Sonntag, 6. November 2022


 

 

Gëzim AJGERAJ

 

KREKOSJA E DORDOLECIT

Poezi e fabula për fëmijë e të rinj

 

Shtëpia Botuese “7 Days”

Prizren, 2022

 

 

 

H Y R J E

 

KREKOSJA E DORDOLECIT

 

Të dashur fëmijë e të rinj, 

Dua të jem pranë jush, jo në mënyrë filozofike, por të bashkudhëtojmë nëpër shtigjet e pafundme të letërsisë. Ky është tisi i artë që na bashkon kudo që ndodhemi. Jemi bashkë në sofrën e madhe poetike e na bëhet ushqimi më i preferuar i të gjitha kohërave.

Kjo, pa dyshim, është dominanca.

Librin me poezi, që po e sjellim përpara jush, me një tematikë, sa interesante, aq edhe përmbajtjesore, me një diversitet të ngjyrave të jetës, që sjellim për ju, përmes poezisë, gjeni larminë e temave interesante.

     Brenda këtij diversiteti temash, arrijmë të kapim e të shpalosim për shumëllojshmërinë e qasjeve universale, për jetën dhe shoqërinë njerëzore. 

     Duke pasur parasysh se ky libër u dedikohet moshave të fëmijëve, por edhe të rinjve, synimi ynë ka qenë dhe është që libri të kapet për mosha, deri tek ato të më rriturve, për shkak të thellësisë së mendimit dhe të dytësisë së mendimit. Po ashtu, duhet parë edhe në këndin psikologjik apo psikofilozofik gjithmonë në përshtatje me moshën, pasi kohërat evoluojnë dhe shoqëria njerëzore i ka zhvillimet epokale.

     Krekosja e dordolecit, vjen për ju në një llojllojshmëri vargjesh, e deri te ngjyrat e fabulës, përmes së cilës, nganjëherë, përveç karakterit edukativ, që është prioritet për ne që t’u japim brezave, ka edhe thumbimin e vet, duke pasur aty-këtu edhe fabulën, si mjet vargu, ku elementet e nevojshme gjenden në çdo poezi.

     Kjo, për faktin, se problematikat që ndjekin shoqërinë tonë, sigurisht që duhet të thumbohen e të stigmatizohen, për t’u flakur nga mendja e brezit të ri. Krekosja, si veprim dhe krekosja si stigmë në vargje, janë dy metafora që ndeshen me njëra - tjetrën, për t’u shkrirë në një shembull goditës, tek i cili duhet të shikohet secili ngapak, e aq më tepër edhe ju të dashur fëmijë. 

     Porositë e tjera që vijnë nga poezitë e ndryshme, duhet të merren si mesazhe edukative, të cilat përcillen përmes vargut, porosive të gjyshit, përmes imazheve të sendeve, fëmijëve, stinëve, planetëve dhe të gjitha ato që na rrethojnë. 

     Pra, imazhet dhe temat, janë pjesë e gjithë asaj që na rrethon, ku shkrirja në vargjet e tyre, bëhet shëmbëlltyra jonë më e mirë, plot mesazhe drite e reflektimi.

      Nganjëherë edhe pse vargjet janë të ngarkuara me emocion, duke pasur parasysh mospërcaktimin e moshës brenda librit, autori  juaj është kujdesur gjithmonë, që edhe ngarkesa e vargjeve, por edhe libri, si tërësi, të mos jetë edhe aq shumë i ngarkuar, në mënyrë, që përqafimi i tij të jetë më i kapshëm për shumicën e moshave.

     Le të ecim së bashku me rrjedhën e vargjeve, duke i shpalosur ato kujdesshëm, pa u nxituar, por me një lexim të qetë e të logjikshëm, në mënyrë, që të paktën të shikohemi edhe ne vetë, nëse diku edhe pamja jonë brenda kësaj pasqyre ka gërvishtje apo të meta, të cilat me kohën, duhet t’i largojmë nga ne. 

     Ndoshta, kjo do të ishte porosia më e mirë, jo vetëm për këtë libër me poezi, por edhe për të gjithë librat që na bie t’i lexojmë.

Të dashur fëmijë e të rinj, uroj për ju lexim të mbarë e plot frymëzime nga vargjet e këtij libri!

 

                               Autori

                        Zvicër, korrik, 2022

 

IKJA E DIMRIT

 

Ngadalë edhe dielli nis e zemërohet

Me plot shkëlqim rrezet mbi borë lëshon

Me pika loti dimri largohet

Në rrjedhë lumi përfundon

 

Me rrezet e diellit bashkohen erërat

Dhe si me fshesë mbi borën bie

I fshinë gjurmët si herët e tjera

Me lule të reja pranvera vjen

 

Dhe pika - pika loton nga kulmet

I urtë, i qetë me lot në sy

Hap krahët pranvera mbulon me lule

Pa gjurmë, pa fjalë iku dhe ky

 

           2022, Vërri

 

 

KREKOSJA E DORDOLECIT

 

Një dordolec

Qanë tek oborri

Është i zemëruar

Se dielli doli

 

Lotët për faqe

Rrjedhë i shkojnë

Ngadalë dhe barku

Po i zvogëlon

 

Dhe lotët çurg

Rrjedhë duke qarë

U shkri i tëri

E s’mbeti gjë

 

Dielli i buzëqeshur

E plot zemërim

Kurrë mos u krekos

Para shkëlqimit tim

 

      2022, Vërri

DËSHIRA E LISËS

 

Në krahët e bletës

E mbolla një dëshirë

Që të bëhem

Punëtore e mirë

 

Në zërin e kanarinës

Një merak më shkoj

Këngët më të bukura

Atdheut t’i këndoj

 

Një flutur e bukur

Përmbi lule ra

Bukurisë së saj

Dua me i ngja

 

Një rreze e diellit

Dritaren e pushtoi

Dua t’i ngjaj asaj

Botën ta ndriçoj

 

     2022

 

E DREJTA DHE E PADREJTA

 

Thonë e drejta nuk pranoi

Kur padrejtësia kurth i ngriti

Ra në tokë, por nuk lakoi

Kokën lart përsëri e ngriti

 

Edhe kur udhët ia kurthuan

E intriga i ngritën plot

Asnjëherë nuk e nënshtruan

Eci drejt e s’u thye dot

 

Dhe kur në shesh doli e drejta

Edhe hilet u zbuluan

Gjithmonë fiton e vërteta

E të padrejtën e gjykuan

 

 

SMIRA

 

Tek një pemë e panë smirën

Kah po grindej plot inat

Kur e pyetën pse pështynte

Pemët e degëve atje lart

 

Janë të tharta s’kanë lezet

Foli smira plot zemërim

Qeshën pemët lart mbi degë

S’na arrin ndaj ke trishtim

 

Iku smira e turpëruar

Kokën ulur plot hidhërim

Por më shumë e qeshi bota

Plot përbuzje e nënçmim

 

     2022

 

 

SHTËPIA E MËRGIMTARIT

 

Nga parmaku i dritares

deri te doreza e një porte

rriten rrjetat e merimangës

kush s’ua prishë lojën ndër mote

 

Ngritën murit drejt çatisë

plot shkëlqim tela mëndafshi

janë bërë zonjat e shtëpisë

kush s’i tremb as s’ua prish rrathët

 

Thonë i zoti i shtëpisë

në mërgim diku ka ikur

deri tek portat e avllisë

merimangat duke pritur

 

            2022

 

GJYSH MË THUAJ KU E GJEN

FRYMËZIMIN?

 

Gjysh më thuaj: Ç’është frymëzimi?

Ku e merr që në vargje e sjell

Pyeti mbesa gjysh Gëzimin

Që aq shumë vjersha na sjell

 

Në gojë të fëmijëve kur këndojnë

Fytyrëqeshur kur i shoh

E në shkollë sa herë shkojnë

Nëpër libra kur mësojnë

 

E gjej në krahë të dallëndyshes

Në vende të ngrohta kah flatron

Njerëzve të mi që i kam mërgimit

Të fala vargjesh kah u çon

 

Në atdheun plot liri

E në kopshtet e gjelbëruara

E gjej në qiellin plot kaltërsi

Nëpër sheshe të gumëzhuara

 

E gjej bjeshkëve plot me borë

Nëpër pyjet e bleruara

E gjej fushave plot me lule

Nën burime në rrjedhë të gurrave

 

Në plis të gjyshit bardh si bora

Në frëngji të kullës plot qëndresë

Nëpër breza që rriti koha

Mbrojtën nderë e ruajtën besë

 

Në qëndresën për atdhe

Në lapidarin e dëshmorit

Për ditë të bardha që gëzojmë ne

Dhe në luftërat për fitore

 

Në aromë të lules aty në kopsht

Në krah fluture kah fluturon

Rritën tuaj kur e shoh

Gjithçka gjyshin e frymëzon

 

Ky frymëzim që marr në jetë

E rritë gjyshi nëpër vargje

Aty fjalës i jap jetë

Dritë për ju shpërndajë pa u ndalë

 

                  2022

 

KË DO MË SHUMË GJYSHI?

 

Gjysh o gjysh pa më thuaj

Cilën e do nga ne më shumë

Pyeti Lisa e zemëruar

Është Lona apo unë

 

Gjyshi qeshi i pushuar

I vë dorën përmbi flokë

U kam mbesa shumë ju dua

E asnjërën s’e dalloj

 

Shiko gishtat në një dorë

Të dhemb njëri po e preve

Ashtu dhemb tjetri njësoj

Të një dore të dy janë

 

Edhe ju mbesat e mia

Gjyshi zemër juve ju ka

Që të dyja jeni të mira

Ju për gjyshin jeni një

 

Lojën mbesat e vazhduan

Edhe grindje më nuk pati

Nga ajo ditë u pajtuan

Si dy pëllumbesha lozin bashkë

 

               2022

 

MËNGJESI,  RREZJA DHE VOGËLUSHI

 

Erdhi mëngjesi në dritare

Bashkë me rrezen plot shkëlqim

Mbuloi fusha edhe male

Mbi faqe të vogëlushit plot ledhatim

 

Por ky çuni s’qenka zgjuar

Qeshi rrezja hahaha

Ih, ç’dembelë paska bota

Dhe mëngjesi një fjalë e tha

 

Edhe pak pse nuk vonuat

U tha vogëlushi me zemërim

S’ndjehem mjaft i pushuar

Ju ma prishët gjumin tim

 

Duke qeshur hahaha

Iku rrezja poshtë oborrit

Ky vogëlush qenka gjumash

Me mëngjesin duke folur

 

Plot inat vogëlushi u zgjua

Shpejt e shpejt u vesh e u mbath

Uh, në shkollë qenkam vonuar

Me të drejtë gjumash më thanë!

 

           2022

 

VJERSHA DHE TONI

 

Zihen vjershat nëpër libra

Cila është nga ne më e mira

 

Unë në rima di të vallëzoj

Edhe në këngë bukur shkoj

 

Zënkën Toni kur e pa

Me kujdes i dëgjoi e u tha

 

Unë pa hile ju tregoj

Cila është nga ju më e mira

Nga ajo që më së shumti

Do të më flas e më mësoj

 

               2022

 

 

ERDHI PRANVERA

 

Erdhi pranvera plot freski

Dhe natyrën mbushulloi

Dilni jashtë ju fëmijë

Ajri i pastër t’ju freskojë

 

Mbyllni vesh e mbyllni sy

Për rreth teje dëgjo erën

Ajo tek të ledhaton

Me aromën e pranverës

 

Shiko qiellin lart përpjetë

Rrezet të diellit si ndriçojnë

Faqes suaj tek rrëshqet

Lehtë e lehtë ju ledhaton

 

Pa shikoni njëherë natyrën

Dhe blerimi si gjelbëron

Erdh pranvera, erdh pranvera

Jetës ngjyra na i dhuron

 

        Prill, 2022, Vërri

 

 

DIELLI I VERËS

 

Dielli verës i buzëqesh

Plot shkëlqim në fytyrë

Plot ngrohtësi hapësirën ia veshë

Ngrohtësi e mbush natyrën

 

E mbushë lulen me balsam

Plot aromë e bukuri

Mbi lëndina pikturon

Plot aromë e hijeshi

 

Sa shumë detit i buzëqesh

Dritë, shkëlqim e ngrohtësi

Edhe plazhin plot ia veshë

Me gumëzhima e fëmijë

 

           2022-6-21

 

VJESHTA

 

Sa shumë ngjyra marrin gjethet

vjeshta vjen me brushë në dorë

për çdo ditë natyrën veshë

është më i miri piktor

 

Dhe kur gjethet nisin bien

vjeshta zhvishet dalëngadalë

erërat nisin e tërbohen

dhe furtunat s’kanë të ndalë

 

Dhe kur gjethet i vishen tokës

vjeshta vjen ngadalë e ftohtë

kafshët pyllit në strofull mbrohen

të ftohtit zbret dhe përmbi tokë

 

Kur të gjitha gjethet të kenë rënë

edhe vjeshta pranë ka ardhur

dhe të ngrohtit të na ketë lënë

vjeshta tek dera ka ardhur

 

      2022

 

 

DIMRI

    

Flluska bore po vijnë qetë - qetë

Nga rruga e gjatë dhe e ftohtë

Kërkojnë qetësi e pushim pranë nesh

Dhe tokën e zbardhëllojnë

 

Pema tek oborri bëhet plisa - plisa

Tufa të bardha e plot shkëlqim

Mbi kokat e tyre orë e çast rrita

Tek po bie borë pa pushim

 

Qetë e qetë bie mbi lëndina

Për sajë e ski pista po bëhet gati

Vishuni ju fëmijë, vishuni si për dimër

Ejani të rrëshqasim nga maja e atij shpati!

 

            2022

 

XHELOZIA

 

Një natë pylli në dritë hëne

Ecte ujku plot trishtim

Prapa hija i ishte vënë

Po e ndiqte plot zemërim 

 

Sa andej e sa këndej

Hija trupin shpesh e zmadhon

Shtyhej ujku sa përtej

Hija lojën s’e ndalon

 

Xhelozinë ujku e ndezi

Përtej hijen tek shikon

Iu duk hija se përqeshi

I krekoset e xhelozon

 

Mori ikën ujku nga pylli

Shpejtoi hapat e vrapon

Sa më larg nga pylli

Ku edhe hija të xhelozon

 

BARSOLETAT E DHELPRËS

 

Tregoi dhelpra një barsoletë

I foli pyllit për drejtësi

Ariu i tha ç’flet moj dhelpër

Për këtë pikë na flet ti?!

 

Mos tek unë do ta gjuash

Hundën tënde plot ndyrësirë

Të pashë unë kur haja mjaltin

Pranë kotecit duke ngrirë

 

E na flet për drejtësi

Fjalë me rrotulla kritikon

Po të mos kishe emrin dhelpër

Ndoshta fjala të peshon.

 

               2016

 

NË PYLLIN ME LISA NJË DHELPËR DINAKE


Në pyllin buzë lumit, të sosur s’kanë intrigat

Ndërskamcat e huqet, rrënjë kanë zënë të ligat


Ujku qysh moti sherrin e kishte vërejtur

Në heshtje po e shikonte, veç punën e vet


Njësoj dhe arusha, shumëçka po përpinte

Injoronte çështjen, pak dembele që ishte


Për derrin e egër, problem s’ishte fare

As që qante kokën, çështjes t’i gjejë qare


Intrigat vazhduan mbi pëllumbin e bardhë

Nuk kish faj i gjori, radha i kishte ardhë


Korbat për të zeza, s’e kishin mërzi

Ndonjë kockë u mbetej, sa për ta lëpirë


Lojërat dolën në dritë, kur iu ngjit bilbilit

Për këngën e bukur, pse ishte më i miri


S’ ish problem i sotëm, gjithë kjo grindje në pyll

Ish problem i vjetër, qysh kur shoqata u mbyll


Për grindjet në pyll të gjithë tregojnë

Një dhelpër dinake, shumë e akuzojnë


Çështja u përhap, fjala mori dhenë

Tani as pesë para, lëkura s’i vlen

 

ANKESA

 

Breshka me samar ngriti një ankesë

Shoferët e makinave për ne të kenë kujdes

 

Kur shkojmë trotuarit, rrugës kur kalojmë

Shpejtësinë e as makinën fare s’e ndalojnë

 

Mirë e tha breshka, iriqi pajtoi

Këto udhë pa zebra s’ kem si t’i kalojmë

 

Drenusha këmbëgjatë dhe unë tha pajtoj

Përndryshe mbi xham shoferin e kaloj

 

Bualli: sa për mua, mos i lutni fare

Kur të më dalin para shpejt u bëj qare

 

Ariu tha: Ja ku jam, për trimëri s’e kam

Pajtohem me ju, shoferët t’i denoncojmë

 

Peticioni u nënshkrua, në polici u dërgua

Rreziqet u pakësuan kur dënimet filluan

 

                         2015

 

Ç’ THANË?

 

Ç’tha një arush për hamamin e vjetër

Sa saçi mbi të flija duke pjekur

 

Ç’tha një dhelpërushe për pulën në skarë

Ajo është e coftë ndaj s’dua ta marr

 

Ç’tha një ujk për plisat e bardhë

Sa shumë qengja paska atje në pazar

 

Ç’tha një dhi e egër bregut nën kala

Bar i mrekullueshëm që askund s’e kam parë

 

Papritmas u trembën, pyllit u larguan

Krisma fishekzjarrësh qytetit kur dëgjuan

 

                         Prizren, 2016

 

PËRRALLËZA ABSURDE


Një arushë me veshë të gjatë

Hante mjaltë me lopatë


          Një lejlek në një hendek

         Zinte peshq me grep


Një elefant nga një breg

Do ta futë detin në feçkë


          Milingona mbi një lëndinë

          I shpalli arushës dyluftim


Ujë me sqep nxjerr një lejlek

Tha se Drinin do ta shtjerrë

E një peshk nga uji ta nxjerrë


          Bënte sehir një magjistare

          Do ta qesë tha botën fare


Me një dhëmbë në dhëmballë

Po e hante plot një skarë


Tha një deve shumë meskine

E fus detin maje shpine


          Skaji liqenit në një qosh

          Një plakë mbushte ujë me shoshë


Këto askush nuk i besoi

Këtu përralla përfundoi

 

 

 

NJË LEJLEK NË POSLISHT


Në Gurrë të Poslishtit një lejlek

Hante peshq te një hendek


Vidhte peshq, mbushte sqepin

Në *Hudhër të peshkut të një fermeri


E një ditë ai benë ia bëri

Vuri kurthe dhe e zuri


I lidhi këmbë e sqep

Ushqim dy ditë s’i jep


Të tretën ditë kur e liroi

Iku lejleku fushës shkoi


Nga ajo ditë në *Hudhër s’vjen

Poshtë tek lumi peshq merr


       Poslisht, 2015

 

 

KËSHILLA NGA URTIA


Nga një etje a dëshirë

Mos e humb njeriun e mirë


Nga një dëshirë a pasion

Kujdes tjetrin mos dëmton


Mbaj kujdes në katër qoshe

Të mos hedhësh fjalë boshe


Miku i mirë për ditë të vështira

Duhet ruajtur në ditë të mira


Mos u mëso kurrë me smirë

Se të prishë me mik më të mirë


Nëse dikë me fjalë lëndon

Ti do të humbësh e tjetri fiton


Pastro veten nga ligësia

Të të përcjellë në jetë e mira

 

VOTA E DHELPRËS

 

Dhelpra që mirë e njihte mashtrimin

S’e kish për hall ditën e votimit

 

Se kujt kokrrën do t’ia hidhte

Në mos sekretin kush do t’ia vidhte

 

Në mos ndokush dekonspironte

Votën e saj t’ia zbulonte

 

E kish mjeshtri dhe s’e kish hall

Të gjithëve u thoshte votë të kam dhënë

 

S’e kishte halë e as frikë

Me të gjithë mirë në politikë

 

Shkonin e vinin, vinin e shkonin

Dhelprës mustakun kurrë s’ia trazonin

 

                Prizren, 2021

 

 

KUR VJEN PRANVERA

 

Kur fushës lulen në dorë i kapim

e mbi gjelbërim e hedhim hapin

 

Kur mbi lëndina bari mbulon

bujku mbi ara tokën lëvron

 

Kur pema në degë lulet i çelë

e plot aromë tek ne na sjellë

 

Kur manushaqet plot bukuri

sjellin aromë nëpër shtëpi

 

E kur bilbili mbi degë këndon

pylli oshtimë plot mbushullon

 

E kur gurrat gurgullojnë

shtatin stinës ia freskojnë

 

Kur në blerim gjithçka buzëqesh

pranvera rrobat  i ka vesh

 

KUR ZHVESH RROBAT VJESHTA

 

Piqet pema në oborr 

kokrrat gjyshi i vjel me dorë

 

Edhe rrushi në hardhi

i mbledh gjyshja një nga një

 

Misri arave kokrrat i poqi

ndaj fermeri e mbush koshin

 

Lakrat kopshtit mos t’i zërë borë

i mbledh babi me traktor

 

Shtëpinë vjeshta na e mbushulloi

bylmet për dimër na dhuroi

 

Vjeshta zhveshi gjithçka gjet

zhveshur dimrin po e pret

veç se neve na dha jetë

 

DIELL KA PËR TË GJITHË

 

Shkrepi rrezja plot shkëlqim

Përmbi gjethe shkoi e ra

Fleta ngrohej pa pushim

Më bën hije shoqja i tha

 

Dielli eci me shpejtësi

Ndërroi polin e s’u ndal

Gjethit tjetër plot ngrohtësi

Dhe shkëlqim plot i falë

 

Shtyhej gjethja e proteston

Shkoi tek dega plot ankesa

Motra diellin ma e vodhi

Unë nën hije tani mbeta

 

Shikoi dega plot dëshpërim

S’e duronte dot ankesën

Diell ka për të gjithë

Larg egos me njëra - tjetrën

 

              2021, Zvicër

 

HËNA DHE GONI

 

Përmbi Sharr hëna buzëqesh

Tek dritarja plot shkëlqim

Goni i vogël nuk po fle

Duart mbi faqe plot shqetësim

 

Nata pikon qetësisë

Dritë e hënës plot shkëlqim

Goni i vogël ka një hall

Vallë, ku është tani babi im?

 

Përmbi xham hëna ndriçon

Pranë dritares rri menduar

Vija malli tek vizaton

Në mërgim babi ka shkuar

 

Hëna s’fjeti deri vonë

Bashkë me Gonin natën ndanë

Njëri babin e kërkon

Tjetra natës dritë i bënë

 

           2022, Prizren

 

GURRAT NË VËRRI

 

Ku ka ujë të bardhë si bora

Dhe burime e gurra plot

Kur e prek të mërdhinë dora

Ndër Vërrina ujë të ftohtë

 

Ndër flladishte atje ndër lisa

Gurgullojnë e s’kanë të ndalë

Në mes verës plot me vapë

Plotë freski Vërrinit i falë

 

Gurgullimës plot freski

Rrjedh teposhtë e s’ka të ndalë

Në çdo vatër e shtëpi

Na jep jetë e freski falë

 

Ku ka ujë e plot burime

E ku jeta merr freski

Nëpër gurrat e Vërrinit

Shtatit të Vërrinit plot bukuri

 

               2021, Malësi e Vërrinit

 

 

BOTA E HILEVE

 

Ikë një stinë e erdhi një tjetër

S’i ndërroi rrobat dhelpër e vjetër

 

Erdhi pranvera, dimri shkoi

Ujku qimen shpejt e ndërroi

Por zanatin s’e harroi

 

Kur u zgjua ariu nga gjumi

Kishte marrë fund katundi

Gjithë kotecet dhelpra i shkundi

 

Kur të gjejnë për gomar

Përtej lumi sa për të dalë

Pastaj thupër në kthesë të parë

 

Nga shumë hile bota çalon

Ndaj shumëçka për mbarë nuk shkon

 

               2021

 

ARDHMËRISË SIME

Ç’ NGJYRA  T’ I  DHUROJ?

 

Gjysh pa më thuaj

Me ç’ngjyra të vizatoj

Të ardhmes sime

Ç’ngjyra t’i dhuroj?

 

E kuqja më ngjanë

Në ngjyrën e gjakut

Janë gjithë këto luftëra

Që po i skuqin pragjet

 

Ashtu flakë e zjarrit

Kuq me shkrumb e hi

Sa herë që i shoh

Tek digjen shtëpi

 

E verdha më ngjanë

Pamje për skamnorë

Buka që mungon

E në varfëri jetojnë

 

Ç’të them mbesa ime

Për këtë botë të krisur

E mira njerëzore

Shumë na ka braktisur

 

Ngjyrat më të bukura

Janë paqja dhe liria

Kështu duhet të jetojnë

Në botë e gjithë njerëzia

 

       Shkurt, 2022 (Në fillimet e luftës në Ukrainë).

 

SE KËTU

 

Nga të pathënat doli e thëna

dikush e hodhi jo për shaka

se si këtu pjell edhe e pabëra

e ai që nxori dert nuk e ka

 

Se këtu pjell dosa e rosa

pa çka se dosa nuk pjell kurrë

nga goja vetë del e pabëra

në ditë me diell e shpik një burrë

 

Thonë e pathëna paska ligësinë

atje nga doli adresën ka

po për adresë ka parë  njerinë

ves ka të ligën, virtyt nuk ka

 

Për të pathënën rron e vërteta

një ditë tek sheshe del faqebardhë

por ç’t’i bësh tjetri që pjell të tjera

abortin gojës si me ia ndalë?

 

      2022

 

TË JESH DALLËNDYSHE


Të jesh dallëndyshe nuk është dhe aq keq

Kalëron gjithë botën vizën kush s’ta heq


As në ambasada s’duhet pritur radhë

Eja sot e nesër se viza s’ka dalë


As për aeroplan biletë kush s’kërkon

A ç’më bën për mjegull e s’po fluturon


Se për doganier s’e kemi dert fare

Bartim ç’të duam kalimi pa pare


Në rrugë policia kurrë s’na ndalon

S’na bën për dënime as nuk na qorton


Të jesh dallëndyshe shumëkush e lakmon

Nuk të duhet vizë ku të do të shtegton


                2016

 

ATDHEU

Fusha e brigje i bashkon

I mbledh zogjtë në një gëzof


Është adresë kudo që shkon

Pasaportë në medaljon


Kur errësira mbi të tërbohet

Për të vdiset e flijohet


Është i shtrenjtë nuk ka çmim

As për ar as për shpërblim


Ndaj e duam shumë e çmojmë

Bashkë të ardhmen e ndërtojmë


       2016

 

PASTHËNJE

 

Libri: KREKOSJA E DORDOLECIT  nga Gëzim Ajgeraj 

 

Kushdo që vjen në këtë botë, mendoj se vjen për një mision. Pra, i çfarëdoshëm qoftë ai, dikush vjen për gjëra të vogla, por as ato nuk i kryen mirë. Dikush vjen, thjesht, si shtegtarë, por mund ta lërë të hapur një shteg. Të tjerët ikin, po ashtu, siç vijnë, ama, ka disa që janë paracaktuar për mision dhe i bëhen udhërrëfyes kësaj bote të madhe, apo më saktë duhet ta ndërtojnë atë, apo edhe për të sjellë versione të reja.

E kështu botën e vënë në lëvizje, qoftë edhe përmes fjalës, por edhe përmes veprës.

Por, njerëz të tillë janë lindur me paracaktim për të qenë të tillë, për të ndriçuar këtë botë të madhe, ndonëse janë të papërsëritshëm dhe po njësoj kanë edhe vlerat e personalitetet e tyre të formuara, e ndaj botës i bëhen dhuratë.

Disa nga ata janë të ushqyer me etjen për të dhuruar, e si të tillë nuk njohin lodhje, zmbrapsje a përgjumjeje. Përkundrazi, ndjehen më të fuqishëm, më të plotësuar, kur synimet i kanë vënë në linjë, e kështu nuk reshtin së menduari për jetën, gjithçka e gjithësinë.

Mendojnë për vendlindjen, brezat, të ardhmen, shkëlqimin e Atdheut. Ata shprehen se brezat e së ardhmes janë dritat vezulluese të botës. 

Ama këtë vlerësim të jetës, kush më mirë ia jep, se sa shkrimtari, poeti a krijuesi në tërësinë krijuese.

Janë pikërisht shkrimtarët e poetët ata që dhurojnë kohën e tyre të çmuar për formimin e brezave të mëmëdheut, pasi mendimet ndizen si shkëndija elektrike, ku botën engjëllore të fëmijëve e shpalosin megjithë magjinë universale.

Le të shpalosim vëllimin poetik për fëmijë!

 

“KREKOSJA E DORDOLECIT”

 

Nga autori Gëzim Ajgeraj  

A nuk është ky titull metaforik, një gjetje e thekur për mishërimin e fëmijëve me poetikën shqiptare?!

 

Ndaj, autori vjen me një tjetër prurje mjaft interesante me poezi dhe fabula për fëmijë e të rinj. Ky autor është për t’u vlerësuar, për vetë faktin se, krahas veprave të shumta, spikatin edhe ato krijime madhështore për fëmijë, me tema e brendi që ta ka ënda t’i rilexosh. 

Ai forcon, konsolidon fuqishëm idetë, ngjarjet, mesazhet e figuracionet, duke ngritur në nivel të lartë kulturën e vetëdijes. 

Mesazhe e ide inovatore me avancim logjik të të menduarit dhe të komunikuarit përmes vargut poetik, ku frymëzon moshat e reja, por jo vetëm.

Fjala si magji krijon dominancë, përmes imazheve dhe vjen këndshëm me bukurinë e fjalës, përjeton ndjenjë dhe emocion.

Autori në këtë vëllim, ka sjellë tema plot estetikë e bukuri vargu, ku magjeps, jo vetëm fëmijët e të rinjtë, por dhe moshat e tjera.

Po sjell disa nga temat pikante, si p.sh.:  

Ikja e dimrit, Dëshira e Lisës, Shtëpia e mërgimtarit, Gjysh më thuaj ku e gjen frymëzimin, Atdheu, Dielli i verës, Dimri, Xhelozia, Barsoletat e dhelprës, Kur zhvesh rrobat vjeshta, Hëna dhe Goni, Smira,  e plot tema të bukura mjaft formuese, pasi vazhdimisht provokon imagjinatën dhe sjell krijime brilante artistike. Ndaj, e vlerësoj si poet i mendimit të thelluar, pasi diagrami ka shënuar rritje të vazhdueshme, ndaj sjell materiale befasuese, si poet novator dhe fuqishëm lufton trajtat e ngurta të vargut.

Poet që qëndron fort në traditat kombëtare e tregon dashurinë për Mëmëdheun, për familjen, për brezat, gjithçka e gjithësinë, poet me profil mjaft interesant të poezisë.

Me rrezet e diellit bashkohen erërat

Dhe si me fshesë mbi borën bie

I fshin dhe gjurmët si herët e tjera

Me lule të reja pranvera vjen

 

Zot, ç’frymëzim!

Sa vargje të bukura me fjalë të përzgjedhura, ndaj sjell magjinë në varg.

Autori pasqyron rrezet e diellit dhe erërat, që i bashkohen dhe së bashku bien mbi natyrën. Se si fshihen gjurmët për ta sjellë pranverën si stinën më të dashur për fëmijët. 

Ja se si e sjell motivin, shpjegon variacionin, përmes figuracionit në mënyrën e përjetimit figurativ.

E kemi thënë e rithënë se autori, Gëzim Ajgeraj, është autor shumëdimensional i dëshmuar në vepra cilësore poetike dhe zhanreve të tjera letrare. 

Autori është vëzhgues i natyrës, por edhe i natyrës njerëzore, ndaj me pedanteri dhe mprehtësi të jashtëzakonshme krijon, pa diskutim, atmosferën e ngrohtë poetike, ndaj edhe sjell, gjithashtu, vlera të larta poetike, pasi stilin e veçantë poetik e përcakton në mënyrë implicite dhe eksplicite.

Ngritën murit drejt çatisë 

Plot shkëlqim tela mëndafshi

Janë bërë zonjat e shtëpisë

Kush s’i trembë as s’ ua prishë rrathët 

 

Këto vargje brilante, kaq të bukura në dukje, janë aq metaforike, sa për moshat e fëmijëve bëhen mjaft tërheqëse e mjaft të pëlqyera. Prandaj, ka të bëjë me një vepër aq cilësore në sferën e artit të bukur letrar, siç është poezia shqipe, e sidomos ajo për fëmijë, që ka kaq shumë nevojë dhe kjo konstatohet në çdo varg  dhe në çdo poezi brenda vëllimit. 

Në këtë qasje poetike shfaqet meditacion poetik me art dhe filozofi mbi dukuri të rëndësishme, duke gërmuar në relievin e shpirtit e duke dhuruar perlat e ëmbla poetike, ku magjeps lexuesin e vogël, por dhe të rritur .

“Telat e mëndafshit janë bërë zonjat e shtëpisë”. A nuk është kjo një metaforë e dhimbshme, ku poeti pasqyron jetën e vështirë të shqiptarit, pasi muret vuajnë për njeriun, e njerëzve iu mungon shtëpia, vendlindja e Atdheu, ndaj merimanga thur mëndafsh? Prandaj, autori e sjell krejt në mënyrë psikofilozofike,  me bukuri estetike në varg, fjalë të përzgjedhura e mendimin e thelluar. 

Pra, autori ka sjellë në këtë vëllim poetik një tërësi temash mjaft brilante me gjithë atributet e duhura përmbajtjesore, që duhet pasur një libër dhe në këtë formë pretendon dhe arrin kulmin e piramidës esteiko - artistike në poetikë e, konkretisht, në poezinë për fëmijë, që janë kontingjenti më brilant i shoqërisë.

Gjysh më thuaj ç’është frymëzimi

Ku e merr që në vargje e sjell

Pyet mbesa gjysh Gëzimin

Që aq shumë vargje na sjell.

Natyrisht, kjo poezi e ka një domethënie,  pasi fëmijët të magjepsin me çiltërsinë e tyre, të vijnë rrotull me pyetje që të mahnitin e të zhytin në detin e mendimeve, ndaj autori e sjell në këtë super poezi.

E gjej në krahë të dallëndyshes, thotë autori,  në vende të ngrohta kah flatrojnë njerëzve të mi, që i kam mërgimit, të fala vargjesh kah u çon.

Ajo kujtesë e theksuar prezanton çdo fjalë në varg e vëllim. 

Poeti është konsekuent në ndërtimin e tipareve poetike, por dhe artikulimeve shpirtërore, plot motive, ku poezinë, poeti e kultivon me përgjegjësi të lartë qytetarie, me theksime të çiltra njerëzore, domethënës dhe i këndshëm në lexim.

Ajgeraj i këndon fëmijëve me zërin e së ardhmes plot jehonë e sjell dritë shkëlqyese mbi brezat dhe paraqet fuqishëm individualitetin e tij krijues, duke ruajtur e përshtatur krijimet në bashkërendje me moshën e fëmijëve dhe e përsos me metaforë gjithnjë në përshtatje, duke pasuruar gjithnjë letërsinë shqipe për fëmijë.

Kur errësira mbi të tërbohet 

Për të vdiset e flijohet

Mjaft e vështirë është që në vëllimet poetike të Ajgerajt të mos gjendet ndonjë poezi për Atdheun e shtrenjtë, ku shpirti kallkan tregohet fuqishëm për Atdhe, pasi foleja e ngrohtë e vendlindjes është guva shpirtërore dhe gjithë pasuria e jetës. Me Penë vizaton marrëdhëniet jetësore, duke i vargëzuar në poetikë nga një mikrobotë përgjithësuese individuale, duke përdorur fuqishëm armën e mirëkuptimit, siç është fjala, si pjesë e mozaikut, që shfaq ky autor shumëdimensional. Ndaj, ai thotë: “Poezinë e bëjnë veçse poetët misionarë, që udhëhiqen nga fuqia e talentit krijues”.

Ky vëllim poetik për fëmijë, vjen plot jetë dhe freski shpirti për lexuesin e gjerë, ku ngjall nostalgji dhe mbështjell në ngjyra ylberesh. Në mënyrë filozofike ju këndon krejt botës, vogëlushëve e më gjerë, plot forcë dhe shpresë, dritë dhe reflektim mbi të ardhmen.

Arti poetik i Ajgerajt e ka të ushqyer ndjenjën e moralit dhe e hasim jashtëzakonisht me përfilljen e lexuesit.

Me vështrimin e kujdesshëm të shtegtimit vazhdon ndër shtigjet më të skajshme të poezisë. Ka afruar potencialin krijues. Ky nivel poetik ka ardhur nga mendje kreative, e cila troket fuqishëm në mendjet e njerëzve, ndaj është vlera që dominon në artin letrar të Ajgerajt. 

Ky vëllim erdhi si burim dhe përshkon botën emocionale dhe shijohet artistikisht.

Urime Penës së stërvitur të autorit e suksese të reja!

