Samstag, 19. September 2020

Gëzim Ajgeraj

FUQIA MAGJEPSËSE E POEZISË


Nëse nuk do të ishte e tepërt, në shënimet e mia do të përpiqem të sjell përvojën personale në udhën e artit. Por mendoj se nga përvojat individuale që i lëmë të shkruara, krojeve të tyre do pinë ujin e artit të tjerët, për të vazhduar përvojave të veta. Kësisoj, nuk ma merr mendja se do të ndihem i tepërt deri sa flas për udhën në art, artin nga këndi i personales, sepse në këtë mënyrë do të gjykoja, se do të jemi shumë origjinal përpara jush, lexues e art-bërës të ardhshëm. Në mos të paktën, kjo përvojë le të jetë një shkëndijë e vogël në hapësirat e art-bërjes, për të ndriçuar magjinë e poezisë dhe fuqinë e saj, që na bën të magjepsemi për të.

Kjo nuk mund të mendohet si fuqi magjistarësh në rastin e poezisë, por si magji e saj që na bën për vete dhe na magjeps ndjenjën dhe dashurinë për të. Kur flasim për poezinë, gjithmonë e kemi parasysh se po flasim për majat e artit të fjalës, për artin e së bukurës, për të bukurën në poezi, si forcë që arrin të na pushtojë dhe na bën për vete, kur e lexojmë atë. Por duhet të nisemi nga zanafilla e saj, nga e bukura e saj nga muza e mendimit të krijuesit, nga bukuria shpirtërore dhe estetike që i jep ai, për ta përçuar pastaj përmes fjalës metaforike tek lexuesi.

 Nëse në burimet e saja, kemi arritur të nxjerrim një botë të magjishme e të bukur të mendimit, për ta përçuar atë më tej përmes bukurisë së fjalës dhe duke krijuar imazhet e një bote fascinuese dhe interesante për lexuesin e saj, me këtë sigurisht se do të arrijmë tek arti i përvetësimit të lexuesit, apo edhe tek fuqia e joshjes së tij. Në këtë rast, sigurisht se poeti si një shkronjës, këngëtar i cili të bukurën e shpirtit e transmeton përmes fjalës, është magjia e vargut, sepse është fryma e tij, kënga e shpirtit, zëri i tij, që na joshin në poezi. Pra nga kjo që e thamë, kur mendojmë për poezinë, magjinë e saj gjithmonë e kemi parasysh edhe poetin, jo vetëm si shkronjës të saj, por me të gjitha ato që ai i jep nga vetja për artin si forcë që do të na bëjë ta ndiejmë.

Pra, këtu kemi të bëjmë, jo vetëm thjeshtë me vargun, por me një krijues të tij, ku shkrihet i gjithë shpirti dhe mjeshtëria e art-bërjes. Dhe nëse arrijmë t’i vejërojmë mirë pikat e vargut të art-bërjes, sigurisht se do ta ndjejmë, zërin, ndjenjën, klithmën, ndjenjën e shpirtit që paraqet për një motiv a temë e caktuar për vargun. Sigurisht se magjia e ndjenjave të tij që ka për artin dhe mjeshtëria që e paraqet në varg, bëhen pasqyra e refleksioneve të tij edhe për ndjenjën e akceptimit që e ndjen lexuesi.

 Nga një poezi e imja që m`kujtohet në këtë çast, dua t’i japë disa vargje për ta freskuar rrëfimin për magjinë e vargut, si art ku prehet qetësia shpirtërore e mendjes njerëzore: / Na kërkon e ardhmja të zgjuar mendimin / Kapni të uruar të sotmen plotë dritë / Të mos na i zë e nesërmja verbërisë së pendimit / Gjurmë e së djeshmes të mos na i zërë pritë /, Poezia: Për dritën e mendimit, fq. 96, Libri: Një kafe me miqtë e Metaforës, 2014. Pra në këtë rast, porosia është aq magjepse dhe dritëdhënëse, ndërsa forma dhe metafora përmes së cilës vjen ajo, është vetë magjia e vargut e cila na vjen si metaforë. Në këtë rast, vargu është shkruar në një kohë shumë delikate, dhe vjen si një forcë shtytëse për shoqërinë, duke e parë atë të zbehur dhe të rezervuar përballë leximit, si një dozë dobësie të një shtrese të caktuar të një shoqërie. Ajo vjen shumë e qetë, plotë urti të fjalës dhe si mesazh sa tërheqje-vërejtjeje, aq edhe magjepsës, për fenomenin e caktuar, i cili ende fatkeqësisht bredh si një mjegull verbuese hapësirave të shoqërisë. Dhe vargu në këtë rast si një porosi, pushton magjishëm, ndjenjën indiferente karshi fenomenit të caktuar, duke i pushtuar ndjeshëm këto hapësira, dhe vjen si shkëndijë drite brenda verbërisë së fenomenit.

 Por në këtë rast, ajo që është e rëndësishme, se duke "kënduar" apo rrëfyer për fenomenin, njëkohësisht jepet mesazh për një çështje të caktuar. Për mua, në këso raste tregohet ajo fuqia dhe magjia e vargut, e cila jepet si një mesazh për një shoqëri të caktuar.

 Për ta zbërthyer edhe më tej magjinë e vargut, në raport me lexuesin dhe shoqërinë e gjerë, si akceptuese të tij, ja vargjet në vijim: / Nëpër cilin labirint atdhe të ta shpëtoj dritën / Mbi qiellin tënd ende verbojnë furtunat e padukshme / Dhe engjëjt e rrejshëm me petkat e kaltra / Që m`i prangojnë ëndrrat e bardha me natë /, Poezia: Kosova ëndërr e plagosur, fq. 67, Libri: Antologji e Metaforës, Prizren, 2014. Në këtë rast, vargu që nis nga individualja, nga personalja, bëhet mesazh, thirrje për një shoqëri të gjerë me të njëjtat ndjenja karshi një situate të përgjithshme, të interesave kombëtare. Dhe kjo thirrje, vjen si shkëndijë, si dritë që hapë shtigje që edhe të tjerët ta shohin atë, ta ndjejnë dhe ta prekin përmes vargut. Dhe sigurisht se këto shkëndija, do të jenë dritë-nxitëse edhe për të tjerët, pra fjala është për auditorin e gjerë, lexuesin. Pikërisht brenda këtij fenomeni qëndron ajo e magjishmja e vargut, e cila nga një ndjenjë individuale që e ndjen krijuesi, problemin e përgjithshëm përmes mesazheve që përcjell ai tek publiku i gjerë, e ngritë atë fillimisht si ndjenjë akceptuese tek lexuesi e pastaj edhe si çështje që duhet përqafuar edhe nga vetë lexuesi. Pra, në këtë rast fenomeni magji e vargut, ka arritur qëllimin dhe efektin e vetë, përmes mesazheve që ka përçuar tek shoqëria e gjerë.
Në këtë rast, krijuesi ngrit një shqetësim, problem të përgjithshëm për një komunitet të gjerë, duke kërkuar edhe nga ai, të njëjtën që vet e ndjen për çështjen e caktuar.
Jemi në një kohë, kur Kosova e pasluftës, menaxhohej nga misione shumëkombëshe, të cilat në emër të ndihmesës në çlirim, luajnë role edhe negative, karshi interesave të shoqërisë shqiptare në Kosovë. Dhe pikërisht, rolin e disave nga këta misionarë, krijuesi e vë në thumb të vargut, duke  ngritur atë si shqetësim, si problem dhe si thirrje për shoqërinë shqiptare, që të jetë vigjilente në ecjen e saj përpara.

 Ja edh disa vargje nga kjo poezi, për ta elaboruar edhe më tej këtë problem dhe temën për të cilën po flasim: / Kush s`e shikon të drejtën tonë natyrore / As konventat e kombeve për vetëvendosje / Të tjerët na e presin qyrkun si t`u teket atyre /, ... / Vaj halli për ty atdheu im hallemadh /, fq. 67, ( Kosova ëndërr e plagosur). Vargu i fundit, si një brengë poetike, ajo shumë lehtë depërton edhe tek lexuesi të cilin e bën të ndihet njësoj karshi situatës dhe gjendjes së atdheut (kuptohet, për lexuesin që ka ndjenja atdhetarie dhe dashuri për lirinë e vendit të tij). Kujtojmë se përmes këtyre ilustrimeve dhe zbërthimeve të vargut dhe çështjes së caktuar, e magjishmja ndjeshëm reflekton vetvetiu, për të na bërë të qartë çështjen e caktuar, të ngritur si fenomen të magjishëm. Pra në asnjë rast, kjo çështje nuk bën të kuptohet si një kuptim klasik i magjisë, që zakonisht përdoret nga magjistarët, sepse kjo do të humbte efektin esencial si çështje. Poezia nuk ka synime të tilla, as që synon rreth një çështje të tillë, ajo është realiteti që tek njeriu krijues nganjëherë shihet shumë më herët dhe shumë më larg, dhe përmes vargut ngritët si *heshtje, si dritë që edhe të tjerët ta shohin me kohën dhe të veprojnë, apo kundërveprojnë, në rastin tonë, pra në rastin si të Kosovës së pasluftës dhe "engjëjve të rrejshëm", në këtë situatë.

Më ka rënë shpeshherë të dëgjoj mesazhe të ndryshme për këto situata, sidomos nga ato që i takonin thirrjeve të hapura politike, pa qoftë edhe tërthortë, por mund të them për veten se asnjëherë fuqinë dhe ndikimin nuk e kanë pasur tek unë, atë që e jep vargu ose poezia. Ndoshta në këtë pikë do të ishte mirë të elaboroja pak arsyen e psesë?, për të qenë më i sinqertë përpara juve. Situatat dhe mesazhet politike për mua mund të jenë të çastit, apo edhe vlerësime të interesave të ndryshme të shumëllojshmërisë pluraliste të krahëve politikë. Pastaj ato sikur gjithmonë mbartin shpesh ingerencat partiake dhe interesat e një grupi të caktuar. Në fakt, të jem më klasik në atë që mendoj, rrallëherë apo fare pak, mund të gjej fuqi që më magjeps, në shembullin e dhënë më lartë. Tek poezia ky lloj efekti, për mua është i jashtëzakonshëm. Këtu do t’i shtoja mjeshtërinë përshkruese të problemit, metaforën, fjalën artistike, por edhe trajtimin e thellë që mund t’i bën vargu një çështje të caktuar, e cila na vjen si mesazh që do të pushtonte botën e brendshme psikologjike. Nuk dua t’i jap krahë apo përparësi njërës apo tjetrës, por vetëm përcolla atë mendimin personal, të ndikimit të vargut, në raport me një deklaratë apo intervistë. Pra, në varg sikur e përjetojmë atë ndjenjën e magjishme, tamam sikur autori i saj, nëse arrijmë të kuptojmë thelbin e vargjeve. Dhe kjo ndjenjë që neve e përjetojmë brenda vargjeve, është forca e të magjishmes e cila ka arritur deri tek ne përmes fjalës.

 Dhe jo vetëm kaq, fuqia e fjalës brenda vargje, metafora e tyre do të jenë ato që do ta nxisin rrjedhën e trurit tonë, për të menduar për një çështje të caktuar, apo edhe të veprojmë për një qëllim të caktuar. Është fuqia e fjalës, e cila vë në lëvizje ndjenjën, mendimin, muzën, për të na ngacmuar për një qëllim të caktuar, në raport me mesazhin e vargjeve. Kur po flasim për këto fenomene të brendshme psikologjike, përpara vetes gjithmonë e kemi vënë mesazhin e një kohe të caktuar, të poezisë me motive atdhetare, si nevojë e shoqërisë sonë gjatë kohës së okupimit, kur shumë mesazhe për lirinë, përcilleshin përmes poezisë. Po kjo nuk do të thotë se jemi të fiksuar në këto kohë, sepse kemi mesazhe edhe sot që përcillen për atdheun, bashkimin, dashurinë, mërgimin, mallin etj, dhe mund të themi se edhe këto lloje të mesazheve janë po aq të ndjeshme dhe të përqafuara nga lexuesi i gjerë.

