Mittwoch, 7. Oktober 2020
















KROI I NDARË 1

Mbi gurin e Pashtrikut
Evropa e kish ngulë
majën e shpatës
këtu çahet
zemra e bjeshkës

Kroi nën gur
lotin s’e ndalte
tek rridhte dhimbjen
këndej e andej

Motra me vëllanë
e pinin lotin e gurit
pa guxuar
t’i flisnin
njëri- tjetrit

Eh,
ç’lot dhimbjeje
derdh qe një shekull
ky krua i ndarë
mbi Pashtrik

TE KROI I NDARË 2

Gur i kishin vënë mbi
e ia kishin shkruar
këtu ndahet
zemra e një populli

Poshtë gurit
kroi i ndarë
tek rridhte dhimbjen e shekullit
këndej njërën rrjedhë
e andej tjetrën,
pa pushim

Dikush nga pas
më tha:
kujdes hapin matanë
se e shkelë ligjin
për kufijtë e Evropës!

Dua ta pi
lotin e kësaj bjeshke
se dhimbja
s’më ndahet se s’më ndahet
nga gjoksi

Eh, Evropa
kufijtë e vet
moti i ka hequr...!

DHIMBJE

Sa të na rëndojë guri
mbi shpinën e Pashtrikut
ka gjëmë Atdheu!

Kthetrat e ngulitura të korbës
në zemrën e bjeshkës
vjellin gjak

Një Zot
ia njeh dhimbjen
se njerëzit janë hallakatur


PLAGA QË KULLON

Gjëmë dëgjohen
mbi Pashtrik
rënkon zemra e qarë e Atdheut

Krisma dëgjohen
përreth gurit
janë pushkët e lirisë

Klithma dëgjohen
maje bjeshke
janë ushtarët e rënë në kufi

E kuqja
e mbuloi gurin atje në majë
është gjaku i dëshmorëve

U skuq
edhe rrjedha e Drinit
është rrjedha e gjakut që s’ka të ndalë

PO GURIN

Ëndrra më nxori
duke e rrokullisur gurin
Eh, ç’gëzim kish Pashtriku!

Papritmas një ushtar
mbiu atypari
ndal, tha: do të të vras!

Eh, ç’trishtim i marrë
e verbëri
na e kish mbjellë Evropa bashkë me gurin

Thuaj dëshirën e fundit kosovar
Thirrte zëshëm ushtari si i marrë
klithte bjeshka në jehona vajtimi

Ti mua do të më vrasësh,
po gurin kush do ta shkulë?

Mbeti gojëhapur
ushtari me shqiponjën mbi ballë


Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen