër

Për këtë pikë na flet ti?!

 

Mos tek unë do ta gjuash

Hundën tënde plot ndyrësirë

Të pashë unë kur haja mjaltin

Pranë kotecit duke ngrirë

 

E na flet për drejtësi

Fjalë me rrotulla kritikon

Po të mos kishe emrin dhelpër

Ndoshta fjala të peshon.

 

               2016

 

 

NË PYLLIN ME LISA NJË DHELPËR DINAKE


Në pyllin buzë lumit, të sosur s’kanë intrigat

Ndërskamcat e huqet, rrënjë kanë zënë të ligat


Ujku qysh moti sherrin e kishte vërejtur

Në heshtje po e shikonte, veç punën e vet


Njësoj dhe arusha, shumëçka po përpinte

Injoronte çështjen, pak dembele që ishte


Për derrin e egër, problem s’ishte fare

As që qante kokën, çështjes t’i gjejë qare


Intrigat vazhduan mbi pëllumbin e bardhë

Nuk kish faj i gjori, radha i kishte ardhë


Korbat për të zeza, s’e kishin mërzi

Ndonjë kockë u mbetej, sa për ta lëpirë


Lojërat dolën në dritë, kur iu ngjit bilbilit

Për këngën e bukur, pse ishte më i miri


S’ ish problem i sotëm, gjithë kjo grindje në pyll

Ish problem i vjetër, qysh kur shoqata u mbyll


Për grindjet në pyll të gjithë tregojnë

Një dhelpër dinake, shumë e akuzojnë


Çështja u përhap, fjala mori dhenë

Tani as pesë para, lëkura s’i vlen

 

 

 

 

ANKESA

 

Breshka me samar ngriti një ankesë

Shoferët e makinave për ne të kenë kujdes

 

Kur shkojmë trotuarit, rrugës kur kalojmë

Shpejtësinë e as makinën fare s’e ndalojnë

 

Mirë e tha breshka, iriqi pajtoi

Këto udhë pa zebra s’ kem si t’i kalojmë

 

Drenusha këmbëgjatë dhe unë tha pajtoj

Përndryshe mbi xham shoferin e kaloj

 

Bualli: sa për mua, mos i lutni fare

Kur të më dalin para shpejt u bëj qare

 

Ariu tha: Ja ku jam, për trimëri s’e kam

Pajtohem me ju, shoferët t’i denoncojmë

 

Peticioni u nënshkrua, në polici u dërgua

Rreziqet u pakësuan kur dënimet filluan

 

                         2015

 

 

Ç’ THANË?

 

Ç’tha një arush për hamamin e vjetër

Sa saçi mbi të flija duke pjekur

 

Ç’tha një dhelpërushe për pulën në skarë

Ajo është e coftë ndaj s’dua ta marr

 

Ç’tha një ujk për plisat e bardhë

Sa shumë qengja paska atje në pazar

 

Ç’tha një dhi e egër bregut nën kala

Bar i mrekullueshëm që askund s’e kam parë

 

Papritmas u trembën, pyllit u larguan

Krisma fishekzjarrësh qytetit kur dëgjuan

 

                         Prizren, 2016

 

 

 

PËRRALLËZA ABSURDE


Një arushë me veshë të gjatë

Hante mjaltë me lopatë


          Një lejlek në një hendek

         Zinte peshq me grep


Një elefant nga një breg

Do ta futë detin në feçkë


          Milingona mbi një lëndinë

          I shpalli arushës dyluftim


Ujë me sqep nxjerr një lejlek

Tha se Drinin do ta shtjerrë

E një peshk nga uji ta nxjerrë


          Bënte sehir një magjistare

          Do ta qesë tha botën fare


Me një dhëmbë në dhëmballë

Po e hante plot një skarë


Tha një deve shumë meskine

E fus detin maje shpine


          Skaji liqenit në një qosh

          Një plakë mbushte ujë me shoshë


Këto askush nuk i besoi

Këtu përralla përfundoi

 

 

 

