Dienstag, 20. Dezember 2022



Poezi nga Gëzim Ajgeraj


THYER S`MË KENI
Edhe njëqind hile
të londërta a të berlinta të m’i bëni
mua s’më thyeni
Edhe njëqind gurë
gjoksit tim të m’i ngulni
atdheun s’ma ndani se s’ma ndani
Edhe njëqind herë
barbarit të Kalamegdanit krimet t’ia miratoni
mua s’ma humbni farën se s’ma humbni
Qe njëqind vjet
u mësova të hap e të mbyll varre
nënshtruar s’më keni
Unë isha këtu
qysh kur foli Zoti shqip


IDEALI
Më mbeti në gji
Si një suvenir i ëndrrave të prangosura
Peshën e Atdheut e mban në shpirt
Me një copë beze të kuqe
Mbështolla ëndrrat e zogut
Mbi krah të vargut flatrova dëshirat
Dikush i ka rënë në qafë ëndrrës
Frymën ia ka zënë shpresës
Janë hijet e liga të gjakut të prishur
A bëhet Atdheu
Me bajraqe katundi,
more hej?!

PRAPË I VETMUAR
MAJË KODRE
Krisma e gurit
më zgjoj tmerrshëm
e ma çau gjoksin
nga pesha
e rëndë
Një mal bubullimash
shkarkuar janë
s’ia gjej dot rrënjën
këtu ende
ka vdekje
Dhe përsëri gjej veten
majë kodre i vetmuar
tek ia luaj
vendin gurit
përpjekjes për ta shkulur
nga zemra e Pashtriku

TRE BREZA
U plakëm ...
E shikimi na mbeti
peng
rrjedhës së Drinit
përtej guri
Përtej është
toka e shenjtë
këndej na ka rënë mallkimi
në qafë
gurin duhet lëvizë
Kështu i kishte thënë
gjyshi, babait (ndjesë pastë!)
përpara se ta linte këtë botë
Eh,
Po plakemi dhe ne
me gurin mbi shpinë!

GURI I GJAKUT
Ka një shekull jetë
Që ma pi gjakun
E me gjakun tim
Rritë rrënjët e mbijetesës
Atje majë Pashtriku
Po si s’ ju shua etja
E s’i pëlciti gjerba
Nga gjaku i derdhur
Nga damarët tonë
Të pëlcitur për dritën
Ka një jetë që më bën hije
Gjoksit të Atdheut
E ia nxë frymën
Që të mos i rrahë
Pulsi në zemër
Ka një jetë që ma pi gjakun
Nga damarët e Atdheut
E me gjakun tonë
Ushqen rrënjët e rritës së vet
Atje mbi Pashtrik

PËRBALLJA ME BISHËN
Trembshëm u zgjova nga kujtimet
duke e sfiduar vdekjen
përpara ca bishave të veriut të zi
me helmeta e skafandra
tek po korrnin kobin
mbi koka njerëzishsheshit
Nga ajo amulli kujtimi
pikuan motet e njoma të moshës
me guximin e patrembur
në përballje me korbën
për ta çliruar
rrezen e diellit nga eklipsi shekullor
Iu deshtë edhe shkundja e maleve
e skuqja e gurit
për ta sjellë kurorën e nuses
në oborrin tonë
eh, sa e kuqe
ishte velloja e saj në ditën e dasmës!
Nga ajo ditë
nuk e pashë më bishën në këto hapësira
ulërinë e krrokatë tej gardhi
me natë ndjell kobin e zi
po frëngjisë s’ i ndahem se s’ i ndahem
tek ruaj amanetin e gjyshit në thumb

ULËRIMA E UJKUT TË ZI
Nuk e di a e dëgjoni vazhdimisht
ulërimën e ujkut të zi
nuk e di nëse mua më ka hyrë frika në palcë
e s’ më del dot as sot e kësaj dite
apo më tërheq largpamësia e kësaj
ulërime të ligë
Ulërimë e ujkut më ndjell kob
e s’ m’ i ndahet së ligës
me mort më sillet vërdallë
rreth oborrit të shtëpisë
e s’ m’i lë të qetë as zogjtë e shqiponjës
tek m’ i trazon e sjell mort
Me ligësi ma nxinë edhe qiellin rreth meje
e ma zë dritën e diellit
që pranvera mos të agojë
në oborrin tim
e pema e farës sime
të mos rritet mbi këto troje
Mbrëmë përsëri rashë me ulërimën e tij
përtej gardhi
e s’ më mori gjumi
gjithë natën e lume në rojë
me martinën e gjyshit e bëmë syrin pishë
e kuvenduam deri në mëngjes

PLAGËT
Në pergamenën e mendimit
na i shkruan
me shkronjat e gjakut
plagët e dhimbjes
vragë të hapura
mbeti shekulli
Ku ta lëvarim
dhimbjen e saj
kur plagët ende kullojnë
e varret mbetën
hapur
në pritjen e kthimit
të të zotit
Assesi të ndahemi
nga dhimbja
që na ndjek si hije dritën
nga e kaluara
e territ tonë
plot plagë
Janë dhimbjet tona
të mbuluara
fushave e maleve
tek i bëjnë roje
plagës së të shkuarës
që na e mbolli
korba e Karpateve

ANTIKOMBËTARËT
Zot ç’trishtim
kur sheh
gjakprishurit e etnisë
kah lëpijnë
pjatave të huaja
të krimit
Shpesh i mbyll
sy e vesh
të mos ua shoh surratin
e as emrin mos t’ua dëgjoj
kësaj maskarade
farëligë
Eh, atdheu im
sa shpesh ta përbaltën emrin
e të hedhin gurë mbi shtatin tënd
edhe bijtë e tu
të sojit të brishtë
Deri kur atdheu im
kjo farë e ligë
do të bimojë arave të tua?!

THYER S`MË KENI
Edhe njëqind hile
të londërta a të berlinta të m’i bëni
mua s’më thyeni
Edhe njëqind gurë
gjoksit tim të m’i ngulni
atdheun s’ma ndani se s’ma ndani
Edhe njëqind herë
barbarit të Kalamegdanit krimet t’ia miratoni
mua s’ma humbni farën se s’ma humbni
Qe njëqind vjet
u mësova të hap e të mbyll varre
nënshtruar s’më keni
Unë isha këtu
qysh kur foli Zoti shqip.

2022