Freitag, 20. Januar 2023



Gëzim Ajgeraj

PRANVERA POETIKE NË VËRRI - 2015

(Antologji poetike 3)

 

Redaktor

Gëzim Ajgeraj

 

Recensent

Bedri Halimi

Qazim Thaçi

 

Kopertina

Artan Ajgeraj

 

Gëzim Ajgeraj

PRANVERA POETIKE NË VËRRI

(Antologji poetike 3)

Revista letrare

METAFORA

Prizren, 2015

 

ANTOLOGJI PËR VËRRININ


Përzgjedhja që na erdhi në këtë Antologji poetike të Metaforës, nuk ishte rastësi, për më tepër ishte përkushtim poetik i miqve të mi poetë, si: Bedri Halimi, Ibrahim Skenderi, Ismet Lecaj, Ilam Berisha, Nexhat Çoçaj, Qazim Thaçi, Berat Batiu, Osmon Bojaxhiu, e Mirsad Kuteli, të cilët me vargjet e tyre dhe me prezantimet e tyre nëpër shkollat e Vërrinit, nderuan historinë, të kaluarën dhe të ardhmen e regjionit të Vërrinit, por edhe neve si krijues letrarë të kësaj ane. Ndaj idesë dhe projekteve tona i dhamë udhë, kur në bashkëpunimin që e kemi si Këshill Editues i revistës “Metafora” dhe asaj të Shoqatës Kulturore Ymer Prizreni të Sharrit, të drejtuar nga z. Bedri Halimi, hartuam projektet që të prezantonim me vargje poetike nëpër shkollat e Vërrinit. Duke e nderuar luftën, historinë dhe të kaluarën jo të largët të kësaj ane, me karvanin e shkrimtarëve, në majin e vitit 2014 e filluam në fshatin Gjeç (Jeshkovë) dhe në Malësi të Vërrinit (Lybeqevë), fshatra këto që i dhanë shumë luftës për liri dhe çlirimit të atdheut. Ndërsa kjo traditë, një vit ma vonë, në të njëjtën kohë dhe me të njëjtat qëllime, karvani i shkrimtarëve nga Prizreni e Opoja, vazhduan edhe në tri fshatrat e tjera të Vërrinit, si në Kushtrim (Billushë), Gurrë (Poslishtë) dhe Hoçë e Qytetit, ku në bashkëpunim me nxënësit e këtyre shkollave, u lexuan bashkërisht poezi.

Këto orë letrare, nëpër fshatrat e Vërrinit, nga karvani i shkrimtarëve, vijnë si një përkushtim, një mirënjohje dhe respekt për luftën, qëndresën dhe heroizmin e banorëve të Vërrinit dhe djemve si nga Vërrini, po ashtu edhe nga trevat e tjera, si dhe ajo e Opojës.

Ndoshta do të ishte e tepërt të thuhej se përzgjedhja është bërë nga ne, sepse atë e ka bërë vetë prezenca e këtyre poetëve nëpër këto takime, dhe kjo antologji me këta emra të nderuar të artit e të kulturës, me vargjet e tyre, vjen si një mirënjohje e madhe për Vërrinin heroik.


2.

Vërrini, ky regjion që vetëm para një dekade e gjysmë, në historinë e lavdishme të Kosovës e shkroi me gjak historinë e vetë. Djemtë më të devotshëm të çështjes kombëtare, u vunë në mbrojtje të trojeve të tyre shekullore dhe në ballë të luftës për çlirim, nga zgjedha shekullore serbe. Duke u vënë në ballë të kësaj lufte, u vra rinia më atdhetare e kësaj ane, u vranë shumë djem e vajza që me heroizmin e tyre, sot i bëjnë dritë lirisë së atdheut. Të tillë ishin dhe mbetën deri në rënie, si: Xhevat Berisha, Selajdin Berisha, Remzi Ademaj, Agim Shala, Asim Berisha, Alajdin e Bekim Berisha, Besim Shala, Avdi Shala, e shumë e shumë të tjerë. Shtatëmbëdhjetë luftëtarë, brenda vetëm një beteje, është dëshmia më e mirë për heroizmin dhe qëndresën e vërrinasve. Sigurisht se do ti mbetemi borxh shumë emrave që u vranë në disa ofensiva të armikut, e që kalojnë të pesëdhjetat, por në këtë shënim poetik, kujtojmë se do të mjaftoheshim me këtë. Ndërsa Vërrini, me ato pak fshatra që kishte, gjatë luftës çlirimtare, ishte zonë në vete, që mbulonte edhe qytetin e Przrenit. Sigurisht se kjo temë do kërkonte qasje të gjerë, e që e kemi thënë nëpër libra historikë, që i kushtohen kësaj epoke. Por për lexuesin e huaj, dhamë një profil të shkurtër për Vërrinin.


3.

POEZIA SI NJË REKUIEM PËR TË RËNËT


Vërrinit, bukur i rrinte kurora e lirisë, nëpër këto dy pranvera poetike, por aq më bukur kumbonin vargjet e poetëve kur i thurnin lavdinë, nëpër jehonën e tyre. Fjala e poetit shkon atje, ku rrezja e diellit s`hyn kurrë, për ta ngacmuar ndjenjën edhe aq të trazuar e të stërmunduar të banorëve të kësaj ane. Dhe kjo jehonë, shpërndahej valë valë, nëpër vargjet dhe zërin e poetëve, që hapëronte kodrinave e grykave të Vërrinit, si një fllad pranvere, për të hyrë nëpër çdo kullë, deri atje ku ka prekur lavdia e atdheut. Pse hesht Vërri? - një titull sa simbolik, aq edhe metaforik, karshi kohës dhe kësaj heshtjeje të vërrinasve. Ata i dhanë At-dheut, kombit, lirisë. Ata folën, kur duhej të flitej. Ata nuk vajtuan, edhe kur duhej të qahej. Ata kënduan, edhe kur s`këndohej. Ata flijuan, kur duhej të flijohej. Sot, ata ndërtojnë jetën, i gëzojnë lirisë, dhe i rrinë pranë asaj, sa herë mbi petkun e atdheut fryjnë furtuna. Pra, Vërrini nuk hesht, dhe as që do të hesht ndonjëherë. Përkundrazi, ai qëndron ballëlartë, përpara këtyre ditëve të bardha.

Brenda kësaj metafore, vargjet e poetëve nga Karvani i shkrimtarëve, vinë si një rekuiem, një simbolikë plotë dashuri e mirënjohje, në dritën për të ardhmen dhe brezat e kësaj ane.

Janë poetët ata, që kurrë nuk e lënë që e kaluara të harrohet, përkundrazi ata janë kronistët e kohës, që i shkruajnë dhe i këndojnë me vargjet e tyre, ashtu si bilbilat, nëpër këto dy pranvera poetike, në shkollat e fshatrave të Vërrinit, përballë cicërimës së brezave të njomë të kësaj ane, i kënduan trimave, lirisë, atdheut dhe shpërndanë rreze drite për të ardhmen.

Le të shpalosim pak vargjet, që të jemi sa më pranë ndjenjës që na krijuan ato, brenda këtyre orëve letrare.

Ibrahim Skenderi, një poet shumë i dashur për fëmijë, nuk i mungoi dëshirës sonë për ta sjellë me vargjet e tij për Ymer Prizrenin: / Eh ç’burrë ishte-i tha gjyshi / Ymer Prizreni emrin ia thonë, / Vulë i dha ky historisë / Emblemë e kombit tonë/... Vargu i tij josh gjithmonë zemrat e vogëlushëve, dhe i afron ata, afër një atdhetarizmi të shëndoshë, përmes vargjeve të tij të ëmbla.

Kush më bukur do ta këndonte këngën e lavdisë nëpër vargje, për trimat e lirisë, më bukur se Bedri Halimi, dhe pikërisht për ata që u flijuan në këto anë: / Me emrin tënd / U këndua himni i lirisë / Ëndërrim dhe ninullë / U bë legjenda e lashtë/,… (Alajdin Xhezairit). Nëpër vargjet e tij, himnizojnë këngët për trimat e atdheut, që u bënë themel për dritën e lirisë.

Vijën e vargëzimit për trimat e lirisë, e mbanë edhe poeti Mirsad Kuteli, i cili me vargjet e tij, himnizon pranë ambientit dhe rajonit, duke nderuar atë, me vokacionin e poezisë për atdhetarizmin dhe luftën për liri: / Një shkëndijë shkrepi në Pashtrik / E rrufeja në Koshare /Ai nuk ndalej në kërkim të diellit / Se pas dimrit të fortë / Thonë vera është më e ngrohtë / E në rrugëtimin e tij të gjatë /, …(Shtegtimi drejt përjetësisë).

Me vargjet e tij, poeti Nexhat Çoçaj, metaforizon zjarrin e luftës sonë për liri, i cili kur u shua (u ndalën flakët e luftës, agoi liria), në fakt filloi një jetë e re për njeriun e etnisë sonë.  /Kur e lidhën Prometheun / Pse e kish zbuluar zjarrin, / Ai qeshej duke thënë: / Për ta filluar jetën njerëzimi/. Këto vargje, shumë më bukur tani më jehojnë hapësirave të Vërrinit, kur e kemi parasysh të kaluarën e afërt të kësaj ane.

Me një rekuiem për atdhetarin dhe strategun e devotshëm të çështjes kombëtare, Ukshin Hotin, në këtë parathënie prezantojmë vargjet e poeteshës Mirvete Kabashi – Leku; / Fjalët e tua u ngujuan me zinxhirë në kokën time / Më zgjove dashurinë për malet e vendit tim /Zemra mori krahë të fluturojë në agime / Mora forcë të re për ditën që ende s’ka gdhirë/.

Një dhimbje sa personale, aq edhe të përgjithshme e kombëtare, shpalos poetesha Xhyhere Maqkaj-Vezaj. Aq më tepër përpara vërrinasve, kur bashkëshorti i saj: Selver Bajram Maqkaj, tani dëshmor i Kosovës, u lind dhe u rrit në Vërri, pikërisht në Malësi. Ajo, këtë dhimbje nuk e ndrydh brenda vetes, por përmes vargjeve e shpalos edhe përpara vërrinasve, pikërisht atje ku i ka njerëzit e gjakut, heroi i saj e i atdheut; / E kuptoj në kohë/ Se dhembja s`ka kufi / E kuptova rëndësinë e jetës  / Se e vdekur do të jetoj pa ty/.

Një poet që si ndahet lirikave të dashurisë, është freskia e këtij karvani poetik, i cili me larushinë e vargjeve të dashurisë, sikur na sjellë freski shpirtërore, për të qetësuar shpirtrat e trazuar, dhe për ta shikuar jetën edhe nga këndet e tjera të saj:  /Buzë lumit u takuam / Në liqe shfaqem krenarinë / Në breg të Drinit u penduam / Në det të qetë derdhëm dashurinë/, Osmon Bojaxhiu.

Gjithmonë nëpër këto takime, vargjet e poetit Ismet Lecaj, ishin ëmbëlsira për auditorin e gjerë. Ai me vargjet e tij, di gjithmonë të sjellë freski, disponim e dashuri. Mjafton ti shpalosim ato, dhe të marrim edhe ne si lexues, pak buzëqeshje e disponim, mes vargjesh; / T’u them të drejtën vij nga Opoja, / Ku për gjumë të hapet goja, / T ‘vërteten jam nga fshati Brezne, / Ku hallave u thonë teze e tezeve u thonë halla / Dhe kështu fillon përralla! / Kjo është karta ime e identitetit, / E jo si puna e atij Valdetit, / që është nga fshati buqe / E që u dashurua me një mollëkuqe, / Ajo e refuzon pse pi ujë ai me papuçe! /.

Gjeografive të atdheut, na shpie vargu i poetit Qazim Thaçi, i cili suksesshëm me vargun e tij në media të ndryshme paraqitet për afro dy dekada e gjysmë: / Mu në mes të Urës së Milotit, zemra ndahet në dysh / Këtej veriut mbetet historia dhe puthja e venitur / Tutje Ilirisë shkruhet epitaf atdhetarie / Në grykën e Sazanit, pikëllon kaltërsia / Në Pjatën e artë përpëlitet Vasiliqia / Tutje Ujit të ftohët kaltërsia merr emrin Dhërmi / Në ullinjtë e shekullit, vardiset historia/. Vargjet e tij, janë ndjenja e atdhetarizmit, e cila bartet përmes metaforave edhe tek nxënësit e shkollave të Vërrinit dhe lexuesin e gjerë.

Ilam Berisha, poet vërrinas, nxjerr nga dhimbjet e tij përmes vargjesh, një plagë shumë të ndjeshme, siç ishte ajo e vrasjes së fëmijëve në Vërri, nga dora barbare e okupatorit. Përmes kësaj shpalosje, ai na rikujton një kohë të dhimbshme, e cila u kurorëzua me liri : / Qiellit të nxirë pëllumbat flatronin / Dhe këndonin një këngë për liri / Mbi shkëlqimin e tyre rëndonin / Hijet e territ të zi /, .../... /Barbaria mbillte kob / Kullë në kullë në Vërri / Filizat u këputën nga trungu / Kësaj toke iu bënë fli /.

Edhe në vargjet e Berat Batiut, shpalosim simbolikën e respektit, ndaj atyre që flijuan për një të sotme të bardhë, të cilës edhe po i gëzojmë ne sot: /Ju jeni gjithnjë me ne / të qetë flini në tokën martire / e ne ç'bëjmë...??? / a dimë lirinë te ju ta sjellim..../. Duke kujtuar, nderuar e respektuar, por edhe duke tërhequr vërejtje në të sotmen, për një ecje të mbarë, nëpër ditët e bardha.

Me vargjet e tij të bukura, prezanton edhe Abaz Çengaj, i cili në këto takime, sikur i pëlqente lirika, e cila duket se i shkon për shtati edhe këtij poeti; / Kurrë s’të thashë se të njoh / Ose më mirë të them, të njoha aq shumë / Sa që dëshirova ta gdhij edhe një ag me Ty / Orvatjet ishin të kota, nuk u takuam/. Aq më tepër, Abaz Çengaj, edhe moderoi, nëpër shumë takime letrare.

Vargjeve të kësaj antologjie, që jehuan si kushtrim për mirënjohje e respekt, për heroizmin vërrinas, nuk munguan as këngët e Vëllezërve Mirhat e Rijat Lecaj, të cilët vargjet poetike, në vazhdimësi nëpër këto pesë takime, i shoqëruan me këngë. Kënga e tyre jehoi fuqishëm, nëpër gjithë anët e Vërrinit, duke ju kënduar këngë trimave të kësaj ane, si: Remzi Ademajt, Xhevat Berishës e Selajdin Berishës, dhe shumë trimave të tjerë. Vargjet e këngës, do të na kujtonin fillin e luftës për liri: /Kur në Kosovë u dha kushtrimi/ krisi pushka edhe në Vërri/ Remzi Ademaj zog shqiptari/ rroku pushkën për liri/ Xhevat Berisha sokol djalë/ qysh herët doli në mal/ për flamurin e lirisë/ që t’i thonë jo robërisë.../. Kjo këngë (me tekst të Bedri Halimit) dhe dashuria me të cilën u këndua ajo, ishin një zë i fuqishëm, që karvanit të shkrimtarëve ia shtoi bukurinë, ndërsa këtyre takimeve larushinë dhe koloritin artistik, që barti me vete karvani. Le të jetë kjo antologji, si një kujtim, dritë për brezat që do të vinë, dhe udhërrëfim, që format e këtilla të këtyre takimeve, të tradicionalizohen në Vërri.

    Zvicër, korrik 2015

 

 

 

PEMA ME RRËNJË TË SHËNDOSHA NUK THAHET, QOFTË EDHE NËSE PRITET NGA MAJA

    

Bedri HALIMI

 

Treva e Vërrinit është e njohur për banorët e saj punëtorë, të urtë dhe atdhetarë të devotshëm. Çështja e atdhedashurisë matet me vepra konkrete, me veprime konkrete dhe sjellje konkrete. Vërrinasit, në luftën e fundit të Kosovës, morën pjesë aktive, duke iu bashkëngjitur rezistencës së përgjithshme të UÇK-së. Kjo u dëshmua si në vjeshtën e vitit 1998, po ashtu edhe në pranverën e vitit 1999 ku shumë të rinj iu përveshen radhës së luftës së lavdishme të UÇK-së. Disa nga ata edhe ranë dëshmorë në altarin e lirisë. Si ata që ranë dëshmorë, si ata që ranë viktimë e sjelljeve kanibale të forcave serbe, luftëtarët e Vërrinit, bashkë edhe me trimat e luftëtarët e trevave tjera, bënë përpjekjet maksimale për t’ia sjellë pranverës lulet, ndërsa jetës, frytet që i nevojiten atdheut. Fundja, është ligj i natyrës që rrezet, bashkë me dritën, nuk mund t’i ndalojë askush, e lëre më, Serbia me ndonjë nga sejmenët shqipfolës.

Vërrini, nuk ndenji me duart e lutjes për ta pritur pranverën. I organizuar e i mobilizuar luftoi e u sakrifikua, u dogj e u gjakos për t’i dhënë dritë errësirës, që me shekuj e kishte kapluar vendin.

Nga tërë fshatrat e Vërrinit, dy prej tyre tashmë i përkasin historisë. Janë këto fshatrat Lez dhe Kushnin në të cilat nuk jeton asnjë banor.

Në nderim të të rënëve vërrinas, në nderim të martirizimit të vërrinasve, në nderim të kontributit të dhënë të shumë vërrinasve për lirinë e Kosovës, krijuesit e shoqatës kulturore “Ymer Prizreni” dhe krijuesit vërrinas të udhëhequr nga shkrimtari i njohur dhe veprimtari i palodhshëm Gëzim Ajgeraj, vendosën të mbajnë takime në formë të manifestimit kulturor në secilin fshat të Vërrinit.

Në vitin e kaluar (2014) u mbajtën manifestime kulturore në Jeshkovë dhe Lybeqevë, kurse në vitin 2015 u mbajtën manifestimet kulturore në Billushë, Poslisht dhe në Hoçë të Qytetit. Në të gjitha këto fshatra, manifestimet u mbajtën në shkolla ku morën pjesë nxënës dhe arsimtarë të prirë nga drejtorët e këtyre shkollave si dhe krijuesit që përfshihen me krijimet e tyre në këtë libër.

Entuziazmi dhe gëzimi i fëmijëve në këto orë letrare ishte i papërshkruar. Urojmë që të gjithë këta fëmijë dhe gjeneratat pas tyre, të bëhen zot të vetes, në mënyrë që si intelektual të ardhshëm të jenë të dobishëm jo vetëm për veten dhe familjet e tyre, por edhe për vendlindjen, rrethin ku jetojnë dhe tërë Kosovën.

Në këtë libër, janë përfshirë krijimet e autorëve të cilët janë lexuar para nxënësve të këtyre shkollave. Te të gjitha këto krijime, ku më shumë e ku më pak, bëhet fjalë për Vërrinin, për dëshmorët e Vërrinit, për dëshmorët që nuk janë nga Vërrini, por që luftuan dhe u flijuan në Vërri, për atdheun, për figura kombëtare e deri te poezitë lirike që mund të merren si metaforë e vazhdimit të jetës, si dhe poezive të karakterit humoristik, për t’u treguar nxënësve, se jeta ka edhe anën tjetër të medaljes - atë të gëzimit, të haresë që duhet të kuptohen në këtë rast si triumf ndaj brengës, parregullsisë, zhgënjimit...

Ibrahim Skënderi, me krijimet e tij kryesisht që i dedikohen të vegjëlve, u mundua të vërë kontakt me botën e tyre, duke ua rikujtuar UÇK- në dhe Ymer Prizrenin.

Mirsad Kuteli, në leximet e tij porosit për dashuri ndaj vendlindjes dhe sakrifikuesve për liri.

Nexhat Çoçaj i përkushton krijime figurave emblematike të historisë së vjetër për të lidhur mesazh për kohën e sotme. Fundja lufta e UÇK-së është vazhdimësi e rezistencës shqiptare gjatë periudhave të ndryshme historike.

Myrvete Kabashi, me një ndjesi shpalos respektin e saj për kombëtaren dhe figurat e saj siç është Ukshin Hoti.

Xhyhere Maçkaj, në formë më të drejtpërdrejtë sjell emocionet e saj me krijimet përkushtuese. Ajo si grua e dëshmorit, sikur i ka vënë vetes detyrë për të vazhduar rrugën e mbrojtjes së lirisë nga ngrënësit e saj.

Osman Bojaxhiu, sjell vargje të lirikës së dashurisë përmes së cilave lë të kuptosh se jeta vazhdon.

Ismet Lecaj, përpos poezisë kushtuar sakrificës sublime, sjell çaste gëzimi dhe hareje përmes vargjeve humoristike të thurura me mjeshtëri.

Qazim Thaçi, një njeri që ka dhënë kontribut në informimin e drejtë gjatë periudhës së luftës, në këtë rast jo vetëm që vazhdon të japë po të njëjtin kontribut përmes mediumit që drejton, por kësaj radhe kontributi i tij është shtuar edhe në shënimin e emocioneve të tij kushtuar vlerave që ka sjellë lufta drejt rrugës së lirisë. 

Ilam Berisha, krijues nga Vërrini dhe veprimtar i njohur i kësaj ane, nuk ka mundur të qëndrojë indiferent ndaj ngjarjeve dhe situatave që i ka përjetuar. Prandaj disa nga ato ngjarje i ka përjetësuar përmes artit poetik në krijimet e tij, disa nga të cilat i ka shpalosur edhe para nxënësve.

Berat Batiu, si botues, merret edhe me poezi e krijime tjera letrare e artistike. Ai, disa nga krijimet e tij të shkruara i ka shpalosur para nxënësve të këtyre shkollave e rrjedhimisht edhe para lexuesve të këtij libri.

Abaz Çengaj, gjithashtu në formë metaforike sjell krijimet që flasin për sfida të njeriut gjatë periudhave të jetës, ashtu siç në momente të caktuara shpreh edhe refleksin e vargjeve lirike.

Gëzim Ajgeraj, qysh në poezinë e parë “Pse hesht Vërri” shpalos ndjenjat shpirtërore, ku poeti bën thirrje për një rizgjim pas heshtjes. Është kjo heshtja që vjen pas një lufte të zhvilluar në këto zona, kur Vërrini u gjakos, u vra e u dogj deri në themele për ditët e bardha të atdheut. Kjo epokë historike, për poetin, sikur i tingëllon si një lloj heshtje karshi zhvillimeve të pasluftës që herë herë nuk ishin të favorshme sa duhet për interesa kombëtare. Pikërisht këtu poeti kërkon një zgjim, një ngritje dhe një thirrje për përballje kundrejt zhvillimeve të kohës. Vargjet e poetit Gëzim Ajgeraj, janë të mishëruara me Vërrinin, dhe si vërrinas, kush më bukur se ai do ta njihte dhimbjen e tokës dhe banorëve të kësaj ane, prandaj edhe bën thirrje për t’u solidarizuar e himnizuar me heroizmin dhe qëndresën vërrinase.

Nga të gjithë krijuesit e prezantuar, numri i krijimeve është i kufizuar në këtë libër, të cilën hartuesi i tij - Gëzim Ajgeraj, e quan “antologji”. Antologji në kuptimin formal nuk mund të jetë, për shumë arsye, të cilat, nuk e shohim të udhës t’i shpalosim në këtë rast, por gjithsesi ky libër është antologji në kuptimin thelbësor, duke pasur parasysh mesazhin, përkushtimin, adhurimin, shpalosjen e çiltërsisë së emocioneve përmes vargjeve poetike.

Në këtë libër, dy krijues janë paraqitur me më shumë krijime të tyre. Janë këta Gëzim Ajgeraj dhe Ilam Berisha. Që të dy veprimtarë dhe krijues. Që të dy nga treva e Vërrinit. Prandaj, në këtë rast ishte e domosdoshme të prezantoheshin me numër më të madh të krijimeve se krijuesit e tjerë në këtë libër.

Arsyet e botimit të librit, krijimet e prezantuara në këtë libër si dhe mesazhi që jepet përmes këtyre krijimeve janë dëshmi dhe vulë e një kohe që nuk do të harrohet kurrë, por që do të kujtohet në të gjitha kohërat.

Urojmë që të ketë lexues të këtij libri edhe në kohërat që do të vijnë, me shpresë se numri i krijuesve nga Vërrini do të jetë shumë më i madh.

 

 

Gëzim AJGERAJ

 

PSE HESHT VËRRI

 

1.

 

Hej Vërrini im

Ngrite plisin majë vetulle si bora majë Sharri

Këndomi bukur trimave t’lirisë

 

T’i ndezim këto ditë të bardha

E t’i shërojmë plagët e moteve të kuqe

Shkëlqimi  yt krenar le të jehojë

Shesheve të mëmëdheut

 

2.

 

Hej Vërrini im

Ma thuaj edhe njëherë këngën

Si atyre moteve të kuqe ndër bedena

 

Mbahu përpara furtunave të harrimit

Mos lejo askënd të shkelë mbi lavdinë tënde

Trimërohu këtyre ditëve të bardha

 

Kujt, më bukur se ty i rri kurora e lirisë

Fol dhe njëherë si ditëve të lavdisë

Se të kam krenar përpara historisë

 

 

 

 

3.

 

Hej Vërrini im

Flakadanin ndezur mbaje

Të mos të shuajnë ligësitë mediokrite

 

Mbahu përpara këtyre furtunave të harrimit

Kujto lisat e krenarisë së djeshme

Dhe me rrezen e dritës ndriço të sotmen

 

Mbaj ndezur zjarrin në oxhakun e kullave

Ngroh këto ditët e bardha

 

Mos harro këngën e maleve

Jehona e saj të mbushullojë shesheve të të sotmes

Që kupa e lavdisë tënde të shkëlqejë përjetë

 

4.

 

Hej Vërrini im

Mos hesht edhe kur të tjerët rrahin gjokset

Përpara plisit tënd të bardhë

Mbahu ballëlartë përpara historisë

 

Ti ishe e mbete gurë i pathyeshëm

Legjendave të atdheut

Se trimërohen mjeranët para heshtjes tënde

 

Ngrite kokën lartë deri atje ku rriten

Lulëkuqet e atdheut

 

 

5.

 

Mbahu krenar

Se ti ma vadite pemën e lirisë

Me gjakun e lulëkuqeve tua

Nëpër çdo shkëmb

 

Askush më bukur se ti

S’i ndezi pishtarët e dritës

Netëve të robërisë

 

Mbahu krenar Vërrini im

 

           Prizren, 1999

 

 

 

Ibrahim SKENDERI

 

BURRI NË PIKTURË

 

N’kavalet një burrë shikonte

Me mustakë syshqiponjë,

Vetëtimthi e pyet gjyshin

Cilin burrë këtu pikturon?!

 

Eh ç’burrë ishte-i tha gjyshi

Ymer Prizreni emrin ia thonë,

Vulë i dha ky historisë

Emblemë e kombit tonë.

 

Kureshtja seç iu shtua

Për këtë trim pika e djalit:

Mos ish’ shokë i Skënderbeut

Apo i t’madhit Adem Jasharit?!

 

Jo-tha gjyshi- shokë nuk ishin,

N’kohë të ndryshme ata jetuan,

Por ky burrë me trima t’Lidhjes

Rrugën e Skënderbeut vazhduan.

 

Atdhetarët- vazhdoi gjyshi-

Ideali i bashkoi,

Aty ku mbeti xha Ymeri

Adem Jashari e vazhdoi!

 

 

 

DËSHIRA QË S’PUQEN

         

I.

 

Për nipin e tij

gjyshi bëhet fëmijë

që t’i bëhet shok në lojë.

 

Për nipin e tij

Bëhet daullexhi

Që ai të vallëzojë.

 

Për nipin e tij

Shtiret sikur qan

Që ai ta pajtojë.

 

Për nipin e tij

Qeshet e këndon

Që ai gëzim të përjetojë.

 

           II.

 

Por...

Nga dashuri e madhe

N’shesh u dalin huqet

Për dëshirat e tyre

Që herë-herë s’u puqen:

 

Gjyshi tregon përralla

Nipi kolovitet

Njëri dëshiron t’përtrihet

Tjetri shpejt të rritet

 

Përkundër dëshirave

Diç nuk funksionon

Gjyshi e thërret nipin

Të falur i kërkon:

 

 

Më fal i dashur nipçe

Më qortuan edhe vitet

“Ti ne na harrove- m’than

Lëre nipin t’rritet!”

 

 

CARROKU NË PREKAZ

 

Pse o Lok janë bërë shoshë

Këto kulla nga plumbat?

Që të mund të dalin, bir

Nga errësira pëllumbat!

 

Po, pse pëllumbat

Në errësirë ishin?

Po bir, armiku

Deshi tua zhduk fisin!

 

Po këto lule, Lok...

Po ky lapidari?!

Ky u hapi shtigje pëllumbave,

Ky është o bir, Adem Jashari!

 

 

GJYSHI IM VITAL

 

Nipi im i vogël

Më i miri djalë

Sapo i ndodhë gabimi

Menjëherë thotë “M’fal!”

 

Kur zgjohet nga gjumi

Fare nuk përton

Të thotë “Mirëmëngjesi”

Asnjëherë s’harron

 

Por i ka ca t’rënda

Ai do kërkesa

I parashtron troç

Si t’kërkojë sheqerka

 

Më thotë: “Bëhu lepur

Lepur veshgomar!”

Vet e merr pushkën

Shtiret si gjuetar

 

Shpesh ia kënda

Të bëhet si Loku

Mua më urdhëron:

“Ti bëhu carroku!”

 

Të më hip në qafë

Jo rrallë herë kërkon

Edhe pse nganjëherë

Çisha i shpëton

 

Megjithatë e thërras:

“O ma i miri djalë!”

Ai mua m’përgjigjet:

“Të kam gjysh vital!”

 

 

URATË

 

(Delegatëve të Kongresit të Alfabetit)

 

Të na rroni sa alfabeti

Qiriazët t’i kishin uruar.

Nga brishtësi e kohës që ishte

Zor ish’ njeri ta ketë besuar.

 

Sot kur kaluan të njëqindtat,

Kur themelet luajtur s’janë,

Miliona Yje Drite

Alfabetin ushqim e kanë.

 

Brez pas brezi shtegtojnë uratat.

Vite – shekuj n ‘milenium të ri,

Kështjellëngritës të Alfabetit

Të na rroni në përjetësi!

 

                             Maj, 2014, 2015

 

 

Bedri HALIMI

 

ME TY PRANVERA NUK ËSHTË FJALË GOJE

 

(Adem Demaçit)

 

Zëri yt më tërheq nga toka

Që të jam Ti

Duke pritur të mësoj fshehtësinë

E ëndrrës së gurit

 

Adem Demaçi

Me emrin tënd mësova gurin

Të mos rrokulliset rrënja e tij

Ta shoh dritën e këngës së ngrysur

 

Dritarja e hapur

Ma krijon vdekjen e drojës

Në pazarin pa titull

Hija jote shëtit me ne

Nuk e ka harruar emrin tënd

 

Me ty ecim rrugës sime

Dhe e duam goditjen e rrufenë

Të mos e harrojmë atdheun në fshehtësinë e bardhë

Të mos bie ngadhënjimi

 

Me ty jeta endet në legjendë

Dhëmbët e ujkut

Mos t’i shqyejnë pëllumbat

Dordolecët të mos thonë

Fajtor jam unë

 

Monstrumi luan me vdekjen

Në shkretëtirë në mesnatë

Klith për fundin e lojës

Nga dritarja iku egërsira

Pa e parë filmin e shpëtimit

 

E ti me fluturim të përgjakur

Kthen shkëlqimin verbues

Pa emrin tënd

Pylli i prerë ka frikë vërshimin

Harrimi të mos mbetet në shkretëtirë

 

Të kujtohet Mik

Me emrin tënd

Nata nuk i mbulon gjurmët e harrimit

Në kohë trishtimi – rrënon pikëllimin

 

Eh Adem Demaçi

Pa emrin tënd

Beteja nuk është e askujt

Me emrin tënd - nuk mbetet shtëpia pa Zot

Me emrin tënd - u zgjuam me qenë

Me emrin tënd - vdekja thyhet në pasqyrë

Me emrin tënd - Ëndrra nuk mbetet më ishull

Me emrin tënd - Pikëllimit i japin të njëjtën përgjigje

Me emrin tënd - Shpirti i humbur dhe dashuria

Nuk mbesin ekuacione të panjohura

 

Me ty kërkojmë çdo herë

Ekzistencën – me jetue

Me ty satanai më lehtë gjeti vdekjen

Me ty ne jemi ti

Me ty Harrimi vdes me plagë në kohë

Me ty më lehtë e gjej njeriun

Me ty pranvera nuk është fjalë goje

 

Kuk, Sharr 1991

 

 

ALAJDIN XHEZAIRI

 

1

Me emrin tënd

U këndua himni i lirisë

Ëndërrim dhe ninullë

U bë legjenda e lashtë

Në mesditë duke pritur barbarët

Në qytet u bë qëndisja e Shamisë

E Qirinjtë ndriçojnë muret

Kur bilbilat këndojnë këngët e lirisë

 

2

Për Alajdinin mos qani

Fatalistët u bënë skllevër të panënshtruar

Kudo që shkoj Alajdin

Do i them dy fjalë për verën

Dhe mëngjeset e bukura të vjeshtës

Pa ty nuk do të arrija të këndoja për lirinë

E unë me ty do të dal të shëtis

Me shokët e rënë

Mos më prek tha ushtari i panjohur

E keni harruar ëndrrën e erës

 

3

Do të shkruaj letër Alajdin

Ku shihet rrezja e diellit në pasqyrë

Pastaj do fle pak

Dhe në mëngjes

Nga horizonti i lashtë

Do thurim elegji për luftëtarin e ri

 

4

Elementi më i pistë i krijesës

Mbeti Kasollja e Zezë

Që u ndërtua duke pirë diellin

Mbi turpin e verës

 

5

Eh Alajdin

Sa shumë kam dashur

Të këndoj në oborrin e të dëshpëruarve

Njeriu po digjet

Me kujtimet përtej kohës

Me emrin tënd Alajdin

Do të mbahet festivali i luleve

Ku do të ketë lutje për plagën time

Vjedhësit e pritjes

Nuk i thurin apologji nënshtrimit

 

6

Alajdin

Dikush po i zhduk pa gjurmë gjërat piktoreske

Bukurinë e pyllit dhe gjuhën amtare

Alajdin

Ti mbete kositës në breg të detit

 

7

Mos më pyet për vuajtjen e ëndrrave

Klithmë e mbytur mbeti gënjeshtra

Në tokën e zezë qyteti fle

E Ushtarët bëjnë ëndërrime me sy hapur

Harruan këngën e gurëthyesve

Lamtumirë zemërim – i dhamë besë njëri-tjetrit

E kalorësi i erës pranverore

Bëri lutje për gurin e dëborës

 

8

Alajdin

Pëllumbat e lirisë mbeten poemë e qytetit

Të përkujtojnë ty dhe tërë qenien tënde

Dhe unë besoj në ty – si bleta në lule

 

 

 

ADEM BERISHA

 

1

Po, zemra jote pandërprerë rrihte

Për këngën e Kosovës

Në vjeshtën e sëmurë tregove burrërinë

Mospërfille vdekjen

Ringjalle shpresën

Dhurove vetveten

Që t’i ruanim shekujt

 

2

Adem

Sot vdiq armiku im

Me duar të trishta vdiq

Në duart e Evropës

Pika shiu me lëvizje ranë

Me gjuhë flake bëjnë të vuajnë

Egërsirat në banesën e rrethuar

Që në pritje kundërmojnë

 

3

Adem Berisha

Ti je qenie që ecën

E tanishmja drithërohet me ty

Sa herë bie shi

Atmosferë ëndrre krijon mbi gjethet e pemëve

Dielli perëndoi në sheshin e bardhë

Kambanat përcollën këngën e harkut për blloqet e bardha

 

 

 

4

Ti ishe një pëllumb i burgosur

Që vrave ëndrrën e Pemës vrastare

Adem, ti e puthe perspektiven e zemrës së shqyer

Që jashtë mase udhëtonte pa fund

Ti nuk je ngjarje e papritur

Që rri pas derës së kyçur

Emri yt rikujtim – roje në agim

Dritë pa hije mbete - Fytyrë e paqes

I pa përgjysmuar këndon ninullë në kalanë e përjetshme

Emri yt vajtim i madh për errësirën

Me emrin tënd edhe nata ndriçon natën

Të mos vë rrudha dielli

Në vështrim të hyjnive

Të këndohet elegji buzë detit

 

5

Po ti më gjete Adem

Në të gjitha dyert sot më ke

Pa ardhur mëngjesi

Mos e kthe kokën në horizont

Përmes kohës e hapësirës

Mbajmë duart e bashkuara

Nuk dua të fle thua ti

Kur bie zilja

Autoportret i bëj zbrazësisë së vdekjes

në zjarr e hi

 

 

6

Ardhmëria vjen si flutura

Në dritën e qiriut tënd

Këngë për qiellin të këndoj

Ta varros murtajën

Në flakën e natës së heshtur

 

7

E unë të dua

Sepse e munde vdekjen

Duke u bërë engjëll mbrojtës

O njeri i madh i stinës së bukur

 

 

SAMIDIN EMINI

 

1

Koha u vonua me ty Samidin

Reklamë mërgimi i bëri

Hijes së trëndafilit

Ringjallja është rruga pa shtëpi Samidin

E ti lajmërove kohën e ujkut

Të gjetur në borë

Mbrëmjeve lajmëroje ankesat e mollës së kopshtit

Lartësia e reve – emrit tënd i dha pamje të dyfishtë për të ankuarit

 

2

Samidin

Dëgjova se po flitet për emrin tënd

Edhe aty ku është akull

Gjaku yt – i thur lavdet largësisë

Fill i dritës së diellit

Dikush i numëron orët me emrin tënd

Me çelës jo të njëjtë vizaton zemrat

E gjurmëve të kafshimit

Vdekja për ty qe – kokërr rëre

Mbrëmjeve dëgjohet kënga e zogut

Për botën e stërkequr

 

3

Samidin

Dikush asgjë ende nuk di për pemët

As për rrugën e rëndësishme që trazohej

Fjali të thjeshta thurin për vete – me pamje të dyfishtë

E një ditë dikush do të pyes pse

Shtrëngatë vetëtimash e rrufesh shkarkohen

Nëse nuk nderohen pëllumbat e paqes

 

4

Samidin

Emri yt rrëke për këngën e dashurisë së atdheut

Në dimër dikush të kërkoi para derës

Me perde të kaltër

E Ti durove

O çatindreqës

Ata që me vete bartnin truallin me tren

Dhe u bënë përrallë e pritjes

 

5

Kur përmendet emri yt

Toka dridhet ende

Gjaku yt – dritë – shkëlqim

Në stacionet e natës

Rruazat e gjakut bëjnë betejë

Me mullinjtë e erës

Lotët e harrimit mbeten kundërprovë pas korrekturës

 

6

Samidin

Nuk je më në arrati

Ti i di vëzhguesit e gënjeshtrës

Ti je pëllumbi i dërguar

Për të shikuar në qiell

Samidin trimi bërtet

Mjaft nga kjo rrugë e gabuar

Sa e shtrenjtë është nganjëherë rruga e kthimit në atdhe

 

7

Kur vjen mëngjesi

Duhet të flasim me njëri-tjetrin

Pa dhëmb të zezë

Ta bëjmë bukën për orën e madhe

 

 

YMRIDIN ÇENGAJ

 

1

Ishe lodhur e trishtuar nga Satanai

Ndërgjegjja nuk të la të jetosh me të kaluarën

Braktise dollinë për këngën e fundit

Për ty vërtet nuk kishin kuptim

U dashurove në përtëritjen e shpirtit

Nuk i doje këngët enigmë

Se krenaria për ty i kishte rrënjët

Te dashuria ndaj atdheut

 

2

Shtegtari i përhershëm i origjinës

Kontrabandistëve u dhe takim të fundit

Hijen e tymit ua preve

Flutur mes gjithësisë

Që doje atdhe të vetëm

Të mos vdesin yjet mbi dëborë

 

3

Nga bregu i amshimit

Thirr frymëzimin e miqve në sytë e tu

Takim të fundit me armikun e vjetër

Ia kryqëzove tmerrin në shtëpinë e braktisur

Në amshim shkove me mikun e vjetër

Me arratinë e fjalëve të panjohura

 

4

Ymridin

Vitet po kalojnë

E ne sa herë të kujtojmë

Nisemi nga fillimi - se mashtruesi nuk fle

Nuk do t’i lëmë asnjë minutë qetësi

Shpresave të thyera mes lodhjes e mërzisë

E yjet nuk i mbyllin qerpikët

Për ëndrrat e pa treguara

 

5

Sa herë lind dielli

Ju shohim juve Ymridin dhe marrim frymëzim

Të mos largohemi nga jeta

Fitorja juaj në fushëbetejë

Është dhunti e mundimshme e bijve të tokës

 

6

Ata që të harrojnë Ymridin

Do ta shohin ëndërr hijen e vet

Praktikojeni jetën me bisha të egra

Me ecjen tënde nga dielli

Shpresa nuk na le në peshën e mjerimit tonë

 