NJË LEJLEK NË POSLISHT


Në Gurrë të Poslishtit një lejlek

Hante peshq te një hendek


Vidhte peshq, mbushte sqepin

Në *Hudhër të peshkut të një fermeri


E një ditë ai benë ia bëri

Vuri kurthe dhe e zuri


I lidhi këmbë e sqep

Ushqim dy ditë s’i jep


Të tretën ditë kur e liroi

Iku lejleku fushës shkoi


Nga ajo ditë në *Hudhër s’vjen

Poshtë tek lumi peshq merr


       Poslisht, 2015

 

KËSHILLA NGA URTIA


Nga një etje a dëshirë

Mos e humb njeriun e mirë


Nga një dëshirë a pasion

Kujdes tjetrin mos dëmton


Mbaj kujdes në katër qoshe

Të mos hedhësh fjalë boshe


Miku i mirë për ditë të vështira

Duhet ruajtur në ditë të mira


Mos u mëso kurrë me smirë

Se të prishë me mik më të mirë


Nëse dikë me fjalë lëndon

Ti do të humbësh e tjetri fiton


Pastro veten nga ligësia

Të të përcjellë në jetë e mira

 

 

VOTA E DHELPRËS

 

Dhelpra që mirë e njihte mashtrimin

S’e kish për hall ditën e votimit

 

Se kujt kokrrën do t’ia hidhte

Në mos sekretin kush do t’ia vidhte

 

Në mos ndokush dekonspironte

Votën e saj t’ia zbulonte

 

E kish mjeshtri dhe s’e kish hall

Të gjithëve u thoshte votë të kam dhënë

 

S’e kishte halë e as frikë

Me të gjithë mirë në politikë

 

Shkonin e vinin, vinin e shkonin

Dhelprës mustakun kurrë s’ia trazonin

 

                Prizren, 2021

 

 

KUR VJEN PRANVERA

 

Kur fushës lulen në dorë i kapim

e mbi gjelbërim e hedhim hapin

 

Kur mbi lëndina bari mbulon

bujku mbi ara tokën lëvron

 

Kur pema në degë lulet i çelë

e plot aromë tek ne na sjellë

 

Kur manushaqet plot bukuri

sjellin aromë ...

 

E kur bilbili mbi degë këndon

pylli oshtimë plot mbushullon

 

E kur gurrat gurgullojnë

shtatin stinës ia freskojnë

 

Kur në blerim gjithçka buzëqesh

pranvera rrobat  i ka vesh

 

 

 

 

 

KUR ZHVESH RROBAT VJESHTA

 

Piqet pema në oborr 

kokrrat gjyshi i vjel me dorë

 

Edhe rrushi në hardhi

i mbledh gjyshja një nga një

 

Misri arave kokrrat i poqi

ndaj fermeri e mbush koshin

 

Lakrat kopshtit mos t’i zërë borë

i mbledh babi ...

 

Shtëpinë vjeshta na e mbushulloi

bylmet për dimër na dhuroi

 

Vjeshta zhveshi gjithçka gjet

zhveshur dimrin po e pret

veç se neve na dha jetë

 

 

DIELL KA PËR TË GJITHË

 

Shkrepi rrezja plot shkëlqim

Përmbi gjethe shkoi e ra

Fleta ngrohej pa pushim

Më bën hije shoqja i tha

 

Dielli eci me shpejtësi

Ndërroi polin e s’u ndal

Gjethit tjetër plot ngrohtësi

Dhe shkëlqim plot i falë

 

Shtyhej gjethja e proteston

Shkoi tek dega plot ankesa

Motra diellin ma e vodhi

Unë nën hije tani mbeta

 

Shikoi dega plot dëshpërim

S’e duronte dot ankesën

Diell ka për të gjithë

Larg egos me njëra - tjetrën

 

              2021, Zvicër

 

 

HËNA DHE GONI

 

Përmbi Sharr hëna buzëqesh

Tek dritarja plot shkëlqim

Goni i vogël nuk po fle

Duart mbi faqe plot shqetësim

 

Nata pikon qetësisë

Dritë e hënës plot shkëlqim

Goni i vogël ka një hall

Vallë, ku është tani babi im?

