Mittwoch, 7. Oktober 2020



















DASMA PA VËLLANË

Me lirinë
u përqafuam përmallshëm
na kishin zhuritur shekujt

Te guri
e prita vëllanë e madh
s’mundi të më vinte në dasmë

Ia kishin shqyer këmishën
Evropa plakë
edhe ardhjen ia kish mallkuar
majë Pashtriku

Medet,
ç’dasmë e zymtë ishte
na u gjysmua shpirti

Lum ata
që do ta presin
dasmën e përbashkët!

ËNDRRA E NGRIRË

Sa herë rënkon Kosova
dhimbja mbi gur
pëlcet

Ushtarit të plagosur në beteja
një nënë
as plagën s’mund të vijë
e t’ia mëkojë

Rrufetë e dhimbjes
shkarkohen mbi Pashtrik
e mallkojnë Evropën

Eh,
mbetëm duke vrapuar pas fajit
te të tjerët
derisa Atdheun po e ndajmë
në bajraqe

NEVE NA E LAN GURIN

Portën e mbajtëm
hapur për miq
por jo të gjithë ishin të tillë

Shumë na erdhën
duke trokitur e miqësor
e ikën si armiq

Të tjerë na erdhën
me skafandra e helmeta
e i lanë kokat

Neve na e mbollën gurin
në mes të oborrit
medet, ç’peshë na mbeti mbi shpinë


1 Kommentar: