Sonntag, 17. Januar 2021



PASTHËNIE

 

Gëzim Ajgeraj: ANTISIMBIOZË, Poezi

 

Letërsia i detyrohet kombit, thotë Gëzim Ajgeraj.

Si idealist i tillë vrapoi fort madje ethshëm nëpër gjurmët e figurave letrare të kombit siç qe Naimi, Asdreni, Fishta i Madh etj. por idetë e tij kaluan kufijtë madje shumë larg, dhe si një studiues i rregullt i Borgesit u mishërua edhe më tej me atdheun e tij, qytetin historik, atdheun apo dhe çështje tejet delikate siç janë ato me tema atdhetare.

    Jam e sigurt që studiuesve të kohërave të reja u takon ta studiojnë veprimtarinë e tij Noliane, pasi e sotmja ende s’e ka fillin. Ajgeraj, si shkrimtar, prozator a dramaturg, kritik e poet, u mishërua si mishi me kockën për çështjen kombëtare.

     Si një i përndjekur në atdhe, që në moshë të re, emigroi diku në Evropë, atje rrëzë alpeve për ta parë atdheun me syrin magjik, duke ia ndjerë rrahjet e dobëta të zemrës, vuajtjet, vrasjet e shkatërrimet, zhdukjet pa gjurmë e rënkimet e njëpasnjëshme që lëshonte nga plagët shekullore. Duke ia ndjerë e përjetuar dhimbjen herë me prani e herë në distancë, e kështu duke u kthyer në pjesë të dhimbjes por dhe të mbështetjes së fuqishme, ndonëse të pazëshme ashtu siç dinte më së miri ai t’ia qante hallet vendit të tij, t’ia mëkonte plagët por dhe t’ia mbante krahun, pasi ai me shqiponjat nuk dinin të heshtnin, sepse, heshtjen e vlerësonte si mbështetje të okupatorit.

     Pena e tij, mendja e puna e Gëzim Ajgerajt në shërbim të mëmëdheut nuk njohu asnjëherë pushim, por ama as sot.

      Vjen me vëllimin e 167-të poetik të titulluar, “ANTI SIMBIOZË “

      Kam pasur rastin të lexoj gjithë vëllimet e tij poetike, dhe nuk ka ndonjë vëllim që mund ta veçoj se po ta bëja, do të gjendesha shumë në dilemë, pasi secili ka shumë brendi, tema e mesazhe të shumta që ta mbushin shpirtin plot emocion e ndjenjë gëzimi apo dhe brejtjeje sipas situatave.

      Gjithashtu edhe poezitë e këtij vëllimi poetik që vjen me një temë unike dhe shumë të veçantë e gjitha, ku pjesa më e madhe e poezive janë: po me një stil ende më të veçantë në të cilat realisht të kërkohet fjalor që të lexosh.

     Fuqia e fjalës, thellësi e mendimit e diapazoni i gjerë i njohurive në fjalor, histori e ngjarje e hermetik, këtë vëllim poetik, ku të magjepsin por dhe ta hapin një botë plot shtigje ndër sytë e tu.

     Për ta dalluar flakën mbi atdhe, lëmshin e zjarrtë llamburitës tek rrokullisej pragjeve apo nga njëri skaj i atdheut drejt cepit tjetër, vështrimi i tij kridhet tej në mjegullën e Evropës, që natyrisht ishte aso kohe, ku nuk na jep mundësinë të nxjerrim shumë kuptime nga një vizion. Na bën thirrje të shohim qartë duke mos i lënë vullnet të lirë lexuesit, sepse forca e tij krijuese dhe përshkruese e shkel këtë fantazi duke qëndruar fuqishëm mbi këtë optikë të pashoqe e cila e bën poezinë e tij madhështore, të pavdekshme. Pamja e jashtme ngjan tym, madje e vrazhdë që vret dhe me fjalë.

Por ama, gjeneratat që po vijnë e gjejnë aty atë veprën e madhe të artit ku nuk mund të masë vetëm me intensitetin e tyre, vetëm me autorin që i krijoi por edhe efektin tek masat.

   Sikur s’u ngop qe 100 vjet

   me gjakun tim

  që ma piu ditë e natë

 e me eshtrat e tij

   ndërtonte kalanë

  e hierarkisë

  atje mbi Kalamegdan

Këto vargje e metafora a nuk janë e gjitha ajo çfarë përshkruam më lart?!

Situata poetike të ndërthurura me art mbi realitetin e skllavërimit nga pushteti i lig e pushtues serb mbi Kosovën martire për një periudhë të gjatë shekullore;

     Për gjakun e të rënëve si dhe vlerësimi me poste e grada për gjithë krimet njerëzore që kryheshin mbi popullin e pambrojtur shqiptar nga kriminelët pa shpirt e zemër;   

     Nga ngjarjet e trishta në vrasje e djegie të trupave shqiptarë e masakra tejet ç’njerëzore;

     Në tërë shtrirjen e rrafshit poetik me gjithë përmasat është ajo dhimbje e thellë mbi gjeografinë e vendlindjes ku lëshohet klithmë e urrejtjes për njeriun që humbi gjykimin njerëzor e duke u kthyer në “kafshë mishngrënëse”.

      Vargje që ta kallin. Pra, në këtë vëllim poetik, Gëzim Ajgeraj është tepër i madh dhe i pakrahasueshëm për fuqinë e fjalës, forcën e vargut dhe poezisë që janë pa diskutim majat e fjalëve dhe këto kritere i takon në çdo poezi përpos temës.

Ama i gjithi ngelet po brenda të njëjtit stil, po kaq të veçantë që do magjepsë lexuesin për mënyrën e botëkuptimit ku ai përshkruan mbi plagë e dhimbje, dhe se si orë e çast i këndojnë himnin e krimit mbi shqiptarët, hap e mbyll varre.

Bisha me krrokamën e korbit i ngjan satanait të pashpirt e pa gjak, ku historia e dhimbjeve me rrënjë në gjak, seç shfryn tërë duf e mllef mbi dhuratën që Evropa mbolli për shqiptarët.

   Në të zezë

   e kam veshur mendimin

   qysh ditën

   e pikëllimit të madh

   që të ma ruajë

   fshehur

   dhimbjen e shpirtit

Ashtu si Uill Rogers, shprehet dhe Ajgeraj.

“Vendit tonë i nevojiten thonj më të pistë e mendje më të pastra”, sepse do i shërbenin por dhe do i shërbejnë të ardhmes së atdheut.

Eh, dija është pushtet, kështu që edhe poeti me gjithë forcën e pushtetit krijues me thellësinë e mendimit e forcën e fjalës e sjell të gjallë metaforën mbi varg ‘Në të zezë kam veshur mendimin’ shpalos pikëllimet e shpirtit me të fshehtat e gjithë dhimbjet e zemërimit që cipën shpirtit ia zhvesh, apo plagët që pikojnë shtatit.

Por, ai cek edhe shënjestrën kah veriu i furtuntë si amanet i gjyshit.

  Evropa qe 100 vjet

  mbyllur i ka veshë e sy

 hileve të pazareve

Gjithçka kridhet si në rrethe vicioze duket se i ka përfshirë bataku nga brenda.

Politika bën aktonacira të vërteta, fjalët vorbullohen, kërcejnë tutje, lozin me kuptimin e tyre, thumbojnë njëra-tjetrën me romuz

     Përpiqen ta gabojnë shoqja-shoqen, një tekë e fuqishme i shtyn në vallen e madhe.

Evropës ia palos mllefin për dredhitë shekullore apo pazaret hileqare, ama ky vullnet krijues endet tejet i magjepsur brenda botës, krijimtarisë por edhe brenda botës reale i një saktësie të veçantë, si instrument i mrekullueshëm e i pagabueshëm, i paepur e vizionar, vështrimmprehtë, mendjeftohtë si Alpet, sy çelik.

     Vërtet sy i çeliktë, i ngjan kasafortës brenda së cilës gjenden gjithë forca, njohuritë, virtytet njerëzore që e bëjnë një Penë të Artë për Kombin, ku asgjë nuk i shpëton. Madje ka vrapuar koherent me kohën ku rendit histori, ngjarje e mbresa, njëra pas tjetrës e me tehun e çeliktë ndan mjegullën shekullore, pasi, ngjarjet, mllefet e urrejtjet brenda këtyre poezive janë të paanë e pafund si deti.

     Re të zeza stivohen në qiell, çahen, grumbullohen sërish, ajri i gaztë e plumbat si breshër, vërtiten si aso kohe mbi mëmëdhe nga krimi i satanait të veriut.

     Njerëzia nuk e donte tmerrin, i cili ta çan gjoksin si rrufe, e gjakun ta ngrin e të kallin mornicat, por ndjenin frikë nga vetë ndjenjat e tyre të fuqishme.

     Ashtu si ndër libra bashkëkombasit dëshironin, veçse lirinë në trojet e tyre e ndjenjën mirale brenda petkut të virtytshëm.

   A nuk m’i shihni

   varret tek oborri

   kullat e shkrumbuara

   fëmijët e djegur në djepa

   plakun e shkrumbuar në kullë

   e varret e mbeta thatë

Ah ç’përjetim nga familja por dhe jo vetëm

Pyetje thumbuese plot mllef e shpirt ndër dhëmbë për gjithë krimet e kryera në mënyrë shfarosëse e madje askush fjalë s’thotë. Klithmë e shpirtit e dhimbje e xhanit deri në përvëlim për të drejtën njerëzore nga shpirti luftarak e njëherësh krijues e pajis  autorin me një arkitektonikë magjepsëse.

     Ajgeraj është shprehja më e lartë poetike e mishëruar në traditën shqiptare ku shpesh gjendet mes ëndrrës dhe realitetit, ndaj prek majën më të lartë të përmbushjes poetike të letërsisë bashkëkohore shqiptare, por nuk u ndje kurrë rehat brenda sferës së mëmëdheut. Madje kurrë, por ende nuk synon të kalojë kufirin artistik, moral apo estetik të Kosovës apo kombit të tij. Ajo ç’ka krijon Ajgeraj qëndron e fortë, e sigurt mbi themelet e traditës dhe kulturës shqipe.

     Është karakteristika dalluese e këtij njeriu, gjeni, si shpirt i mishëruar i një tradite për të luftuar sikundër një bote që e rrethon, si stërgjysh i kësaj breznie të re, duke nxjerrë në pah gjithë djallëzitë e një bote të marrosur, pasi koha tregon dy botë të ndara, të cilat vërtet këmbejnë me njëra tjetrën dritën dhe hijen. Ama, ato sikur rrotullohen në sfera të ndryshme, por që kërkojnë të jenë qytetarë të lirë të botës madhe. Larg asaj zbrazëtirës së acartë e të ashpër ku qenë të pambrojtur nga stuhitë e rrezikshme të jetës e sulmeve aventureske e kriminale.

   Zot ç’trishtim

   kur sheh

   gjakpirësit e etnisë

   kah lëpijnë

   pjatave të huaja

   të krimit

Në kësi lloj rastesh që realisht nuk janë të pakta, fjala mbetet ngrirë e dora zor se shkruan, se si do e duan mbi kombin tënd okupatorin.

Te këto vargje vjen si piskamë a klithmë trishtimi, tek shesin farë e fis për një thelë, ku s’ua dëgjon dot emrin, apo s’ua dëgjon bëmat atyre maskaradave për ata njerëz “Pa din e pa iman”, farë e ligë që përbaltin emrin e shqiptarit, ai soj i brishtë.

   Deri kur

   atdheu im

   kjo farë e ligë

   do të bimojë arave të tua..?

Kjo pyetje që ta ngjeth mishin e poret e kokës, t’i hapë aq sa toka e dheu nën këmbë të lëvizë. Një filozofi e thellë ku në kuptim metaforik, kapërthen në vete një univers të gjerë mendimi në pak fjalë a metafora fjalësh. Këto vargje janë aq të përsosura saqë në çdo kohë ruan kuptimësinë e freskinë e mendimit.

    Jo më kot thuhet se në do të gjesh fajin real, së pari llogarinë kërko te vetja dhe më së miri këto vargje na sjellin në kujtesë dyfytyrësinë apo pabesinë e njeriut të pamoral apo më saktë pa gjak njeriu që ndër deje i valon gjaku i satanait.

     Tema e këtij vëllimi të jashtëzakonshëm janë të larmishme ku çdo lexues e gjen veten nëpër vargje apo poezitë e ndryshme.

     Poeti shpalos ndjenjat mbi ngjarjet shekullore të atdheut të tij, luftërat e përgjakjet, vrasjet e djegiet, tradhtitë etj.

     Nuk i shpëton penës së krijuesit as niveli shoqëror brenda shoqërisë shqiptare, lufton ashpër padrejtësitë e cinizmin duke reflektuar sedrën e shëndetshme njerëzore dhe fisniken që buron nga shpirti, si dhe thirrja për ndërgjegjësim të parimeve njerëzore përballë ligësive e veprimeve monstruoze.

Gëzim Ajgeraj, poeti me karakter të fortë e me virtyte në raport me këto zhvillime .

Sigurisht që askush nuk pajtohet me ligësitë që ne përcjellim a përjetojmë si shoqëri.

 

                    Prenda Sejdia

                 Lezhë, janar 2021