 Që të sjellë freski brenda rrëfimit, dua të sjell disa vargje brenda të cilave shkrihet e magjishmja e dashurisë për nënën, si një ndjenjë e pashtershme në  rrjedhën e jetës; / Në çdo muzë të mendimit për dritën me ty lindë fjala / Merr dritë jeta me mijëra uratat e lutjeve të tua /, ... / Ti je frymëzim i pashterur i dekadave të mia vargut / Që freskohen gurrave të shpirtit tënd të butë / Që s`di të shter nëpër rrjedhën e dashurisë /, Poezia; Ti je frymëzimi i vargut, nënë,  libri: çaste alpike, fq. 101.
Sigurisht se ndjenja e nënës është e përgjithshme dhe se ndjeshmëria e vargjeve bëhet aq sensibile, aq e ndjeshme dhe aq e kapshme, sa që nuk ka mundësi që t’i shpëtohet magjisë së vargut, pa ta pushtuar ndjenjën. Secili në formën dhe mënyrën e vet e ndez një lloj ndjeshmërie e cila do të bëhet imazh i botës së brendshme, që do t’i prinë një lloj ngacmimi për dashurinë dhe ndjenjën ndaj nënës.

 Shpeshherë, poezia arrin të na krijojë ndjenjën e lumturisë, në rastin kur ajo vjen si një aventurë dashurie, duke krijuar çaste dhe imazhe të bukura, të cilat arrijnë ta ndezin perceptimin tonë ndaj të bukurës, dhe shijes për të. Ajo shpesh bëhet dritë për ndjenjën e bukur, duke na dhënë mesazhe drita për ndjenjën tonë, për një çështje të caktuar.

Nuk po flasim për fuqinë magjike, të aspektit psikologjik, sepse kësaj çështjeje do t’i duhej një studim më i gjerë nga ky kënd, por nga përvoja e art-bërjes dhe artë marrjes (leximit), si dy çështje të rëndësishme dhe shtylla të përvojës sonë, në këto ligjërime për poezinë. Dhe pikërisht këtë përvojë, përpiqemi ta kronikojmë e ta zbërthejmë brenda këtij rrëfimi, në raport me atë se si e ndjejmë dhe e perceptojmë artin e magjisë së poezisë, në jetën dhe evolucionin njerëzor.

Do të japim këtu edhe disa vargje, për t’i përjetuar ca çaste brenda magjisë së fjalës, si një freski shpirtërore për ata që e duan dhe e ndjejnë magjinë e vargut: / E ç`ti japim frymëzimit kur Alpet na i shqelmojnë muzat / Në këtë vjeshtë të vonë kur gjethet  e fjalës po zverdhen / Ku t`i mbledhim aktet kur në kornizën e fjalës s`rrinë / Këtyre katarakteve të mallit udhëve të fjalës kot bredhim /, poezia; Mall që na ndëshkove neve, emrin mos na ndëshko, fq. 69, libri: çaste alpike, Metafora, 2014. Nëse e kapim vargun e parë, dhe e analizojmë mirë, në cilën formë apo metodë do të mund ta përshkruanim këtë imazh, më bukur se në metaforën e poezisë. Dhe këto imazhe, sa të bukura e përfytyruese që na vijnë përmes fjalës, ato na magjepsin me estetikën e mendimit dhe thellësinë që vjen nga bota e vargut, si imazh për ne. Apo kemi edhe vargun e tretë; / Ku ti mbledhim aktet /, - janë aktet e jetës në mërgim, që e përjeton vet poeti, i cili edhe e krijon vargun, dhe më tej thotë; / në kornizën e fjalës s`rrinë /. Pra ajo që e thamë më lartë, se këto imazhe të magjishme dhe të një kuptimi të thellë psiko-filozofik, na e bën të mundshme ta përjetojmë, vetëm fjala në varg, apo poezia. Bota e saj arrin të kapën imazhe e sentenca të cilat për neve bëhen në njëfarë forme të prekshme, të kapshme, duke ngacmuar gjithmonë drejtë një bote të thellë psikologjike, dhe duke u bërë e ndjeshme për secilin. Apo thënë më qartë, poezia bëhet si një lloj ngacmimi i muzës së mendimit, për secilin lexues, për të flatruar pastaj hapësirave të mendimit, drejtë një bote edhe më të thellë psikologjike. Për ata që e duan poezinë, ajo bëhet një lloj kënaqësie shpirtërore, ku lexuesi prehet botës së saj duke lundruar në anijen e fjalës, si një peshkatar i lodhur, i cili kërkon qetësinë e vetë, përpara një gjumi çlodhës. Brenda këtij meditimi, ai pushon duke bredhur imazheve të vargjeve dhe filozofisë psikologjike, si një ndjenjë dhe nevojë për zhvillimin dhe avancimin e mendimit dhe mendjes njerëzore.

Do të dalim edhe pak tek një definim i yni për poezinë, një definim i thuktë dhe i shkurtër që prek njërin nga elementet e estetikës së poezisë: / Poezia është një shprehje e së bukurës nëpërmjet fjalëve të thurura ne mënyrë artistike apo ngacmim i brendshëm i muzës së mendimit, i shprehur përmes metaforave../, duke kujtuar se nuk duhet të mjaftohemi vetëm nga ky definim, por duhet të vihemi në kërkim të përgjithësimit të të gjitha këtyre elementeve në këtë definim për poezinë. / Kështu e thotë edhe Borgesi, në njërin nga definimet e tij të shkurta për poezinë, duke vazhduar; / / se e njohim aq mirë sa s`mundë ta definojmë me fjalë.../, çështje për të cilën kemi folur në njërën nga temat tona në këtë libër. Por, përgjithësimi i të gjitha elementeve që e përbëjnë poezinë, duket të jetë tepër i vështirë, sado që deri më sot janë dhënë shumë definicione. Megjithatë, ka pak rëndësi definimi i saj i plotë, për rastin tonë sa ka rëndësi fuqia e brendshme e saj e cila na përvetëson e na magjeps. Nuk dua të dal nga kontesti i temës, nevojitet edhe ky element, që për fuqinë magjepse të poezisë, në rastin tonë ka peshën e vetë.

 Ajo dallon nga forma e rrëfimit, tregimit apo romanit, duke qenë më e mbyllur figurave metaforike me kuptime dytësore, si forma krahasuese të fjalës, të ngritura në varg. Dhe se mesazhi i saj, kërkohet të shpërndahet brenda pak fjalëve, si një filozofi e mendimit për një çështje a send të caktuar.
Do të rifreskoj këtë shkrim edhe me pak vargje, duke kujtuar se magjia e vargut nuk qëndron gjithmonë në atë që e lexon, e akcepton, e merr atë varg, por edhe tek ajo se çfarë përshkruan, përfaqëson mesazhin që e përçon, dhe nga kjo shohim se vet poezia është magjia e jetës, që ajo e prezanton,: / ç`përvëluam kokë ditët në largësi / Malli i qielluar udhëve rri përmbi /, ... / Ndrydhet rrënja e jonë e shtrydhet mallkimi / Gjuhë e lidhur kryq shqipja bredhë harrimit /, ... / Largësive të përmallta shpresa merr krahë / Udhë e përdalë ditët na i ha /, poezia: Udhë e zjarrmi, fq. 84, libri: çaste alpike, metafora, 2014. Pra në këtë rast, kemi të paraqitur imazhin e mallit përmes metaforave, duke na krijuar ajo skena dhe imazhet marramendëse, brenda pak fjalëve dhe duke na i prezantuar ato që i ndjen poeti, në këtë rast i mërguar nga atdheu. Por në rastin e kësaj plage, ajo është gati kolektive dhe dhimbje e një nocioni të tërë, siç jemi ne shqiptarët, të cilëve plaga e mërgimit na ka hyrë nëpër çdo kullë e vatër, dhe duke shpërndarë këtë dhimbje, si një virus hapësirave tona. Dhe pikërisht këtu qëndron edhe ndjeshmëria e mesazhit që jep vargu, duke e bërë atë të kapshëm për çdo shtresë të shoqërisë sonë, dhe duke e akceptuar atë ndjeshëm si dhimbje edhe individuale e secilit lexues, të nocionit tonë. Dhe pikërisht këtu, reflekton ndjeshëm magjia e mesazhit të vargut, e cila arrin të depërtojë thellë në mendjen e një shoqërie të gjerë, për ta bërë të ndjeshme atë, deri në ndjenjë individuale. Mendoj se brenda kësaj që e thamë, të paktën kemi dhënë një pasqyrë të shkurtër ku mund ta shohim ndjeshmërinë dhe fuqinë magjike që ka poezia tek një shoqëri e gjerë.

                                              Zvicër, 2014

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen