Sonntag, 27. September 2020



DISA SHËNIME BIOGRAFIKE


PËR AUTORIN DHE VEPRAT

 

Brahim Ibish Avdyli është i lindur më 5.9.1960, në fshatin Morinë, Komuna e Gjakovës, Republika e Kosovës dhe i takon plejadës së shkrimtarëve të fundviteve shtatëdhjetë dhe të fillimviteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar (XX).

Që në vitet e hershme të rinisë u dha pas dy prirjeve: pas artit të fjalës dhe pas lëvizjes konspirative për lirinë dhe bashkimin e kombit shqiptar. Ai merret paralelisht me shkrime shkencore, gazetar e publicist, krahas krijimtarisë letrare (prozë, poezi, dramë, etj.)...

Katër klasat e para të shkollës fillore "Ganimete Terbeshi" i ka kryer në Morinë të Gjakovës dhe katër klasat e tjera, në fshatin Ponoshec, në kushte mjaft të rënda. Pastaj i ka vazhduar dy klasat e para të gjimnazit “Hajdar Dushi“ në Ponoshec dhe dy klasat e fundit, me rezultat të shkëlqyeshëm, në Gjakovë, duke udhëtuar këmbë apo duke banuar atje. Më 1979 është regjistruar si student me korrespondencë në Fakultetin Filologjik, të cilat i kreu në Degën e Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe. Pas fatkeqësisë shëndetësore, ka vazhduar t’i ndjekë studimet në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës, në Fakultetin e Shkencave Politike - Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci, të cilat i ka kryer, me qëllim të përmirësimit. Aty ka vazhduar me studimet e pas diplomës dhe e ka mbrojtur temën e magjistraturës, në tetor të vitit 2010.
Brahim Avdyli ka botuar shumë shkrime, artikuj, analiza dhe akte të tjera politiko-organizativ­e, ndërsa gjatë viteve 1990-1995 e ka redaktuar e udhëhequr revistën gjithëshqiptare „Qëndresa“ në Zvicër, e cila është botuar me vështirësi jashtëzakonisht të mëdha financiare e politike...

Deri më sot e kanë parë dritën e botimit këto vepra:

-"Në hijen e Alpeve", poezi, Rilindja, Prishtinë, 1983;

-"Buka e kuqe", poemë, Atdheu, Cyrih, 1990;

-"Kur zgjohet Dodona", poezi, Rilindja, Prishtinë, 1992;

-"Pasqyrë e përgjakur", poezi, Marin Barleti, Tiranë, 1994;

-"Klithje nga fundi i ferrit", poezi, Onufri, Tiranë, 1997;

-"Gjuha e dheut tim", poezi, Albin, Tiranë, 1999;

-"Klithje nga fundi i ferrit", botim i dytë, Jeta e Re, Prishtinë,

 2000;
-"Baraspesha e humbur", poezi, Qëndresa, Gjakovë, 2003;

-"Vragat e një kohe", prozë, Faik Konica, Prishtinë, 2005;

-"Lëvozhga e vdekjes", prozë, Faik Konica, Prishtinë, 2007;

-"Stelele Veşniciei /Yjet e Përjetësisë", Poezie albaneză, din Kosova, BKSH të Rumanisë, Bukuresht, 2008;

-"Zogu i këngës", poezi të zgjedhura, SHB “Pjetër Bogdani”,

 Has, 2009;

-"Mërgata shqiptare e Zvicrës dhe roli i saj", politikë e publicistikë, Brezi `81, Prishtinë, 2011;

-"Qielli i paprekur", poezi, Brezi `81, Prishtinë 2012;
-"Vetëvrasja e një poeti", dramë e kthyer nga romani me një titull tjetër, Shoqata e Intelektualëve "JAKOVA", Gjakovë,

2013;
-"Shtegtimi i lirisë", poezi, Faik Konica, Prishtinë 2014;
-"Torzo e shpirtit tim/Der Torso meiner Seele", zgjedhje e poezive në shqip e gjermanisht, Amanda Edit Verlag, 2015;
“Arena e dhembjeve”, poezi, Botimet Meshari, Prishtinë 2017.
“Sondazhe për Kosovën dhe kufirin e saj”, vepër analitike e publicistike, Lena Grafik, Prishtinë 2019.
“Die verrückten Pferde”, me lektur nga zvicranja Laura Shämerli dhe redaktori Dr. Naim Kryeziu, Magic Verlag, Basel 2019...

