Samstag, 29. Januar 2022




PROLOG

 

- Që në mesin e qershorit, kur i pari i Kalamegdanit kremtonte fitoren e një lufte të humbur të një moti të harruar perandorak me bashkëkombësit e tij në një fushë diku në Kosovë, doli hapur kërkesa për armatosje. Pas intrigave të shumta që ia vishte pushteti çdo ditë popullit shumicë të Dardanisë antike, i pari i Kalamegdanit, e kishte zgjedhur pikërisht atë humbje të tmerrshme kundër sulltanisë për ta kthyer në fitore. Dhe kjo kujtesë, thirrej në një fitore të "rrejshme". E para, për ta trimëruar pakicën e vet në këto anë, e dyta për ta mashtruar botën se ky vend na qenka i tyre dhe se populli i tij kishte luftuar për të. Me këtë kremte, arrinte qëllimet e politikës që i kishte vënë përpara vetes dhe ngritjes së tij. U kishte premtuar se ditën kur do ta marrë fuqinë në duar, të gjithë bashkëkombësit e tij do të jetonin të lirë. S`do t’i prekë askush. Se, ata që do të kenë punë me popullin e tij do të zhduken nga faqja e dheut. Dhe ata që do të kenë punë me ju, kanë punë me gjithë shtetin e Kalamegdanit. Nuk ishte hera e parë, që dëgjohej kjo gjuhë e urrejtjes kundër Albanëve në tokën dardane. Ajo ishte ushqyer për dekada të tëra. Nacionalizmi, iridentizmi, shovinizmi, e deri në kanibalizëm, ishte fjalori i tij dhe vartësve të tij atje nga Kalamegdani kundër shumicës së shqiptarëve. Ndërsa, mesi i qershorit plot vapë, veç sa e kishte forcuar popullimin e tij pushtetar. Thuhej se, ai ishte përgatitur për një kohë të gjatë në kabinetet e Kalamegdanit, veçse e kishte pritur çastin e daljes në skenë. Një thënie tjetër, e nxirrte për “gabel”. Kështu e kishte quajtur Brozi gjatë kohës kur ky ishte kryetar i rinisë. Dhe çka nuk thuhej, por, i pari i Kalamegdanit, tanimë i kishte forcuar pozitat. Brozi  kishte ikur qysh moti në botën tjetër. Koha tani po punonte për të. I ushqyer me ide antishqiptare nga të parët e tij. I dresuar nëpër taborët e Kalamegdanit, ai ishte njeriu më urryes kundër shqiptarëve. Pikërisht, dita e mesit të qershorit, kur po përkonte me një betejë të humbur shekuj më parë, ishte përgatitur nga akademia e Kalamegdanit për ta promovuar si lider. I gjithë ky promovim i ngjante një tubimi popullor, diku në një fushë të mbushur me pasndjekës, ku ai tashmë po i krijonte themelet e perandorisë së tij. Turma që e rrethonte, gjatë gjithë kohës thërriste emrin e tij, për jetë të gjatë dhe shumë urata tjera. Ajo, herë pas here nxirrte edhe kërkesa si: duam armë, duam armë ti vrasim shqiptarët, shqiptarët nën dhe, jashtë shqiptarët, e çka jo tjetër. Kjo e gëzonte të parin e Kalamegdanit. Herë pas here i shoqëronte thirrjet e masës, derisa grushtin e ngrinte lart në emër të shtetit. Nuk ishte hera e parë që thirrej para popullit të tij. Tubime kishte mbajtur mjaft, madje edhe në Kalamegdan. Kronikat televizive ishin mbushur, madje me finesën e përzgjedhur, nxirrnin në ekran sekuencat më urrejtëse kundër popujve tjerë. Kjo e bënte më të përkrahur nga populli i vet. Në popull flitej se i ngjan Hitlerit për nga ashpërsia. Të tjerë shtonin se pushteti i tij do të ngrihej aq tepër, saqë s`do të ketë fuqi kush më ta rrëzojë.

- Thuhej se, ai do t’i realizojë të gjitha memorandumet e paraardhësve të tij për zgjerimin e shtetit të vet. E, çfarë nuk flitej?! Nganjëherë flitej edhe për faktin se  ai do ta humbë çdo betejë dhe shteti i tij do të ngushtohej deri në pashallëkun e Kalamegdanit. Po, kush guxonte ta thoshte hapur?! Këto fjalë qarkullonin vetëm ndër shqiptarë. Ndryshe, po të thuhej hapur, shkonte koka. Egërsia e shtetit të tij, në raport me shqiptarët, ishte tepër e egër. Shqiptarët i kishte vënë si qytetarë të rendit të fundit, dhe se, ata s`duhej të kishin shkolla, s’u duhej liria, meritojnë shtypjen deri në atë masë sa ta braktisin vendin e të migronin në vende të huaja. Atyre, shqiptarëve pra, jeta duhej t’u bëhej sa më e hidhur, dhe sa më parë të largohen nga Kosova. Të gjitha këto programe dilnin nga kabineti i tij dhe zbatoheshin në praktikë nga vartësit dhe populli i tij, i cili i shkonte si bleta prapa amzës së vet. Kjo ditë vere e nxehtë, në ditën e kujtesës së një fitoreje të rrejshme, siç e quante historia, po e trimëronte më shumë, ngase kështu, e merrte bekimin e popullit dhe bëhej më i fuqishëm e më i besuar në pushtet. Vartësit të cilët e rrethonin, herë herë nxirrnin parulla nga më të ndryshmet. Slogani i tyre tashmë dihej: duam armë, duam armë. Derisa bëhej thirrje për armë, turma e masës mbushullonte fushën. Prapa ekraneve, që transmetonte sekuenca nga ky tubim, ngjasonte si një skenë teatrore duke u shpalosur programe me erë lufte. Nuk ishte rastësi, dhe se e tëra kjo ishte e programuar, ndërsa masa e popullit që i shkonte nga prapa,  ishte fuqia që e mbështeste.

- U bëhej haptazi premtimi se, armët do t’i kenë të gjithë në duar dhe s`do të guxojë t’ua prekë kush as qimen e flokut. Masa, me shishe rakie në duar, trimëroheshin. Thirrjet për mbështetje, jehuan gjatë gjithë asaj dite të nxehtë, dhe ku, në një fushë të tokave dardane. Pasdites së vonë, ai u kthye krenar në Kalamegdan. Turma e njerëzve të popullit të tij, mbushte sheshet nëpër qytetet e Kosovës. Thirrjet kundër shqiptarëve, thirrjet për armë, gumëzhinin nën flamujt e mbretërisë së Kalamegdanit.

 

*      *      *

 

- Shqiptarët, më të fortë se guri, dhe përpëliteshin me shtypjen e robërisë nga Kalamegdani, mbështetur edhe nga grushti i pakicës serbe në Kosovë. 





ATA S`U KTHYEN SIVJET

 

Strehëve të mallit u lëvarrën kthimet

Ylbere largësish u ngritën ëndrrat

Motmoti i Kovidit mbylli gardhiqet e Evropës

 

Zhgënjimit digjet bukuria e stinës

Malli i mbyllur kafazeve të largësive

Zogjtë e degdisur s’u kthyen strofullit sivjet

 

Kullave mbetën mbyllur pritjet

Merimangat i dubluan mburojat te porta

Oxhaku i pikëlluar pikon blozën e mungesës

 

Ata s`u kthyen me verën sivjet

Mbetën ëndrra pritjes diku larg

Deri në ditën kur Korona të jetë harruar

 

            Bibione, 20 korrik 2020

 

PRITJET MBETËN PENG

 

Askush nuk ia di fatin e ditës së kthimeve

Udhët mbetën udhëve të pritjes

Malli i shtrëngoi dhëmbët e zemërimit dhe dhimbjen

 

Dikush po e luan lojën e pangopshmërisë mbi topth

Kasta e treqind koluarëve të fildishta argëtohet

Me fatin e kokave të Zotit, tek ua qep qefinët

 

Politika i fërkon duart e si ngopet etja

Ujku kërkon mjegull thotë urtia e të urtit

Kokat janë bërë numra mbi këtë topth

 

Kovid ia vunë emrin gjithë kësaj zallahie

Lëmsh u bë e liga ec e gjeja fillin krimit

Medet ç`lojë bizare po luhet me njerëzimin

 

Pritjet e kthimeve mbetën pengë mbi gardhiqe

Evropa i mbylli portat e vajtjeardhjeve

Vetëm malli udhëtoi për Atdhe pa ne

 

               Bibione, 21 korrik 2020

 

 VERA PO IKËN PA NE

 

Diku larg-larg vendit tim

Ikën vera me hapa të rëndë e përtim

Bluaj ëndrrat e mallit që ikën pa mua me nxitim

E mua më lë këtu në ballkonin e hotelit plot zhgënjim

 

Nga ky vend i huaj dhe i largët

Këtij qyteti plot vapë e diell përvëlues

Ditën në i thënçin pushime e djeg e e nxij në mërzi

Përplot me zhgënjim përcëllues

 

Vera po pëlcet nga gëzhoja e pandemisë

As Kovidit s`ia ka hallin e si bindet kësaj enigme

Evropa ka ikur në pushim qetësisë

Veç Ballkani zihet e përzihet kësaj zallahie

 

Vera po ikën diku larg-larg mallit tim

Në një vend të tretë ku kripa pëlcet në pikë të diellit

Biletat e prera përplot zhgënjim

Mbetën në sirtar duke pritur atje përtej kufirit

 

                      Bibione, 22 korrik 2020

 

VRAPI PAS ËNDRRËS

 

Kur të të marrin udhët

Edhe i harruar mund të mbetesh

Kthimit si dihet kurrë

 

Duke e ndjekur ëndrrën

Nata mund të të zërë në shkretëtirë

E dita të të gjejë edhe pa varr

 

Atje larg ku t’i ndjek mashtrimin tënd

Edhe dielli ajri e toka janë të huajat

Ti dhe vetmia jote jeni një

 

Një ditë ëndrra jote mund të të shuhet

Edhe qiriu yt të të fiket

Pa ia parë shkëndijën e fundit askush

 

Jo më kot vrapit pas ëndrrës i thuhet harrim

 

               Bibione, 22 korrik 2020

 

TI QË NDOQE UDHËN E ËNDRRAVE

 

Ty që ke mbetur diku larg

Ëndrrat i gjuan me gur

Malli të ka djegur në çdo varg

E fjala plot dhimbje mbi gur

 

Ty që të ka harruar largësia

Udhët e vetmia jeni bërë një

Nga fjala të pikon orë e çast mërzia

E malli me ty jeni një

 

Ty që ndoqe udhën e ëndrrave

E myhyrin s’e gjete se s’e gjete dot

Fjala në varg është mbytur dhimbjeve

E kënga të pikon vetëm lot

 

Ty një ditë edhe ëndrrat do të të shuhen

Edhe vrapi pas fatit të mashtruar

Vetëm fjala e mallit në pergamenën e bardhë e përvëluar

Edhe atëherë kur hija jote të jetë harruar

 

       Bibione, 23 korrik 2020

 

TI MBETE UDHË

 

Nga hija jote si mbeti asgjë mallit

as edhe një copëz imazh

të ta ruajë kujtimin

 

harrimi i ka shkulur të gjitha gjurmët

mbi udhët e ecjes sate

janë tkurrur sokaqet

 

edhe kujtesës së këngëve nëpër lagje

u është shuar zëri

nga pentagrami i mungesës

 

Ëndrrat e pritjes janë lëvjerrë avllive skaj udhës

e i bëjnë roje mbathcave të kthimeve

mbi rrjetë merimangash pikon malli

 

ti mbete udhë e arratisur

 

    Zvicër, Grabs, 2020

 

HESHTUR FILLIKAT

 

Të flasësh me heshtjen ulur në kafe

E të grindesh me udhët nëse të kanë marrë

Diku i harruar humbellave të Evropës

Të shërosh ëndrrat nëpër mall

 

Nganjëherë çastet zemërohen me udhët

Dhe me portat që sivjet na i mbyllën

E nganjëherë arsyetimeve ngushëllohem

Edhe pse largësia e mallit na shtrydhën

 

Nganjëherë pikon dhe mendim i brishtë

Pandeminë e vitit të mbrapshtë mallkon

Kafeja mbi tavolinë merr pamjen e trishtuar

Duke flatruar mendimeve pa e pirë e harron

 

Me heshtjen ndodh edhe të grindemi

Mendimeve diku larg në harrim

Sepse asnjëri e as tjetri largësisë së mallit s’i bindemi

Tek na ikën pabesisht e neve në kafene ulur na mashtron

 

        Zvicër, Grabs 2020

 

 NËSE

 

Nëse s`më gjeni

Te pragu

Kam ikur

Me zogjtë e malit

Diku

 

Nëse porta

Është ndryshkur

S`ka kush t’i trazojë

Merimangat

Na ka vjedhur

Harrimi

 

Nëse kthimet

Kanë vonuar

E i kanë mbytur

Harrimet

Diku nën gur

 

Më kërkoni nëpër botë

Atje i kam lënë fjalët

 

     Gusht, 2020

 




BUZËQESHJA E VRARË

NË PORTRET

 

Në shtëpinë e mbyllur

me dry nga jashtë

nën rojën e merimangës

në dhomë i vetmuar

e i varur në mur

një portret

i një djali të ri

me buzëqeshjen e vrarë

i mbuluar nga pluhuri

 

I zymtë e i zbehtë

me heshtjen e zverdhur

assesi të nxirrte

buzëqeshjen

që ia kishin vrarë

hienat e veriut

bashkë me shpresën

për dritën

 

I njomë e i harruar

kish mbetur

qysh ditën e arratisë

udhëve të botës

këtu e tri dekada

më parë

 

As sot e kësaj dite

s’kishte kush

t’ia kthente

buzëqeshjen e vrarë

nëpër mall.


KUR TË MUNGON LIRIA

 

Nga dritarja e moshës

shikoj ëndrrat e lëna diku

të lëvara me rininë

e djegur ëndrrave

të thyera

nga epoka rob

në atdheun tim

 

Dritën e diellit

na e kishte nxënë

korba e Kalamegdanit

dhe luante me të

lojën e bishës

mbi fatin e kokave tona

 

Sado që duart

s`mundë të na i lidhnin

të gjithëve

dritën e diellit

na e kishin prangosur

 

Ende i dëgjoj klithmat

e dëshirave të mia

të vrara

dhe shpresën e mashtruar

udhëve të arratisë.

 

         2021

 

KOHA E ROBIT

 

Hije siluetash të tejdukshme

të shpuar me plumba

tejpërtej

nga dorë e hekurt

e krimit të satanait

zbritur nga Karpatet

e veriut të zi

 

Ecnim pa u ndalur

mes tehut të vdekjes e jetës

se ku mund të na priste

prita

a teku i dorës barbare

për të na e fikur

qiriun e jetës

 

Ecnim e s`dinim

ku t`na gjejë e nesërmja

pa u ndalur

përpjekjes për ta kapur

rrezen e diellit

që na e kishte nxënë

një pakicë kriminale

pjellë e bishës nga Kalamegdani

 

Ende më therin plagët

e pikojnë pa u ndalur

kodrat rënkojnë varreve

përplot dhimbje

që m’i mbolli bisha e zezë

roje e diellit tim

njëqindvjeçar.


VERËZA DIKUR NË VËRRI

 

Në sythin e parë

të stinës së luleve

dimri po ikte

si një kujtim i shkrirë

me plisin e grisur

copë-copë

atje mbi kodrat e Sharrit

 

Cicërimës së zogjve

të stinës

i shtohen

edhe këngët e njomëzakëve

të vegjël

dhe vrapin e tyre

pas vezëve lara-lara

mbi lëndina

 

Me duart e njoma

tek korrnim

ngjyrat e para të stinës

për ta sjellë

gjelbërimin e shëndetin

mureve të shtëpive

të lodhura

nga acari i dimrit

 

E rriteshim me stinët

për betejat e së nesërmeve

të jetës.

 

     2021

 

NA MBETI VES IKJA

 

Se vetëm ikjet

na marshojnë

ëndrrat

s`kanë të ndalë

e lakmia mashtrimin

pështyn plot mallkim

nga pas

 

Nga më të bukurat ëndrra

që na panë sytë

nëpër ditë me diell

ishin ato të mashtrimit

se me natë

na i kishte verbuar kobzeza

dritat e syve

 

Mos i thënçin kohë

shekullit të korbës

kur na digjej

toka nën këmbë

e dritën e diellit

na e jepnin

me racion

 

Na mbeti ves ikja

e strofullit

s`po i ndahet mallkimi.

 

      2021

 

 FARA E MALLKIMIT

 

Se nga na erdhën ikjet

nuk e di as cila dorë

na i mbolli në oborr

sigurisht se ishte dorë e zezë

që na e futi rrënjën e mallkimit

dhe udhët

 

Kjo dorë e zezë

s`na i kishte mbjellë udhët

por na i kishte futur

rrënjët e shfarosjes

thellë ndër brazdat e tokës

 

Fara e zezë e saj

s’i humbi as shekujve

mbiu në lëndina e shkretëtira

fusha e male

qytete e sheshe

farë e saj

shkretoi ç`gjeti

kullave dardane

 

Se nga kishte ardhur

nuk i di as adresën

as furtunën që e solli mes nesh

porse rrënja s`iu tha kurrë

e neve

na mbyti mallkimit të udhëve.

 

             2021

 





Prolog

 

FQINJËSIA ME SATANËN

 

Nga përtej gardhi ky fqinji im

me shajkash e gjarpër mbi kokë

ka njëzet vjet që hije m’i bën diellit

e lutet përditë për mortin tim

sikur s’u ngop qe njëqind vjet me gjakun tim

që ma piu ditë e natë, e me

eshtrat e mi ndërtonte kalanë e

hierarkisë atje mbi Kalamegdan

sikur s’i mjaftojnë ato qindra mijëra varre

që m’i mbolli kodrave, fushave e maleve

kullave e oborreve të mia e me

dhimbjen time ngriti të gjitha perandoritë

e krimit të pandalshëm shekullor

As rrita e ndërprerë në gjysmë

e fëmijëve në varre plot

pleqve e plakave, të rinjve pa rini

nënave e motrave plot plagë e dhimbje

As ato varreza masive që i ngriti

në Batajnicë, në Rashkë e ujërave të Danubit

në Nish, Kurshumli apo edhe gjithandej

tokës së përgjakur Dardane

Dhe përsëri ulërin bisha e Kalamegdanit

e këndon orë çast himnin e krimit mbi shqiptarë

Kam njëzet vjet që hap e mbyll varre, e shumë

ende të hapura në pritje të të zotit

Kam njëzet vjet që bisha me krrokamën e korbit

nga andej përtej gardhit ndjell mortin tim

dhe assesi ta kuptojë këtë racë njerëzore

me shpirtin e egër prej bishe

Medet ç`fatkeqësi për mbijetesën time

me fqinjin satanik përtej gardhi...


FQINJI I DHUNSHËM

 

Ai i ngjan satanait

tinëzar, hileqar e i pangopshëm

me gjakun e fqinjëve

 

Ai është bisha e egërsisë

thuajse dje ka zbritur nga shpellat

dhunën mbi fqinjin ushqim shpirti

 

Sulmon oborret e fqinjëve

zogjtë ia mbyt me natë

e s’di të ngopur me gjak fqinji

 

Është qenia e mbrëmë me pamje njeriu

e shpirtin e egër prej bishe

medet për fqinjët e mjerë

 

Natën pi gjak fqinji

ditën ngrit dollinë e piramidës së krimit

e këngën e satanait këndon Kalamegdanit

 

Se si s`ngopet me gjakun e fqinjëve

tek i rri hije diellit

e ua zë dritën qe një shekull

 

Vaj halli Kosovë

me këtë bishë mbi kokë

 

 

 

 

DHURATA E EVROPËS

 

Pakkush do ta besonte

se guri në mes të arës

do ta pinte gjakun e të zotit

 

Se pi gjak guri

e s’lëviz nga vendi

kush as s’e kish menduar

 

Mbi të u shkrua historia e dhimbjeve

e rrënjët i mbetën se i mbetën

në gjak

 

Eh

ç’dhuratë mbolli Evropa për shqiptarët!

 

KY FQINJI I VERIUT TË ZI

 

Sa shumë i mishëruar në të kaluarën

suvenir e ruan amanetin

gjysh e stërgjysh e kish kriminel

 

Mbi kokarda ia kishin gravuar simbolikën e krimit

që t’ia ruante etjen hegjemoniste

ndër brezni

 

Me gjak njeriu e ushqen etjen çdo natë

përpara gotën e mbushur nga damarët e fqinjit

ngre dollinë e së nesërmes

 

Edhe kalanë e krimit e ngriti

me ashtin e fqinjit të vet

kur ia grabiti tokat

 

Eh, ky fqinji kanibal

ç'amanet të çuditshëm

nga gjyshi e stërgjyshi i vet mbart.


QE NJË SHEKULL

 

Një moti të furtuntë

erdhi me krimin

satanai i veriut të zi

 

Qysh kur ia grabiti tokat shqiptarit

e i ra në qafë

në oborrin e vet

 

Nga ai mot i hileve

Evropa ia mpreh dhëmbët

qenit të Kalamegdanit

 

Njëqind vjet ia kish mësuar

gjysh e stërgjysh

artin e krimit mbi fqinjin e vet

 

Përpara ikjes

satanai e veriut të zi

prapë kodrat me varre i mbolli

e krimin e mori me vete

 

Qe një shekull

plisi pa kokë më mbeti

 

Eh, sa shumë paskam duruar!

 

NJË SHEKULL ME KORBËN

MBI KOKË

 

Moteve të dhunshme

kur erdhi veriut të zi

mbi kokarda kishin kafkat tona

stërgjyshit ia zaptuan tokën, kullën i ndezën flakë

 

Mbi eshtrat tanë

ndërtuan kalanë e krimit

me dorën e Evropës

 

Thonë se edhe diellit harbuan si korba

e ia zunë dritën

gjyshi s'pa as rritë

 

Fjalës i lidhën gojë

e e cunguan me pranga diellin

babai s'pa se s'pa dritë

 

Shekullit ia vunë vulën e krimit

oborret na i mbushën me varre

dhe ikën veriut të zi

 

Eh, ç'mizori më panë sytë e mi

qe një shekull

 

Sa gjatë paske rrjedhur 

gjaku im i breznive