Freitag, 26. Februar 2021


RECENSION 

Prenda Sejdia



Gëzim Ajgeraj: ETJE NË FJALË, Poezi

  Nëse do t’i referohemi letërsisë së avancuar bashkëkohore, Gëzim Ajgeraj, zë vend si poet, shkrimtar, prozator, dramaturg, kritik letrar, etj.

Ka botuar romane, monografi, tregime e ese, a vëllime të shumta poetike të stileve të ndryshme.

     Me një kontribut të pashoq në fushën e kulturës dhe të artit letrar në tërësi dhe veprimtarisë së botimeve.

Ndërlidhet në mënyrë të veçantë me revistën vjetore tashmë mbi njëzetvjeçare, “Revista Metafora”, kjo revistë shumë e rëndësishme për poetet e, madje, poetët e rinj në veçanti, pa dyshim dhe Kosovën.

Gëzim Ajgeraj gjendet në krye të atij klasifikimi me shumë vepra e botime, duke sjellë për lexuesin e gjerë brenda e jashtë kufijve shumë shkrime e krijime interesante.

     Kështu që bota e tij krijuese, strukturat përmes njohurive të pafund, diapazonit të gjerë dhe dashurisë së pakufishme për artin dhe letërsinë, ku shpalos hareshëm e plot finesë efektin stilistik figurativ dhe estetik.

ETJE NË FJALË

Vepra poetike e radhës: “ETJE NË FJALË”, e cila përbëhet nga 78 poezi, ku dëshmon një konceptim mahnitës ky poet me vizion e botë të madhe, që vazhdoi në gjurmët e Borgesit, ndaj dhe shprehet me definicion se poezia është shprehje e së bukurës nëpërmjet fjalëve të thurura me finesë dhe në mënyrë artistike. Në këtë vëllim, përmes vargut poetik, shpërthen me trajtat e ligjërimit mbi aktet e kthimeve dhe përvëlimit të mallit, duke shprehur ëndrrat e pafundme për atdhe, përmes forcës së fjalës, ku fjala brenda magjisë së vet krijuan atë figuracion artistik ndër vargje dhe kështu jep imazhet reflektuese, kur brenda muzës së mendimit lind ideja se në vete mbërthen një kohë të gjerë, ku mbështjell vitet në mërgim.

/Ç’pikoi pena e fjalës vesës së mendimit

/Dhe ngriu në varg si një kokërr vesë

/Zjarrmi e përmalltë ma shkriu pendimin

/Mbeten metaforat pa pikë e pa presje

Nëpër këto vargje “Motiv me mall” plot metafora, ku vargu i tretë tregon atë ndjeshmëri që fiton një farë çlirimi, ku mendja e krijuesit shpik lëndën ku:

“Zjarrmi e përmalltë ia shkriu pendimin” me një ndjenjë epike dhe tragjike, ku heroi na prin brenda muzës së mendimit, ku brenda vargjeve kërkon hapësira, ku mall dhe brengë i shpreh përmes metaforave dhe thellësisë mendimit.

     Në fakt, çdo poezi ka ndjeshmërinë dhe ritmin e saj. Që të funksionalizojë parimin krijues është e natyrshme të parapëlqejë kodin tematik dhe estetik.

     Në krijojmë përfytyrimin dhe shpërfytyrimin e harresës, mahnitjes, ikjes, durimit, vetmisë, mallit, plagëve, krizave, klithmës së lirisë, shënjestrës së armikut, lashtësisë, errësirës e dritës, mungesës e shpresës, etj., të cilat janë trajtuar ndër tema të shumta e të larmishme të këtij vëllimi.

Situatat dhe ngjarjet, detajet dhe rrëfimet metaforike zbulojnë fuqinë e dimensionit dhe kuptimin e ndjeshmërisë së thellë të atdhetarisë mbivendosur në relacionet midis stilit, figurës a ritmit.

     Kjo cilësi e formëson deri në ngurtësim e hera - herës botën e poetit, duke shpërthyer në sfondin e përjetimeve, ku renditen sipas shkallës përjetimit, pra, ku ka mall e dhimbje ka dhe shpresë.

Aty ku mendohet se ka harrim, ka më shumë dashuri.

/Unë jam këtu qysh se puthej toka me qiellin

/Rrënjët i kam thellë në zemrën e tokës e kokën kah qielli

/Rojë i bëj shekujve kah parakojnë furtunshëm këtejpari

/I bëj roje tokës, kullave, lashtësisë stërgjyshore 

/Dhe shqip i flas dheut bjeshkës të m’i ruaj këngët

     Kush janë qirinjtë e galaktikës së Gëzim Ajgeraj në këtë vëllim poetik, ku përpiqet të kapë ndriçimin, spërkat ndjenjat e mendimet, si autokton brenda vendit stërgjyshor, ku ndjenjën shpirtërore e lidh me zemrën e tokës dhe qiellin si mbulesë? Tregon krenari të pamasë për ekzistencën shumëshekullore apo bërjen ballë të furtunave të fuqishme, që kanë përjetuar brezat, dhe forcën e pamat që tregon kohërat, por edhe premtimin që i bën vetes për të përmbushur amanetin e të parëve. Por, edhe dëshirën e madhe e dashurinë e pamasë ndaj kullave të lashta stërgjyshore e ndjenjën e thellë për tokën mëmë.

     Por edhe forca e mendimit mbi ruajtjen e gjithçkaje që trashëgoi. Pra, kjo është pikërisht fuqia filozofike e poezisë dhe majat e fjalës brenda së cilës shkrihet e fshihet një botë e thellë mendimi, si botëkuptim i logjikës së thellë e fuqisë intelektuale të krijuesit, ku forcën magjepsëse të tij e shohim brenda kësaj filozofie të vargut.

     Fantazia për krijuesin është shumë e përafërt me botën reale së cilës i referohet, duke krijuar premisa të kapshme e logjike e ndjenjat emocionale të lexuesit dhe shpaluesit e ndjenjës së vargjeve.

Kur e them këtë, sigurisht parafytyron lexuesin e imagjinon atë, sepse do të ishte vetëm imagjinata dhe hija që përcjell, ndaj vargu do t’ia krijojë atij që e shpalos vargun.

/Me tërbim korbash ranë bishat e veriut

/Vranë prenë e dogjën gjithçka rrotulluan së prapthi

/Medet ç’egërsirë është njeriu fatkeqësi e kësaj toke

     Kumt i frikshëm, që përmenden shpesh ndër vargje e poezi, me mllef ndaj egërsisë së njeriut dhe dukshëm shpreh zemërimin në fjalë se bishat e veriut u dyndën mbi atdhe dhe përshkruan mes zemëratës maskaradën që përjetoi njerëzia.

    Me figuracion e sjell njeriun egërsirë që djeg, pjek e shkatërron ç’i del përpara, ndaj ndjenja që përjeton poeti për njeriun e kthyer në egërsirë vjen në mënyrë të përsëritur në tekst, por në forma të ndryshme, me frymën e trajtave gjuhësore dhe kap efektin stilistik, figurativ dhe estetik.

     Forma më e përshtatshme për të shpalosur potencialin që mbart autori brenda vetvetes është dhe gjendet brenda artit dhe magjisë së tij, pasi është shija njerëzore që ngacmon njeriun, ku gjithnjë ushqen shpresën dhe frymëzimin për tokën stërgjyshore atdhe e komb. Ndaj, brenda vargjeve gjejmë ato elemente që ngacmon imagjinatën e reflekton në vargje.

Pra, sado e fuqishme të jetë dhe vlera të mëdha artistike të ketë, gjithçka varet nga ndjenja e shijes që ngacmon lexuesin.

    Në këtë vëllim poetik të stilit për të rritur s’ka se si të mos të bien në sy poezitë e gjata plot brendi, finesë dhe hermetizëm.

    Vargje, ku flasin shumë sa një jetë e tërë me thellësi mendimi, ku përmes fantazisë shprehet në art, duke u kthyer misionar i prirjes së zhvillimit dhe i ecjes njerëzore me largpamësi marramendëse brenda boshtit të temës dhe poezisë. Pra, muza e poetit është edhe burimi i artit të poezisë, ku bart shpirtin e epokës së caktuar, ku përcaktohen vlerat, që ka ky lloj arti, siç është  ky vëllim poetik.

    Poeti si një shkronjës, këngëtar, i cili të bukurën e shpirtit e transmeton përmes fjalës, është magjia e vargut, pasi është fryma e tij e kënga e shpirtit.

     Zëri që na josh në poezi, jo vetëm me vargun, por me një krijues, ku shkrihet i gjithë shpirti dhe mjeshtëria e artbërjes.

/Ju mbushulloi drita nga rrezet e mallit

/Të mos ju mbyt hije e largësive 

/Edhe kur harrimi verbon

     Vargu nis nga individualja. Bëhet mesazh apo thirrje për një shoqëri të gjerë me të njëjtat ndjenja, karshi mallit e largësive, rrjedhimisht, mbi interesat kombëtare, ku vjen si shkëndijë dhe dritë që hap shtigje, ta ndjejmë, ta shohim a ta prekim përmes vargjeve, me shkëndija dritëdhënëse, ku fjala bie mbi auditorin e gjerë, ku qëndron magjia e vargut, ku nga një ndjenjë individuale që ndjen poeti e përcjell te publiku i gjerë.

 Magjia e vargut ka arritur qëllimin përmes mesazheve që ka përçuar tek shoqëria e gjerë.

Për poetin, poezia është kënga e shpirtit që merr udhë përmes mjeshtërisë së fjalës dhe diapazonit të gjerë të tij.

    Nuk flas për klasifikim të muzikës, por shembulli përkon me afërsinë që e bën atë dhe dëgjuesi është afër tij, duke pikasur ndjenjat që ju krijon dy palëve.

Them se mjafton përshkrimi mbi përafrimin mes këngës dhe poezisë, gjithashtu, edhe këngëtarit e poetit.

Pra, sa më shumë ta zbërthejmë botën e brendshme të poetit, si dhe poezisë e artit poetik, aq më brilant e gjen e plot larmi koloriti.

     Në këtë vëllim poetik fuqia e fjalës është tejet e dukshme.