7

Ymridin

Më duket sërish ma bën me kokë

Se nuk i braktis ata që s’bërtasin as që s’vajtojnë

Ata që nuk e luajnë lojën e bushtrës së egër

Zgjohuni sa më herët

Të dashuroni atdheun si dashurinë e parë

Pa britma, me durim e qetësi

Jeta e shthurjes vyshket pa kthim

Pendimi për ta – ngushëllim i vetëm mbeti

8

Në kupën e pikëllimit rrugët janë të zëna

Doni malet, mikun e njeriun

Ju nuk e dini miq s’kam ftuar

Në netët e dimrit

Të mos zhyten në gjumin e mëngjesit

Dhe e shkrive akullin në xham dhe e solle pranverën

 

9

E të gozhduarit gjakun nuk e kujtojnë

As në kafene nuk dëgjohet kambana

E ti do të vish t’i shohësh tregtarët

si i bëjnë monument vetes

Në lamtumirën e rinisë

Sa herë të nderojmë Ymridin

Kërkojmë veten në thelb të dashurisë

 

10

Ymridin

Ëndërr e përditshme

Me ermin tënd i bëjmë nderim njeriut

Për nderin e tokës gjatë shekujve

Enigma e mashtruesve me pallto

të mos mashtrojë rojet e paqes

të mos mungojë përgjigja kur mbretërit gënjejnë

se na qenkan banorë të një planeti tjetër

 

 

 

 

DËSHMORËVE

 

Në vend të epilogut

 

1

Që të mos humbej rruga e dritës

Ju Miqtë gurthyes

Trokitet në mullirin e vjetër me ujë

Ku pamjet e tmerrshme

Të Njerëzve me sy nxjerrë

Këndonin Elegjinë e vuajtjes

 

2

Ju jeni skulptorët e lirisë

Përmes pyllit fluturat drejtë dritës

Ku hiri i ftohtë në gurin e nxehtë

Tregoi platformën e vuajtjes së atdheut

Fshehurazi zbritet si muzgu mbi liqe

Lundra juaj përherë roje për ditën e zezë

 

3

Ata që flenë mbi përralla të përgjakura

Këndojnë pas luftës

Duke mos vuajtur pas gjithçkaje

Dhe tregoni se si Lufta është këngë e pranverës

Për Endacakët sikur ti derdhnin tërë lotët e krokodilit

Lumi i kaltër nuk ka frikë

Nga shekujt e gurtë që i bëjnë doganë

Shkollës së vdekjes

Të mos ketë ndarje kur këndon kitara

Të mos thyhet shtamba nga zgjedhja e vështirë

 

 

4

Ju treguat se Mjegulla e Dielli nuk janë njësoj

Rrota e mullirit të mos sillet nga të panjohurit

Mbrëmjeve dimërore të kujtohet rënia e gjetheve

Kur jeni Ju

Nuk është e mundur të lotoj zemra ime

Në mërzinë e pafund

 

5

Një ditë nëse kthehet gruaja e pabesë

Shuhen orët e shpresës

Bie borë mbi qetësinë e detit

E ju shtegtarë përherë vraponi me shpirt fëmije

Dhe porosisni Mos harroni gëzimin e dhembjes

 

6

Më fal dhembje e zemrës së pastër

Për ditëlindjen time – nuk dua këngë djepi

Se fjalën e kanë të rinjtë e përjetshëm

Që i dinë varret e mëkatit për të çmendurit

Me Ju pranvera nuk ik

Me ngrohtësi të madhe – ylberi nuk vdes

Në fushat pas shiut

Shkruani trishtimin e dashurisë

 

7

Ju nuk jeni qytet i gurtë

Por ujëra që rrjedhin te burimi

Dhe gjejnë prehje në agimin e puthjes mbi varr

 

 

8

Ju Lule

Ëndrra e gjerdanit të lotëve

Lum lulesh kundër smirës mbetët

 

 

 

ÇDO DITË ZOTRAT E VEGJËL SHUHEN

 

Çdo ditë zotat e vegjël shuhen

Dhe ikin pa kthim

Përsëri lavdërojnë veten pleq e të rinj

Trokasin gabimisht duke u vetëmburrur

Një pendë pëllumbi mbajnë në xhep

Si mjet fluturimi e përdorin

Në doni t’i heshtni në vetvete

Shkoni në pyll te kafshët e egra

Këndojnë në pritje nganjëherë vajtojnë

Kopenë që se kanë

E në turrin tjetër u shpallin luftë të vdekurve

Unë e di gjëmimin e mahnitshëm

Që mbytet çdo ditë në çaste krizash

Edhe lagjes i vjen keq

Kur mes trëndafilash hapen gurët

Pas të vjelave asgjë s’më duhet vetmia

E parëndësishmja kurorëzohet me të vjetrën

Nga fjalët hakmarrëse ikin edhe pleqtë

Kuajt e rërës të shkojnë në shtëpinë e sakatëve

U flasin për bukurinë për luftën e përtesën

Një mbrëmje trokiti në postë për perëndimin e fundit

Ditët e mërzitshme lajthisin betejën e përgjithshme

Përvetësojnë sirenat e qetësisë

Pritja pa kufi djeg ndërtimin

Në pamje të parë, afërsisht i di punët e mia

Kënga e të rënëve frikëson të ligun

Me orë të zbrazëta u festua

Ditëlindja e pushtetit në shtëpinë e të diturve

Si ngushëllim pranohet nderimi për të vdekurit

Nga moti i tharë këputet gjithçka

Dhe ashtu në pritë gjarpri përsëri bën jetë moderne

Jashtë kafazit këputen vitet

Te dera e plepit të bardhë

Rrëfen për vdekjen e pyllit

Nga hakmarrja e mërzitshme

Dhuratë mbeti momenti i luftës

Me një zjarr mbjell e korr

Nuk është çudi me gënjeshtrën

Lutja e njeriut të dëshpëruar

Para botës mendon

Ç’i duhet parlamenti pa lëkurë

 

 

 

Mirsad KUTELI

 

PORTRETI I ARTISTIT

 

(Dëshmorit Jusuf Gërvalla)

 

Me akordet e kitarës

Një zë përgjërues

I këndon përjetësisë

 

Pena e tij s’u ndal

Vargje, dashuri e guxim

Për një ideal

 

Atdheu e dashuria

Kishin një kurorë

E artisti shtegton në udhën e jetës

 

Lisat më të gjatë

Lëkunden nga furtunat

Por rrënjët i kanë thellë në tokë

 

Në udhëkryqet e jetës

Ai e zgjodhi amshimin

Se nuk e deshi nënshtrimin

 

 

 

 

 

 

 

SHTEGTIMI DREJT PËRJETËSISË

 

Një shkëndijë shkrepi në Pashtrik

E rrufeja në Koshare

Ai nuk ndalej në kërkim të diellit

Se pas dimrit të fortë

Thonë vera është më e ngrohtë

E në rrugëtimin e tij të gjatë

Shtegtoi drejtë përjetësisë

Por rrezet e diellit i la pas

E një lulëkuqe e mbolli

Në tokën e shenjtë

Që jeta të fillojë sërish

Se ora ishte ndalur

Në kohën e rinisë

 

 

 

PISHTARI

 

U nise udhës së gjatë

E jetës së shkurtër

Lule më lule mblodhe

Nektarin e dashurisë

Që ia dhurove fëmi’së

Sikur Plaku i Maleve

I rrethuar me ushtarë

Në mesin e fëmijëve

Ti ishe pishtar

Tanimë nuk takohemi

Kafeneve të qytetit

As në fshatin e bleruar

Ndaj le t’ mbetet takimi jonë

Në vargje përgjithmonë

 

 

 

LEGJENDË E KULLËS

 

Gurë mbi gurë

Bacë Shabani

Ndërtoi kullë

Në mes të Dardanisë

Vendosi flamurin e lirisë

Aty mblesoi shumë lulëkuqe

Me bajrak në dorë

Na e solli të bukurën nuse

                       

 

 

 

DËSHMORIT

 

Unë miku yt i vjetër

Jetoj në botën e rreme

Përkulem para varrit tënd

Lot i rrejshëm nuk e lanë mëkatin

Është tragjike të shkelësh mbi gjakun

Me lot erdha

Në jetë varr

Dhe unë e desha fatin tënd dëshmor

Të jem çdoherë i gjallë

 

 

Nexhat   ÇOÇAJ

BARTËSVE TË  ZJARRIT

( Atyre që ranë për të mos vdekur kurrë në vijë të kufirit )
Kur i thanë  Prometheut
Pendohu për zjarrin,
Ai tha:
 Jo sikur edhe të digjesha në të

Kur e lidhën Prometheun
Pse e kish zbuluar zjarrin,
Ai qeshej duke thënë:
Për ta filluar jetën njerëzimi

Kur u thanë
Se mund  të digjen në flakë,
Ata thanë:
Ari merr shkëlqimin vetëm në zjarr

Kur u thanë se zjarri
Mund t’i lë pa sy,
Ata thanë:
Zjarri i shkrinë kufijtë

Kur u thanë
Se zjarri  ta servon arratinë
Ata thanë:
Zjarri lind lirinë.

 

 

 

PJETËR  BOGDANIT

Në kishëza të Hasit
M’u bë se e pashë Bogdanin
“Të veshur me diell
Të mbathur me hënë”
Duke i kërkuar hasjanët
E përflakur nëpër botë
Me gunë të gjatë krahëve
Shtrëngonte hartën e gurit
Kur u bind se kot lexonte
Vendet s’i gjente
Ashtu si ia donte zemra
Filloi të villte vrer të zi futë
Dhe ashtu i sëmurë
U nis për në Prishtinë
Me hartën e gurit
Mbështjellë nën gu(r)në
Tash pas treqind vite
Të dëshmojë
D-V-A-R-J-E-N
E gurit  të Hasit të Thatë



 

 

 

 

 

 

ËSHTË  TERR APO DRITË?!

Zgjohem në mëngjes
Mbështillem me terrin e ditës
Përpiqem të vjell
Gjellën helm të servuar në shtyp.

Në vend të  kafesë
Pi një apaurin
Që të mos verbohem
Që të mos shurdhohem
Që të bëhem  imun
Ndaj atyre që do t’i takoj
Me gojën e stërmbushur
Me sharje
Për ata që lindën për ne
Për ata që u flijuan për ne.

Por, terri është terr
Dhe me të do të shkojnë në ferr
Të gjithë ata  që vjellin helm
Për gjakun
Për bajrakun
Është terr apo dritë
Këtë do të na tregojnë fëmijët.


 Zgatar, 9 qershor  2006


 

POLITIKA

Shekujt prej lindjes
Deri në Perëndim
Mrizuan nën ombrellën e Politikës
Dhe kurrë s’ia arritën ta zbërthejnë atë

Sa e sa ushtri  i shkriu deri në një
Sa e sa lumenj ua turbulloi ujin me gjak
Sa e sa fusha dhe  male  mbolli me koka njerëzish
Dhe kurrë s’ia gjetën fijen  për t’ia ngri fuqinë
Egërsirës politikë

Edhe sot  si gjithmonë  të gjithë vrapojnë
Pas politikës  si toka pas dritës
Edhe  ata  që rrahin gjoks se janë të drejtë  dhe të përpiktë
Për drekë e darkë  kanë të shtruar politikë dhe vetëm politikë

Dhe a e dini pse
Sepse “ Politika  është  lufta e masës dhe e rasës
Që zhvillohet rreth kasës”.

 

 

 

Mirvete KABASHI - LEKU

 

UKSHIN HOTI

 

Ukshin burri 
Fjalët tua ç`u ngujuan me 
zinxhirë 
Ti seç ma zgjove dashurinë për 

malet 
Për agimet e ardhme 
Ti më dhe forcë të re për ditët 
qe s’kanë aguar 
Për Ditën e Madhe 
Dhe ma fuqizove ëndrrën për 
jetë 
Për pranverën me lule 
Për kohën e besës pa frikë e drojë 
Krah për krah të marshojmë 
bashkë 
E sot 
Mbeti vetëm thirrja për Ty 
Ukshin Burri


KU SHKONI?

Përse hapat s’reshtin asgjëkundi
Ecin s’presin e vetëm heshtin….
Pa ditur ku të gjejnë një vend...
Larg në të huajin atdhe e mëmëdhe.

Vetëm zogjtë u bëjnë shoqëri, diku në muzg
Dy-tri re ndjekin të braktisur prej erës.
Një varg lotësh të kripur nëpër sy marrin udhë
E lebetitja troket si mik i paftuar pas derës.

As të gjallë e as të vdekur nuk të presin
Ëndrra e pafat si një zog pa pupla drithëron
Klithin brigjet, shpirti nuk pret mëngjesin
Në një mjegull si shpend i plagosur lëngon…

Shpresa e fundit rrëqethshëm vërtitet
Në humnerën e vetmisë një strehë jete kërkon
E shpirti i braktisur më në fund kapitet
Dhimbja drejt dhimbjes si dallgët shtegton.


 

PA TITULL

 

Nuk meriton të jesh e mërzitur

Se ke një zemër të mbushur me dashuri 

Kërkojmë paqe e lumturi në ditën e ndritur 

O Zot, ku është gatuar ky shpirt flori?

 

Ah, moj jetë, sa qenke mizore!

Pse zemrat tona i trazove

Mos vallë kemi bërë mëkat

Që gazin na e kthen në dhimbje e vaj?

 

O faj i ngratë, dilemë e vjetër

Askush s’të pranon në stanin e vetes

Hipokritëve u ka mbirë ligësia

Ku rritet e lulëzon pabesia

 

O Zot, të jetoj kam shumë etje!

 

 

 

DO TË PRES

 

Në ca tinguj çiftelie miq të mirë ju pres,
Ju pres krahëhapur me nostalgjinë e bukur
Çdo ditë që lind e perëndon më jep jetë 
e ju pres në troje si shqiponjë a si flutur

Kam mall t’ju shoh kaherë të bashkuar 
bash si shkopinjtë e përrallës së lashtë
ashtu si dikur nëna natyrë ju ka krijuar
Si gurët e një kalaje të fortë e të lartë.

Gjithë jetën për ju si agimin e ri do t’ju pres
Si udhëtari që pret një rrugë pa fund e pa kthim
Nëse një ditë do kallem në dhe ?
Po, përsëri do ngjallem si një lule në rudinën e kombit tim.

Ju pres te një prag ku rrezon dhe vjen lumturia
Në një kënd të braktisur dhe në tufan do pres ...
Kur portat do t’ i hapë ribashkimi dhe liria
Do mugullojë si një pemë e lulëzuar në pranverë

Ah, sa ta pres RIBASHKIMIN
Jooooo, nuk e dua kurrë harrimin!

 

 

Xhyhere MAQKAJ - VEZAJ

 

KUPTOJ

 

E kuptoj në kohë
Se dhembja s`ka kufi

E kuptova rëndësinë e jetës
Se e vdekur do të jetoj pa ty.

Do ta kuptoj tokën
Pse ende po gjëmon
Do ta kuptoj nënën

Pse të birin e kërkon.

Do ta kuptoni lirinë

Pse luftëtarin e thërret

Do ta kuptoni detin
Pse ai është i qetë

Barka si lundron
Do t`i kuptoni shqiptarët

Pse flamuri s`i bashkon…

Ku jeni o shqiptarë

Kur ëndërroni të qetë

Se peshku s`jeton në livadhe

Ai kërkon det.

Kur do ta kuptoni

Se lisi ka shumë degë…

 

MË FAL

 

Më fal o tokë e bekuar

që me lot të kam ujitur

më falni o eprorë të nderuar

që lotët para jush më kanë pikuar.

Më tradhtuan lotët
që s`mund t`i mbaja dot

me dhembjen që më mbuloi
të kujtoj edhe sot.

O dheu ynë shqiptar
rëndësinë ma dhe
oj tokë e krenarisë
në gjirin tënd gjeta fole.
Kukës o tokë shqiptarësh
Dhembjen s`munda ta duroj
për lotët që më rrodhën
desha falje t`ju kërkoj.
Desha që të flisja
Por nuk munda dot
me dhembjen dikur që kisha

me respekt ju nderoj sot

Ah sikur të isha engjëll
e të fluturoj, për lotët e dhembjes
të gjithë kuksianët
me gjithë zemër t`i bekoj
e për mikpritje më duhet
shumë shumë t`i falënderoj.


 

BALADA PËR LOTIN

Rrokullisuni o lotët e mi

Në këtë natë të ferrit

Hapu dhe ti o qiell engjëllor

Plagët e zemrës ty t’i shpalos…

Athua se janë të gjatë zinxhirët

E Kosovës që po këputen në pafundësi

Po verbëria sa do të qëndrojë

Ç`më duhet jeta në Kosovën e lirë

Ku si e vdekur në mes të gjallëve jetoj.

Po t`i shfletoj kujtimet ty o Zot

Kur zemra më dhemb ndoshta s`di ç`të them

Kërkoj një dritë shkëndije

Që fëmijëve t`ua zbardhojë rrugën

Amanetin e fatit që ra dëshmor

Gjer në pikën e fundit do ta çoj.

Ti zbuloj kujtimet o Zot, hapur t`i them

Ku shpirti lëngon e zemra më dhemb

Balada e syve të mi vazhdon

Dhe drejtësia në disa mënyra rënkon

Sa shumë u vonua kjo liri

Qindra e qindra dëshmorë u shkrinë aty

Dhe mua pse më dënove o Perëndi

Në jetën time shtegtoja vetëm në drejtësi

Dhe fati im u laureua si një yll për liri

Sa shumë trima u sakrifikuan Kosovë për ty

Sa e sa langonj luftojnë për karrige
E dimë mirë o Zot se kush luftoi
Për këtë tokë me zemër e pushkë në dorë

Jetën bashkë me rininë ia fali Kosovës

Dhe u përjetësua në dëshmor.

Ju o eprorë e ushtarë çlirimtarë

Ju lutem të mbajmë një qëndrim

Këmba e shkaut këtu mos të shkelë

Dhe të lidhim një besë kombëtare për shpëtim

Gjaku i dëshmorëve që u derdh sot

Dhe amaneti i tyre që na e lanë

Është që Kosova të jetë e lirë përgjithmonë.

 

 

 

Osmon BOJAXHIU

 

ËNDËRRIM

Të ëndërrova sa s’ëndërron njeri
E imagjinata të bëka të vuash
Dielli të përqesh

Të dashurova sa s’dashuron njeri
Por madhështia e dashurisë ngecka diku
Hëna nuk ndriçon

Heshta sa s’hesht njeri
Por heshtja mu përgjigj në vetmi
S’ka dashuri.


DIELLI YT

Në agun e parë tek ti lindi
Zemrën e lënduar pushtoi
Ra mbi dritare t’i qesh dashurisë
Nga gjumi të zgjoi

Dritares sate i fali ngrohtësinë
Ku deshi të jetojë
Pos gënjimit s’pa gjë tjetër
Dhe si lindi, perëndoi.


 

MË THUAJ

A është e njëjtë
Lulja e trëndafili
A ligjëron njëjtë
Zogu e bilbili
A këndojnë njëjtë
Këngëtari e poeti
A luftojnë njëjtë
Ushtari e mbreti
A është e njëjtë
Lufta e Liria
A shquhet njëjtë
Urrejtja e dashuria?

 

 

STINËT E DASHURISË

Buzë lumit u takuam
Në liqe shfaqem krenarinë
Në breg të drinit u penduam
Në det të qet derdhëm dashurinë

Me ngrohtësinë e diellit të verës
I hodhëm vapën ditës
Me pëshpëritjet e natës
I ndalëm rrezet e dritës

Me lotët e ndarjes
I falëm shiun vjeshtës
Me zjarrin e dashurisë
I dogjëm plagët e zeza

Me çarçaf të bardhë
Mbuluam rrugët e shpresës
Dhe dashurinë e lamë
Të dalë në pranverë.

 

15+5+TITULLI

Si Luli i vocërr por i rritur
Ashtu tek qoshja e dijës
Përballë folesë së korbit tim
I flas atij që s’e kam pranë
E ditëve që s’u bëra diell
Dhe mbrëmjeve kur hëna mungonte
Pikat e shiut më bënin zile
Ishte ora e gjumit
Por fare s’më flihej
Zgjata mendjen, kapa fijen
Dhe e ndeza qiriun
Hë sa çudi
Sa frynte era aq rritej flaka
Dhe aq më shumë tretej qiriu
Deri në agimin e fundit
Deri në orën e fundit
Kur më dogji vapa e gushtit
Si korbi veshur me të bardha
Që mori shtegtimin pëpë
Ia dëgjova zërin krrëkë.

 

Ismet LECAJ

 

MARTIRËT E VEGJËL TË VRRINIT HEROIK

Nëno, ja t’lindi Arlindi një filiz i ri,
Trëndafil i kuq që t’u këputë në gji!

-Katër vjet i mbusha nën krisma e rafalë,
Tortën e ditëlindjes pse s’ma ndatë për fare?

Trupi im si tortë për Gjykatën Speciale,
Mostër për shqyrtime për krimet barbare!

Pse s’më lanë të qetë të rritem në Vërri,
Po lëshuan granata  mbi gra e mbi fëmijë?!

