Samstag, 19. September 2020

Gëzim Ajgeraj

 2.

 ARTI SI SPROVË, BESIMI I POETIT NË ARTIN E TIJ DHE NË VETVETEN


Nuk ka asgjë më besnike se përvoja personale dhe besimi në vetvete, i cili duhet ta shoqërojë një krijues në udhën e tij të pendës. Kjo nuk do të thotë se të nisemi nga pika zero (flasim për fillimet e para), por e kemi parasysh faktin pas një lloj përvoje në krijimtari, por duhet ta kemi parasysh një lloj përvoje nga pararendësit tanë për të na shoqëruar në hapat tona. Ajo përvojë e parë nga krijuesit e tjerë duhet të na shërbejë si shkëndijë drite për të na nxitur në hapat tona, por jo përgjithmonë që kjo çështje të kalojë në imunitet të një varësie. Pra, gjithmonë e kemi parasysh fillimin në udhët e artit. Dhe kjo lloj përvoje e të tjerëve duhet të na shërbejë si një lloj mësimi për të na vënë në binarët e sigurt të udhës që do ta ndjekim si krijues. Këtu pra, del në pah përvoja, e cila me kohën dhe punën individuale të krijuesit, pastaj edhe krijohet. Por, këtu del në pah edhe një çështje tjetër, ajo e besimit që e ka poeti në vetveten dhe në artin e tij që e krijon. Çdo fillim, sigurisht se është me ndrojtje e frikë, nëse duhet t’i hyj rrugës së artit, të vazhdoj dhe ku do të arrij. Këto fakte duhet llogaritur qysh në fillim, e pastaj t’i hyhet kësaj sprove jo edhe aq të lehtë. Kur i përmendëm këto tre fakte, sigurisht se e kishim parasysh një arsye shqetësuese për epokën tonë. Kur e thamë faktin e parë, nëse duhet të hyjmë, sigurisht se e kishim  prapaskenën e arsyes nëse do të sillnim diç të bukur në art, nëse do të krijonim ndonjë vlerë për të vazhduar më tej. Përmendëm dhe fenomenin e epokës sonë, me këto paraqitje sporadike të krijuesve, të cilët e publikojnë një botim dhe pahetueshëm harrohen e treten kohës. Mirëpo, çështja dhe preokupimi i temës sonë nuk janë krijuesit e tillë, por flasim gjithmonë për artin e mirëfilltë dhe krijuesit që shpesh i quaj atletët e maratonës, pra për ata krijues që artin e kanë përkushtim jetësor dhe nuk i ndahen kurrë. Pra, këtu do të vinin në shprehje ato dy çështje që i përmenda më lartë. Pra, dua t’i shtoj kësaj se poeti duhet të ketë besim në vetvete, në mënyrë që atë lloj besimi me artin që bën, ta arsyetojë sa më fuqishëm përpara lexuesit të gjerë. Dua të filloj nga përvoja dhe besimi im personal, fillimisht si lexues i artit poetik dhe pastaj edhe si shkrimtar, me një përvojë mbi dy dekada e tepër. Sigurisht se fillimet e para si lexues kanë qenë tërheqëse për mua dhe, magjia e shkrimit më ka tërhequr thellë e më thellë.  Andaj, ndrojtja e fillimit është shuar shumë shpejtë me futjen sa më thellë në botën e leximit, duke përzgjedhur libra gjithnjë e me më shumë vlera. Dhe me kohën dhe shkollimin, kjo përvojë ka ngacmuar edhe idenë e sprovave të shkrimit. Kur kjo ide të ngacmon, atëherë edhe forma, përzgjedhja dhe mënyra e leximit, merr tjetër formë të interesimit edhe në lexim, sepse tanimë të intereson bota e thellë e krijimit të artit, metodat, format, stilet, etj, e jo vetëm leximi si lexues i thjeshtë.  Me sa kujtoj, në fillimet e para të leximit të librave, nuk lexoja gjithë ato libra që kisha mundësi t’i gjeja, ose më vinin në dorë. Jetonim në një kohë censure, dhe jo gjithçka lejohej nëpër programet e shkollave tona, por edhe në biblioteka. Koha dhe lindja e idealizmit kombëtar, më ngacmoi e më bëri shumë kërkues, në veçanti të librave të veçantë, të poetëve të Rilindjes sonë kombëtare. Ndoshta kjo ishte edhe zanafilla e selektimit të leximit të librave, ndërsa ideja e vlerave dhe përzgjedhjes të tyre, ka lindur më vonë brenda meje. Kur jemi tek ky definim, do të jepja një mendim të Borgesit që e kam lexuar dikur si student: /njeriu lexon atë që i pëlqen, ndërsa njeriu shkruan jo atë që i pëlqen, por atë që mund ta shkruajë/. Pra kur jemi tek fenomeni i selektimit të literaturës së leximit, sigurisht se secili e ka shijen e vet, dhe e merr atë që i përgjigjet asaj shije dhe kërkesave të atij që kërkon dritën brenda atij arti.