     Thënia e Robert Luis Stevenson se: “MATERIALI I POEZISË ËSHTË FJALA, E FJALA ËSHTË DIALEKTIKA E JETËS” u kthye në motiv për Gëzim Ajgerajn, pasi rëndësia e vendosjes saj në vendin e duhur ka shumë peshë, sepse nga mjeshtëria e vendosjes së saj do të varej bukuria, estetika, fuqia e poezisë, mesazhi e ndjeshmëria e saj te lexuesi. Jo gjithmonë për fjalën në varg, autori nuk e mendon si fjalë të përditshmërisë, por atë e mendon si metaforë pasi aty ai fsheh botën e filozofisë dhe mendimit të thellë poetik.

Ashtu si Borgesi edhe Ajgeraj thotë:

“POEZIA MUNDOHET TA SJELLË GJUHËN NË RRËNJËT E VETA”.

     Fakti se brenda artit të poezisë ruhen, trashëgohen, por dhe krijohen fjalë, të cilat i pasurojnë fjalorët deri në përsosmëri të tyre, duke e transformuar në simbolikë e metaforë, që i japin  kuptim vargut apo poezisë e shndërruar atë në kuptimësi të gjerë, ku ngacmon imagjinatën e lexuesit, pasi magjia e fuqisë së fjalës së autorit ndez shkëndijat e shpresës përmes vargut poetik.

     Pastaj muzikaliteti te poezitë e këtij vëllimi dhe tingëllima e fuqisë së tij tek depërton thellë brenda shpirtit të atij që e lexon atë - janë mjaft të rëndësishme për poezinë.

/Arën tonë e korrte xhandari i veriut

/As edhe qiranë e tokës s’na jepte

/Me pushkë i ruante sheshet

/Që rrezja e diellit nis të zbriste në tokë

Një makth i thellë që gërryen ndjenjën e autorit, për gjestin barbar të ushtruar mbi bashkëkombës, pushtimi që i bëhet një populli a kombi të copëtuar.

Armët që janë të dukshme sheshit sa ta kall krupën me atë egërsi sundimi, që pllakos e sjell ethshëm ndër vargje, si një kohë e errët dhe e paharrueshme që shoqëria përjetoi.

     Dhe, në mënyrë filozofike, përmes vargjeve plot metafora, përmes ankthit shton edhe mungesën e rrezeve të diellit, ku përmes këtyre vargjeve sjell njëmijë kuptimësi e mesazhe më vete në formë të plotë dhe imazhin që jep në gjuhën e shkruar, ku gjatë leximit të vargjeve ndjehen gjithnjë këto problematika.     

     Ndaj, konstatojmë se në gjuhën e vet secili varg ka impulset e veta në trazimin e ndjenjës së të konceptuarit.

     Poeti përmes këtyre vargjeve nuk flet për individualitetin, por për ndjenjën e shumicës që arrin ta perceptojë.

Poeti ka bërë përzgjedhjen e metaforave, pasi i njeh, identifikon dhe i jep, duke përkuar me emocionet e përzgjedhjen e tij dhe formulon vargjet, duke krijuar ngjashmërinë e mesazhit.

    Gëzim Ajgeraj ia ka arritur që lexuesi të ndjejë atë që ka ndjerë ai si një përjetim çasti, duke përçuar këtë ndjenjë përmes fjalëve.

     Pa dyshim, se ky libër është pjesë e letërsisë së avancuar, bërthamë e letërsisë bashkëkohore, që këtij autori do t’i kushtojë në historinë e letërsisë, duke qenë model frymëzimi dhe përcjell ide për studime të reja për poetët a studiuesit, si dhe shkrimtarët bashkëkohorë, duke bërë që ky libër të meritojë vlerësim maksimal.

     Urimet mia më të sinqerta për poetin, por edhe për lexuesin e Gëzim Ajgeraj! 

Suksese librit!

 

                    Lezhë, 12.12.2020


Sonntag, 14. Februar 2021

R e c e n s i o n

 KUR ENGJËJT FLASIN GJUHËN TËNDE

 Gëzim Ajgeraj: “RRËFIMET E DOKTORIT”, Roman, SHKYP, Prizren, 2019

 Tek kthen kokën mbi gjurmët e shekullit të kaluar, vështirë që të ketë ndonjë bir dardani që historitë e rënda shokuese të krijuara nga okupatori verior sundues mos të t’i numërojë disa nga familja a farefisi, pa diskutuar më pastaj ato atdhetare, që plagët s’patën të shëruar. Por, krahas edhe virtytet e qarta njerëzore në çfarëdo rrethesh që  gjendeshin, flitet për trimëritë dhe, mbi të gjitha, zemrën prej guri e shpirtin tejet atdhetar, që për dardanët lufta për liri e dashuria për Atdhe e Komb gjenden në ADN- në e tyre. Ai atdhetarizëm që ju valon ndër deje si rrallë populli a kombi mbi rruzull.

     Populli shqiptar i Kosovës, gjatë pushtimit serb përjetoi vitet më të egra e më brutalet, që mund të përjetojë një popull me luftë, vrasje, djegie, shkatërrime e nga gjestet më çnjerëzore mbi dhe.