Serbët janë barbarë me zanat të vjetër,
Ndaj dhe unë kur linda thanë një pushkë më tepër!

U gëzuan pse erdha i bukur në botë,
Pak do rri me ju , mos u gëzoni kot!

Veç katër pranvera do t’u mbushi mall,
S’e di sa të tjera do i mbylli n’varr?!

Oj Malësi kreshnike me t ‘vegjlit miturakë,
Deshe për ty t ‘derdhin edhe këta pak gjak?!

1 Shtatori i luftës në ankth e në zi,
Mu në grykë të nënës më gjeti në Vërri!

Me njërën dorë beben n’votër përkund nëna,
Me tjetrën m ‘qetëson mua e zbehtë posi hëna!

Pse mundohesh nëno, të më ndalësh lot,
Granatat mbajnë iso, t’më ndajnë nga ti sot.

Dy emrat nënëshkreta LINDI edhe ARI,
Kot i ngre në qiell, që t’i kthehet djali!

Dy emrat ia thirri nëna goxha shumë,
Arlindi i vogël mori një sy gjumë!

Kot dhe bebja e vogël lyp ndihmë nga të dy,
Nëna rëndë plagosur, djali mbylli sy!

Arlindit i mbeti një buzëqeshje n ’gojë,
T’i zbutë pakëz plagët dhe vatrën në plojë!

Në qiellin e kaltër tani s’e ka vështirë,
Nga goja e vogël të thotë l a m t u m i r ë!

-L a m t u m i r ë mama dhe familja krejt,
Plagët janë të rënda, s’mund të kthehem n ’jetë!

Mos u brengos mami dhe pse s’jam mbi tokë,
Plot fëmijë martirë këtu i kam për shokë!

Në Lagje t’Ponikajve kam poni biçikletë,
Tre shokë që ranë n’ mina dhe Idrizin vetë!

Përmbi pjesë të tyre fare s’mund t ‘vërvitesh,
Më thonë je i vogël, ende duhet t ‘rritesh!

Dy kecat e Beharit sa më bëjnë shoqëri,
Me ta kaloj ditën, shpat më shpat në Vërri!

Vetëm këta dy shokë ujku serb s ‘m’i ha,
Roje e kam bubin, që kërcen mbi ta!

Ti për mua mami kurrë mos u mërzit,
Nxënësit m ‘sjellin lule mbi varr ditë për ditë!

Kur m’i sjellin lulet pse m ‘thonë “pusho i qetë?”
Unë s’lodhem moj mami përmbi trotinetë!?

Këto lulet e freskëta mami përmbi varr,
T’i dhuroja ty përherë kisha mall!!!

Të hidhesha n ‘përqafim e mos t ‘ndahesha kurrë,
Pushuan granatat, tash do isha burrë!

Të t ‘marr n ‘përqafim e t ‘mos ndalem dot,
Sa e shtrenjtë liria qenka në këtë botë!

Belbëzimet e mia  pse s’arrijnë në shkollë,
As n ‘Festë t ’Abetares me lule në dorë?!

Çdo shkronjë alfabeti sot u la në gjak,
T’i dridhen mësueses buzët për këta miturakë!

Lotët e mi mami, bashkë me lumin Drin,
Mbushin det t ‘Kosovës mërzi e pikëllim!

Nga Vërrini heroik, Kosovë moj l a m t u m i r ë,
Nga këta Heronj t ‘Vigut, për TY që ranë martirë!!!

 

 

NUSJA E PUBERTETIT

Hyri djali n’pubertet
I thotë ëmbël mamit t ‘vet:
Mami gjeta një shtatselvi,
Sykaltroshe, o është perri!

Ngadalë bir mos i trash punët,
Je i vogël, je i ri,
Ende s’di t’i pastrosh hundët,
Mund t’zbavitesh n’fantazi!

M’ka thënë mamin ta dëgjoj,
M’ka thënë mamin shumë ta dua,
Fol moj mami si t’ia bëj,
Ajo vjen nesër për mua?!

Sot të duket si bakllavë,
Edhe torte n’ëmbëltore,
Nesër vjen vullkan me lavë,
Mami mbetet papuqore!

E ka flokun mami gjer te gjuri,
Pasha besën, pasha ty.
Ëmbël moj aty m’merr gjumi,
Dashuria s’paska sy!

Prit o bir pak më ngadalë,
Dashuria të mashtroi,
Ju të rinjtë nuk keni marre,
Çka sheh n’rrugë nuse ta bëj!

Është pa gojë mamë, është e urtë,
Për miss do të konkurrojë,
Është e shijshme, është e butë,
Ka unaza e thonj me bojë!

Rrejshëm mami n’derë bërtet:
Këtu është djali, nuk është n’shkollë!
Policia bir të thërret,
Mos ke prekur kënd me dorë?!

Jo moj mami, nuse s’dua,
E sheh lotin si m’pikon,
Shokët m’thonë kështu për mua,
Ajo fare nuk më do!

Qeshet mami n’prag të derës,
Gafat djali i kuptoi:
S’e lë t ’qetë këtë zog të verës,
Dashurinë që ta kërkojë!

Ani mami, ani mami-
Lotët djalit i shkojnë krua-
Ti për vete e gjete babin,
S’të shkon n ‘mend fare për mua!


LULJA E KUSHTRIMIT


(Idriz Krasniqit vogëlosh)

Lulja më e bukur e Kushtrimit
U vra në mes të fshatit t ‘vet,
Liria skuqet në skaj të Vërrinit,
E ç ‘faj kanë fëmijët o shkja i shkretë?!

Pah ç ‘ngjyra lulesh u bënë kurorë,
Ëndrrat u kthyen në vaj të zi,
Rëndë nëna djalin e mban në dorë:
-Kuku, bir, kuku, çfarë bëre ti?!

Ububu çjerrët në lemeri,
Shtrirë gjerë e gjatë i vogli rri,
Të gjithë e qajnë me lot përmbi!

Rëndë na lënduat, si nuk e vëreni,
Idrizin vratë, turp shkije s’keni,
Mbahuni nga këtu e n ‘djall të veni!

 

 

XHAXHI LEC NË SHISHTAVEC


(Poezi humoristike e lexuar enkas për fëmijët e fshatrave të Gorës në Shishtavec të Shqipërisë)

T’u them të drejtën vij nga Opoja,
ku për gjumë të hapet goja,
t ‘vërteten jam nga fshati Brezne,
ku hallave u thonë teze e tezeve u thonë halla
dhe kështu fillon përralla!

Kjo është karta ime e identitetit,
e jo si puna e atij Valdetit,
që është nga fshati Buqe
e që u dashurua me një mollëkuqe,
ajo e refuzon pse pi ujë ai me papuçe!

S’janë në rregull as fëmijët në Pllavë,
se flisë i thonë bakllavë e pulave u qesin otavë!

Ata të fshatit Zym pinë ujë me gjygym
e zetorit s’i thonë zetor, po maçorr.
E maçorri është një horr:
në vend se t’ia kacë miut bishtin,
shkon ia kac Lumnies gishtin.
Pastaj fillon britma e shamata,
çohet dhoma n’demonstrata!

Sa gëzohet ai i vogli Genc nga fshati Rrenc,
që  smokit i thotë smokenc e marmeladës marmelencë!
Ah sa di Genc hundëkërlika, kur e pyesin se ç’ha?
Thotë: shkërklezi kikirika!
Ky Genc kur del n’kojrila hardhucave u thotë krokodila!
E gjyshi tij thotë: - më gëzim nuk paska,
unë e ruaj si pëllumb, ai këndon si laraska!

Fëmijët në Dragash, cjapit i thonë dash,
dashit i thonë dele, kështu i mësoi halla Xhyhere,
me kokën sa një tenxhere, që tërë ditën rri n ‘penxhere
 e ha karamele!

E fëmijët në Vraniq luajnë fiq-fiq zogoliq,
këtë merre e këtë hiq, kush e humb lojën,
shpallet kërriqi  magariq!
Oi-oi-oi në Rapçë edhe më zi,
kuku-kuku, lele-lele, fëmijët zihen për karamele,
kuku-kuku për faqe t’zezë, zihen për çamçakëz,
e prindërit pastaj i futin në thes e i çojnë n’Buzez
të këndojnë si kendez!

I thonë atij ngucakeqit, t ’birit shejtanit:
shko ore mbytu n ‘lumë t’Topojanit!
E ai i vogël  sa një gogël me sytë si t’bufit,
s’ia nis valles Gishti i vogël po Karajusufit!

E n’fshatin Buzemadhe, ku nënat i pjekin petullat,
vajzat vonohen se i marrin vetullat,
pastaj i vënë në lojë djemtë e Zapodit:
po nuk po luhet mori vallja e Brodit!

Gocaaaaa! Kujdes po pikni si mollat n’çekmexhe,
e po ju ha ndonjë djalë  n’Medvegje!

E fëmijët nga Orçikla si koxha naleta
mbi trotineta e mbi biçikleta fare mbi krye nuk mbajnë helmeta
e shtyhen cili më shumë do t’mbledhë lipjeta!
Kuku-kuku bashkë me çunat e Kollovosit
kur hanë duken si maçorrat e kosit!
Madje si ata maçorrat që lëpihen n’gardh
e s’mund t’i lajë as Drini i Bardhë!

Pastaj ikni o burra mbi biçikleta e trotineta
 se s’na do kështu Xhylnaze teta,
e ata  për faqe t’zezë drejt e n’grykë t’çajës
lypin makiato e kafe ekspres!

Aty po laheshin do fëmijë nga Brekia
që i kanë harruar brekët te shpia,
kuku lele, kuku mama, i ndjek një grua nga Tërshana!
Ua djeg vithet e tyre tullace
e fryhen zanoret koxha tollumbace.
S’i duron teta ata kështu huq
ndaj duken kuq këta kolopuq!
Hithet e tetës japin imunitet,
 nuk sëmuren vocat s’e di për sa vjet?!

E  në Kukës a e dini si i thonë bukës?
Papa mami papa, ajo u blen toplia, ata lypin qebapa!
S’janë më të mirë as ata nga Restelica,
refuzojnë pica, duan pleskavica!
Ah sa kënaqësi është të hash pica të mëdha sa Gjallica,
barku t’bëhet lodër e babure e prapa i grah si me pushkë kobure!
E fëmijët në Kosharsht fyellit i bien me një gisht,
po s’mund t’ia marrin valles Qorralie
se vinë bletët prej çalie e në faqe i pickojnë
pse notat shpesh  gabojnë!

S’guxon kush me dorë t’i mrecë se janë fryrë e bërë kapec!
Dhe a e dini si duken? Si dordolec!
E s’bën punë as lumi i Borjes, as lumi i Orgjostit,
as bënë punë dhallti i biri i kosit!
Veç bërtasin: - kuku mama, kuku lele,
s’mund t’arrijmë as n’fshatin Bele
e kush mbi kalë, kush mbi gomar
do t’arrijnë ndoshta n’Zgatar!
A si shihni s’i duken n’faqe ju moj bletëza budallaqe?
I keni ënjtur e bërë bullar, ju ariun e mbytni  n’mal!

Fëmijët nga Oreshka, me faqet si pjeshka
bëjnë gara me breshka nga fshati te bjeshka!
E njëra u doli më e para n’lumë,
se lepujt mos vallë i vuri n’gjumë?
E ku ta di mos ish’ magjistare
kur troket ashtu me nalle?!
Breshkani i thotë: - kështu ti moj partalle, gojë portokalle,
të vdekurit i ngjalle, të gjallët i vdiqe fare!

Fëmijë nga Carraleva bëjnë sehir mbi breva
e u thonë atyre nga Zapodi se mos u ka humbur kodi,
e s’mund të flasin me numrin e xhaxhit Lec,
me atë që fjalët i ka si spec, e vet që kërcen si kec!
Ndash m’thoni, kec përmbi kotec, ndash edhe bubrrec
veç mos m’thoni, veç mos m’thoni kastravec!
Se ka t’hidhur e bajat e s’mund t’më bëjnë fëmijët sallatë!
Sidomos ata në Pakishë kur e lyejnë bukën me qervish
edhe ata në Qollopek kur hanë qeshkek me burek!

Dhe krejt në fund pikë-pikë mbeta vetëm pishpirik,
hipa n’maje Kallabaku e bërtita si në Opojë:
-më falni, më falni se xhaxhi bëra l o j ë!


Qazim THAÇI

 

KUJT I DUHET DASHURIA PA ATDHE

Mu në mes të Urës së Milotit, zemra ndahet në dysh
Këtej veriut mbetet historia dhe puthja e venitur
Tutje Ilirisë shkruhet epitaf atdhetarie
Në grykën e Sazanit, pikëllon kaltërsia
Në Pjatën e artë përpëlitet Vasiliqia
Tutje Ujit të ftohët kaltërsia merr emrin Dhërmi
Në ullinjtë e shekullit, vardiset historia
Dhe ia bën me sy Majë Pikëllimesh
Ne sheshin e Vlorës, të dy jemi tradhtuar
Ti me emrin e Marigonës sheh ëndërr dashurie
Unë me Tringën bëj dashuri të fshehtë
Po ç’na duhet kjo dashuri ore kosovar?
Kur lindjet kanë një emër vdekjet një dhembje,
dasmat një këngë e vajet një kujë.???
Ç’ na duhet dashuria pa kurvëri
E pa bukurinë e Dora de’ Istrias, nuk ka as qeshje e
as urrejtje
Kjo shëtitje e gjeografisë kombëtare a kishte luftëra?
Pyet Shota e Galicëve nëpër shpellë të Dragobisë.
Po ç’na duhet dashuria me vdekjen e dhembjes.
Me dasma të këngëve epike me kujë e armiqësi.
Si para vitit 1878 pa besëlidhje
Ç’ na duhet kjo dashuri ?????????????

Vlorë, 2006

 

 

 

KËNGA SI PËRKUSHTIM

 

Larg nga vendet e huaja jehu i këngës dëgjohet 
Si kitarë shumëzuar telash 
përkushtim kanjushë e verdhë 
At-dheu ka trazuar zemrat 
Në Albulenën e Skënderbeut 
Duboviku pret kumtin si zë rrufeje 
Ç’ duhet grisur për të harruar dhembjen 
Dhembjen e këngës, zërin e Atdheut 
Duke ecur nëpër mallin e vendlindjes 
Si të udhëtohet për në zenit 
Kur mungon kënga 
Pashtriku shkrin borën 
Për mallin e Jusufit 
Për qëndrimin e Kadriut 
Bardhoshi vigjilon si 
Kalorës mitik i janarit. 
Kush e vrau këngën 
Këngën e lirisë?????

 

Prizren, 22 janar `09



 

I DUHET, I DUHET SHQIPËRISË HISTORIA

 

Netët e zhurmshme në  Qytezën Studenti

”Ismail Qemajli” në  Vlorë.

Bashkërendisin zanoret, bashkëtingëlloret,

acidet e formulat  si ushtarë betejash.

Për të mbrojtur historinë e kombit.

Kristi ortodoksisht shan plakun e Vlorës

“Ishte bej, bej, or njeri bej” shfrynë pa ndërpre

Pse Shqipëria dëshiron të shtrembërojë  historinë? Pyes veten.

Ismail bej Vlora atë natë në ëndërr bashkë me

Bacë Isa-në

Trumbetonin po vjen  shekulli i ri,

po vjen shekulli i ri...

 

Vlorë 10 gusht 2008 

 

 

 

RUAJU HARRIMIT


Ruaju harrimit, është zë i tokës
Para botës me pasqyra, ka shumë shëmti
Kur këngës i mungon zëri, vije tek harrimi
Kur zemrës i mungon afria vije prapë harrimi
Nëse nuk mund të duash atëherë nis urrejtja
Prapë ruaju harrimit, përdalë nëpër botë
Se vdekja nuk është fundi, e as fundi nuk është vdekja
Kur rrugëton drejtë për Qerbela me shpresë të këputur
Kur vijnë letra kurbeti si prej Filistine ngarkuar me hidhërim 
Prapë bota në pasqyrë ka shëmti, bash sikur një lavire.
Hyji është falës për vogëlsinë tonë
E harrimit i shkruan kronologji të dhembjes.
Gëzimit e Brahimit sa acar i sjellin Alpet.
Faridinit e Çerkinit sa iluzion fals i sjellë Avropa
Besimit e Asllanit sa dhembje i shkakton Kosova
Ruaju harrimit se dhembja ka një adresë
E bota ka një derë nga e cila hyhet e nuk dilet.
E prapë jemi bijtë e këtij harrimi vrastar
Për të xixëlluar në derën e dashurisë.

 

 

Ilam BERISHA

 

KTHEHUNI

 

1.

Natës i mungonte hëna

E unë përpëlitesha pa vënë gjumë në sy

Cicërimës së zogjve u është shtjerrë kënga

Më duket sikur i vetmuar në dry

 

2.

Tek shikoja portës

Ofshamë plage më lëndoi shpirtin

Myshqet kishin mbuluar tjegullat

Portat me drynin e ndryshkur lotonin

E trarët e shtëpisë gjëmonin

 

3.

Aty pranë

Gjëma përcjell gjëmën

Shtëpisë përballë

I janë shuar dritat

 

4.

Barojat e kanë mbuluar oborrin

Pa i thënë as diellit mirëmëngjesi

Oxhaqet blozë të mbushura

Trarët kalben nga shiu që pikon

 

5.

Me duart tuaja i ndërtuat themelet

Mos na mallkoni të na kaplojë myku

Mos na lini shkret

Edhe lisat kanë nisur të thahen

Kopshti është mbushur ferra

Luleve u ka humbur fara

Edhe për dëshmorët nuk do të kemi

Arat lëndina i keni lënë

Varret po shemben

 

6.

Ju, o bijtë e shqipes

Kot e rritët shtatin

Ikët në vende të panjohura

Ecët rrugëve me zemrën e thyer

 

7.

Babai e nëna

Përditë po plaken me mallin për ju

Ty o vëllai im

Nëna, nëntë muaj të dha gji

Edhe atëherë kur ishte e lodhur

Nga punë të rënda

Edhe atëherë kur i flihej

Ngrihej e të mëkonte

 

8.

Sot, nëna e babai janë plakur

E ti

Ti ua ktheve shpinën

As një pikë ujë s’ka kush t’ua japë

Ti, ti o shqiptar i nëpërkëmbur

Dje nga armiku

E sot

Ushejzat të helmuan

 

9.

I huaj, në vend të huaj

Gjuhën e huaj flet

E tënden e lë pas dore

 

10.

Pa ju

Këtu në vendin tuaj

Nuk rrezon as dielli

Edhe hënës i mungon drita

 

11.

Ti, që je këtu, rri

E ti në dhe të huaj

Mos na harro

Eja dhe shuaja etjen nënës plakë

E cila,

Për ty ka shteruar lotin

Eja dhe kërkoja hallallin

Që në çastin e fundit të kërkon

Eja dhe hidhja një grusht dhe mbi varr gjyshit

 

12.

Shqiptar

Në dhe të huaj

Mos u tjetërso

Malli të kërkon

Ndaj kthehu

 

13.

Atje ku je

Një ditë sa një muaj

E një muaj sa një vit

 

14.

Kthehu të flasim shqip

Të këputim një trëndafil në mal

Se kopshti ferra është mbushur

E t’ia vëmë varrit të dëshmorit

 

15.

Eja të shpalosim flamurin

Të bëjmë dasma e të lindim fëmijë

Me emrat Adem, Isë, Teutë e Shotë

Ta bëjmë bashkë ILIRINË!

 

 

 

DRITËBARDHI

 

Mos i këputni trëndafilat

Mbëltojini pranë lapidarit të kujtesës

Le të shuajë etjen Dritëbardhi

 

Për ditët e bardha që po vijnë

Ylberit të dritës

Mos ia zini shkëlqimin e diellit

 

Meteorët mos i mjegulloni

Qiellit le të ndriçojnë

Që terri mos të na verbojë

 

Mbëltojini freskisë së luleve të gjakut

Se vetëm atëherë do ta ndieni peshën

                           ...e dritës së lirisë

 

                                  Prizren, 2012

 

 

MBAHU ÇAMËRI

 

E di se ke zjarrmi

Shkrumb të janë bërë damarët

As me lëng limoni

Nuk të mëkohen buzët

Në hartën ilire ta shikoj shtatin

E lumja ti

E tash

Njerka të quan thjeshtër

E di se dielli për ty s’ndriçon

Edhe bjeshkës

I mungon nusja me duvak

Këmishëzeza do të ta mbulojë shtatin

Do të ta kafshojë gjuhën

Edhe abecenë të ta fshijë

E Ti

Jeho maleve Çamëri

Të të mos mëkojë kobzeza

Mos të të mbështjellë kobra

Çamëri!

Mbahu Çamëri...

 

Prizren, tetor 2012  

 

FILIZAVE TË LIRISË

 

(Kushtuar nxënësve të shkollës,

Betimit, Hashimit dhe Beharit)

 

 Qiellit të nxirë pëllumbat flatronin

Dhe këndonin një këngë për liri

Mbi shkëlqimin e tyre rëndonin

Hijet e territ të zi

 

Barbaria mbillte kob

Kullë në kullë në Vërri

Filizat u këputën nga trungu

Kësaj toke iu bënë fli

 

U bëtë kurban të kësaj toke

Ju o pëllumba të lirisë

I nxitë shaminë e nënës loke

Plagë në zemër Arbërisë

 

Mbi atë lëndinë me lule behari

Valon një flamur kuq e zi

Mbi mermer tre emra të njomë

Dhembja e moteve të kuqe për liri

 

Nëpër dhimbjet e nënës plot lot

Plagët tuaja tek vajton

Hallall gjiri i nënës ju thotë

Atdheu i lirë gëzon.

 

 

 

FLUTURIMI I DALLËNDYSHES

 

Në pranverë zigzaget çajnë qiellin

E në çati zënë vend

Fluturimi i dallëndyshes

I ngjan llastikut që zgjatet e zgjatet

E sa më shumë që zgjatet

Zgjatet e puçet

Nëse këputet

Kot e ke

Zogu zogut

Nuk i dhuron lule vjollce

Dallëndyshja

Nuk është llastik

Në pranverën e ardhshme

Do ta përtërijë folenë.

 

Më 26.3.2014

 

 

 

ZOT NË SHTËPINË TIME

 

Pranverat deshe të m’i vrisje

Dritën të ma shuaje

Plisin deshe të ma dhunoje

Vajin deshe të ma mbillje

Lapidarët rrafsh për tokë m’i bëre

Kullat m’i kalle e m’i rrënove

Vetëm kob ngjallje

Edhe legjendat deshe të m’i fshije

Vetëm e vetëm

Pa identitet të më lije

 

Dhe, a e di si u solle?!...

Zot në shtëpinë time u bëre

E ty, ty o gjarpër

Jo vetëm bishtin që ta këputëm

Po edhe kokën ta shtypëm

 

 

SOT

 

Sot

Pranverat u mbushën lule

Malet u mbushën lisa

Gjyshet këndojnë ninulla

Oxhaqet shtëllunga tymojnë

Odat u mbushën plisa

Kullat, më të larta i ngritëm

Flamujt në lapidarë

Simbol qëndrese

Korbat e kobrat u zhdukën

Tash

Marrim frymë lirë.

 

 

NJË DITË NË PRIZREN

 

Një ditë vikendi në Prizren

Është kënaqësi të kalosh

Te Shatërvani, plot djem e vajza

Edhe lapidarin mund ta vizitosh

Tek Ura e Gurit, për çudi

Sa jo njerëz kanë kaluar

Bile gjyshi njëherë më tha

Mbi këtë urë shumëkush ka bërë hata

Te Sheshi i Lidhjes

Bëhet gjiro pa përtesë

Aty, Abdyli e Ymeri

Dikur kanë pas thënë

Të rrohet me nder e besë

Lumëbardhi nga bjeshkët

Me vete sjell freskinë

Nën Rrapin Shekullor

Të rinjtë bëjnë dashurinë

Shpatit pak më lart

Të ngjitemi të shkojmë

Kalanë që bën rojë

Ejani ta vizitojmë

Atëherë, pas kësaj shëtitjeje

Në Shatërvan, nga një kafe të pimë

Qytetit të lashtë

T’ia shijojmë bukurinë

 

 

DET I TRAZUAR

 

Det i trazuar

Nga valë në mes të ditës

Pëllumbat kësulëbardhë

Hedhin vallen e Shotës

Krokodilët nga shkretëtira (Rumania)

Vrer e mbushin qiellin 

Flakë merr dheu

Për rrugën e lënë përgjysmë...

 

 

RRAHAGJOKSET

 

Sikur tepër po i rrahim gjokset

Dhe sikur ne të gjallët

kemi rilindur duke qenë të gjallë

Mosni or, mosni se,

ata që vërtet janë të rilindur

po tallen e po qeshin

me humoreskat e nëpërkëmbura

Atëherë,

Kur toka qe mbushur arinj e gjarpinj

Arinjtë i përzumë,

Më mirë të themi,

i përzunë ata që

ndoshta edhe

mund të na mallkojnë

Gjarpinjve,

kokat ua shtypën

E tash

Nga rrahagjokset

E nga bishti i pangordhur i gjarpëzinjve

koka të reja po ngjallen

Mosni or, mosni

Se edhe dielli

ka filluar të na e kthejë shpinën

Hiqni perdet syve o ju të mjerë

Ata pëllumba

që në qiell po fluturojnë

Ndoshta edhe mund të na mallkojnë…

 

 

 

Berat BATIU

 

LIRINË TE JU TA SJELLIM

 

Dhe pranvera kur vjen

aroma e luleve gjithkund

dhe qyqja më nuk këndon

as udhëtarët rrasa mbi kokë

                            nuk vejnë

e qershoret kanë tjetër kuptim

 

nisën kolonat pranë lapidareve

lirisë t'i japin kuptim

nënat e dëshmorëve prijnë

dhe lot në sy nuk kanë.

 

Eh sa e bukur liria

kur kënga dëgjohet

e ne jemi pranë njërit-tjetrit 

e në zemrat e nënave të dëshmorëve

sadopak dhembjen lehtësojmë.

 

Ju jeni gjithnjë me ne

të qetë flini në tokën martire

e ne ç'bëjmë...???

a dimë lirinë te ju ta sjellim?....

 

 

PRANVERË

 

E nëse dielli rrezon

E acari mbretëron

Nëse lulet lulëzojnë

E aroma nuk kundërmon

Pranvera në zemrat tona

-Mungon....

 

Kështu në shekuj o ecim

Nëpër rrugë legjendash e luftërash

Që dielli të rrezojë

Acarin të dëbojë

Aroma e luleve të kundërmojë

Pranvera në zemra fëmijësh

-Të mbretërojë

 

E ne gjyshërit zemrat tona

Saksi lulesh do t’i bëjmë.

Që pranvera me kohë të lulëzojë.  

 

Prizren, 4 mars 2001

 

LUMIN KANË PËRMJERRË

 

(Kujtojmë ata që sot nuk janë në këtë botë

të mendohen ata që mbajmë përgjegjësinë e kohës)

 

Ujin e lumit të shenjtë

ku gjyshi merrte ujë

për të marrë avdes

mbrëmë e kanë përmjerrë.

 

Nga tridhjetë e tri minare

Dëgjohen ezanët e myezinëve

Që thirrin për shpejtim

Përmjerranët  përsëri përmjerrin.

 

Edhe sonte me “krenari”

lumi do të përmjerrë

e eshtrat e gjyshit

do të zgjohen nga varri.

 

 

SA HERË THYHEN SHIKIMET

 

Sa herë thyhen shikimet

Kryqëzohen rrugët mbi urë

Ti, unë ai, ne ju, ata

Ulim kokën dhe trokëllijmë

Hapat tanë dhe bëhemi të dehur

 

Ani çka pse Ti përsëri kërkon shikimin

Flet në heshtje dhe mua dhe ty shok

Na tregon se si duhet të vdesësh për liri

Ani çka pse ti bisedon e më qorton

Kur unë kokë dhe shikimin në tokë e mbaj

 

Ti buzëqesh e buzëqeshjen nata ta mbulon

Ti qan e lotin era dhe dielli ta than

Ti na përbuz e përbuzjen nuk ta vërejmë

Ti na urren e urrejtjen vetëm unë ta shoh

Mbi urë të gurit e vet mbi urë shikimi mbetet

 

Lutesh e lutjet pak kush t’i dëgjon

Kërkesat të panumërta i ke e nuk t’i vërejnë

Shikimet përsëri i thyen me mua e rrugët

I kryqëzon i thyen idetë sikur këmbët

Në vallen ku dora dorës i zgjatet vëllazërisht

 

Edhe këtë vit një shtatori erdhi

Zilet cingëruan e ti i dëgjon

Në banka ka ende vaj e lule krenari

Ti luftëtar ti mësues na mungon

Por lot, lot në sy askush nuk do të na shohë.

                        

1 shtator 2006

 

 

Abaz ÇENGAJ

 

PËR TY

 

Kurrë s’të thashë se të njoh

Ose më mirë të them, të njoha aq shumë

Sa që dëshirova ta gdhij edhe një ag me Ty

Orvatjet ishin të kota, nuk u takuam

Vullneti i tepruar solli vetminë

Asnjëherë mos u jep shumë pas së bukurës

Ruaj për fund të pathënën mbaje për vete

E kaluara është e hidhur, të tashmes s’i dihet

 

Agu i një dite

Gëlltiti ëndrrat e porsafilluara

Unë i rikthehem ëndrrës sime të përjetshme

 

EDHE VDEKJA QENKA LINDJE

 

(Nënës sime disa minuta para se të vdiste)

 

pulset ndalen

e zemra ngadalëson ritmin e saj

 

në orën 18 e ca minuta

një lule vyshket përgjithmonë

një jetë një vdekje një rilindje

 

 vdekja qenka gjë e bukur

atëherë kur ka  dikush të  kujdeset për ty ...

 

nëna ime e dashur

do të  të dua edhe pas vdekjes  

 

Nëntor 2009

 

 

DO TË NUMËROJMË

 

fle

qetë-qetë katundi im

i strukur

mu në rrëzë të Sharrit plak

aty

ku dhe metalet

marrin lirshëm frymë

e

do të  zgjohet ai

në vitin  2000

atëherë kur do të rifillojë

t’i  numërojë vitet

e rilindjes së vet 

 

 

NGATËRRIMI I ETAPAVE

 

në  kampingjet e ngritura

nergut për ne

shoh njerëz prej balte

 

unë

s’mund t’u ndihmoj

qes lotët çurg

e Drini rritet e rritet

nga lotët tona

 

këtej dhe andej kufirit

jemi kthyer

në kohën e Ademit

 

 

      Kukës,1999

 

 

DASHURISË TINËZARE

 

sonte 

ç’më mori malli

dhe shumë i vetmuar

u ndjeva në këtë natë

kur dhe yjet çojnë dashuri

 

unë

braktisa shtratin e ngrohtë

e për dritare

shoh

vetëm errësirë

 

hedh mendjen nëpër botën e pafund

të të shoh ty

në ndonjërin skaj të botës

ashtu të vetmuar  të heshtur të menduar

ndoshta për mua

 

lus Zotin

të bëhem flutur lule

e ty bletë

që të më thithësh nektarin

mbi buzët e mia

ndryshk

nga afshi i harruar i dashurisë 

 

kur shoh errësirën

rikthehem në shtratin tim

të ftohtë e të akullt

pa ty dashuri tinëzare

 

 

Gëzim AJGERAJ

 

PËR AGUN E RI


1.


Nëpër etjen e netëve të tua
E gatuam brumin e lirisë
Me gjakun tonë
I shkruam dhimbjet
Eshtrave e poqëm biografinë
E së ardhmes

Nëpër shtëllunga tymnajash
I dogjëm shekujt
Që të piqej buka
E së nesërmes tonë

Dhe me këngët e pakëndueme
Shtruam udhët e trëndafilave kuq
Që të këndonin bukur maleve të atdheut
Nëpër ditët e kuqe

2.

Na lidhej fjala në gojë
Tek ia ndrydhnim gjuhën mendimit

Shpeshherë
Me etjen tonë belbëzonin
Se fusha e mali kishin veshë
Ec e nxirre shkëlqimin e etjes tonë në gji

I prangosnin ëndrrat
Ia prisnin kokën mendimit të dritës
Emrin ta shuanin në barin e harrimit

Jo se na frikonin zgjimin tonë
Por se i duheshim edhe më tej
Dritës së bardhë të shkëlqimit
E s`kishim kohë të iknim

3.

Ora maleve
Në këmbë na gjeti
Se zgjuar na kishin
Netët e errëta shekullore


Nëpër horizontet e dhimbjes
I qepnim plagët
Për të nesërmet e bardha
Që do t’i duheshin
Ringritjes sonë

Na duhej mbajtur gjallë
Shpirtin e frymëzimit
Duhej luftuar terri
me muzën e shpresës
Që ndrydhej në zemër

E mbi hapësirat e qiellit tonë
Të nxirë nga korba e veriut
Flatronim si pëllumba shprese
Në kërkim të diellit
Tonë të nxënë


4.

Nga gjiri i tokës e nxorëm mbijetesën
E në gji të saj e mbollëm qëndresën

Lulëkuqeve tona mbi kodra
I mbollëm rrënjët e së ardhmes
Që të mos shuhej fara

Për agun e dritës tënde
I mësuam flijimet
Të këndojmë bukur nesër
oooo

5.

Eh, Vërrini im
Sa gjatë paskam kënduar për ty
Dhe me këngët e dhimbjeve krenare
Damarët e shpirtit
Shterë i paskam

Të këndova për guximin
Që ta vrisja frikën
Por dhimbjen e idealit tim
Që vritej çdo ditë shesheve tua
E ndrydhja në shpirt
Duke e fshehur brenda damarëve të zemrës
Që të mos ta lëndoja
Fijen e shpresave
Për të nesërmen

Veç shpirti im
Ta ndjente dhimbjen e shpirtit
dhe peshën e kohëzezës
Që rëndonte mbi ty

Por me guximin e madh
Fjalës mbillja shpresën
Që t’i ushqeja
Sythet e pipave
Të pranverave tua


6.

Nëpër dritën e moteve
Jemi bërë një
Dhimbjet tua dhe të miat
Sa shumë i ngjajnë
Njëra tjetrës

1999

 

 

AH SIKUR TË ISHE SOT XHEVAT BERISHA ME 

SHOKË

 

1.

Ah, sikur të ishe sot

Xhevat Berisha me shokë

e t’i gëzonim këto ditë të bardha në Vërri

 

Odave të bardha plot dritë

të mbushura me rrezet e lirisë

e telat t`ia këputnim çiftelisë

gëzimin ta derdhnim në kupë të qiellit

 

Me plakun plisbardhë mbi kërrabë

ta luanim vallen e lirisë

kah mbushullojnë bjeshkët në tupan

 

Natën ta bënim ditë

deri në rrezen e parë

të agut të ri

 

2.

Xhevat, vëlla

nuk e di si do t‘i shkrinim

kujtimet e netëve të gjata

për Kosovën e lirë

 

Në Dukagjin e Drenicë

Kukës e Vërri

nga një flamur ta flatronim

 

Dhe sa herë bajlozi

t`ia ndalte flatrimin

me hovin e Gjergj Elez Alisë

t’ia shpaguanim zemërimin

 

3.

Dhe po të ishe sot

cicërimës së vogëlushëve

me abetare në dorë

 

Shkollën e re do ta gëzonim

filiza e pipa të ri

plot do t‘i çelnin Kosovës

sa mirë do t‘i rreshtonim

brezat e lirisë

 

4.

Dhe po të ishe sot

bre Xhevat Berisha me shokë

nënave tona do t’u thoshim

të na e pjekin misërniken e lirisë

në çerep me saçin e bakrit te vatra

E ujë nga krojet e bardha

Vërrinit të pimë

dhe gjakut tonë t’i japim vrull

në damarë, me vrullin e lirisë

 

Dhe me zemër kreshnikësh

Kaçakçe bjeshkës përmbi t’i rrimë

 

Kullat do të mbushullonin oshtimë

dhe forcë do t’ u jepnim ushtarëve të lirisë

 

5.

Dhe po të ishe sot

kur ende na bën furtunë

atdheut, e përreth

 

Me bacë Salën e gjoksin sa bjeshka

furtunë karpatesh

s`do të frynte më në këto anë

 

E me shokët e tu

barbarit do t’ia paguanim të gjitha

 

6.

Dhe sot kur i drejtohem lapidarit

më mungon shumë

edhe dëshmitari i kohës

që t’i mësoja të gjitha ngjarjet e legjendës

 

Dhe ti me buzëqeshjen tënde

më thua se i di të gjitha

unë druhem nga ajo

 

7.

Dhe sot kur ma prekin Kosovën

këmishën e kuqe të saj

e m’i bëjnë prita lirisë

me vete them:

Ah, sikur të ishe sot

Xhevat Berisha me shokë

 

Atëherë mbushem vrer

e rebelohem

 

E kërkoj fillin

e këtij lëmshi

 

I them vetes

Na ruaj zot nga mallkimi i gjakut

të paktën shpëto Kosovën

 

8.

Dhe sot jam mbushur

më shumë se kurrë

pa ty dhe shokët e tu:

Selajdinin, Shefqetin, Hasimin, Alajdinin,

Bekimin, Shahadinin, Ibrahimin, Nehatin e Naipin,... dhe dy pleqtë:

Asllanin e Izairin...

 

9.

Dhe po të ishe sot

bre Xhevat Berisha

pushkën do ta linim në frëngji

me grykë kah veriu

 

E t’i mprihnim pendët

e t’i shkruanim lirika atdheut

nga Molla e Kuqe

e deri në Çamëri.

                  Maj 2001

 

 

 

PËR VARGUN TIM

 

Pikave të mendimit

Mbledhur i kam fjalët

Ta mbushë kupën e vargut

 

Shtrydhur i kam

Dhe krojet dëshirave

 

E nëpër boncën e vargjeve

Ta shuaj etjen e së nesërmes

 

E nesërmja e këtij udhëtimi

Mos të na gjej të harruar

 

Kronikat tona

Dritë ardhmërisë

 

         *      *      *

I kam shtrydhur dhe damarët e dhimbjes

Dhënë t’i kam ty

 

Me lot Kosovë t’i kam larë faqet

Që dhimbjen përpara hasmit ta fsheh

 

Me trimërinë e trimave

Nëpër legjenda mbushur të kam

Që nënshtrimin ta vrasë

 

Me guximin dhe etjen tënde

Frymëzuar e kam lirinë

 

           *      *      *

 

Mbledhur grunajave tua Kosovë

Etjen për fjalën mbledhur i kam

Që hambarët e mendimit të mbushullonin

 

Që fara e mendimit në metaforë

Të mbushullojë me bollëk

Që bima e rritë në arë e fjalës

Të jap frytin e shëndoshë

 

Që fjala e thënë për të nesërmen

Gjithherë dritë të lëshojë

 

 

         *      *      *

Tjerrë me furkën e gjyshes

Me fijet hollë e gjatë

 

Ledhatuar me dashurinë e nënës

Nëpër djepin e ninullave

 

Me vajin e motrës

Për vëllanë plot plagë

 

Me përqafimin e vëllait

Ledhatuar i kam

 

      

  *      *      *

 

Burrnue në oda burrash

Pranë oxhakut në kullë

 

 

Ushqyer me fjalën e gjyshit

Ngrohur tek vatra

 

Ruajtur në frëngjitë e kullës

Që hasmi të mos e vrasë

 

Me mallin e babait

Për etjen përtej Pashtriku

Dhe këngën e pakënduar

 

Me zjarrin në gji

Që një ditë t’ia pëlcas

 

         *      *      *

Me dashurinë për atdheun

Këngët, kullën, tokën

 

Me dashurinë për vëllain

Fqinjin, mikun, shokun

 

Me besën e fjalën

Kur na e deshi dhe kokën

 

 

 

 

Me besimin në të ardhmen

Për të nesërmen e bardhë

 

         *      *      *

 

Me këngët plot guxim

Mbushëllue ju kam

Për etjen e dritës

 

Me idealin e pathyeshëm

Shesheve grushtlartë

 

Me ecjen e nëntokës

Luftës ilegale

 

Me amanetin e brezave

Për lirinë duhet luftuar

 

         *      *      *

Që e nesërmja

Mos t’i zbehë ato

Karshi furtunave

 

Që drita e shkëlqimit të fjalës

Të matet me rrezet e diellit

 

      

  *      *      *

 

Me daltën e fjalës

Gdhendur i kam rimat

Nëpër strukturat e metaforës

 

Që bonca e mendimit

Të mbushullojë fjalë

 

Që etjet e së ardhmes

Të na kujtojnë me mall

 

          Tetor, 2011, Zvicër

 

PISHTARËT  E  LIRISË

 

(Dëshmorëve të kombit që ranë heroikisht  në betejën e

1 shtatorit 1998 në fshatin Lezë të Prizrenit; Salajdin Berisha,

Xhevat Berisha, Shefqet Berisha, Asim Berisha, Alajdin Berisha,

Bekim Berisha, Shahadin Berisha, Naip Berisha, Nehat Berisha,

Ibrahim Osmani dhe dy pleqtë. Izair Berisha e Asllan Berisha).

 

1.

 

Atëherë  kur  nata bëhej  korb  e  dita  lot

gjithçka  ndrydhej  në  heshtje 

mortja  na  kërkonte  harrimin

 

dhe  vrulli  ndrydhej  përpjekjes  për  pak  dritë

nën  qiellin  plotë  re të  zeza  e   hijerënda

që  shkarkohej  dheut

 

a  nuk  skuqej  pranvera  lulëkuqeve 

lulet  e  sajë  që  i  shkëpuste  stina

sythet  që  piptonin  degëve

 

dhe  lulëkuqet  shtoheshin  stinëve  të  përpjekjes

se  rrënjët  i  kishin   në  gjak  shikimin  kah  dielli

në  rrezen  e  parë  të  atdheut.

