Samstag, 19. September 2020

Gëzim Ajgeraj

FUQIA MAGJEPSËSE E POEZISË


Nëse nuk do të ishte e tepërt, në shënimet e mia do të përpiqem të sjell përvojën personale në udhën e artit. Por mendoj se nga përvojat individuale që i lëmë të shkruara, krojeve të tyre do pinë ujin e artit të tjerët, për të vazhduar përvojave të veta. Kësisoj, nuk ma merr mendja se do të ndihem i tepërt deri sa flas për udhën në art, artin nga këndi i personales, sepse në këtë mënyrë do të gjykoja, se do të jemi shumë origjinal përpara jush, lexues e art-bërës të ardhshëm. Në mos të paktën, kjo përvojë le të jetë një shkëndijë e vogël në hapësirat e art-bërjes, për të ndriçuar magjinë e poezisë dhe fuqinë e saj, që na bën të magjepsemi për të.

Kjo nuk mund të mendohet si fuqi magjistarësh në rastin e poezisë, por si magji e saj që na bën për vete dhe na magjeps ndjenjën dhe dashurinë për të. Kur flasim për poezinë, gjithmonë e kemi parasysh se po flasim për majat e artit të fjalës, për artin e së bukurës, për të bukurën në poezi, si forcë që arrin të na pushtojë dhe na bën për vete, kur e lexojmë atë. Por duhet të nisemi nga zanafilla e saj, nga e bukura e saj nga muza e mendimit të krijuesit, nga bukuria shpirtërore dhe estetike që i jep ai, për ta përçuar pastaj përmes fjalës metaforike tek lexuesi.

 Nëse në burimet e saja, kemi arritur të nxjerrim një botë të magjishme e të bukur të mendimit, për ta përçuar atë më tej përmes bukurisë së fjalës dhe duke krijuar imazhet e një bote fascinuese dhe interesante për lexuesin e saj, me këtë sigurisht se do të arrijmë tek arti i përvetësimit të lexuesit, apo edhe tek fuqia e joshjes së tij. Në këtë rast, sigurisht se poeti si një shkronjës, këngëtar i cili të bukurën e shpirtit e transmeton përmes fjalës, është magjia e vargut, sepse është fryma e tij, kënga e shpirtit, zëri i tij, që na joshin në poezi. Pra nga kjo që e thamë, kur mendojmë për poezinë, magjinë e saj gjithmonë e kemi parasysh edhe poetin, jo vetëm si shkronjës të saj, por me të gjitha ato që ai i jep nga vetja për artin si forcë që do të na bëjë ta ndiejmë.

Pra, këtu kemi të bëjmë, jo vetëm thjeshtë me vargun, por me një krijues të tij, ku shkrihet i gjithë shpirti dhe mjeshtëria e art-bërjes. Dhe nëse arrijmë t’i vejërojmë mirë pikat e vargut të art-bërjes, sigurisht se do ta ndjejmë, zërin, ndjenjën, klithmën, ndjenjën e shpirtit që paraqet për një motiv a temë e caktuar për vargun. Sigurisht se magjia e ndjenjave të tij që ka për artin dhe mjeshtëria që e paraqet në varg, bëhen pasqyra e refleksioneve të tij edhe për ndjenjën e akceptimit që e ndjen lexuesi.

 Nga një poezi e imja që m`kujtohet në këtë çast, dua t’i japë disa vargje për ta freskuar rrëfimin për magjinë e vargut, si art ku prehet qetësia shpirtërore e mendjes njerëzore: / Na kërkon e ardhmja të zgjuar mendimin / Kapni të uruar të sotmen plotë dritë / Të mos na i zë e nesërmja verbërisë së pendimit / Gjurmë e së djeshmes të mos na i zërë pritë /, Poezia: Për dritën e mendimit, fq. 96, Libri: Një kafe me miqtë e Metaforës, 2014. Pra në këtë rast, porosia është aq magjepse dhe dritëdhënëse, ndërsa forma dhe metafora përmes së cilës vjen ajo, është vetë magjia e vargut e cila na vjen si metaforë. Në këtë rast, vargu është shkruar në një kohë shumë delikate, dhe vjen si një forcë shtytëse për shoqërinë, duke e parë atë të zbehur dhe të rezervuar përballë leximit, si një dozë dobësie të një shtrese të caktuar të një shoqërie. Ajo vjen shumë e qetë, plotë urti të fjalës dhe si mesazh sa tërheqje-vërejtjeje, aq edhe magjepsës, për fenomenin e caktuar, i cili ende fatkeqësisht bredh si një mjegull verbuese hapësirave të shoqërisë. Dhe vargu në këtë rast si një porosi, pushton magjishëm, ndjenjën indiferente karshi fenomenit të caktuar, duke i pushtuar ndjeshëm këto hapësira, dhe vjen si shkëndijë drite brenda verbërisë së fenomenit.

 Por në këtë rast, ajo që është e rëndësishme, se duke "kënduar" apo rrëfyer për fenomenin, njëkohësisht jepet mesazh për një çështje të caktuar. Për mua, në këso raste tregohet ajo fuqia dhe magjia e vargut, e cila jepet si një mesazh për një shoqëri të caktuar.

 Për ta zbërthyer edhe më tej magjinë e vargut, në raport me lexuesin dhe shoqërinë e gjerë, si akceptuese të tij, ja vargjet në vijim: / Nëpër cilin labirint atdhe të ta shpëtoj dritën / Mbi qiellin tënd ende verbojnë furtunat e padukshme / Dhe engjëjt e rrejshëm me petkat e kaltra / Që m`i prangojnë ëndrrat e bardha me natë /, Poezia: Kosova ëndërr e plagosur, fq. 67, Libri: Antologji e Metaforës, Prizren, 2014. Në këtë rast, vargu që nis nga individualja, nga personalja, bëhet mesazh, thirrje për një shoqëri të gjerë me të njëjtat ndjenja karshi një situate të përgjithshme, të interesave kombëtare. Dhe kjo thirrje, vjen si shkëndijë, si dritë që hapë shtigje që edhe të tjerët ta shohin atë, ta ndjejnë dhe ta prekin përmes vargut. Dhe sigurisht se këto shkëndija, do të jenë dritë-nxitëse edhe për të tjerët, pra fjala është për auditorin e gjerë, lexuesin. Pikërisht brenda këtij fenomeni qëndron ajo e magjishmja e vargut, e cila nga një ndjenjë individuale që e ndjen krijuesi, problemin e përgjithshëm përmes mesazheve që përcjell ai tek publiku i gjerë, e ngritë atë fillimisht si ndjenjë akceptuese tek lexuesi e pastaj edhe si çështje që duhet përqafuar edhe nga vetë lexuesi. Pra, në këtë rast fenomeni magji e vargut, ka arritur qëllimin dhe efektin e vetë, përmes mesazheve që ka përçuar tek shoqëria e gjerë.
Në këtë rast, krijuesi ngrit një shqetësim, problem të përgjithshëm për një komunitet të gjerë, duke kërkuar edhe nga ai, të njëjtën që vet e ndjen për çështjen e caktuar.
Jemi në një kohë, kur Kosova e pasluftës, menaxhohej nga misione shumëkombëshe, të cilat në emër të ndihmesës në çlirim, luajnë role edhe negative, karshi interesave të shoqërisë shqiptare në Kosovë. Dhe pikërisht, rolin e disave nga këta misionarë, krijuesi e vë në thumb të vargut, duke  ngritur atë si shqetësim, si problem dhe si thirrje për shoqërinë shqiptare, që të jetë vigjilente në ecjen e saj përpara.

 Ja edh disa vargje nga kjo poezi, për ta elaboruar edhe më tej këtë problem dhe temën për të cilën po flasim: / Kush s`e shikon të drejtën tonë natyrore / As konventat e kombeve për vetëvendosje / Të tjerët na e presin qyrkun si t`u teket atyre /, ... / Vaj halli për ty atdheu im hallemadh /, fq. 67, ( Kosova ëndërr e plagosur). Vargu i fundit, si një brengë poetike, ajo shumë lehtë depërton edhe tek lexuesi të cilin e bën të ndihet njësoj karshi situatës dhe gjendjes së atdheut (kuptohet, për lexuesin që ka ndjenja atdhetarie dhe dashuri për lirinë e vendit të tij). Kujtojmë se përmes këtyre ilustrimeve dhe zbërthimeve të vargut dhe çështjes së caktuar, e magjishmja ndjeshëm reflekton vetvetiu, për të na bërë të qartë çështjen e caktuar, të ngritur si fenomen të magjishëm. Pra në asnjë rast, kjo çështje nuk bën të kuptohet si një kuptim klasik i magjisë, që zakonisht përdoret nga magjistarët, sepse kjo do të humbte efektin esencial si çështje. Poezia nuk ka synime të tilla, as që synon rreth një çështje të tillë, ajo është realiteti që tek njeriu krijues nganjëherë shihet shumë më herët dhe shumë më larg, dhe përmes vargut ngritët si *heshtje, si dritë që edhe të tjerët ta shohin me kohën dhe të veprojnë, apo kundërveprojnë, në rastin tonë, pra në rastin si të Kosovës së pasluftës dhe "engjëjve të rrejshëm", në këtë situatë.

Më ka rënë shpeshherë të dëgjoj mesazhe të ndryshme për këto situata, sidomos nga ato që i takonin thirrjeve të hapura politike, pa qoftë edhe tërthortë, por mund të them për veten se asnjëherë fuqinë dhe ndikimin nuk e kanë pasur tek unë, atë që e jep vargu ose poezia. Ndoshta në këtë pikë do të ishte mirë të elaboroja pak arsyen e psesë?, për të qenë më i sinqertë përpara juve. Situatat dhe mesazhet politike për mua mund të jenë të çastit, apo edhe vlerësime të interesave të ndryshme të shumëllojshmërisë pluraliste të krahëve politikë. Pastaj ato sikur gjithmonë mbartin shpesh ingerencat partiake dhe interesat e një grupi të caktuar. Në fakt, të jem më klasik në atë që mendoj, rrallëherë apo fare pak, mund të gjej fuqi që më magjeps, në shembullin e dhënë më lartë. Tek poezia ky lloj efekti, për mua është i jashtëzakonshëm. Këtu do t’i shtoja mjeshtërinë përshkruese të problemit, metaforën, fjalën artistike, por edhe trajtimin e thellë që mund t’i bën vargu një çështje të caktuar, e cila na vjen si mesazh që do të pushtonte botën e brendshme psikologjike. Nuk dua t’i jap krahë apo përparësi njërës apo tjetrës, por vetëm përcolla atë mendimin personal, të ndikimit të vargut, në raport me një deklaratë apo intervistë. Pra, në varg sikur e përjetojmë atë ndjenjën e magjishme, tamam sikur autori i saj, nëse arrijmë të kuptojmë thelbin e vargjeve. Dhe kjo ndjenjë që neve e përjetojmë brenda vargjeve, është forca e të magjishmes e cila ka arritur deri tek ne përmes fjalës.

 Dhe jo vetëm kaq, fuqia e fjalës brenda vargje, metafora e tyre do të jenë ato që do ta nxisin rrjedhën e trurit tonë, për të menduar për një çështje të caktuar, apo edhe të veprojmë për një qëllim të caktuar. Është fuqia e fjalës, e cila vë në lëvizje ndjenjën, mendimin, muzën, për të na ngacmuar për një qëllim të caktuar, në raport me mesazhin e vargjeve. Kur po flasim për këto fenomene të brendshme psikologjike, përpara vetes gjithmonë e kemi vënë mesazhin e një kohe të caktuar, të poezisë me motive atdhetare, si nevojë e shoqërisë sonë gjatë kohës së okupimit, kur shumë mesazhe për lirinë, përcilleshin përmes poezisë. Po kjo nuk do të thotë se jemi të fiksuar në këto kohë, sepse kemi mesazhe edhe sot që përcillen për atdheun, bashkimin, dashurinë, mërgimin, mallin etj, dhe mund të themi se edhe këto lloje të mesazheve janë po aq të ndjeshme dhe të përqafuara nga lexuesi i gjerë.

 Që të sjellë freski brenda rrëfimit, dua të sjell disa vargje brenda të cilave shkrihet e magjishmja e dashurisë për nënën, si një ndjenjë e pashtershme në  rrjedhën e jetës; / Në çdo muzë të mendimit për dritën me ty lindë fjala / Merr dritë jeta me mijëra uratat e lutjeve të tua /, ... / Ti je frymëzim i pashterur i dekadave të mia vargut / Që freskohen gurrave të shpirtit tënd të butë / Që s`di të shter nëpër rrjedhën e dashurisë /, Poezia; Ti je frymëzimi i vargut, nënë,  libri: çaste alpike, fq. 101.
Sigurisht se ndjenja e nënës është e përgjithshme dhe se ndjeshmëria e vargjeve bëhet aq sensibile, aq e ndjeshme dhe aq e kapshme, sa që nuk ka mundësi që t’i shpëtohet magjisë së vargut, pa ta pushtuar ndjenjën. Secili në formën dhe mënyrën e vet e ndez një lloj ndjeshmërie e cila do të bëhet imazh i botës së brendshme, që do t’i prinë një lloj ngacmimi për dashurinë dhe ndjenjën ndaj nënës.

 Shpeshherë, poezia arrin të na krijojë ndjenjën e lumturisë, në rastin kur ajo vjen si një aventurë dashurie, duke krijuar çaste dhe imazhe të bukura, të cilat arrijnë ta ndezin perceptimin tonë ndaj të bukurës, dhe shijes për të. Ajo shpesh bëhet dritë për ndjenjën e bukur, duke na dhënë mesazhe drita për ndjenjën tonë, për një çështje të caktuar.

Nuk po flasim për fuqinë magjike, të aspektit psikologjik, sepse kësaj çështjeje do t’i duhej një studim më i gjerë nga ky kënd, por nga përvoja e art-bërjes dhe artë marrjes (leximit), si dy çështje të rëndësishme dhe shtylla të përvojës sonë, në këto ligjërime për poezinë. Dhe pikërisht këtë përvojë, përpiqemi ta kronikojmë e ta zbërthejmë brenda këtij rrëfimi, në raport me atë se si e ndjejmë dhe e perceptojmë artin e magjisë së poezisë, në jetën dhe evolucionin njerëzor.

Do të japim këtu edhe disa vargje, për t’i përjetuar ca çaste brenda magjisë së fjalës, si një freski shpirtërore për ata që e duan dhe e ndjejnë magjinë e vargut: / E ç`ti japim frymëzimit kur Alpet na i shqelmojnë muzat / Në këtë vjeshtë të vonë kur gjethet  e fjalës po zverdhen / Ku t`i mbledhim aktet kur në kornizën e fjalës s`rrinë / Këtyre katarakteve të mallit udhëve të fjalës kot bredhim /, poezia; Mall që na ndëshkove neve, emrin mos na ndëshko, fq. 69, libri: çaste alpike, Metafora, 2014. Nëse e kapim vargun e parë, dhe e analizojmë mirë, në cilën formë apo metodë do të mund ta përshkruanim këtë imazh, më bukur se në metaforën e poezisë. Dhe këto imazhe, sa të bukura e përfytyruese që na vijnë përmes fjalës, ato na magjepsin me estetikën e mendimit dhe thellësinë që vjen nga bota e vargut, si imazh për ne. Apo kemi edhe vargun e tretë; / Ku ti mbledhim aktet /, - janë aktet e jetës në mërgim, që e përjeton vet poeti, i cili edhe e krijon vargun, dhe më tej thotë; / në kornizën e fjalës s`rrinë /. Pra ajo që e thamë më lartë, se këto imazhe të magjishme dhe të një kuptimi të thellë psiko-filozofik, na e bën të mundshme ta përjetojmë, vetëm fjala në varg, apo poezia. Bota e saj arrin të kapën imazhe e sentenca të cilat për neve bëhen në njëfarë forme të prekshme, të kapshme, duke ngacmuar gjithmonë drejtë një bote të thellë psikologjike, dhe duke u bërë e ndjeshme për secilin. Apo thënë më qartë, poezia bëhet si një lloj ngacmimi i muzës së mendimit, për secilin lexues, për të flatruar pastaj hapësirave të mendimit, drejtë një bote edhe më të thellë psikologjike. Për ata që e duan poezinë, ajo bëhet një lloj kënaqësie shpirtërore, ku lexuesi prehet botës së saj duke lundruar në anijen e fjalës, si një peshkatar i lodhur, i cili kërkon qetësinë e vetë, përpara një gjumi çlodhës. Brenda këtij meditimi, ai pushon duke bredhur imazheve të vargjeve dhe filozofisë psikologjike, si një ndjenjë dhe nevojë për zhvillimin dhe avancimin e mendimit dhe mendjes njerëzore.

Do të dalim edhe pak tek një definim i yni për poezinë, një definim i thuktë dhe i shkurtër që prek njërin nga elementet e estetikës së poezisë: / Poezia është një shprehje e së bukurës nëpërmjet fjalëve të thurura ne mënyrë artistike apo ngacmim i brendshëm i muzës së mendimit, i shprehur përmes metaforave../, duke kujtuar se nuk duhet të mjaftohemi vetëm nga ky definim, por duhet të vihemi në kërkim të përgjithësimit të të gjitha këtyre elementeve në këtë definim për poezinë. / Kështu e thotë edhe Borgesi, në njërin nga definimet e tij të shkurta për poezinë, duke vazhduar; / / se e njohim aq mirë sa s`mundë ta definojmë me fjalë.../, çështje për të cilën kemi folur në njërën nga temat tona në këtë libër. Por, përgjithësimi i të gjitha elementeve që e përbëjnë poezinë, duket të jetë tepër i vështirë, sado që deri më sot janë dhënë shumë definicione. Megjithatë, ka pak rëndësi definimi i saj i plotë, për rastin tonë sa ka rëndësi fuqia e brendshme e saj e cila na përvetëson e na magjeps. Nuk dua të dal nga kontesti i temës, nevojitet edhe ky element, që për fuqinë magjepse të poezisë, në rastin tonë ka peshën e vetë.