Janë të shumta veprat e ndryshme, të cilat janë botuara nga fushat e letërsisë, publicistika e antologjitë, shqiptare e ndërkombëtare, apo ato që e kanë brenda faqeve të veta, me punime apo me fotografi. Ato, nuk i numrojmë...


Mjaft shkrime e vepra të pabotuara i janë marrë nga policia sekrete serbe apo nga policia shqiptare dhe janë zhdukur, pa gjurmë...
Poezia e tij kryesisht është përkthyer në gjuhët italisht, gjermanisht, rumanisht dhe pak më pak në anglisht.
Brahim Ibish Avdyli është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (LSHK); i Autoreve dhe Autorëve të Zvicrës (AdS);

i Akademisë Alternative Shkencore të Shqipërisë “Rrënjet Tona” dhe i disa organizatave të tjera.

Kjo poezi është pjesë e librit më të ri të poezisë lirike, në prag të botimit...

 

 

Brahim AVDYLI:

VEGIMET E PËRMALLSHME TË GËZIMIT

Gëzimet nuk janë fëmijë të përmallshëm të fatit
janë diçka magjike që lidhen me pafatësinë e përgjithshme
apo gjë tjetër në lojërat e fatit
prej fundit të dhembjes së këngës

kthehem në rifillimin e dramave të pafatësisë që përsëritet prej Trübbach-it, Kreuzlingen-it,
Zürich-ut apo Surses, e të tjera...

Çuditërisht i theva një ditë me qëllim
dy gishtat e vegjël të duarve për të marrë udhën përsëri vargut të pakëputur të lotëve,

lufta ka qenë gjithnjë tryeza fluturuse e çasteve të mia kurdoherë isha i gatshëm të më pështillte lëmshi i rrebtë i uraneve herë i ngjaja Akilit e herë bëhesha Promethé
në cepin e shkëmbdurimit derisa shqiponja ime dykrerëshe i grinte mushkëritë e fjalëve

e herë të tjera i ngjaja Hektorit të paepur të betejave,
askund nuk e gjëja nën Diell të më presë Apollonin tim të urtë edhe pse asnjëherë nuk më dogji zjarri
që përvëlonte poshtë kazanit të zemrës,

prandaj, nuk e gjeja as miken time
për të ndarë bashkarisht lëmshin e fatkeqësisë, cilën do ta merrja ishte e kotë,
sepse djajtë e padukshëm dirigjonin gjithçka
kundër vargjeve të lirisë...

Të mallkuarit e kishin lidhur pas meje një rimorkio me fëmijë
prej vitesh të përdalura më zononin me vaje në çdo kthesë
as të qaja e as të plasja nuk mundja në çdo minutë dhembjesh
si të pranonin fëmijët dëshirën e armiqve
nëpër meloditë e këputara,

kësaj here qenë bërë njëzet vite nga fishekzjarret e vdekjeve nëpër to duhej të kaloja prap detin e madh të tmerrit
herë dukesha Akil, e herë dukesha Hektor, që përplasej me ndjenjat e nuk mund të ndalesha askund
për të vjedhur prushin e zemrës
nga zotat e tmerrshëm të dhembjes!...

Të mbeti peng një vullnet i përhershëm në shpirtin e vargjeve deshe t`ua ngjallësh shpresën e madhe të diellit

të vegimeve tua,

tani nuk je i çlodhur nga përpëlitjet e telave të lotëve
ndonëse ke kaluar kaherë gjysmën e fatkeqësisë

i vjerrur mbetesh në vner e vneri nuk të lë të qetë

a thua, a janë gëzimet e paqena në cepat e kujtesës
apo kënga që përlotet kurdoherë në shiun e vjeshtave

kush do t`i kapë tani vegimet e përmallshme të përqafimeve
në ajrin e mbufatur të ndjenjave-

jam vetëm një hije e pështjelluar bashkë me erën
që di të flas
nëpër ngjyrat e trishta të këngë-vajit apo vaj-këngës!...

                                                     05.10.2019