 

2.

 

Atëherë  kur  kambanat  e  vdekjes  s`pushonin

e   durimi  mbyllej  arkivoleve 

nga  pabesitë  e  prapashpinës

 

ju  thyet  akujt   e  dimrave  plot  acarë

 

dhe  kur  pritjes   ju  mbyllën  udhët 

ju  vërshuat  me  vrullin  e  lumenjve  të  Vërrinit

hapët  shtigje  të  reja  drite

me  shkëlqimin  e  rrezes  së  pranverës

 

cila  ishte  ajo  kohë  ora  e  pritjes?

 

3.

 

dhe  dashuria  doli  në  dritë   me  kushtrimin

malet  u  veshën  blerim  

që  me  agun  e  pranverës.

 

Zogu  i  Kosovës  e  nisi  këngën.

Për  ardhjet  e  bardha  që  do  të  vijnë

Me  rrugën   e  nis

 

Dhe  gjithçka  nisi  ilegale

Me  hallkat  e  para  të  zinxhirit

Që  do  ta  lidhin  armikun

 

Njësitet  e  nisën  marshin   maleve  të  lirisë

 

Atëherë  kullat  u  mbushën  dritë  në  shpresat e  bardha

Malësori  hapi  portat   dhe  zemrat

Nënat  gatuan  bukën  e   ushtarëve  të  lirisë.

 

 

4.

 

me  ju  malet  ia morën  këngës

lisat  u  veshën  në  blerim

e  bilbili  ja  tha   lirshëm këngës

 

për  ditët e  bardha  që  marshonin  përpara

 

që  të  ketë  kuptim  jeta

që  bisha  mos  të  ketë   më  mesjeta

nëpër  ardhjet  e  bardha

 

se   s`deshët  fole  pa  atdhe

tokë  të  nëpërkëmbë  e  shpirt  të  nëpërdhëmbë

 

5.

 

edhe  barbarin  e  pushtuan  ethet

lisat  u  bënë  hije, e  hijet  gryka

ballit  të  veriut  të  zi.

 

Satana  s`njeh  gjuhë  tjetër  ju  thatë 

Kur  i  puthet  tytat  e  armëve  të  lirisë

Kur  i  ngjeshët  brezat

 

Se  zot  të  këtij  dheu  jemi  ne

Kosova  në  Kosovë, gjarpri  i  zi  në  veri.

Ky  është  bekimi  i  nënëlokes.

 

Amaneti   i   shkrepave  të  lirisë.

 

 

6.

 

dhe  gjithçka  nisi  para lindjes  së  diellit

rrezja  e  parë  u  nxi

tërbimit  të   barbarisë  së  Karpateve

 

bjeshkët    villnin  zjarr  kullave  të  lirisë

 

apokalipsit  po  vijnë

 

çeta  u  vunë  ballë  muranë   pozicioneve 

grykave  u  dhanë  zjarr 

komandanti  u  prinë

 

me   dinakëri  dhelpre  afrohet  një  hordhi

„a  doni   vllazën  ndihmë“  me  emblemë

e   flamur  me  shkabë 

ja  dhe  ne  po  vijmë.

 

Ata  janë  armiq, zjarr  komandant  Sala

Mbi  shtatëdhjetë  po i  grinë 

 

Nga  krahu  tjetër  grykat  marrin  oshtimë

Asimi, Bekimi,Alajdini,Naipi,Ibrahimi,

Shahadini,Nehati

Me  zjarr  e  mbajnë  vijën 

Si  korbat  armiqtë  po  bien.

 

Nga  krahu   tjetër  Xhevati  e  Shefqeti

Jepi  bacë  të  pastë  atdheu

Ja  dhe  ne  po  vimë

 

Tetëdhjetë  luftëtarë  përballen  me

Gjashtëmijë  armiq  me skafandër

E   plotë  artileri

 

Çeta  luftoi  trimërisht  më  një  shtator 

Gjithë  atë  ditë.

 

7.

 

bjeshkët  gjëmojnë, digjen  kullat

çeta  luftën  se  ndalë

rrugës  së  lirisë

 

malit  të  Kosovës  nisë  e  i  bien  lisat

 

një  nga  një

kodrat  e  lëshuan  oshtimë  kobit

mbuluan  kullat

 

e  gjatë  ishte  ajo  ditë  me  zjarr

 

Xhevat, Salë, Shefqet, Asim,

Alajdin, Bekim, Shahadin, Naip, Ibrahim,

Nehat

 

kodra  u  mbush  plotë  lule  gjaku

luftës  për  liri

 

dhjetë  trima   po i  ndahen  çetës

e  hynë  rreshtave  të pishtarëve  të  lirisë

lule  gjaku  në  kopshtin  e  trimërisë.

 

8.

 

Dhe  u ngjitën  yjeve

për  ti bërë  dritë  atdheut

netëve  të  gjata

 

rreze  e  mëngjeseve  pa  diell

 

me  ju  liria  themelet 

i ka  në  gjak

 

ju  lulëkuqet  e  Vërrinit

flamurtarë lirie

në  festat  e  bardha  të  Kosovës

 

ju  yje  përjetësie

pishtarë  të  lirisë.

 

                    1998.

 

 

 

KËNGËT E MIA

1 .


Në notën e parë
të pentagramit
rri atdheu

Është tingulli i shpirtit
që jehon dëshirave
me notën e bardhë të mendimit

Është shpresa e bardhë
Që shkëlqen largësive
në syrin e përmalltë

Jehona e saj
Mall për udhët e mia

2.

Damarëve të tij
lidhen rrënjët e gjakut
e rriten lisat e kombit

Rritës së tij
lëshon rrënjët shpresa
E të nesërmeve

Ai që e ndez kandilin
i pari për të
ka hyrë në orbitën e pavdekësisë


3.

Në gjirin e ngrohtë të fisit
u rrit fjala
e s`lëvizën as gurët

Në logje burrash
u lidh zinxhiri i saj
e se shkëputën as furtunat e shekujve

Burri lidhet për gjuhën e saj
E vdes për emrin

4.

Nëpër furtunat e shekujve
Azi e Karpate
s`i thyen lisat e Sharrit

Se rrënjët i kishin në tokë
e kokën tek qielli
s`kanë ç`na bëjnë erërat e zeza

Për dritën e diellit
Dhamë edhe mish e asht
Të mos na shkulej fara


5.

Mbijetesë ishin shekujt
mbi trupin tonë plot plagë
me shpresën e së nesërmes

edhe kodrat i ndrydhëm varreve
vetëm për dritën tënde
atdhe

6.

Ta gëzon ditën e bardhë
nëpër kujtimin e shekujve
të vrarë

E nesërmja të rri bukur
mbi shtatin tënd të njomë

                  2008, Prizren

 

 

KTHEHU ATJE KU TË PRET EMRI
 
Udhëve të tua plot harrim
Anatemë malli verbon
Kësaj ikje larg
 
Ti kot digjesh kësaj alkimie
 
Një strajcë mbi shpinë
Dhe udhët e tua
 
***
 
Kthehu atje ku emri të pret
Dhe nëna me lot në sy
Atje prehen ëndrrat e tua
 
Kthehu atje
Ku këngë jote ka jehonë
Se zjarri në vatër po të shuhet
 
Kthehu sa s`të ka djegur
Flakëharrimi
 
***
 
Nëpër ecjen tënde janë shtruar udhët e botës
Ti je bërë shtegtar nëpër gjeografi
Kujdes mashtrimit të lakmive
 
Myhyrin s`ke për ta gjetur askund
Kot kërkon Cyrich, Paris, Berlin, Londër, Wash....
Ai fshihet atje te vatra jote
 
Kthehu atje ku të ngrohë dielli i lumturisë
Ku kënga dhe dhimbja kanë një emër
Se mbete emërfikur
Këtij terrharrimi
 
***
 
Ti kujton se e ke gjetur diellin
Shtegtar i përjetshëm mbete
Zog pa fole
 
Krahëve të tu të plagosur
Lëvaren udhët
Ti udhëtar i harruar
 
Në kërkim të folesë më të mirë
Ke humbur tënden atë strofullin e ngrohtë
Plot dashuri
Diellin s`ke për ta zënë kurrë
Netët e udhëve, verbuar të kanë
Ti shtegtar i mashtruar
 
***
 
Kërkon t’i kapësh të mirat e botës
Mos u bën pre e lakmive
Një ditë dy duar dhe një gurë me vete
 
Lakmia e tepërt vret
Aq më keq shpirtin
Ti kujton se ke kapur lumturinë
 
Ti mbetesh lakmitar i mashtruar
Alkimisë së udhëve
 
***
 
Kthehu atje
Ku krisma e emrit tënd jehon malet
Mbushullon kullën e këndon te vatra
 
Kthehu atje
T’ia fshish lotin e nënës
Me shaminë e kthimeve
 
Kthehu atje
Ku hëna t’i ruan ëndrrat
E dielli t’i ngrohë ditët e bardha
Kthehu...
 
        Zvicër, 2013

 

ÇASTE ALPIKE

 

Çdo çast përqafohem me mallin e i jap udhë përtej Alpeve
Gurra e tij s’shteret nga koka e mendimit tek m’i trazon dhimbjet
Udhëve u rri zjarrmishëm me etjen e largësive
Na i ndez kandilat e trazimeve që shkrumbojnë vetmisë
Dhe ikën përtej shtatëdhjetë e shtatë bjeshkëve
Pa na e thënë as edhe lamtumirën

E ç`t’i jap muzës së mendimit kur etja e fjalës më ka zjarrmi
E largësia në mes na i shkrumbon fijet e ylbereve të përmalla

Eh vargu im plot mall sa të mungon strofkulla e atdheut
Ngrohtësia e diellit tënd të vrarë nëpër motet e Alpeve
Flatrimi yt i lirë nëpër qiellin e bardhë të kthimeve

Ku ta freskoj ballin kur mungon flladi i freskive të vendlindjes
E ta lag fytin me ujin e gurgullimave të bardha të krojeve të Vërrinit
E pastaj t’ia themi këngës plot jehonë grykave të Atdheut

A burrërohet fjala e jote në sheshet ku gjinitë s`njohin ligjet e natyrës
Ku burrat pudrosen e fshihen prapa fustanellave të grave
E gratë aktrojnë rrolin e burrit nëpër teatrot e shesheve pa etikë morale

E ku t’i rris filizat e fjalës kur vesa e vjeshtave alpike m’i vret orë e çast
Me brymën e largësive një nga një na i mërdhin edhe fijet e trashëgimisë
Për çdo ditë na e zhvesh degën e thyer të pemës sonë

Nga koka e mendimit e kam zbritur heshtur durimin
E i flladis ballin me melhemin e shpresës se një ditë
Me mbathcat e kthimeve na pret diku faqebardhë vargu
Dhe fara e muzës që e mbollëm zjarrmishëm nëpër vargjet e mallit
Ma pret edhe kthimin tim, diku...!

                                                                Zvicër, 2013

 

 

 

BASHKIMI BËN FUQINË

Një popull të përçarë gjithkush e sundon
Kjo vetëm armikut përshtati i shkon

Ushtarin e vetmuar nga shokët i ndarë
E kap rob armiku në pritën e parë

Skënderbeu thoshte: “Thuprat kur bashkon
t’i thyeni nuk mundeni, kot e provon”

Lidhja e Prizrenit një mesazh shpërndan
Vetëm të bashkuar do t’ia dalim mbanë

Fjala jonë e vjetër sa bukur na prin
Kur e thoshin pleqtë: “Bashkimi bën fuqinë”!

                 Kukës, 2012

 

MËSOJMË GRAMATIKËN

(Me vogëlushët nëpër Vërri)

Një vogëlush në Malësi*
Në vend të çka-it tha një gji
Gramatika u hidhërua
Pse ti mua s’ më ke mësuar?

E një tjetër në fshatin Gjeq*
Në vend të djallit  tha dreq
Dikush keq kush mirë e ka
Në gramatikë mbet me u pa

E një tjetër nga Kushtrimi*
Tha magooori* është  imi
E një tjetër tha gomar
Në gramatikë e kam parë

E tjetër skaj Arbëreshit*
Të marrtë maluli i* i tha tjetrit
Më besoni, s’e kam ditur
Po të mos ishte pranë një mik

Hoqë* e Gurrë* si bëmë një orë
Na merr daja* me "Traktooor*
E kërkova në gramatikë
Por mbi o nuk gjeta pikë

E në Lez* e Kushni*
S’shkuam hiq, se s’ kish fëmijë
Në qytet të gjithë kanë shkuar
Se katundet janë shkatërruar

Edhe unë të dashur fëmijë
Lind e rrit jam në Vërri
Sa ju dua s’e besoni
Por për ju kam porosi
Gramatikën ta mësoni
Gjuhën tonë plot begati

2010, Vërri
_______________

* Malësi – fjala është për Malësinë e Vërrinit

* Gjeq – është fjala për fshatin Jeshkovë
* Magooori – këtu shkrimtari e ka fjalën për gomarin
* Maluli – fjala është për djallin

* Hoqë – është fjala për fshatin Hoqë e Qytetit

* Gurrë – emërtimi i ri për fshatin Poslisht

* Daja – fjala për dajën (vëllain e nënës)

* Traktooor – fjala është për traktorin

* Lez – fshat i Rajonit të Vërrinit

* Kushni – Gjithashtu, fshat i Rajonit të Vërrinit



 

 

NJË ARUSHË NGA QYTETI...

Një arushë qyteti, në Vërri te mëhalla
Kishte mbledhur ca fëmijë, po shiste përralla

Thoshte se Bushtrica, ka ngjyrën e kuqe
Diku në Prevallë, lanë buzët një nuse

Uji te Shatërvani, nuk i pihet dot
Se një zanë mali, në burim derdhka lot

Thoshte Drini i Bardhë, ecka dhe përpjetë
Pastaj përmes bjeshkëve, na zbritka në det

Dikush nga fëmijët, i tha mos gënjeni
Kur tha nga Kalaja, nuk duket Prizreni

Me përralla për miza, ëndrrat na i verbon
Kjo arushë qyteti, përrallën s'e ndalon

Një grusht milingona, në bisht dikush ia vari
Iku vrap teposhtë, arusha gënjeshtare

                       2005, Malësi e Vërrinit

 

 

REPORTAZHE

 

DREJT ZEMRËS SË NJË LEGJENDE

 

Ismet LECAJ

 

Pas shumë orëve të mbajtura letrare nëpër shkollat e Opojës, Shoqata Kulturore Ymer Prizreni e kishte paraparë që bashkë me revistën letrare Metafora  të poetit Gëzim Ajgeraj, të mbajë orë letrare edhe në trevën e Vërrinit, si  e vetmja trevë e pambuluar gjer atëherë. Kjo Shoqatë përveç Restelicës së Gorës, kishte vizituar me aktivitetin e vet edhe Bashkinë e Bicajve në rrethin e Kukësit, edhe Buzovcën e Veshallën në Maqedoni, ndaj Vërrinit ia mësymë të përgatitur më shumë se kurdoherë tjetër dhe shumë kureshtarë sepse aty u hap fronti i luftës së UÇK-ë, ku  u shënua Epopeja e Luftës së Vërrinit dhe fitorja  e trimave të saj liridashës.

Para se të arrinim atje, ishte e nevojshme të takoheshim diku në Prizren, ndaj dhe pikëtakimi ynë u bë te një kafene afër spitalit. Nga një telefonatë njoftohemi se vëllezërit Lecaj na presin diku në Lagjen e Bajram Currit dhe duhet dikush t’i marrë me veturë. Këtë punë saora e pranoi Gëzim Ajgeraj që për shoqërues gjer atje më paracaktoi mua si mixhën e  tyre. Pasi  tubuam të gjithë të njoftuarit dhe pasi pimë  kafenë e mëngjesit morëm rrugën drejt zemrës së Vërrinit Legjendar. Në veturë mbeta me Gëzimin dhe dy këngëtarët. Prapa nesh shquheshin edhe instrumentet muzikore të tyre, çiftelia e sharkia, si shtylla vertebrore të shpirtit  të tyre artistik i disa decenieve. Ata i bashkëngjiteshin aktiviteteve tona letrare sa herë e lypte nevoja. Gëzimi me sjelljet e veta linte përshtypjen në një djalosh të ngritur dhe shumë të kulturuar, ashtu siç i ka hije një intelektuali në botën e jashtme. Veçanërisht linte përshtypjen në një njeri që ishte tepër aktiv gjatë tërë qëndrimit të tij atje në Zvicër, madje pjesë përbërëse e tërë kësaj epike moderne të Vërrinit, shikuar nga këndi tjetër liridashës i botës së jashtme.

Duke kapërcyer leqeluret e rrugës drejt fshatit Hoçë të Qytetit, vërejta përparim në infrastrukturën rrugore, krahasuar me atë të viteve të nëntëdhjeta sepse mendimet disi më rrëshqitën për atë kohë kur me një grup nxënësish isha i ftuar të merrja pjesë në një aktivitet kulturor që organizohej në Billushë e më vonë edhe në shkollën tetëvjeçare të Hoçës.

Atë botë pikat e grupit tim u pëlqyen së tepërmi, qofshin ato si recitime, qofshin si pika humoristike, të luajtura bukur nga trio i njohur Mentori, Basriu dhe Armendi.

Në veçanti poezinë time për ushtarët e vrarë të Opojës e komentoi bukur i ndjeri Xhafer Kabashi. Në Billushë na pritën ashtu siç i ka hije shqiptarit, pa lënë mangët as mikpritjen e hoçjanëve. Gjatë rrugës për në Hoçë dhe prapa na shoqëronte Zafir Berisha, ku do ta kalonim edhe natën në shtëpinë e tij, shoqëruar nga i burgosuri politik Shani Berisha, vëllai i Zafirit.

Shaniu gjer në orë të vona rrëfente tragjiken e tij nëpër kazamatet e Serbisë së atëhershme e me theks të veçantë qëndrimin e tij me Adem Demaçin. Në të vërtetë murin e dhomës së tyre e zbukuronte edhe fotografia  e bacë Adem Demaçit.

Edhe pse mendja më iku në ato ditë të robërisë, por të bujshme me aktivitete, rruga për Jeshkovë ende s’kishte përfunduar. Duke u ngjitur shpateve të Vërrinit piktoresk, mendja më shkoi edhe te komandant Petriti , i cili na pati ftuar në Zhur në një përvjetor të dëshmorëve të Zhurit, që u vranë në demonstratat e vitit 1989 nga pushtuesit serbë.

Ai përkujdesej për programin artistik së bashku me ca të tjerë në shtëpinë e kulturës të pameremetuar.

Programin e udhëhiqte si moderatore e përkryer Meritë Lecaj, ndërsa kulmi i programit ishte pika muzikore që  e këndonin Mirhati e Riadi, kushtuar dëshmorëve të Zhurit, tekstin dhe muzikën që ua pata shkruar unë. Me sytë e mbushur lot Remziu më  përuroi atëherë për këtë pikë. Ndaj sa i afrohemi Jeshkovës më bëhet se do t’i preki me këmbë të gjithë gurët ku kishte shkelur ai, komandant Petriti, se do t’ia ndiej të gjallë zërin edhe njëherë, se do të takohemi si atëherë në Zhur. Të gjitha këto mendime të bukura përfunduan shumë shpejt sepse vetura jonë u ndal para shkollës fillore të Jeshkovës. Menjëherë në sy  më ra mbishkrimi në hyrje të shkollës Policia Ushtarake, që linte të kuptojmë se aty ishte çerdhja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Thënë të drejtën kurrë nuk kisha qenë më herët në Malësi të Vërrinit.

Jeshkovën dhe fshatrat tjera përreth i kisha parë së largu menjëherë pas luftës kur ishim në një piknik së bashku me një grup gjermanësh si donatorë të Radio Sharrit të Dragashit.

Atje mbi Shtavën e Zgatarit vërejtëm goxha gëzhoja të mëdha të tankeve të okupatorit, të cilat për ca momente të futnin trishtim. Madje edhe ishin me qindra të grumbulluara mu në bregore aty pranë. Jeshkova shihej si në pëllëmbë të dorës nga lart-poshtë dhe shquhej një përparësi  e forcave luftarake të okupatorit në atë drejtim.

Porsa zbritëm nga vetura, grumbulli i rreshtuar i arsimtarëve të shkollës dhe grupi i bashkëfshatarëve të Jeshkovës na ofroi mikpritje dhe bujari së bashku me lapidarin kushtuar dëshmorëve të kombit. Pas një pauze të shkurtër duke u ngjatjetuar me kolegët nga Prizreni dhe pas një pije ekzotike na ftuan t’i zëmë vendet në klasë, ku do të mbahej ora letrare. Për moderator u përcaktua  më i pëlqyeri nga të gjithë ne, shoku Abaz Qengaj.

