Gëzim Ajgeraj
KUR MENDIMI VIHET NËN TUTELË, ARDHMËRIA HUMB DREJTIMIN
Shtresa intelektuale në Kosovë -
sikur të mos ishte profilizuar e polarizuar nën tutelën partiake, por të sillte
në shërbim të kombit dhe ardhmërisë dijen, ndërgjegjen dhe zërin e saj, shumë
rrjedha e zhvillime në Kosovë do të kishin marrë kahje më të mirë
“Mendimi i papërkulur para
pushtetit është kolona e fundit që mban peshën e një kombi; kur ajo bie, çdo
tjetër ndërtesë bie bashkë me të.”
Busulla e humbur
Çdo komb ka
nevojë për një busull që nuk lëkundet kur era ndryshon drejtim. Kjo busull nuk
është as ushtria, as thesari, as as edhe vetë shteti si ndërtesë institucionesh,
është mendimi i lirë, ai zë që nuk flet për interes të ngushtë, por për të
vërtetën ashtu siç e sheh, edhe kur e vërteta është e papëlqyeshme për ata që
mbajnë pushtetin e ditës.
Kur ky
mendim vihet nën tutelë, kur trupi që duhet ta prodhojë atë, shtresa
intelektuale, bëhet vetë pjesë e lojës së pushtetit dhe jo gjykatës mbi të,
kombi mbetet pa busull në mes të detit. Anija lëviz, motorët punojnë, ekuipazhi
bërtet urdhra, por askush nuk di më nga po shkon, sepse ai që duhej të lexonte
yjet, ka pranuar të lexojë vetëm hartën që i jep kapiteni i radhës.
Kjo është
drama e heshtur e Kosovës së këtyre tridhjetë e ca viteve: jo mungesa e
mendjeve të ndritura, ato i ka pasur dhe ka me shumicë, por robërimi i tyre vullnetar, ose i detyruar,
brenda kornizave partiake. Intelektuali, në vend që të jetë pasqyra që i tregon
kombit fytyrën e vet të vërtetë, shpesh është bërë xham i lyer me ngjyrën e
atij që e mban peng, duke i treguar popullit vetëm atë që dëshiron pushteti të
shihet.
Metafora e kafazit të artë
Ekziston
një kafaz shumë më i rrezikshëm se kafazi i hekurt: kafazi i artë. Kafazi i
hekurt e di vetë se është i burgosur, e ndjen ftohtësinë e shufrave dhe
ëndërron lirinë. Kafazi i artë, në anën tjetër, e mashtron banorin e vet duke i
thënë se ai është pallat, jo burg. Brenda tij ka pozitë, ka rrogë, ka titull,
ka mikrofon në televizion, ka “karrierë”. Intelektuali që hyn në këtë kafaz
shpesh nuk e percepton veten si të burgosur — përkundrazi, ndihet i
privilegjuar, i zgjedhur, “i thirrur” për të shërbyer një kauzë që ia paraqesin
si kombëtare, ndërkohë që në themel është thjesht partiake.
Platoni, në
alegorinë e shpellës, na tregoi se robërit nuk vuajnë vetëm nga zinxhirët që i
mbajnë të palëvizshëm, por edhe nga hijet që i besojnë realitet të vetëm.
Intelektuali i tutelizuar është pikërisht ky rob i ri: ai nuk e ndjen zinxhirin
sepse i është thënë se hija në mur është dielli. Dhe kur dikush provon të dalë
jashtë shpellës për të parë dritën e vërtetë, shpellëtarët e tjerë, të mësuar
me errësirën e rehatshme, e quajnë të çmendur ose tradhtar.
Këtu fillon
tragjedia e vërtetë: jo se pushteti korrupton mendjen, kjo është e njohur prej
kohësh, por se mendja vetë, nga frika e vetmisë, nga nevoja psikologjike për
përkatësi dhe siguri ekzistenciale, kërkon vullnetarisht strehë nën një çati
partie.
Erich Fromm
e quajti këtë fenomen “ikje nga liria”, njeriu, kur liria i bëhet barrë e rëndë
përgjegjësie, ia dorëzon veten dikujt tjetër që të vendosë në vend të tij, në
këmbim të një siguri të rreme, por të ngrohtë.
Psikologjia e nënshtrimit gradual
Nënshtrimi
i shtresës intelektuale rrallëherë vjen nga dhuna e hapur. Ai vjen përmes asaj
që mund ta quajmë “korrupsion i qetë i shpirtit”: një ftesë këtu, një post
këtu, një grant atje, një emërim në bord, një rrjet miqësish që të mbron nga
kritika dhe të fut në rrethin e “të zgjedhurve”.
Psikologjia
sociale e ka studiuar prej kohësh këtë mekanizëm, Solomon Asch tregoi se
shumica e njerëzve, kur ndodhen përballë presionit të grupit, janë të gatshëm
të mohojnë edhe atë që shohin qartë me sytë e tyre, vetëm për të mos u ndier të
izoluar.
Nëse kjo
ndodh me perceptime kaq elementare sa gjatësia e një vije, ç’të themi për
çështje aq komplekse dhe të ngarkuara emocionalisht sa e ardhmja e një kombi,
ku pasojat e “devijimit” nga linja e grupit mund të jenë humbje e vendit të
punës, izolim social, madje edhe fushata denigruese?
Ekziston,
gjithashtu, ajo që psikologët e quajnë “disonancë kognitive”: kur intelektuali
bën një kompromis të vogël me ndërgjegjen e vet për të mbajtur pozitën, ai ka
dy rrugë; ose të pranojë se ka gabuar, gjë që lëndon rëndë imazhin e vetes si
njeri i ndershëm dhe i ditur, ose të ndryshojë bindjet e veta për t’i
përshtatur me veprimin që ka bërë.
Shumica
zgjedh të dytën, sepse është më pak e dhimbshme. Kështu, me kalimin e viteve,
intelektuali nuk gënjen më vetëm publikun, ai gënjen veten, dhe kjo është forma
më e thellë e robërisë, sepse robi që nuk e di se është rob, nuk kërkon më
çelësin e portës.
Niçe
paralajmëroi se “ai që lufton kundër përbindëshave duhet të ketë kujdes të mos
bëhet vetë përbindësh”; po njësoj mund të thuhet: ai që hyn në politikë për ta
pastruar atë, duhet të ketë kujdes të mos e humbasë veten në baltën që doli ta
pastrojë.
Intelektuali organik dhe intelektuali i shitur
Antonio
Gramsci foli për “intelektualin organik”, atë që del nga gjiri i shoqërisë dhe
artikulon interesat e thella të saj, jo interesat e ngushta të një klike apo
klase sunduese.
Por Gramsci
vetë e dinte se çdo grup pushteti prodhon edhe intelektualët e vet, ata që i
japin justifikim ideologjik dominimit ekzistues.
Në Kosovën
e pas-luftës, kjo dallim është bërë thelbësor: kemi pasur, e kemi edhe sot,
intelektualë organikë të kombit; zëra që
flasin për drejtësi, për shtet ligjor, për arsim cilësor, për shëndetësi
njerëzore, pavarësisht se cila parti është në pushtet. Por kemi pasur, në numër
shqetësues, edhe intelektualë “organikë” të partive; njerëz me dije e talent të
vërtetë, që e kanë vënë këtë kapital të çmuar në funksion të mbrojtjes së çdo
vendimi, çdo emërimi, çdo skandali, të krahut të tyre politik, madje edhe kur
bindja e tyre e thellë i thotë ndryshe.
Ky
polarizim ka një kosto që rrallë matet me shifra, por që është aq reale sa
borxhi publik: kostoja e humbjes së arbitrit të përbashkët.
Kur çdo
analist, çdo profesor, çdo gazetar i specializuar klasifikohet paraprakisht si
“i PDK-së”, “i LVV-së”, “i LDK-së” apo “i AAK-së”, publiku humb diçka
thelbësore; mundësinë për t’u orientuar drejt së vërtetës përmes një diskutimi
që nuk është thjesht luftë tranash.
Në një
shoqëri të shëndoshë, qytetari mund t’i drejtohet ekspertit për të kuptuar një
çështje komplekse; në një shoqëri të polarizuar deri në palcë, qytetari e di
paraprakisht “çfarë do të thotë” secili ekspert, sepse e njeh ngjyrën e tij
politike; dhe kështu, në vend të dijes, merr vetëm konfirmimin e asaj çka
tashmë beson.
Rasti i shprishjes së arbitrit të përbashkët
Ka një
moment domethënës në jetën e çdo shoqërie të polarizuar, kur qytetari i
thjeshtë ndalon së kërkuari të vërtetën dhe fillon të kërkojë vetëm
konfirmimin.
Kjo lëvizje
psikologjike, e njohur në literaturën bashkëkohore si “tribalizëm epistemik”,
nuk lind nga budallallëku i njerëzve të zakonshëm, por nga shpërbërja e
institucioneve që dikur luanin rolin e arbitrit: gazetaria e pavarur, akademia
e paanshme, drejtësia që nuk pyet për ngjyrën politike të palës.
Kur këto
institucione bien nën tutelë, qytetari mbetet i vetëm përballë një mori zërash
që të gjithë pretendojnë të flasin në emër të së vërtetës, dhe zgjedh, në
mënyrë krejt njerëzore, të besojë atë zë që i përket fisit të vet politik.
Karl Popper
e quajti shoqërinë e hapur atë shoqëri ku asnjë e vërtetë nuk konsiderohet
përfundimtare, ku çdo pretendim mund të vihet në sprovë publike dhe të rrëzohet
nga argumenti më i mirë, jo nga pushteti më i madh.
Por një
shoqëri e hapur kërkon domosdoshmërisht një shtresë intelektuale që e mban këtë
sprovë të gjallë, të pavarur nga interesat e ngushta.
Kur kjo
shtresë tërhiqet nga fusha e betejës së ideve dhe hyn në fushën e betejës për
poste, shoqëria e hapur ngushtohet ngadalë, pa u vënë re, derisa një ditë
qytetarët zbulojnë se s’kanë më asnjë burim të përbashkët të së vërtetës mbi të
cilin të bien dakord, as edhe për faktet më elementare.
Çmimi historik i heshtjes së mençur
Historia e
njerëzimit është plot me momente kur zëri i një shtrese intelektuale, i çliruar
nga tutela, ka ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve.
Vaclav
Havel, dramaturgu që u bë president, shkroi se “fuqia e të pafuqishmëve”
qëndron pikërisht në refuzimin për të jetuar në gënjeshtër; sepse regjimi, sido qoftë ai, mbahet në këmbë
nga bashkëpunimi i heshtur i të gjithëve, edhe i atyre që e dinë të vërtetën
por zgjedhin të heshtin për rehati.
Kur
intelektualët çekosllovakë vendosën të mos e luanin më lojën e gënjeshtrës
kolektive, sistemi që dukej i pathyeshëm u shemb brenda muajsh, jo vitesh.
Alexander
Solzhenitsyn, nga thellësia e gulagëve, na la një thënie që duhet gdhendur mbi
portat e çdo institucioni akademik: “Dhuna nuk mund të fshihet pas asgjëje
tjetër përveç gënjeshtrës, dhe gënjeshtra nuk mund të mbahet në këmbë përveçse
me dhunë. […] E gjithë ç’i duhet njeriut të ndershëm është të mos marrë pjesë
në gënjeshtër.”
Mos-marrja
pjesë, jo domosdoshmërisht heroizmi
spektakolar, por thjesht refuzimi i heshtur për të qenë instrument i një
narrative që e di se është e pjesshme apo e rreme; është forma më elementare,
dhe njëkohësisht më e fuqishme, e lirisë intelektuale.
Edhe në
traditën tonë, kemi shembuj të kësaj force: dijetarë e klerikë të Rilindjes
Kombëtare, që nën perandori dhe nën presione të jashtme, zgjodhën t’i shërbenin
gjuhës, arsimit dhe ndërgjegjes kombëtare, jo interesave të ngushta të
momentit.
Sikur ata
të kishin bërë llogari të vogla partiake apo krahinore, sot ndoshta as alfabeti
i përbashkët nuk do të ekzistonte. Kjo trashëgimi na kujton se detyra e
intelektualit nuk është konjukturale, ajo shtrihet përtej mandatit katërvjeçar
të çdo qeverie.
Ç’do të kishte ndodhur sikur
Le ta
lejojmë veten të hyjmë, për një çast, në hapësirën e “historisë alternative”, jo si ushtrim naiv fantazie, por si mjet
filozofik për të matur koston reale të asaj që kemi humbur.
Sikur
shtresa intelektuale e Kosovës, në vend që të ndahej sipas parapëlqimeve
partiake, të ishte organizuar si trup i pavarur ekspertize, ashtu siç
funksionojnë akademitë e shkencave apo urdhrat profesionalë në shoqëritë e
konsoliduara, çfarë do të kishte ndryshuar konkretisht?
Së pari,
reforma e arsimit nuk do të ishte bërë peng i çdo ndryshimi ministri, por do të
kishte ndjekur një vizion afatgjatë, të bazuar në evidencë pedagogjike, jo në
agjendën politike të katër viteve.
Së dyti,
sistemi shëndetësor do të kishte pasur mbikëqyrje profesionale të pavarur nga
presioni i emërimeve partiake, dhe skandalet e përsëritura të prokurimeve
mjekësore ndoshta do të ishin parandaluar përmes një zëri ekspert që do të
fliste me të njëjtën forcë pavarësisht se cila parti ishte në pushtet.
Së treti,
dialogu Kosovë-Serbi do të kishte pasur pas vetes një front akademik e
diplomatik unik, që do t’i kishte dhënë shtetit fuqi negociuese shumë më të
madhe, në vend që çdo palë politike të përdorte ekspertë të vet për të minuar
pozicionin e palës tjetër brenda vendit.
Së katërti;
dhe kjo është ndoshta më e thella; vetë kultura politike e qytetarëve do të
ishte tjetërsuar.
Një popull
që sheh se dija flet me një zë, pavarësisht ngjyrës politike të pushtetit,
mëson të besojë te institucionet dhe te e vërteta e verifikueshme.
Një popull
që sheh se çdo “ekspert” është thjesht zëdhënës i maskuar i një partie, mëson
diçka shumë më të rrezikshme: se e vërteta vetë është relative, se gjithçka
është çështje force dhe interesi, se s’ka arsye të besosh askënd përveç fisit
tënd politik.
Ky
nihilizëm i heshtur, i mbjellë gjenerata pas gjenerate, është ndoshta dëmi më i
thellë e më pak i dukshëm i tutelës intelektuale, sepse ai nuk shkatërron një
ministri apo një projekt, ai shkatërron vetë themelin psikologjik mbi të cilin
ngrihet besimi qytetar.
Kombi si pasqyrë e ndërgjegjes së tij
Immanuel
Kant shkroi se ndriçimi (Aufklärung) është “dalja e njeriut nga mosmoshatakia e
vetëshkaktuar”, paaftësia për të
përdorur mendjen e vet pa udhëheqjen e dikujt tjetër, jo për mungesë intelekti,
por për mungesë guximi.
“Sapere aude - ki guxim ta përdorësh mendjen
tënde”, kjo ishte thirrja e tij. Shtresa intelektuale që zgjedh tutelën
partiake në vend të guximit të pavarur, riprodhon në shkallë kombëtare
pikërisht atë mosmoshatakinë që Kanti e quante skandal të arsyes njerëzore.
Winston
Churchill, në një kohë të
errët për vendin e tij, thoshte se “çmimi i madhësisë është përgjegjësia”, dhe
se asnjë komb nuk mund të pretendojë madhështi nëse ata që e udhëheqin
mendërisht ikin nga pesha e përgjegjësisë për të thënë të vërtetën, sado e
hidhur qoftë ajo.
Nelson
Mandela, nga ana e tij,
na kujtoi se “arsimi është arma më e fuqishme që mund ta përdorësh për ta
ndryshuar botën”, por arsimi pa ndërgjegje të pavarur, i orkestruar nga
interesa partiake, nuk prodhon armë çlirimtare, prodhon vetëm instrumente të
reja nënshtrimi, të veshura me gjuhën e dijes.
Kombi, në
fund të fundit, është pasqyrë e ndërgjegjes së shtresës së tij mendore. Nëse
kjo pasqyrë është e thyer në copa partiake, çdo fytyrë që shikohet në të del e
shtrembëruar, e ndarë, e paqartë.
Nëse
pasqyra rikthehet e plotë; jo homogjene në mendim, por e ndershme në qëllim,
kombi mund të shohë veten ashtu siç është vërtet, me virtytet dhe të metat e
veta, dhe vetëm atëherë mund të vendosë me maturi se ku dëshiron të shkojë.
Drejt një busulle të re
Nuk bëhet
fjalë, sigurisht, për të kërkuar nga intelektualët të mos kenë bindje politike,
kjo do të ishte kërkesë naive dhe në thelb antidemokratike, sepse çdo qytetar,
edhe ai me dije të thelluar, ka të drejtë të votojë, të besojë, të mbështesë.
Bëhet fjalë
për diçka tjetër, shumë më delikate: për aftësinë për ta ndarë bindjen
personale nga gjykimi profesional, për guximin për ta kritikuar “të vetin” kur
gabon njësoj siç kritikohet “kundërshtari” kur gabon, dhe për refuzimin për ta
shndërruar dijen në armë të luftës së pushtetit, në vend që ta mbajë atë si
shërbim ndaj së vërtetës dhe kombit.
Kjo kërkon,
para së gjithash, një riparim të brendshëm psikologjik: çlirimin nga frika
ekzistenciale që e shtyn intelektualin drejt kafazit të artë, dhe rindërtimin e
një etike profesionale që e vlerëson më shumë respektin afatgjatë të historisë
sesa favorin afatshkurtër të pushtetit të ditës.
Kërkon
gjithashtu institucione; akademi, universitete, shoqata profesionale, që të
mbrojnë pavarësinë e vërtetë të anëtarëve të tyre, në vend që edhe ato vetë të
bëhen fusha beteje partiake.
Sikur kjo
shtresë të gjente rrugën drejt kësaj lirie të re, jo liri nga përgjegjësia, por
liri nëpërmjet përgjegjësisë, Kosova nuk do të kishte më vetëm politikanë që
luftojnë për pushtet katërvjeçar, por edhe një ndërgjegje kombëtare të
përhershme, që qëndron mbi valët e çdo cikli zgjedhor, ashtu siç qëndron një
far mbi shkëmb, i palëkundur, ndërkohë që anijet e ndryshme kalojnë poshtë tij,
njëra pas tjetrës, drejt destinacioneve të veta.
Përfundim: Drita që nuk duhet t’i takojë askujt
Vlen të
kujtojmë, në këtë pikë përfundimtare, edhe një paralajmërim që vjen nga një
traditë krejt tjetër filozofike, ajo e Hannah Arendt-it, e cila studioi
nga afër se si sistemet totalitare të shekullit të njëzetë nuk u ngritën vetëm
mbi terror të hapur, por edhe mbi atë që ajo e quajti “banalitetin e së keqes”,
gatishmërinë e njerëzve krejt normalë, madje edhe të arsimuar, për të pushuar
së menduari në mënyrë kritike dhe për të ndjekur thjesht urdhrat, rolet,
pritshmëritë e sistemit në të cilin ndodheshin.
Arendt
shkroi se aftësia për të menduar, jo thjesht për të njohur fakte, por për të
vënë në pikëpyetje, për të gjykuar në mënyrë të pavarur, është pikërisht ajo që
e mban njeriun larg nga bashkëpunimi i verbër me çdo formë padrejtësie.
Një shtresë
intelektuale që heq dorë nga ky mendim kritik, qoftë edhe pa e vënë re, hap
rrugë jo domosdoshmërisht për tirani të hapur, por për diçka më të heshtur e po
aq të dëmshme: për normalizimin e pandershmërisë si mënyrë e zakonshme e të
bërit politikë.
Mendimi i
lirë i ngjan dritës së diellit: kur e ndan sipas pronarëve, kur i thua bimës
“ti rritesh vetëm me dritën e këtij krahu, jo të atij”, çrregullon vetë ligjin
e natyrës që e bën një pyll të gjelbër e të shëndetshëm.
Drita e
dijes, që buron nga shtresa intelektuale e një kombi, nuk i takon asnjë partie,
ajo i takon të gjithëve njëkohësisht, ose nuk është më dritë, është vetëm
reflektor i drejtuar nga dikush drejt diçkaje që dëshiron ta nxjerrë në pah,
duke lënë pjesën tjetër në errësirë të thellë.
Kur mendimi
vihet nën tutelë, siç e thotë edhe titulli i këtij shkrimi, ardhmëria vërtet
humb drejtimin, jo sepse nuk ka më njerëz të mençur në këtë vend, por sepse mençuria
e tyre është e ndarë, e frenuar, e drejtuar kundër vetes në beteja të vogla që
s’i shërbejnë askujt përveç atyre që përfitojnë nga kaosi i përhershëm.
Rruga drejt
një ardhmërie me drejtim të qartë kalon, para së gjithash, përmes çlirimit
të kësaj shtrese nga zinxhirët e padukshëm të tutelës, dhe rikthimit
të saj në rolin që i takon natyrshëm: jo shërbëtore e pushtetit
të radhës, por ndërgjegje e përhershme e kombit, zë që flet kur
të gjithë të tjerët heshtin nga frika apo interesi, dhe busull që
nuk lëkundet, sido që të fryjë era e politikës së ditës.
2026