     Ama, kur Pena e poetëve, apo e shkrimtarëve i sjell histori të ndryshme të ndodhura në troje shqiptare, sikur të kaplon ajo ndjesi frike, paniku e tmerri, a sikur po i përjeton torturat, pasi jo më kot thuhet: “Kur ndjen dhembjen tënde është ndjenjë, ama kur ndjen dhembjen e tjetrit ajo bëhet e vërtetë”. Ndaj, kur lexojmë këto histori kaq të trishta e shokuese nga histori të ndryshme e reale, të sjella në letërsi me një cilësi të lartë krijuese e stili, me ngjarje e personazhe reale ( negativ dhe pozitiv ) të ndara në kampe pushtuese e mbrojtëse.

     Në romanin: “Rrëfimet e Doktorit”, doktori vjen si figura kryesore në roman. Një personalitet pozitiv e me karakter të fortë, i zgjuar, profesionist, i brumosur në atdhetarizëm, plot kulturë e durim, i arsimuar e specializuar në mjekësi, konkretisht mjek kirurg, që rridhte nga një familje me ndjenja të pikasura atdhetare e patriotike.

Në sajë të binomit Histori- Letërsi, vjen për lexuesin ky roman i gërshetuar në formë, stil e përmbajtje me rrëfime e mesazhe pafund, duke pasqyruar atë realitetin e hidhur që përjetuan gjeneratat në Kosovën Dardane ndër dekada të shekullit XX.

     Tek po shijonin kafen e pasdites dhe rrjedha i kishte përfshirë brenda çështjes kombëtare në Atdhe, Humën dhe Anin, pasi e donte si birin e saj, zilja e telefonit bie dhe ndërkaq dëgjohet zëri i doktor Betimit nga Atdheu. Ani u gjend mes njoftimesh të reja dhe gjendjen që ndodhej Atdheu i tij, por, kryesisht, edhe thirrja që i bëhej si i besuar për të shërbyer ushtarëve të luftës, pasi zjarr qe e tëra.

Lajmi për të atin e sëmurë e trazoi, por mbi të gjitha Atdheu i vlonte mbi kokë. Ai filloi të planifikojë mbi detyrën e rëndësishme që iu komunikua si drejtues i Spitalit Ushtarak të Vërrinit, detyrë kjo mendoi me vete dhe me përgjegjësi të madhe.

     Autori e sjell figurën e doktorit si një njeri që e do dhe e përqafon jetën, por mbi të gjitha një njeri me zemër të madhe atdhetare, pasi për doktorin populli i tij e Atdheu nuk kishte asnjë çmim.

     Por, edhe vendosmërinë që ky personazh përmes peripecish, vuajtjesh e rreziqesh, që i kanoseshin mori vendimin e rëndësishëm për t’u kthyer në Atdhe dhe kontributi i tij do të jepej për Vërrinin e Kosovën dhe vlera ishte e gjitha mbi to.

Pena e autorit përshkruan doktorin porsi një engjëll të ndërgjegjësimit, i cili përpiqet që gjithmonë të jetë i kujdesshëm me praninë e tij. Ndaj, sikur e kompleton këtë qëllim dhe jeton plotësisht çastin, sikurse ndodhi edhe në stacionin e autobusëve në Sarajevë, që gjatë orarit të pritjes, bombardimet filluan dhe ashtu të traumatizuar doktori gjendet krejt rastësisht pranë një fëmije, që humb ndjenjat, por me mjeshtërinë e doktorit e rikthen në formën e mëparshme shëndetësore.

Doktori një njeri tejet i ndjeshëm, jetonte me kujtimet ndaj sikur i printe një tregim i gjyshes, ku lidhej me yjet e qiellin, i shikonte ato me kujdes sa herë që rrinte netëve të freskëta.

     Eh, gjyshja, thoshte doktori, tek bisedonte me heshtjen e gjithnjë e më shumë e brengoste fati i përkeqësimit të situatës.

     Ç’nuk bëjnë egërsirat për të grabitur tokën e të tjerëve, - kjo është çnjerëzore, -mendonte doktori.

     “Evropa kishte bërë pazare me Fuqitë e Mëdha dhe shqiptarët i kishte ndarë e copëtuar nëpër shtete të ndryshme, duke i kthyer në pakica.

Tanimë edhe ajo copë Atdheu, që e dinte për të tijin, po rrezikohej, mendonte më vete doktor Ani, ku Serbia po e mbushte me kolonë dhe ardhacakë për ta ndërruar strukturën e popullsisë. Ashtu dhe Gëzim Ajgeraj përjeton fatin e rëndë historik të popullit të tij nën thundrën e të huajit, këtë peshë të rëndë.

     Ndjenjë e mllef plot urrejtje kjo Penë, ashtu, si dhe doktori për barbarin e veriut që pati ushqyer nëpër histori, dukej sikur donte të shpërthente.

Udhëtimin trinom Sarajevë- Beograd- Atdhe, ku mbi një kodrinë atje në Malësinë e Vërrinit, që shihej si në pëllëmbën e dorës, doktor Anin po e priste, doktor Betimi, i cili i pati njoftuar për kthimin në Atdhe.

Kishin kohë pa u takuar.

     Kthimi në shërbim të misionit, thotë Ajgeraj, erdhi si përgjigje e thirrje e Atdheut dhe e luftës për liri.

     Pikërisht misioni i kthimit të doktorit nga Sarajeva si burim frymëzimi dhe ushqim i shpresës së madhe ndaj popullit për bashkim, do të ishin fuqia e ndryshimit të atij realiteti që vriste çdo orë e çast.

    Biseda me doktor Betimin ishte frymëzuese për të, por klima e ashpër që ishte krijuar e bënte shumë të kujdesshëm doktor Anin pasi, kishte krijuar shumë iluzione e strategji për t’u shërbyer qytetarëve në ditët më të errëta të historisë.

Misioni vazhdoi me inspektimin e zonës, identifikimin e  objektit, si dhe përcaktimin e vendosjes së Spitalit Ushtarak të Vërrinit dhe UÇK-së, që drejtohej nga Shtabi i Përgjithshëm dhe Rajonal i Prizrenit.

     Doktori u kthye pranë familjes, ku po gjente çaste të çmallej me familjarët, por gjendja e rëndë e babait e brengoste, pasi nga profesioni e dinte dhe fundin. Kjo gjë e shqetësonte së tepërmi dhe këtë sikur e parandiente edhe vetë babai, por ndjente admirim për të birin dhe investimin që kishte bërë për arsimin e tij.

      Doktori ishte inkuadruar tashmë me shumë angazhime, ndërsa babai uronte të bijtë në suksese dhe vendit i uronte liri e ditë të bardha.

     Tek shfleton ndër fletët e këtij romani historitë dhe vlerat e patjetërsueshme për nga origjinaliteti, rrjedha e ngjarjeve të njëpasnjëshme, që Ajgeraj i trajton me shumë delikatesë i lënë vend njëra- tjetrës, duke dhënë përshtypjen e filmave horror, që seritë e tyre ta ngjallin krupën, sa hera - herës bën krahasime me gjallesat e xhunglës. Ama si arkitekt i ndërtimit dhe i thellimit të njohurive deri në detaje dhe zgjerimit të botës letrare me karakter historik në këtë roman na sjell vështirësitë specifike dhe “rëndesën”, që mbartte ajri i Atdheut, që përcillte në çdo aspekt pa harruar se diku në cep të Atdheut humanizmin e një shoqërie e krijojnë elitat intelektuale, ndaj, edhe propagandonin pa dëmtuar imazhin e politikës së vendit tyre si e mira më e madhe e përbashkët.

     Ditët pasonin njëra- tjetrën. Interesimi nga Komanda e Përgjithshme për ta finalizuar gjithë projektin, që Spitali Ushtarak i UÇK-së do të ishte funksional në shërbim të ushtarëve të luftës ishte alarmante, veçse objektit i duheshin shumë gjëra të tjera, si baza materiale, etj.

     Ku në një kohë rekord doktorët: Ani dhe Betimi ia kishin arritur misionit të tyre, si sigurimi i objektit e bazën materiale, stafin dhe pritej që shumë shpejt çdo gjë do të ishte funksionale.

    Doktor Ani as kishte kohë të çmallej me vendlindjen, pos ndonjë njeri që e takonte krejt rastësisht, ashtu siç një ditë papritmas takon nënën e shokut të klasës dhe po e pyeste për shëndetin e hallet e jetës, por dhe për poetin që e kishte marrë malli vite pa e parë.

     Ishte surprizë për doktorin, pasi nëna e shokut e njohu me emër, ngase mendonte doktori se mungesa e gjatë edhe mund ta kishte harruar, por jo mendoi Ani.

Pas bisedës së ngrohtë e urimit për suksese e fitore të lirisë u ndanë nga nëna, e cila mendonte për bijtë e saj në luftë.

      Ndërsa, doktor Ani gjendej brenda ambienteve të brendshme të spitalit dhe bisedoi me infermieren dhe doktor Betimin për bazën materiale dhe mbarëvajtjen e punëve brenda spitalit, tashmë çdo gjë ishte në vendin e duhur.

Nëse mund t’i referohem një thënieje nga Jomo Kenyatta: “Kur misionarët mbërritën në Afrikë, ata kishin Biblën dhe ne Tokën, na thanë të lutemi me sy mbyllur dhe kur i hapëm, ne kishim Biblën e ata Tokën”.

Kështu kur mendonin se çdo gjë po shkonte sipas planifikimit në ambientet e spitalit u shfaqën trupat policore dhe në shënjestër dukej se qe pikërisht doktor Ani.

Doktori ishte një njeri i dashur, i papërtuar e shumë miqësor, tregonte mirënjohje e përkushtim dashamirës e i dhimbsur.

I donte e i nderonte njerëzit.

     Hapësirat e mbyllura të veprimit, liria e kufizuar, mbyllja e shkollave dhe Universitetit, luftë, gjithashtu.

     Me se ta ushqente shpresën, thotë Ajgeraj, përpos kundërshtimit në çdo aspekt të bishës së egër të veriut që udhëhiqej nga Kalamegdani.

     Tek lëvizte korridoreve të spitalit, pasi u takua me doktor Betimin te salla e operacionit, Ani duhej të largohej nga Spitali pasi nuk kish qasje tjetër aty dhe prania e policisë po e shtonte ankthin.

Franchois - Rene de Ch thotë: “Ndërsa, zemra ka dëshira, imagjinata strehon iluzione”.

Ajgeraj njësoj i sjell personazhet që i përshkruan pasi dëshirat e Anit ishin madhore për vendin. “Ujku fle, armiku s’fle”, thotë populli.

     Ecejaket e doktorit nuk i kishin shpëtuar syrit të armikut, por as veprimet e tij, pasi UDB-shët, që sundonin në qytet e arrestojnë pa shkak, por me një akuzë të inskenuar mirë, ku egërsirat e UDB-së shkarkojnë mllefin, duke e izoluar në burgun pranë Lumëbardhit, ku gjatë ditëve të para nuk i mungonin ofertat e bashkëpunimit me autoritetet e burgut, gjë të cilën assesi doktori nuk e pranonte edhe pse ishte i vetëdijshëm që mund t’i shkaktonte me jetë, por morali i lartë, dashuria për Atdhe e liri ishte vlera më e madhe për të.

Doktori vajti gjatë ndër biruca e kushte mjaft çnjerëzore, shpesh nën ndikimin e armëve .

     Gëzim Ajgeraj, si një shkrimtar profesionist, i nivelit të lartë kombëtar e më gjerë, atdhetar e veprimtar nga mërgimi, me shpirt e gjithmonë në vendlindje përmes Penës, i ka përjetuar ngjarjet, duke i njohur ngjarjet përmes informacioneve të sakta e që bëjnë të admirueshëm këtë shkrimtar për lexuesin, pasi si lehtësi e leximit vjen si përzgjedhje stili të veçantë romanin me parimin se e djeshmja është thjesht një ëndërr dhe e nesërmja një vegim shprese, duke i dhënë kuptimin jetës për ta jetuar ndershmërisht atë. Ndaj, kështu e përshkruan autori doktorin në veprim, etj.

     Në Burgun e Qytetit, doktorin do ta pritnin ditë të vështira plot me të panjohura. Por, qëndrimi në burg e njohu akoma më shumë doktorin me aktet më çnjerëzore që ndodhin mbi dhe, por, realitet i hidhur brenda birucave të Burgut Qytetit, buzë Lumëbardhit apo vrasjet që kryheshin në bodrumet e burgut.

Lufta e kishte arritur kulmin. Dëmtime kishte në të dyja kampet. UDB- ashët ishin kthyer në bisha të egra me vrasje e inskenime të të gjitha llojeve, duke pikasur organizatorët, deri te gratë, fëmijët e pleqtë.

     Në mënyrë masive mjekët arrestoheshin, organizmat ndërkombëtar po shqetësoheshin për këtë akt makabër, që u bëheshin bluzave të bardha dhe, konkretisht, për doktor Anin u njoftua dhe Organizata Botërore e Mjekësisë, “Mjekët pa kufij”,  të cilët kishin marrë në konsideratë faktin dhe, një ditë, tek gjenden në zyrat e burgut buzë Lumëbardhit. Takimi i kushtohej doktor Anit, ndërsa pas takimit u larguan me premtimin se kërkesa e tyre për drejtësi do të vazhdonte.

     Gëzim Ajgeraj, një shkrimtar me vizion mbi Penën dhe letërsinë, që ecën nëpër gjurmët e Paulo Coelho de Souza do të sjell një thënie që i përshtatet edhe romanit, por edhe personazhet: “Ji i fortë që askush mos të të mposhtë, fisnik sa askush mos të të përulë dhe vetvetja sa askush mos të të harrojë”.

     Ashtu siç ndodh me autorin dhe doktorin, me ata njerëz vitalë, që rrezatojnë pasuri atdhetare e virtyte njerëzore që luftojnë ligësinë, shtypjen e mizorinë, jetojnë me parimin: “u tha u bë” dhe u mishëruan në thënien e Paulo Coelho de Souza: “Futu gjithmonë në rrobat e të tjerëve, nëse ndihesh ngushtë, edhe ata ndihen ashtu”.

Hyrja e vëzhguesve ndërkombëtarë për vëzhgimin e situatës së luftës në Kosovë e gjendjes së përgjithshme, në një farë mënyre pushtetit të Kalamegdanit, sikur iu prishën planet që dorën ta kishin të lirë për veprimet vandale mbi popullsinë shqiptare.

     Ndërkohë, ky fakt disi filloi të ndjehej edhe brenda burgjeve, kështu që po e ndjente edhe doktori që po e dinte faktin pse po gjendej në ato mjedise, ku dy ishin arsyet.

     E para, zona e doktorit i kishte shpallur luftë serbëve dhe ndjenin rrezik nga forcat e UÇK-së e nëse do të sulmohej burgu, asgjësimet do të fillonin me doktorin.

E dyta, se për doktorin po interesoheshin disa shoqata të “Mjekëve pa kufij”, ku kërkuan mbrojtjen e doktorit, ndryshe do të përfundonte si mos më keq doktor Ani.

E dinin se doktori pati qenë gjatë luftës së Bosnjës në Sarajevë. Dinin që vëllezërit e doktorit mbanin poste drejtuese në UÇK dhe vendlindja e tij qe streha dhe foleja e UÇK- së.

     Ç’është ky opium i politikës nëpër kokat tona, mendonte doktori?

Por, nuk mendonte fundin apo humbjen e luftës.

Ditët, javët, muajt kalonin dhe doktori do të gjendej përballë gjykatës dhe prokurorisë.

Ndërkohë, që në datën e gjyqit, gjyqtarë, avokatë dhe prokurorë do t’i drejtoheshin sallës, ku do zhvillohej seanca gjyqësore. Enkas, për seancën e doktorit të pranishëm ishin dhe misionarët e “Mjekët pa kufij”, por edhe gazetarë nga mediet botërore me leje të posaçme, si pjesëmarrës dëgjimor, ndaj, autori i përshkruan: “Erdhët ashtu si engjëjt e dritës”,  ku thirrën për t’u zhytur në dritën engjëllore, që ta jep Zoti dhe sjellin gjithë fuqinë në tokë, madje, edhe më shumë se rrezet e diellit.

     Atje tej dukej një sallë e vogël me disa karrige të improvizuara. Dukeshin policë e të burgosur, gjyqtarë, prokurorë e avokatë, si dhe gazetarë e  pjesëmarrës të shoqatave “Mjekët pa kufij”.

Kryeprokurorja ishte sjellë enkas nga Beogradi, ku dënonte shqiptarë me dënime maksimale.

     Në sallë për pak çaste po mbretëronte heshtja.

     Sytë ishin nga prokurorja, që ishte e njoftuar për pjesëmarrjen e misionarëve në sallë ku prania e tyre veçse e ngryste.

Dha urdhër për fillimin e seancës gjyqësore.

     Gjyqtari u ngrit në këmbë dhe po lexonte një dosje në mënyrë kolektive, e cila përkonte me një grup terrorist, përmendte ligje e nënligje të shtetit të AVNOJ-an, që kishte kohë që ishte shkatërruar dhe ekzistonte vetëm mbetjet e tij diku në Kalamegdan.

Akuzoheshin se kishin sulmuat e vrarë policë dhe patrulla policie serbe, raste e ngjarje rreth qytetit, akuza dhe aktakuza i rëndonte deri në maksimale.

     Ndaj doktorit ngriheshin akuza të rënda, ku misionarët ngrinin dyshime, ku u jepnin favore të të akuzuarve dhe ngarkonte pushtetin e gjykatën për padrejtësi kundër shqiptarëve.

     Në akuzë dhe aktakuzë, brenda një date të caktuar, doktori paska sulmuar me kallashnikov një patrullë policie, ku rezultonin të vrarë, por edhe reagimi i ashpër i avokatit të doktorit, i cili i nevrikosur u ngrit në këmbë e reagoi: 

Si ka mundësi që klienti im të ketë sulmuar një parullë policie në datën e caktuar, ku brenda kësaj date dhe muaji gjendet në qelitë e burgut tuaj? A nuk është absurde kjo?

     A kupton se aktakuza është e montuar?

     Misionarët mbajtën shënimet e tyre, ku Bernard Kushner kryesonte misionin.

Mjaftoi ajo seancë gjyqësore që situata filloi të ndjehej më e lehtësuar për shkak të ndërhyrjeve të ndërkombëtarëve, pasi gazetari pati shkruar në kryetitull:

”Shqiptarët dënohen nën akuza absurde terrorizmi”.

Injoranca me datën e sulmit ishte dhe kulmi i dështimit.

Rrëzimi i fakteve nga avokati i doktorit përpara misionarëve botërorë, ia pati zhveshur maskat atij procesi dhe gjyqit, që zhvillohej e poshtëroi gjykatën.

Doktori u lirua nga burgu për t’u përballur me aq vështirësi jashtë.

Vdekja e babait, vrasja e zhdukja e trupit të vëllait në ilegale nga policia serbe, si ushtar i UÇK- së, kishte ndodhur gjatë kohës, kur doktori vuante në burg, ndaj kthimi në vendlindje as që po e lumturonte. Zona kishte pësuar nga lufta. Ishin vrarë shumë djem e shokë të drejtorit.

Fshati qe djegur i tëri.

Policia serbe mund ta merrte natën e ta zhdukte pa gjurmë.

Gjendja e sigurisë ishte kthyer në makth.

U desh e gjitha kjo dhe një mëngjes doktori u gdhi në Sarajevë.

Qetësia shpirtërore ishte lënduar së tepërmi.

Ndjehej i lodhur e dërrmuar psikologjikisht, pasi gjithçka që kishte ndodhur ishte tepër e rëndë për të.

     Gëzimi i lirisë ishte ndjenjë që e përshkonte në çdo pore të kujtesës së tij, derisa po kërkonte një mundësi të parë për t’u rikthyer në Kosovën e çliruar.

Pena e papërtuar e Gëzim Ajgeraj nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj zhvillimeve të kohës dhe pse për shkrimtarin, krijimtaria dhe politika, janë dy dhe të ndara si me thikë, pra fenomenet i sjell në histori, që në rastin konkret gërshetohet e tëra në binomin letërsi - histori.

     Romani: “RRËFIMET E DOKTORIT” vjen si “Dhimbje e Shpirtit” pasi historitë, rrëfimet, ngjarjet, sajimet e ecejaket e shumta larg Atdheut, angazhimet e fuqishme, sfidat e mëdha e të rrezikshme, që kalon doktori, jep përshtypjen e një njeriu me zemër çeliku.

     Autori, Gëzim Ajgeraj me Penën e tij e ka qëndisur në stilin më të këndshëm të krijimtarisë, ku është pa dyshim, një vlerë e jashtëzakonshme, si dëshmi e gjallë krimi nga qeveria okupuese dhe ngjarjet e trishta të ndodhura brenda territorit të Atdheut nga ato qenie të ç’njerëzishme serbe.

     Ky roman dhe shumë të tjerë të këtij lloji, që janë të shkruara nga ky autor, janë dëshmi që mbeten të gjalla për t’i studiuar gjeneratat, që pasojnë, pasi janë pikërisht ata që gjykojnë historinë.

                  Prenda Sejdia

                 Lezhë, tetor 2020


Dienstag, 9. Februar 2021



LETËR

 

Zotërinj të Evropës

ju që lirinë e keni me bollëk

ne këtë copëz drite

shtrenjtë e paguam

me gjakun e ashtin tonë

 

Nëse doni ta besoni

shihni ata djepa të shkrumbuar

ato mijëra varre fëmijësh

që ua këputën rritën

 

I shihni ata mijëra plisa pa koka

pranë kullave të shkrumbuara

Janë pleqtë

plakat që i dogjën te vatra

 

I shihni kodrat e Kosovës

ndrydhen varreve

Janë lulëkuqet e mbjella

për këtë copë diell

 

Ato varre të hapura atje

i presin bijtë e vrarë, eshtrat t’u kthehen

I presin të zhdukurit pa nam e nishan

diku në Batajnicë, Nish, Rashkë, Kurshumli,

Kalamegdan e Beograd

 

Kosovën e mbytën në varre

e krimin e morën me vete

atje në Beograd

trofe për ju zotërinj

të Evropës së verbër


AMULLI

 

Edhe sa herë

korba e zezë e veriut

duhet të kërkojë

mbi farën 

e gjenit tonë

 

Ka njëqind vjet

që mbjell mortin

oborreve të etnisë

e nga eshtrat tanë

e ngrit

kalanë e krimit

atje në Kalamegdan

 

A nuk e shihni

se si gërryen

mbi ashtin e etnisë

e me dhëmbët e nxjerrë jashtë

na i grindet kërcënimit përsëri

 

Edhe sa gjak e asht

duhet t’i japim

bishës së Kalamegdanit

nga damarët tanë

që t’i shuhet etja

 

E ne të zgjohemi

nga kjo amulli?!...

 

EH, KËMISHA IME

COPË-COPË

 

Nuk m’i duhet

dioptri mendimit as syrit

për lojërat e hileve

dhe pazaret e kusureve

mbi tavolinat

e tregtarëve të Evropës

 

Kam njëqind vjet

që mbi shpinë

m’i kanë ngarkuar dhimbjet

dhe korbën përmbi

e nga këmisha e copëtuar

më pi gjakun

e currilave të damarëve

korba e veriut

 

U mësova me hilet

dhe pazaret e pista

për kusuret e Karpateve dhe të Evropës

ilirinë ma bënë

copa-copa

Përditë ia pinë gjakun

e nga eshtrat tanë

ndërtojnë perandoritë e kolltukëve

 

Edhe me

ndërskamcat e pista

të kusarëve

dhe korbës së veriut

që e ushqen Evropa

me kokat tona

për hilet e veta

 

Medet ç`lojë e ligë

Evropë e Karpate bashkë

në tregun e hileve

shesin këmishën time

të shqyer copë-copë

e s`ngopen duke e shtrydhur

gjakun e saj


ANTISIMBIOZË

 

Ka një shekull

ky fqinji im

me gjarpër e shajkash mbi kokë

helm e vrer vjell

e pi gjak

oborreve të mia

 

Ka njëqind vjet

që me gjakun tim

mbush kupat e dhunës

e ushqen pjellën e vet

me krimin

e përditshmërisë

 

A nuk m’i shihni

varret te oborri

kullat e shkrumbuara

fëmijët e djegur në djepa

plakun e shkrumbuar në kullë

e varret e mbeta thatë

 

 

Ka njëqind vjet

që ky fqinji im

nën shajkash

fsheh helmin e gjarprit

e m’i helmon përditë

zogjtë tek oborri

 

E mua

më mbeti e zgjatur

dora e paqes

kah fqinji im gjarpër

me shajkash mbi kokë

 

         2020

________

ANTI- fjalform. libr. Parashtesë që u shtohet mbiemrave dhe emrave për të shprehur diçka të kundërt a diçka që është në kundërshtim, në luftë me atë që tregojnë këto fjalë pa parashtesën; kundër -; p.sh. antifetar, antikombëtar, antimalarik, antipopullor, antiqeveritar etj., antigrimcë, antitrup etj.

SIMBIOZË:

1.Biol. Bashkëjetesë e vazhdueshme ndërmjet dy qenieve të gjalla a bimëve të llojeve të ndryshme për të gjetur ushqim e për t'u mbrojtur, që u sjell dobi të dyjave. Simbioza e kërpudhës me algën. Simbioza e bishtajoreve me disa baktere.

2. fig. Lidhje a marrëdhënie të ngushta në mes popujve të ndryshëm që banojnë në të njëjtat troje; lidhje e ngushtë në mes dukurish të afërta. Simbiozë etnike (gjuhësore). Simbiozë popujsh të ndryshëm.

** Shajkash:. Kapelë serbe...!