Mittwoch, 6. Juli 2022

METAFORA E MALLIT - (Përzgjedhje poetike nga poezia e Ajgerajt), Përzgjodhi: Prenda Sejdia

Përzgjodhi:

Prenda Sejdia


METAFORA E MALLIT

(Përzgjedhje poetike nga poezia e Ajgerajt)

 

Shtëpia Botuese “7 Days”

Prizren, 2021

 Parathënie:

METAFORA E MALLIT

 

(Përzgjedhje poetike nga poezia e Ajgerajt)


Në çdo epokë dhe në çdo kohë, njerëzia kanë bërë përpjekje të vazhdueshme në përmirësimin dhe forcimin e njohurive, dhe dukurive të ndryshme, pa çka se u janë përkushtuar fushave të ndryshme, por edhe në situata të ndryshme.

     Edhe kohërat e njerëzit kanë pasur uljet e ngritjet e tyre, pra zbaticë e baticë në udhëtimet e tyre të gjata, në periudhat e ndryshme historike. Por, njerëzit e suksesshëm kanë bërë epokë.

     Kanë krijuar botën e tyre universale. E gjithë universin e kanë zbritur nga mendjet elitë në duart e tyre të stërvitura dhe “globin” e dhuruan me vullnet të patundur, duke dhuruar shpirtin e tyre plot dritë e dije, plot mesazhe shpresëdhënëse, duke u kthyer në meteor të ndriçimit të mendjeve që bota të pasurohet me paqen shpirtërore, larg abstraktes, mediokritetit, demagogjisë, duke demaskuar pushtetet totalitare, tradhtitë, egoizmin, si shembull primitiv, fshehjen e së keqes dhe ligësisë, djallëzitë, imoralitetin, barbarizmin, vlerësimet e pamerituara, e plot elemente negative që i hasim shpesh.

     Penat janë gjendur gjithmonë përballë sfidave, por edhe kanë qenë prijësit për të thelluar te popujt vetëdijen për realitetin në kombet e tyre.

Penat kanë bërë dhe bëjnë “revolucione” që janë dhe aq vendimtare për të ardhmen e kombeve, për demokracitë, për mirëqenien, ruajtjen e gjuhës, traditës e kulturës, si dhe zhvillimin e njohurive te gjeneratat.

     Është detyrë e gjithsecilit nga ne të reflektojmë për figurat e ndritura të Penës.

     T’i njohim më mirë ata. T’ua njohim veprimtaritë, aftësitë e kapacitetet, në raport me fushat dhe zhanret, të cilët kanë kontribuar për kombin, me vullnetin e tyre të hekurt, me pasion e përkushtim, në të mirën kombëtare, për një shoqëri të zhvilluar në mënyrë demokratike, me botë dhe vizion për një të ardhme më të bukur, që i shërben gjithsecilit. Për të edukuar e formuar brezat, për të mbjellë frymëzim e virtyt, për t’u distancuar nga antivlera.

     Ideja e këtij libri me përzgjedhje poetike nga shkrimtari prizrenas, me punë e qëndrim dhe aktivitet në emigrim, por ndër dekada dora i shkroi e shpirti i këndoi, veçse shqip, plot intonacion e muzikalitet për Kosovën e popullin shqiptar.

     Gëzim Ajgeraj, ky shkrimtar, dramaturg, kritik letrar, prozator, poet etj., shkroi pa pushim për të gjitha zhanret e letërsisë, ku pata fatin të studioj mbi të gjitha zhanret dhe krijimtarinë e tij.

     Jo që, jo vetëm nuk të zhgënjen, por bota e tij e pasur e krijimtarisë të magjeps, me madhështinë formuese dhe mënyrën se si i trajton krijimet e tij në këtë lëmë të madhe të letërsisë shqiptare, por dhe më gjerë.

     Zemërgjerësia, aftësia krijuese, mënyra se si punon në grup apo aktivitete të përbashkëta, për të mbështetur miqtë në art, e veçon Ajgerajn, si njeri plot botë, për finesat, në raport me të bërit sot letërsia plot efekte domino, e sidomos në letërsinë shqiptare, ku dozat e zbehta të aftësisë së ushtrimit profesional të shkrimtarit, janë të dukshme, në raport me kërkesat e letërsisë dhe elementet përbërëse të saj.

     Nga ç’kam studiuar për letërsinë e Ajgerajt, ku konkretisht, ky zhanër i letërsisë shqiptare, siç është “POEZIA” është “alfa dhe Omega” e këtij poeti.

     Poezia te ky poet është pasion i lindur. Është dhunti e dhuruar nga Zoti, si rrjedhshmëri e epokave nëpër të cilat udhëtuan shqiptarët dhe vazhdojnë të bëjnë udhëtimet e tyre.

     Pena e palodhur e poetit ka bërë historinë e saj, duke i dhuruar letërsisë dhe botës shqiptare mijëra poezi, me stile të ndryshme, që u takon gjeneratave ta lexojnë e të përfitojnë nga kjo gamë e madhe, pasi në çdo stil të saj gjenden brenda kësaj miniere të pafundme.

Ndaj ndjehem me fat që e kam studiuar këtë zhanër poetik.

     Larmia e poezisë ka një bazë të gjerë krijuese dhe përfshin gjithë stilet dhe format e poezisë.

Poeti ka lëvruar stilet:

• Poezi për të rritur.

• Poezia për fëmijë.

• Poezia sarkazmë.

• Poezia fabul.

•Poezia etnos kulturor.

     Është ky poet, ndër të paktët, në rrafshin letrar e poetik, që përfshihet në çdo stil, ku sjell larmi temash e tematikash brenda secilit stil poetik.

     Ajo çka e bën tejet atraktiv, autorin, brenda sferës poetike është fakti se, poeti, quhet, madje, poeti i metaforave. Kjo më së miri e gjen në gjithë lëmin poetik të autorit. Është dhunti e tij që ta veshë fjalën me metafora të fuqishme e, rrjedhimisht, vjen edhe magjia në varg, duke e bërë superlative.

     Është pikërisht kjo arsyeja e titullit përzgjedhës, lidhur me metaforën, ndaj është titull i spikatur.

Pasuria poetike e poetit Gëzim Ajgeraj zë vend të veçantë në letërsinë shqipe, për shkak të forcës krijuese, shumëllojshmërisë në tema dhe brendive të jashtëzakonshme.

     Poeti që i shkroi e i këndoi Atdheut - kombit të robëruar ndër shekuj, vendlindjes, qytetit historik, ngjarjeve të ndryshme, duke i trajtuar në varg, luftës për çlirim, vrasjeve, burgimeve, pengjeve, djegieve e shkatërrimeve, fëmijëve, që i quan lulet që zbukurojnë mëmëdheun - e ardhmja e Atdheut. 

     Largësitë që aq shumë e mundojnë e plot tematika të tjera për gjithçka e gjithësinë.

     Është detyrë e kuadrit arsimor të Republikës së Kosovës, që krijimtaria e mirëfilltë e këtij personaliteti të letërsisë shqipe të studiohet në shkollat shqipe, si vlerë e artë, për të ndritur mendjet në mënyrë progresive dhe për të zëvendësuar në ato poezi shkollore, që nuk përcillet asnjë lloj mesazhi.

     Me qëllim, brezat që do të vijnë, të përfitojnë njohuritë e nevojshme për këto studime nga mjeshtri i madh i letrave shqipe, këtij idoli të letërsisë bashkëkohore shqiptare me dimension ndërkombëtar.

     Rreth katër dekada më parë, Atdheu rënkonte nga plagët e shumta.

Të riun e asaj kohe e ngacmonte muza e mendimit për gjithçka, që rëndonte mbi Atdheun e tij, dhe hallet që ai popull po i përjetonte.

Vargjet e para ( notica ) i shkroi për mëmëdheun, për vendlindjen, për popullin e tij.

     Kështu që shpejt u njoh si interpretues i shkëlqyer, më pas krijues nëpër rrethet letrare.

     Udha e gjatë dhe e pandërprerë, e ka bërë që Pena e tij, dashuria për botën shqiptare, të jetë ndër Penat më të pëlqyera në botën shqiptare.

     Ai mblodhi historitë, i vargëzoi, i ndriçoi e bëri me krahë, duke ju dhënë shkëlqimin e duhur.

     Nga gjokset e lexuesve nxori gjithë atë mori ndjenjash. I përgjoi me kujdes të madh, ua rregulloi ingranazhet deri edhe tik-takun e tyre të gjallë e rinisën sërish.

     Zukama e lehtë e ndjenjave e lëshon befas fërgëllimën e një kënge të shtruar nga më të moçmet e kullave.     

     Zukatja pranë vatrës së mëmëdheut është shndërruar në krijimtari të majave të letërsisë shqiptare.

• Vendin kryesor në krijimtarinë poetike të Gëzim Ajgeraj e zë Poezia për të rritur.

Jo më kot e kam quajtur si poet i metaforave.

Megjithëse i tillë është poeti.

     Jo vetëm që e njeh mirë metaforën, por ka shkruar leksione për të, ndaj veshë fjalën e vargun, i jep hapësirat filozofisë së krijimit të poezisë.

     Përzgjedh fjalën, si brumë e duke përdorur elementet, pra: idenë, muzën e mendimit, muzën e ngacmimit, fuqinë psikologjike, talentin, mjeshtërinë, gdhendjen e fjalës, etj.

     Përdorimi i këtyre elementeve e bën gërshetimin rreth artit të ndërtimit të strukturës së poezisë, aq të fuqishme dhe jetëgjatë dhe do t’i shoqërojë brezat.

     Forma, zëri e substanca në muzikë nuk ndahen, ashtu si poeti në poezi e bën atë.

    Autori njihet edhe me një tjetër epitet, që dominon në pjesën më të madhe të poezive -

“poeti i mallit”.

     Brenda këtij stili poetik, ai sjell plot të tilla dhe i shpalos në dimension real, me shpirtin e ndjeshëm e njerëzor. Ka përjetuar dekadave dhimbjen e tmerrshme të mëmëdheut, luftërat, vrasjet, zhdukjet, sakrificat e popullit të tij, vuan largësitë e mallin gërryes, për nënën e shtrenjtë,vendlindjen e dashur, e gjithçka që la pas.

     “Të zgjon jehona, klithma, thirrjet e vazhdueshme drejtuar bashkëkombësve për vetëdijesim. Por, poeti mes vargëzimit nuk i kursen kritikat as ndaj ndërkombëtarëve, në momente e çështje të caktuara i vë në dije e bën thirrje për drejtësi, demokraci e paqe.

     Thirrjet e poetit janë të vazhdueshme nëpër poezi, për ndëshkim ndaj keqqeverisjes së kthyer në pushtues e vrastarë të qytetarëve e të bashkëkombësve të tij.

     Poezia e Ajgerajt ka gjithë forcën e fjalës, fuqinë e thellësinë e mendimit, ku gjeografia e njohjes së realitetit e pasqyrimit te publiku i gjerë është i pafundmë.

     Dora i shkruante vazhdimisht dhe shpirti i qante përmes Penës për vendlindjen e robëruar, që ishte kthyer në ferrin e vërtetë, që dikur as mund ta imagjinonte.

     Realitetin e gjen të vargëzuara në vëllimet e pafundme poetike e mijëra e mijëra poezi.

Ky poet i pashtershëm, që hallet e dertet e Atdheut ia qëndisi kohërave historinë dhe i la në mënyrë periodike të arkivuara për brezat në botimet e shumta, si dëshmi e kohës për gjeneratat.

     Ende e bren malli i largësive, tek mendon për mirazhin e praruar nga dielli i Kosovës, ku frymëmarrja e një oksigjeni e shenjtëron atë. Ndjenja e të qenit shqiptar i Kosovës, ku punon  pareshtur për të marrë vlera e virtyte me një krenari sublime.

     Lirshmëria e të shprehurit ka qenë tipari kryesor i stilit të Ajgerajt, që në fillimet e hershme të krijimtarisë.

     Nëse mund të veçoj disa nga vëllimet poetike të këtij stili, nuk është aq e lehtë, pasi lexon një vëllim dhe mendon se është ajka, kur lexon tjetrin, sërish të rrëmben e të bën për vete.

Epo në do të veçojmë ndonjë:

     • Etje në fjalë. • Çaste Alpike. • Eh, Guri! • Antisimbiozë. • Strehët pikojnë mall. • Mendim i Gurtë. • Regetim në horizont • Nostalgjia. • Kronikë e udhëve, e dhjetëra e dhjetëra të tjera, po kaq formuese, kaq interesante, kaq brilante, që dhurojnë, veçse emocion për lexuesin.

 Brendia poetike e vëllimeve për të rritur është e jashtëzakonshme.

    Leximet e këtyre vëllimeve të shndërrojnë në një satisfaksion të jashtëzakonshëm.

     Është aftësia e autorit që bashkudhëton me lexuesin dhe poezisë i jep një natyrë marramendëse fantazie, pa çka se bota e trazuar e autorit, lexohet në vargje, sepse shpirti i tij i çlirët nuk duron dot padrejtësinë.

     Mesazhet e forta të shpresës dhe të besimit, të kurajës dhe energjive pozitive të krijuar mbi artin, optikën dhe mënyrën e komunikimit me njerëzit dhe lexuesin e gjerë, me brendi të fortë dhe shije të Penës, i përcjell gjithnjë lehtë e këndshëm.

Magjepse është poezia e poetit, ku për miqtë është më se e pritshme.

     Modele të arta letrare, të përkryer në lartësi metafore, janë gjithë vëllimet poetike të Gëzim Ajgeraj, ku depërtimi i vazhdueshëm në thellësi mendimi, intuite e imagjinate krijuese, gjithnjë në perspektivë, është pa dyshim poet me dhunti të përmasave madhështore.

     Dekadat kanë qenë për autorin tregues pozitiv i lëvizjeve tejet të veçanta, me përsosjen artistike dhe estetike, mbi diskursin letrar, mbi gjithë stilet e poezisë.

Për botën që e rrethon e përmbushin Gëzimin, dhuntitë e këtij poeti të madh dhe universal, ku i shpreh përmes ndjenjave gjithë arkivin e shpirtit.

     Vëllimet poetike të autorit, që përmbajnë tema të jashtëzakonshme e plot larmi, sjell plot motive e frymëzime nga bota që e rrethon, të shtruara në rrafshin poetik, në gjerësi e thellësi të këtij arti të bukur, të lëvruar në të gjitha sferat e imagjinatës, duke i perceptuar qartë me realitetin e kohës. Aty lexuesi gjen botën reale, gjithashtu, edhe kronologjinë e ndjeshmërisë, ku demonstrimi mund të nxitet.

Vëllimet poetike plot kapacitete bartin rëndesat e tyre emocionale. Plot kolorit dukurish identifikon kohën ndër guvat reale të shpirtit dhe të realitetit. Përshkon thellësisht botën emocionale dhe shijohet artistikisht në sinkron me trajektoret e së ardhmes nëpërmjet majave të fjalës.

     • Një tjetër stil, po kaq i rëndësishëm, poeti sjell poezinë për fëmijë me dhjetëra vëllime poetike që jo çdo kush mund të guxojë të provojë. Me këtë stil për shkak të delikatesës.

     Ama krijimtaria në stil, formë dhe përmbajtje ka vlera të veçanta edukative e formuese, me plot larmi temash dhe brendi të mrekullueshme të trajtuara me kujdes të veçantë, ku prek një botë tejet magjepsëse plot larmi ngjyrash, si ato ylberet pas shiut, kthjelltësi e kristaltë mendimi, forca e fjalës, imazhet dhe mesazhi që përcillet, ia shton vlerat vëllimeve dhe komunikimeve. I drejtpërdrejtë me fëmijët e bën akoma më atraktiv.

     Aftësia e poetit është se ai bëhet njësh me fëmijët, pasi tregohet aq luajal dhe i brishtë hera- herës. Sikur shtron biseda e ua këndon këngët e bukura që ua thur. 

     Madje, ata shpesh ndjehen si të rritur nga privilegji, përjetojnë emocione, ndjejnë kënaqësi e gjejnë hapësirat e nevojshme për të shprehur edhe idetë e tyre mbi krijimet.

     E gjithë relievin poetik e shtjellon ëmbëlsisht për shkak të botës reale dhe të padjallëzuar të fëmijëve.

     Dhunti që poetin e bën aq madhështor të modestive e çiltërsisë poetike në krijimtari.

     Dashurinë njerëzore, poeti e do konkrete, brenda botës së fëmijëve në përtëritje e ajo të jetë e pastër si prej qielli.

Gëzim Ajgeraj është poeti i gjithë moshave.

     Ai i këndon qiellit e tokës, lumenjve e deteve, i luftës për liri e paqes dhe harmonisë, i dijes dhe i dritës, ku gjithnjë përcjell mesazhe shprese.

     Me simbolikën e guximit dhe të shprehjes, me ritmin dhe metaforën, si pikë të fuqishme në poezi, në disa nga vëllimet pikon dhimbje e mall për tokën mëmë.

     Dekada më parë fëmijët e Atdheut përjetuan luftën bashkë me pasojat e saj, ndaj, pa dyshim, janë fëmijët e atëhershëm dëshmia e gjallë e kohës.

Pati bashkëmoshatarë, që lufta i mori, ku për hir të historisë poeti i sjell të vargëzuara, për t’ua dhuruar gjeneratave të reja, si shqetësime, që kombi i tyre i pati përjetuar.

     Lot e dhimbje të atyre fëmijëve që në kohë lufte vuajtën pushtimin serb.

     Gjeneratat e reja do t’i përjetojnë ato ndjenja, përmes vargjeve, e për t’i ruajtur si kujtime të hidhura të brezave të mëparshëm. 

Mesazhet ndër vëllime janë tejet edukative.

     Por, edhe porosi, kujdes e vigjilencë brezave, sepse veriu është afër.

     “Charles Bukowski ka thënë: “Mënyra për të krijuar art është të djegësh dhe të shkatërrosh koncepte të zakonshme, duke i zëvendësuar me të vërteta të reja, që zbresin nga mendja e dalin nga zemra.

Bota është si një libër, kush nuk udhëton, njeh vetëm një faqe.”

     Në këtë stil poetik vëllimet janë me dhjetëra, por në do të veçoj:

• Kroi i qytetit tim. • Libri është porta e botës. • Në kopshtin e gjyshit. • Fjalë e mall. • Gjuha e Lonës. • Kënga e zogut, etj.

     Përmes brendive, vëllimeve falë temave të ndryshme, ju dhurohet shumë dashuri njerëzore, mesazhe të shumta për botën e tyre të mbushur me imazhe shpresëdhënëse për rritën, edukimin dhe formimin, por edhe përgatitjen, për të përballuar sfidat e jetës.

     • Në mund të citoj disa tituj mbi fabulën dhe sarkazmin siç janë: • Hajni ketër. • Në kuvendin e artit, e plot të tjera të këtij lloji, janë vëllime poetike që te fëmijët sjellin shumë hare, por edhe formohen përmes këtyre formave poetike në këtë stil të veçantë dhe tërheqës për fëmijë, ku instikti futet në botën e artit, përmes vargut poetik.

     Cilësia në këtë stil poetik bën që të shpërthejnë në botën e përjetimeve. Tundimi  dhe shpërthimi i imazheve përballen fuqishëm.

     Pjekuria e frymëzimeve me konfiguracionet parapëlqen më tepër dimensionin kuptimor. Përzgjedhja me mjeshtri i bën poezitë në këto stile të prodhojnë ndikim estetik dhe të ndërlidhë fije të forta të fjalës dhe të mendimit. Vijnë si rrjedhojë në vijimësi profesionalizmi, sepse Pena e skalitur e autorit përshtatet në stilet e këtij zhanri me moshat e lexuesit.

     “Urtia popullore karakteristikë e trashëguar ndër breza, mbetet detyrë e të gjithëve, për ta ruajtur e transmetuar kulturën e traditën, ndërsa poeti e përcjell këtë dukuri përmes Penës te gjeneratat e reja.”

     Si margaritarë shkëlqimi zbresin dritat e meteorëve në duart e të rinjve, teksa ndriçojnë errësirën, ashtu si galaktikat në udhën e bardhë të qumështit.

     Ndër këto vëllime poetike për fëmijë, poeti kërkon që vlera ta mundë antivlerën, jeta ta mposhtë vdekjen, drita ta ndriçojë errësirën, virtyti ta eliminojë ligësinë, besimi ta mundë mosbesimin.

      Poezitë ndër vëllime arrijnë në stilin tyre, krijojnë ndjenjën e bukurisë, plot imazhe, ku ndizen perceptimet, bëhen dritë për ndjenjën e bukur me fuqi magjike në aspektin filozofik.

     Autori, Gëzim Ajgeraj, si mjeshtër i artit të Penës, zotëron çdo stil të poezisë, brenda këtij zhanri, me vlera të jashtëzakonshme, pasi muza e poetit është e mishëruar me traditën dhe kulturën kombëtare.

     Artin e pasqyron si realitet i epokave, ku përcaktohen vlerat e këtij arti, magjia e fuqisë, e fjalës poetike ndez shkëndija shprese përmes vargut poetik. Ja që këto vëllime për fëmijë vijnë si margaritarë, që shndrisin shpirtrat e fëmijëve, të rinjve, e jo vetëm.

• Etnosi kulturor. 

     Në krijimet për etnosin, do të gjeni një krijimtari me bazë të gjerë e brilante plot larmi, ku përfshin: lindjet, ditëlindjet, ninullat, festat familjare, fejesa apo martesa dhe gjithçka që i përket etnosit kulturor të zonës.

     Vëllimet përfshijnë fjalë plot muzikalitet të grumbulluar nga ajo minierë kulturore e popullit dhe traditën e ruajtur e kultivuar ndër breza. Në këtë maratonë të gjatë, ku artin e ka përkushtim jetësor. Me këto frymëzime është mishëruar ndër dekada.

     Me kënaqësi e përcjell për lexuesin, por edhe për t’u arkivuar, si dokument i kohës për brezat që do të pasojnë. Ky përafrim i poetit, me artin e poezinë, do të na bënte të ndjeheshim njësoj.

     Këto lloj poezish ndër vëllime, vijnë si këngë plot intonacione e muzikalitet e rrjedhin natyrshëm nga shpirti, ku përçon labirintet, ku merr udhën përmes diapazonit dhe mjeshtërisë së fjalës që krijon.

     Fenomeni: magji e vargut në poezi të këtij stili, arrin, pa dyshim, efektin dhe qëllimin përmes mesazheve, që përcjellin te shoqëria e gjerë, pasi poeti të bukurën e të magjishmen, e përcjell përmes fjalës.

Dialektin e vetëvlerësimit e ka kompletuar, në nivelet më të larta. Ata njerëz që të mahnitin me vlera të larta tradicionale, që dëshmohet më së miri në “Etnosin Kulturor”, ku vjen këndshëm për lexuesin e gjerë kultivimi i këtij arti poetik kaq të dashur për njerëzinë.

     Ky poet bën pjesë në grupin “CLEAR” të poetëve me gamë të madhe krijuese.

     Në gjithë këtë poetikë, që kemi sjellë me përzgjedhje, autori pa më të voglin dyshim e ka nga Gëzim Ajgeraj me gjithë unin e profilin e tij. 

     Idol i vërtetë i poezisë shqipe që e ka ngrit poezinë në majat më të larta të letërsisë, me autoritetin e tij të formuar përgjatë dekadave - ndaj mbetet referencë e spikatur.

     Mjafton të lexosh disa nga vëllimet, për të kuptuar se sa madhështore dhe magjepsëse është e gjithë gjuha e shkruar dhe e vargëzuar në varg.

     Seç bukuri e imponon, transmeton apo mbart fjala! Ç’dije universale ka brenda botës së tij magjike, plot filozofi, histori, letërsi e art, ku përcjell kumte njerëzore dhe përfaqëson me modesti e dinjitet në arenën ndërkombëtare.

 

                             Prenda Sejdia, Lezhë, 2021

 

KOSOVËS

 

Dritë m’i dhe mendimit

Vargut kroje

 

Nëpër alfabetin e pendës

Fjala e parë e dritës

 

Nëpër damarët e gjakut

Bonca e flijimit

 

Çfarë të të fal tjetër

Pos prehjes në gjirin tënd

 

 

GJUHA E METAFORAVE

 

Kur të nisesh në udhën e lirisë

Merr me vete pajën e qëndresës

Shtrëngo rripin e guximit

Në shënjestrën e trimërisë

Maleve jepu jehonë

Kur të ndeshesh me ujkun e zi

 

Kur të nisesh në dasmën e mikut

Merr me vete gjithë yjet e uratave

Zbrit zotat e dëshirave

Për lutjet e mirësisë

Nxirr nga ajka e shpirtit

Dëshirat e bardha për breznitë

 

Kur të nisesh në ngushëllimin e mortës

Merr me vete dhembjet me peshën e bjeshkës

Ndiz një kandil drite

Mbi kujtimin për mikun, shokun, a...

Mos e lë dhembjen pa pikë loti

Njëherë ikën ajo

 

Kur të të marrin udhët

Merr me vete shpresën e kthimeve

Zjarrin e mallit mos e lë

Të ta shuajnë dekadat në gji

Harrimet mos të të mallkojnë

Emri të të shuhet

 

    Maj, 2020

 

SHTREZAT E FJALËS

 

Janë ngrirë fjalët në degën e mendimit

E s’pipojnë nga vesë e udhëve

Mbi ikjen ka rënë ngricë e largësive

 

Pipat e dhembjes së fjalës

Janë ngritur si kristale mbi degën e pemës

E presin ngrohtësinë e diellit të kthimeve

 

Frika e vonimit të stinës së kthimeve

E mbyti mendimin

 

Në mos një ditë

Edhe frytin e fjalës në pemë

 

     Zvicër, 2020

 

 

VERTIKALJA

Ti ece vertikales së atdheut
Andej kah jeta me vdekjen piqeshin çdo ditë

Pa çka se pikëpjekja me ujkun e zi
Ishte fundi i kobit

Ti asnjëherë s’i mbylle dritaret e shpresës
të të mos frymojë më guximi

Përkundrazi, përpara syve të kobit
Shpërndave rrezet e dritës për të nesërmen

S’të theu asnjë furtunë
Ecjes tënde drejt diellit

 

ËNDRRËN S’ DUA

TA MARR ME VETE

 

Me ëndrrën e pambaruar

s’dua të iki

as peshën e saj

me vete s’dua ta marr

 

Guri i saj

më rëndon në shpirt

diç s’m’i shkon

fluturimit të zogut

 

Deri kur

me hilet e Evropës

e me gurin e Sizifit

mbi shpinë

 

Gurin dua ta shkul

përpara se të ikë

nga kjo botë

s’dua ta marr me vete

peshën e tij

as ëndrrën për bashkim

 

 

FJALA IME

 

Nuk e di nga pikoi

si shkëndijë drite

 

nga muzë e dhimbjes

a nga malli

 

shkëlqimin ta ngrita

në kupë të qiellit

 

tani m’i bën dritë

mos`harrimit

udhëve të përmallimit

 

Derisa jemi bërë një

këtij parakalimi

 

 

LIS NË FURTUNË

 

Orë e çast të rrahin stuhitë

Me pezmin e harrimit

Të ta shuajnë emrin

 

Mbi kodrat e mallit ku ti pipon

Motet e acarta

S’lanë degë pa e tharë

 

Mos rri përballë stuhive të udhëve

Ato thyejnë ç’ gjejnë përpara

Sa do të fortë ta kesh trungun

 

Ndaj jepi amështi kthimeve

Të mos thahesh harrimit

 

Mos vono furtunës

Se t’i mërdhinë motet e pritjes

 

 

KTHEHU!

 

Kthehu atje ku të pret malli

I ëndrrave të lëna në gjysmë

Mbushullo kullën

 

Kthehu nën hijet e Vërrinit

Ku prehet qetësia e botës

Pranë jehonës së fyellit ndër male

 

Kthehu atje ku emri ka peshën e gurit

E fjala të ngritë kalanë e dritës

Për brezat e së ardhmes

 

Kthehu atje ku të pret malli i emrit tënd

E ëndrrat të prehen përjetësisht

Në kullën e mbyllur në dry

 

Vonimit të shkrumbojë harrimi

 

 

PISHTAR NË FURTUNA

 

Sa e sa stuhi harbuan mbi të

Që t’ia shuanin muzën e fjalës

Me udhë e mall e dënuan

T’ia humbnin farën e bimës

Po burimin e lumit të fjalës

S’ia shuan dot

 

I dhanë pelin hasmi e helm robërie

T’ia mbytnin mendimin

Me zjarr e hekur

Kërkuan t’ia thyenin guximin

Po këngën s’e ndali se s’e ndali

Për ditët e bardha

 

Ai mbeti lis majë bjeshke

Ku s’ndalen furtunat

E motet pa arbitër

S’i ndahen tek fryjnë me ligësi

Por këngën s’ia ndalën se s’ia ndalën

Shpirtit të tij plot dritë e dashuri

 

 

MALL

 

Atje ku prehen ëndrrat e tua

Janë zotat e dashurisë

Zëri i këngëve të tua

Që lëvjerret lisave si bilbila

Ndër fllade e gurra

Nën hije ndër V’rrina

 

Ndër kulla të lashta sa shekujt

Tek i bëjnë roje lashtësisë

E nëna pjek pogaçet

Në çerep te vatra

Për nipat

Që do t’i kthehen

 

Ajte ka ikur malli

E është shtruar këmbëkryq në oda

Na i pret mbathcat e kthimit

E ne përpëlitemi karantinës

Evropa na i ka çelikosur gardhiqet

Në luftë me Covidin

 

 

IDEALI

 

Ndrydh mendimin e gurtë

E s’lëviz vendi

 

Bjeshkës m’i bën sehir

Dhembja e ndarë loton

 

Këndej e andaj guri

S’bëhen bashkë ëndrrat

 

Dikush me gurë

M’i gjuan idealit

 

Por, mendimin e gurtë

S’ma thyen se s’ma thyen

Për bashkim

 

 

SHËMBËLLTYRË  

 

Nëse njëherë do të kthehesh

në kalanë e kujtimeve
mos harro të marrësh me vete të shkuarën
ëndrrat e njoma të ecjes nëpër furtunat

E tehut të shpatës

Në përballje me ujkun e zi

 

nëse njëherë u përpushe

mes gurëve të së shkuarës
shpalos vragët e jetës që të mbolli koha
mos harro ta shpiesh atje lart në majë
ku pushojnë zotat e guximit

thur dhe një varg kujtimeve

të mos i shuhen pluhurit të harrimit

 

Dhe nëse dikush të flet

për dashurinë se si duhet Atdheu

nxirr një nga një gurët e dhembjes

nga muri i kujtimeve

ngrit kalanë qëndresës

si shembull frymëzimi për brezat

 

 

PËR FJALËN

 

Nga pema e mendimit
mbledhur i kam pipat e fjalës
Farën e mirë
E mbjellë për të nesërmen
Që të shartoj filizat

Me këngët e jetës – të breznive

 

Nga trungu i kujtimeve

Nxjerr lëngun e damarëve të shpirtit

Që t’i jap jetë mendimit

Të mos ia shuajë kush dritën

Shkëlqimit të fjalës

Nëpër ditët e bardha

 

E nga rrënjët e shpirtit

E ushqej frytin e mendimit

Që të mos ia shkulë kush

Farën e bimës së saj

Të frymojë lirshëm

Nën qiellin e breznive

 

 

 

IDEALI

 

Më mbeti në gji
Si një suvenir i ëndrrave të prangosura
Peshën e Atdheut e mban në shpirt

 

Me një copë beze të kuqe
Mbështolla ëndrrat e zogut
Mbi krah të vargut flatrova dëshirat

 

Dikush i ka rënë në qafë ëndrrës
Frymën ia ka zënë shpresës
Janë hijet e liga të gjakut të prishur

 

A bëhet Atdheu
Me bajraqe katundi, more hej!

 

 

IDEAL 2

 

Kam një jetë

Telall i mendimit të dritës

 

Me daltën e mendimit të mirë

I gdhendim udhët e së ardhmes

 

E me shpatën e fjalës

Në arenë me ligësitë e mbetjet e së shkuarës

Përballemi orë e çast

Në beteja për mendimin e mirë

Të të nesërmeve

 

Orë e çast zgjuar na ka

Buzë e mendimit të mirë

Dekadat shkrirë

Që e nesërmja e ndritshme

Të agojë

 

Edhe thinjat fjalës dhënë ia kam

Për diellin e ngrohtë

Të Atdheut

 

 

 

DIALOG ME “FQINJIN”

KRIMINEL

 

Amnezi na i duan kujtesës

Amnestojnë kriminelin e veriut

 

Emrat mbi gurë m’i bëjnë roje dhembjes

Varret zbrazur presin mortin

Plagët ende rrjedhin damarëve

Kujtesa dhemb në palcë

 

Mospendesa e kriminelit

Pasqyrë e përgjakshme e mos`harrimit

Gjarpër që s’e ndalë kafshimin

Tek të shikon në sy

 

Amnezi na i duan fjalës

Kur të ulemi me kriminelin

Se mos prishet rendi i tavolinës

 

Bile edhe hise na kërkon në kullë

 

Zot, ruama durimin

E kësaj padrejtësie historike!

 

 

ECJA JONË

 

Ecja jonë nuk ish nëpër fusha poleni

As gjumë nëpër shtretër të mëndafshtë

Shkëmbinj e gurë, dhembje e lot

Netë shekullore

Në arenën e përballjes

Me ujkun e zi te sheshi

 

Ecja jonë nuk ishte ëndërr gjumi

As lojë me plumba prej gome

Ish flakë, shkrumb e zjarr malesh

Në udhën e dritës

Mote shekullore

Dhe përballje me bajlozin e veriut të zi

 

Ecja jonë nuk është diell e as dritë

Errësirë, ankth e tmerr

Se për dritën

Veten e ndezëm kandil

Në përballje

Me korbën e veriut të zi

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

LETËR NUK SHKROVA

Letër nuk të shkrova këto ditë

As varg s’vura në poezi

Kjo pandemi e zezë

Pranverës ia mbylli në karantinë

ëndrrat e gjelbra

Portat i çelikosi

s’la udhë, as edhe një lajm për ty

 

Lajm nuk arrita të të çoj

as edhe një fjale të vetme t’i jepja udhë

I kanë mbyllur ato

dhe deri kur askush nuk e di

por këto ditë karantine

orë e çast mbështjellë mallit

dhe nga një lutje për ty

 

Vërtet letër nuk bëra këto ditë

As zarf nuk mbështolla për ty

Por, sa herë nisa dallëndyshet e mallit

Nga këtu larg

Me krahët e tyre përcolla

Plot urata e dëshira

Pasha këta dy sy!

 

 

S’DUA TË VDES KËTO DITË

 

Mortja ka zbritur mbi kokat tona

Orë e çast na fton në harrim

Armatë e Covidit ka harbuar topthit

Mos rafsh në pritën e tij

Nëse doni shpëtim

Na thonë të mbyllemi në karantinë

 

Për guxim e trimëri thonë s’ka vend

Ushtri tinëzare mos i thënçin

S’di as ku të pret

E as ku të vret ligësi e saj

Ajrin e tokën na e ka pushtuar

Gjokset për plumba na i kërkon tinëzisht

Ecë e përballu

 

S’dua të vdes këto ditë

Pa qoftë edhe nga e mbinatyrshmja

Kur udhët e mallit

M’i kanë mbyllur me hekura

E karantina alpike

Nuk na ofron as varr, pos krematoriumit

 

Ndaj, s’dua të vdes

Në kohë pandemie këtu në Alpe

Zot, ruana të mos na shuhet emri

Kësaj largësie

Ku as edhe gur për varr

S’të japin

                      Maj, 2020

 

ÇASTE PA FJALË

 

Në dhomën e mendimeve

I kam fikur dritat

Nata ka rënë heshtjes mbi muzë

 

S’dua t’i jap as fjalë vargut

As dritë mendimit

Kësaj etjeje verbuese

 

Aktit të vetmisë

I mungojnë aktorët

Monologut të heshtjes

Pikon nata

 

Asgjë e bukur s’u gjet

Për varg e për fjalë

 

M’U PLAKËN ËNDRRAT

Të njoma i nisëm ëndrrat e bashkimit
Nëpër rrjedhën e Drinit
Eh, sa gjatë i shtrydhëm në gji
E i fshehëm nga korba që na rrinte qiellit mbi
E ushqyem me guximin e moshës
Që të piqej buka e ardhur e Atdheut

Gjatë e ushqyem etjen
Që na i ndrydhte dëshirat e uritura
E me to zgjeruam horizontet e dritës
Që të shumëzoheshin rreshtat e vizionarëve
Për dritën
e të nesërmeve të bardha

Nëpër thinjat e ëndrrave
I shkruam legjendat e bashkimit

Dekadat ia falëm idealit

Që e kishim të mbjellë në gji

E zjarrin që s’e shuam kurrë

Do ta mbajmë stafetë të ndezur në brezni

 

E DJESHMJA E ZEZË

 

E djeshmja e zezë

S’na ndahet se s’na ndahet assesi

Me kob e mort

Na rri te gardhi fqinji i zi

Shpatën e mpreh çdo ditë

Mbi hartën e Atdheut

 

Ajo na ndjek si hije

Me mjegull mëngjeseve tona harbon

S’na ndahet se s’na ndahet me ligësi

Ditëve tona të bardha

Assesi s’i bindet humbjes

Dhe krimit që i mbanë mbi shpinë

 

Kërkon koka të reja

Me krim të ri ta mbulojë të moçmin

E farës sonë ia kërkon harrimin

Që të mos pipoi shqip bima në këto troje

Etje hegjemoniste

E iu këputshin gjunjët këtij synimi

 

 

TEPËR GJATË E DURUAM,

GJARPRIN NË OBORR

 

Tepër gjatë ia duruam

bishtin e gjarprit në oborr

shtatin e shtrirë fushës

helmin në dhëmbë

tek na i hante zogjtë

sa herë që kishte uri

e tërbohej bisha

 

Ta durosh një shekull në oborr

krimin e bishës karpatike

ose na kish mbytur gjumi

o verbëria na i kish pushtuar kokat

e s’ia kërkonim

qarën vetit

 

Shpeshherë e pyes veten

nga na piku ky gjarpër në oborr

e na ra për hise

e qe besa edhe nguli kthetra

e kërkon hise

brenda gardhit tonë

 

Më dhemb shpirti

për motet e zeza të durimit

dhe korbën e veriut

që aq gjatë e duruam

tek na e zinte diellin

e na mbillte kob oborreve tona

 

FQINJI

 

Përtej gardhi ulërin ujku i veriut

Natës i thirr me shëmti

Kob ndjell kafsha e zezë

 

Hije e trishtë iu ka bërë natës

Zogjve edhe në pikë të ditës u bie në qafë

Medet, ç’bishë  kobzezë hapëron Ballkanit!

 

Fatkeqësi të kesh fqinjin grabitqar

Mort të ndjellë ditë e natë

E s’të ndahet e liga

 

Te gardhi mbajeni në thumb

Në frëngji të kullës vigjilencën

Po deshët mbijetesën

 

KONFERENCA

 

Atë mot ia prenë petkat Ballkanit

Shqipërisë ia bënë copa- copa

 

Deshtë ta lënë edhe pa to fare

Se kështu ia kish qejfi Evropës

 

Këmisha e shqipes shitej kuluareve

Si një plaçkë në tregun e padronëve pa tapi

 

Këndej fqinjët grabitqarë vidhnin gardhiqeve

E mbillnin kob kullave arbërore

 

Zot, ç’zallahi e kob ra

Mbi shtatin e Shqipnisë

 

Atë mot e sot

Na mbetën gurët mbi shpinën e Atdheut

 

 

GURI I GJAKUT

 

Ka një shekull jetë

Që ma pi gjakun

E me gjakun tim

Rritë rrënjët e mbijetesës

Atje maje Pashtriku

 

Po si s’ju shua etja

E s’i pëlciti gjerba

Nga gjaku i derdhur

Nga damarët tonë

Të pëlcitur për dritën

 

Ka një jetë që më bën hije

Gjoksit të Atdheut

E ia nxë frymën

Që të mos i rrahë

Pulsi në zemër

 

Ka një jetë që ma pi gjakun

Nga damarët e Atdheut

E me gjakun tonë

Ushqen rrënjët e rritës së vet

Atje mbi Pashtrik

 

NDARJA

 

Një moti të përdalë  të Evropës

ia prenë me gërshërë hartat

 

Bjeshkës i ranë me shpatë

e ia ngulën në zemër atdheut

 

Gjysmës së shtatit të atdheut

ra morti kullave

 

Një gjarpër i zi hyri në oborr

e s’la të ligë pa bërë

 

Peshqesh i Evropës

për shqiptarët i thanë

 

Nga ajo ditë

S’pa dritë atdheu i shqipeve

 

 

NË NDJEKJE TË ËNDRRËS

Nganjëherë lakmia e Drinit
Më merr me vete
E më shpie përtej gurit

Futem thellë nën ujin e liqenit
Dhe derisa shpërlajë blozën e lodhur të robërisë
Jam përtej gurit

Seç më ndjek nga pas
Një ujk i zi
Me dhëmbë të përgjakur

Dhe derisa gjendem
Në mes të ëndrrës
Tmerri më ndjek si hije

Eh,
Po të mos ishte guri...!

 

ËNDRRA PIKON

 

Mbetëm dy dhimbje

këndej e andej guri në mes

 

Etje e zgjuar na mbeti dëshira

malli na e përvëloi

 

Këngët na u thanë në fyt

nga klithma e gurit

 

Ujqit në këmbë, Evropa

roje na i bënë plagës

 

Plaga që u pikon

e shërim s’i gjendet dot

 

Ëndrra mbi Pashtrik

Rënkon...!

 

POEZIA

 

Afër një dritare të zbehtë Alpine

jemi ulur të dy

si dy zogj në pëshpërimë

 

Dhimbje një e kemi bërë

e mallin krahë dallëndysheje

 

Çastet i tjerrim me njëri-tjetrin

derisa fjalën e gdhendim

për ta vënë mbi eter

 

Malli na i trazon muzat

e si pika shiu

trazohen memoaret e shpirtit

 

Dita Alpine hyri përsëri

përmallshëm

në vargun tim

 

 

PASAPORTA

Më shkruan
e ç’nuk më shkruan
mbi emër e mbiemër

Herë avnojan më thanë
herë unmikistan, e e e...!

Tri herë ma ndërruan
të mallkuarën
Të kuqe, të kaltër...
e asnjëra s’më  bënte
as për atje poshtë (me nder me thanë!)
letra ishte e fort

Më thanë
edhe sa të duash të japim
e ç’të duash
vetëm atë mos e kërko
se ia prishim
qefin Evropës (të më falni...)

Shqiponja më mbeti qiellit
assesi s’e zbrita në xhepin tim

PLAGA QË KULLON

Gjëmë dëgjohen
mbi Pashtrik
rënkon zemra e qarë e Atdheut

Krisma dëgjohen
përreth gurit
janë pushkët e lirisë

Klithma dëgjohen
maje bjeshke
janë ushtarët e rënë në kufi

E kuqja
e mbuloi gurin atje në majë
është gjaku i dëshmorëve

U skuq
edhe rrjedha e Drinit
është rrjedha e gjakut që s’ka të ndalë

 

MBETËM COPË -COPË

 

Kur të nisesh për te vëllai

mos harro pasaportën

s’të lë Evropa përtej

 

Nëse të ka marrë malli për kafe

me vëllanë në Kukës

mos harro pasaportën

 

Kur të merr malli për Durrësin

A detin m’at anë

Pas pasaportë mos u nis

 

A kur të merr malli për Skënderbeun

A Krujën e bekuar

Pa pasaportë s’dilet m’at anë gurit

 

Eh,

Mbetëm me pasaportë në xhep

Duke mos ia prish qefin Evropës

 

 

FLIJIMI

 

Ajo që shtrydh shaminë

atje maje kodre pranë gurit

është nëna që vajton të birin

 

Në jehonën e klithmave

që pushtojnë Pashtrikun

është vajtimi i motrës për të vëllanë

 

Ai fëmijë që s’e ndalë thirrjen:

babë, babë, babë

është fëmija i dëshmorit, jetimi

 

Ai u flijua në luftë

duke luftuar që të heqë thikën e Evropës

nga zemra e Atdheut

 

KUKËSI

 

Të prita

ditën e dasmës së madhe

s’më erdhe

 

Të qova

edhe lajmëtarin maje Pikëllime

më the:

s’të la Evropa!

 

Gjak më ranë duart

maje Pashtriku

duke rrokullisur gurin

 

Ende s’të hapa udhë

 

PRAPË I VETMUAR

MAJE KODRE

 

Krisma e gurit

më zgjoj tmerrshëm

e ma çau gjoksin

nga pesha

e rëndë

 

Një mal bubullimash

shkarkuar janë

s’ia gjej dot rrënjën

këtu ende

ka vdekje

 

Dhe përsëri gjej veten

maje kodre i vetmuar

tek ia luaj

vendin gurit

përpjekjes për ta shkulë

nga zemra e Pashtrikut

 

 

RELIKTET E SHPIRTIT

 

Në qoshkun e kujtimeve

S’e gjeta as plakun tek oxhaku

T’i ndizja një cigare

Me *gacën e prushit të vatrës

E t’i ndërronim do llafe

Për kohët e motit

 

Ai kish ikur tjetërsimit

Në botën e amshimit

E mbi postajën

E dashit të bardhë

Nga kopeja e tij

Kish lënë çibukun e qelibartë

Dhe cigaren e fikur si kujtim

 

Te rafti i odës

Plisi i bardhë po i ruante kujtimet

E rendit të odës

Dhe porositë e pleqve të Malësisë:

Neve në mos na gjetshi

Varret mos na i harroni

 

Ehhh, ç`dhimbje

Trazuan atyre çasteve kujtimet

Dhe gjurmët e plakut në odë

Të kullës së mbetur në vetmi

 

SYRGJYNOSJE

 

Ti s’ke atdhe

I thanë i thanë

ditën kur ia ngarkuan

Mallkimin e udhëve

Mbi shpinë

 

Në daç pi helm shafrani

Në daç ngarko mallkimet

Dy zgjidhje për ty

 

Ti s’ke atdhe

Toka ku u linde

S`është jotja

 

I thanë e ç`nuk i thanë

Edhe gur i hodhën pas shpine

 

Atdheun

Harruan t’ia shkulnin

Nga gjoksi

As nga shpirti

 

Ai e ruajti memoareve

Për ditën e kthimit të bardhtë

 

KOHË ULËRIMASH

 

Ç’shushurimë e ditës më pëshpërit natën

Herë vjen si mashtrim e herë si premtim

Mbi shpresën për dritën një zhgënjim i marrë

Na bie mbi frazat e mendimit të zbehtë

Zezon e marrë shpresa mbi kokën e fjalës

Nata bëhet korb mbi ëndrrat e dëshpërimit

E ç’t’i jap mendimit të mirë e fjalës

Në këtë kohë pëshpërimash e premtimesh

Pikë e pesë m’i bëtë ëndrrat e mendimit

Në të djeshmen e grishur mendimeve të marra

E të sotmen duarbosh me shpresa të vrara

Na ndërtojnë ëndrrat në pikë të ditës për ditë

Ku ta gjej guximin e t’i jap muzës mendimin e mirë

Unë s’të premtoj asgjë fjala ime e urtë

Veçse përpjekjes për të avancuar lart e më lart

Dhimbjen nganjëherë do e ruaj për vete

Por edhe kur të ta fal ndonjëherë 

Ti e di se ma kupton shpirtin e m’i gjen vend

Brengës e mendimit për të nesërmen e bardhë

Pa le të ulërijnë premtimet e kota

Herën tjetër u shkrofsh pa zhurma e shushurima

Nëpër ditët e ardhjeve të bardha

 

 

LIRIKAT E VETMISË

 

Mbi heshtjen ia bën plot zukamë mendimi

Plot zhuzhurimë siç thahet vera ndër male

S’kam ç’t’i jap as fjalës as etjes kësaj thatësie

 

Pas heshtjes dhe vetes

pak melhem ngushëllimi

 

Mbi heshtjen çukit malli

Udha e largësive na mbyt në harrim

Dhe nëse s’kemi ç’t’i japim muzës së fjalës

Gjeografi e udhëve mbjell veç mallkim

 

Mbi të djeshmen i ngritëm muranë kujtimet

Plot nostalgji e etje që s’kthehet më

Të sotmen e djegin udhëve të mallit

E mbi varg e thyejnë heshtjen

Kronikojmë mbi to 

 

 

VËRE EMRIN TIM MBI NJË GJETHE!

 

Ndoshta do të ishte mirë

Të mos më kujtosh më

Harrohu në heshtjen tënde të mbyllur

Le të të marrë me vete

Erë e harrimit

 

Si fletë e harruar mbi një lëndinë

Larg mallit tim

 

Rruga ime plot tatëpjeta

S’pati vend për ty

Ecja në maratonë ka sfida

 

Lëre emrin tim mbi një gjethe

E ti mbushullo me aromën e luleve

Harrimi të t’i mbysë kujtimet

Se vjeshta po afron

 

SENTENCAT E FJALËS

PËR DRITËN

 

Nëpër tehun e shpatës e përbiruam fjalën

Që ta ushqenim shpresën e së nesërmes

Për ardhjet e bardha

 

Me qiririn e shpresës së fjalës

I ndriçuam ecjen errësirave pa dritë

Që të mos na zinte zhgënjimi

i netëve shekullore

 

Me palcën e ashtit i shkëlqyem rrezet e diellit

Me forcën e etjes për diellin e shëruam dhimbjen

Që të mos na verbonte nata

me korbat mbi kokë

 

Nëpër etjen e madhe për dritën

Shkëmb e bëmë dhimbjen

Malet i mbushulluam me dritë

Tek kërkonim rrezen e diellit

 

Ndonëse të vonuar ishim

Rrezen e fundit të diellit e kapëm

Dhe marshuam me agimet e bardha

 

KROI I FJALËS

Aty pijnë ujë muzat e mendimit
E freskohen zanat e metaforave të së nesërmes
Edhe kur ka mall shpirti
Edhe kur zjarrmia djeg ballin
Rrjedha e tij s`ndalet

Burimeve të rrjedhës së kujtesës
Gurgullojnë vargjet e dritës
Nga damarët e fshehtësive të shpirtit
që shpërthen

Të thella i ka puset e burimeve
E pashterrshme rrjedha e tyre
Përherë i freskon këngët e ecjes tonë

Edhe atëherë kur edhe heshtja fle
E pëllumbat e etjes bëjnë gjumin e tretë
Rrjedha e jote vërshon vargjeve për dritë
E ia shuan etjen këngës

Këngët e jetës i mbushë me freski
Nëpër rrjedhën e vargjeve
I shtrinë damarët e dritës

Lum ata që pijnë në kroin e saj
E i freskojnë dritën e së nesërmes
Me këngët e jetës

 

MENDIM I ZBEHTË

Përse copëtohesh mendim i zbehtë, përse
Këtë herë as të kredhur s’të gjeti dita
Nëpër qelqin e shpresës kapërcimit thyhesh copë-copë

Dritën e ëndrrave plot shkëlqim, pa terr
As rrezen e ëndrrave s`ta kishim parë aq zi

Fillin që e pamë mashtrues ishte shkëlqimi
Kësaj vere edhe më të verdhë të gjeti me pamje vjeshte

Mbi gjethet e tua ka rënduar vesë e ligësisë
Tymit e mjegullnajave dyzohet kohë-jotja
Do tredhë kohëpëlkyera, do gurin harrimin

Kot i flasim me të butë kot i pupëlzojmë shpresën
Kot t’i zbukurojmë këngët hijeve të besimit
Me trëndafila të egër a zbukurohet e nesërmja

As me lisa të thatë s`dyzohet metamorfoza e dritës
e kullës, ç`të të jap për sot e për nesër shpresa ime
Të të vesh mburojat e shpresave e të të mbaj larg
Sa më larg territ të pendimit

 

 

MOS U ULNI NË SOFËR ME SATANËN
 

"Fqinji" i veriut tonë çdo ditë na fton në sofrën

e mashtrimit
Harron gjarpri i veriut epokën e kuqe apokalipsi dorëzi

Kërkon ta futë bishtin në skaj të oborrit tonë
 

Me thikën prapa shpine po vjen e

me buzëqeshje mashtruese
E shihni Evropës si ia rrah shpatullat

kurvërisht e përqafon
E majën e thikës e mban gati përtej mezhdës sonë
 
Harron lulëkuqet mbi varret tona e varret pa arkivole
Dhe kolonat biblike dhe kullat shkrumb e hi
Dora barbare satana e veriut të zi
 
S`ka ç`na duhet fqinjësia me satanën e pabesë
Fytyra e re ende i ka njollat e freskëta të krimit
Me kriminelin nuk ulet në një sofër
 
E shihni si shtiret as pendimit nuk i thirr
Duart i ka plot gjak i fsheh prapa luleve
Vetëm shikojeni kur ia dhuron zonjës plakë
 
Ti plisbardhi im atje te oxhaku e bëhu zot shtëpie!
Njëherë e përgjithmonë tregoja vendin

"fqinjit" e zonjës plakë
Digjja bishtin te mezhda gjarprit të veriut
Dhe thuaj zonjës plakë njëherë e përgjithmonë
Në kullën time, zot shtëpie jam vetë!

 

 

KËRKON KY GJARPËR NË OBORRIN TIM
 
Ç`kërkon ky gjarpër në oborrin e shtëpisë sime, pritjani udhën
Ka njëqind vjet m’i ha zogjtë dhe rritën e luleve në kopsht
Lisat e atdheut m’i than furtunë e tij dhe këngën ndër kulla ma vret
Rritën e fëmijës ndër djepa buzëqeshjen e vogëlushit
Shtypjani kokën te gardhi të mos na e përbalt gurin e mezhdës
Pse heshtni hapave të tij, flisni me gjuhën e zjarrit, gjuhë tjetër s`njeh
Ikjes së tij pas njëqind vjeçe ende plagët na pikojnë
Ende kullat tona mbyten shkrumbit e pritjes ata që s`po kthehen
Kodrat tona janë të mbushura lulëkuqe a s`i shihni si ndrydhen varret
Nënat shamizeza tek rrisin jetimët me bukë e pa bukë
Vashat që s’e pritën ditën e nusërisë e djemtë që s`u bënë kurrë dhëndër
Pleqtë e djegur në kullë tek i bënë roje lashtësisë
E djemtë që u bënë lulëkuqe në legjendat e atdheut
Dhe kujton se ia kemi harruar të bëmat e zeza, përpara ikjes veriut
Mos m’i lëndoi plagët që sa po më kanë zënë cipë
Mos m’i trazoni dhimbjet e moteve barbare
Shtypjani kokën atje te guri s`dua ta shoh në oborr
Ma thuaj vëlla i dashur, a jetohet me gjarprin nën një çati
Dhe ti më thua se vargu yt ka plagë e plagë
Por mua plaga ende më kullon në gji...
 
      

                

FQINJËT GRABITQARË
 

Arës së ngushtuar të atdheut na ndrydhin përditë
Arnojnë dhunshëm hartat e tyre me copëzat e zaptuara
E na e skuqin këmishën çdo ditë me gjakun tonë

fqinjët grabitqarë
 
Poshtë arën e gjyshit dhe detin m’i vodhi satana e jugut
Në lindje as dielli s’po lind me natën e zezë verbon
Pa shih gjarprin e veriut grabitqar ku kërkon

ta shtrijë bishtin
Perëndimit korbat i nxinë malet ujqit duan mjegull
 
E ne sillemi fitimtarë nëpër arën e copëtuar të katragjyshit
 
Fqinjët tanë të parë mos i paçim kurrë
ç`të duhet grabitqari kur çdo ditë në skaj të arës

ta shtyn mezhdën
E me thikë prapa shpine ta vret diellin e lirisë
E s`ngopen, e s`ngopen, e s`ngopen
 
Hej ti plisbardhi im, pa zgjohu njëherë e shih
Si të janë katandisur vëllezërit e motrat hartave

copa-copa
Tregohu zot në arën tënde e thuaj se ti ishe këtu
Edhe kur të tjerët stepeshin lisave...
 
Prapë arës tënde kërkojnë hise bishat e karpateve
E të sillen vërdallë mezhdës së atdheut
Medet ç`fqinj të pangopshëm rrethojnë gardhit tënd
 
Ngrihu dhe njëherë, plisbardhi im, ngrihu
Për mikun bukë e kripë e zemër, për armikun... plumb!
Kjo është gjuha e historisë, fatkeqësisht në Ballkan...
 

 

 

JU ECNI BALLËLARTË BIJTË E MI
 
Edhe nëse do të më kërkoni një ditë nën gurë bijtë e mi
Apo të vraponi kërkimit të emrit tim nëpër botë
Ecni rrugëve dritë atje do të më gjeni
 
Nëpër gjakun e pendës më kërkoni

se aty do të ma gjeni rrjedhën
Më kërkoni në fjalë se aty prehet emri im
 
Kam ecur një jetë në këmbë udhëve të idealit ditë e natë
Me furtuna karpatesh jam ndeshur në arenën e dritës
Për të nesërmen e bardhë të Kosovës
 
Me skafandër e helmete  na e vritnin diellin
Gjarpri i veriut na kish rënë në oborr
Nëpër teh shpate e përbiruam idealin e së nesërmes
 
Toka u shtrua me lulëkuqet
Malet i mbushulluan me dritë
Për diellin e Kosovës
 
Udha e mbijetesës kaloi nëpër maja thikash
Por s`na theu kurrë ecjes sonë
Derisa gjarprin e veriut e përzumë nga oborri
 
Sot ju jeni zogj të lirë në lirinë e atdheut
Gëzoni ballëlartë përpara brezave
Edhe për rininë tonë që ia falëm atdheut
E si kërkuam asgjë
 
Edhe për idealin që s`na e thyen furtunat
As etjet e pushteteve të buta
Përherë besnik në idealin e kombit

 

LIMFAT E MENDIMIT

 

Mos më ndalni rrjedhën fjalës të më thajë harrimi

As shirat e etjeve mos mi shtoni

të mi përziejnë pikave

Që ta ruajë të bardhë ngjizjen e fjalës vargut

 

As me diellin e etjeve mos më përvëloni

Se nëpër freskin e vargut mos më shtoni zjarrmi

Nga malli ikjeve e udhëve të gjata

se s' dua të më thahet fjala

rrjedhës sime në varg

 

Më lini me atë etjen time të rrjedhë

Nëpër shpirtin e trazuar të fjalës së lirë

Ti shtroi etjet e mia nëpër qelizat e vargut

duke dyzuar me fjalën

 

Ndonëse një lëngë mendimi jam

Nëpër kërcellin e fjalës dua ta ushqej të nesërmen

Pamvarësishtë se jetën e dua shtratit tim

për të nesërmen jepem pa dhimbë

 

PA CENSURË

 

Ka dy dekada

Na i grinë nervat nga koka politika

 

Herë njëri e herë tjetri i hipin frontit

Rrokada e lojës së shahut s’ka të ndalur

 

Veriu i zi sjell helm e vrer

Evropa  mat e ç’mat pazaret e hesapeve të veta

Bajraqet tona orë e çast ia ngulin thikat Atdheut

 

Këmishës sonë se kush i turret më i pari

Me një palë gërshërë prapa shpine

 

E ne sillemi si të marrë

Verbërisht tek i duartrokasim ligësive

 

Kullës po i lëvizin trarët

Skajeve i pikon ende çatia

 

IDILË VËRRINASE


Në Vërri do të dalim në këmbë a makinë

Në flladishte të freskëta ta gjejmë Malësinë


Mbi shtatin e saj t‘i çlodhim kujtimet

Ta shterrojmë mallin e t‘i freskojmë gëzimet


Dita ta gjejë zbardhë mbi kodra e lëndina

Flamurin e etjeve ta ngrisim në Vërri na


Me vapën e ditës dalim në piknik

E ta djegim ditën zjarrin pa e fikë


Me pushkët mbi krahë e ta shkundim malin

Me shokët e mirë e për gjah të dalim


Këngët për atdheun të marrin  jehonë

Ngushëllim për atdheun trimat tek kujtojmë


Dhe vapën e mallit  flladishteve ta shuajmë

Hijeve të Vërrinit ëndrrat ku na i ruajnë


Fyellin e bariut jehonën tek dëgjojmë

Me ëndje e mall nostalgjinë freskojmë


Mbi lisa të gjatë cicërrimë bilbilash

Me ajrin e pastër aromë trandafilash


T‘i shijojmë hijet në burime, nën lisa

Ku etja shuan mall, bukuri merr dita

 

ETJE NË FJALË
 
Thatësi në fjalë, në shpirt në mungesën tuaj
Silueta të trazuara në kolonën e mallit dhe orën e prishur
I huaj mes të huajve dhe damkën e përbuzjes prapa shpine
Me se ta zbukuroj fjalën, ç`t’i jap vargut, në këtë thatësi alpesh
Ku fjala shkrumbohet buzëve nga zjarrmi e mungesës suaj
Ku kënga digjet thatësisë së mallit, ende pa i vënë notat në
pentagramin e udhëve e shkrihen në lot, e dita bëhet pelin
Mungesës vizatojmë portretin e mallit etjes ledhatojmë ngjyrat
Me tingujt e dhimbjes i i ngushëllojmë vargjet që të mos na i zërë

Harrimi i mallkimit të udhëve në kolonat e ikjes pa arbitër
Himnit të largësive ngrij flamurin e ylbereve të fjalës
Largësitë tek i lidh nëpër jehonën dhe krismën e saj
Që na nxjerr nga harrimi e më kthen atje ndër lisa
Mes dashurisë tuaj mes ëndrrave mes kullave të shkreta
Ku përhyjnojmë ecjet tona e ditës i vëmë një emër
Me netët e vona gëzojmë edhe kupën e qiellit e atdheun
Ku breznive u vëmë ebra burimesh lumenjsh e malesh
E na shtohet kënga  jonë nëpër ecjen plot dritë për të nesërmet
Që do të vijnë të bardha si rrezja mbi Sharr
Për Vërrinin ku ruaj këngët e pakënduara të moteve barbare
Dashurinë për lirinë të bërë shkrumb nëpër kulla
Qëndresën nëpër mote dhe besimin për dritën e së nesërmes
Rritën time në kulla e porosinë e plisbardhit pranë oxhaku
Për besën e ruajt ndër shekuj traditën kullës
Ç`t’i jap më shumë vargut në këtë udhëtim alpesh
Kur ikja mbytet zjarrmisë e kolona e mallit më lë vetëm
Pos ngushëllimit se një ditë do mbathim mbathcat e do nisemi

JU, FRESKIA E VARGUT TIM
 
Nëpër etjen e mungesës suaj i kam shtjerrë krojet e mallit
Gjithçka u kam falur me fjalën, dashurinë dhe këngët e dritës
Pa çka se mua  më vodhën udhët e më tret gjeografive
Frymoj mes jush mes rrjedhës së gjakut tuaj në damarë
Me ju përhyjnojë ditët motet dekadat arratisë sime harrimit
Me këngët tuaja i zbukuroj ditët e dhimbjeve të zjarrmishme
Me fjalën tuaj e freskoj vargun e shkrumbuar nga zhurinë e Alpeve
Edhe kur digjem zjarrmisë mes jush ndër lisa ia freskoj ballin mallit

E me këngën e bilbilit i shëroj kohët e dhimbjeve të mëdha
Në burimet tuaja etjes i jap freski krojeve të Vërrinit në Sharr
S`ju ndaj në varg ju përhyjnoj në fjalë në këngë
Nëpër alikimin e mendimit ju përherë mbeteni rrezja e frymëzimit
Në lutjet e mia për të nesërmet e bardha për dritën diellin
Që dua t`ju ngroh çdo ditë o ju fisi im plotë plagë
Dhe ju më, kujtoni se më mbyti harrimi nëpër kolonën e udhëve
Jo, o jo, ju lartësoj në këngët e mia ju lartësoj në fjalë
Me shkrumbin e kandilit tim dritë dua t’ju fal
Të nesërmeve tua të bardha dritën e fjalës ua fal
Ju dua o ju të uruar ju dua ndaj këngën s’e ndal
Mes jush frymoj çdo ditë në çdo muzë të mendimit
Ju përhyjnoj në këngë ju përhyjnoj në fjalë
Ju më jeni burimi freskia e këngës sime në mall


ANATEMA E FJALËS SË PËRMALLTË
 
Fjalë e pathënë, hap portat e shpresës, thuaj
Përtej largësive të përmallta, përtej gjeografive, udhëve
Ndërto shtrofullën e mendimit, ngacmo muzën, atje
Ku zotat e mallit prehen, ku flenë dashuritë, kënga
Ku rrit djepat, ku gëzohen kulla ndër breza, nëna
Përkund nipat si lisa, ka kthehen e zbukurojnë ditët, nuset
Arbërore sa mirë u rrinë për krahu, si flutura oborrit, peshë

Ku të ka emri, rrit mendimi i së nesërmes, dritë
Të ka e thëna, dritë mendimi, kuptimësi ecja, mjaltë
Ku është balta, plot dashuri ku shtrohet kënga
Ngrit shtrofullën e mendimit, mes dashurive pushto hapësirat
Dritë jepi të nesërmes, brezave së ardhmes hap portat
Se drita jote ka shkëlqim, është rrezja ku ngrohet, e nesërmja
E bardhë, plot dritë, plot shpresë, plot vizion

ÇAST
 
Në prehrin e vetmisë sime dimri ka zënë strofull
Stalakmiteve të pritjes është lëvjerë largësia
T’i djeg diku mallit nëpër shkrumbin pritjes
 
Me lëvozhgat e mallit a kam mbështjellë mungesën
Që të mos e mërdhijnë dimrat e acartë alpin
Me pushin e pritjes e ngroh shpresën e kthimeve
 
Udhëve u kam lëvjerrë në qafë kalaveshët e shpresës së kthimeve
Që t’i mbëltoj çasteve të hidhura alpine nëpër vetmi
 
Nëpër vonesat e kthimeve mosharrimeve i shkruajmë kronika
Dhe me këngët e mallit zbukurojmë ditët e arratisë nëpër gjeografi
 
Dhe me këngët e së nesërmeve të bardha
Brezave ia vizatojmë udhët e ikjeve tona
Harrimit i ndezim kandilin e dritës

ZGJOHU ZOGYNË
 
Kob Zogynë kob korbat po kërkojnë të t’i hanë zogjtë
Skajit të arës t’i kanë ngritur shatorret dhe mbi copat e zaptuara
Kërkojnë varre të reja ende pa i mbyllur të parat
Mbi kokën tënde mbi trupin tënd mbi vrragët e pashëruara
Mbi kullat tua ende të pa rindërtuara erë flake po frynë
Duhmë e veriut të zi ka aromën e shkrumbit
Uri e tij për zogjtë e tu për tokat s`ka të ngopur
As për arën në veri të oborrit as për luginën e zanave
Pa çka se trupit tënd plot me njolla të zeza rëndon
Vetëm unë ta njoh klithmën zogynë ta njoh dhimbjen si ther në shtat
Dhe rrjedhën e plagëve nëpër shekuj dhe kullat e shkreta
Djepat e rrapëlluar me sungi në mes e nënat që s`lindën kurrë
Motrat që s’e panë ditën e nusërisë e djemtë që t’u bënë lule për ditën e bardhë
Pleqtë e plakat që tu dogjën kullave duke j bërë roje lashtësisë
Oborret të mbushura shkrumb e hi e oxhaqet që s`u rrëzuan kurrë
Si statuja u rrinë përballë gjurmëve të barbarisë
Vetëm unë ta njoh plagën zogynë ta njoh rritën
Që s`ta lanë të shumëzohet nëpër shekuj
Ah ky veriu i zi zogynë ky veriu i zi karpatik
ç`kërkon mbi qiellin tënd mbi trupin tënd mbi arën tënde
Zgjohu njëherë o shqiptarë, trego grushtin, shtypja kokën njëherë e përgjithmonë
Këtij gjarpri me etjen e pangopshme nëpër shekuj


MBI ARËN TIME MOS HIDHNI FARËN
E SJELLË NËPËR FURTUNA

 
Unë jam këtu qysh kur puthej toka me diellin
Rrënjët i kam thellë në zemrën e tokës e kokën kah qielli
Rojë i bëj shekujve kah parakalojnë furtunshëm këtejpari
I bëj roje tokës kullave lashtësisë stërgjyshore
Dhe shqip i flas dheut shqip bjeshkës të m’i ruajë këngët
 
Moteve sa herë bën furtunë Veriu Azia a Mesdheu
I sfidoj pritave furtunave ia pres kokën
 
Ju kot përpiqeni të hidhni farën tuaj në arën time
E po më flisni për hise ju fara e furtunave shekullore
Arës sime s`rritet bima e veriut karpatik
As pema e shartuar me pipat ballkanik
Se si duron toka e skuqur nga damarët e plisit
 
Unë jam këtu qysh ku puthej toka me diellin
Kot kërkoni të ma shartoni bimën
E të ma përzieni farën me farë ardhacakësh  nëpër furtuna
Se rrënjët i kam në tokë e kokën te dielli
Qysh kur shkrepi drita mbi këtë topth
E ngrohu dielli

POROSIA

 

Mos i beso gjithkujt plisbardhi im

Jo të gjithë janë miq të së nesërmes sate të bardhë

Kujto dredhitë e moçme dhe mashtrimet e dhelprës plakë

Kujdes puthjes së të pafytyrëve se mos të përgjakin

Lëmimit të të pabesit ruaju mu aty ta futë thikën pas shpine

Dhe ti s`do të kesh kohë as për pendim më pastaj

Vonë do të jetë shumë vonë të kujtohet urtia e plakut

Ruaju mashtrimit biro, të pabesit zemrën mos ia hap

 

I sheh si na kanë hyrë shtëpisë e na bredhin oborrit

T’i hanë zogjtë në pikë të ditës pa nam e nishan

Besa edhe bukën në sofër e gardhin skaj oborri

 

Ruaju biri im ruaju lëmimit të tyre edhe puthjes

Sa herë ta rrahin shpinën kujdes gjoksin

Pabesia e tyre një herë të plandosë e s`ngrihesh kurrë më

 

Në shtëpinë tënde bëhu zot i saj, as birën e gardhit mos ia hap kujt

Se syri i lig shiton edhe kalatë besa i prish edhe urat

 

Ç`KËRKON KY GJARPËR NË OBORRIN TIM
 

Ç`kërkon ky gjarpër në oborrin e shtëpisë sime, pritjani udhën
Ka njëqind vjet m’i ha zogjtë dhe rritën e luleve në kopsht
Lisat e atdheut m’i than furtunë e tij dhe këngën ndër kulla ma vret
Rritën e fëmijës ndër djepa buzëqeshjen e vogëlushit
Shtypjani kokën te gardhi të mos na e përbalt gurin e mezhdës
Pse heshtni hapave të tij, flisni me gjuhën e zjarrit, gjuhë tjetër s`njeh
Ikjes së tij pas njëqind vjeçe ende plagët na pikojnë
Ende kullat tona mbyten shkrumbit e pritjes ata që s`po kthehen
Kodrat tona janë të mbushura lulëkuqe a s`i shihni si ndrydhen varret
Nënat shamizeza tek rrisin jetimët me bukë e pa bukë
Vashat që s’e pritën ditën e nusërisë e djemtë që s`u bënë kurrë dhëndër
Pleqtë e djegur në kullë tek i bënë roje lashtësisë
E djemtë që u bënë lulëkuqe në legjendat e atdheut
Dhe kujton se ia kemi harruar të bëmat e zeza, përpara ikjes veriut
Mos m’i lëndoi plagët që sa po më kanë zënë cipë
Mos m’i trazoni dhimbjet e moteve barbare
Shtypjani kokën atje te guri s`dua ta shoh në oborr
Ma thuaj vëlla i dashur, a jetohet me gjarprin nën një çati
Dhe ti më thua se vargu yt ka plagë e plagë
Por mua plaga ende më kullon në gji...

ZGJOHU
 
Zgjohu, o ti Shqiptar i nëpërkëmbur
Zgjohu bëji dritë emrit të bardhë
Zgjohu, mos lejo dikush të ta rrjepë lëkurën
Të të vrasë me natë, e me ditë të qajë
 
Zgjohu o plisbardhi im i vrarë ndër shekuj
Zgjohu se dita jote ka ardhur
Mos lejo që edhe nga goja bukën të ta heqin
Vajtojcat e kolltuqeve, që s`të lanë edhe djersë në ballë
 
Zgjohu o ti i uruar, plisbardhi im
Mos lejo mbi shpinë, kush qohet më parë
Pa zgjohu edhe njëherë e shtrëngo grushtin
Lëkurë për të shitur nuk ke, as tokë për të falur
 
Zgjohu njëherë e përgjithmonë, o Shqiptar
Zgjohu, hapi sytë e shiko
Mos të të  hedhë kush hi syve, të të mashtrojë
Drejt dritës, drejt fitoreve të reja marsho
 
Zgjohu o plisbardhi im, zgjohu
Se koha të ka ardhur...

 

 

VARGJE PROZAIKE
 
Vjeshta alpine veç sa i ka mbuluar hapat e njëzetepesta
Njëzet e pesa një e katërta e shekullit në matematikë
Po si t’i numërojmë vitet ndryshe udhëve tona
Me një fletore në dorë i mbledhim çastet e ikjeve tona
Kronikat e mendimit i vjelim një nga një si kokrra rrushi
E mbëltimit të tyre e shtrydhim thartirën e mallit
Medet ç`përzierje mes fjalëve kjo dhimbja jonë
Askund nuk duket fundi i udhës nëpër gjeografi
Gjethet e saj zverdhen vjeshtave pikojnë një nga një harrimit
Kujtimi më kthen nëpër historinë e brezave
S`qenkam as brezi i parë as i fundit i kësaj kolone
E m’i vë prita shpesës së kthimeve në Vërri
Miku im atje ndezi një qiri mungesës sime
Se gjethet tona po i zverdh vjeshtë e harrimeve alpine
Se derisa ne t’i mbathim mbathcat e  t’i hipim kthimeve
Moteve pa arbitër  nuk u dihet as udhëve
Një ditë sa s`mbeta sandviç mes një hekurishte në rrugë
Po ku i dihet detit e qiellit pa prekur këmbë në tokë
Ikjet tona shpesh janë tragjike bash si udhët
Ndaj ta mëkoj me këtë varg mungesën time
E kronikave të mendimit ta lë fjalën si shërim shpirti
Vetëm ti di të ma ruash emrin dhe ky varg plot mall
Ndaj mos më gjyko nëse të paktën të kam trazuar dhimbje
Ty që rri vertikalisht atje mes Sharri e m’i bën rojë atdheut


POROSIA E BREZAVE
 
Mos e  lë të sotmen të gjykojë e nesërmja
Ligësive të kohës mos nënshkruaj nënshtrimin
Në ecjen ballëlartë në frontin e fjalës
Ni kjo ecja jonë na e kërkon guximin
 
Mos lejo të nesërmes të mbajë kokën ulur
Gjykimi i saj të të përbaltë ndër gojë
Më mirë ecjes tënde të të flasë trimëria
Ndryshe ardhmëria rëndë do të gjykojë
 
Në sheshin e atdheut ka vetëm dy udhë
Njëra është e bardhë e kjo tjetra zi
Ec udhës së diellit mos në të paudhë
Pasqyra e së nesërmes përpara të rri
 
Te udhët e së djeshmes u ngjitën lavdisë
E për të paudhët mbolli koha turp
Ju bijtë e të sotmes ecni bardhësisë
Të nesërmen e ardhur të mos hani bukën me turp
 

 

ÇASTEVE TË ARRATISË
 
Ti vetë je bërë malli, ai mall i djegshëm mes Alpeve
Mes një harrimi të harruar mes ikjesh
Ikja që të mori, t’i njeh të njoma kujtimet e lëna kullave
Dhe sa herë të zë malli ti mbytesh mes kujtimesh
E mes fjalësh i shtrydh kujtimet metaforave
Ti mbetesh ikja e kënga jote i mbath kthimet
Dhe nga ajo që e shtrydh mendimit pikon malli
Këngëve të tua nëpër lirika pikon etja e largësive
Dhe kroi i mendimit të marrë zjarrmi zot ç`përvëlim
Me ç`ta ushqejmë fjalën e t’i freskojmë ballin
Ikjes që na vodhi e na mbyti harrimeve
Vetëm një shpresë ti ruan kthimet e tua
Një gur dhe një dru diku nën lisa, ta pret kthimin

 

JU, FRESKIA E VARGUT TIM
 

Nëpër etjen e mungesës suaj i kam shtjerrë krojet e mallit
Gjithçka u kam falur me fjalën, dashurinë dhe këngët e dritës
Pa çka se mua  më vodhën udhët e më tret gjeografive
Frymoj mes jush mes rrjedhës së gjakut tuaj në damarë
Me ju përhyjnojë ditët motet dekadat arratisë sime harrimit
Me këngët tuaja i zbukuroj ditët e dhimbjeve të zjarrmishme
Me fjalën tuaj e freskoj vargun e shkrumbuar nga zhurinë e Alpeve
Edhe kur digjem zjarrmisë mes jush ndër lisa ia freskoj ballin mallit
E me këngën e bilbilit i shëroj kohët e dhimbjeve të mëdha
Në burimet tuaja etjes i jap freski krojeve të Vërrinit në Sharr
S`ju ndaj në varg ju përhyjnoj në fjalë në këngë
Nëpër alikimin e mendimit ju përherë mbeteni rrezja e frymëzimit
Në lutjet e mia për të nesërmet e bardha për dritën diellin
Që dua t`ju ngroh çdo ditë o ju fisi im plotë plagë
Dhe ju më, kujtoni se më mbyti harrimi nëpër kolonën e udhëve
Jo, o jo, ju lartësoj në këngët e mia ju lartësoj në fjalë
Me shkrumbin e kandilit tim dritë dua t’ju fal
Të nesërmeve tua të bardha dritën e fjalës ua fal
Ju dua o ju të uruar ju dua ndaj këngën s’e ndal
Mes jush frymoj çdo ditë në çdo muzë të mendimit
Ju përhyjnoj në këngë ju përhyjnoj në fjalë
Ju më jeni burimi freskia e këngës sime në mall
 
                          Zvicër, 2013

 

 

BOTA E FËMIJËVE NË POEZIN E  GËZIM AJGERAJ

 

2.

 

POEZI PËR FËMIJË

 

I  DUA  FËMIJËT

 

I  dua  fëmijët

Me  çanta  në  dorë

Me  buzët  plot  gaz

Kah  shkojnë  në  shkollë

 

I  dua  fëmijët

Kur   janë  të  gëzuar

Kur  i  përqafojnë   prindërit

Me  lule  në  duar

 

I  dua  fëmijët

Sheshit  kur  marshojnë

Në  festa  kombëtare

Me  flamuj  në  dorë

 

I  dua  fëmijët 

Të  pastër  si  bora

Me  faqet   e  kuqe

Të  shëndoshë  si  molla

 

I  dua  fëmijët

Kur  luajnë  dhe  gëzojnë

Së  bashku  në  kor

Këngë  kur  këndojnë

 

I  dua  fëmijët

Kur  recitojnë  vjersha

Oh  sa  shumë  i  dua

Ata   që  kanë  pesa

             26 qershor  2000

 

 

FESTA E MËSUESIT

 

Për festën e mësuesit

Këtu në mërgim

I dhurova një laps

Unë mësuesit tim

 

Sa mirë që i erdhi

Atë kur e pa

Është nder për mua

Ai mua më tha

 

Pastaj na foli gjatë

Për festën e mësuesit

Për shkollat e para

Peripecitë dhe vuajtjet

 

Mësimin plotësues

Pastaj e vazhduam

Historinë e shkollës shqipe

Atë ditë e mësuam

 

Sa i lumtur që isha

Po dhe shumë krenar

Mësova për mësuesit

Dhe shkollën e parë

 

    Zvicër,7 mars 1999

         

KU TA NDËRTOJMË SHKOLLËN

Fëmijët në Malësi, secili lakmohej
Në lagjen e vetë, shkolla t’i ndërtohej

Ata të Lagjes Epër, thonë ta bëjmë te gurra
Nuk mjaftonte vendi, s`ish kotec për pula

Ata të Lagjes Poshtme, thonë pranë te xhamia
S`është kotec i pëllumbave, përgjigjet *paria

Në krye të fshatit, dikush e kërkoi
S`ka vend të mjaftueshëm, tjetri protestoi

Shumëkush e kërkoi, afër lagjes së vet
Për fëmijët e vet, më afër ta ketë

S`u dëgjua askush, për t`mos u hidhëruar
Ku ish shkollë e vjetër, aty u caktua

U pajtuan të gjithë, shkollën ta ndërtojnë
Fëmijët e fshatit, aty tash mësojnë

                         2013

 

KUSH E KA LEXUAR LEKTURËN

 

Lekturën shkollore kush e ka lexuar

Dhe një analizë për të na shpjeguar

Këtë pyetje mësuesi e shtroi në klasë

Dhe tani po priste kush gishtat t’i zgjasë

 

Unë e kam lexuar u lavdërua Beni

Kur nisi të shpjegojë në gjysmë i ngeli

S’e dinte kuptimin keq ishte ngatërruar

Se gjysmën e librit s’e kishte lexuar

 

Qeshën shokë e shoqe kot lavdi i shkoi

Tregimin e tij Gimi e vazhdoi

Gimit dhe një pesë mësuesi ia dhuroi

Kuptimin e librit në fletore kur i tregoi

 

Kështu nxirret kuptimi mësuesi lavdëroi

Nëpër të gjitha klasat Gimin e lavdëroi

Për në fund të vitit dhuratë i premtoi

 

                   Arbëri, 2004

 

KUR MUNGON CICERONI

Kur e pyetën një papagall
Ç`është ai mur mbi qytet
Sipas tij tha është një shall
E mban kokës për qejf të vet

Kjo rrjedhë uji ç`është i thanë?
Që rrjedh zemrës së qytetit
Është vijë uji për bostan
Vadit fushën e një fermeri

Këto kupola te hamami
Që i rrinë murit përmbi
Janë saçe të një furrtari
Aty brenda na pjek fli

Ju po deshët mos besoni
Në qytet sa herë që shkoni
Gjithfarë përrallash ju dëgjoni
Kur mungon ciceroni

                 Prizren, 2010

 

DRINI

Drini e Lumëbardhi diku u bashkuan
Më poshtë në Vërmicë një liqe ndërtuan

I bashkuan forcat bashkë edhe fuqinë
Nuk i pyetën bjeshkët as edhe shkëmbinj

Sa mirë u bënë bashkë na dhanë energji
I vërshuan brigjet por edhe kufijtë

Kështu nëpër shekuj kurrë nuk u ndanë
As motet pa arbitër kurrë nuk i përçanë

Krah për krah ndër shekuj vrapin e vazhduan
Një vëlla poshtë në Kukës bashkë e përqafuan

Dikush Drini i Bardhë dikush Drini i Zi
Emri i përbashkët sa mirë u rri

Gjoksit të atdheut i japin freski

                                    Kukës, 2013

 

PIKTURA NË MUR

Djepat e atdheut simbol në pikturë
Portret i Skënderbeut shqiponjë në flamur

Krujë e Skënderbeut kala e qëndresë
Trima për atdheun që gjithmonë ruajnë besë

Djepat e atdheut gjithmonë rritën trima
Mesazhi i portretit kjo është simbolika

Simbolikë trimërie në portret kryetrimi
Mjeshtri në pikturë i xhaxhi Ibrahimit*

Portretin në pikturë dhuratë na e solli
Në dasmën e Ardit një ditë qershori

Të na shtohet kulla me djem të atdheut
Djepat të përkundin trima si Skënderbeu

Ky ishte mesazhi i xhaxhi Ibrahimit
Kujtim në ballë të kullës portreti i kryetrimit

                             2013, Prizren


*Ibrahim Skenderi, - poeti, piktor nga Brruti i Opojës, autor i shumë librave dhe i  pikturave të ndryshme, kryesisht me karakter atdhetar.

 

 

NËNAT NËPËR DJEPA NA E
RRITËN TRIMËRINË

Në djepa me këngë nënat na kënduan
Të rritemi të shëndetshëm, atdheun ta duam

Bashkë me ninullat këngët e trimërisë
Herët na e mësuan etjen e lirisë

Sa herë na kënduan ninullën e dritës
Trim si Skënderbeu t’i bëhemi rritës

T’i dalim zot atdheut  kur na e kërkon
Liria e tij është drita e jonë

Me dashuri zemre na e ushqyen rritën
Me qëndresën e kullave guximin na e kalitën

Kush si nënat tona na këndonin ninulla
Trima për atdheun i rritin djemtë, burra

                      2000, Vërri

FËMIJËT E VENDLINDJES SIME

Shtohen si mollët në pemë të kopshtarit
Rriten si lisat atje buzë Sharrit

Mbushullon fshati kah shkojnë në shkollë
Dritë për të ardhmen ata kërkojnë

Dhe pse mërgimi na hedh harrimit
S’i harrojnë emrin e xhaxhi Gëzimit

Vjersha e libra sa herë lexojnë
Xhaxhi poetin gjithmonë kujtojnë

Gjithmonë në festa kur recitojnë
Si lumë Malësisë vargjet rrjedhojnë

Ata janë shpresa e vendit tim
Ndaj u fal vargje nga malli im

Sa shumë i dua, kurrë s’i harroi
Me vargun tim dritë u çoi

          2013, Malësi e Vërrinit

SHIKO VETEN NË PASQYRË

Kur një tjetër përballë gjykojmë
Shpeshherë veten e harrojmë

Kur dikën e përqeshim
Është më mirë të shikojmë veten

Kur dikën ironizojmë
Është mirë veten ta shikojmë

Ndaj, çdo njeri me fytyrë
Të mbaj për vete një pasqyrë

Ai që veten kurrë s
’e shikon
Gjithmonë në jetë do të gabon

                  2014

 

KËSHILLË

Nga një pemë frytin
Sa herë që e vjelim
A mendojmë për të
Se çfarë do t’i sjellim

Kalavesh rrushi
Në hardhi kur vjelim
A mendojmë për të
Në rrënjë çka t’i sjellim

Kokrrat e qershisë
Sa herë i shijojmë
Për trungun e pemës
Duhet të mendojmë

Miku kur të zgjatë dorën
E ty të ndihmon
Si ta kthen mirësinë
A thua mendon?

Jeta gjithmonë lidhet
Në hallka zinxhiri
Të mbajmë njëri - tjetrin
Larg egoizmit!

2010

 

MËSOJMË GRAMATIKËN

(Me vogëlushët nëpër Vërri)

Një vogëlush në Malësi*
Në vend të çka-it tha një gji
Gramatika u hidhërua
Pse ti mua s’ më ke mësuar?

E një tjetër në fshatin Gjeq*
Në vend të djallit  tha dreq
Dikush keq kush mirë e ka
Në gramatikë mbet me u pa

E një tjetër nga Kushtrimi*
Tha magöööri* është  imi
E një tjetër tha gomar
Në gramatikë e kam parë

E tjetër skaj Arbëreshit*
Të marrtë maluli i* i tha tjetrit
Më besoni, s’e kam ditë
Po të mos ishte pranë një mik

Hoqë* e Gurrë* si bëmë një orë
Na merr dâja* me "Traktôôôr*
E kërkova në gramatikë
Por mbi o nuk gjeta pikë



E në Lez* e Kushni*
S’shkuam hiq, se s’ kish fëmijë
Në qytet të gjithë kanë shkuar
Se katundet janë shkatërruar

Edhe unë të dashur fëmijë
Lind e rrit jam në Vërri
Sa ju dua s’e besoni
Por për ju kam porosi
Gramatikën ta mësoni
Gjuhën tonë plot begati

                2010, Vërri
_______________

* Malësi – fjala është për Malësinë e Vërrinit

* Gjeq – është fjala për fshatin Jeshkovë
* Magooori – këtu shkrimtari e ka fjalën për gomarin
* Maluli – fjala është për djallin

* Hoqë – është fjala për fshatin Hoqë e Qytetit
* Gurrë – emërtimi i ri për fshatin Poslisht
* Daja – fjala për dajën (vëllain e nënës)
* Traktooor – fjala është për traktorin
* Lez – fshat i Rajonit të Vërrinit
* Kushni – Gjithashtu, fshat i Rajonit të Vërrinit

 

SA E NGUSHTË MË RRI BLUZA

Nis Kosova ngrit akuza
Sa e ngushtë më rri bluza

Me tenderë ma ngushtuan
Rritën time ma ndaluan

Me gërshërë shumëkush ma pret
Gjithsecili për dëshirë të vet

E ma presin pa mërzi
Askush s’jep përgjegjësi

As në Helsinki, e as në gjykatë
S’po gjen qare kjo halle ngratë

Shumë ngadalë rrita i shtonë
Se kjo bluzë shumë e shtrëngon

Një ditë dufi do të pëlcet
Gjithsecili në vendin e vet

                2014

 

NË TREGUN E BOTËS

Shkojmë në Kinë me makinë
Blejmë oriz për gjithë njerëzinë

S’u ka rënë të dëgjojë veshi
Kur na duhet një plaf leshi
Blejmë markë Bangladeshi

Nëse duam të saktë të jemi
E askujt t’i dalim fjale
Shkojmë dhe blejmë orë zvicerane

Kur na i duhet ushtrisë teknikë
Aeroplanë supersonikë
Shkojmë e blejmë në Amerikë

Kur na duhet të pushojmë
Edhe detin ta shijojmë
Në Shqipëri  bukur kalojmë

Kur na duhet për mushkëri
Ajër i pastër e pa gaz
Bash sikur alpinistë
Ngjitemi lart diku në Sharr

Ka shumë tregje nëpër botë
S’i numëroj dot përnjëherë
Kaq mjaftojnë për sot
tjetër herë e tjerë e tjerë!...


SHKRONJAT E ALFABETIT

Kapur dorë për dore
Gisht për gisht në valle
Si motra dasmore
Hyjmë në ABETARE

Kurrë pa njëra - tjetrën
Gjithmonë jemi bashkë
S’na ndanë kush për jetë
Jemi tridhjetë e gjashtë

Sa herë vallja  jonë
Ritmin e ndryshon
Fare s’është problem
Vendet shpesh i ndërrojmë

Me atë zërin tonë
çdo ditë ju këndoni
E me gjuhën tonë
Ju komunikoni

Ndaj jemi krenare
Askush nuk na tremb
Vallëzojmë në abetare
Aty e kemi folenë

              2014

 

FËMIJËT - E ARDHMJA E BOTËS

Kur lindin fëmijët

Botën mbushëllojnë
Me shpresën e dëlirë

Të ardhmen ndërtojmë

Në syrin e tyre

Botës shohim rritën
Shkëlqimit të tyre

Diellit i shtojmë dritën

Mbi faqet e tyre

Mbushëllojmë dashurinë
I shërojmë dhe zemrat

Kur marrim ngrohtësinë

Me zërin e tyre

Këngët mbushëllojmë
E rrisim të ardhmen

Jetës i këndojmë

Në rritën e tyre

Merr dritë ardhmëria
Shpresa e së nesërmes

Është trashëgimia

Në rritën e tyre

Bota lëshon krahë
Drita e së ardhmes

Do të jenë ata!

 

KËNGA E ZOGUT

 

Pa zbrit dhe ti zog kaqurrel

E ul këtu me mua

Nën lisin plot blerim

Pa zbrit t’ia marrim këngës të dy

E pak ta largojmë këtë mërzi

 

Pa zbrit njëherë këtu tek unë

Me këngën tënde plot cicërimë

Dhe nëse unë ta prishë këngën

Se nuk jam këngëtar si ti

Të paktën të ta mbaj refrenin

E ta hjek mërzinë

 

Pa zbrit këtu ti zog i Alpeve

Eja këtu me mallin tim bashkë të rrimë

Të paktën këtij vajit tim

Të zhuritur në mall

T’ia mbanë refrenin

E unë ta shuaj këtë mërzi që më grinë

 

Se kënga jote e ëmbël

Mua më sjell mall e nostalgji

Si dikur atje ndër lisa

Më kthe nga Alpet

Atje në timin Vërri

 

           Zvicër, 2018



HIQEJ SHOK

 

Hiqej shok sa se mban kjo fjalë

Shok dhe arti të paktën me fjalë

 

Kur i duhej or s’kish dita as nata

S’i mungonte besa as dhe pjata

 

Fjalën shok nuk e ruajti gjatë

Nxori egon nga shpirti i thatë

 

Hapi fjalë të liga e të “mira”

Se po vuante brenda nga intriga

 

Harroi fjalën e verboi lakmia

U shterr pjata s’shtrohej më tepsia

 

                      2018

 

MIOPI

 

Sillej njani rrugëve teposhtë

E po thoshte pa ia nda

Libraritë kanë mbetur bosh

As lexues më nuk ka

 

S’lexon kush libra e gazeta

Demelia na ka pushtue

Telefona e interneta

Aty gjithçka ka me lexue

 

Dikush tha po po lexohet

Bile shumë lexues ka

Brezi i ri po shkollohet

Dijen nga librat ai e ka

 

Kot hedh mjegull nëpër shesh

Nuk lexohet përhap fjalë

Nuk ke sy e as vesh

Ndaj rrugëve fatin e ndanë

 

                2017

 

 

PAK KËSHILLA NGA URTIA

 

(Në gjuhën popullore)

 

Kujtesa e popullit, minierë me ar

Ka fjalën e urtë përplot me thesar

 

          *     *     *

Njëherë e dëgjuam axhë Velën,

Kur thoshte:

Evropa, ta jep delen e ta merr pelën!

 

          *     *     *

 

Shpesh e thoshte axha Balë:

Burrnia s’matet me kanar*

Po ajo matet në vepra e fjalë!

 

          *     *     *

 

Do të kujtojmë porosinë e axhë Dikit:

Mjerë populli në dorë të të ligit!

 

          *     *     *

 

E kemi dëgjuar këtë porosi me bollëk**

Ku ka fjalë shumë, ka fukarallëk***

 

          *     *     *

 

Me frymëzim e dëgjonim axhë Vehapin:

Mos e shit vëllain se e ke shit gjakin!

 

          *     *     *

 

Thojshin pleqtë tana hera:

Pa hangër hudër, s’të vjen era!

 

          *     *     *

 

Nëpër Vërri rron e thëna:

Sa pata pula edhe qurana

Pata miq edhe jarana

Kur u sosën pulat e quranat

Ikën miqtë edhe jaranat*

 

          *     *     *

 

Shpesh e thoshte axha Bit:

Tutzaki vdes përditë, trimi veç ni ditë!

 

          *     *     *

 

Kur dikush i shiste trimëri vëllait

Një plak në Malësi, plot goj thoshte:

Trimnia po shetit pazarit!

   (Koha kur armiku na rrinte mbi kokë)

 

          *     *     *

 

Qysh prej shekujsh rron fjala:

Gur mi gur bahet kalaja,

fjalë mas fjale niset belaja!

 

          *     *     *

 

I vogli vëlla u martua përpara të parit

Një plak e tha thënien:

Bajrami i vogël, s’falet para të madhit!

 

          *     *     *

 

Eh, sa bukur rron e thëna:

Qingji i butë i thith dy nëna!

 

          *     *     *

 

E thonte shpesh axha Xan:

Miqtë shkojnë e vin,

Almiki nuk ikë pa e përzanë!

 

          *     *     *

 

Na bie hise të dëgjojmë llafe me bollëk 

Ku ka fjalë shumë, ka fukarallëk

 

          *     *     *

 

Në punët e tua, mos lejo t’i fut hundët

Se përndryshe rron e thëna:

Sahatin e prishët e kurdis kush mundet!

 

          *     *     *

 

Punët e vatanit i çon në dobi të armikit:

Mjer populli kur jetë n’dorë të ligit!

 

          *     *     *

____________

kanar* - peshore

bollëk** - pasuri

fukarallëk*** - varfëri

tana hera - dikur

Jarana – shok të ngushtë, të mirë

 

 

KUSH NUK LEXON...

 

Kush nuk lexon libra

Kot për dritë na flet

Mbetet i verbuar

Dija nuk vjen vetë

 

Kush nuk lexon libra

Thotë e ka internetin

Arsye e kotë

Për ta nxjerrë veten

 

S’ka kush ta mbushë mendjen

As të të mashtrojë

Ai që libra s’lexon

S’ka çka të tregon

 

Ndaj me përkushtim

Gjithmonë duhet lexuar

Ndryshe për tërë jetën

Mbetesh i verbuar

 

       2018

 

 

KU TI LAJ ËNDRRAT

Në isha unë apo je ti
Kur ndezëm ëndrrat e njëri-tjetrit
S`kisha faj unë, kishe faj ti
Se sytë e tu i ngjanin detit.

Unë si notar i dobët që jam
Plot frikë u hodha në thellësi,
Se më mashtroi etja që e kam
S`kisha faj unë, kishe faj ti.

Se ku kjo frikë iku e treti
Me kryeteposhtë detit i rashë,
Përbrenda teje frika më treti,
Notin mësova ty kur të pashë.

Dhe në pasqyrën e atij deti
Nën qiellin tënd tek po shëndrit
S’u fundos ëndrra po ndezur mbeti
Shkëlqimit tënd ti bëjë dritë.

E sot kur larg të kam e vuaj
Me etjen ndezur pa sytë e tu,
Ku të mbytem, të lutem më thuaj
Kur ti je larg, larg nga këtu...

                 Zvicër, 2013

 

NË KUVENDIN E ARTIT

 

Unë jam zonjë e rëndë lëvdëroi poezia

Gjithmonë na lexon aristokracia

 

Nge thellësi e mendimit nuk më dridhet dora

Fjalët më të bukura nëpër metafora

 

Në stile të ndryshme nëpër shumë gjini

Majat e mendimit i rris me dashuri

 

Dhe fjalën e bukur shumë e avancoj

Në forma metaforash atë e mbushulloj

 

Tek e rris mendimin dhe fjalën e mirë

Përtej shpërthimit të fjalës për një botë të lirë

 

              *          *          *

 

Fabula plot gaz hipur mbi gomar

Unë rreth e qark globit e para do të dalë

*

Pse unë të ta them të drejtën në sy

Nuk e kam nevojën të prishem me ty

 

E kur sjell përvoja jetë e ta them me alegori

Mos u ziej kot më vete mbledh mend i drejtë rri

 

E kur flasim për kafshë e sende

Ty njeri të godasim në mendje

 

           *          *          *

 

Sarkazëm ironikja përbuzshëm buzëqesh

Po të mos i fliste goja do t‘i zinte lesh

*

Unë gjithmonë ironizoj

S`dua e liga të na pushtojë

Shpesh jam therëse e përbuzëse

Ligësitë dot s‘i lejoj

Jo të gjithë prandaj më duan

Vesin e ligë e luftoj

 

           *          *          *

 

Drama mburravece unë tha në teatër

Gjithë ndodhitë e botës i sjell në vatër

 

Kam nxjerrë plot emra unë me artin tim

Emra që lanë gjurmë më dhanë krenarinë

 

           *          *          *

Novela kjo zonjë unë tha shkurt tregoj

Jo sikur romani të filozofojë

*

I tregoj ngjarjet shkurt me kulturë

Jo shumë gjatë as edhe shkurt

 

Tek tregimi nuk ndaloj

S`dua shkurt të tregoj

 

Por as rrugës gjatë të shkoj

Tek romani të afroj

 

Për kah stili, unë jam zonjë

 

           *          *           *

Lëvdëroi romani plot filozofi

Vërtet tregoi ngjarje me psikologji

 

Këtë artin tim jo gjithkush e di

Jam sprovë për shkrimtarët në këtë mbretëri

 

Bile shumë nga ta shpeshherë kanë dështuar

Me katër - pesë faqe më kanë përfunduar

 

Por ka shumë të tjerë që më bëjnë nderë

Më kanë shkruar bukur, më kanë ngritur vlerë

 

              *          *          *

Të tjerët nuk folën, por vetëm dëgjuan

Ia lanë radhën artit, lexuesit vlerësuan

 

                                2016

 

 

KREKOSJA E FJALISË

 

Krekosej fjalia si një zonjë e rëndë

Për të gjithë ju kam vend në kuvend

 

E kam kryefjalën në ballë te oxhaku

M‘i prinë kuvendit si në odë kryeplaku

 

I preu fjalën presja pse kot po lëvdëron

Brenda e ke kallëzuesin për gjithçka tregon

 

Bile shpesh për ty edhe për shtëpinë

Tregon nëpër lagje s‘ta ruan fshehtësinë

 

Pikën se përfillën kush s‘e zu në gojë

Pikërisht kjo injorancë atë e zemëroi

 

Ashtu e hidhëruar edhe plot zemërim

Pse ma injoroni kaq shumë emrin tim

 

Kot më hiqni lavde e më lutni mynxyrë

Kur të dua unë gojën ua mbyll

 

                 2016

 

 

BILBILAT E GJIMNAZIT

 

Thonë bilbilat fërshkëllojnë

Kur bilbilat i ngacmojnë

     Këta të gjimnazit në dritare

     Ç‘fërshëllejnë, kanë halle

 

Lis në lis tek fluturojnë

Meloditë sa shpesh i ndërrojnë

     Gjimnazistët ç‘hall i bren

     Tek dritaret vendi s‘i zë

     Gjithsecili fërshëllen

 

Hidhen poshtë nga dega në degë

Malli bilbilkës kur i djeg

    Tek dritaret atje lart

     Janë pa krah çunat e ngratë

 

Ikin gocat rrugës lart

Kot fërshkëllima, kush s‘ua var

 

                   Prizren, 2015

 

PULËBARDHA DHE KLANDESTILI

 

Në bregdeti aty në Bari

Një pulëbardhë i afrohet

              një shqiptari

 

Diç po i fliste e kërkon

Ky i mjeri s‘e kupton

 

Iu duk ndihmë i kërkoi

Ky mjerani s‘kish asgjë t‘i ofrojë

Xhepat zbrazur ia tregoi

 

Prapë pulëbardha diç po flet

llafe e lavde po i qet

S‘më duhet vizë as biletë

T‘i paguan dhe traget

 

                 Bari-Itali, 2006

 

 

FESTA E SHKRONJAVE

 

NË Abetare shkronjat

Së bashku po gëzonin

Ditën e alfabetit

Ato po e festonin

 

Varg njëra pas tjetrës

Në valle me radhë

Dorë për dore kapur

Vallen nuk e ndalin

 

ABCÇD- ja e deri te ZH

Zanore e bashkëtingëllore

Të bëra në një

 

Thonë në histori

Se kurrë nuk janë grindur

Secila e di vendin

Për aty ku është lindur

 

 

Sa gëzueshëm e lehtë

Ato sot vallëzojnë

Në festën e tyre

Ato tek festojnë

 

Gëzojnë në Abetare

E në gjuhën tonë

Sidomos kur drejt

Ato i shqiptojmë

 

GËZO

 

Gëzo plisbardhë sot për lirinë

Për lirinë e pavarësinë

Gëzo Kosovë vendi im

Që nga Vlora deri në Prishtinë

 

Ti këngëtar atje në kor

merr një këngë le të jehoi

merr një këngë për dëshmorë

edhe bjeshka të gjëmojë

 

Ti  punëtor në uzinë

bëj një vepër për lirinë

që të rrojë nëpër shekuj

si kujtim për pavarësinë

 

Ju mësues nëpër shkolla

Hapni librin e lirisë

Shpjego sot sa të zgjatë ora

Trego udhëtimin e pavarësisë

 

Ti poet e shkrimtar

Thuaj vargut radhë e radhë

 

NË KOPSHTIN E SHTËPISË

Në kopshtin tim ka tre fëmijë
Mbushullojnë në zhurmë
Sallon e shtëpi

Lona luan lojëra me telefon
Edhe këngë shpesh dëgjon
Nganjëherë zërin ia lartëson
zhurma shtohet brenda në sallon
Për pak qetësi gjyshi i fton

Por, Lisa e vogël më pak kupton
Kukulla e lojëra dhoma gumëzhin
Kush t’ia prekë aspak s’guxon
Ndryshe alarm ngrit në sallon
Ngapak edhe gjyshin e shqetëson

E Sundi s’ndalet këngën vazhdon
Tek shikon këngë në televizion

Kopshti i shtëpisë plot gumëzhinë
Me ta dhe gjyshi e djeg mërzinë

 

 

GJYSHI KA TRI MBESA

 

Sa shumë Lona e Lisa janë gëzuar

Ka ardhur në jetë Luna, xhaxhin e ka gëzuar

 

I gëzuar është dhe gjyshi për mbesën e vet

Tani ka tri mbesa dhe një nip në jetë

 

Por mbesa e vogël ajo jeton larg

Ndaj gjyshi i saj shpesh ndjen mall

 

Ndjen mall Lona e Lisa gjyshit i kërkojnë

Që në çdo fundjavë te Luna të shkojnë

 

Dhe gjyshi për mbesat kurrë nuk përton

Sa shpesh shkojnë te Luna dhe e vizitojnë

 

Lona e Lisa sa shumë që e duan

Të tria së bashku nisin e luajnë

 

       Zvicër, prill 2020

 

 

TUTELA E SUNDIT

Flakmëni nga këto pranga të vogla
Që këmbët e mia m’i mbajnë peng
Dua të ec i lirë e të shëtis dhomën
Se ky vend s’më zë kjo tutelë

Më është bërë ferr unë rob i saj
këmbët e mia m’i ka lidhur e s’ec dot
Dua që vetë të ec jo ajo të më mbajë
Jam rritur mos më torturoni kot

Babi e mami ju mua s’më kuptoni
Kur ngre duar e dua të dal nga kjo
Madje edhe ti gjysh e loke më besoni
Unë nuk ia kam nevojën kësaj tutele, jo

Dhe ju motra Lonë e Lisë më kuptoni
Me ju dua të ec e të luajmë bashkë
Se kjo tutelë këmbët m’i thau, më besoni
Të vij bashkë me ju në lojë atje jashtë

Dua të dal e të flatroj si zogu në hapësirë
Vetë të ec në jetë e edhe të vrapoj
Se kjo tutelë sa shumë tani ma shton mërzinë
Më zemëron shumë dhe ecjen ma pengon


              Zvicër – Grabs, 2 maj 2020

 

*Tutelë – Rreth fëmijësh,vigël

 

 

PSE GJYSH NUK
KE PLIS?


