Montag, 31. Januar 2022




KAPITULLI I PARË

 

   Në qytetin buzë Lumëbardhit, terri sapo kishte filluar të zbriste. Bora e Sharrit që  shkrihej, dhe shirat e pranverës, i kishin mbushur skajet e shtratit të lumit që gurgullonte rrjedhës teposhtë përmes qytetit. Uji që përplasej gurëve të shtatit të lumit, gjarpëronte valë të vogla që iknin furishëm rrjedhës, ndërsa shkëlqimi i dritave të qytetit, rrezatonte shkëlqim mbi ujin e bardhë.     

    Askujt s’i bënte përshtypje çiltërsia e ujit, pos Kolonelit, i cili, derisa kishte zbritur nga autoblinda, aty pranë lumit i hodhi një shikim pjesës së Nënkalasë së qytetit, që shtrihej deri buzë shtatit të lumit. Gjatë e kishte ëndërruar ardhjen në këtë qytet, por tani që po e shijonte bukurinë, gjatë kësaj mbrëmjeje, simpatia për të po i ndizej edhe më. Ditë pranvere.

    Gjethi sapo iu vesh pemëve e lisave që gjendeshin pranë shtëpive e malit mbi qytet. Petku i këtillë magjepsës, nën dritën e hënës kujdestare, ia shtonte bukurinë kësaj mbrëmjeje. Koloneli e njihte mirë këtë qytet. Edhe më herët e ka vizituar Kosovën dhe, sa herë zdirgjej këtej, nuk  ikte pa e vizituar Prizrenin. E lidhnin shumë ngjarje historike nga e kaluara me këtë qytet. Kishte lexuar edhe shumë libra për të, pastaj sa herë kishte ardhur me detyra ushtarake në kufi, asnjëherë nuk kishte pranuar të flinte në kazermë. Për qejfi e kishte pjesën e vjetër të qytetit dhe vendosej gjithmonë në hotelin përballë.  Ndoshta kishin ndikim tregimet e gjyshit, të babait, apo librat dhe, Koloneli, ndjente lakmi të madhe për këtë qytet. Tanimë që kishte hyrë në brendinë e tij, e ndjente melankolinë se, një ditë qyteti do të jetë i tij. Melankolinë, edhe më ia trazonin dosjet sekrete që i mbante të mbyllura në çantë.

   Para hyrjes në qytet, nga xhami i vogël i autoblindës, shikonte fushat që shtriheshin djathtas deri në rrjedhën e Drinit, ndërsa herë-herë në të majtë shikonte shpatet që ngriheshin deri në majat e Sharrit. Ato bjeshkë sikur e ngacmonin atë dhe çdo çast e kaplonte frika se, papritmas mund t’i vijë ndonjë predhë nga andej, ndaj vetëm djathtas shikonte. Sapo i pa shtëpitë e para të qytetit, dhe, sikur iu largua ankthi. Kazerma e ushtrisë serbe, që ishte mësuar ta shohë gjithmonë në anën e majtë të hyrjes së qytetit, nga aeroplanët e NATO-s qe rrafshuar me tokë. Tashmë, Koloneli dukej si i tërbuar.

   - Të poshtër! – e derdhi mllefin ndaj aleancës së NATO-s, që ato ditë vazhdimisht i goditnin caqet e ushtrisë së Kolonelit.

   Përtej shtriheshin copa muresh, rrënoja, makineri ushtarake e objekte  tjera të djegura deri në themel. Kjo ia shtoi trishtimin dhe frikën se luftën do ta humbnin. Megjithatë ai nuk jepej para përcjellësve të tij. Pamjet e vrazhda të këtyre goditjeve, sikur ia kërcënonin realizimin e misionit. I pari i tij e priste krenar atje lart në Beograd. Hë pra, ai duhej ta kryente misionin. Do të bëjë çmos. Do t’i shfarosë shqiptarët dhe do ta shkulë qytetin. Lavdia do t’i ngrihej atje në Kalamegdan. Mision i lartë në lavdin e tij. Gjatë atyre çasteve, iu kujtuan fjalët e të parit të tij që ia paskësh thënë përpara nisjes tek po ia jepte dosjet në dorë: "Ti do të jesh lavdia dhe krenaria e Serbisë". Qe rrëqethur derisa i kishte marrë në dorë ato dosje.

   Tani që udhëtimi mbaroi dhe ai kishte hyrë në hotelin buzë Lumëbardhit, e ndjente veten të çliruar, ndërsa ndjenja për çlodhje, ia ngacmonte dëshirën për pushim.   

