Dienstag, 9. Februar 2021



LETËR

 

Zotërinj të Evropës

ju që lirinë e keni me bollëk

ne këtë copëz drite

shtrenjtë e paguam

me gjakun e ashtin tonë

 

Nëse doni ta besoni

shihni ata djepa të shkrumbuar

ato mijëra varre fëmijësh

që ua këputën rritën

 

I shihni ata mijëra plisa pa koka

pranë kullave të shkrumbuara

Janë pleqtë

plakat që i dogjën te vatra

 

I shihni kodrat e Kosovës

ndrydhen varreve

Janë lulëkuqet e mbjella

për këtë copë diell

 

Ato varre të hapura atje

i presin bijtë e vrarë, eshtrat t’u kthehen

I presin të zhdukurit pa nam e nishan

diku në Batajnicë, Nish, Rashkë, Kurshumli,

Kalamegdan e Beograd

 

Kosovën e mbytën në varre

e krimin e morën me vete

atje në Beograd

trofe për ju zotërinj

të Evropës së verbër


AMULLI

 

Edhe sa herë

korba e zezë e veriut

duhet të kërkojë

mbi farën 

e gjenit tonë

 

Ka njëqind vjet

që mbjell mortin

oborreve të etnisë

e nga eshtrat tanë

e ngrit

kalanë e krimit

atje në Kalamegdan

 

A nuk e shihni

se si gërryen

mbi ashtin e etnisë

e me dhëmbët e nxjerrë jashtë

na i grindet kërcënimit përsëri

 

Edhe sa gjak e asht

duhet t’i japim

bishës së Kalamegdanit

nga damarët tanë

që t’i shuhet etja

 

E ne të zgjohemi

nga kjo amulli?!...

 

EH, KËMISHA IME

COPË-COPË

 

Nuk m’i duhet

dioptri mendimit as syrit

për lojërat e hileve

dhe pazaret e kusureve

mbi tavolinat

e tregtarëve të Evropës

 

Kam njëqind vjet

që mbi shpinë

m’i kanë ngarkuar dhimbjet

dhe korbën përmbi

e nga këmisha e copëtuar

më pi gjakun

e currilave të damarëve

korba e veriut

 

U mësova me hilet

dhe pazaret e pista

për kusuret e Karpateve dhe të Evropës

ilirinë ma bënë

copa-copa

Përditë ia pinë gjakun

e nga eshtrat tanë

ndërtojnë perandoritë e kolltukëve

 

Edhe me

ndërskamcat e pista

të kusarëve

dhe korbës së veriut

që e ushqen Evropa

me kokat tona

për hilet e veta

 

Medet ç`lojë e ligë

Evropë e Karpate bashkë

në tregun e hileve

shesin këmishën time

të shqyer copë-copë

e s`ngopen duke e shtrydhur

gjakun e saj


ANTISIMBIOZË

 

Ka një shekull

ky fqinji im

me gjarpër e shajkash mbi kokë

helm e vrer vjell

e pi gjak

oborreve të mia

 

Ka njëqind vjet

që me gjakun tim

mbush kupat e dhunës

e ushqen pjellën e vet

me krimin

e përditshmërisë

 

A nuk m’i shihni

varret te oborri

kullat e shkrumbuara

fëmijët e djegur në djepa

plakun e shkrumbuar në kullë

e varret e mbeta thatë

 

 

Ka njëqind vjet

që ky fqinji im

nën shajkash

fsheh helmin e gjarprit

e m’i helmon përditë

zogjtë tek oborri

 

E mua

më mbeti e zgjatur

dora e paqes

kah fqinji im gjarpër

me shajkash mbi kokë

 

         2020

________

ANTI- fjalform. libr. Parashtesë që u shtohet mbiemrave dhe emrave për të shprehur diçka të kundërt a diçka që është në kundërshtim, në luftë me atë që tregojnë këto fjalë pa parashtesën; kundër -; p.sh. antifetar, antikombëtar, antimalarik, antipopullor, antiqeveritar etj., antigrimcë, antitrup etj.

SIMBIOZË:

1.Biol. Bashkëjetesë e vazhdueshme ndërmjet dy qenieve të gjalla a bimëve të llojeve të ndryshme për të gjetur ushqim e për t'u mbrojtur, që u sjell dobi të dyjave. Simbioza e kërpudhës me algën. Simbioza e bishtajoreve me disa baktere.

2. fig. Lidhje a marrëdhënie të ngushta në mes popujve të ndryshëm që banojnë në të njëjtat troje; lidhje e ngushtë në mes dukurish të afërta. Simbiozë etnike (gjuhësore). Simbiozë popujsh të ndryshëm.

** Shajkash:. Kapelë serbe...!