Udhë të mbarë librit!

                      Prenda Sejdia 

               Lezhë, më 31korrik 2022

 

 

Gëzim Ajgeraj

U lind më 1967 në Malësinë e Vërrinit.

Shkollimin e mbaroi në vendlindje, kurse të mesmen e të lartën në Prizren. Studimet për elektronikë  në  Zvicër (1990-95). Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, në Prishtinë.

Që nga 23 marsi 2002 është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Zvicrës (SSV). Është anëtar i Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë në Zvicër. Jeton dhe krijon në Zvicër.

Ka bashkëpunuar dhe bashkëpunon me të gjitha gazetat dhe revistat e kohës, si: “Rilindja”, Zvicër – Prishtinë; “Bujku” – Prishtinë; “Zëri i Kosovës”, Zvicër – Prishtinë; “Bota sot” – Zvicër; “Koha ditore” – Prishtinë; “Epoka e re” – Prishtinë; “Zëri”- Prishtinë; “Fakti” – Shkup; “Ars” – Tiranë; “Pena shqiptare” – Prishtinë; “Pionieri” – Prishtinë; “Zogu i mëngjesit” - Prishtinë, etj. Nga janari i vitit 2004, editon revistën “Metafora”. Së fundi, editon edhe revistën “Vërrini”..

Jeton dhe vepron në Zvicër mbi tre dekada e gjysmë.

 

VEPRAT LETRARE

 

I – POEZI

 

1. Poezi: ”Klithmë malli”, poezi, “Rilindja”, Prishtinë,1997;

2. Poezi: ”Ëndrra për parajsë”, poezi, “Rilindja”, Prishtinë, 1998;

3. Poezi: ”Qiellit po digjem”, poezi, “Rilindja”, Prishtinë, 1998;

4. Poezi: ”Flakë në plagë”, poezi, “Rilindja”, Prishtinë, 1998;

5. Poezi:  “Mallëngjimi”, poezi, “Rilindja”, 2000;

6. Poezi:  “Balada e Vërrinit”, (Poemë), KL. “F. S. Noli”, Prizren, 2001;

7. Poezi: “Degë e thyer”, poezi, “Metafora”, Prizren, 2007;

8. Poezi: “Etje në fjalë”, poezi, Prizren, 2013;

9. Poezi: “Kthimit furtunat m’i bëjnë prita”, poezi, Prizren, 2013;

10. Poezi: “Nxitoj të kthehem me dritë”, poezi, Prizren, 2013;

11. Poezi: “Kënga e zogut”, “Metafora”, Prizren, 2020;

12.. Poezi: “Diellnxënësit”, “Metafora”, Prizren, 2020;

13. Poezi: “Kronikë e udhëve”, “Metafora”, Prizren, 2020;

14. Poezi: “Në karantinën alpine”, “Metafora”, Prizren, 2020;

15. Poezi: “Nostalgji e mall”, “Metafora”, Prizren, 2020;

16. Poezi: “Dritëhijet e  fjalës”, “Metafora”, Prizren, 2020;

17. Poezi: “Drithërimë mendimi”, “Metafora”, Prizren, 2020;

18. Poezi: “Eh, guri”, “7 Days”, Prizren, 2021;

19. Poezi: “Strehët pikojnë mall”,  “7 Days”, Prizren, 2021;

20. Poezi: “Antisimbiozë”,  “7 Days”, Prizren, 2021

21. Poezi: “Magma e shpirtit”,  “7 Days”, Prizren, 2022;

22. Poezi: “Vegimet e heshtjes”,  “7 Days”, Prizren, 2022;

23. Poezi: “Agmia e fjalës”,  “7 Days”, Prizren, 2022;

24. Poezi: “Zemërimi i fjalës”, “Metafora”, 2019, Prizren;

25. Poezi: “Fjalë e mall”, “Metafora”, Prizren, 2016;

26. Poezi: “Notesi i poetit mërgimtar”, “Metafora”, Prizren, 2016

27. Poezi: “Gjemba në fjalë”, poezi për fëmijë e të rinj, botoi “Metafora”, Prizren, 2016;

28. Poezi: “Larg pikon malli”, poezi, botoi “Metafora”, Prizren, 2015;

29. Poezi: “Mbi rima bie shi”, poezi, botoi “Metafora”, Prizren, 2015;

30. Poezi: “Buzëqeshja e vrarë“, 7 Days”, Prizren, 2021

31. Poezi: "Art metafora", poezi 460 faqe, “Metafora”, Prizren, 2014;

32. Poezi: "Çaste alpike", poezi, “Metafora”, Prizren, 2014;

33. Poezi: "Duhemi sikur...", lirika dashurie, “Metafora”, Prizren, 2014;

34. Poezi: “Regëtim në horizont“, 7 Days”, Prizren, 2018

35. Poezi: “Nostalgjia“, 7 Days”, Prizren, 2020

36. Poezi: “Stinët e udhëve të mia“, 7 Days”, Prizren, 2021

37. Poezi: “Reliktet e hpirtit “, 7 Days”, Prizren, 2021

38. Poezi: “Regëtim në horizont“, 7 Days”, Prizren, 2021

39. Poezi: “Mendim i gurtë“, 7 Days”, Prizren, 2021

40. Poezi: “Dhembje malli”, Poezi të zgjedhura nga Bedri Halimi, SHKYP, 2022.

 

II – Romane

 

1. Roman: “Misioni i kriminelit”, roman, Prizren, 2009;

2. Roman: “Serboarmatosja”, roman, Prizren, 2012;

3. Roman: "Studentët", roman, “Metafora”, Prizren, 2014

4. Roman: “Rrëfimet e doktorit”, botoi, SKYP, Prizren, 2019

5. Romani: “Giti”, “Metafora”, Prizren, 2017;

6. Roman: “Ditari i ushtarit të lirisë”, SHKYP, Prizren, 2016;

7. Roman: “Copëzat e idealizmit”, “Metafora”, Prizren, 2016;

8. Roman: “Trëndafilat e pranverave të kuqe”, botoi “Metafora”, 2016;

9. Roman: “Rob”, roman, botoi “Metafora”, Prizren, 2016;

10. Roman: “Helmimi”, roman, “Metafora”, Prizren, 2014;

 

III - Tregime

 

1. Tregime: “Stinët e udhëve të mia”, “Metafora”, Prizren, 2018;

2. Tregime: “Parullat”, “Metafora”, Prizren, 2017;

 

IV – Dramë

 

1. Dramë: “Rruga e lirisë”, dramë,  “Meshari”, Prishtinë, 2001;

2. Dramë: “Plaga e lirisë”, “Metafora”, Prizren, 2017;

3. Dramë: “Dhembjet e epokës së kuqe”, “Metafora”, Prizren, 2017;

 

V - NOVELA

 

1. Novela: "Shtigjet e bardha", novelë letrare, (Ribotim), “Metafora”, Prizren, 2014

 

VI – Baladë

 

1. Baladë:  “Lulëkuqet e Vërrinit”, Edicioni “Metafora”, poezi, Zvicër 2005

 

VII – ETNOS KULTUROR

 

1. Urti popullore: “Urti popullore të Vërrinit 1”, (bashkautorësi), “Apolonia” 1997, Prishtinë;

2. Etnos: “Tregime e anekdota nga odat e Vërrinit-2, “Metafora”, 2019, Prizren;

3. Etnos: “Tregime e anekdota nga odat e Vërrinit-3, “Metafora”, 2019, Prizren;

4. Etnos: “Tregime e anekdota nga odat e Vërrinit- 4”, “Metafora”, 2019, Prizren;

5. Etnos: “Tregime e anekdota nga odat e Vërrinit-5, “Metafora”, 2019, Prizren;

6. Etnos: “Tregime e anekdota nga odat e Vërrinit-6, “Metafora”, 2020, Prizren;

7. Etnos: “Tregime e anekdota nga odat e Vërrinit-7”, “Metafora”, 2020, Prizren;

8. Etnos: “Tregime e anekdota nga odat e Vërrinit-8”, “Metafora”, 2021, Prizren;

9. Etnos: “Tregime e anekdota nga odat e Vërrinit-9”, “Metafora”, 2021, Prizren;

10. Etnos: “Tregime e anekdota nga odat e Vërrinit-10”, “Metafora”, 2021, Prizren;

11. Etnos: “Tregime e anekdota nga odat e Vërrinit-11”, “Metafora”, 2020, Prizren;

12. Etnos: “Tregime e anekdota nga odat e Vërrinit-12”, “Metafora”, 2020, Prizren;

13. Etnos: “Tregime e anekdota nga odat e Vërrinit-13”, “Metafora”, 2020, Prizren;

14. Etnos: Katundi e bon luftën, shehri e ngre bajrakin, Metafora, 2007

15. Etnos kulturor: “Festat dhe ahengjet në këngët e vajzave të Vërrinit”,  (Etnos kulturor), “Metafora”, Prizren, 2017;

16. Etnos kulturor: “Unë po e thej qafën, po shkoj  n`darsëm”, tregime popullore vërrinase, “Metafora”, Prizren, 2017

 

VIII – Monografi

 

1. Monografi: “Rruga e lirisë” -intervistë me Zafir Berishën, botoi

Asociacioni i Veteranëve të ish- UÇK-së – Prizren, 2002;

2. Monografi: “Masakra e Tuzsuzit”, Monografi, (bashkautorësi

me Ilam Berishën), “Metafora”, Prizren, 2007;

3. Monografi: “Xhevat Berisha – Legjenda e Vërrinit”, monografi, Prizren, 2013;

4. Monografi: “Publicistika në luftë e në paqe dhe arti poetik i  Qazim Thaçit”, (Monografi përmes shkrimeve autoriale), SHKYP, Prizren, 2016/17;

5. Monografi: “Periodiku i kohës për luftën në Vërri e Prizren – 1”,  publicistikë, botoi “Metafora”, Prizren, 2014;

6. Monografi: “Për të gjallë kullat nuk i lëshojmë – Sadedin Hasani – Militanti i UÇK-së”, monografi, “7 Days”, Prizren, 2021.

7. Monografi: “Malësia e Vërrinit”, monografi, “7 Days”, Prizren, 2022.

 

 

IX – Poezi për fëmijë

 

1. Poezi: ”Kënga e babait”, poezi për fëmijë, “Apolonia”, Prishtinë, 1998

2. Poezi:  “Zana në mërgim” (poezi për fëmijë), “Metafora”, Prizren, 2007;

3. Poezi:  “Huqet e Benit”, (poezi për fëmijë), “Metafora”, Zvicër, 2007;

4. Poezi:  “Dallëndyshja në Vërri” (poezi për fëmijë), “Metafora”, Prizren, 2007;

5. Poezi:  “Kroi i qytetit tim”, (poezi për fëmijë), ”Metafora”, Prizren, 2007

6. Poezi: “Bashkimi bën fuqinë”, (poezi për fëmijë), Edicioni i revistës “Fidani”, Prizren, 2013;

7. Poezi për fëmijë e të rinj: “Bufi i pemës sonë”, “7 Days”, Prizren, 2022;

8. Poezi për fëmijë e të rinj: “Strofulli i dallëndyshes”, “7 Days”, Prizren, 2022;

9. Poezi për fëmijë e të rinj: “Krekosja e dordolecit”, “7 Days”, Prizren, 2022;

10. Poezi për fëmijë e të rinj: “Gjemba në vargje”,  “7 Days”, Prizren, 2021;

11. Poezi për fëmijë: “Hajni ketër”, “Metafora”, 2018, Prizren;

12. Poezi: “Gjuha e Lonës”, poezi për fëmijë, botoi “Metafora”, Prizren, 2017;

13. Poezi: “Kukulla Elonë”, poezi për fëmijë, botoi “Metafora”, Prizren, 2015;

14. Poezi: “Teatri Lona”, poezi për fëmijë, botoi “Metafora”, Prizren, 2016;

15. Poezi: “Libri është porta e botës”, poezi për fëmijë e të rinj, botoi “Metafora”, Prizren, 2016;

16. Poezi: "Piktura në mur", poezi për fëmijë e të rinj, “Metafora”, Prizren, 2014;

17. Poezi: “Piktura në mur“, 7 Days”, Prizren, 2018

18. Poezi: “Në kopshtin e gjyshit“, 7 Days”, Prizren, 2020

19. Poezi: “Lona shkon në shkollë”, 7 Days”, Prizren, 2022

 

 

X – Romane për fëmijë

 

1. Roman për fëmijë: “Pëllumbat e lirisë”, novelë për fëmijë,

Edicioni i revistës “Fidani”, Prizren, 2004;

2. Roman për fëmijë: “Ditët e bardha”, novelë për fëmijë,

Edicioni i revistës “Fidani”, Prizren 2004

 

XI - Fabula

 

1. Fabula:  “Bosi lepurushi”,  fabula, ”Metafora”, Zvicër, 2006;

2. Poezi për fëmijë: “Kot inat ia kemi fabulës”, “Metafora”, Prizren 2018;

3. Poezi për fëmijë: “Sot as ditën nuk të njohin”, “Metafora”, Prizren 2017;

4. Poezi për fëmijë: “Bosi lepurushi”, “Metafora”, Prizren 2014 .

 

XII – Gjëegjëza

 

1. Gjëegjëzë: “Gjëegjëza”,  Metafora, Zvicër, 2006.

 

XIII – Poema për fëmijë

 

1. Poemë: “Dita me Tonin” (poemë), ”Metafora”, Zvicër, 2006;

2. Poemë: “Muajt e vitit me Ardin” (Poemë), ”Metafora”, Zvicër, 2006;

 

XIV - Tregime për fëmijë

 

1. Tregime për fëmijë: “Tregimet e gjyshit”,  “7 Days”, Prizren, 2021;

2. Tregime për fëmijë: “Në botën e hileve”,  “7 Days”, Prizren, 2021;

3. Tregime për fëmijë: “Qershia e stërgjyshit”,  “7 Days”, Prizren, 2021;

4. Tregime për fëmijë: “Lona shkon në shkollë”,  “7 Days”, Prizren, 2022;

5. Tregime për fëmijë: “Trenat dhe toni”,  “Metafora”, Prizren, 2017;

6. Tregime për fëmijë: “Buka e gjyshes”, “Metafora”, Prizren, 2017.

 

XV - PËRRALLA PËR FËMIJË

 

1. Përralla: “Gjashtë picimulët në olimpiadë”, përralla për fëmijë, botoi  “Metafora”, Prizren, 2016;

2. Përralla: “Kësulëkuqja Koni kërkon një shtëpizë” (Përralla për fëmijë),  botoi “Metafora”, Prizren, 2016;

 

XVI – Studime letrare

 

1. Studime: "Arti poetik i Ibrahim Skënderit nën optikën e rivlerësimit",

kritikë letrare, “Metafora”, Prizren, 2014;