 Ajo dallon nga forma e rrëfimit, tregimit apo romanit, duke qenë më e mbyllur figurave metaforike me kuptime dytësore, si forma krahasuese të fjalës, të ngritura në varg. Dhe se mesazhi i saj, kërkohet të shpërndahet brenda pak fjalëve, si një filozofi e mendimit për një çështje a send të caktuar.
Do të rifreskoj këtë shkrim edhe me pak vargje, duke kujtuar se magjia e vargut nuk qëndron gjithmonë në atë që e lexon, e akcepton, e merr atë varg, por edhe tek ajo se çfarë përshkruan, përfaqëson mesazhin që e përçon, dhe nga kjo shohim se vet poezia është magjia e jetës, që ajo e prezanton,: / ç`përvëluam kokë ditët në largësi / Malli i qielluar udhëve rri përmbi /, ... / Ndrydhet rrënja e jonë e shtrydhet mallkimi / Gjuhë e lidhur kryq shqipja bredhë harrimit /, ... / Largësive të përmallta shpresa merr krahë / Udhë e përdalë ditët na i ha /, poezia: Udhë e zjarrmi, fq. 84, libri: çaste alpike, metafora, 2014. Pra në këtë rast, kemi të paraqitur imazhin e mallit përmes metaforave, duke na krijuar ajo skena dhe imazhet marramendëse, brenda pak fjalëve dhe duke na i prezantuar ato që i ndjen poeti, në këtë rast i mërguar nga atdheu. Por në rastin e kësaj plage, ajo është gati kolektive dhe dhimbje e një nocioni të tërë, siç jemi ne shqiptarët, të cilëve plaga e mërgimit na ka hyrë nëpër çdo kullë e vatër, dhe duke shpërndarë këtë dhimbje, si një virus hapësirave tona. Dhe pikërisht këtu qëndron edhe ndjeshmëria e mesazhit që jep vargu, duke e bërë atë të kapshëm për çdo shtresë të shoqërisë sonë, dhe duke e akceptuar atë ndjeshëm si dhimbje edhe individuale e secilit lexues, të nocionit tonë. Dhe pikërisht këtu, reflekton ndjeshëm magjia e mesazhit të vargut, e cila arrin të depërtojë thellë në mendjen e një shoqërie të gjerë, për ta bërë të ndjeshme atë, deri në ndjenjë individuale. Mendoj se brenda kësaj që e thamë, të paktën kemi dhënë një pasqyrë të shkurtër ku mund ta shohim ndjeshmërinë dhe fuqinë magjike që ka poezia tek një shoqëri e gjerë.

                                              Zvicër, 2014
Gëzim Ajgeraj

 2.

 ARTI SI SPROVË, BESIMI I POETIT NË ARTIN E TIJ DHE NË VETVETEN


Nuk ka asgjë më besnike se përvoja personale dhe besimi në vetvete, i cili duhet ta shoqërojë një krijues në udhën e tij të pendës. Kjo nuk do të thotë se të nisemi nga pika zero (flasim për fillimet e para), por e kemi parasysh faktin pas një lloj përvoje në krijimtari, por duhet ta kemi parasysh një lloj përvoje nga pararendësit tanë për të na shoqëruar në hapat tona. Ajo përvojë e parë nga krijuesit e tjerë duhet të na shërbejë si shkëndijë drite për të na nxitur në hapat tona, por jo përgjithmonë që kjo çështje të kalojë në imunitet të një varësie. Pra, gjithmonë e kemi parasysh fillimin në udhët e artit. Dhe kjo lloj përvoje e të tjerëve duhet të na shërbejë si një lloj mësimi për të na vënë në binarët e sigurt të udhës që do ta ndjekim si krijues. Këtu pra, del në pah përvoja, e cila me kohën dhe punën individuale të krijuesit, pastaj edhe krijohet. Por, këtu del në pah edhe një çështje tjetër, ajo e besimit që e ka poeti në vetveten dhe në artin e tij që e krijon. Çdo fillim, sigurisht se është me ndrojtje e frikë, nëse duhet t’i hyj rrugës së artit, të vazhdoj dhe ku do të arrij. Këto fakte duhet llogaritur qysh në fillim, e pastaj t’i hyhet kësaj sprove jo edhe aq të lehtë. Kur i përmendëm këto tre fakte, sigurisht se e kishim parasysh një arsye shqetësuese për epokën tonë. Kur e thamë faktin e parë, nëse duhet të hyjmë, sigurisht se e kishim  prapaskenën e arsyes nëse do të sillnim diç të bukur në art, nëse do të krijonim ndonjë vlerë për të vazhduar më tej. Përmendëm dhe fenomenin e epokës sonë, me këto paraqitje sporadike të krijuesve, të cilët e publikojnë një botim dhe pahetueshëm harrohen e treten kohës. Mirëpo, çështja dhe preokupimi i temës sonë nuk janë krijuesit e tillë, por flasim gjithmonë për artin e mirëfilltë dhe krijuesit që shpesh i quaj atletët e maratonës, pra për ata krijues që artin e kanë përkushtim jetësor dhe nuk i ndahen kurrë. Pra, këtu do të vinin në shprehje ato dy çështje që i përmenda më lartë. Pra, dua t’i shtoj kësaj se poeti duhet të ketë besim në vetvete, në mënyrë që atë lloj besimi me artin që bën, ta arsyetojë sa më fuqishëm përpara lexuesit të gjerë. Dua të filloj nga përvoja dhe besimi im personal, fillimisht si lexues i artit poetik dhe pastaj edhe si shkrimtar, me një përvojë mbi dy dekada e tepër. Sigurisht se fillimet e para si lexues kanë qenë tërheqëse për mua dhe, magjia e shkrimit më ka tërhequr thellë e më thellë.  Andaj, ndrojtja e fillimit është shuar shumë shpejtë me futjen sa më thellë në botën e leximit, duke përzgjedhur libra gjithnjë e me më shumë vlera. Dhe me kohën dhe shkollimin, kjo përvojë ka ngacmuar edhe idenë e sprovave të shkrimit. Kur kjo ide të ngacmon, atëherë edhe forma, përzgjedhja dhe mënyra e leximit, merr tjetër formë të interesimit edhe në lexim, sepse tanimë të intereson bota e thellë e krijimit të artit, metodat, format, stilet, etj, e jo vetëm leximi si lexues i thjeshtë.  Me sa kujtoj, në fillimet e para të leximit të librave, nuk lexoja gjithë ato libra që kisha mundësi t’i gjeja, ose më vinin në dorë. Jetonim në një kohë censure, dhe jo gjithçka lejohej nëpër programet e shkollave tona, por edhe në biblioteka. Koha dhe lindja e idealizmit kombëtar, më ngacmoi e më bëri shumë kërkues, në veçanti të librave të veçantë, të poetëve të Rilindjes sonë kombëtare. Ndoshta kjo ishte edhe zanafilla e selektimit të leximit të librave, ndërsa ideja e vlerave dhe përzgjedhjes të tyre, ka lindur më vonë brenda meje. Kur jemi tek ky definim, do të jepja një mendim të Borgesit që e kam lexuar dikur si student: /njeriu lexon atë që i pëlqen, ndërsa njeriu shkruan jo atë që i pëlqen, por atë që mund ta shkruajë/. Pra kur jemi tek fenomeni i selektimit të literaturës së leximit, sigurisht se secili e ka shijen e vet, dhe e merr atë që i përgjigjet asaj shije dhe kërkesave të atij që kërkon dritën brenda atij arti.

Këtij definimi do t’i përshtatej metoda e shumëllojshmërisë së shijeve dhe mënyra e të ushqyerit. Të njëjtin fenomen e kemi edhe tek ushqimi shpirtëror, apo ai i trurit. Këtij luksi dikur ishte pak e vështirë t’i nënshtroheshe, sepse mungonte shumëçka, sot sigurisht se janë krijuar shumë hapësira dhe mundësi për një selektim të tillë.

Do të kujtoj zanafillën e parë të dashurisë për poezinë, ma pat mbjellë babai (ndjesë pastë). Ai, që në fëmijërinë vet i mbante në mend një numër të madh të poezive, të them pesëdhjetë, mos i hyjë në hak, e të them njëqind, nuk dua të jem i tepërt, por e di se dinte shumë poezi përmendësh. Shpesh kur uleshim pranë zjarrit tek vatra, apo kur ngroheshim në diell, tek oborri i shtëpisë, i kërkoja të më recitonte poezi.

Ato ishin vargje të thjeshta, të viteve dyzeta e pesëdhjeta të shekullit të shkuar, por ishin aq të thjeshta e të sinqerta, që mua si fëmijë më ngacmonin e frymëzonin. Tani, nëse filloj t’i përshkruaj vargjet e atyre poezive, sigurisht se do t’u mbetja borxh edhe vargjeve, por edhe poetëve të atyre vargjeve, por dua të them se për mua ishin frymëzim që të lexoja e të kërkoja në vazhdimësi, vargje e poezi të bukura. Me këto frymëzime, më pastaj u mishërova me vargjet dhe koncertet e shkollës, mësuesve të mi u kërkoja të zgjidhnin poezitë më të bukura e më të gjata për mua, sepse kënaqesha kur i recitoja ato përpara prindërve tanë nëpër ditët e shkollës. Por dua të shtoj se kisha një talent të bukur të recitimit të vargjeve dhe një zë që i shkonte vargjeve, dhe me këtë talent kënaqej edhe prindi im edhe publiku. Këtë talent, më vonë ma vërtetojnë edhe shumë profesorë të mi, si nxënës gjimnazist, kur në garat e recituesve të qytetit tim, nga një konkurrencë tepër e madhe, më zgjodhën mua të recitoja vargjet e poetëve shqiptarë, në një koncert qyteti, me një diversitet gjuhësh që deklamohej ai recital. Megjithatë, për temën e deklamimit të vargjeve, kemi folur diku tjetër dhe nuk do të zgjatemi këtu, por me që ra fjala, shkëputa disa inserte nga ajo kohë. Dua të kthehem tek selektimi dhe besimi i im, që kisha filluar ta ndërtoja në rrugën e ecjes sime si lexues. Tanimë me kohën, kisha krijuar besimin në fjalën, në vargun, por edhe një lloj besimi në vetvete për atë që e selektoja, e lexoja, sepse ishte evidente dhe e dukshme, se përzgjedhja që i bëja literaturës për vete, më mbushullonte një lloj dije, që mua më bënte të sigurt në hapat e ecjes sime dhe të qëndrueshëm në atë që e thoja dhe veproja.

Ky lloj selektimi, më mbillte një lloj serioziteti në moshën time dhe më bënte të ndihesha më i pjekur në raport me moshën që e kisha. Një element tjetër ishte ai i frymëzimit tim me ide përparimtare e kombëtare, në rrethanat e kohës, dhe për këtë gjithmonë i jam mirënjohës frymëzimit nga literatura dhe vargjet e kohës që i lexoja.

Në atë kohë, kërkoja literaturë nga Naimi, Migjeni, Noli, Spase, Asdreni, Çajupi, etj. Kjo listë e leximeve do të ishte tepër e gjatë, edhe nëse do të përmendja shumë emra, sigurisht se do t’i mbetesha borxh edhe shumë emrave tjerë, pa e përmendur këtu edhe literaturën programore shkollore.

Do të shkëpus për juve disa vargje: E para për ta freskuar pak kujtesën gjatë rrëfimit tonë, dhe së dyti edhe lexuesit për t’i sjellë freski në rrëfim tonin. Vargjet dhe poezitë janë të shumta, që në rininë e hershme tonën na kanë frymëzuar, freskuar e edhe mësuar në ecjen, ngritjen dhe kalitjen në udhët e mëvonshme të jetës.

 ...
Kafshatë që s'kapërdihet asht, or vlla, mjerimi,

kafshatë që të mbetë në fyt edhe të zë trishtimi

kur shef fytyra të zbehta edhe sy të jeshilta

që të shikojnë si hije dhe shtrijnë duert e mpita

edhe ashtu të shtrime mbrapa teje mbesin

të tanë jetën e vet derisa të vdesin.

E mbi ta n'ajri, si në qesendi,

therin qiellin kryqet e minaret e ngurta,

profetët dhe shenjtët në fushqeta të shumëngjyrta

shkëlqejnë. E mjerimi mirëfilli ndien tradhti.

...

(vargje nga Poema e mjerimit, Migjeni)

 

Shkëputa këtu disa vargje nga: Poema e mjerimit, që për kohën tonë, rrethanat dhe rritën, ishin tepër të ndjeshme dhe aktuale. Ndoshta ishin edhe rrethanat, ato që e bënin që këto vargje na tërhiqnin dhe magjepsnin ndjenjat tona gjatë leximit dhe recitimit. Pra, këtu vijmë tek thënia që e përmendëm më lartë, se njeriu zgjedh atë që i pëlqen për ta lexuar. Dhe sigurisht se në strukturën e këtyre vargjeve është gjetur diçka e bukur, që ngacmon e kënaq imagjinatën tonë, për të na afruar në leximin e tyre.

Ndoshta ky fakt na bënte më të ndjeshëm ndaj gjendjes dhe situatës ku gjendeshim si shoqëri, por për mua këto vargje ishin edhe një lloj shfryrje në raport me kohën, si një protestë, që i kundërvihej kohës. Pra, shpeshherë vargjet na bënin që ta ushqenim shpresën dhe frymëzimin tonë, që të mos na pushtojë ndjenja e dëshpërimit, që na rrinte si mjegull mbi kokë. Kësisoj pra letërsia ka krijuar hapësira të reja, për të avancuar dhe jetën për ta parë edhe përtej vështirësive dhe situatave të caktuara.

...

O malet' e Shqipërisë e ju o lisat' e gjatë!

Fushat e gjera me lule, q'u kam ndër mënt dit' e natë!

Ju bregore bukuroshe e ju lumenjt' e kulluar!

Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pylle të gjelbëruar!

Do të këndonj bagëtinë që mbani ju e ushqeni,

O vendëthit e bekuar, ju mendjen ma dëfreni.

Ti Shqipëri, më ep nderë, më ep emrin shqiptar,

Zëmrën ti ma gatove plot me dëshirë dhe me zjarr.

Shqipëri, o mëma ime, ndonëse jam i mërguar,

Dashurinë tënde kurrë zemra s'e ka harruar.

...
(vargje nga poema: Bagëti e bujqësi, Naimi)


Po gjatë këtyre vargjeve, sikur kemi gjetur frymëzimin e bukur për jetën, për vendin tonë të bukur, kemi ushqyer shpresën dhe frymëzimin tonë, për pjesën e ndarë të atdheut tonë, i cili në rrethanat e kohës, ishte si një prind shprese i cili një ditë do të kujdeset edhe për neve. Pra, sigurisht se brenda këtyre vargjeve gjenim ato elemente që ngacmonin dhe kënaqnin imagjinatën tonë, duke na frymëzuar e mbushulluar nga ndjenja që reflektonin vargjet. Arsyet e kënaqësisë, sigurisht se janë të ndryshme dhe nuk duam të përkufizohemi tek koha dhe gjendja, për të cilën e potencuam më lartë, sepse është shija njerëzore ajo që e ngacmon njeriun për të zgjedhur atë që i pëlqen për lexim. Këtu folëm vetëm për kënaqësinë që na i sillnin vargjet, pa dalë tek romani, tregimet e zhanret e tjera të artit, që sigurisht se ishin një kolorit arti, në shijet e leximit tonë të kohës.

...
Arratisur, syrgjynosur,

Rraskapitur dhe katosur

Po vajtonj pa funt, pa shpresë,

Anës Elbë-s, anës Spree-së.

Ku e lam' e ku na mbeti,

Vaj-vatani e mjer mileti,

Anës detit i palarë,

Anës dritës i paparë,

Pranë sofrës i pangrënë,

Pranë dijes i panxënë,

Lakuriq dhe i dregosur,

Trup e shpirt i sakatosur.

...
(Anës lumejve, Noli)


Është mesazhi, tingulli i vargjeve, ndjenja që trazojnë ato. Kur e përmenda raportin kohë dhe rininë tonë, sigurisht se ishin motiv frymëzimi, që mbushullonin, shpresë, guxim për zgjedhjen e udhës sonë për rrjedhat dhe raportin e ecjes sonë drejtë së ardhmes. Pra, vargjet gjithmonë ishin frymëzim drite drejtë udhëve të së ardhmes. Më lartë i përmenda edhe zhanret e tjera të artit letrar, por këtu dua të shtoj edhe zhanrin e filmit që vinte në ato kohë nga TVSH-ja, e që në Kosovë e përcillnim në udhë ilegale. Përmenda edhe këtë fakt, për të mos e harruar, si rrjedhë dhe burim ushqimi shpirtëror, që i merrnim në të njëjtën kohë. Sigurisht se kishte edhe burime tjera frymëzimi nga literatura e huaj, por siç e thash në fillim, është e pamundur të mblidheshin ato brenda këtyre rreshtave, dhe kohës suaj që do ta vëni në dispozicion të këtij leximi. Pra, duke qenë human ndaj këtij fenomeni, mbetemi të hapur edhe karshi asaj që lista e leximeve tona të mbetet e hapur përpara juve, duke mos krijuar preferencat tona, por duke u lënë që preferenca e përzgjedhjes suaj të mbetet e hapur dhe e lirë, për t’i prirë përzgjedhjes dhe shijes suaj. Do të ndaj këtu me ju, edhe disa vargje të Migjenit, jo si preferencë, dhe të mos ndihemi të tepruar me këtë përzgjedhje, por se këto vargje ishin frymëzim i kohës sonë, dhe robërisë që rëndonte si korbi mi qiellin tonë.

...
Rini, thueja kangës ma të bukur që di!

Thueja kangës sate që të vlon në gji.

Nxirre gëzimin tand' të shpërthejë me vrull...

Mos e freno kangën! Le të marri udhë.

Thueja kangës, rini, pash syt e tu...

Të rroki, të puthi kanga, të nxisi me dashnu

me zjarrm tand, rini... Dhe të na mbysi dallga

prej ndjenjash të shkumbzueme q'i turbullon kanga.

Rini, thueja kangës dhe qeshu si fëmi

Kumbi i zanit te përplaset për qiell

dhe të kthejë prap te na - se hyjt ta kanë zili

e na të duem fort si të duem një diell.

Thueja kangës, Rini! Thueja kangës gëzimplote!

Qeshu, rini! Qeshu! Bota asht e jote.


(Kanga e rinisë, Migjeni)


Sigurisht se në frymëzimet tona dhe në besimin tonë në ecje përpara në dritën e dijes, kanë qenë edhe shumë faktorë tjerë, por edhe kushtet që e kanë rrethuar rininë tonë. Të mos harroj këtu; traditën e pasur popullore të zonës prej nga vij, folklorin burimor të popullit tonë, që mund të themi se është bazamenti i krijimit të personalitetit tonë. Odat tona, të cilat do t’i kujtonim me plotë nostalgji, si kuvende ku gdhendej llafi i fjalës. Sigurisht që kënga folklorike ka shërbyer si burim shpirtëror dhe si shërim i ndjenjës dhe shpresës sonë të vrarë nëpër shekuj nga robëria.

Kur zgjodha të jem poet e shkrimtar më tepër sesa këngëtar, gjithnjë me vetëbesimin se diapazoni im, talenti, dija duhet të marrin drejtimin e krijimit të artit. Kjo nuk ishte rastësi, sepse qysh në rininë e hershme krijoja dhe i mbaja të mbyllura ato krijime. Kjo për faktin se fillimisht më mungonte një lloj besimi, dhe ndrojtja ime më bënte të mbyllesha brenda vetvetes. Dhe me kalimin e kohës, gjithnjë e më tepër, ky lloj besimi m’i pushtonte hapësirat e frikës, për të më shtyrë drejtë një besimi të plotë në vetvete dhe asaj që e krijoja në art.

Fillimisht e pata të vështirë ta publikoja krijimtarinë time, por më vonë, i emigruar dhunshëm larg atdheut, kishte vite që po e ndieja të udhës që guximin tim ta shprehja hapur, edhe atë përmes artit. Isha i bindur se forma më e mirë dhe më e përshtatshme për ta shpalosur potencialin që e kisha akumuluar për dekada brenda vetvetes –ishte ajo brenda artit dhe magjisë së tij.

Pra, tanimë për mua kishte ardhur koha për t’i hyrë kësaj sprove, të cilën sigurisht se në ato fillimet e para ishte e vështirë për ta përcaktuar apo parashikuar. Por tek unë dominonte bindja se kësaj udhe duhet hyrë, e ku të nxjerrë nuk i dihet. Sigurisht se shkrimet e para, sado të zbehta mund të jenë, ato të krijojnë një lloj kënaqësie dhe përvoje, e cila me kohën sigurisht se do të avancohej.

Ndoshta do të tingëllonte jo edhe aq mirë nëse themi, duke provuar e korrigjuar, po pse edhe jo duke jetuar me ndjenjën se edhe mund të gabojmë. Në fund të fundit, për ta provuar thellësinë e liqenit, duhet të hysh në të, vetëm atëherë mund të japësh një definim të saktë. Jemi të bindur se nëpër këtë përvojë, deri këtu ku jemi sot, kemi pasur edhe lëshime e gabime të mundshme, por të gjitha ato udhëkërkime dhe forma, brenda të cilave ne kishim vënë eksperimentimet tona, për të hulumtuar forma dhe struktura për vargun që do ta krijonim. Është kjo koha kur krijuesi vihet në kërkim të hulumtimit të formave të vargjeve, strukturës, ndërtimit të fjalës dhe përzgjedhjes së saj. Për të ardhur më pastaj deri tek metafora si element esencial i letërsisë dhe i ndërtimit të vargut. Kur jemi tek ky hulumtim dhe eksperimentim me vargun, sigurisht se kemi aplikuar shumë forma dhe stile, të cilat brenda vargjeve dhe krijimtarisë sonë nëpër vite, kanë krijuar një larushi stilesh dhe vargjesh, por edhe një kolorit poetik i cili sigurisht se do të vlerësohet në kohë.  Por format e art-bërjes nuk duhet të kufizohen brenda një forme të artit, ashtu siç edhe ndalen vetëm në këtë pikë edhe për ne, por ato shtrihen më vonë në prozë, tregim të shkurtër, monografitë historike, vlerësimet kritike, etj, etj. Pra, tanimë ky besim i shtrirë në të gjitha zhanret e artit, vjen me kohën dhe përvojën, e cila e shoqëron krijuesin, por edhe me punën dhe qasjen e tij, që e ka për artin.

 Nga ky besim që i kisha vënë vetes për vargje, tanimë për dekada frymonte brenda librave, dhe sot kur po e shkruajmë këtë kronikë, kopertinat e tyre numërojnë mbi të pesëdhjetat, dhe ky varg ka ecur nëpër stile të ndryshme të metaforave...

...
Zgjohu, o ti shqiptar i nëpërkëmbur

Zgjohu bëji dritë emrit të bardhë

Zgjohu, mos lejo dikush të ta rrjep lëkurën

Të të vrasë me naze, e me ditë të qajë

...

Zgjohu o plisbardhi im i vrarë ndër shekuj

Zgjohu se dita jote ka ardhur

Mos lejo që edhe nga goja bukën të ta heqin

Vajtojcat e kolltukëve, që s`të lanë edhe djersë në ballë

...
(Poezia: ZGJOHU, /Etje në fjalë/, G. Ajgeraj)


Vargjet e mësipërme dëshmojnë besimin në fuqinë e fjalës dhe vetëbesimin për ta trasuar atë edhe në masën e gjerë te lexuesit. Së dyti, kjo tregon atë besimin ndaj imagjinatës, si bazë për artin e të qenët poet e shkrimtar. Pra thjesht, është një lloj besimi thellë i ngulitur dhe i kalitur brenda meje, ajo që në vazhdimësi kërkon të shpërthejë, të dalë përmes fjalës, për t’u bartur edhe tek të tjerët. Dhe në këtë pikë shfryrje, jo vetëm krijuesi e ndjen kënaqësinë e artit të tij që e krijon, por ajo bëhet pjesë edhe e atyre që e përzgjedhin dhe e përqafojnë këtë art të publikuar.

Nëse vihemi në kërkim të përafrimit të formave dhe strukturave të vargjeve, me ato që i kemi dhënë më lartë, tanimë kemi gati shekullin në mes, dhe format, stilet, struktura, por edhe rrethanat e kohës, për sa i përket mesazheve, kanë ecur e ndryshuar, ndaj krahasimi duhet parë në kohën së cilës i dedikohen vargjet. Duke i bërë këto krahasime, kam frikë se mos dalim nga korniza e temës, për rrugën e artit poetik dhe besimin që e krijon poeti brenda artit të tij dhe vetvetes. Do të japim edhe disa vargje, për ta bërë më të freskët këtë shënim, duke pasur besim në freskinë që na e sjell vargu mes këtij rrëfimi.

...
1.
Një etje e moçme na fton mes fjalës

Ngacmimi i muzës m`i bie me daltë mendimit

Këngët e pakëndueme zbresin fletëve, të bardhës

Metaforat mbushullojnë akte të përmallimit

...
4.
Përditë mes vargjesh mendim tjerr

E freskoj me all kupën e mendimit

Ti varg e di se të djeg ky ballë

Por muzën s`do ta ndal edhe kur më zë pikëllimi

...
(Poezia: Vargje mes mallit, / Etje në fjalë/, G. Ajgeraj, 2014)



Pra, tanimë vargu vjen si shpërthim, si dhunti e brendshme, e cila nuk e ka më fare për brengë aktin e frikës, dhe as që mund të imagjinohet brenda vargjeve, por kemi të bëjmë me një besim të plotë në magjinë e muzës së mendimit dhe të fjalës, si rrjedhë besnike ndaj imagjinatës së krijuesit. Ndoshta për sa i përket frikës, me një lloj doze mosbesimi, mund të flitet tek në publikimet e para, por ato tanimë do t’i takonin së kaluarës dhe dekadave përpara, dhe larg së tashmes. Ky definim tregon se në udhën e artit duhet të hyhet me besim dhe guxim, për ta provuar magjinë e tij. Për këtë, do të vlente ajo fraza që e dhamë për hyrjen në liqe, për ta provuar thellësinë e tij. Dhe sigurisht se udha e artit të bën edhe të gabosh ndonjëherë, por ato gabime gjithmonë duke synuar t’i mënjanojmë brenda ecjes sonë në rrugën e artit, me punë dhe besim në vetvete. Dyshimi, ndrojtja, frika, s`do të na nxirrte askund, gjithmonë do të mbeteshim humbës.

Dua të dal edhe tek një fenomen tjetër, në këtë rast tek besnikëria ndaj ndjenjës dhe asaj që e ngacmon atë. Ndoshta kjo edhe e përcakton origjinalitetin e asaj për të cilën jemi përcaktuar ta formësojmë në varg.

...
Po i lëmë shumë fjalë kësaj bote e s`do marrim asgjë me vete

Dhe do iki duarthatë pa asgjë në gji e asgjë në xhep

Le të themi se fjalët e mira janë drita e kësaj bote, ti hapësirave trete

E të themi se i dhashë gjithë çka pata, asaj që quhet jetë


Po i lëmë emrin dhe hijen që na ndoqi nga pas

Me vete s`po e marrim vetëm deri te guri mbi dhe

Lum ai që i la dritë emrit kandil hijes që s`ju nda

Dhe iku, plot dhimbje nga ne


Me ikjen secili një ditë ka për t`u takuar

Lum ai që të mirat i lë mbi këtë dhe

e vetëm do t`i marr dy këmbë e dy duar

E emrit një kandil që t`i bëjë dritë përherë


(Poezia: Lum ai që emrit i lë dritën, /ETJE NË FJALË/, 2013, G. Ajgeraj).


Mendoj se ilustrimi më i mirë për temën që po e trajtojmë, do të ishin vargjet, sepse ato janë shpirti dhe ndjenja e poetit, brenda së cilës shpaloset brendësia e tij, shpirti dhe besimi poetik, që ka për artin e fjalës. Kur e them këtë, sigurisht se më duhet ta parafytyroj lexuesin, ta imagjinoj atë, por assesi të brengosem për veten, por për ndjenjën që do t’i krijoja atij, sepse në këtë rast do të isha vetëm imagjinata dhe hija e asaj që po e përcjell ky rrëfim. Sepse ndjenja e ime, ka rrjedhur brenda vargut, dhe ajo ka krijuar një çast shfryrje, lumturie, në çastin kur ka hyrë në varg, dhe të shpresojmë se të njëjtën ndjenjë, vargu do t’ia krijojë atij që e shpalos vargun.

...
Thatësi në fjalë, në shpirt në mungesën tuaj

Silueta të trazuara në kolonën e mallit dhe orën e prishur

I huaj mes të huajve dhe damkën e përbuzjes prapa shpine

Me se ta zbukuroj fjalën, ç`t’i jap vargut, në këtë thatësi alpesh

Ku fjala shkrumbohet buzëve nga zjarrmi e mungesës suaj

Ku kënga digjet thatësisë së mallit, ende pa i vënë notat në

pentagramin e udhëve që shkrihen në lot, e dita bëhet pelin

Mungesës vizatojmë portretin e mallit, etjes ledhatojmë ngjyrat

Me tingujt e dhimbjes i ngushëllojmë vargjet që të mos na i zërë

Harrimi i mallkimit të udhëve në kolonat e ikjes pa arbitër

Himnit të largësive ngrij flamurin e ylbereve të fjalës

Largësitë tek i lidh nëpër jehonën dhe krismën e saj

Që na nxjerr nga harrimi e më kthen atje ndër lisa

Mes dashurisë tuaj mes ëndrrave mes kullave të shkreta

Ku përhyjnojmë ecjet tona e ditës i vëmë një emër

Me netët e vona gëzojmë edhe kupën e qiellit e atdheun

Ku breznive u vëmë emra burimesh lumenjsh e malesh

E na shtohet kënga jonë nëpër ecjen plot dritë për të nesërmet

Që do të vijnë të bardha si rrezja mbi Sharr

Për Vërrinin ku ruaj këngët e pakënduara të moteve barbare

Dashurinë për lirinë të bërë shkrumb nëpër kulla

Qëndresën nëpër mote dhe besimin për dritën e së nesërmes

Rritën time në kulla e porosinë e plisbardhit pranë oxhaku

Për besën e ruajt ndër shekuj traditën e kullës

Ç`t’i jap më shumë vargut në këtë udhëtim alpesh

Kur ikja mbytet zjarrmisë e kolona e mallit më lë vetëm

Pos ngushëllimit se një ditë do mbathim mbathcat e do nisemi


                                          Zvicër, janar 2013


(Poezia; Etje në fjalë, / ETJE NË FJALË/, 2013, G. Ajgeraj).


Natyrisht se ajo që lexojmë brenda vargjeve, ka shumë rëndësi, dhe në këtë periudhë që po flasim, na e kufizon të drejtën për të folur për besimin personal, brenda vargut letrar, mirëpo, po t’i bënim një zbërthim, sigurisht se do të ishte me interes. Nëse jo ashtu, të paktën një kronikë udhë-përshkrimi e udhëve të artit, si një përvojë e vogël personale do të ishte në shërbim të lexuesit tim. Ja dhe një poezi për fund të kësaj shpalosjeje të udhëve të artit tim, në mënyrë që tempin e freskisë së lexuesit, ta mbajë të freskët, përmes metaforave të vargut, duke dëshmuar edhe njëherë besimin në fjalën dhe në vargun që e kultivojmë me plotë dashuri.

...
Ty fjalë e artë që s`të thyen as furtunat e shekullit

E u rrije dhimbjeve që kullonin si melhem shpirti


Me ty i mbushulluam me dritë shpresat e ditëve të errëta

Nëpër qëndresën e moteve ta rishpalos kushtrimin

Sa guximshëm na prin për të nesërmen


Siç lëshon shkëlqimin dielli mbi Sharr

Edhe atëherë kur retë e zeza ia vrasin rrezen

Për të mos e humbur kuptimin dita


Dhimbja e tyre nga vragët e plagëve nëpër shekuj

M’i therin edhe këngëve të pakënduara të së nesërmes


Guximi i saj m’i rri plis mbi vetull krenarisë së të sotmeve

Si një pëllumb i bardhë nëpër qiellin e bardhë

Që flatroi guximshëm edhe nëpër hapësirat e errëta


Ta dëgjoj kumbimin tënd në këngët e lira të atdheut

Tek shpalos kujtimet e dhimbjeve të shkuara

Dhe marr fuqinë edhe më, t’i zbukuroj së ardhmes


Dhe sa herë shikoj në pasqyrën e së djeshmeve

Mungesa e lirisë tënde të plotë dhe guximit tim kryeneç

Na përballin me furtunat e zeza të shekujve dhe gjarprin

që na rrinte mbi kokë

E na i praronte prangat për gojën tënde


E për guximin tënd


Asgjë s`mund të ta thyente dritën e mendimit për të nesërmen

Ti triumfove guximshëm me besimin për lirinë…


Prizren, 2004


(Poezia: Ti fjala ime, /ETJE NË FJALË/, 2013, G. Ajgeraj).


Për fund, ashtu siç nuk mund t’i numëroj krijuesit dhe veprat, por edhe artet e tjera, që më kanë frymëzuar në udhën e artit poetik, sigurisht se tanimë pas disa dekadave në art, nuk do të mundja t’i numëroja edhe krijimet e mia, që do ta dëshmonin gjithë atë që e shtjelluam brenda kësaj teme, por shpresojmë se edhe lexuesi duhet të jetë një lloj hulumtuesi i cili gjithnjë e më tepër do të bëhet shumë kërkues, edhe në shpalosjen e veprave tona, prej nga do pasurojë vizionin edhe për rrugën dhe artin tonë si tërësi. Dhe me këtë, sigurisht se do të bindej gjithnjë e më tepër, në besimin tonë që e ndjejmë në rrugën e artit dhe asaj që e transmetojmë në libra.

                                          Zvicër, Gusht, 2014




PËR ARTIN E POEZISË


Për lexuesin tonë, sigurisht se njëra nga pyetjet që do t’i shtrohej është edhe kjo që shpesh jemi përballur në debatet për artin e poezisë: Si lind një ide për poezinë, nga vjen ajo dhe cila do të ishte lënda e parë, që një krijues e përdor, për ndërtimin saj që një poezi të jetë e përkryer, për të na shkaktuar emocione, apo ta prekë ndjenjën e publikut të gjerë? Sigurisht se përgjigjja nuk do të ishte e shkurtër, për atë këto pyetje s`do t’i mjaftonin as poetit, as artit të krijimit të poezisë. Sikur t’i mjaftonin vetëm disa përgjigje të thjeshta këtyre pyetjeve, atëherë edhe mjeshtëria e artit të krijimit nuk do të ishte aq e komplikuar, sa edhe vet logjika dhe filozofia e të bërit art.

Nëse për poezinë do të jepnim një definim të shkurtër nga Borgesi, ai jepte këtë definicion:  Poezia është një shprehje e së bukurës nëpërmjet fjalëve të thurura në mënyrë artistike. Sigurisht se do të dukej një definim i thuktë dhe i pamjaftueshëm. Por, ai shtonë se; /Ka diçka shumë të rëndësishme, diçka që jo vetëm na jep zemër për ta provuar dorën e shkrimit të poezisë, por na bën të kënaqemi me të dhe na bën të ndihemi se dimë gjithçka për të. Kjo do të thotë se e njohim poezinë. E njohim aq mirë sa që s`mund ta definojmë me fjalë, ashtu siç nuk mund ta definojmë shijen e kafesë, ngjyrën e kuqe apo të verdhë, domethënien e zemërimit, të dashurisë, të urrejtjes, të perëndimit të diellit, të dashurisë për vendin tonë. Këto gjëra janë shumë të thella brenda nesh sa që mund të shprehen vetëm me simbole të përgjithshme që ne posedojmë. Pse pra na nevojiten fjalë të tjera?/. Pra, pas gjithë këtij përkufizimi vjen përgjigjja e pyetjes për lëndën e parë, të cilën e përdorim. Pra fjala është brumi i poezisë nga e cila do të mund të ndërtohej ajo. Por, as kjo s`do t’i mjaftojë kësaj përgjigje, dhe sipas Borgesit; /na nevojiten fjalë të tjera/. Gradualisht po hyjmë në kërkim të fjalëve tjera, apo siç quhet në artin e krijimit: Metafora. Sigurisht se për metaforën do të flasim në një temë të veçantë, për t’i hapur hapësirë filozofisë së krijimit të poezisë dhe përgjigjeve që kërkuam në pyetjet tona, të shtruara më lartë. Por, do të kthehemi sërish tek fjala, si brumë për vargun, megjithatë, kjo aspak s`do ti mjaftonte as përgjigjes dhe as vargut, përballë mungesës së ideve, muzës së idesë, fuqisë psikofilozofike të krijuesit, talentit e mjeshtërisë së tij, etj. Të gjitha këto elemente gërshetohen rreth artit të ndërtimit të strukturës së poezisë, pa dalë pastaj tek forma, struktura e saj, metafora, muzikaliteti, etj, etj. Me këtë nuk pretendojmë të themi se arti i art-bërjes së poezisë është shumë i vështirë, por aspak i lehtë, edhe sa mund të paragjykohet. Këtu çështja qëndron në faktin se cilat nivele të poezisë synojmë të arrijmë, pavarësisht se po flasim për poezinë si tërësi. Nëse për prozën apo romanin mund të thuhet se i takon një rrëfimi të ëndrrës apo përrallës, poezia për ne është kënga e ndjenjave shpirtërore, e cila përmes fjalës metaforike, shpalos ndjenjën u muzës së krijuesit përmes vargjeve. Jo se ajo ka gjuhën e këngës, por se ndjenja që krijon dhe reflekton, si dhe në leximin që i bëjnë të tjerët, është një ndjenjë e botës së brendshme emocionale, ashtu si edhe tek kënga. Flasim gjithmonë për poezinë si tërësi, dhe jo për atë poezi lirike, epike apo edhe elegjinë, ku e para lëndën e parë e merr nga tragjiket e lashta. Ndërsa, ne po flasim për poezinë e lirë, ku lëndën e parë  krijuesi e shpik nga mëndja e tij. Nga ky fakt, na del pra, se edhe ideja e cila vjen si burim për vargun, është po aq e rëndësishme sa edhe vetë fjala. Nëse sërish kthehemi tek fjala, Borgesi i bën këtë krahasim asaj me zërin e muzikantit; / Fjalët përdoren për qëllimet e jetës së përditshme dhe janë materiali i poetit ashtu siç është zëri material i muzikantit/. Duhet të sjellim edhe këtë thënie të Borgesit, përpara juve, për ta sqaruar më së miri rëndësinë e fjalës në raport me jetën: / Materiali i poezisë është fjala, e fjala dialekti i jetës/. Ndoshta mund të dukej absurde, por do të japim një shembull praktik edhe pse do të flasim edhe më vonë për këtë lloj krahasimi, dhe kujtojmë se shembuj të tillë kanë dhënë edhe studiues e filozofë të mëdhenj të letërsisë, në formën figurative për fjalën dhe ndërtimin e poezisë. Le ta marrim në këtë rast një figurë apo ikonë të ndërtuar nga katrorët e vegjël kryesisht nga guri apo qeramika. Sigurisht se në finalen e saj dhe në një perfeksionizëm të mjeshtrit të saj kemi një figurë të përsosur dhe kubëzat e vendosura me mjeshtri, na japin imazhin e dëshiruar, atëherë do të na interesonte vendosja e atyre kubëzave të vogla me ngjyra, dhe mjeshtëria e artistit, sa me përkushtim e mjeshtri t’i ketë përzgjedhur e vendosur ato, brenda asaj ikone apo figure. E po në këtë rast, lënda e kubëzave, ngjyrat e saja do t’i ngjanin fjalës, përzgjedhjes së saj dhe vendosjes në vargje-poezi. Nëse në muzikë mund të thuhet se forma, zëri dhe substanca nuk mund të ndahen, kjo pak a shumë ngjan edhe tek poezia, kur kemi formën, muzikalitetin e fjalës dhe fjalën si substancë që e përbën atë. Sigurisht se nuk do të ndalemi të japim shembuj krahasues mes këtyre dy fenomeneve, sepse në temat që pasojnë do të preken shumë elemente që e bëjnë edhe këtë krahasim mes poezisë dhe këngës, të përafërt dhe të kapshëm për mënyrën e perceptimit tuaj të këtij krahasimi.

Por sërish do të kthehemi tek brumi i poezisë - fjala, por jo gjithmonë duke aluduar për fjalën në varg duke pasur parasysh se ato janë sajuar duke pasur natyrë konkrete, e jo abstrakte, (shënim i Borgesit). Kur e themi fjalën konkrete, sigurisht se aludojmë në atë poetike, si fjalë që do të ndërtojnë vargun tonë. Le të marrim disa fjalë që do të na japin një kuptim krahasues nga një formë tjetër e të shprehurit apo një kuptim të përafërt, por duke u shprehur me fjalë tjera. Le të marrim fjalën; /mall, mërgim /, që do të nënkuptonim si; / largësi, mungesë/, etj. Duke shfrytëzuar kështu fjalët nga poezia personale, që si fjalë dominon në poezinë time. Apo fjalën tjetër; /udhë/, që do të kishte kuptimin si; / ikje, arrati /, etj. Dhe nëse vazhdojmë të sjellim përpara juve forma të tilla krahasuese, sigurisht se gradualisht do të kalojmë në metaforë, apo fjalë metaforike, të cilat për neve janë substanca e fjalës në varg. Pra, kjo ngjashmëri, apo krahasim gradualisht na nxjerr tek metafora, për të cilën do të flasim në një rast tjetër, po brenda këtij studimi.

Me këto shënime për artin e poezisë, nuk pretendojmë se kemi arritur të themi shumëçka, por synojmë gjithmonë ta pasqyrojmë atë që e ndjejmë nga bota e një krijuesi, i cili nuk synon hapa të mëdhenj, por me artin tonë përpiqemi t’i japim pak dritë kësaj epoke, atë që e ndjejmë, nëpër kapërcimin tonë.

Me që jemi ende në fazën fillestare të zbërthimit të poezisë, dëshiroj të flas edhe për një përbërje tjetër që është po aq e rëndësishme sa edhe fjala, që në varg e quajmë: muza e frymëzimit, ideja, apo edhe muza e ngacmimit, për ta ndërtuar një poezi. Sigurisht se edhe kjo substancë e poezisë, është e pandashme dhe po aq e favorizuar sa edhe vetë fjala, sepse pa njëra-tjetrën, s`do të na krijonin mundësinë e ndërtimit të vargut. Nëpër këtë substancë, siç po e quajmë, do të shkrihej gjithë ajo faza fillestare e rrjedhës së idesë e cila si burim pastaj do të krijojë mundësinë e ndërtimit dhe strukturimit të poezisë, në lidhshmëri me fjalën, me metaforën si mjeshtri në varg. Në artin e poezisë, shpesh definohet si; muza e ngacmimit prej nga pastaj këtë fenomen si një ide e kërkojmë brenda fjalëve, për ta përshkruar atë në formën më të bukur të mundshme. Nëse lindja e diellit në një mëngjesin me rrezet e tij si shpërndahen në horizonte do të na ngacmonte  me ndonjë pikë të caktuar, e kapim atë si një ide, atëherë mund të themi se brenda logjikës sonë ka ndodhur një proces i ngacmimit për një ide, të cilën pastaj mendojmë ta fiksojmë në varg. Apo brenda një çasti të caktuar, brenda neve lind një ide si ajo e një /çasti alpik/, të nxjerrë nga vargjet e krijimtarisë sime, sigurisht se ndjenja brenda neve do të na ngacmoi dhe vë në kërkim të definimit, apo formulimit të idesë për ta kompletuar atë, por edhe në kërkim të fjalëve më të bukura poetike, me të cilat do të mund ta përshkruanim idenë përmes fjalëve. Le të marrim dhe një shembull tjetër, kur brenda muzës së mendimit na lind ideja për një kronikë. Dhe këtë ide duam ta përjetësojmë në varg, duke u përcaktuar, jo për një kronikë çasti, por për një kronikë që mbërthen në vete një kohë më të gjerë, që na i mbështjell vitet tona në mërgim. Për ndërtimin e vargut, tanimë vihemi në kërkim të tematikës që duam ta trajtojmë brenda vargjeve duke i përzgjedhur edhe fjalët poetike. Le të japim disa vargje, ku fjala brenda magjisë së vetë krijon figuracionin artistik nëpër vargje, duke dhënë imazhe reflektuese / Ikjet dhe udhët kishin ndezur mallin / Kulla e mbyllur e vatra, zjarri i fikur në oxhak / Gjeografi e harta i përpinë hallet / Dhe një dashuri të lënë diku larg /. Brenda këtyre fjalëve të çiltra kemi ndërtuar imazhet e një kronike, kur në disa raste fjalët bashkë nëpër fjali, na japin kuptime metaforash, si p.sh, vargu i tretë, që bëhet më i ndjeshëm. Pra, këtu kemi të bëjmë me shpikjen e lëndës nga mendja e krijuesit, dhe dallon nga poezia, epika dhe tragjiket e lashta të cilat në këtë stil, vijnë si lëndë e parë në idenë për poezi. Në këto të dytat, kemi një hero i cili na prin brenda muzës së mendimit, dhe kërkon hapësira brenda vargjeve me ngjarje të ndryshme. Ndërsa në rastin e parë, në vargun e shpikur, vetë krijuesi përmes imagjinatës krijon imazhe, gjithmonë duke qenë në lidhshmëri të ngushtë me temën e definuar në titullin e poezisë. Në këtë shpikje, sigurisht se kërkohet zgjuarsi, mjeshtri e njohuri për vargun dhe fjalën si brumë i saj, për ta pasqyruar sa më mirë atë që synon ta portretizojë brenda vargjeve. Në rastin e skulpturës me kubëza të vogla, që e shtjelluam më lartë, në pasqyrimin dhe krahasimin për fjalën, tek ideja shkojmë më lartë, duke synuar gjithmonë se si do të dukej pamja e saj brenda imagjinatës sonë, me çfarë imazhesh do ta rrethojmë atë dhe si do të na dukej ajo, të cilën më pastaj do ta realizojmë si vepër. Mendojmë se kemi përafruar një shembull konkret edhe për idenë e poezisë, brenda këtij krahasimi, duke mbetur që materiali në skulpturën e përmendur, në varg do të na ishte fjala. Me këtë ilustrim, mendoj që kemi arritur t’i zbërthejmë këto dy substanca të poezisë, të cilat janë të pandashme në këtë art. Duke kujtuar se të paktën kemi ofruar në pika të shkurta një vizion për dy substancat e para të poezisë, dua të ndalem edhe tek fuqia e fjalës, apo e vargut, një fenomen tjetër në varg, që për mua ka shumë peshë në vlerën dhe forcën magjike të poezisë, se me çfarë mjeshtërie është mbështjellë tema brenda vargut. Sigurisht se kjo mjeshtëri, dallon tek çdo krijues, duke pasur gjithmonë parasysh talentin, mjeshtrin, botën e tij psiko-filozofike, të cilën do ta përdor në elaborimin e idesë brenda fjalëve në vargje. Të mos e harrojmë metaforën si lëndë që do të ndikonte më së shumti, në shprehjen e filozofisë së mendimit. Nuk po nisemi as nga teoritë e ndryshme që kanë dhënë studiuesit për poezinë, nëpër kohë dhe as nga teoritë e letërsisë, por nga përvoja dhe njohuritë personale, duke i shfrytëzuar ato si vlera origjinale të njohurive për artin e poezisë. Për mua, jo gjithë çka  është shkruar nga krijuesit, aludohet të jetë poezi, apo poezi e mirë, në këtë pikë jam shumë i ndjeshëm, duke e parë kohën dhe zhvillimet që ndodhin tek ne, dhe pikërisht fuqia filozofike e poezisë është faktori i cili më bën që të ndihem i rezervuar në gjykimin për poezinë në përgjithësi. Por le të flasim për poezinë e majave të fjalës, brenda së cilës shkrihet dhe fshihet një botë e thellë e mendimit, dhe një filozofi që do ta mbyllte vargun, si një botëkuptim i logjikës së thellë dhe fuqisë intelektuale të krijuesit. Brenda kësaj filozofie të vargut, sigurisht e shohim edhe forcën magjepse të tij, se sa do të arrijë që një poezi e caktuar, të na pushtojë ndjenjën për të na përvetësuar, duke na bërë që të ndihemi edhe si lexues brenda botës së tij. Këtë herë nuk do të japim shembuj, që të mos duket e tepërt përzgjedhja e jonë, por duke shpresuar se kemi arritur që ta shpalosim si një temë që kërkon studim më të gjerë, në një rast të caktuar, rreth fuqisë së poezisë.

Duke dalë tek poezia si shprehje e botës emocionale të krijuesit, largohemi nga substanca e ndërtimit të saj, për të trajtuar më vonë edhe disa nga elementet bazë që e bashkëshoqërojnë poezinë. Pra, duam të dalim tek bota e krijuesit që e krijon atë. Sigurisht se brenda krijuesit ekziston ndjenja e ngacmimit ndaj botës përreth tij dhe perceptimi i saj nga ajo ndjenjë. Gjithmonë mendojmë për ndjenjën artistike, për botën dhe paraqitjen e saj me ndjenjat poetike.  /Ai krijon një botë të fantazuar, të cilën e merr shumë seriozisht, d.m.th. e trajton me pasion të madh duke e ndarë qartë nga realiteti /, një përkufizim i Frojdit, mbi letërsinë dhe artet. Ndërsa gjuha poetike e përkufizon dhe definon ndjenjën e fantazuar përmes fjalës; e bën atë të kapshme përmes atij figuracioni artistik të cilën ia jep krijuesi. Do të japim këtu edhe një përkufizim nga Frojdi, që pikërisht ka të bëjë me këtë fenomen: /Nga bota artistike joreale dalin pasoja shumë të rëndësishme për teknikën artistike, sepse shumë gjëra që si objekte reale nuk do të na japin kënaqësi, në kuadrin e lojës së fantazisë për dëgjuesin, shikuesin dhe krijuesin bëhen burime kënaqësie, megjithatë, janë ngacmime munduese/. Brenda kësaj që u tha, del se bota emocionale e krijuesit dhe fantazia e tij, përmes artit synojnë po me të njëjtën ndjenjë të kalojnë edhe tek lexuesi në këtë rast, duke i krijuar atij të njëjtën kënaqësi që do t’i krijonte ndjenja e shprehjes në art, krijuesit të saj. Kjo ndjenjë, për krijuesin vjen edhe si një çlirim i brendshëm nga bota e fantazisë dhe kjo nga ana psikologjike do të thuhej se njeriu ka nevojë gjithmonë të rrëfehet, të shprehet për t’u çliruar nga ai ngarkim i brendshëm psikologjik. Po në këtë rast, jo gjithkush është i gatshëm të shpalosë botën emocionale apo edhe vizionin e tij, nga bagazhi i memories së vet. Atë e shtyn gjithmonë dhe një ndjenjë, ajo e dashurisë për artin, botën përpara tij dhe për të ardhmen. Sepse në art gjithmonë synohet të ecet përpara, duke e bërë artin një lloj drite prijëse në vizionin dhe dritën për njerëzimin. Por duam të kthehemi edhe njëherë tek fantazia e krijuesit. Sigurisht se fantazia për krijuesin është shumë e përafërt me botën reale së cilës i referohet ai, duke krijuar premisa të kapshme logjike për ndjenjë emocionale të lexuesit dhe shpalosësit të ndjenjës së vargjeve.

Me që këtu u përmend fjala ndjenjë, në rastin tonë si ndjenjë e asaj që kur e lexojmë ndonjë poezi të bukur dhe na e zgjon atë, dua të japë edhe gjykimin tim në këtë pikë. Ndjenja ekziston gjithmonë brenda neve, por asaj i duhet një pik e caktuar për ta trazuar atë, dhe kësisoj në rastin tonë pika e caktuar mund të jetë një poezi e cila na ka ngacmuar atë, për të na bërë të bashkë-ndjejmë vargun. Por gjithmonë po mbetemi tek ndjenja si aspekt psikologjik, e cila në raport me një vepër artistike, shpalosë akceptueshmërinë e shijes për atë lloj vepre. Duke e ilustruar në shembullin praktik fenomenin mes artit dhe ndjenjës për të, japin një definim të Berkley-t, një peshkop Amerikan, i cili shkruan se: /Shija e mollës as nuk është mollë - se molla s`mund ta shijojë veten - as gojën e atij që e ha mollën, por në kontaktin midis mollës dhe gojës/. I njëjti shembull do të mund të thuhej edhe për artin, e në rastin tonë, për poezinë. Ajo sado e bukur, e fuqishme dhe me vlera të mëdha artistike, gjithçka do të varej nga ndjenja e shijes së atij që e lexon atë. Nga kjo që thamë, shtojmë se për një poezi të caktuar, dalin shije dhe ndjenja të ndryshme të akceptimit të saj, e më vonë edhe të vlerësimit. Nuk do të zgjatemi më shumë për çështjen e ndjenjës në art, duke kujtuar se kemi folur edhe herëve tjera në temat siç janë ato të vlerësimeve për artin dhe për vlerësuesit e tij, ku gërshetohet edhe ky fenomen. Si rrumbullakim i kësaj që e përmendëm më lartë, mundë të themi se në këtë rast poezia është një tufë me fjalë e vargje të vdekura, të cilat në kontakt me lexuesin sikur ringjallen e vijnë në jetë. Ky definim do të qëndronte edhe për librin si tërësi të cilin në moshë të re më duket se e kam lexuar diku, e që tani nuk më kujtohet.

Do të japim këtu edhe një vlerësim të Nietzsche-s, për muzën e poetit: / Muza e poetit që nuk është i dashuruar me realitetin nuk mund të jetë aspak realiteti, dhe do të lindë për të fëmijë me sy plot rrathë e me kocka tepër të brishta /. Pra, sipas këtij vlerësimi, sado që krijuesi të fantazojë brenda muzës së tij të mendimit, ai patjetër duhet të jetë i lidhur ngushtë me realitetin. Përmes fantazisë së tij, duke e shprehur atë në art ai duhet të bëhet misionar i prirjes së zhvillimit dhe ecjes njerëzore, sigurisht se këtu e kemi parasysh edhe largpamësin që duhet ta ketë një krijues në art. Të mos mendojmë se po dalim nga boshti i temës për poezinë, por kur flasim për muzën e poetit, sigurisht e mendojmë faktin se burimi i artit të poezisë është ky fenomen. Në fund të këtij shënimi, duam të konstatojmë se arti është realiteti i një epoke, sado që duket i veshur brenda vellos së fantazisë, ai brenda vetes duhet të bartë shpirtin e një epoke të caktuar, që për jetën e tij do ta përcaktojë vlerat që ka në vete ai lloj arti, e në rastin e studimit tonë-poezia.


                                                 Zvicër, 2014