Montag, 20. Juni 2022


 Gezim Ajgeraj, poezi nga libri: Magma e shpirtit

Uverturë

 

Nga parzma e shpirtit

e nxori fjalën

e për të vdiq

në logun e vargjeve


Në logun e fjalës

 

Na kërkoi një etje majë e mendimit

Në logun e fjalës atje ndër maja

Herën e parë na i ranë dy fjalë dhimbjeje muzës

Herën e dytë na ftoi tek fronti i vargut

Sa pak ia kishim njohur fuqinë e fjalës

E sa thellë na kish gërmuar nëpër ajkën e mendimit

Se mos na i kapnin litarin e fjalës

E të na i lidhnin mendimit gojën

Guximit të saj hante dhe koka koha

E për frontin e fjalës i duhej gjak mendimit

E nesërmja e dritës na donte faqebardhë

Lum kush i dha dritë muzës

Dhe e mbolli lulen e fjalës


Poetët

 

Nga koka, nga mendimi

kapën ngacmimin e muzës

 

dhe gjumin e natës i prishën

me një mijë halle, me një mijë derte

 

as fjalën s’e lanë të flejë

e torën nëpër shtëllunga vargjesh

 

me më të bukurat e pemës së fjalës

mbëltuan dhimbjen e shpirtit

 

mbi fletën e bardhë i mbollën dhimbjet

tek i shkulën nga shpirti

 

nga më të bukurat këngë nga më të bukurat fjalë

i dhanë dritë vargut

 

      2022


Nën pemën e vargut

 

Nga më të bukurat e pemës së muzës

zgjodhi  frutat e frymëzimit

 

nga më të bukurat e mendimit

mblodhi frutat e fjalës

 

jetë i dhanë mendimit

për mbijetesën e fjalës

 

nga pema e frutave të vargut

mbëltoi këndshëm e nesërmja

 

lum kush mbëltoi

nën pemën e vargjeve

 

     2022


 E lumja poezi

 

Nga muza

le ta ushqejmë frymëzimin

dritë së nesërmes

 

gjak e asht

le t’i japim mendimit

le të rrojë përjetësisë

 

vetëm ai që di të vdesë për fjalën

jetë i dha vargut

 

e lumja poezi 


Aksiomë kohe

 

Nga koka, nga mendimi

E zhveshën njeriun

 

I dhanë dhe pak politikë

Në vend të shafranit

 

Një daç pije njëherësh

Në daç ngadalë

 

Kur ia helmuan muzën

E lanë pa asgjë

 

Medet ç’ shpëlarje logjike

Na i bënë kokave

Gjithçka e përpiu helmi


Inercia e smirës

 

Nëpër llapërçinën e baltës së fjalëve

nuk i dilet m’ atë anë ligësisë

pa ia spërkatur gjuhën vetvetes

 

gjuha e ligë nxjerr helm

e fjala e saj fle në një strofull me gjarprin

djallit asnjëherë s’iu pre e liga

 

kujt i ka zënë myk mendimi

të nesërmen s' e sheh

e sotmja vegullon nën thjerrën e dritës

 

ndaj e liga ka fut rrënjë në këtë mes

e na pipon si metili mbi koka

mendimit të mirë i ka zënë pritë

 

se kush kujt të ia përbaltë fjalën

 

        2021

------------------------

*LLAPËRÇINË f. 1. Baltë e hollë në vende a në rrugë të shkelura, llucë; vend me baltë të tillë. Rrugë me llapërçinë.



Saga e vargut

 

Burimeve të thella

Të muzës së mendimit

Ia kërkuam frymëzimin

 

Krojeve të bardha

Të fjalës

I dhamë jetë vargut

 

Horizontit të hapësirave

Të guximit

Rritë e kemi

 

Për dritën e bardhë

 

    2022

Mos vdis për së gjalli

 

Në u bëfsh

Bëhu lule

Në frymëzimin e stinës

 

Në u bëfsh

Bëhu rreze

Të ndriçosh jetën

 

Kurrë mos u bëj

Gjethe e tharë

Në degët e jetës

 

I vdekur për së gjalli

Mos qofsh kurrë

 

      2022

Himn i çastit

 

Nga një gurgullimë

e moçme

na rrodhi mençuria

 

Stina në stinë

dhe mosha në moshë

e poqën mendimin

 

Drita për të nesërmen

dhe fjala

e gjetën veten në varg

 

Në mos u zgjofshim nesër

të paktën sot

i ndezëm një kandil vetes

 

     Zvicër, 2022



 Poezi nga libri: Vegimet e heshtjes, Gëzim Ajgeraj


Vegimet e heshtjes

 

Janari me të ftohtit janë bërë një mbi Alpe

në degën e thatë kanë çelur lulet e acarit

ditës ia ngrinë edhe frymën e fundit të shpirtit

 

të djeshmen e motit të përtejmë s’dua ta kujtoj

ka ngrirë diku në acarin e ditës së parë të janarit

bashkë me dhimbjet e lëna diku në retrospektivë

 

me dy duar mbi heshtjen

shtrydhim imazhet e kristalta

tek ia numërojmë motet e udhëve të përmallta

 

përtej vegimet e mallit ikin tinëzisht

pa lejen time e as pasaportë s’marrin me vete

kryq e tërthor i bien kthimeve

 

me agimin e përtejmë të imazheve

ngrohim shpresat e motit të saponisur

se e nesërmja e fundstinës na pret diku larg

 

nisja nëpër vegime të përmallta

seç më ngrohu çastet e kësaj heshtjeje vrastare

dita mori imazhet e kristalta përtej xhami

 

     Grabs,  Zvicër, 16 janar 2022


Çaste vegimi

 

Për një çast ra heshtja

Përballë syrit të pranverës përtej dritareve

Këtij udhëtimi të gjatë t’ia mbyllja sytë

E për pak imazhe përtej mallit e këtij harrimi

Çastet po ktheheshin në vegime, i djegur nga ky përmallim

Pranvera në Vërri po ma freskonte ballin

E syri i saj si një e posaçelur shkëlqente hapësirave

Në kullën time të braktisur qysh moti

Plisbardhi ulur mbi gurë përpara derës

Po e këndonte këngën e stinës në heshtje

Tek përqafonte gëzimet e rikthimit të nipave dhe mbesave

E nëna s’po i mbante lotët këtij vegimi

Përtej xhamit të cafe post diku në Alpe

Çasti i vegimit u thye si një kristal

Dhe u kthye në dhimbje që përmallshëm pikoi

Për plisbardhin që moti kishte ikur në botën e përtejme

Dhe nëna, eh, nëna e djegur mallit për ne

 

                   Mars, 2022, Zvicër


Përtej vegimeve të moshës

 

Erëra të forta vegimesh

mbushin trastën e kujtimeve

dhe me vete marrin nostalgjinë

e moshës së lënë diku

në pritje të ëndrrave të thyera

që s’u mbetën as copëza shprese

për të nesërmen

 

nga copëzat e ëndrrave të thyera

ngritën kalanë e zhgënjimeve

që asnjëherë s’ia panë 

as shkëndijën e dritës

të së nesërmeve të imagjinuara

 

nëpër ato vegime të trishta

nata alpike me ngjyrat e saj të zeza

na i kish pikturuar dekadat e arratisë

në pelerinën e mashtrimeve

dhe me to po e luante

lojën vjeshtës së vonë

mbi kokën time të stërlodhur

 

        2022, Zvicër

 

Dëshpërimi

 

Heshtjes i vegojnë të bërat e të pabërat

Mëngjesi pikon përtej, nata heq perden e zezë

Kujtesës na i duhej të bluante të thëna e të pathëna

Miell e as krunde s’mbetën në magjen e mendimeve

Koha shterpë numëron pritje, ikjet e thata

Kokës së moshës ia rrihnim pamëshirshëm fajësinë

Toleranca e tepruar ishte strukur si një struc nën fajin

Agut që po pikonte dritë zhvisheshin të pathënat

Herë- herë po i bluante vetëmëvete mulliri i zhgënjimit

Dhe në çdo faqe që rihapej shihej një fytyrë tjetër përtej

Drita e ditës që po zbardhte ndriçonte si një kandil mbi zhgënjimin

E heshtja që iku me terrin po hynte horizonteve të reja të mendimit

Dëshpërimi aspak nuk e theu pos tjetërsimit në tjetër njeri

 

                Mars 2022, Zvicër

Vegime me vjeshtë

 

Asnjë lajm, as letër e as fjalë nuk zbriti sot

Mëngjesi ia behu i athët i ftohtë vesa mbi

Alpet ishin zgjuar herët me rrezet e para të diellit

Faqet po ia fshinin ngadalë shkrepave të mjegullta

E vjeshta si nuse e plakur shpalos bukurinë e vonë

 

Përtej vegimeve të mia, dita shtrohet përmallshëm

Pelerina e vjeshtës plot kolorit shtrohet mbi shtatin e Vërrinit

Herë si nostalgji e herë si kujtim merr udhë malli

E zbret mbi pemët vjeshtore atje ndër vreshta

Nëna, eh nëna, orë e çast ia helmon mallit tek porta

Dhe ujit shpresat e pritjes për bijtë larg

 

Vetmia alpike ndrydhet heshtjes nëpër mall

E me copëzat e moteve larg kronikon udhët

Dhe imazhin e verdhë të vjeshtës së vonë

Për kthimet që u thinjën mbi kokë

E s’erdhën më

 

         Grabs, nëntor, 2021

Motmoti në sekuenca të retrospektivës

 

Nga fletët e fundit të kalendarit në ikje

Pikojnë si flluska bore vegimet e imazheve të motmotit

Mbi pelerinën e  retrospektivës së ditëve  

Akuareli i kujtimeve pikon si një kolorit abstrakt

Ku e bardha me të zezën përzihen mbi panelin e muzës

Dhe fjala herë merr imazh lumturie e herë dhimbjeje

 

Nga horizonti i motit dielli pikoi me racion

Në karantinën e qiellit të kontaminuar ajrit i vunë maskë

Liria e njeriut u fsheh në serumin e shiringës

Dashurisë ia vodhën simbolikën e përqafimit

Puthja u bë makth e hyri në listën e zezë

Zogjve ua vodhëm përshëndetjet

 

Nga fletët e udhëve udhët mbetën udhë

Dhimbjet e largësive shëruam me melhemin e fjalës

Herë - herë zjarri i mallit përflaki muzave të mendimit

E iku pa fjalë përtej kronikave të mallit

Dhe përsëri u bë mall

 

Nga fletët e përditshmërisë së Atdheut

Kronikat e kalendarit të ditëve asnjë ditë s’na harrojnë

Ditët e Atdheut nëpër kronika

Mbi panelin e monitorit

As edhe një lajm i vetëm s’na mungon

 

Edhe fletën e fundit të kalendarit në ikje

E mbyllëm në një arkiv përmallimi në Alpe

 

                      Fundviti, 2021

Akronim i dhembjes

 

Më kot dal fushave të polenit

E mbledh lulet e bukura të fjalës

Ta zbukurojmë mendimin për brezat

 

Kot i marrim mish ashtit të muzës

Ta ushqejmë etjen e fjalës

Për gurrat e vargut të së ardhmes

 

Kot i ndezim kandil vetes e digjemi mbi fjalën

Shtrydhim edhe lëngun e fundit të shpirtit

Për melhemin e bardhë të vargut

 

2.

 

Nëse u them se ecja jonë është fushë me lule

Apo fole ku ëndrrat tona gjejnë preh

Vetëm për të ndriçuar rrugëtimin tuaj

Edhe nëse them se udha jonë po lulëzon

Se bukurive tona na e kanë lakmi të tjerët

A nuk e kam mashtruar dhe fjalën time

 

3.

 

Me të ardhmen tonë shekujve po tallen të tjerët

A nuk na i grabitin ëndrrat e fatit tonë

A nuk na i shterin krojet e kullave

A nuk na e zhbëjnë farën e etnisë sonë

A nuk na i hanë një nga një kokat

A nuk na i grabisin një nga një edhe tokat…

 

4.

Ja pse mashtrimit tuaj nuk ia vizatoi parajsën

As vegullisë së mendimit t’i zgërdhihem si sharlatan

S’dua t’i them të zezës kurrë e bardhë e të bardhës e zezë

As t’i himnizojë kohës që s’ndjell dritë

S’dua t’u duartrokas bajraqeve të fiseve atje tek sheshi

As ata që më shkelin mbi kokën e atdheut…

 

5.

Ndaj fjalës shpesh m’i mungon buzëqeshja

Shpirtit moti ia kam lidhur dhimbjet që plagët

mos të kullojnë

E në arenën e dritës vënë e kam mendimin e bardhë

Për të nesërmen e dritës së vonuar

 

                2021, Zvicër

 

Sonte me natën

 

Me natën sonte u grindëm deri vonë

jo dhe rrallë zihemi e shtyhemi me njëri - tjetrin

se kush ta ngritë flamurin e bardhë me mëngjesin

vërtetë ajo më ka mundur shpesh e dorëzuar

por as unë mangët nuk ia kam lënë

 

sonte bluam bashkë në mullirin e kujtimeve

nga Alpet ikëm mallit diku në vërrina

një nga një i shpalosëm fletët moteve

fëmijëria po rritej ndër lisa të Malësisë

rinisë mishëruar ideali i pranverave të kuqe të Kosovës

që hapin po ia ndiqnin me hënën bishat e zeza

arratia i kish mbetur porta e vetme e shpëtimit

koka ndër duar dhe një grusht mbi shpinë

 

sonte me natë s’ vumë gjumë në sy

se kush do të ia dilte m’ atë anë me flamurin e bardhë

e t’ia tregonte përrallën më të bukur mëngjesit

të zymtë alpik

dhe fletës së bardhë e mallin e arratisur larg

 

          Grabs, nëntor 2021


Sonntag, 19. Juni 2022

Gezim Ajgeraj, poezi, Agmia e fjalës, recension nga Prenda Sejdia, Lezhë


• GJUHA E ARTIT LETRARË DHE PSIKOLOGJIA FILOZOFIKE

 R E C E N S I O N

 Libri; "AGMIA E FJALËS" nga Gëzim Ajgeraj 

 

1 • Në vështrimin Estetik.

 

Bukuria e artit në vëllimin poetik AGMIA E FJALËS janë vlerat e shprehura me mjeshtëri të thellë kuptimi e përceptimi dhe lën hapur çështjet mbi të cilat flitet për shijet dhe ndjenjat poetike të vëllimit, ku bukuri e fjalës të obligon dhe motivon të përfshihesh në kërkim të definicionit mbi vlerat poetike.

     E kemi thënë e thënë që moti se Estetika në poezinë e Ajgeraj-t i vjen më së miri për shtati  pasi në poetikën e këtij vëllimi gjenden gjithë elementet poetike, prandaj lehtësisht shprehem se 'poezitë janë aq interesante dhe me vlera të jashtëzakonshme.

     Kjo thuhet për të gjithë ata që dinë të lexojnë dhe t'i japin vlerat e merituara vargut dhe poezisë, e cila ndriçon mëndjen me mendësi të thelluar e me disiplinë të fortë filozofike, me nivel të lartë artistik dhe duke ngritur poezinë në nivelet më të larta të letersisë.

     Ndriçon të vërtetën e bën ta kuptosh madhështinë e fjalës dhe vargut, ndikimet dbe funksionimi në art e estetikë gjithashtu. 

     Estetika dhe intuita poetike, imazhet dhe metaforat apo instikti poetik, krahasimet a mesazhet, padyshim janë shumë dimensional.