Këtij definimi do t’i përshtatej metoda e shumëllojshmërisë së shijeve dhe mënyra e të ushqyerit. Të njëjtin fenomen e kemi edhe tek ushqimi shpirtëror, apo ai i trurit. Këtij luksi dikur ishte pak e vështirë t’i nënshtroheshe, sepse mungonte shumëçka, sot sigurisht se janë krijuar shumë hapësira dhe mundësi për një selektim të tillë.

Do të kujtoj zanafillën e parë të dashurisë për poezinë, ma pat mbjellë babai (ndjesë pastë). Ai, që në fëmijërinë vet i mbante në mend një numër të madh të poezive, të them pesëdhjetë, mos i hyjë në hak, e të them njëqind, nuk dua të jem i tepërt, por e di se dinte shumë poezi përmendësh. Shpesh kur uleshim pranë zjarrit tek vatra, apo kur ngroheshim në diell, tek oborri i shtëpisë, i kërkoja të më recitonte poezi.

Ato ishin vargje të thjeshta, të viteve dyzeta e pesëdhjeta të shekullit të shkuar, por ishin aq të thjeshta e të sinqerta, që mua si fëmijë më ngacmonin e frymëzonin. Tani, nëse filloj t’i përshkruaj vargjet e atyre poezive, sigurisht se do t’u mbetja borxh edhe vargjeve, por edhe poetëve të atyre vargjeve, por dua të them se për mua ishin frymëzim që të lexoja e të kërkoja në vazhdimësi, vargje e poezi të bukura. Me këto frymëzime, më pastaj u mishërova me vargjet dhe koncertet e shkollës, mësuesve të mi u kërkoja të zgjidhnin poezitë më të bukura e më të gjata për mua, sepse kënaqesha kur i recitoja ato përpara prindërve tanë nëpër ditët e shkollës. Por dua të shtoj se kisha një talent të bukur të recitimit të vargjeve dhe një zë që i shkonte vargjeve, dhe me këtë talent kënaqej edhe prindi im edhe publiku. Këtë talent, më vonë ma vërtetojnë edhe shumë profesorë të mi, si nxënës gjimnazist, kur në garat e recituesve të qytetit tim, nga një konkurrencë tepër e madhe, më zgjodhën mua të recitoja vargjet e poetëve shqiptarë, në një koncert qyteti, me një diversitet gjuhësh që deklamohej ai recital. Megjithatë, për temën e deklamimit të vargjeve, kemi folur diku tjetër dhe nuk do të zgjatemi këtu, por me që ra fjala, shkëputa disa inserte nga ajo kohë. Dua të kthehem tek selektimi dhe besimi i im, që kisha filluar ta ndërtoja në rrugën e ecjes sime si lexues. Tanimë me kohën, kisha krijuar besimin në fjalën, në vargun, por edhe një lloj besimi në vetvete për atë që e selektoja, e lexoja, sepse ishte evidente dhe e dukshme, se përzgjedhja që i bëja literaturës për vete, më mbushullonte një lloj dije, që mua më bënte të sigurt në hapat e ecjes sime dhe të qëndrueshëm në atë që e thoja dhe veproja.

Ky lloj selektimi, më mbillte një lloj serioziteti në moshën time dhe më bënte të ndihesha më i pjekur në raport me moshën që e kisha. Një element tjetër ishte ai i frymëzimit tim me ide përparimtare e kombëtare, në rrethanat e kohës, dhe për këtë gjithmonë i jam mirënjohës frymëzimit nga literatura dhe vargjet e kohës që i lexoja.

Në atë kohë, kërkoja literaturë nga Naimi, Migjeni, Noli, Spase, Asdreni, Çajupi, etj. Kjo listë e leximeve do të ishte tepër e gjatë, edhe nëse do të përmendja shumë emra, sigurisht se do t’i mbetesha borxh edhe shumë emrave tjerë, pa e përmendur këtu edhe literaturën programore shkollore.

Do të shkëpus për juve disa vargje: E para për ta freskuar pak kujtesën gjatë rrëfimit tonë, dhe së dyti edhe lexuesit për t’i sjellë freski në rrëfim tonin. Vargjet dhe poezitë janë të shumta, që në rininë e hershme tonën na kanë frymëzuar, freskuar e edhe mësuar në ecjen, ngritjen dhe kalitjen në udhët e mëvonshme të jetës.

 ...
Kafshatë që s'kapërdihet asht, or vlla, mjerimi,

kafshatë që të mbetë në fyt edhe të zë trishtimi

kur shef fytyra të zbehta edhe sy të jeshilta

që të shikojnë si hije dhe shtrijnë duert e mpita

edhe ashtu të shtrime mbrapa teje mbesin

të tanë jetën e vet derisa të vdesin.

E mbi ta n'ajri, si në qesendi,

therin qiellin kryqet e minaret e ngurta,

profetët dhe shenjtët në fushqeta të shumëngjyrta

shkëlqejnë. E mjerimi mirëfilli ndien tradhti.

...

(vargje nga Poema e mjerimit, Migjeni)

 

Shkëputa këtu disa vargje nga: Poema e mjerimit, që për kohën tonë, rrethanat dhe rritën, ishin tepër të ndjeshme dhe aktuale. Ndoshta ishin edhe rrethanat, ato që e bënin që këto vargje na tërhiqnin dhe magjepsnin ndjenjat tona gjatë leximit dhe recitimit. Pra, këtu vijmë tek thënia që e përmendëm më lartë, se njeriu zgjedh atë që i pëlqen për ta lexuar. Dhe sigurisht se në strukturën e këtyre vargjeve është gjetur diçka e bukur, që ngacmon e kënaq imagjinatën tonë, për të na afruar në leximin e tyre.

Ndoshta ky fakt na bënte më të ndjeshëm ndaj gjendjes dhe situatës ku gjendeshim si shoqëri, por për mua këto vargje ishin edhe një lloj shfryrje në raport me kohën, si një protestë, që i kundërvihej kohës. Pra, shpeshherë vargjet na bënin që ta ushqenim shpresën dhe frymëzimin tonë, që të mos na pushtojë ndjenja e dëshpërimit, që na rrinte si mjegull mbi kokë. Kësisoj pra letërsia ka krijuar hapësira të reja, për të avancuar dhe jetën për ta parë edhe përtej vështirësive dhe situatave të caktuara.

...

O malet' e Shqipërisë e ju o lisat' e gjatë!

Fushat e gjera me lule, q'u kam ndër mënt dit' e natë!

Ju bregore bukuroshe e ju lumenjt' e kulluar!

Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pylle të gjelbëruar!

Do të këndonj bagëtinë që mbani ju e ushqeni,

O vendëthit e bekuar, ju mendjen ma dëfreni.

Ti Shqipëri, më ep nderë, më ep emrin shqiptar,

Zëmrën ti ma gatove plot me dëshirë dhe me zjarr.

Shqipëri, o mëma ime, ndonëse jam i mërguar,

Dashurinë tënde kurrë zemra s'e ka harruar.

...
(vargje nga poema: Bagëti e bujqësi, Naimi)


Po gjatë këtyre vargjeve, sikur kemi gjetur frymëzimin e bukur për jetën, për vendin tonë të bukur, kemi ushqyer shpresën dhe frymëzimin tonë, për pjesën e ndarë të atdheut tonë, i cili në rrethanat e kohës, ishte si një prind shprese i cili një ditë do të kujdeset edhe për neve. Pra, sigurisht se brenda këtyre vargjeve gjenim ato elemente që ngacmonin dhe kënaqnin imagjinatën tonë, duke na frymëzuar e mbushulluar nga ndjenja që reflektonin vargjet. Arsyet e kënaqësisë, sigurisht se janë të ndryshme dhe nuk duam të përkufizohemi tek koha dhe gjendja, për të cilën e potencuam më lartë, sepse është shija njerëzore ajo që e ngacmon njeriun për të zgjedhur atë që i pëlqen për lexim. Këtu folëm vetëm për kënaqësinë që na i sillnin vargjet, pa dalë tek romani, tregimet e zhanret e tjera të artit, që sigurisht se ishin një kolorit arti, në shijet e leximit tonë të kohës.

...
Arratisur, syrgjynosur,

Rraskapitur dhe katosur

Po vajtonj pa funt, pa shpresë,

Anës Elbë-s, anës Spree-së.

Ku e lam' e ku na mbeti,

Vaj-vatani e mjer mileti,

Anës detit i palarë,

Anës dritës i paparë,

Pranë sofrës i pangrënë,

Pranë dijes i panxënë,

Lakuriq dhe i dregosur,

Trup e shpirt i sakatosur.

...
(Anës lumejve, Noli)


Është mesazhi, tingulli i vargjeve, ndjenja që trazojnë ato. Kur e përmenda raportin kohë dhe rininë tonë, sigurisht se ishin motiv frymëzimi, që mbushullonin, shpresë, guxim për zgjedhjen e udhës sonë për rrjedhat dhe raportin e ecjes sonë drejtë së ardhmes. Pra, vargjet gjithmonë ishin frymëzim drite drejtë udhëve të së ardhmes. Më lartë i përmenda edhe zhanret e tjera të artit letrar, por këtu dua të shtoj edhe zhanrin e filmit që vinte në ato kohë nga TVSH-ja, e që në Kosovë e përcillnim në udhë ilegale. Përmenda edhe këtë fakt, për të mos e harruar, si rrjedhë dhe burim ushqimi shpirtëror, që i merrnim në të njëjtën kohë. Sigurisht se kishte edhe burime tjera frymëzimi nga literatura e huaj, por siç e thash në fillim, është e pamundur të mblidheshin ato brenda këtyre rreshtave, dhe kohës suaj që do ta vëni në dispozicion të këtij leximi. Pra, duke qenë human ndaj këtij fenomeni, mbetemi të hapur edhe karshi asaj që lista e leximeve tona të mbetet e hapur përpara juve, duke mos krijuar preferencat tona, por duke u lënë që preferenca e përzgjedhjes suaj të mbetet e hapur dhe e lirë, për t’i prirë përzgjedhjes dhe shijes suaj. Do të ndaj këtu me ju, edhe disa vargje të Migjenit, jo si preferencë, dhe të mos ndihemi të tepruar me këtë përzgjedhje, por se këto vargje ishin frymëzim i kohës sonë, dhe robërisë që rëndonte si korbi mi qiellin tonë.

...
Rini, thueja kangës ma të bukur që di!

Thueja kangës sate që të vlon në gji.

Nxirre gëzimin tand' të shpërthejë me vrull...

Mos e freno kangën! Le të marri udhë.

Thueja kangës, rini, pash syt e tu...

