Mittwoch, 7. Oktober 2020












NDARJA

 

Një moti të përdalë  të Evropës

ia prenë me gërshërë hartat

 

Bjeshkës i ranë me shpatë

e ia ngulën në zemër atdheut

 

Gjysmës së shtatit të atdheut

ra morti kullave

 

Një gjarpër i zi hyri në oborr

e s’la të ligë pa bërë

 

Peshqesh i Evropës

për shqiptarët i thanë

 

Nga ajo ditë

S’pa dritë atdheu i shqipeve



NË NDJEKJE TË ËNDRRËS

Nganjëherë lakmia e Drinit
Më merr me vete
E më shpie përtej gurit

Futem thellë nën ujin e liqenit
Dhe derisa shpërlajë blozën e lodhur të robërisë
Jam përtej gurit

Seç më ndjek nga pas
Një ujk i zi
Me dhëmbë të përgjakur

Dhe derisa gjendem
Në mes të ëndrrës
Tmerri më ndjek si hije

Eh,
Po të mos ishte guri...!

ËNDRRA PIKON

 

Mbetëm dy dhimbje

këndej e andej guri në mes

 

Etje e zgjuar na mbeti dëshira

malli na e përvëloi

 

Këngët na u thanë në fyt

nga klithma e gurit

 

Ujqit në këmbë, Evropa

roje na i bënë plagës

 

Plaga që u pikon

e shërim s’i gjendet dot

 

Ëndrra mbi Pashtrik

Rënkon...!



ATË DITË E SOT

 

Nga ai mot me natë

kur dikush e nguli gurin

 

Ëndrra u ça përgjysmë

plaga pikoi e s’u ndalë

 

Kënga u ndal në gjysmë

malësori s’këndoi më

 

Motra e vajtoi tinëz

vëllanë e vrarë mat-anë guri

 

Mbi kodër ujku i zi

na i ruajti ëndrrat me dhëmbë

të përgjakur

 

Kambanat e dhimbjes

s’pushuan këndej e andej

 

Zot, ç’kob ra mbi Pashtrik!


Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen