PËR BASHKIM S’ DUHET PYETUR
ASKËND
Kam një jetë që e kërkoj
një pikë të vetme mbi glob
Bredh kryeqytetit shpirtëror të shqiptarëve
a etje tek Lidhja e ngul flamurin kuq e zi
ky është Atdheu i ëndrrave të mia
Si një luftëtar i pandalshëm
i lodhur nëpër beteja
i mbledh copat e dhimbjeve
të këmishës së shqyer nëpër beteja
e me to i vesh shtatin
e atdheut të ëndrrave të mia
Nga dhimbjet që herë - herë më pushtojnë
i nxjerr kujtimet e hidhura
të historisë së ligësive që na ndoq
me fqinjët grabitqarë
e Evropa, kjo zonjë e ligë me gërshërë ndër duar
tek m’i pret tinëzisht hartat e shtatit të Atdheut
Medet, ç’zemërim më pushton në shpirt!
tek ngul flamurin e bashkimit
aty te sheshi i kryeqytetit shpirtëror
të shqiptarëve
e lëshoj kushtrimin gjithandej Atdheut:
se për t’u bashkuar s’duhet pyetur askënd!
2020
M’U PLAKËN ËNDRRAT
Të njoma i nisëm ëndrrat e bashkimit
Nëpër rrjedhën e Drinit
Eh, sa gjatë i shtrydhëm në gji
E i fshehëm nga korba që na rrinte qiellit mbi
E ushqyem me guximin e moshës
Që të piqej buka e ardhur e Atdheut
Gjatë e ushqyem etjen
Që na i ndrydhte dëshirat e uritura
E me to zgjeruam horizontet e dritës
Që të shumëzoheshin rreshtat e vizionarëve
Për dritën
e të nesërmeve të bardha
Nëpër thinjat e ëndrrave
I shkruam legjendat e bashkimit
Dekadat ia falëm idealit
Që e kishim të mbjellë në gji
E zjarrin që s’e shuam kurrë
Do ta mbajmë stafetë të ndezur në brezni