Gjyshi më tha Lona
Jam shumë merak
Pse nuk mban plis
Sikur gjyshi plak

Eja mbesa ime
Gjyshi të tregon
Pse mua mbi kokë
Plisi më mungon?

Jemi në dhe të huaj
Larg Kosovës sonë
Ndaj dhe plisi mbi kokë
Gjyshit i mungon

Atje kur të shkojmë
Gjyshi të jep fjalë
Se plisin e bardhë
Mbi kokë do ta bartë

E kuptoi Lona
por pyetjet i vazhdoi
Ardhjen në mërgim
Kërkon ta mësojë

 

 

PIKTORËT E VEGJËL

 

Lona edhe Lisa

Ngjyrat i mësojnë

Mbi fletat e bardha

Edhe vizatojnë

 

Mbi letrën e bardhë

Sa herë pitkurojnë

Për motiv gjyshin

Shpesh e vizatojnë

 

Njëra i heq veshin

Tjetra si lë flokë

Gjyshit në pikturë

Gjithmonë diç i mungon

 

Por janë të vogla

Gjyshi i korrigjon

Me plot urti

Me to vizaton

 

Dhe del një pikturë

Që gjyshit s’i ngjanë

Se Lona e Lisa

Ende të vogla janë

 

 

LONA DHE ELISA,

NË DITËN E PRANVERËS

 

Dielli i pranverës

Sa bukur rrezon

Stinën e luleve

E paralajmëron

 

Lisa dhe Elona

Sot për lule shkojnë

Ditën e verëzave

Në Zvicër e festojnë

 

Elona dy vjeçe

Sa shumë është gëzuar

I feston verëzat

Me vezë në duar

Në fusha e livadhe

vezë rrotullon

Me lule të sapoçelura

Ato i bashkon

 

Elisa e vogël

Barit rrotullohet

Shkëlqimit të diellit

Sa shumë i gëzohet

 

 

Elona e gëzuar

I lutet rritës vetë

Vezët shkojnë teposhtë

Elona përpjetë

 

Një tufë me lule

Ajo e ka mbledhë

Gjyshit në shtëpi

Pranverën i ka sjellë

 

I përqafon gjyshi

Me shumë dashuri

Në notes u shkroi

Edhe poezi

 

  14 mars 2017, Grabs, Zvicër

 

 

PO SHKOJMË TE KOSOVA

 

Në sallën e anijes

Diku në Ancona

Po gëzohej Lona

Po shkojmë te Kosova

 

Si artiste e vogël

Kërcen e këndon

bashkudhëtarët në sallë

E aplaudojnë

 

Dhe kërcen Lona

Sallën mbushëllon

Së bashku me gjyshin

Në Kosovë po shkon

 

           Prill, 2017

 

 

3.

 

FABULA E SARKAZMA – ARTI I THUMBIMIT TË LIGËSIVE TË KOHËS

 

FABULA

 

Në fabulë kur fishkëllijmë

Botën në sy e shikojmë

Një nga një ia numërojmë

Veset e liga i luftojmë

 

Sa do kohët të ndryshojnë

Edhe veset i reformojnë

Ligësitë s’na harrojnë

Por, fabulën s’e mashtrojnë

 

Ajo drejt shikon në sy

Ma thotë mua edhe ty

Të vërtetës s’i lakon

Kompromisin s’e pranon

 

Ndaj kujt sedrën ia lëndon

Tek fabula e autori kot e ka

Fajin gjetkë mos ta kërkojë

Por, vetveten ta korrigjojë

 

                      2017

 

NË PYLLIN ME LISA NJË DHELPËR DINAKE

Në pyllin buzë lumit, të sosur s`kanë intrigat
Ndërskamcat e huqet, rrënjë kanë zënë të ligat

Ujku qysh moti sherrin e kishte vërejtur
Në heshtje po e shikonte, veç punën e vet

Njësoj dhe arusha, shumëçka po përpinte
Injoronte çështjen, pak dembele që ishte

Për derrin e egër, problem s`ishte fare
As që qante kokën, çështjes t’i gjejë qare

Intrigat vazhduan, mbi pëllumbin e bardhë
Nuk kish faj i gjori, radha i kishte ardhur

Korbat për të zeza, s’e kishin mërzi
Ndonjë kockë u mbetej, sa për ta lëpirë

Lojërat dolën në dritë, kur iu ngjit bilbilit
Për këngën e bukur, pse ishte më i miri

S`ish problem i sotëm, gjithë kjo grindje në pyll
Ish problem i vjetër, qysh kur shoqata u mbyll

Për grindjet në pyll të gjithë tregojnë
Një dhelpër dinake, shumë e akuzojnë

Çështja u përhap, fjala mori dhenë
Tani as pesë para, lëkura s’i vlen

                     Prizren,2015

 

 

ZGJEDHJET NË PYLL

 

Zgjedhjet dhelpra organizoi

dhe fushatën e filloi

votoi pula edhe gjeli

për kryetar tha fitoi derri

sa për ty tha zoti ujk

kokrrat tua i hëngri një hut

e për kokrrat e ariut

i hëngrën delet e bariut

kali e lopa u hidhëruan

ata fare nuk votuan

sa për votën e luanit

e pavlefshme tha komisioni

për iriqin e zonjën breshkë

raundin e dytë do ta arrijnë në vjeshtë

Për gomarin s'ka rëndësi

ka ngelur në baltë inatit të tij

Kështu zgjedhjet përfunduan

asamblenë e themeluan

Nga ajo ditë në pyll e në fushë

zonjës dhelpër s'ia prish askush

 

                    8. 7. 2001

 

QENI DHE MIZA

 

Lërmë rehat mori mizë

Ndryshe qafën do t'ta gris

Je e lirë e m'u largo

E mërzinë ti mos ma shto

Bju bju miza fluturoi në hava

S'mund të më zësh o qen i tha

Nga zinxhiri s'të ndihmoj

Lërmë pak gjellën ta provoj

E në pjatë të të ndihmoj

Dhe urinë pak ta largoj

Ham ham ham shporru qelbësirë

Të mos isha në zinxhir

Unë ty do ta tregoja

Krahët do t'i copëtoja

Iku miza me nxitim

E mbi bajgë gjeti shpëtim

Kishte etje dhe për krua

Vajti e shkoi në përrua

 

                 Zvicër, 4.12.98

 

XHAXHI MEL E KA NJË GJEL

E kish marr etja gjelin
Verë e thatë pikë uji s`ka
Si bëhej vonë xhaxhi Melit
Pranë rakinë kur e ka

Kot pëllet lopa në ahur
A kur kali hingëllin
Xhaxhi Meli thotë jam burrë
Veç rakinë kur e pi

Malli i djathit e kaploi
La rakinë në oborr
Sa shpejt etjen gjeli shoi
Mbeti zbrazur shishja e gjorë

Pastaj nisi të këndojë
Duke rrahur gjoks teposhtë oborrit
Xhaxhi Melin e zemëroi
Asnjë pikë s’i la të gjorit

Kot bërtiste xhaxhi Meli
Në kotec pulat i trazoi
Nuk i ndalej kënga gjelit
Xhaxhi Melit ia lëshoi
Në këtë shtëpi tha unë këndoj

        Verri, 2013

 

INATI I MJEGULLËS

U hidhërua në vjeshtë mjegulla
Hodhi shtëllunga e tymnajë
Pse veç mua dielli s’ më ngrohë
Do t’i bëhem tokës pajë

Mbuloi tokën me vello të bardhë
E verboi me errësirë
Për duvak tha do të më ka
Që të duket nuse e mirë

Sa shumë dielli u zemërua
Hodhi rreze, dritë, shkëlqim
Nusja tokë kur iu shëmtua
Ra mbi mjegull me tërbim

Shkriu retë në shi u shuan
I fali tokës, dritë, shkëlqim
Ia largoi gjithë shëmtinë

                  2013

 

DHELPRA AKTORE

 

Në shoqëri hyri një dhelpër

Ish e sjellshme sa s’ka më tjetër

Mirë me ujq e me arushë

Mirë me gjela e lepurushë

 

Bëri miq e i besuan

Në shoqëri mirë e pranuan

Dhe hapësirë i krijuan

Bashkëpunimin e mundësuan

 

Sillej dhelpra si më mirë

E me sjellje krijoi besim

Por sa gjatë do të rri në vijë

Sjellja e saj ish veç aktrim

 

Koha e zhveshi një nga një

Ligësitë në shesh tuj dalë

Prapa shpine me pabesi

Prapa shpine pa u ndalë

 

Koha miq polli boll

Ikën dhelprat s’di ku ikën

Besa po dhe shumë aktorë

Njerëzit rolet ua grabitën

 

                 2018

 

MOS LEJO!

Zëri i të ligut mos lejo të të ndjek
Ndal njëherë volumin t‘i kesh veshët qetë

Dhe këngët e sorrës shpesh i dëgjojmë
Por zërin e saj kurrë nuk ia lëvdërojmë

Lavdinë e të ligut kurrë mos e prano
Por ku ta hedhë lakun, hapi sytë, shiko

Ulurimën e dhelprës shpesh natën dëgjojmë
Por atë vetëm pulat dinë mirë ta dallojnë

Rrugën e të ligut kurrë mos preferoni
Në udhë pa krye mund të përfundoni

I marri në jetë mos lejo të të prijë
Verbëri e tij fatin të ta nxijë

Mos u bëj si varka kur hidhet në det
E drejtojnë valët, busullën humbet

                   Janar, 2016


THUMBAT E SARKAZMIT

 

Sarkazmin në vargje i rrisim si fiq

T‘i hajnë veset e liga e jo për ju miq

 

Me to mbushullojmë jetën i kërkojmë mirësinë

Që vesi i keq mos ta pushtojë njerinë

 

Fatkeqësisht kohës iu kanë shtuar shumë

Këto vese të liga janë bërë si një lumë

 

S‘është mirë të heshtim as dhe të pajtohemi

Se ndryshe me ligësinë solidarizohemi

 

Kot më keqkuptoni e kot mbani inat

Sarkazmi në vargje këtë e ka zanat

 

Një urti e moçme na mëson miq

Për vesin e keq hëngri fiq e vdiq

 

Një *Miku im më tha: T‘i gjuaj përpjetë

Kush ka hipë në dardhë e bajtë me shëndet

 

                    Zvicër, 2016

 

KREKOSJA E GJELAVE

(Rubaire)

Krekosen shumë gjelat në lagje një moti
Kujt s‘ia kishin frikën mungonte i zoti

Hallakamë e tyre ndihet lagjes vërdallë
Ku këndonin pulat ata fare pranë

Me zërin e tyre bashkë rindërtonin
Notat në pentagram shpesh ia korrigjonin

Dhe kënga e tyre shpejt e merrte dhenë
Gjelat e krekosur tek na i shpërblejnë

Kështu kënga e përbashkët njëpasnjë vazhdonte
Flinin qentë e lagjes se ujku mungonte

As dhelpra çapkëne s‘ua prishte qetësinë
E kish vrarë epoka kish marrë arratinë

Krekosja e gjelave edhe sot vazhdon
Derisa ujku plak një ditë t‘i trazon

                      2016

 

NË PYLLIN E DREDHIVE

 

Në pyllin e errët

Ku lisi lisin e mashtron

Me fërfëllimë degash

Fleta fletën e rrëzon

 

Përqafimeve të rrejshme

Ku fleta fletën përqafon

Me hijen e ligësisë

Njëra - tjetrën e lëmojnë

 

Pak është e rëndësishme

Se kush mbijeton

A me qëllimet e liga

Njëra - tjetrën e mashtrojnë

 

Në pyllin e errët

Erë përplot ligësi

Lisi lisit në rritë

Nga rrënja i fut dredhi

 

E dini se ky pyll i errët

Është pylli  ku ne rrojmë

Me errësirën e ligësive

Dritën ia cenojmë

 

               2016

 

 

NË KUVENDIN E HAJNISË

Në kuvend të pyllit shtazët po tregonin
Për lajkat e tyre  veten e lëvdëronin

Një arush dembel për veten u lëvdërua
Se si kish vjedh mjaltin bleta pa e thumbuar

Ujku në kope si kish vjedh një qengj
S‘e kish parë bariu as dhe ndonjë qen

Se si kish vjedh lakra edhe lepuri tregoi
Ferneri në gjumë atë s‘e hetoi

Por, dhelpra më shumë në kuvend u krenua
Për lajkat e saj sa shumë u lëvdërua

Një gjahtar pas lisit u tha veç vazhdoni
Se vjen orë e ligë të gjitha i paguani

S‘është shumë çudi kur shtazët kanë këtë ves
Se shumë njerëz në botë vuajnë nga ky ves
      

                               2016

KËRRABËZAT

 

Duarve të gjyshes

Ditën e përthakojnë

T‘i veshin të tjerët

Veten e flijojnë

 

Me akrobacione

Lojën s‘e ndalojnë

Me gishtat e gjyshes

Ditën akrobojnë

 

Përherë të mërdhirë

Pa rroba kanë mbet

T‘i veshin të tjerët

Mbetën zhveshur vetë

 

Vetëm dorë e gjyshes

Hallin ua di

Kur i merr në dorë

Sa shumë janë mërdhi

 

I ngroh si fëmijët

Me dorën e vet

Me veprat e thurura

Tek i vesh të tjerët

 

             2016

 

COPËZA AFORIZMASH

 

Dikur fjeti në shkollë

Sot po fle në pyll

 

Gjatë në jetë fjeti

I ka ikur treni

 

     *     *     *

 

Punës s‘ia ka qefin

Ndaj zbrazët e ka xhepin

 

Punës nuk ia do

Ndaj dhe keq jeton

 

     *     *     *

 

E do politikën

Më “shumë” se karrigën

 

Hëngri shumë tendera

Hajni i vjen era

 

     *     *     *

 

Në lakra të pushtetit

E zunë sikur lepurin

 

Kot ia morën fytyrën

Kurrë s‘e shikon pasqyrën

 

     *     *     *

 

Është grindavec

Ka nofkën e qenit

 

Është shumë dinak

Mashtrimit ia ka hak

 

I mashtron të tjerët

Ndaj ngjan në dhelpër

 

     *     *     *

 

S‘ka fare etikë

Me amoralitetin është mik

 

Ka etikë mikroborgjezi

Syrin e ka tek xhepi

 

     *     *     *

 

Kurrë nga Ai mos prit Lob

Është i sëmurë ksenofob

 

Në politikë si akrobat

Kot s‘e quajnë renegat

 

     *     *     *

 

Për karrigë i shkoi fytyra

E ofruan dhe tek pasqyra

 

Atë fare s‘e shikoi

Populli vendin i tregoi

 

     *     *     *

 

Për një bursë se si u nda

Pak u fol e shumë u tha

 

E zunë në gojë edhe bursistin

Se e kishte axhë ministrin

 

     *     *     *

Kush i frikohet historisë

Nen kapelë e ka një mizë

 

Për çdo ditë e pickon

Të kaluarën ia mallkon

 

     *     *    *

Luftën e bënë idealistët

Në pushtet karrieristët

 

Ata që luftës i bishtënuan

Sot pushtetin e zaptuan

 

     *     *     *

N'parlamnt në rreshta të parë

Më i zëshmi parlamentar

 

Kur Serbia e kish pushtetin

Ia kalonte edhe lepurit

 

     *     *     *

 

Dikush sot i frikohet historisë

Sepse dikur pati ecur udhëve

të gabuara të gjeografisë

 

     *     *     *

 

Unë tha jam demokratik

U hidhërua me më të mirin mik

Shumë u grinden për parti

Derisa prishen dhe miqësi

Ah, e marra politikë

E bëri të gjorin fanatik

 

     *     *     *

 

Kohë të ligë jeton lirika

I është bërë lëmsh dhe politika

Kush tjerr djathtas e kush tjerr majtas

Kush vrapon dhe nga karriga

 

... jo nuk thonë më kot plakat

Kush nuk tjerr me shtizën drejt

As për arrna, s‘bën ai lesh

 

          (Nga arkiva), 2000-2016

 

DY SHOKË NË KAFE

 

Zihen e ç`përzihen

Dy shokë në kafe

Për punë parlamenti

Ngatërrohen me llafe

 

Njëri hedh gaz

E tjetri then ve

Punë parlamentarësh

Vaj halli për ne

 

Jo ky ka të drejtë

Ai e ka gabim

Grinden të dy shokët

Deri në hidhërim

 

I harrojnë dhe kafet

Të hidhëta pelin

Ata në parlament

Në vend të tyre pijnë

 

          2015

 

 

NGA URTIA 2

(Sofra)

I zoti i shtëpisë një burrë dinak
Tre djemve të vet s‘u hynte në hak

Një ditë mysafir erdh një mik me peshë
Më të madhin e kopesë zgjodhi nga shumë desh

Plot e përplot me mish e mbushi tepsinë
Dhe plaku në sofër po ndante drejtësinë

Më të majmet copa për tre djemtë e vet
Me pak mish e asht për veti e qet

Të njëjtin veprim dhe për mysafir
Pak mish e pak asht nga të thatët brirë

Besa mysafiri ish pak edhe *llokmagji
Kam parë çka kam parë, por jo këso drejtësi

Eh, lum miku edhe ti, sa për kungja e drejtësi
S‘kam lënë kë në këtë shtëpi, n‘punë të mia me u përzi
Nga këtu nesër ikë ti, unë me ta duhet të rri!

