Mittwoch, 7. Oktober 2020



















DASMA PA VËLLANË

Me lirinë
u përqafuam përmallshëm
na kishin zhuritur shekujt

Te guri
e prita vëllanë e madh
s’mundi të më vinte në dasmë

Ia kishin shqyer këmishën
Evropa plakë
edhe ardhjen ia kish mallkuar
majë Pashtriku

Medet,
ç’dasmë e zymtë ishte
na u gjysmua shpirti

Lum ata
që do ta presin
dasmën e përbashkët!

ËNDRRA E NGRIRË

Sa herë rënkon Kosova
dhimbja mbi gur
pëlcet

Ushtarit të plagosur në beteja
një nënë
as plagën s’mund të vijë
e t’ia mëkojë

Rrufetë e dhimbjes
shkarkohen mbi Pashtrik
e mallkojnë Evropën

Eh,
mbetëm duke vrapuar pas fajit
te të tjerët
derisa Atdheun po e ndajmë
në bajraqe

NEVE NA E LAN GURIN

Portën e mbajtëm
hapur për miq
por jo të gjithë ishin të tillë

Shumë na erdhën
duke trokitur e miqësor
e ikën si armiq

Të tjerë na erdhën
me skafandra e helmeta
e i lanë kokat

Neve na e mbollën gurin
në mes të oborrit
medet, ç’peshë na mbeti mbi shpinë

















KROI I NDARË 1

Mbi gurin e Pashtrikut
Evropa e kish ngulë
majën e shpatës
këtu çahet
zemra e bjeshkës

Kroi nën gur
lotin s’e ndalte
tek rridhte dhimbjen
këndej e andej

Motra me vëllanë
e pinin lotin e gurit
pa guxuar
t’i flisnin
njëri- tjetrit

Eh,
ç’lot dhimbjeje
derdh qe një shekull
ky krua i ndarë
mbi Pashtrik

TE KROI I NDARË 2

Gur i kishin vënë mbi
e ia kishin shkruar
këtu ndahet
zemra e një populli

Poshtë gurit
kroi i ndarë
tek rridhte dhimbjen e shekullit
këndej njërën rrjedhë
e andej tjetrën,
pa pushim

Dikush nga pas
më tha:
kujdes hapin matanë
se e shkelë ligjin
për kufijtë e Evropës!

Dua ta pi
lotin e kësaj bjeshke
se dhimbja
s’më ndahet se s’më ndahet
nga gjoksi

Eh, Evropa
kufijtë e vet
moti i ka hequr...!

DHIMBJE

Sa të na rëndojë guri
mbi shpinën e Pashtrikut
ka gjëmë Atdheu!

Kthetrat e ngulitura të korbës
në zemrën e bjeshkës
vjellin gjak

Një Zot
ia njeh dhimbjen
se njerëzit janë hallakatur


PLAGA QË KULLON

Gjëmë dëgjohen
mbi Pashtrik
rënkon zemra e qarë e Atdheut

Krisma dëgjohen
përreth gurit
janë pushkët e lirisë

Klithma dëgjohen
maje bjeshke
janë ushtarët e rënë në kufi

E kuqja
e mbuloi gurin atje në majë
është gjaku i dëshmorëve

U skuq
edhe rrjedha e Drinit
është rrjedha e gjakut që s’ka të ndalë

PO GURIN

Ëndrra më nxori
duke e rrokullisur gurin
Eh, ç’gëzim kish Pashtriku!

Papritmas një ushtar
mbiu atypari
ndal, tha: do të të vras!

Eh, ç’trishtim i marrë
e verbëri
na e kish mbjellë Evropa bashkë me gurin

Thuaj dëshirën e fundit kosovar
Thirrte zëshëm ushtari si i marrë
klithte bjeshka në jehona vajtimi

Ti mua do të më vrasësh,
po gurin kush do ta shkulë?

Mbeti gojëhapur
ushtari me shqiponjën mbi ballë



















KY GUR

Kam një shekull
që më rëndon qafën
ky gur
E s’e heq, se s’e heq
qafe

Ndër brezni
ia kam vënë syrin
po s’e shkul, se s’e shkul
dot

Evropa ma vuri
si  “suvenir”
ditën kur m’i prenë
petkat e shtatit
si një “dhuratë”
me hile

Më mbeti se më mbeti
ky gur
s’po mund t’i bindë djajtë
të ma heqin qafe



PRAPË PËR GURIN

Thonë se poetët
janë zemërakë nga brenda
e të urtë jashtë

Ka kohë
që sillem rreth gurit
e s’e shkul dot

Ma mbolli Evropa
në mes të arës së gjyshit
a durohet kjo padrejtësi,
ooooo...!

Pastaj thonë
se poetët janë zemërakë
e si ta shuaj
këtë zjarr në gji

A durohet guri i huaj
në mes të arës së gjyshit,
o ju të uruar?


DHIMBJE

Sonte po shkarkohen rrufetë
janë zemëruar zotat
e godasin pamëshirshëm
te guri
atje mbi Pashtrik

Kurrë s’i kam dashur bubullimat
as rrufetë kur i goditnin lisat
për çudi sonte jam me ata

Rrufe të mëdha
po shkarkohen mbi Pashtrik
edhe zotat sonte janë zemëruar
me gurin

Ende s’ia shkulën rrënjët
shi po bie mbi Pashtrik
bjeshkës po ia lajnë dhimbjet

Eh,
E unë mbeta peng në mes të shiut
me se t’i mëkoj dhimbjet

PASAPORTA

Më shkruan
e ç’nuk më shkruan
mbi emër e mbiemër

Herë avnojan më thanë
herë unmikistan, e e e...!