Të rroki, të puthi kanga, të nxisi me dashnu

me zjarrm tand, rini... Dhe të na mbysi dallga

prej ndjenjash të shkumbzueme q'i turbullon kanga.

Rini, thueja kangës dhe qeshu si fëmi

Kumbi i zanit te përplaset për qiell

dhe të kthejë prap te na - se hyjt ta kanë zili

e na të duem fort si të duem një diell.

Thueja kangës, Rini! Thueja kangës gëzimplote!

Qeshu, rini! Qeshu! Bota asht e jote.


(Kanga e rinisë, Migjeni)


Sigurisht se në frymëzimet tona dhe në besimin tonë në ecje përpara në dritën e dijes, kanë qenë edhe shumë faktorë tjerë, por edhe kushtet që e kanë rrethuar rininë tonë. Të mos harroj këtu; traditën e pasur popullore të zonës prej nga vij, folklorin burimor të popullit tonë, që mund të themi se është bazamenti i krijimit të personalitetit tonë. Odat tona, të cilat do t’i kujtonim me plotë nostalgji, si kuvende ku gdhendej llafi i fjalës. Sigurisht që kënga folklorike ka shërbyer si burim shpirtëror dhe si shërim i ndjenjës dhe shpresës sonë të vrarë nëpër shekuj nga robëria.

Kur zgjodha të jem poet e shkrimtar më tepër sesa këngëtar, gjithnjë me vetëbesimin se diapazoni im, talenti, dija duhet të marrin drejtimin e krijimit të artit. Kjo nuk ishte rastësi, sepse qysh në rininë e hershme krijoja dhe i mbaja të mbyllura ato krijime. Kjo për faktin se fillimisht më mungonte një lloj besimi, dhe ndrojtja ime më bënte të mbyllesha brenda vetvetes. Dhe me kalimin e kohës, gjithnjë e më tepër, ky lloj besimi m’i pushtonte hapësirat e frikës, për të më shtyrë drejtë një besimi të plotë në vetvete dhe asaj që e krijoja në art.

Fillimisht e pata të vështirë ta publikoja krijimtarinë time, por më vonë, i emigruar dhunshëm larg atdheut, kishte vite që po e ndieja të udhës që guximin tim ta shprehja hapur, edhe atë përmes artit. Isha i bindur se forma më e mirë dhe më e përshtatshme për ta shpalosur potencialin që e kisha akumuluar për dekada brenda vetvetes –ishte ajo brenda artit dhe magjisë së tij.

Pra, tanimë për mua kishte ardhur koha për t’i hyrë kësaj sprove, të cilën sigurisht se në ato fillimet e para ishte e vështirë për ta përcaktuar apo parashikuar. Por tek unë dominonte bindja se kësaj udhe duhet hyrë, e ku të nxjerrë nuk i dihet. Sigurisht se shkrimet e para, sado të zbehta mund të jenë, ato të krijojnë një lloj kënaqësie dhe përvoje, e cila me kohën sigurisht se do të avancohej.

Ndoshta do të tingëllonte jo edhe aq mirë nëse themi, duke provuar e korrigjuar, po pse edhe jo duke jetuar me ndjenjën se edhe mund të gabojmë. Në fund të fundit, për ta provuar thellësinë e liqenit, duhet të hysh në të, vetëm atëherë mund të japësh një definim të saktë. Jemi të bindur se nëpër këtë përvojë, deri këtu ku jemi sot, kemi pasur edhe lëshime e gabime të mundshme, por të gjitha ato udhëkërkime dhe forma, brenda të cilave ne kishim vënë eksperimentimet tona, për të hulumtuar forma dhe struktura për vargun që do ta krijonim. Është kjo koha kur krijuesi vihet në kërkim të hulumtimit të formave të vargjeve, strukturës, ndërtimit të fjalës dhe përzgjedhjes së saj. Për të ardhur më pastaj deri tek metafora si element esencial i letërsisë dhe i ndërtimit të vargut. Kur jemi tek ky hulumtim dhe eksperimentim me vargun, sigurisht se kemi aplikuar shumë forma dhe stile, të cilat brenda vargjeve dhe krijimtarisë sonë nëpër vite, kanë krijuar një larushi stilesh dhe vargjesh, por edhe një kolorit poetik i cili sigurisht se do të vlerësohet në kohë.  Por format e art-bërjes nuk duhet të kufizohen brenda një forme të artit, ashtu siç edhe ndalen vetëm në këtë pikë edhe për ne, por ato shtrihen më vonë në prozë, tregim të shkurtër, monografitë historike, vlerësimet kritike, etj, etj. Pra, tanimë ky besim i shtrirë në të gjitha zhanret e artit, vjen me kohën dhe përvojën, e cila e shoqëron krijuesin, por edhe me punën dhe qasjen e tij, që e ka për artin.

 Nga ky besim që i kisha vënë vetes për vargje, tanimë për dekada frymonte brenda librave, dhe sot kur po e shkruajmë këtë kronikë, kopertinat e tyre numërojnë mbi të pesëdhjetat, dhe ky varg ka ecur nëpër stile të ndryshme të metaforave...

...
Zgjohu, o ti shqiptar i nëpërkëmbur

Zgjohu bëji dritë emrit të bardhë

Zgjohu, mos lejo dikush të ta rrjep lëkurën

Të të vrasë me naze, e me ditë të qajë

...

Zgjohu o plisbardhi im i vrarë ndër shekuj

Zgjohu se dita jote ka ardhur

Mos lejo që edhe nga goja bukën të ta heqin

Vajtojcat e kolltukëve, që s`të lanë edhe djersë në ballë

...
(Poezia: ZGJOHU, /Etje në fjalë/, G. Ajgeraj)


Vargjet e mësipërme dëshmojnë besimin në fuqinë e fjalës dhe vetëbesimin për ta trasuar atë edhe në masën e gjerë te lexuesit. Së dyti, kjo tregon atë besimin ndaj imagjinatës, si bazë për artin e të qenët poet e shkrimtar. Pra thjesht, është një lloj besimi thellë i ngulitur dhe i kalitur brenda meje, ajo që në vazhdimësi kërkon të shpërthejë, të dalë përmes fjalës, për t’u bartur edhe tek të tjerët. Dhe në këtë pikë shfryrje, jo vetëm krijuesi e ndjen kënaqësinë e artit të tij që e krijon, por ajo bëhet pjesë edhe e atyre që e përzgjedhin dhe e përqafojnë këtë art të publikuar.

Nëse vihemi në kërkim të përafrimit të formave dhe strukturave të vargjeve, me ato që i kemi dhënë më lartë, tanimë kemi gati shekullin në mes, dhe format, stilet, struktura, por edhe rrethanat e kohës, për sa i përket mesazheve, kanë ecur e ndryshuar, ndaj krahasimi duhet parë në kohën së cilës i dedikohen vargjet. Duke i bërë këto krahasime, kam frikë se mos dalim nga korniza e temës, për rrugën e artit poetik dhe besimin që e krijon poeti brenda artit të tij dhe vetvetes. Do të japim edhe disa vargje, për ta bërë më të freskët këtë shënim, duke pasur besim në freskinë që na e sjell vargu mes këtij rrëfimi.

...
1.
Një etje e moçme na fton mes fjalës

Ngacmimi i muzës m`i bie me daltë mendimit

Këngët e pakëndueme zbresin fletëve, të bardhës

Metaforat mbushullojnë akte të përmallimit

...
4.
Përditë mes vargjesh mendim tjerr

E freskoj me all kupën e mendimit

Ti varg e di se të djeg ky ballë

Por muzën s`do ta ndal edhe kur më zë pikëllimi

...
(Poezia: Vargje mes mallit, / Etje në fjalë/, G. Ajgeraj, 2014)



Pra, tanimë vargu vjen si shpërthim, si dhunti e brendshme, e cila nuk e ka më fare për brengë aktin e frikës, dhe as që mund të imagjinohet brenda vargjeve, por kemi të bëjmë me një besim të plotë në magjinë e muzës së mendimit dhe të fjalës, si rrjedhë besnike ndaj imagjinatës së krijuesit. Ndoshta për sa i përket frikës, me një lloj doze mosbesimi, mund të flitet tek në publikimet e para, por ato tanimë do t’i takonin së kaluarës dhe dekadave përpara, dhe larg së tashmes. Ky definim tregon se në udhën e artit duhet të hyhet me besim dhe guxim, për ta provuar magjinë e tij. Për këtë, do të vlente ajo fraza që e dhamë për hyrjen në liqe, për ta provuar thellësinë e tij. Dhe sigurisht se udha e artit të bën edhe të gabosh ndonjëherë, por ato gabime gjithmonë duke synuar t’i mënjanojmë brenda ecjes sonë në rrugën e artit, me punë dhe besim në vetvete. Dyshimi, ndrojtja, frika, s`do të na nxirrte askund, gjithmonë do të mbeteshim humbës.

Dua të dal edhe tek një fenomen tjetër, në këtë rast tek besnikëria ndaj ndjenjës dhe asaj që e ngacmon atë. Ndoshta kjo edhe e përcakton origjinalitetin e asaj për të cilën jemi përcaktuar ta formësojmë në varg.

...
Po i lëmë shumë fjalë kësaj bote e s`do marrim asgjë me vete

Dhe do iki duarthatë pa asgjë në gji e asgjë në xhep

Le të themi se fjalët e mira janë drita e kësaj bote, ti hapësirave trete

E të themi se i dhashë gjithë çka pata, asaj që quhet jetë


Po i lëmë emrin dhe hijen që na ndoqi nga pas

Me vete s`po e marrim vetëm deri te guri mbi dhe

Lum ai që i la dritë emrit kandil hijes që s`ju nda

Dhe iku, plot dhimbje nga ne


Me ikjen secili një ditë ka për t`u takuar

Lum ai që të mirat i lë mbi këtë dhe

e vetëm do t`i marr dy këmbë e dy duar

E emrit një kandil që t`i bëjë dritë përherë


(Poezia: Lum ai që emrit i lë dritën, /ETJE NË FJALË/, 2013, G. Ajgeraj).


Mendoj se ilustrimi më i mirë për temën që po e trajtojmë, do të ishin vargjet, sepse ato janë shpirti dhe ndjenja e poetit, brenda së cilës shpaloset brendësia e tij, shpirti dhe besimi poetik, që ka për artin e fjalës. Kur e them këtë, sigurisht se më duhet ta parafytyroj lexuesin, ta imagjinoj atë, por assesi të brengosem për veten, por për ndjenjën që do t’i krijoja atij, sepse në këtë rast do të isha vetëm imagjinata dhe hija e asaj që po e përcjell ky rrëfim. Sepse ndjenja e ime, ka rrjedhur brenda vargut, dhe ajo ka krijuar një çast shfryrje, lumturie, në çastin kur ka hyrë në varg, dhe të shpresojmë se të njëjtën ndjenjë, vargu do t’ia krijojë atij që e shpalos vargun.