Pasi i thanë fjalët përshëndetëse Bedriu në emër të Shoqatës dhe Gëzimi si vendas e shkrimtar i Malësisë së Vërrinit, nisën recitimet me radhë të kombinuara me nxënësit e kësaj shkolle dhe me poetët e përzgjedhur. Vjershat lexoheshin me pasion për dëshmorët e rënë në altarin e lirisë. Lotët vareshin shpesh në fundin e qerpikëve si ca maja heshtash duke të therur për të kaluarën dhe për trimat e humbur në front. Ata të bartnin në thellësinë e atyre ditëve heroike. Nga pak dehemi nga ritmi i zemrës së atyre momenteve  që rrinë në harmoni me Epopenë e zhvilluar pak vite më parë dhe shumë të përgjakshme. Për të afërmit e tyre dhe për shokët e luftës as që mund të thuash se kishin kaluar vetëm pak çaste. Në të vërtetë klasa zhurmonte si një zemër e vetme, ku në damarët e saj përçonim gjakun e ndezur në aortë. Më bëhet se edhe gjethet e pranverës jashtë dritareve përgjojnë të qetë dhe s’bashku me lulet duartrokasin me gjithë shpirt, ndonëse armiku si kalë i hasdisur që moti ka marrë arratinë. Atdhetarët si kudo tjetër në Kosovë lëvizen  përballë situatave të ngurta të viteve më të errëta të dhunës dhe izolimit edhe në këto anë. Ëndrrën e kamotshme të brezave donin ta bëjnë realitet. Them me vete “ Me aromën e këtyre luleve të lirisë mu në zemrën e  Malësisë së Vrrinit gjithmonë mbetesh i pangopur!” Kënaqem me tonet e bukura artistike duke  i ndier ato thellë në shpirtin e harlisur e duke i bartur mendimet në dy rrugë: Në ato çastet heroike plot heroizëm e pluhur nga predhat e armikut, edhe gjuajtjet nga aeroplanët bombardues me breshëri mbi trimat që s’trembeshin dhe artin tani të shtruar para nesh nga pionierët e nxënësit në format më të bukura artistike.. Pra u takuam aty ku rrugët ndahen!  Më bëhet se secili nga poetët i vë kore plagës së shpirtit ngase sa shërohet plaga e vjetër  nga këto recitime hapet plaga e re. U jap udhë mendimeve të mia duke i përkundur ato si një fëmijë të parehatshëm, ku në sytë e tyre ka mbetur ajo jozakonshmëria. Në batakun e zhgënjimeve shpesh më gulçon shpirti kur hidhem në ato vite të tmerrshme dhe ata që pinin bozë e limonadë në Shatërvan tani dinë të hedhin vickla patriotike, madje-madje duke e nënçmuar edhe luftën e UÇK-së.  Vallë kanë nevojë për vete ata të rrëfehen që në këtë botë mëkatesh t’u lënë pakëz vend edhe për mëkatet e tyre?! Pse mos të endem me mendime të arta e të mëndafshta drejt kësaj epike duke e ndier thellë frymën liridashëse, për të cilën kanë sakrifikuar trimat? Për dreq ç’më shkoi mendja për ata që përdridheshin me bermude rreth kroit të Shatërvanit kur në këto momente në mënyrë të harmonishme korrespondojnë e kaluara me lirinë që mbi gërsheta të saj ka vënë fjongo të kuqe?! Ata veç shpirtit të tyre të thyer nuk kanë tjetër pronë. T’u jepem këtyre udhëve i lirë, ta ndiej aromën e pranverës së lirisë kaherë kam dëshiruar. Dëshmorët e lirisë të papenguar lanë gjurmë në këto anë, ecën gjer në dhimbje shpirti, e lanë vetën këtu për të frymuar të lirë të tjerët. Fundi i  kësaj ore ishte edhe pika muzikore e kënduar nga vëllezërit Lecaj kushtuar dëshmorëve të Vërrinit. Kënga është melhem i shpirtit  ajo të bartë më fuqishëm në brendinë e kësaj epike. Asgjë s’i bëhet pengesë lumit të ngashërimit në këto çaste. Siç thashë më parë, kënga në këto raste sa shëron plagën e vjetër, hap një plagë të re sepse t’i përkëdhelë ëndrrat dhe i zgjon si një nënë e mirë duke ua hapur dyert e qepallave lotëve të vakët. Buzët e dridhura të mesditës dhe zemrën e mbushur ia falëm Jeshkovës duke u përshëndetur me ndonjë fotografim rasti me grupin e performances dhe të ndodhurit që ishin brenda  sallës së improvizuar.

       U nisëm të gjithë së bashku drejt zemrës së Malësisë së Vërrinit, ku do t’na presin me plot entuziazëm nxënësit e shkollës fillore së bashku me stafin punues atje në shkollën bazë të Lybeçevës. Në disa momente do të ndalemi për ta shijuar bukurinë e këtyre anëve, të cilën e bën më magjepse heroizmi dhe lufta e fundit e trimave të rënë. Shihet një infrastrukturë rrugore e rregulluar, por që ende ka nevojë të përkryhet. Aty në mes të rrugës u ndalëm te lapidari tjetër, ku kishte edhe karrige të improvizuara për ta shijuar tërë këtë bukuri dhe tërë këtë heroizëm të pashoq. Pas plot humoreskave të gjuajtura në sheshin e shpirtit në ato çaste më shumë zinin vend ato rreth Nexhat Çoçajt, të cilat i flinin në sedër për shkak të peshës trupore që mezi ngjitej në pak kodrinëza të vockla. Pasi u siguruam se rruga mund të përshkohet edhe me vetura në atë drejtim, secili në veturat e veta  u nisëm kurrizit të maleve  drejt Lybeçevës. Gëzimi, i entuziazmuar për librin e bukur që kishte promovuar një ditë më parë në shtëpinë e kulturës në Prizren për heroin e kombit Xhevat Berisha, rrëfente se për të ardhur gjer të përfundimi i përmbajtjes së tij kishte marrë shumë kohë. Ai i kishte lutur edhe të tjerët që të shkruhet diçka në atë drejtim, por si shkrimtar që është i disa dhjeta librave kishte pasur nderin ta përfaqësojë Luftën e Vrrinit me një përmbajtje të tillë. Madje i kishte mbledhur të gjithë të interesuarit për ta korrigjuar një libër të tillë sa i përket historikut të kësaj Epopeje. Në të vërtetë libri në fjalë me kopertina kamuflazhi menjëherë në shikim të parë të paracaktonte se ka të bëjë me tematikë lufte dhe se ishte kurorëzim i asaj  kohe të egër, ishte si një kurorë e lirisë për heroin Xhevat Berisha që ëmbël mban pushkën në dorë si komandant aty në mes të Shatervanit duke ua bërë me dije të gjithë atyre fjalamanëve që ta rrudhin gojën se ne kemi dhënë jetën për këto rreze të lirisë.

Gëzimi i kulturuar rrëfente pastaj edhe për sallën e bukur të edukatës fizike të asaj shkolle, ku ne do të arrinim së shpejti. Ai thoshte se falë tij, donatorët e njohur nga ai kishin kërkuar që ai t’i orientojë diku ku ata do t’i derdhnin mjetet e tyre. Kuptohet Gëzimi i orientoi te ky fshat dhe te kjo shkollë, ku dhe u bë realitet i tërë mundi i tij, ngase salla e sportit vërtet ishte  e mrekullueshme sepse aty edhe u mbajt ora letrare si vazhdimësi e asaj të Jeshkovës. Me një mikpritje të jashtëzakonshme nga ana e arsimtarëve të kësaj shkolle menjëherë iu drejtuam sallës poshtë për t’i zënë vendet ngase ora do të fillojë së shpejti. Orën e madhe letrare e udhëhiqte Mirsad Kuteli - Miri i parapëlqyeri ynë, njësoj si Abazi, sepse nëpër fshatrat e Opojës e kudo tjetër këta dy kolegë këmbeheshin me njëri- tjetrin për të performuar orët në fjalë.

Në këtë shkollë të bukur kishin qenë nxënës e arsimtarë edhe shumë trima të kësaj ane, ndaj edhe fuqia artistike zinte vendin e vet si e plotfuqishme nga çdo recitues e çdo poet. Pas fjalëve hyrëse nga ana e drejtorit të kësaj shkolle, e drejtorit të arsimit të Prizrenit dhe e Bedri Halimit, si kryetar i Shoqatës Ymer Prizreni dhe pas fjalës së bukur të Gëzim Ajgerat, ora mori hov drejt performimit artistik duke u duartrokitur në mënyrë frenetike.

Nxënësit e kësaj shkolle sikur ia shtuan bukurinë edhe më tepër me pikat humoristike dhe me ato dramatike, kushtuar Ukshin Hotit. Grupi i valltareve dhe ai i solistëve edhe më tepër çuan peshë në ndjenjat tona me pikat e përzgjedhura që të lyheshin në damarët e shpirtit për të mos u harruar kurrë. Edhe poezitë e Ilamit, të Ibrahimit, të vetë Abazit, të Bedriut, të Mirit e të shumë lexueseve tjerë gjatë do të mbahen në mend nga ana jonë që në harmoni me pritjen e vendasve do të rrinë si një kujtim i paharrueshëm dhe si një ndër orët letrare më të suksesshmet. Këngët e përzgjedhura të vëllezërve  Lecaj  e kurorëzuan tërë këtë program duke i dhënë udhë të bukurës si kurdoherë tjetër. Dashuria për liri e dëshmorëve ishte rroba më e bukur që vetëm ata ditën ta veshin e askush tjetër. Mikesha më e mirë e tyre ishte ajo me fjongo të kuqe vendosur në gërsheta, vetë liria e fituar me gjak e sakrifica të mëdha. Me qumështin e nënave të bërë hallall, qumësht ky që bëhej shkrumb në buzët e tyre duke dhënë urdhra për mbijetesë.. Mu deshtë edhe njëherë ta kthej kokën pas sikur të përshëndetesha edhe me ata të rënë që nuk janë më në mesin tonë e le ta ulin kokën ata që flitnin përçart gjatë kohës së luftës me duart në xhepa duke u kapardisur rrugëve të qytetit. Dëshmorët ishin arkitektët e së bukurës në jetë. Arkitektët e lirisë. Ndonëse e bukura duket e thjeshtë, por jo gjithçka e thjeshtë mund të jetë e bukur kur është fjala për lirinë e Kosovës që endej si flutur mbi kokat tona e s’mund ta arrinim dot. Një motiv të ri që kisha për ëndrrat e mia, u realizua sot duke u takuar ballaballë me realitetin e kohës jo të largët. Dhe, çdo skenar që kisha përgatitur për dëshmorët sot sikur u tumir me plot kënaqësi, për të vazhduar me skenarë të tjerë në të ardhmen, madje edhe më të fuqishëm. Fjalamanët lë të vënë në gushat e tyre varëset e fajësisë si model i kohës demokratike për të mos u rrëfyer gabimisht herëve tjera. Ose lë ta vazhdojnë e të zvarriten në vazhdimësi në rrugën e gjembave, por kam drojë se do t’i trishtojnë mëllagat e bukura të atdheut që flet shqip. Me trokun e mendimeve të tilla dhe me buzën e përvajshme në drithërimë lamë Lybeçevën heroike dhe Lezin heroik atje mbi kodrat e shenjta, duke mos ua prishur qetësinë në varre heronjve të atdheut. Mbi kokën tonë fluturuan një tufë pëllumbash të bardhë si  të ishin vetë dëshmorët që na thonë një lamtumirë dhe një falënderim përnjëherësh. Ata kishin shpërthyer dyert e kafazit, të cilit era ia përplas me rrapëllimë. Duhej të niseshim për Prizren, ndaj secili në veturat e veta duke lënë Lybeçevën  me të gjitha kujtimet e tyre për të vrarët në luftën e fundit së bashku me të gjitha sakrificat e popullit të kësaj ane si shenjë kujtimi ngjitur nëpër lapidarët e lartë. Shiu i imtë sikur mbuloi e shpërlau tërë atë pikëllim të zemrave tona gjatë performancave artistike duke rrëshqitur qetë në mollëzat e Malësisë drejt rrugës për Prizren.

 

 

 

AKTIVITETET KULTURO-ARTISTIKE NË VËRRININ HEROIK

 

Ismet LECAJ

 

Pasi mora përsipër të shkruaj diçka për aktivitetin kulturor që më 7 Maj u mbajt në Vërri, dola nën hijen e trashë të mollës sime, nën hijen e gjelbërsisë dhe i stërkënaqur nga freskia e saj, fillova t’i rreshtoj mbresat e mia dhe t’i ndjell  një nga një si qengjat manarë. Ky sfond i gjelbërsisë, i cili rri në harmoni të mrekullueshme me gonxhet e kuqe të trëndafilave të freskët, ma  avanson punën time  në atë drejtim që ta shtroj imagjinatën shpërthyese  në një begati edhe më të  dendur figurative. Këta trëndafila më ranë në sy si para një muaji atje në klimën e butë të Malësisë së Vërrinit dhe sikur më nxitnin me ngjyrën e kuqe të tyre duke tërhequr paralelizma në kujtimet goxha mbresëlënëse të mia, si për temperaturat më të favorshme, ashtu edhe për ngjarjet goxha tronditëse të luftës së fundit! Vjet ishim në ca fshatra tjera të Vërrinit e sivjet do ta rrumbullakësojmë dhe me tri të tjera: Kushtrimin, Poslishtin dhe Hoçën e Qytetit. 

      Në ish Billushë dhe në Hoçë kam qenë me nxënësit e mi edhe para lufte, ndërsa në Poslisht, margaritarin e rrethit të Prizrenit, kurrë jo. Ndjeja disi një gëzim fëmijëror pse do të jem mysafir i tyre dhe shumë i privilegjuar për shpirtin artistik. Zaten që moti isha kurioz  t’i ngjitesha rrethatores në drejtim të Kushtrimit dhe vërtet kur sheh se në çdo cep të Kosovës infrastruktura ka shkuar përpara, kënaqësia shpirtërore përplaset thellë në damarët e gjakut, ëmbëltohesh dhe shija të zbret poshtë në platonë e zemrës si plotësim i një vullneti që në vazhdimësi kridhej në pasion.

    Dua ta ceki që në fillim të këtij shkrimi se organizatorë të këtij aktiviteti ishin Shoqata Kulturore “Ymer Prizreni” së bashku me revistën  dhe Shtëpinë Botuese “Metafora”, thënë më mirë, Bedri Halimi dhe Gëzim Ajgeraj; njëri nga Opoja e tjetri nga Vërrini. Këta organizatorë dhe këta ideologë, jo që meritojnë lëvdata ndër më të mirat, por shpërblimet ndër më të veçantat nëpër komunat e tyre e ndoshta edhe më larg atje në qendrën e Kosovës, në Prishtinë. Ata, jo vetëm që organizojnë e shkruajnë, por udhëheqin revistat e tyre tanimë të njohura dhe shumë të suksesshme: “Sharri” dhe “Vërrini” e ” Metafora” që s’është punë e lehtë. Mbi të gjitha angazhimi i tyre në këtë drejtim është meritor dhe mbresëlënës për tematikat e shumëllojshme e mbi të gjitha stivimi i vlerave etnologjike të këtyre anëve në faqet e revistave!

Ajo që u ka munguar këtyre anëve me shekuj, ishte mbledhja dhe studimi i folklorit tonë burimor e tani kemi rastin ta mbarështojmë kulturën tonë etnografike, duke e herrë e duke vënë edhe ne një guracak sa do të vockël në kërkimet e përgjithshme albanologjike!

         Në Kushtrim, stafi arsimor në krye me Florim Gashin na pritën si i ka hije shqiptarëve, duke na vendosur fillimisht te zyra e drejtorit gjersa trupa amatore e shkollës të bëhej gati për interpretimin e vlerave të tyre artistike.  Menjëherë më shkoi në mendje të kërkoja listën e të vrarëve gjatë viteve 1912-1913, pasi emrat e tyre më mungonin në librin tim poetik të pabotuar “Histori e shkruar zi”, që t’i poetizoj masakrat serbo-sllave edhe nga kjo anë. Kjo punë u krye sa ora pasi drejtori Gashi me një të prekur të kompjuterit ma ofroi listën e gatshme të tyre dhe dëshira ime u plotësua! U çlirova nga një ankth i padukshëm ndoshta me muaj të tërë, apo edhe me vite. Gjersa të tjerët shkëmbenin dialogë shoqëror dhe hallashtiseshin ndër vete, unë tinëz tyre ua lëshoja syrin emrave të të masakruarve të vitit 1913 dhe ajo që gjithmonë më ngacmonte në shpirt ishte se në mesin e tyre kishte edhe disa fëmijë, gra e pleq! Ajo që koha u përjetësua në kurora shpirti, ishte përmendorja e ngritur krejtësisht afër shkollës. Ju lumtë kushtrimas, ju lumtë që historinë e përjetësoni!

   Thonë ujku s’e ndërron qimen! Po, ata të njëjtët, të para njëqind vjetësh, erdhën prapë të gjuajnë mbi gra e mbi fëmijë për ta derdhur mllefin e tyre të egërsisë, apo të humbjes! A s’janë qyqarët e shekujve këta barbarë?! Hanxharët e tyre me dy tehe sikur e çonin në vend emërtimin turk të Ballkanit - Gjak e Mjaltë e sikur nuk e ditën se bostani nuk u shkon gjithnjë mbi krye të ujit. Kësaj radhe  thika e tyre hasi në gozhdë e pushka e lirisë ua preu këmbët, që të ikin me bishtin ndër shalë e shumë të turpëruar!

   Programi kulturoro-artistik filloi para nesh aty në oborr të shkollës në një kohë të paradites së lirisë. Hidheshin vallet e trimave të UÇK-së, kopjuar nga skenarët drenicakë së bashku me ato të bukura vërrinase e shumë folklorike. Nuk munguan as recitimet prekëse e shumë domethënëse për luftën e fundit. Pikat humoristike të nxënësve të kësaj shkolle treguan se nxënësit ishin të përgatitur mirë për një larushi  interpretimi nga arsimtarët e tyre shumë të vyeshëm e punëtorë. U gëzofshin pse na gëzuan! Të gjitha këto pika nën rrezet e diellit pranveror nuk i fshihnin lotët tanë, herë nga dhembja e pikëllimi e herë nga gazi që shtrihej në dialogët e klasës së trazuar dhe shumë qesharake! Shkolla “Dëshmorët e Vërrinit” sot demonstroi art para nesh dhe bujari duke shtruar edhe një koktej rasti para se të zbritnim në Poslishtin e bukur e tepër piktoresk!

 Pas fotografimit para dyerve të shkollës, ashtu në grup: poetë, arsimtarë e nxënës, si për nguti  u ngjatjetuam nga një lamtumirë mbresëlënëse se kishim për të vizituar edhe dy shkolla tjera!

    Gjersa rrugës zbritja në shoqërim me Gëzim Ajgerajn, mu kujtuan poezitë e trupës sonë poeteske, që secila tingëllonte plot art e dhembje për dëshmorët e lirisë dhe për të gjithë të zhdukurit e kësaj ane. Më bëhet se po e dëgjoj një monolog brenda vetës, ku egoja ime ligjëron nga një Kullë Babiloni diku në një skenë të hapur para botës e tërë njerëzia dëgjon dhembjen time për dëshmorët, për të zhdukurit, e mbi të gjitha për martirët e vegjël, nga derdhej gurra e shprehjeve:

“Ju mbetët zogjtë me këngët më të bukura në gojë që s’pushoni së kënduari. Secila poezi e kënduar për ju është më e bukur se shoqja. Ato janë lule që xhelozojnë njëra-tjetrën se cila më parë do të vendoset në saksitë e shpirtit, po kur të gjitha shkaktojnë tollovi para dyerve të syve dhe zhurma e tyre shndërrohet në magji, dora imagjinative e zemrës s’mund të bëjë dallime, por të gjitha i gërsheton në kurorë për t’i vendosur ato pranë jetës së juaj të vogël, që mungon. Të gjitha shtigjet gjer te ju nën koloritin e tyre, (djathtas e majtas në ale pemësh dekorative), do t’na përcjellin gjer aty. Dhe secila strofë, secila rimë e secila rrokje janë trëndafilat, që zgjatin kokën pranë këngëve tuaja, që mbetën të pakënduara e në lot të shpëlara; Këngëve tuaja, që lëviznin nëpër damarët e dhembjes e pikojnë në ngjyrën e kuqe të flamurit. Këngëve tuaja, që emri NËNË ju mbeti në buzë të ndryshkura e të zhgrehura në gaz që derdhej në drejtim të kaltërsisë së qiellit! Këngëve tuaja, që këndoheshin si himne për të shpërthyer zhurmën e hekurt të granatimeve vdekjeprurëse të topave, që ndanë gjymtyrët tuaja në copa e zemrat e nënave  dot s’i mbledhin ndër vite gjersa të ndahen nga kjo botë!

