P A S T H Ë N I E
AJTHI POETIK, SA MAGJI, AQ DELIR SHPIRTI
• 1. Në vështrimin metaforik
Ky këndvështrim është veçse një nga veçantitë, brenda
shumicës së dukshme të komponentëve, pra si aspekt i përmbajtjes, por edhe i
idesë, ama pa dashur të anashkaloj as stilin e veçantë filozofik apo
psiko-filozofik të largpamësisë e dytësisë së mendimit, duke u përqendruar në
rrafshin e bashkëkohësisë, por edhe situatave të ndërlikuara, që karakterizon
ndër dekada autorin, Gëzim Ajgeraj.
I pasionuar në
kërkim të shtresave të thella të thesarit popullor e gjuhësor, me sinteza të
bindshme logjike, ku ndërgjegjja e përkushtimi, janë palë në përdorimin e
stilit të tij karakteristik, ku krejt natyrshëm e ngre në nivelin e
universalizimit poetik, letrar e filozofik.
Metafora është
element thelbësor i poetikës së autorit me anë të të cilave të transporton në
dimensionet e pafundme të fjalës, të mendimeve, të gjykimeve e të veprimeve të
matura e të pamatura.
Pra, eksploron
çdo labirint të qenësishëm të kësaj materie, sepse leximi të bën të
kuptosh se autori seç qëllon, gjuan, gjëmon, ankohet përmes metaforave,
përmes fjalës. Prandaj, vjen tek ti, e ke përballë dhe ndjen praninë e tij, me
gjithë dimensionet. Ky moment të mbështjellë metaforikisht brenda gjithë
ndjesive në fjalë, varg, strofë a poezi, brenda gjithë figurave letrare.
Kështu ndodh
në gjithë poezitë e librit: “MAGMA E SHPIRTIT”.
Muza e frymëzimit, ideja dhe muza e ngacmimit janë
elemente, me të cilat autori është i mishëruar ndër vëllime. Andaj, këto
substanca e kanë zhytur thellë autorin në brendi të krijimeve, duke shpalosur
gjithë diapazonin krijues dhe duke e ngritur atë në majat më të larta të
letërsisë bashkëkohore shqiptare, e duke i bërë të konkurrueshme më poetët
botërorë, megjithëse ju përket atyre përmasave dhe niveleve.
Përmes
diapazonit që zotëron autori i majave të fjalës e forcës së saj, më thellësi e
dytësi mendimi dhe finesat në varg, gjejmë artin e së bukurës plot forcë, ndaj
dhe na pushton e magjeps poezia.
Pasi mbresat
që rrjedhin nga leximi poetik janë të shumta, prandaj përmes metaforave flet
shumë në ligjërim dhe interpretim poetik, ku dhe mendimet rrjedhin lirshëm.
Në këtë vëllim
poetik vështirë (nëse kërkon) të gjesh poezi pa metaforë, sepse autori thotë:
- “Poezia që nuk ka metaforë është njësoj si kocka që nuk
ka mish”.
Prandaj, drita poetike ndriçon shpirtin e poezisë së
Ajgerajt.
Ky vëllim
poetik zgjon emocione të veçanta me ndjesi të jashtëzakonshme, ku “të detyron”
të pyesësh veten dhe të kundrosh mbi dimensionin, sa horizontal, aq edhe
vertikal, mbi mjegullnajën e jetës, pikë- pikë i derdh dyzimet, me doza të
forta poetike, hap shtigje të reja komunikative, pasi trishtimi është veshur me
mbulesën e tejdukshme të gjakimit e të fjalës metaforike, si shfaqje e
shqetësimeve dhe e trazimeve, që shpirtërisht, sikur e tundojnë poetin.
•. 2. Edhe në vdeksha për fjalën le të vdes
Zot ç’ndjesi.
Përmes fjalës duket qartë dora e mjeshtrit.
E kur poeti, poeti don me vdek për fjalën, për themelin e
komunikimit.
Eh, fjala!
Fjala është si
vetë perëndia, citon mjeshtri përmes vargut, se pa fjalën s’bëhet asgjë.
Ndaj, ky çmim
e mishëron autorin që vargëzon për njerëzinë, e mbushullon më dritën e saj dhe
frymëzon lexuesin e zgjon botën, duke mishëruar drejtësinë e të vërtetën atje,
në logun e fjalës, ku i kërkon etje maja e mendimit dhe e fton te fronti i
vargut.
Për zgjim mbi
njohjen e pakët të fuqisë së vargut.
Sepse fjala e gërmon ajkën e mendimit e mos t’ia kapin
litarët e fjalës, se për frontin e fjalës i kërkohet gjak mendimit, e përmes
dritës së muzës i mbjell lulet e fjalës.
NË LOGUN E FJALËS
Na kërkoi një etje majë e mendimit
Në logun e fjalës atje ndër maja
Autori përmes fjalës gjëmon në çdo poezi, ku qan e këndon
mbi halle e derte.
Pasi gujën e rëndë ia vesh mendimit, nën hije të
trishtimit e turbulencave të kohës, pasi verbër ecën koha mbi kohë, thotë
autori se qielli verbon përtej hijes e territ.
Turbulencat e epokës po mbjellin terr mbi dritë dhe së
bukurës i ka rënë shëmti e errët mbi horizont.
Fjala e metafora për poetin janë: “mishi e kocka” apo “mushti e vera” , ku përmes
mendimeve të lira bën një ligjërim, sa poetik dhe letrar, aq edhe ironik ndaj
fenomeneve të përditshmërisë apo edhe epokave, të cilat treguan vrazhdësinë e
tejskjashme.
Poetët, si
Ajgeraj janë paracaktuar që të sjellin fjalën metaforike e të zbulojnë të
vërtetën e njerëzimit, ku përmbledhin histori dhe superior kalërojnë mes
turmash, se fjala është udhërrëfyesi më i pagabueshëm për poetin dhe, kështu,
përjetësisht i mbetet besnik kësaj bote, krejt universit.
I madhi, Gëzim
Ajgeraj, që prek këtë natyrshmëri të vetvetishme, jo vetëm me jetën e kombit
tonë është vibrim madhështor brenda hapësirave shqiptare dhe jashtë saj, e si
zë përfaqësues i gjithë këtij shtresimi.
Ndjenja dhe kënaqësia estetike të gjithë përbërjes e
dimensioneve do të jenë thelbi shpirtëror dhe mendor i vizionit të poetit
Ajgeraj.
Ai vigjilon
personalitetin, ky zë i artikuluar përmes fjalës në krejt botën shqiptare, por
dhe evropiane, ku krijoi poetikën e tij personale, më një regjistër të pasur
shprehjesh figurative mjaft të rralla, më dendësi kuptimore plot emocion të
brendshëm dhe më një estetikë krejt të përsosur sa për t ’ ia pasur zili.
Kënga e shpirtit të Ajgeraj është fjala e poezia.
• 3. Poeti dhe poezia në unitetin stilistik.
Që nga arbëreshi, Lekë Matrënga, asnjëherë kjo energji
krijuese nuk ndal për ta hedhur a mbjellë farën e dijes e mbushulluar
vetëdijesimin, sepse poeti kërkon të mposhtë sfidat e kohës, e kështu ta
kultivojë shpirtin fisnik të shqiptarit më pishtarin e shpresës, duke i dhënë
ngrohtësinë zemrës e për ta plotësuar më së miri mozaikun e letërsisë.
I duhet
njerëzimit poezia, me gjithë sferat e saj, se poetët thotë autori dhe gjumin e natës e prishin, më njëmijë
halle, më njëmijë derte, as fjalën s’e lanë të fle.
E torën ndër
shtëllunga vargjesh, me më të bukurat e pemës së fjalës mbëltuan dhimbjet e
shpirtit.
Nga më të bukurat këngë, nga më të bukurat fjalë, i dhanë
dritë vargut.
NËN PEMËN E VARGUT
Nga më të bukurat e pemës muzës
Zgjodhi frutat e frymëzimit
Nga Pema e frutave të vargut
Mbëltoi këndshëm e nesërmja
Lum kush mbëltoi
Nën pemën e vargjeve
Ajgeraj, ky poet i mbi 200 librave e ndër to i mbi 100
vëllimeve poetike, që numërohen tashmë, shkruar për njerëzimin, vlerëson më
ndjenjë të thellë poetët, sepse është shpirti dhe organika e artit të të
shkruarit.
Ai shkruan për burimin e poezive, por edhe ndjenjën, që i
jep poetit dhe deklamimin që i jep publikut.
Poeti, vlerëson gjithnjë poetët që bënë epokë dhe ndikuan
në formimin intelektual, si manifestim i jetës pa kufizime dhe i lirisë së
shprehjes së mendimeve, por edhe qasjes sipas kriterit të gjeneratave, që
Ajgeraj është në perfeksion të plotë, si në pikëpamje të interesimeve tematike
e motivuese, ashtu edhe në pikëpamje me stilet, gjuhën, mjetet e shprehjes a
figuracionet apo edhe elementet e tjera ideo- estetike të strukturës letrare e
artbërjes.
Thellësisht vjen në vëllim Ajgeraj, si poet i mendimit të
lirë, por kërkon në një farë mënyre pak “revolucion” pasi shprehja:
“Gjak e asht le t’i japim
mendimit, le të rrojë përjetësisë”, i qëndron aq
besnik vargut e lumja poezi.
Autori,
Ajgeraj, ky profil interesat i poetit, që kërkon ringritje, qëndresë dhe
rezistencë e vetëdijesim.
Tematika dhe uniteti stilistik, kriter tipologjik i
poetit mbi poezinë.
• 4. Smira në mentalitetin psikologjik të botëkuptimit
Poezia e Ajgeraj njeh e zbulon elemente tipike mbi
karaktere të ndryshme e ndodhi, po ashtu, e cila zbërthehet më së miri, kur nga
studimi dalin edhe burimet e frymëzimeve, prej të cilave është pasuruar me
elemente më të përshtatshme të ndëshkueshmërisë së fenomeneve.
Pra, përmes
vargut ndëshkon shkeljen e parime njerëzore, të cilat shpesh marrin përmasa të
gjëra e, madje, tejet negative.
Edhe heshtja
thotë autori bëhet palë e së keqes së pakthyeshme.
“Lum kush mblodhi veten, nuk zbriti tek llumi
Heshtja përbri dhimbjes, dhimbshëm përbuz hiqen”.
- A nuk është tipike për rrethin ku ka kërkuar frymëzimet?!
Kështu ka përdorur metaforat, fjalorin a simbolet e
përshtatshme, apo edhe shprehjet mjaft tipike për stilin, ku kjo del nga
studimi e njohja e mentalitetit njerëzor.
Ndaj elementet
në këtë tip poezie i ka përdorur me mjaft maturi në hartimin e vargjeve
poetike, ku duket se mjaft të fuqishme e ka ndjenjën dhe shprehjen, ndaj
realitetin që shpesh e ndeshim.
Ndaj dhe
programi i angazhimit poetik ka brenda saj mesazhin përcjellës, dhe qëndron
stoik duke kërkuar kohë solide.
Kjo del
qartazi se është aq bindëse e sugjeruese të përballojnë “rrebeshet e kohërave”
e mos të përzihen në llumin që të gllabëron.
• Ikje e udhë në zhargonin e mallit poetik
Përmes gjuhës së artit letrar modelon universin, i cili
përbëhet nga brendia shumëngjyrëshe, e që përfshin formën e ekzistencës
njerëzore në thellësinë e qenësishme të poetikës.
MAGMA E SHPIRTIT
të poetit është në unison me vargun, fjalën, imazhin e simbolet, pastaj autori
njihet nga vëllimet e shumta, si poet i mallit e largësive, dhimbjes
shpirtërore të kombit e në gjithë variacionet e saj.
Ai vargëzon
mbi brengat me një mori ndjenjash, përpiqet ta mbushë kraharorin nga zbrazëtitë
e kohës në mënyrë metaforike, dhe objekti i frymëzimit është i mbështjellë me
simbolika dhe përpiqet ra shkërmoqë mjegullnajën dhe bëhet akoma më i
pakapshëm.
"Një etje e moçme na kish thirrur udhëve për pak arrati ikjeje, pak
mërgim, dhe pak mall në shpirt na i kish dhënë largësive me farën e mosharrimit
na i kish mbështjell etjet"...
Si obsesion, e kaluara këtu zë vend, e bëhet nyje, ku të
lidhet çdo gjë, madje, edhe ajo ndjenjë e athët që kërkon ngushëllim, ku
impulset e nervit nuk gjejnë qetësi.
Frymëzimi bën
që poeti të ketë fron e të ndjehet i koncentruar, pasi bredhja në mendime e
lejon që nëpër vargjet e tij, të frymojë fluiditet.
Kështu që
fluiditeti i jep shpirtin e vet poezisë e shfaqet në refleksione emocionale e
meditative.
Poeti brenda shpirtit ka folenë e vendlindjes, e bëhet
imazh i pakapshëm tek bredh e rreket në imagjinatë.
"Gurrë e freskët dhe e pashtershme për poetin është frymëzimi, ndaj
posedon diskurs të lartë komunikimi me vargun dhe ligjërimin e konsolidon në
marrëdhëniet ndërnjerëzore me kulturë evropiane".
"As bukën tek çerepi nuk kishte kush ta piqte
Se moti loket kishin ikur lamtumirës përgjithmonë".
Malli e
dhimbja prekin telat e shpirtit, pasi harrimeve ecin me vetëdijen mashtruese,
por nuk ndalet së kërkuari himnin e lavdisë të së djeshmeve tek
pret një fjalë të ëmbël për të hapur portat e dritës dhe të shpresës.
Autori jep
shenjat e një komunikimi të brendshëm, aq stërmundues e gati dramatik, ku
ndjeshëm artikulon emocionet dhe tensionin, që shkakton përmes vargjeve, duke i
bërë funksionalë ato në përshtatje me konstruktin poetik.
Hap pas hapi, (step by step), Ajgeraj me shumë punë
dhe vullnet, plot natyrshëm i ngjiti shkallët drejt majave të poezisë shqiptare.
Objeksionet i pati që nga botimet e hershme, atëherë kur
botonte tek: "Rilindja në Prishtinë ", gjatë viteve të errëta të
sundimit.
Por, botimet
pasuan njëra- tjetrën, ku spikatin tituj të shumtë poetik që zor është të
veçosh ndonjërin për nga cilësia.
Vargu i
Ajgerajt del nga thellësia e shpirtit, e sidomos, kur i këndon mallit,
dhimbjes, vendlindjes, Atdheut.
Nëse e lexojmë
gotën gjysmë boshe, thotë autori, fobia e dritës s'mund të na përndjekë. Uroj
sa më shumë dritë dhe refleksion Penës së Ajgeraj e sa më këndshëm për lexuesin
e gjerë! Udhë të mbarë librit!
Prenda Sejdia
Lezhë Maj 2022

