Sonntag, 14. Februar 2021

R e c e n s i o n

 KUR ENGJËJT FLASIN GJUHËN TËNDE

 Gëzim Ajgeraj: “RRËFIMET E DOKTORIT”, Roman, SHKYP, Prizren, 2019

 Tek kthen kokën mbi gjurmët e shekullit të kaluar, vështirë që të ketë ndonjë bir dardani që historitë e rënda shokuese të krijuara nga okupatori verior sundues mos të t’i numërojë disa nga familja a farefisi, pa diskutuar më pastaj ato atdhetare, që plagët s’patën të shëruar. Por, krahas edhe virtytet e qarta njerëzore në çfarëdo rrethesh që  gjendeshin, flitet për trimëritë dhe, mbi të gjitha, zemrën prej guri e shpirtin tejet atdhetar, që për dardanët lufta për liri e dashuria për Atdhe e Komb gjenden në ADN- në e tyre. Ai atdhetarizëm që ju valon ndër deje si rrallë populli a kombi mbi rruzull.

     Populli shqiptar i Kosovës, gjatë pushtimit serb përjetoi vitet më të egra e më brutalet, që mund të përjetojë një popull me luftë, vrasje, djegie, shkatërrime e nga gjestet më çnjerëzore mbi dhe.

     Ama, kur Pena e poetëve, apo e shkrimtarëve i sjell histori të ndryshme të ndodhura në troje shqiptare, sikur të kaplon ajo ndjesi frike, paniku e tmerri, a sikur po i përjeton torturat, pasi jo më kot thuhet: “Kur ndjen dhembjen tënde është ndjenjë, ama kur ndjen dhembjen e tjetrit ajo bëhet e vërtetë”. Ndaj, kur lexojmë këto histori kaq të trishta e shokuese nga histori të ndryshme e reale, të sjella në letërsi me një cilësi të lartë krijuese e stili, me ngjarje e personazhe reale ( negativ dhe pozitiv ) të ndara në kampe pushtuese e mbrojtëse.

     Në romanin: “Rrëfimet e Doktorit”, doktori vjen si figura kryesore në roman. Një personalitet pozitiv e me karakter të fortë, i zgjuar, profesionist, i brumosur në atdhetarizëm, plot kulturë e durim, i arsimuar e specializuar në mjekësi, konkretisht mjek kirurg, që rridhte nga një familje me ndjenja të pikasura atdhetare e patriotike.

Në sajë të binomit Histori- Letërsi, vjen për lexuesin ky roman i gërshetuar në formë, stil e përmbajtje me rrëfime e mesazhe pafund, duke pasqyruar atë realitetin e hidhur që përjetuan gjeneratat në Kosovën Dardane ndër dekada të shekullit XX.

     Tek po shijonin kafen e pasdites dhe rrjedha i kishte përfshirë brenda çështjes kombëtare në Atdhe, Humën dhe Anin, pasi e donte si birin e saj, zilja e telefonit bie dhe ndërkaq dëgjohet zëri i doktor Betimit nga Atdheu. Ani u gjend mes njoftimesh të reja dhe gjendjen që ndodhej Atdheu i tij, por, kryesisht, edhe thirrja që i bëhej si i besuar për të shërbyer ushtarëve të luftës, pasi zjarr qe e tëra.

Lajmi për të atin e sëmurë e trazoi, por mbi të gjitha Atdheu i vlonte mbi kokë. Ai filloi të planifikojë mbi detyrën e rëndësishme që iu komunikua si drejtues i Spitalit Ushtarak të Vërrinit, detyrë kjo mendoi me vete dhe me përgjegjësi të madhe.

     Autori e sjell figurën e doktorit si një njeri që e do dhe e përqafon jetën, por mbi të gjitha një njeri me zemër të madhe atdhetare, pasi për doktorin populli i tij e Atdheu nuk kishte asnjë çmim.

     Por, edhe vendosmërinë që ky personazh përmes peripecish, vuajtjesh e rreziqesh, që i kanoseshin mori vendimin e rëndësishëm për t’u kthyer në Atdhe dhe kontributi i tij do të jepej për Vërrinin e Kosovën dhe vlera ishte e gjitha mbi to.

Pena e autorit përshkruan doktorin porsi një engjëll të ndërgjegjësimit, i cili përpiqet që gjithmonë të jetë i kujdesshëm me praninë e tij. Ndaj, sikur e kompleton këtë qëllim dhe jeton plotësisht çastin, sikurse ndodhi edhe në stacionin e autobusëve në Sarajevë, që gjatë orarit të pritjes, bombardimet filluan dhe ashtu të traumatizuar doktori gjendet krejt rastësisht pranë një fëmije, që humb ndjenjat, por me mjeshtërinë e doktorit e rikthen në formën e mëparshme shëndetësore.

Doktori një njeri tejet i ndjeshëm, jetonte me kujtimet ndaj sikur i printe një tregim i gjyshes, ku lidhej me yjet e qiellin, i shikonte ato me kujdes sa herë që rrinte netëve të freskëta.

     Eh, gjyshja, thoshte doktori, tek bisedonte me heshtjen e gjithnjë e më shumë e brengoste fati i përkeqësimit të situatës.

     Ç’nuk bëjnë egërsirat për të grabitur tokën e të tjerëve, - kjo është çnjerëzore, -mendonte doktori.

     “Evropa kishte bërë pazare me Fuqitë e Mëdha dhe shqiptarët i kishte ndarë e copëtuar nëpër shtete të ndryshme, duke i kthyer në pakica.

Tanimë edhe ajo copë Atdheu, që e dinte për të tijin, po rrezikohej, mendonte më vete doktor Ani, ku Serbia po e mbushte me kolonë dhe ardhacakë për ta ndërruar strukturën e popullsisë. Ashtu dhe Gëzim Ajgeraj përjeton fatin e rëndë historik të popullit të tij nën thundrën e të huajit, këtë peshë të rëndë.

     Ndjenjë e mllef plot urrejtje kjo Penë, ashtu, si dhe doktori për barbarin e veriut që pati ushqyer nëpër histori, dukej sikur donte të shpërthente.

Udhëtimin trinom Sarajevë- Beograd- Atdhe, ku mbi një kodrinë atje në Malësinë e Vërrinit, që shihej si në pëllëmbën e dorës, doktor Anin po e priste, doktor Betimi, i cili i pati njoftuar për kthimin në Atdhe.

Kishin kohë pa u takuar.

     Kthimi në shërbim të misionit, thotë Ajgeraj, erdhi si përgjigje e thirrje e Atdheut dhe e luftës për liri.

     Pikërisht misioni i kthimit të doktorit nga Sarajeva si burim frymëzimi dhe ushqim i shpresës së madhe ndaj popullit për bashkim, do të ishin fuqia e ndryshimit të atij realiteti që vriste çdo orë e çast.

    Biseda me doktor Betimin ishte frymëzuese për të, por klima e ashpër që ishte krijuar e bënte shumë të kujdesshëm doktor Anin pasi, kishte krijuar shumë iluzione e strategji për t’u shërbyer qytetarëve në ditët më të errëta të historisë.

Misioni vazhdoi me inspektimin e zonës, identifikimin e  objektit, si dhe përcaktimin e vendosjes së Spitalit Ushtarak të Vërrinit dhe UÇK-së, që drejtohej nga Shtabi i Përgjithshëm dhe Rajonal i Prizrenit.

     Doktori u kthye pranë familjes, ku po gjente çaste të çmallej me familjarët, por gjendja e rëndë e babait e brengoste, pasi nga profesioni e dinte dhe fundin. Kjo gjë e shqetësonte së tepërmi dhe këtë sikur e parandiente edhe vetë babai, por ndjente admirim për të birin dhe investimin që kishte bërë për arsimin e tij.

      Doktori ishte inkuadruar tashmë me shumë angazhime, ndërsa babai uronte të bijtë në suksese dhe vendit i uronte liri e ditë të bardha.

     Tek shfleton ndër fletët e këtij romani historitë dhe vlerat e patjetërsueshme për nga origjinaliteti, rrjedha e ngjarjeve të njëpasnjëshme, që Ajgeraj i trajton me shumë delikatesë i lënë vend njëra- tjetrës, duke dhënë përshtypjen e filmave horror, që seritë e tyre ta ngjallin krupën, sa hera - herës bën krahasime me gjallesat e xhunglës. Ama si arkitekt i ndërtimit dhe i thellimit të njohurive deri në detaje dhe zgjerimit të botës letrare me karakter historik në këtë roman na sjell vështirësitë specifike dhe “rëndesën”, që mbartte ajri i Atdheut, që përcillte në çdo aspekt pa harruar se diku në cep të Atdheut humanizmin e një shoqërie e krijojnë elitat intelektuale, ndaj, edhe propagandonin pa dëmtuar imazhin e politikës së vendit tyre si e mira më e madhe e përbashkët.

     Ditët pasonin njëra- tjetrën. Interesimi nga Komanda e Përgjithshme për ta finalizuar gjithë projektin, që Spitali Ushtarak i UÇK-së do të ishte funksional në shërbim të ushtarëve të luftës ishte alarmante, veçse objektit i duheshin shumë gjëra të tjera, si baza materiale, etj.

     Ku në një kohë rekord doktorët: Ani dhe Betimi ia kishin arritur misionit të tyre, si sigurimi i objektit e bazën materiale, stafin dhe pritej që shumë shpejt çdo gjë do të ishte funksionale.

    Doktor Ani as kishte kohë të çmallej me vendlindjen, pos ndonjë njeri që e takonte krejt rastësisht, ashtu siç një ditë papritmas takon nënën e shokut të klasës dhe po e pyeste për shëndetin e hallet e jetës, por dhe për poetin që e kishte marrë malli vite pa e parë.

     Ishte surprizë për doktorin, pasi nëna e shokut e njohu me emër, ngase mendonte doktori se mungesa e gjatë edhe mund ta kishte harruar, por jo mendoi Ani.

Pas bisedës së ngrohtë e urimit për suksese e fitore të lirisë u ndanë nga nëna, e cila mendonte për bijtë e saj në luftë.

      Ndërsa, doktor Ani gjendej brenda ambienteve të brendshme të spitalit dhe bisedoi me infermieren dhe doktor Betimin për bazën materiale dhe mbarëvajtjen e punëve brenda spitalit, tashmë çdo gjë ishte në vendin e duhur.

Nëse mund t’i referohem një thënieje nga Jomo Kenyatta: “Kur misionarët mbërritën në Afrikë, ata kishin Biblën dhe ne Tokën, na thanë të lutemi me sy mbyllur dhe kur i hapëm, ne kishim Biblën e ata Tokën”.

Kështu kur mendonin se çdo gjë po shkonte sipas planifikimit në ambientet e spitalit u shfaqën trupat policore dhe në shënjestër dukej se qe pikërisht doktor Ani.

Doktori ishte një njeri i dashur, i papërtuar e shumë miqësor, tregonte mirënjohje e përkushtim dashamirës e i dhimbsur.

I donte e i nderonte njerëzit.

     Hapësirat e mbyllura të veprimit, liria e kufizuar, mbyllja e shkollave dhe Universitetit, luftë, gjithashtu.

     Me se ta ushqente shpresën, thotë Ajgeraj, përpos kundërshtimit në çdo aspekt të bishës së egër të veriut që udhëhiqej nga Kalamegdani.

     Tek lëvizte korridoreve të spitalit, pasi u takua me doktor Betimin te salla e operacionit, Ani duhej të largohej nga Spitali pasi nuk kish qasje tjetër aty dhe prania e policisë po e shtonte ankthin.

Franchois - Rene de Ch thotë: “Ndërsa, zemra ka dëshira, imagjinata strehon iluzione”.

Ajgeraj njësoj i sjell personazhet që i përshkruan pasi dëshirat e Anit ishin madhore për vendin. “Ujku fle, armiku s’fle”, thotë populli.

     Ecejaket e doktorit nuk i kishin shpëtuar syrit të armikut, por as veprimet e tij, pasi UDB-shët, që sundonin në qytet e arrestojnë pa shkak, por me një akuzë të inskenuar mirë, ku egërsirat e UDB-së shkarkojnë mllefin, duke e izoluar në burgun pranë Lumëbardhit, ku gjatë ditëve të para nuk i mungonin ofertat e bashkëpunimit me autoritetet e burgut, gjë të cilën assesi doktori nuk e pranonte edhe pse ishte i vetëdijshëm që mund t’i shkaktonte me jetë, por morali i lartë, dashuria për Atdhe e liri ishte vlera më e madhe për të.

Doktori vajti gjatë ndër biruca e kushte mjaft çnjerëzore, shpesh nën ndikimin e armëve .

     Gëzim Ajgeraj, si një shkrimtar profesionist, i nivelit të lartë kombëtar e më gjerë, atdhetar e veprimtar nga mërgimi, me shpirt e gjithmonë në vendlindje përmes Penës, i ka përjetuar ngjarjet, duke i njohur ngjarjet përmes informacioneve të sakta e që bëjnë të admirueshëm këtë shkrimtar për lexuesin, pasi si lehtësi e leximit vjen si përzgjedhje stili të veçantë romanin me parimin se e djeshmja është thjesht një ëndërr dhe e nesërmja një vegim shprese, duke i dhënë kuptimin jetës për ta jetuar ndershmërisht atë. Ndaj, kështu e përshkruan autori doktorin në veprim, etj.

     Në Burgun e Qytetit, doktorin do ta pritnin ditë të vështira plot me të panjohura. Por, qëndrimi në burg e njohu akoma më shumë doktorin me aktet më çnjerëzore që ndodhin mbi dhe, por, realitet i hidhur brenda birucave të Burgut Qytetit, buzë Lumëbardhit apo vrasjet që kryheshin në bodrumet e burgut.

Lufta e kishte arritur kulmin. Dëmtime kishte në të dyja kampet. UDB- ashët ishin kthyer në bisha të egra me vrasje e inskenime të të gjitha llojeve, duke pikasur organizatorët, deri te gratë, fëmijët e pleqtë.

     Në mënyrë masive mjekët arrestoheshin, organizmat ndërkombëtar po shqetësoheshin për këtë akt makabër, që u bëheshin bluzave të bardha dhe, konkretisht, për doktor Anin u njoftua dhe Organizata Botërore e Mjekësisë, “Mjekët pa kufij”,  të cilët kishin marrë në konsideratë faktin dhe, një ditë, tek gjenden në zyrat e burgut buzë Lumëbardhit. Takimi i kushtohej doktor Anit, ndërsa pas takimit u larguan me premtimin se kërkesa e tyre për drejtësi do të vazhdonte.

     Gëzim Ajgeraj, një shkrimtar me vizion mbi Penën dhe letërsinë, që ecën nëpër gjurmët e Paulo Coelho de Souza do të sjell një thënie që i përshtatet edhe romanit, por edhe personazhet: “Ji i fortë që askush mos të të mposhtë, fisnik sa askush mos të të përulë dhe vetvetja sa askush mos të të harrojë”.

     Ashtu siç ndodh me autorin dhe doktorin, me ata njerëz vitalë, që rrezatojnë pasuri atdhetare e virtyte njerëzore që luftojnë ligësinë, shtypjen e mizorinë, jetojnë me parimin: “u tha u bë” dhe u mishëruan në thënien e Paulo Coelho de Souza: “Futu gjithmonë në rrobat e të tjerëve, nëse ndihesh ngushtë, edhe ata ndihen ashtu”.

Hyrja e vëzhguesve ndërkombëtarë për vëzhgimin e situatës së luftës në Kosovë e gjendjes së përgjithshme, në një farë mënyre pushtetit të Kalamegdanit, sikur iu prishën planet që dorën ta kishin të lirë për veprimet vandale mbi popullsinë shqiptare.

     Ndërkohë, ky fakt disi filloi të ndjehej edhe brenda burgjeve, kështu që po e ndjente edhe doktori që po e dinte faktin pse po gjendej në ato mjedise, ku dy ishin arsyet.

     E para, zona e doktorit i kishte shpallur luftë serbëve dhe ndjenin rrezik nga forcat e UÇK-së e nëse do të sulmohej burgu, asgjësimet do të fillonin me doktorin.

E dyta, se për doktorin po interesoheshin disa shoqata të “Mjekëve pa kufij”, ku kërkuan mbrojtjen e doktorit, ndryshe do të përfundonte si mos më keq doktor Ani.

E dinin se doktori pati qenë gjatë luftës së Bosnjës në Sarajevë. Dinin që vëllezërit e doktorit mbanin poste drejtuese në UÇK dhe vendlindja e tij qe streha dhe foleja e UÇK- së.

     Ç’është ky opium i politikës nëpër kokat tona, mendonte doktori?

Por, nuk mendonte fundin apo humbjen e luftës.

Ditët, javët, muajt kalonin dhe doktori do të gjendej përballë gjykatës dhe prokurorisë.

Ndërkohë, që në datën e gjyqit, gjyqtarë, avokatë dhe prokurorë do t’i drejtoheshin sallës, ku do zhvillohej seanca gjyqësore. Enkas, për seancën e doktorit të pranishëm ishin dhe misionarët e “Mjekët pa kufij”, por edhe gazetarë nga mediet botërore me leje të posaçme, si pjesëmarrës dëgjimor, ndaj, autori i përshkruan: “Erdhët ashtu si engjëjt e dritës”,  ku thirrën për t’u zhytur në dritën engjëllore, që ta jep Zoti dhe sjellin gjithë fuqinë në tokë, madje, edhe më shumë se rrezet e diellit.

     Atje tej dukej një sallë e vogël me disa karrige të improvizuara. Dukeshin policë e të burgosur, gjyqtarë, prokurorë e avokatë, si dhe gazetarë e  pjesëmarrës të shoqatave “Mjekët pa kufij”.

Kryeprokurorja ishte sjellë enkas nga Beogradi, ku dënonte shqiptarë me dënime maksimale.

     Në sallë për pak çaste po mbretëronte heshtja.

     Sytë ishin nga prokurorja, që ishte e njoftuar për pjesëmarrjen e misionarëve në sallë ku prania e tyre veçse e ngryste.

Dha urdhër për fillimin e seancës gjyqësore.

     Gjyqtari u ngrit në këmbë dhe po lexonte një dosje në mënyrë kolektive, e cila përkonte me një grup terrorist, përmendte ligje e nënligje të shtetit të AVNOJ-an, që kishte kohë që ishte shkatërruar dhe ekzistonte vetëm mbetjet e tij diku në Kalamegdan.

Akuzoheshin se kishin sulmuat e vrarë policë dhe patrulla policie serbe, raste e ngjarje rreth qytetit, akuza dhe aktakuza i rëndonte deri në maksimale.

     Ndaj doktorit ngriheshin akuza të rënda, ku misionarët ngrinin dyshime, ku u jepnin favore të të akuzuarve dhe ngarkonte pushtetin e gjykatën për padrejtësi kundër shqiptarëve.

     Në akuzë dhe aktakuzë, brenda një date të caktuar, doktori paska sulmuar me kallashnikov një patrullë policie, ku rezultonin të vrarë, por edhe reagimi i ashpër i avokatit të doktorit, i cili i nevrikosur u ngrit në këmbë e reagoi: 

Si ka mundësi që klienti im të ketë sulmuar një parullë policie në datën e caktuar, ku brenda kësaj date dhe muaji gjendet në qelitë e burgut tuaj? A nuk është absurde kjo?

     A kupton se aktakuza është e montuar?

     Misionarët mbajtën shënimet e tyre, ku Bernard Kushner kryesonte misionin.

Mjaftoi ajo seancë gjyqësore që situata filloi të ndjehej më e lehtësuar për shkak të ndërhyrjeve të ndërkombëtarëve, pasi gazetari pati shkruar në kryetitull:

”Shqiptarët dënohen nën akuza absurde terrorizmi”.

Injoranca me datën e sulmit ishte dhe kulmi i dështimit.

Rrëzimi i fakteve nga avokati i doktorit përpara misionarëve botërorë, ia pati zhveshur maskat atij procesi dhe gjyqit, që zhvillohej e poshtëroi gjykatën.

Doktori u lirua nga burgu për t’u përballur me aq vështirësi jashtë.

Vdekja e babait, vrasja e zhdukja e trupit të vëllait në ilegale nga policia serbe, si ushtar i UÇK- së, kishte ndodhur gjatë kohës, kur doktori vuante në burg, ndaj kthimi në vendlindje as që po e lumturonte. Zona kishte pësuar nga lufta. Ishin vrarë shumë djem e shokë të drejtorit.

Fshati qe djegur i tëri.

Policia serbe mund ta merrte natën e ta zhdukte pa gjurmë.

Gjendja e sigurisë ishte kthyer në makth.

U desh e gjitha kjo dhe një mëngjes doktori u gdhi në Sarajevë.

Qetësia shpirtërore ishte lënduar së tepërmi.

Ndjehej i lodhur e dërrmuar psikologjikisht, pasi gjithçka që kishte ndodhur ishte tepër e rëndë për të.

     Gëzimi i lirisë ishte ndjenjë që e përshkonte në çdo pore të kujtesës së tij, derisa po kërkonte një mundësi të parë për t’u rikthyer në Kosovën e çliruar.

Pena e papërtuar e Gëzim Ajgeraj nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj zhvillimeve të kohës dhe pse për shkrimtarin, krijimtaria dhe politika, janë dy dhe të ndara si me thikë, pra fenomenet i sjell në histori, që në rastin konkret gërshetohet e tëra në binomin letërsi - histori.

     Romani: “RRËFIMET E DOKTORIT” vjen si “Dhimbje e Shpirtit” pasi historitë, rrëfimet, ngjarjet, sajimet e ecejaket e shumta larg Atdheut, angazhimet e fuqishme, sfidat e mëdha e të rrezikshme, që kalon doktori, jep përshtypjen e një njeriu me zemër çeliku.

     Autori, Gëzim Ajgeraj me Penën e tij e ka qëndisur në stilin më të këndshëm të krijimtarisë, ku është pa dyshim, një vlerë e jashtëzakonshme, si dëshmi e gjallë krimi nga qeveria okupuese dhe ngjarjet e trishta të ndodhura brenda territorit të Atdheut nga ato qenie të ç’njerëzishme serbe.

     Ky roman dhe shumë të tjerë të këtij lloji, që janë të shkruara nga ky autor, janë dëshmi që mbeten të gjalla për t’i studiuar gjeneratat, që pasojnë, pasi janë pikërisht ata që gjykojnë historinë.

                  Prenda Sejdia

                 Lezhë, tetor 2020