           2016

 

ZËDHËNËSJA PULË

 

E kishin zgjedhur një pulë sojli

shpirtëbardhe e bukuroshe

për zëdhënëse në ministri

zërit të saj kush s'ia shkonte

dhe ministri zemërbardhë

në konferenca shpesh mungonte

se  kish pranë pulën e bardhë

e oborrin ia pastronte

 

bëri emër zonja pulë

në konferenca e komitete

ishe e mençur, plot kulturë

s'e kish shoqen në shtatë kotece

n'konferenca me gazetarë

i shkëlqen nuri e s’e ka dertin

me përgjigjie është në ballë

e ka fjalën  maje sqepi

 

pak si tepër u rrit kjo zonjë

atje lart në pallat

nisi gjelave t’ua kaloi

s'ndihej zani  gjelave të ngratë

këndonte pula kohë pa kohë

si në kor me laryshi

u ankuan gjelat e pallatit

atje lart në ministri

ah kjo pulë ç'na shton mërzi

s'e pa kush se nga ia mbajti

iku pula kush s'e di

 

                 Prishtinë 2007

 

 

ASFALT BIFTEKU

 

U ankua qytetari

Poshtë e lart

Tek kryetari

 

Për çfarë halli

Çka kërkoni?

Pse asfaltin

Hollë e shtroni?

Kundpërgjigjen

Nuk e gjeti

 

Dikush në rrugë

E tha një fjalë:

Ky asfalt ngjan në biftek

Gjysmën e hëngri një deputet

 

                   2017

 

ÇEKANI  E  GOZHDA

 

Bam e bam binte çekani

Kokës gozhdës nuk i ndahet

 

Britmë e klithmë lëshonte

Dërrasa tek po çahej

 

Po i ankohej gozhdës dërrasa

Ç’më je sulur me këtë turr

Po të lutem më ngadalë, se plasa

 

Po ta di moj dërrasë

Kokën time ç’e ndjek nga pas

Edhe ti do të plasë

 

               2017

 

 

BUSULLA

 

Një pulëbardhë

Tha këndej

Unë rrugën

Do ta gjejë

 

Tjetër rrugë

Tha klandestini

Do të dalim

Larg kufiri

 

U zemërua marinari

Kot ia futni, eh ç’më qani!

Sa për det e për udhë

Ma tregon kjo busullë

 

       Ancona, Itali, 2016

 

DY DOKTORA

 

Këtë herë një

Doktor

Për vizitë në diasporë

Një mësuesi

Mendjehollë

 

Nuk shkoi muaji

Sa kthen dora

Mori lajm diaspora

Nga një dhelpër

Dy doktora

 

   Buchs, 2013

 

KY MIUSHI

 

Ky miushi

Burrë me sherr

Nuk e hëngri

As këtë herë

 

Kur e ftuan

Të ndajë votë

Pranë kutisë

S’u gjend dot

 

Pse s’votove

I tha pinoku

Mos hiptë macja

Hip maçoku

 

       2010

 

 

OXHAKU

 

Nxirte tym një oxhak

Njëri poshtë piqte qebap

Një lokal sa e kish hap

 

Fqinji parë bëri ankesë

Ky oxhak veç tym nxjerr

I tha tregtarit menjëherë

 

Çka kujtove, more zotëri?

S’është shaka, as mahi

Për oxhaku veç tym del

Mos mendove

Se qebapa lart do të nxjerrë

 

        Prizren, 2017

 

PLISI

 

Njëri kish një kokë të madhe

Ndaj për plis shpesh binte n’halle

 

Tek shëtiste poshtë pazari

Diku e pa një plis të madh

Në dyqanin e një tregtari

 

Sa kushton ky plis i bardhë?

Këta të vegjlit janë nga dy

E ky i madhi pesë për ty

 

Bjeri qark nëpër pazar

Këso plisi ti askund s’ke

                      për të parë!

 

Foli blerësi plot zemërim

Sa për pesë mbaje vetë

Këso koke edhe ti,

Kurrë  kurrkund nuk ke me gjetë

 

                          2017

 

FJALA E LIRË

 

Mori hov fjala e lirë

Kurrë s’kam qenë tha më mirë

 

S’më cungon askush mua

Them e bëj çfarë të dua

 

Dhe ku këmbë e ligjit nuk shkon

Hapi im e tejkalon

 

Sa shumë u thanë dhe fjalë të kota

Alakare u mbush bota

 

Sot pakkush asaj i beson

Kur etika ligjin e tejkalon

 

              2017

 

SHOQËRIA

 

N' kafene hyri zotëria

Iu afrua dhelpëria

Bashkë u dehën nga rakia

 

Për shëndetin e zotërisë

Ngrihej gota e rakisë

Ah, ç’i shkonte miqësisë!

 

Por, më bukur dhelpërisë

 

Nuk zgjatën vite e as muaj

Mbeti zotëria i vetmuar

Leckë mbeti i harruar

 

Pa miqësi e jarana

S’kish më pula, as qurana

 

                2017

 

POEZIA

 

N' kafene hyri zotëria

E u deh nga rakia

Ah, ç’më shkon tha poezia!

 

Fjala e bukur mori dhenë

U thanë fjalë e ç’nuk u thanë

U fol dhe për kafenenë

Ku rakisë ia bënte ham

 

Dikush foli papandehur

Me miq të vet tek kuvendonte

Edhe vargjet qenkan dehur

Mbi ca fleta tek po i shfletonte

 

                      2017

 

 

AI QË HEDH PRAPA SHPINE

 

Shpesh na bie të dëgjojmë

Kush me gur gjuan pas shpine

Qetësisht ta injorojmë

S’i ngritet portë çdo lëndine

 

Kur i ligu gjuan gur

Prapa shpine të sulmon

Ngrite lart tëndin flamur

Vepra jote e verbon

 

Ai që hedh gur pas shpine

Për të tjerë mbath fjalë

Kullot mendjen n’fushë lëndine

Duhet të jetë gjedh a gomar

 

Shpesh urtia na mëson

Gjithë të ligës mbylli derën

Kurrë e keqja mos të na pushton

Mos u merr me mullinj të erës

 

                     Prizren, 2016

ORA

 

Me temi e pa Temi*

Sa është ora kush s‘e di

 

Është një apo dy

 

Tjetri tre

E pesë nja dy

 

Kot ia futni, parashikoni

Saktësisë s‘i afroni

 

Me hamendje s‘matet koha

Atë më saktë na tregon ora

 

                 2015

______________

*Temi - Hamendje (shprehje lokale).

 

 

FTESË GOMARIT

 

(Nga urtia)

 

Në një fshat po bëhej dasëm

Ftesë për miqtë po shpërndanin

 

Kalit ftesën po ia bëjnë

Sepse nusen do ta bëjnë

 

Një të tillë dhe për gomarin

Se gëzoi fare veshgjatin

 

Të habitur pyetje i shtrojnë

Pse kjo ftesë s’po e gëzon?

 

Para bajrakut s’më lë kush

Më kanë ftuar për të bart

Ose ujë ose dru,

Se për qejfi s’më fton kush!

 

            2016

 

THUMBAT E SARKAZMIT

 

Sarkazmin në vargje i rrisim si fiq

T‘i hajnë veset e liga e jo për ju miq

 

Me to mbushullojmë jetën i kërkojmë mirësinë

Që vesi i keq mos ta pushtojë njerinë

 

Fatkeqësisht kohës iu kanë shtuar shumë

Këto vese të liga janë bërë si një lumë

 

S‘është mirë të heshtim as dhe të pajtohemi

Se ndryshe me ligësinë solidarizohemi

 

Kot më keqkuptoni e kot mbani inat

Sarkazmi në vargje këtë e ka zanat

 

Një urti e moçme na mëson miq

Për vesin e keq hëngri fiq e vdiq

 

Një *Miku im më tha: T‘i gjuaj përpjetë

Kush ka hipë në dardhë e bajtë me shëndet

 

                    Zvicër, 2016

 

NJËRI SHISTE FJALË TË KOTA

Njëri shiste fjalë të kota
Veç pa mua s‘rrotullohet bota

N‘treg të botës shiste fjalë
Poshtë qarshie një falltar

Tjetri shiste përralla për miza
Se për gënjeshtra s‘i duhej viza

E një tjetër skaj pazari
Luante rolin e një gomari

Kështu e kanë këto punë të kota
Kur gënjeshtrat i ha bota

S‘thuhet kot e dëgjojmë shpesh
Jo gjithkujt i vihet vesh!

          2016

DHELPRA *DEMENS-e

Ka shumë vese në këtë botë
Dhelprës fajet s‘ia ndajmë dot

S‘është çudi kur të njëjtat veprime
Na përsëriten prapa shpine

Thonë se dhelpra kështu vepron
Kur errësira e mbulon veç dredhina gjeneron

Sillet pështillet shpesh harron
As veten s‘e kontrollon

Shohim shpesh s‘na vjen çudi
Me këtë ves ndonjë njeri

Dikush tha s‘është ves
Është sëmundje, jo për dhelpra, por për njerëz!

         2016
________________
*(Sindrom psikiatrik në ndryshime
degjenerative dhe jo degjenerues)


 

NË KUVENDIN E HAJNISË

Në kuvend të pyllit shtazët po tregonin
Për lajkat e tyre  veten e lëvdëronin

Një arush dembel për veten u lëvdërua
Se si kish vjedh mjaltin bleta pa e thumbuar

Ujku në kope si kish vjedh një qengj
S‘e kish parë bariu as dhe ndonjë qen

Se si kish vjedh lakra edhe lepuri tregoi
Ferneri në gjumë atë s‘e hetoi

Por, dhelpra më shumë në kuvend u krenua
Për lajkat e saj sa shumë u lëvdërua

Një gjahtar pas lisit u tha veç vazhdoni
Se vjen orë e ligë të gjitha i paguani

S‘është shumë çudi kur shtazët kanë këtë ves
Se shumë njerëz në botë vuajnë nga ky ves
      

                               2016

IKJA E SHQIPONJËS

S‘duroi tha shqiponja terrin e robërisë
Kur ma vrasin korbat qiellin e lirisë

S‘duroi kur ligësia përmbi diellin tënd
Ngrit  hisen e vet e tëndin ta zërë

S‘e duroi dhelprën në shesh e pazar
Pjellë padrejtësi mes ditës së bardhë

S‘duroj ku ariu na e pi djersën tonë
E me gjakun tonë e ngrit kalanë

S‘duroj papagallin të na bëhet falltor
Ku brenda një nate ngritet në meteor

S‘të duroj moj dhelpër tek flet për drejtësi
E kolaboron me ariun e zi

S‘duroj lepurushin kur pranë are rri
Natën i vjedh lakrat e ditën mban drejtësi

S‘e duroj ujkun mbledhjen kur drejton
Për vjedhjet e qengjit tjerët akuzon

S‘e duroj luanin që ta shpallim mbret
Pyllit nuk i duhet ky hajn i vërtetë

S‘e duroj asnjërin se jeni të ligë
Ndaj nga pylli i juaj unë do të ikë

 

KUR MUNGON SAKTËSIA

 

Shitësi i një dyqani shpeshherë vonon

Pse s‘e respekton planin nuk i bëhet vonë

 

Ora e një zyrtari shpeshherë ndalon

Mendja tek orari fare nuk i shkon

 

Nxënësi i një klase sa shpesh e përsërit

Orës time në mur i janë zbrazur bateritë

 

Shoferi i autobusit ndonjëherë harron

Ta shikojë orën kafen tek shijon

 

Se kush është përtac e s‘ka përgjegjësi

Nuk i bëhet vonë as për saktësi

 

Sa shumë orët e krahut shpesh i posedojmë

Orët zvicerane sa shumë i reklamojmë

 

Kur s‘e respekton përgjegjësinë tënde

S‘do të bëjë punë as ora zvicerane

 

                              2016

 

GËNJESHTRAT DINAKE

 

Diku grykës në Vërri

Po peshkonte një ari

Kështu tha dhelpra, sa të shpëtojë

Keq gjahtarët i mashtroi

Peshkatarët i trazoi

Shumë gënjeu, thanë kjo “zonjë”

 

Poshtë lumit në luginë

E kanë parë zotëri arinë

Nja dy dele seç i grinë

 

Kështu tha ujku pyllit shkoi

Dhe bariun e mashtroi

Nga kopeja e largoi

Pastaj delet ia copëtoi

 

Nga ajo ditë ia bënë benë

Dhelprës e ujkut për këtë rrenë

Sa herë zbresin në Vërri

Bam ia bëjnë, pa një pa dy

 

                2016

 

MBRETËRIA DHELPËR

 

Në Vërri atje ndër paja

Dikush tha ra sevdaja

Zgjodhën dhelprën mbretëreshë

E propozoi zonja breshkë

 

Kot këndesat protestuan

Zëri tyre s‘u dëgjua

Dhe iriqët kundër ishin

Por ta ndalnin fuqi s‘kishin

 

Në pyllin me lisa u bë hataja

Nëpër kotece ra murtaja

Se kush hante e kush pinte

Qeni të zotin nuk e dinte

 

Kot ankesat për zonjën dhelpër

Ruante pozitën s‘kish punë tjetër

Dikush tha: E bëmë vetë

Kur mungon ujku dhelpra bëhet mbret

 

               2016

 

PULËBARDHA DHE KLANDESTILI

 

Në bregdeti aty në Bari

Një pulëbardhë i afrohet

              një shqiptari

 

Diç po i fliste e kërkon

Ky i mjeri s‘e kupton

 

Iu duk ndihmë i kërkoi

Ky mjerani s‘kish asgjë t‘i ofrojë

Xhepat zbrazur ia tregoi

 

Prapë pulëbardha diç po flet

llafe e lavde po i qet

S‘më duhet vizë as biletë

T‘i paguan dhe traget

 

             Bari-Itali, 2006

 

GJURMËT

 

U vodh qengji nga kopeja

Aktpadinë e ngriti delja

 

Gjyqtare arushi në gjykatë

E kapi dhelprën ndër të parët

 

Mua ky krim tha s‘më takon

Se mos ujku na dëgjon

 

Ujku pranë plot zemërim

I tregoi dhëmbët me tërbim

 

E shikoni dhelpra tha

Në mes të dhëmbëve mishin e ka

 

              Vërri, 2004

 

PRONARI  DHE GOMARI

 

Në mes baltës ngul veshgjati

E pëlliste nga inati

 

Bam e bum sillte pronari

Unë bëj timen ngul gomari

 

Për inat ti s‘ma kalon

Mbi shpinë hunin s‘ia pushon

 

Nëpër baltë e në llagam

Ec dalloi cili janë

 

Një i tretë ra aty pari

E i pyeti: Cili është nga ju gomari?

 

                  Prizren, 2006

 

 

KËPUCË  PËR  GRUAN

 

Mbeti zbathur zonja Luqe

Pesëdhjetë euro një palë këpuce

 

I ra qytetit qark e mbarë

S‘la dyqan e s‘la pazar

 

Ra dhe burri bash në hall

Nga zemërimi e tha një fjalë

 

Më mirë sot të jesh gomar

Bën dhjetë euro një mbathtarë

 

                Prizren, 2007

 

PSE E DËNOJMË DHELPRËN

Dua t‘ju them diç të dashur fëmijë
Sa shumë akuzojmë dhelprën i bëjmë padrejtësi

Gjithmonë për të ligë edhe për dredhina
I ngrisim akuza e i bëjmë prita

Dikur bashkë me gjyshen kotecit plot pula
Mu aty tek dera ne i bënim kurtha

Për natën me hënë unë iu betohem
Na i vidhte pulat e aspak s‘hetohej

Edhe sot në libra, në vargjet e mia
I bëjmë shumë akuza për dredhitë e liga

Por jo tek gjahtarët paditë nuk e kam
Se ata pa gjyq shpesh ia bëjnë bam

Në shoqatë të kafshëve nuk është as anëtar
Sepse gjyshja ime kurrë nuk do t‘ia falë

Sot në pyllin tonë dhelprat janë pakësuar
Ato me dy këmbë sa shumë na janë shtuar

                    2016

 

VESET "TONA" 1

Nga foltorja e politikës
Kundërmon erë e karriges

Çdo tender kur realizon
Vjen era korrupsion

Gojën plot atdhetarizëm
Ishte pulë në komunizëm

Sa shumë popullin ai e "do"
Më shumë kur votën kërkon

VI-Ai- Pi tash i thonë
Pasuri me korrupsion

Veset tona s‘kanë kufi
Ra murtaja në këtë shoqëri

             Prizren, 2015

PESHQESH PËR PAPAGALLIN

 

Për fushatë një papagall

Në Vërri kishte dalë

 

Mblodhi kokrrat një nga një

E e mbushi koshin e tij

 

Më s‘u duk për katër vjet

Papagalli u ngjit përpjetë

 

Shkoi shumë lart në pari

Më s‘u duk në Vërri

 

Po vërrinasit ia bënë benë

Në u paftë edhe njëherë

 

Një hu gardhi e spicuan

Për kokrrën tjetër po ia ruajnë