Tri herë ma ndërruan
të mallkuarën
Të kuqe, të kaltër...
e asnjëra s’më  bënte
as për atje poshtë (me nder me thanë!)
letrarisht e fort

Më thanë
edhe sa të duash të japim
e ç’të duash
vetëm atë mos e kërko
se ia prishim
qefin Evropës (të më falni...)

Shqiponja më mbeti qiellit
assesi s’e zbrita në xhepin tim













NDARJA

 

Një moti të përdalë  të Evropës

ia prenë me gërshërë hartat

 

Bjeshkës i ranë me shpatë

e ia ngulën në zemër atdheut

 

Gjysmës së shtatit të atdheut

ra morti kullave

 

Një gjarpër i zi hyri në oborr

e s’la të ligë pa bërë

 

Peshqesh i Evropës

për shqiptarët i thanë

 

Nga ajo ditë

S’pa dritë atdheu i shqipeve



NË NDJEKJE TË ËNDRRËS

Nganjëherë lakmia e Drinit
Më merr me vete
E më shpie përtej gurit

Futem thellë nën ujin e liqenit
Dhe derisa shpërlajë blozën e lodhur të robërisë
Jam përtej gurit

Seç më ndjek nga pas
Një ujk i zi
Me dhëmbë të përgjakur

Dhe derisa gjendem
Në mes të ëndrrës
Tmerri më ndjek si hije

Eh,
Po të mos ishte guri...!

ËNDRRA PIKON

 

Mbetëm dy dhimbje

këndej e andej guri në mes

 

Etje e zgjuar na mbeti dëshira

malli na e përvëloi

 

Këngët na u thanë në fyt

nga klithma e gurit

 

Ujqit në këmbë, Evropa

roje na i bënë plagës

 

Plaga që u pikon

e shërim s’i gjendet dot

 

Ëndrra mbi Pashtrik

Rënkon...!



ATË DITË E SOT

 

Nga ai mot me natë

kur dikush e nguli gurin

 

Ëndrra u ça përgjysmë

plaga pikoi e s’u ndalë

 

Kënga u ndal në gjysmë

malësori s’këndoi më

 

Motra e vajtoi tinëz

vëllanë e vrarë mat-anë guri

 

Mbi kodër ujku i zi

na i ruajti ëndrrat me dhëmbë

të përgjakur

 

Kambanat e dhimbjes

s’pushuan këndej e andej

 

Zot, ç’kob ra mbi Pashtrik!













KONFERENCA

 

Atë mot ia prenë petkat Ballkanit

Shqipërisë ia bënë copa- copa

 

Deshtë ta lënë edhe pa to fare

Se kështu ia kish qejfi Evropës

 

Këmisha e shqipes shitej kuluareve

Si një plaçkë në tregun e padronëve pa tapi

 

Këndej fqinjët grabitqarë vidhnin gardhiqeve

E mbillnin kob kullave arbërore

 

Zot, ç’zallahi e kob ra

Mbi shtatin e Shqipnisë

 

Atë mot e sot

Na mbetën gurët mbi shpinën e Atdheut



GURI I GJAKUT

 

Ka një shekull jetë

Që ma pi gjakun

E me gjakun tim

Rritë rrënjët e mbijetesës

Atje maje Pashtriku

 

Po si s’ju shua etja

E s’i pëlciti gjerba

Nga gjaku i derdhur

Nga damarët tonë

Të pëlcitur për dritën

 

Ka një jetë që më bën hije

Gjoksit të Atdheut

E ia nxë frymën

Që të mos i rrahë

Pulsi në zemër

 

Ka një jetë që ma pi gjakun

Nga damarët e Atdheut

E me gjakun tonë

Ushqen rrënjët e rritës së vet

Atje mbi Pashtrik


TRE BREZA

U plakëm ...
E shikimi na mbeti
peng
rrjedhës së Drinit
përtej guri

Përtej është
toka e shenjtë
këndej na ka rënë mallkimi
në qafë
gurin duhet lëvizë

Kështu i kishte thënë
gjyshi, babait (ndjesë pastë!)
përpara se ta linte këtë botë

Eh,
Po plakemi dhe ne
me gurin mbi shpinë!


PADREJTËSIA

Me dëshirën e zjarrtë
që shpërthen në gji
zihem
çdo ditë

Në fakt
ajo flatron
orë e çast
dhe e kapërcen
murin ndarës
pa më pyetur fare

Të kotë e kam
shpjegimin
apo arsyetimin
se s’na lënë të tjerët
t’ia heqim gurin
mbi shpinë
Pashtrikut

Ajo e ka kuptuar
shumë herët
padrejtësinë
që ia bëjmë ne
vetvetes
ndaj s’bindet më

GURI

 

Me dëshirën e moçme

I ushqej ëndrrat e bashkimit

Shekulli më zë pritë

 

Kam njëqind vjet

Që i kam vënë syrin gurit

Po s’e shkulë se s’e shkulë dot

 

Një korb i zi

Glason përditë mbi bjeshkë

Mbi amanetin e Evropës

 

Shpirti bëhet copë -copë

Nga gjëma e bjeshkës

Mbi Pashtrik

 

E hija e zezë

S’më ndahet se s’më ndahet

Mendimit të etshëm