     Nuk kishte kohë. Për pak qaste duhej të vinte delegacioni i komandës që mbahej një takim. E bëri një dush, ndërroi rrobat ushtarake duke veshur ato civile, dhe u ul pranë dritares së ballkonit të hotelit. Lëshoi një ofshamë çlodhëse dhe për pak qaste i mbylli sytë.

     Nuk e dinte nëse ishte lodhja nga udhëtimi apo ankthi që e kishte shoqëruar gjatë rrugës. Rreziku e priste ndoshta edhe pa menduar, ngase mund të sulmohej karvani ushtarak, qoftë nga ushtarët e UÇK-së apo nga avionët e NATO-s dhe ta linte kokën në Kosovë. Kjo frikë e kishte shoqëruar gjatë gjithë rrugës, prandaj e paskësh zgjedhur buzëmbrëmjen, ngase më pak mund të gjendej i sulmuar. Ky ankth e kishte dërmuar. Aq më tepër fjala e gruas së tij, Svetlanës, e cila përpara nisjes i paskësh thënë: Kosova ua ka ngrënë kokat e sundimtarëve gjithmonë, - të lutem mos shko! Ky zë i gruas së tij i kishte mbetur në vesh. U zgjua trembshëm nga ulësja ku po dremiste një sy gjumë nga trokitja në derë e kamerierit që i solli shishen e shlivovicës.

   - Më falni zoti Kolonel, ju solla rakinë e porositur, – tha kamerieri.

   - Hë, po, faleminderit! - Lëre aty mbi tavolinë, - foli me përtesë Koloneli, tek po zgjohej trembshëm, dhe sërish i mbylli sytë.

   Përballë hotelit u dëgjuan krisma armësh. Koloneli sërish u zgjua trembshëm. Nuk e dinte sa kohë i kishte mbyllur sytë, por trupi i dridhej nga plogështia që ia kishte krijuar ajo kllapi gjumi. Shikoi andej nga erdhën krismat. Përballë dritares së hotelit, shpatit përpjetë shtrihej lagjja “Nënkalaja”, siç e quanin vendësit që popullohej kryesisht nga bashkëkombësit e tij.

     Duhet të jetë ndonjë gëzim familjar, - mendoi me vete Koloneli, tek po e tërhiqte vëmendjen andej nga vinin zëra të ndryshëm të muzikës. Kjo po i bënte përshtypje Kolonelit. Ia kujtonte Valevën, Kragujevcin, Nishin, Beogradin.

     Gëzojnë bashkëkombësit e mi edhe këtu tha ai, derisa po i përcillte tingujt e një kënge nga muzika popullore serbe. Kush e di ç'festë do të bëhet ditën kur do ta futim Prizrenin në duart tona. Kjo edhe më tepër ia shtoi lakminë Kolonelit. Çudi, tha me vete, shqiptarët s'dëgjohen për të gjallë. Po, ç'bëjnë tani ata? Ndoshta flenë. Nuk është e mundur. Iu kujtua fjala e gjyshit kur i kishte thënë: Ata edhe kur flenë, janë të zgjuar. Kjo ia dridhi mishin Kolonelit. Shqiptarët... pëshpëriti ai. Ah sikur të mund ta fshija këtë emër nga faqja e dheut, shfryu plot mllef Koloneli.

     Ky është fundi i tyre tha, dhe shikimin e hodhi drejt çantës së tij që e kishte vendosur mbi një tavolinë aty përballë. Kjo e kthjelloi nga ajo kllapi lodhëse që po e mundonte që prej kohës kur ishte ulur mbi këtë ulëse. Filloi ta ngacmojë krenaria, se një ditë ky qytet do të jetë i tëri nën këmbët e tij dhe se fjala e tij do të jetë fryma e këtij qyteti. Me të do të lidhet gjithçka, ndërsa lavdia serbe, emrin e tij do ta shkruajë ndër të parët në histori. Ndihej i fuqishëm. Më i fuqishmi i këtij qyteti. Tani më nën çizmet e tij, ky qytet po i numëronte ditët dhe çdo gjë do të ndryshojë për pak ditë. Dhe, lavdia e Kolonelit, do t’i prekë majat e qiellit. Edhe atje në Beograd do t’ia lëshojnë vendin trimërisë dhe lavdit të tij. Do të jem më i merituari i perandorisë sonë, thoshte Koloneli. Ëndrra të këtilla luante Koloneli. Në derën e dhomës ku qëndronte, si në befasi trokiti shërbyesi i hotelit.

   - Ka ardhur majori, S.! - Ju kërkon z. Kolonel!

   - Thuaj se do të zbres poshtë së shpejti, - tha Koloneli.

   - Si urdhëroni, z. Kolonel! - tha shërbëtori dhe iku përtej derës.

   Koloneli u zgjua nga ulësja dhe zbriti shkallëve në katin e parë të restorantit të hotelit.