 

Përmbi xham hëna ndriçon

Pranë dritares rri menduar

Vija malli tek vizaton

Në mërgim babi ka shkuar

 

Hëna s’fjeti deri vonë

Bashkë me Gonin natën ndanë

Njëri babin e kërkon

Tjetra natës dritë i bënë

 

           2022, Prizren

 

 

 

 

 

 

GURRAT NË VËRRI

 

Ku ka ujë të bardhë si bora

Dhe burime e gurra plot

Kur e prek të mërdhinë dora

Ndër Vërrina ujë të ftohtë

 

Ndër flladishte atje ndër lisa

Gurgullojnë e s’kanë të ndalë

Në mes verës plot me vapë

Plotë freski Vërrinit i falë

 

Gurgullimës plot freski

Rrjedh teposhtë e s’ka të ndalë

Në çdo vatër e shtëpi

Na jep jetë e freski falë

 

Ku ka ujë e plot burime

E ku jeta merr freski

Nëpër gurrat e Vërrinit

Shtatit të Vërrinit plot bukuri

 

               2021, Malësi e Vërrinit

 

BOTA E HILEVE

 

Ikë një stinë e erdhi një tjetër

S’i ndërroi rrobat dhelpër e vjetër

 

Erdhi pranvera, dimri shkoi

Ujku qimen shpejt e ndërroi

Por zanatin s’e harroi

 

Kur u zgjua ariu nga gjumi

Kishte marrë fund katundi

Gjithë kotecet dhelpra i shkundi

 

Kur të gjejnë për gomar

Përtej lumi sa për të dalë

Pastaj thupër në kthesë të parë

 

Nga shumë hile bota çalon

Ndaj shumëçka për mbarë nuk shkon

 

               2021


ARDHMËRISË SIME

Ç’ NGJYRA  T’ I  DHUROJ?

 

Gjysh pa më thuaj

Me ç’ngjyra të vizatoj

Të ardhmes sime

Ç’ngjyra t’i dhuroj?

 

E kuqja më ngjanë

Në ngjyrën e gjakut

Janë gjithë këto luftëra

Që po i skuqin pragjet

 

Ashtu flakë e zjarrit

Kuq me shkrumb e hi

Sa herë që i shoh

Tek digjen shtëpi

 

E verdha më ngjanë

Pamje për skamnorë

Buka që mungon

E në varfëri jetojnë

 

Ç’të them mbesa ime

Për këtë botë të krisur

E mira njerëzore

Shumë na ka braktisur

 

Ngjyrat më të bukura

Janë paqja dhe liria

Kështu duhet të jetojnë

Në botë e gjithë njerëzia

 

       Shkurt, 2022 (Në fillimet e luftës në Ukrainë).

 

SE KËTU

 

Nga të pathënat doli e thëna

dikush e hodhi jo për shaka

se si këtu pjell edhe e pabëra

e ai që nxori dert nuk e ka

 

Se këtu pjell dosa e rosa

pa çka se dosa nuk pjell kurrë

nga goja vetë del e pabëra

në ditë me diell e shpik një burrë

 

Thonë e pathëna paska ligësinë

atje nga doli adresën ka

po për adresë ka parë  njerinë

ves ka të ligën, virtyt nuk ka

 

Për të pathënën rron e vërteta

një ditë tek sheshe del faqebardhë

por ç’t’i bësh tjetri që pjell të tjera

abortin gojës si me ia ndalë?

 

      2022

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

TË JESH DALLËNDYSHE


Të jesh dallëndyshe nuk është dhe aq keq

Kalëron gjithë botën vizën kush s’ta heq


As në ambasada s’duhet pritur radhë

Eja sot e nesër se viza s’ka dalë


As për aeroplan biletë kush s’kërkon

A ç’më bën për mjegull e s’po fluturon


Se për doganier s’e kemi dert fare

Bartim ç’të duam kalimi pa pare


Në rrugë policia kurrë s’na ndalon

S’na bën për dënime as nuk na qorton


Të jesh dallëndyshe shumëkush e lakmon

Nuk të duhet vizë ku të do të shtegton


                2016


ATDHEU

Fusha e brigje i bashkon

I mbledh zogjtë në një gëzof


Është adresë kudo që shkon

Pasaportë në medaljon


Kur errësira mbi të tërbohet

Për të vdiset e flijohet


Është i shtrenjtë nuk ka çmim

As për ar as për shpërblim


Ndaj e duam shumë e çmojmë

Bashkë të ardhmen e ndërtojmë


       2016