Nga guvat e shpirtit gurgullojnë njohuritë e kristalta e peshqesh na i bën përvojat dhe i përjetojmë në të lexuar,  pasi përmes fjalës ia kuptojmë thelbin estetik të shpirtit, ku gjendet dhe zanafilla e mirëfilltë e artit poetik të poetit i cili i përsosë me sukses.

     Brenda këtij vëllimi takon të magjishmen, madhështoren, të bukurën, fantastiken, pra e gjitha Estetikë në poezi e cila shton rëndësinë e komunikimit por dhe ndikimit gjithsesi, pra takon estetikën si disiplinë filozofike, si rrjedhë e zhvillimit dhe pasurimit në varg.

     Ama, poeti është i lidhur ngusht me të kuptuarit filozofik të universit ku është pjesë.

     Përmes fjalës përcjell kuptimin e thellë të shpirtit poetik ku gjuhës dhe artit të mirëfilltë i kushton rëndësi të veçantë, por dhe artit të mirëfilltë poetik me fjalor tejet të pasur, pasi në botën e magjishme sjell bukurinë e mendimit të fjalës.

     E magjishmja në poezinë e Ajgeraj-t është arti filozofik, trajtimi me finesë në varg dhe forca e saj e gjithë brumi poetik, të surprizon pasi risia   ishte të prekësh majat si një rrugë mjaft e mprehtë e letersisë;

 

Seç më mban peng ideali

Dhe ajo bjeshkë e ndarë atje majë mali

Dhe ai gurë

Mbi plagë ç'më rëndon

 

Shpesh ma zë rrezen e diellit mbi Kukës

E me pamjen e brishtë

Dritën ma verbon mbi Prizren 

 

Eh, kam një jetë që ia kam vënë syrin

Se si erdhi ora

Se diellin me copëza po e shoh

 

     Malli dhe ndjenja për bashkimin kombëtarë çirret e buçet.

A nuk zë vend këmbëkryq estetika filozofike mbi këto vargje kaq të bukura, të ndjera e të veçanta.?!

     Ama edhe plot elemente, të cilat për lexuesin janë magji, nxit e provokon përjetime të forta emocionale e impresionuese ku spikat intelekti me plot horizonte të reja, duke përdorur intuitë dhe inteligjencë të pashembullt.

     A nuk e përjeton krijimtarinë e cila të krijon impulse të forta artistike por ama edhe mendimin e thelluar filozofik me kapacitet mjaft të dukshëm poetik tek fluturon drejt majave të letërsisë shqiptare, dhe artikulon qëllimet poetike e përçon mesazhe të shtetërore ,intelektuale, ky mjeshtër i domethënies e kërkimit, zbërthimit e kuptimit të sistemit filozofik të shpirtit, të shoqërisë dhe raporteve ndër shtetërore, ndaj kërkon ekuilibrat e duhur.

     Poeti rend pas befasisë apo figurës artistike  idesë apo vargut poetik, ky individualitet i poetikës së kohës, pasi komunikimi i brendshëm shpirtërorë e artistik nuk u ndërpre kurrë me artin e tij poetik.

     Ndaj na ka afruar klas e finesë me spontanitet sa për ta patur zili, me figuracion modern të gjuhës poetike.

Seç përsosë qënien poetike brenda vetvetes.

 

• 2. Toleranca satanike dhe Ballkani i vogël. 

 

Ideali për Atdhe e Komb, qe i lindur në shpirtin e madh të poetit, ndaj ecejaket e ngadalta plot djallëzi që nëpër Atdhe e sidomos katër dekadat e fundit, të cilat qenë zhytur në errësirën e shekullit të shkuar por dhe shekullit ri.

     Përmes vargjesh e metaforash ligjëron ligësitë e stisura mbi vendin tonë, shtëpitë, trojet dhe assesi që mund të pajtohet me realitetin që shekujt ia pasuan njëri- tjetrit, ndaj dhe përmes vargjeve, përcjell pikëllimin që ruan brenda shpirtit.

     Mashtrimi me plot ndjesi ankthi e përjeton ende, sepse mbi plagë, koha ende pikon helm, ndaj vjen me vargje magjike plot zemëratë dhe pikëllim, ndonëse besimi duket se nuk gjen shteg.

     Burimi i artit poetik tek poeti është muza e tij, ndaj e shpie në kësi përjetimesh me emocione të forta dhe e mbulon si dielli tokën në gjithë Ballkanin e Vogël, por autori s'ndalon veçse këtu, ama ai shkon akoma më tej.

Ai përjeton dhe hedh duf mbi çdo brengë e sfidë që përjetoi apo përjeton ende etnia e tij, falë gjithë episodeve të pafundme që u stisën nga "kaçakët e botës ".

 

Me paqen ende jemi larg

Gjuhë e Satanës mbeti e paprerë 

E zeza përmbi çatinë e fqinjëve ende pikon

Eurpa mbeti se mbeti hile e shitur

 

Në arenë vërtetë s'duken gladiatorë 

As publik që moti, shtypur kokën e kanë

Po se krimi vazhdon kuluareve

Eh, kjo tregrare hartash s'harroi zanat

 

Me paqen çdo ditë grindet satana 

I mbetet se i mbetet kjo gjuhë pa prerë

Gjarprin duhet shtypur në kokë

Po kush, kjo Europë e hileve

 

Për të zezën e fqinjëve ishin dyndur Karpatet

E me gjuhën e gjarprit i kishin fol Ballkanit

As sot e kësaj dite se harruan trashëgimin

Europa po dehet argëtimit

Duke lëmuar kokën e satanës.

 

     Për Ajgeraj-n, poezia është filozofia e bukur e fjalës së shkruar artistikisht e veshur me metaforë.

     A nuk tregohet më së miri filozofia e fjalës në vargjet e mësipërme ku brenda tyre mbartin historinë e shekujve.?!

Metafora është filozofi më vete dhe ngre në majat poetike nivelin e poezisë.

     Gjithë dredhitë që Ballkani dhe Europa ua stisën shqiptarëve, autori e sjell përmes vargjeve ku kanë aq shumë kuptim e domethënie mbi rikujtesat historike të vjetra e të reja e ua përcjell gjeneratave ndodhitë , madje i nxit të jenë njohës të mirë të rrënjëve të tyre dhe historive të shqiptarëve. 

     Gjithsesi kur shkruhen, studjohen e s'harrohen, pasi Ballkani e pa teatrin e njohur e regjizorët e krimit me aktet e moçme të inskenuara e lojra vrastare.

"Këlysh satane, rritur në oborrin e satanës 

     Skena për krime të reja për publikun e Europës që akoma ju duken hijet

     Kryeaktor bisha me shajkash e gjarprin mbi kokë që kur zbriti Karpateve të njëjtin rol e luan për argëtimin e Eurpës dhe kopilët e saj".

     E vlerësoj lart moralisht autorin kurajoz, që thepon me kunjat e fjalës ligësitë dhe djallëzitë që u mbollën e korrën dhe ende loja vazhdon.

     Aman o Zot, kaq pa fat ky popull i zgjedhur prej perendive, apo në mos jemi edhe ne pak fatkëqinj të kohës se sytë nuk po i hapim dot për ta gjetur shtegun e duhur.?!

     Duket se akoma gjendemi në skenën e re por me regji të vjetër, e kësaj radhe kryeredaktor një kopil i satanës zgjedhur është, dhe për viktimë kanë zgjedhur një zog shqiptari.

     Europa, kjo shtrigë e gatshme për të duartrokitur në teatrin e krimit.

     Ky zë thellësisht tronditës, i mprehtë dhe me fakte të qëndrueshme e bartës i dhimbjeve të njëpasnjëshme të mëmëdheut,  trajton prapaskenat nga djallëzorë të observuar,  që banditizmin e kanë të mbjellë në shpirt.

     Për ata që përdornin marifetet dhe indiferencën ndaj vlerave reale, prandaj vargun e sjell si mesazh për vigjilencë në kategoritë kohë dhe hapësirë.