2. Studime: "Të jesh shkrimtar...!1", ese letrare, “Metafora”, Prizren, 2014;

3. Studime: "Ah, ky art i shkrimit... 2", ese letrare, “Metafora”, Prizren, 2014;

4. Studime: "Arti e metafora 3", ese letrare, “Metafora”, Prizren, 2014

5. Studime: „Metafora e lirisë“ - Vështrim rreth krijimtarisë së Bedri Halimit

Shoqata Kulturore “Ymer Prizreni”, 2014;

6. Studime letrare: “Metafora e poezisë”,  “7 Days”, Prizren 2021.

 

XVII – KRITIKË LETRARE

 

1. Kritikë letrare: “Poetët për poetin”, “Metafora”, Prizren, 2018;

2. Studime: “Metafora e fjalës”- Studime letrare, botoi “Metafora”, Prizren, 2015;

 

XVIII – ANTOLOGJI

 

1. Antologji: Cikël me poezi, “Atdheu në trastë”, botoi

revista letrare "Jeta e re" nr. 4, korrik-gusht 2002, viti LIV, Prishtinë;

2. Antologji: Cikël me poezi, “Atdheu i copëtuar”,  në librin “Pikoi molla gjak”  (Lirikë me motive arvanitase), botoi MKRSÇJR-Departamenti i Çështjeve Jorezidente,

Prishtinë, 2004;

3. Antologji: Cikël me poezi, “Udhë e zjarrmi”, në librin “Muzat i bien lyrës”,

Edicioni i revistës “Fidani”, Prizren, 2005;

4. Antologji: “Momente” (Grup autorësh nga Letërsia botërore në gjermanisht);  (Augenblicke), Zvicër, 2007;

5. Antologji: Grup autorësh, “Shkreptimë në horizont”, (Krijime artistike kushtuar 100 vjetorit të pavarësisë), botoi Biblioteka Ndërkomunale e Prizrenit, dhjetor, 2012, Prizren;

6. Antologji: Grup autorësh,  “Një shekull dritë”,  botoi "Lidhja e Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani", nëntor, 2012, për nder të 100 - vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë;

7. Antologji: Grup autorësh, “Çamëri zemra ime”, përgatitur nga Fatime Kulli / Kolec Traboini, Pantheon Books, 220 faqe, Tiranë-Prishtinë, 2014;

8. Antologji: Grup autorësh, “Lulëkuqet e lirisë” – “Çdo shesh një përmendore”,

Dibran Fylli, SHB.“Meshari“, Prishtinë, 2015;

9. Antologji poetike: “Zemra prindërore”, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë: Agim Bacelli, Këze (Kozeta) Zylo dhe Kostaq Duka, Amerikë, 2011;

10. Antologji: Grup autorësh, botoi Biblioteka Ndërkomunale e Prizrenit, dhjetor, 2015, Prizren;

11. Antologji; Grup autorësh, “Ëndrra, shpresa dhe iluzione”, Luan Maloku,

Amanda Edit Verlag, Bukuresht, Rumani, janar 2016;

12. Antologji, Selatin Novosela: “Demaçi aromë atdheu”, Shoqata e të Burgosurve Politik e Kosovës, Prishtinë, 2015;

13. Leksikon: “Leksikoni i autorëve shqiptarë në Zvicër”, Besnik Camaj dhe Shefqet Dibrani, botoi: “Faik Konica”, Prishtinë, 2016;

14. Antologji: “Revista albanezul – Shqiptari”, Nr. 137/2007,tema: Fati i botës varet nga Zoti dhe Kosova”, Bukuresht, kryeredaktor: Baki Ymeri, themelues

Fondi Nikolla Naço 1888, Bukuresht;

15. Antologji: “Antologji e poezisë moderne shqipe”, përgatitur nga Adem Zaplluzha, 2016, Kosovë;

16. Antologji: “Alepo”, Antologji e poezisë shqipe, Përgatiti Tyran Spahiu, Prizren, 2016;

17. Antologji: “Shkrimtarët për Havzi Nelën”- Shpirti i lirë i Lumës, përgatiti Rexhep Shahu, botoi Klubi i poezisë, Tiranë, 2018.

18. Antologji:”Pranvera poetike në Vërri”, Metafora, Prizren, 2015;

19. Antologji: “Një kafe me miqtë e metaforës”, “Metafora”, Prizren, 2014;

20. Antologji: “Në rrjedhën e Drinit”, “Metafora”, Prizren, 2014.

21. Monografi nga Çerkin Bytyçi: Prim. Dr. Daut Mustafa: poezi nga Gëzim Ajgeraj: Mantelbardhi zemërbardhë (Dr. Daut Mustafa mjek dhe humanist), fq. 123, viti i botimit 2001.

22. Antologji në gjuhën Suedeze, « Cikël me poezi », Suedi, 2022

 

XIX – REVISTA

 

1. ( 22 Numra).

Revistat: “Metafora”, Nr. 1, (2004), deri Nr. 22 - (2022).

 

2. ( 5 Numra)

 

Revista: “Vërrini”- 1, viti 2014;

Revista: “Vërrini”- 2, viti 2015;

Revista: “Vërrini”- 3, viti 2016;

Revista: “Vërrini”- 4, viti 2017;

Revista: “Vërrini”- 5, viti 2017.

 

XX - Vlerësime kritike për veprën e Gëzim Ajgerajt;

 

1. Kritikë letrare nga Ilam Berisha,  “Gëzim Ajgeraj – poet i mallit dhe i krenarisë kombëtare” -“Metafora”, Prizren, 2012;

2. Kritikë letrare nga Ilam Berisha, “Gëzim Ajgeraj  -  një zë origjinal i vlerave të artit letrar”  “Metafora”, Prizren, 2012.

 

5 - Libra studimor nga Prenda Sejdia:

 

1. - POEZIA E AJGERAJT NË DIOPTRINË E ANALIZËS DHE TË KRITIKËS LETRARE - Studime letrare

2. - DIVERSITETI I PENËS SË AJGERAJT NËN DIOPTRINË E ANALIZËS DHE TË KRITIKËS LETRARE - Studime letrare

3. - METAFORA E MALLIT (Përzgjedhje poetike nga poezia e Ajgerajt)

4. - POETI I METAFORAVE – Studime letrare

5. - ROMANI I AJGERAJT NËN OPTIKËN E ANALIZËS DHE TË KRITIKËS LETRARE - Studime letrare

 

XXI – ENCIKLOPEDI

 

1. Si krijues e studiues u përfshi në: Fjalorin Enciklopedik të Kosovës, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, 2018; Leksikon Enciklopedik i Akademisë Shqiptare.

 

XXII - PARAPSIKOLOGJI

 

1. Psikologji: “Ndërgjegjësimi i individit  - vlerë e së ardhmes”, “Metafora”, Prizren, 2017;

2. Psikologji: “Pikëpamje për jetën dhe përvojat”, botoi “Metafora”, 2019, Prizren;

3, Parapsikologji: Refleksione dhe uni personal, “7 Days”, Prizren, 2022.

 

 

XXIII - BASHKAUTORËSI NË  GJUHË TË HUAJA

 

1. Poezi: “Në krahët e dritës” (Botim në bashkautorësi me Mariana Grigore), Rumanisht – shqip, Amanda Edi Verlag, (përkthyer nga Baki Ymeri), Bukuresht, 2021.

 

XXIV – ÇMIMET

 

1-  Çmimin: Shkrimtari më mirë i vitit 2014, nga Drejtoria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit, komuna e Prizrenit, 2014.

 

2. Çmimi i 1-rë : “Abdullah Thaçi”, Bibloteka Mdërkomunale Prizren, 2020