Se çfarë fuqie ka gjaku i lirisë dëshmon rrugëtimin  e tij të shenjtë drejt çdo imagjinate shpërthyese artistike në shatërvanët e secilit krua! E secili krua sikur e derdh bukur secilën rrokje të butë se mos vallë ua lëndon delikatesën fëmijërore e mos rastësisht u shpërthen loti edhe mbi varr! Secili krua është uji qelibar përzier me pikat e kuqe të gjakut tuaj, që derdhet vazhdimisht në lumenjtë e pastër të vargjeve! Vargjet si përrenj ligjëratash të ëmbla që përvëlojnë, pa i vënë aty buzët autori, psherëtijnë, e pastaj i hedhin ngadalë të gjitha zanoret e pasthirrmat përcjellë nga pikëçuditjet që vëzhgojnë drejt shtegut të distikëve, tercinave e katrenave për t’u kurorëzuar në tingëllima. Ato kapërthyer brenda rrjeteve të akrostikëve përpëliten duke u munduar ta imitojnë moshën tuaj të vogël. T’i barazojnë ato me cicërimat e zogjve që derdhen në detin e poemave më të dhembshme epike që arrijnë kulmin e pikëllimit e të britmave gjer në zenit sikur të nënave për ju në ato çaste të përqafimit e kur ju nuk bëzanit; në ato çaste të ulërimës së tyre e ju kur nuk  ndërronit ritmin e buzëqeshjes së fundit! Por ashtu shtanguar ua jepnit lamtumirën që shpërthente në det lotësh e rrëqethje zjarresh nëpër trup! Vështirë e ka dikush t’i numërojë me gishta  vitet tuaja se nuk u dalin. Ata janë mbetur në dhjetëshen e parë dhe matematika kaq e kishte për atë vit! Dhe vallë ku vajtën ditët tjera, mos u përzien me koloritin e lojërave më të bukura të kopshteve parajsore? Apo mbetën pezull në ylberinën e syve tonë poetikë për t’i derdhur ne mbi krahët e pëllumbave? Kjo lojë e metaforave e ngritur në kaq kate simbolikash prapë s’mund ta zëvendësojë lojën tuaj të pambaruar! Ato të gjitha u shndërruan në këngë të kuqe lirie e që derdhën lirshëm në pellgje e këngë të kaltra paqeje. Po, o pëllumbat e paqes, kaltërsia e qiellit ju takon vetëm juve e retë e stërngarkuara zemrave të nënave të zhuritura që dot as një vjeshtë e stuhishme s’i qetëson! Ju mbetët duke luajtur lojën SYMBYLLAZI në sheshin e ligjëratave poetike që derdhin në vazhdimësi pikëllim e dhembje! Që derdhin mërzi të heshtur ndër vite të zeza të historisë! Ky paralelizëm poetik ua numëron hapat tuaj të vegjël në qilimin më të bukur të artit, aty ku pos jush, askush tjetër nuk mund të ecën atypari! Aty ku ligjërimet tuaja të vockëla ua kalojnë bilbilave! Ato cicërima sikur i  trazojnë të gjitha rrufetë e qiellit në drejtim të vrasësve  e bubullimat e zemrave tuaja të heshtura sikur ua bëjnë me dije të gjitha Gjykatave Speciale se këtu është derdhur deti i lotëve mbi gjakun tonë të njomë përcjellë me britmat e pakufi të motrave e vëllezërve tanë! Përcjellë nga dridhjet e buzëve të mësuesve tanë se në banka dot s’na shihnin pos luleve të freskëta që heshtnin e shkruanin për ne romanet e dhembjes e pikëllimit! Ç’faj u pati Idrizi i vogël në Kushtrim?! Pse humbët vrasësit tuaj o barbarë para shkollës së tij?! Shkolla shqipe kishte nevojë të vazhdonte punën shqip në truallin arbëror e ju  ta pushtoni alfabetin e saj?! Në sa ngjyra të zeza u renditen veprat tuaja? Thuaje Evropë e dëgjo moj botë e verdhë manare!”

    Nga ky meditim që si somnambulë vërvitej në rreshtat e Ilam Berishës në librin “Krimet serbe në lokalitetin e Vërrinit”, më zgjoi për pak zëri i bashkudhëtarit tim Gëzimit, i cili kishte nevojë për të mbarështuar humoreska posa arritëm mbi Gurrën e Bukur të Poslishtit që unë ia vargëzoja dhe bashkë me të kënaqeshim duke e zbutur e larguar sadopak dhembjen! Gati arritëm aty ku nga larg shihej pritja e stafit arsimor të shkollës fillore “Hasim Maliqaj”. Ata u rreshtuan si krushq për të na dëshiruar mirëseardhjen në këtë bukuri jeshile e plot freski! Ne u përgjigjem atyre duke rënë shpesh në përqafime sipas personave që njihnim. Kuptohet në krye të rreshtit ishte drejtoresha e shkollës zonja Venera Zhubi, Gashi që më kujtoi “Afërditën e Sterjo Spasses në fshat”! Dhe kaq i duhej  shpirtit tim të brumosur me letërsinë e asaj kohe artistike e shumë formuese të unit tim! Të dal nga realiteti dhe t’i përziejë dy bota kënaqësie, atë të dikurshmen që fshihej thellë në mua dhe atë të sotmen si realitet i bukur, por i dhembshëm!

   Edhe në Poslisht, të rrethuar me gjelbërsi e me ujë të freskët të Gurrës, kaluam si është më së miri edhe pse ky ishte takimi i parë i një grupi artistik nga Opoja me njerëzit fqinj të kësaj ane që kishin dalë nga lufta, të vrarë, të djegur e të zhdukur dhe kushedi struktura e poezive tona sa ua shëron plagët e kësaj katrahure, ose ua përtërin për t’i fshirë ata lotët e dhembjes herë pas here?!

       Dhembja është më e madhe kur zbret në moshat e vogla e të pafajshme siç ishte rasti i Arlindit katërvjeçar, që s’dinte si të pajtohej nga zhurma e granatimeve mu në prehër të nënës edhe pse nuk e dinte vogëlushi i gjorë se ato janë vdekjeprurëse nga çasti në çast. Këtë e dinte nëna e tij që buzët i tereshin për rrezikun eventual e foshnjën tjetër e përkundte me dorën e majtë! Kot e mashtronte me fjalët më të buta: “ Mos u tut o bir se s’na bëjnë gjë!” gjersa edhe ajo ra e plandosur përdhe së bashku me të birin e foshnja të kërkoj dorën e saj në djep!

    Po Betimi, po Behari e Hashimi ku janë? Kush i ndau në pjesë trupat e tyre të njomë që sapo kishin filluar filizat e rinj ta marrin rritën?! Na thoni ju gjykatësit e rryer ndërkombëtarë?! Na thoni edhe sa krime tjera në Kosovë kanë nevojë të flenë në dosjet tuaja të heshtura?! Po Gjykata të nderuara, të dhembshme ishin vrasjet e fëmijëve nga 31 të vrarët në këtë lokalitet. Ata na thanë lamtumirën e fundit pa i mbushur të dymbëdhjetat e Hashimi i vogël, mos ju ardhtë rëndë, ende pa dalë as në klasën e dytë!

    Behari kishte lënë edhe dy kecat e tij me bubin e vogël. Kishte lënë edhe strajcën me bukë të thatë e me pak gjizë e qepë, ku roje të kësaj varfërie bënte fyelli i tij shumë melodioz nga nxirrte nota të bukura lirie nga boka në bokë! Sa shumë pikëlloheshim e sa shumë mërziteshim kur dëgjonim epikën e tillë në vargje nga goja e poetëve se vogëlushët  kishin shkelë në mina dhe trupi i tyre në copa mëzi mblidhej dhe varrosej nën breshërinë e armëve të rënda e nën bombardimet e pandërprera të avionëve sllavë! Dënesjet e publikut sikur të bartnin në drejtim të varrezave të tyre si lule në shenjë respekti për bijtë e pafajshëm! Krijuesit si: Ibrahim Skenderi, Gëzim Ajgeraj, Ilam Berisha, Myrvete Kabashi-Leku, Xhyhere Maçkaj, Bedri Halimi, Abaz Qengaj, Osman Bojaxhiu, Mirsad Kuteli e Ismet Lecaj, përzier me korin e recituesve të vegjël sikur i lanë lamtumirën edhe Poslishtit heroik duke kaptuar rrafshin në drejtim të Hoçës, ku ndërroi takti i të recituarit, pasi aty dëshironin që poezitë tona t’i lexojnë nxënësit e shkollës ”Nazim Buduri”. Kjo dhe u realizua duke dalë në skenë edhe Besarta ime e vogël, nga Suhareka, të cilën për mrekulli e lexoi një biondinë e klasës së gjashtë dhe i pllakosi lotët tanë përdhe së bashku me vargjet e dhembshme të librit tim. Edhe Besarta do të pyeste:

  - Vallë në cilat pranvera të lirisë kullosin kecat e Beharit?!

 Po fyelli i tij cilat nota të bukura i shndërroi në himne të atdheut?!

 Po strajca e tij me koret e thara të bukës së varfërisë, cilin flamur e qëndisi me gjakun e  vet?!

 Sot të gjitha gjymtyrët e tyre të shpërndara i mblodhëm së bashku me lotët tanë në truallin poetik arbëror dhe ua bashkëngjitëm pëllumbave të bardhë të lirisë që bartin pankartën në qiellin e kaltër, ku shkruante:

 “FLINI TË QETË NË DHEUN E LIRË TË KOSOVËS, O JU MARTIRË TË VEGJËL TË VËRRINIT HEROIK!”

 

 

Falënderim  për krijuesit e fjalës së shkruar


Baki Avdaj drejtor i  shkollës fillore dhe te mesme të ulët “Mic sokoli” në Malësi të Vërrinit (Lubiqevë) në emër të mësimdhënësve dhe nxënësve  shpreh dëshirën që t’i falënderojë organizatorët për organizimin e orës letrare që u mbajt më 29.04.2014 në shkollën tonë. Falënderoj drejtorin e shtëpisë  botuese “Metafora” me seli  në Zvicër, krijuesin letrar Gëzim Ajgeraj si dhe krijuesit e fjalës së shkruar nga shoqata e shkrimtarëve “Ymer Prizreni” me në krye z.Bedri Halimi.

Në orën letrare të mbajtur me datën e lartshënuar morën pjesë këta krijues letrarë: Gëzim Ajgeraj, Nexhat Çoçaj, Ilam Berisha, Qazim Thaqi, Berat Batiu, Bedri Halimi, Ibrahim Skenderi, Ismet lecaj, Osmon Bojxhiu, Abaz Çengaj, Mirsad Kuteli, si dhe këngëtarët e njohur Vëllezërit Lecaj. Fillimisht të pranishmit me një fjalë rasti i përshëndeti dhe i falënderoi drejtori i shkollës Baki Avdaj. Arsyeja e mbajtjes së orës letrare, pikërisht në shkollën tonë është për dy arsye. E para se fshati ynë në luftën e UÇK 1998/1999 ka dhënë kontribut të madh. Në këtë fshat ishte një numër i madh i inkuadruar në radhët e UÇK-së, Spitali regjional ushtarak, Stërvitorja për rekrutimin e të rinjve, Logjistika, kuzhina, furra e bukës, shtabi i mbrojtjes civile etj. Dhe e dyta është se shkolla jonë çdo ditë e më shumë është duke arritur rezultate të mira në procesin edukativo-arsimor.

Në këtë orë letrare morën pjesë të gjithë mësimdhënësit dhe nxënësit e shkollës sonë, si dhe disa nga bashkëvendësit. Madhështore këtë orë letrare e bënë edhe prezenca e sekretarit të DKA-së në Prizren z.Idriz Kryeziu dhe drejtorët e shkollave Flurim Gashi dhe Ismet Buduri. Të gjithë krijuesit e fjalës së shkruar i prezantuan para të pranishmëve krijimet e tyre. Nxënësit e shkollës prezantuan një program të pasur kulturoro-artistik. Nuk munguan as këngët në këtë orë letrare. Këngëtarët e njohur Vëllezërit Lecaj me këngën kushtuar dëshmorëve të Vërrinit ia shtuan madhështinë orës letrare.

Nga kjo orë letrare përfituan të gjithë të pranishmit kush më shumë e kush më pak, por ma së shumti përfituan nxënësit e shkollës nga krijimet e krijuesve letrarë. Por fitimin më të madh nga kjo orë letrare e pati shkolla jonë duke iu falënderuar krijuesve letrarë, biblioteka e shkollës sonë u pajis me dhjetëra tituj të rinj të dhuruara nga shtëpia botuese Metafora dhe të gjithë krijuesit prezent në këtë orë letrare.


Malësi e Vërrinit-Lubiqevë, / 14.06.2015/,       

Drejtori i shkollës                                                                                              / Baki Avdaj /

 

 

F A L Ë N D E R I M 


Në emër të nxënësve të shkollës fillore dhe të mesme të ulët “Dëshmorët e Vërrinit” në Kushtrim (Billushë), në emër të arsimtarëve të shkollës sonë dhe në emrin tim personal, përzemërsisht falënderojmë Shoqatën Kulturore "Metafora”, përfaqësuar nga shkrimtari Gëzim Ajgeraj dhe Shoqatën Kulturore Ymer Prizreni nga Sharri, udhëhequr nga shkrimtari Bedri Halimi, të cilët, më 07.05.2015 bashkë me shkrimtarë shumë të nderuar nga rajoni, mbajtën orë letrare në shkollën tonë, për çka u jemi mirënjohës për atë margaritar shumë të çmuar letrar e artistik para nxënësve të shkollës sonë. Me këtë rast, shkrimtarët e pranishëm, si Gëzim Ajgeraj, shkrimtar i përmasave gjithëkombëtare, Bedri Halimi, shkrimtar, publicist e veprimtar i njohur i çështjes kombëtare, Ibrahim Skenderi, krijues i vlerave letrare, kontribues i arsimimit gjysmëshekullor, Ilam Berisha, veprimtar, shkrimtar e shpërndarës i dijes për shumë gjenerata të të rinjve, profesori Ismet Lecaj, shkrimtar i dashur për fëmijët dhe për të rriturit, shkrimtari dhe publicisti Abaz Cengaj, më i riu shkrimtar, i cili shihet se premton, Osman Bojaxhiu, e palodhura fare, shumë modestja, shkrimtarja Myrvete Kabashi – Leku, atdhetarja dhe shumë krenarja e kombit, shkrimtarja Xhyhere Maçkaj, Mirsad Kuteli krijues i talentuar, para të pranishmëve lexuan poezitë e tyre, të nivelit tamam profesional. Për të pranishmit, ishte një ditë shumë e veçantë, sepse, edhe ne, personeli arsimor, në veçanti nxënësit, deri me këtë rast, ishim mësuar vetëm të lexojmë krijime të shkrimtarëve, ndërsa, hera e parë ishte që, shkrimtarët i pamë dhe i dëgjuam të na shfaqeshin përpara nesh, duke na motivuar për lexim, ndërsa për nxënësit, motivim që nga gjeneratat e reja, të na dalin shkrimtarë, të cilët do t’i kontribuojnë vetvetes, në veçanti shoqërisë. Për të na nderuar, krijuesit mysafir, ndërmjet pikave të tyre programore, futën edhe nxënës nga shkolla jonë, të cilët, duke qenë pjesë e përfshirjes në atë përbërje, nxënësit u ndien të nderuar, të lumtur e shumë krenarë.

Ju faleminderit shkrimtarë!

Ju presim të na vini edhe herëve të tjera!!!

 

Kushtrim, më 10.07.2015

Me respekt të veçantë Florim Gashi, drejtor i shkollës

 

 

 

F A L Ë N D E R I M

 

Viti shkollor 2014/2015, për nxënësit e shkollës fillore dhe të mesme të ulët “Hasim Maliqaj” në Poslisht, ishte diçka më i veçantë. Më i veçantë sepse, në muajin maj 2015, nga krijuesit e shoqatës “Ymer Prizreni” nga Sharri dhe nga krijuesit e shoqatës “Metafora”, u mbajt orë letrare. Të pranishëm ishin shkrimtarë të cilët lexuan punimet e tyre, të cilët, përmes poezive të lexuara, te nxënësit tanë zgjoi interesim aq të madh, sa asnjëherë më parë nuk kishin përjetuar një aktivitet të tillë çfarë ishte ky takim letrar. Para të pranishmëve, ku kishte nxënës, arsimtarë po nuk kanë munguar edhe prindër të nxënësve, përfaqësuesi i shoqatës kulturore “Ymer Prizreni, Bedri Halimi, mbajti një fjalë rasti dhe u falënderua për mikpritjen bujare nga ana e nxënësve dhe të arsimtarëve të kësaj shkolle. Më pas, Bedri Halimi, tregoi edhe qëllimin e mbajtjes së kësaj ore letrare, duke thënë se ky fshat dhe fshatrat tjera në lokalitetin e Vërrinit meritojnë një respekt më të madh, ngase të gjithë e dimë rolin dhe kontributin e këtyre banorëve të kësaj ane, të cilët fare nuk kanë kursyer për t’i dhënë gjithçka çështjes së Kosovës, po edhe atë që është më shtrenjtë, gjakun për lirinë që sot po e gëzojmë.

Ndërkaq, shkrimtari, tashmë i përmasave botërore, Gëzim Ajgeraj, i cili jeton e vepron në Zvicër, tha se, para banorëve të trevës sime, nuk kam se si të qëndroj indiferent, kur e kam parasysh se këta banorë, duke i përfshirë këtu fshatrat në tërësi të Vërrinit, çështjes kombëtare i kanë dhënë shumë. Është krenari për këta nxënës e për banorët e këtij fshati që shkolla juaj e mban emrin e dëshmorit Hasim Maliqaj. Kjo që po bëjmë ne krijuesit, është më e pakta që mund të bëjmë, por ju premtojmë se nuk do të jetë kjo orë letrare e para dhe e fundit, por do të jemi të gatshëm sa herë që nxënësit ta shohin të arsyeshme, tha për të pranishmit, shkrimtari Gëzim Ajgeraj.

Në fund të orës letrare, shkrimtarët e pranishëm, shkollës sonë i dhuruan një sasi librash.

Përmes këtij shkrimi, dëshirojmë të falënderojmë të gjithë shkrimtarët, me shpresën se do të na vijnë përsëri për takime të këtilla.

 

Poslisht, 2015                        Drejtoresha

                             Venera Zhubi – Shala

 

 

 

M I R Ë N J O H J E

 

Këtë vit, shoqata kulturore “Ymer Prizreni” nga Sharri dhe shoqata kulturore “Metafora”, të cilat drejtohen, njëra nga krijuesi Bedri Halimi e tjetra nga shkrimtari Gëzim Ajgeraj, në shkollën tonë “Nazim Buduri” në Hoçë të Qytetit, kanë organizuar një orë letrare. Ky organizim, për nxënësit tanë ishte diçka e veçantë, sepse kurrë më parë nuk është mbajtur një orë e tillë çfarë është mbajtur këtë vit. Të pranishëm kishte krijues nga Prizreni e nga Opoja, krijimet e të cilëve, te nxënësit tanë zgjuan interesim të jashtëzakonshëm. Krijuesve të cilët ishin prezentë, në emër të nxënësve e në emër të mësimdhënësve përzemërsisht u jemi mirënjohës.  

 

Hoçë e Qytetit, 2015                 Drejtori i shkollës

                                                            Gazmend Krasniqi

 

 

 

 

PËRMBAJTJA

 

Fjala e redaktorit ......................................................................5

Fala e recensuesit....................................................................13

Pse hesht Vërri........................................................................19

Ibrahim Skenderi………………………………………....…23

Bedri Halimi……………………………………………....…31

Mirsad Kuteli……………………………………………..…51

Nexhat Çoçaj………………………………………………...57

Myrvete Leku ………………………………………....…… 61

Xhyhere Maqkaj …………………………………………….65

Osmon Bojaxhiu………………………………………….…69

Ismet Lecaj …………………………………………………..75

Qazim Thaçi ……………………………………………..….87

Ilam Berisha……………………………………….………...91

Berat Batiu …………………………………………………105

Abaz Çengaj..........................................................................111

Gëzim Ajgeraj ......................................................................117

Dy reportazhe nga Ismet Lecaj ..........................................147

Një falënderim nga Baki Avdaj ………………………….165

Një falënderim nga Flurim Gashi ……………………….167

Falënderim nga Venera Zhubi Shala ……………………169

Mirënjohje nga Gazmend Krasniqi ……………………...171

 

 

Gëzim Ajgeraj

PRANVERA POETIKE NË VËRRI

Antologji poetike e Metaforës 3

Botoi: Revista letrare Metafora

Faqe; 179

Prizren, 2015