     Por, hapësira mbetet ende ëndërr, pra hapësira e ëndërrës është mjegullnajë, mjegull e errët historike, mjagull nga ato që e ndalon dhe dritën e diellit, se paqja e liria janë ende larg.

Po me ëndërrën ç'do bëhet.?!

     Poeti përmes fjalës e vargut e imagjinata artikulon emocione përmes filizofisë.

     Si poet i madh i Kombit hedh dritë mbi errësirën dhe i vetëdijshëm se historia mund të përsëritet e vë në pah djallëzitë njerëzore të bujtura më parë dhe i qorton në mënyrë të dyanshme për intolerancë dhe vigjilencë, ndaj përdorë energji e forcë fjale dhe kohën e vën në dispozicion absolut për ta shndërruar në mision.

Sepse Pena shkruan për njerëzit dhe fatet e tyre.

 

• 3. Malli, kjo ndjenjë  që djeg e përvëlon. 

 

Eh, ç'ti them më shumë mallit.

Mendja e syri bëjnë sikur flenë.

     Malli të djeg e përvëlon sikur një përbindësh i padukshëm dhe eksploron indet e tua.

     Gjërësia gjeografike e pakufishme, forca e fjalës dhe thellësi mendimit, cilësi e lartë, brumë, stili i poetit ta servirin të gjallë mallin.

     Ndaj sikur i vie era shkrumb, e pse jo shpesh sikur prek hirin. 

     Poezia, malli, metafora, ky trinom formon trekëndëshin plot madhështi dhe e përjeton përmes elementeve, me të cilat ka krijuar universin poetik dhe gjendet fenomeni MALLË.

     Kjo filozofi që shpërthen në mallë, bën lexuesin e tij ta zbërthejë vargun dhe perlat e mallit i prek plot elegancë e stil, ndaj Malli zë vendin kryesorë si element.

 

PËRTEJ MALLIT

 

Në të marrshin 

furtunat e ikjeve 

ruaju harrimit

 

mos u bëj 

krahë dallendysheje 

në qiellin e erërave

 

as strofull 

malli 

në folenë e udhëve

 

bëhu

zog shqiponje 

në gjirin e etnisë

 

ruaju harrimit

 

A nuk është kjo poezi, këto vargje a fjalë gjithçka thashë më lart.?!

"Bëhu zog shqiponje në gjirin e etnisë",

Sepse në finesat e vargut gjendet fuqia krijuese dhe është brumosur në themelet e poezisë.

     Peng e mban malli poetin, për Atdheun dhe etninë e tij, Vërrinin që e don sa jetën, ndaj përndjek kjo ndjenjë, aq sa zëri buçet mbi tokat e Kosovës.

     Për gjithçka ndjen mallë dhe nostalgji e ndaj e përjeton me emocion, por çdo çast përcjell mesazhe dashurie për vendlindjen, kullat, të moçmit e çfardo tjetër që i përket mëmëdheut.

Ai i këndon në telat zemrës rikthimeve.

Duket sikur i këndon me pika loti.

Eh këngët, këngët prodhojnë nostalgji.

Ama, nxitin dhe optimizëm se e ardhmja pritet ti sjellë ngjyrat e ylberit, sepse dhe ylberet dalin pas shiut.

Mallin e nostalgjinë, sa shumë i ruan poeti.

Poeti spikat përmes vargut.

Ndaj shkencërisht është shumë lart.

 

• 4. Etja për fjalën, kjo gjuhë e artit.

 

"Krojeve të rrjedhës së saj e pi etjen e s'di pse s'kam të ngopur".

Fjala shqipe e vjetër sa vetë jeta, u fol, u shkrua, vijoi udhëtimin deri më sot e ruhet si gjëja më e shtrenjtë për ne.

     U kultivua e përsos dhe sot jeton më bukur se kurrë.

Evoluan brezat, gjithnjë e kultivuan për ta përsosur qoftë në dialekt apo dhe në standart.

     Specialistë dhe studiues të ndryshëm, punuan për strukturimin e saj të plotë.

Qëllimi është gjithnjë;

     "Një komb, një gjuhë, një standart", e në tërësinë e fjalës gjithmonë e gjen botkuptimin, pasi FJALA lind si nevojë për të plotësuar komunikimin në format më specifike të profesionalizit si strategji në avancimin e të shprehurit të gjuhës bashkëkohore amtare.

'Fjala a Etja për Fjalën '.

     Fantazia për krijuesin është aq e përafërt me botën reale, në premisa të kapshme logjike plot ndjenja emocionale për lexuesin duke e shpalos ndjenjën në vargje.

     Me figuracion shpon muret, thyen kalatë e bien perandoritë, mendimin e lidh në litarë,  "mister dhe mision ".

     Sa mllef ndaj egersisë së njeriut dhe zemërimin shpreh dukshëm tek mbytet kënetave të muzës.

Zot, ç'kumt i pangopësisë, në mënyrë të përsëritur, ama ndryshon formë.

     Potentialin poetik përmes fjalës e shpalos në format më të përshtatshme, plot finesë dhe hermetizëm.

Përmes thellësisë mendimit sjell vargje që flasin për një jetë plot dinamikë, por elementet reflektojnë në vargje duke ngacmuar imagjinatën.

     Por magjia e vargut arrin qëllimin përmes mesazheve që përçon tek lexuesi.

     Në gjuhën e vet, shohim se çdo varg ka impulset trazuese të ndjenjës dhe arrin t'i përceptojë si përjetim por dhe e përçon këtë ndjenjë përmes fjalës. 

     Tek zbret deri në pellgjet e fundit të dëshirave, e flatron deri ku digjen ylberet e saj, e prapë në fundin e saj notoi me algjet.

     Fjalë dhe fjalë, etje në pafundësi, sepse misteri i ethshëm fshihet prapa magjisë saj.

     Kur flet me gjuhën e artitit të të shkruarit, do të thotë të jetosh.

     Autori i afron FJALËS gjithë bujarinë e shpirtit, dashamirës, babaxhan, gjithmonë aq lezetshëm, e kjo është më e fortë se koha.

     Edhe pas shumë dekadash, kur njerëzit do kthejnë sytë tek kjo botë e vjetëruar, që do ju përkasë gjyshërve a stërgjyshërve të tyre, FJALA për ta do jetë ende e re.

     Sepse do të rrojnë përjetësisht bashkë me vargun, ashtu si     Matrënga, Budi, e shumë e shumë të tjerë, do të rrojnë në poezitë e përsosura ku do gjendet sërish

      "Etja për Fjalën ", pasi gjuha bën akrobacira të vërteta dhe vargjet lozin e kërcejnë, borbullohen apo përpiqen ta gabojnë njëra- tjetrën pasi brenda ka teka të fuqishme dhe e patundshme qëndron metafora mbi nuancat më të holla.

     Ama të vetëdijshme për forcën e fjalës dhe dytësinë e mendimit estetikisht tejet e mrekullueshme dhe esencën e vrojtimit e distilon nga moria e larmishme e ngjyrave.

Autori në këtë vëllim vjen unison me vetveten, gjithçka e dalë nga shpirti brilant me ndjenjë e përkushtim në përzgjedhjen e fjalës, dhe FJALËN e sjell këndshëm me të gjitha elementet e saj, me përkushtim mbi artin e të shkruarit me kuptim, bukuri e finesë, duke arritur nivelet më të larta të artit poetik e letërsisë bashkëkohore shqiptare në çdo temë a poezi.

Për këtë do jeni mirënjohës brezat e sotëm dhe të së ardhmes.

Kam shkruar tashmë për autorin mbi 50 Recensione, dhe flas me përgjegjësi, se fuqia e tij krijuese kapërcen çdo përmasë.

     I uroj autorit jetëgjatësi dhe mendja e Pena mos t'ju ndalojë kurrë së krijuari dhe suksese të reja.

     Uroj të vijë sa më lehtë e këndshëm për lexuesin e gjërë.

     Udhë të mbarë librit.

 

                         Prenda Sejdia 

                  Lezhë 1 Qershor 2022