...
Thatësi në fjalë, në shpirt në mungesën tuaj

Silueta të trazuara në kolonën e mallit dhe orën e prishur

I huaj mes të huajve dhe damkën e përbuzjes prapa shpine

Me se ta zbukuroj fjalën, ç`t’i jap vargut, në këtë thatësi alpesh

Ku fjala shkrumbohet buzëve nga zjarrmi e mungesës suaj

Ku kënga digjet thatësisë së mallit, ende pa i vënë notat në

pentagramin e udhëve që shkrihen në lot, e dita bëhet pelin

Mungesës vizatojmë portretin e mallit, etjes ledhatojmë ngjyrat

Me tingujt e dhimbjes i ngushëllojmë vargjet që të mos na i zërë

Harrimi i mallkimit të udhëve në kolonat e ikjes pa arbitër

Himnit të largësive ngrij flamurin e ylbereve të fjalës

Largësitë tek i lidh nëpër jehonën dhe krismën e saj

Që na nxjerr nga harrimi e më kthen atje ndër lisa

Mes dashurisë tuaj mes ëndrrave mes kullave të shkreta

Ku përhyjnojmë ecjet tona e ditës i vëmë një emër

Me netët e vona gëzojmë edhe kupën e qiellit e atdheun

Ku breznive u vëmë emra burimesh lumenjsh e malesh

E na shtohet kënga jonë nëpër ecjen plot dritë për të nesërmet

Që do të vijnë të bardha si rrezja mbi Sharr

Për Vërrinin ku ruaj këngët e pakënduara të moteve barbare

Dashurinë për lirinë të bërë shkrumb nëpër kulla

Qëndresën nëpër mote dhe besimin për dritën e së nesërmes

Rritën time në kulla e porosinë e plisbardhit pranë oxhaku

Për besën e ruajt ndër shekuj traditën e kullës

Ç`t’i jap më shumë vargut në këtë udhëtim alpesh

Kur ikja mbytet zjarrmisë e kolona e mallit më lë vetëm

Pos ngushëllimit se një ditë do mbathim mbathcat e do nisemi


                                          Zvicër, janar 2013


(Poezia; Etje në fjalë, / ETJE NË FJALË/, 2013, G. Ajgeraj).


Natyrisht se ajo që lexojmë brenda vargjeve, ka shumë rëndësi, dhe në këtë periudhë që po flasim, na e kufizon të drejtën për të folur për besimin personal, brenda vargut letrar, mirëpo, po t’i bënim një zbërthim, sigurisht se do të ishte me interes. Nëse jo ashtu, të paktën një kronikë udhë-përshkrimi e udhëve të artit, si një përvojë e vogël personale do të ishte në shërbim të lexuesit tim. Ja dhe një poezi për fund të kësaj shpalosjeje të udhëve të artit tim, në mënyrë që tempin e freskisë së lexuesit, ta mbajë të freskët, përmes metaforave të vargut, duke dëshmuar edhe njëherë besimin në fjalën dhe në vargun që e kultivojmë me plotë dashuri.

...
Ty fjalë e artë që s`të thyen as furtunat e shekullit

E u rrije dhimbjeve që kullonin si melhem shpirti


Me ty i mbushulluam me dritë shpresat e ditëve të errëta

Nëpër qëndresën e moteve ta rishpalos kushtrimin

Sa guximshëm na prin për të nesërmen


Siç lëshon shkëlqimin dielli mbi Sharr

Edhe atëherë kur retë e zeza ia vrasin rrezen

Për të mos e humbur kuptimin dita


Dhimbja e tyre nga vragët e plagëve nëpër shekuj

M’i therin edhe këngëve të pakënduara të së nesërmes


Guximi i saj m’i rri plis mbi vetull krenarisë së të sotmeve

Si një pëllumb i bardhë nëpër qiellin e bardhë

Që flatroi guximshëm edhe nëpër hapësirat e errëta


Ta dëgjoj kumbimin tënd në këngët e lira të atdheut

Tek shpalos kujtimet e dhimbjeve të shkuara

Dhe marr fuqinë edhe më, t’i zbukuroj së ardhmes


Dhe sa herë shikoj në pasqyrën e së djeshmeve

Mungesa e lirisë tënde të plotë dhe guximit tim kryeneç

Na përballin me furtunat e zeza të shekujve dhe gjarprin

që na rrinte mbi kokë

E na i praronte prangat për gojën tënde


E për guximin tënd


Asgjë s`mund të ta thyente dritën e mendimit për të nesërmen

Ti triumfove guximshëm me besimin për lirinë…


Prizren, 2004


(Poezia: Ti fjala ime, /ETJE NË FJALË/, 2013, G. Ajgeraj).


Për fund, ashtu siç nuk mund t’i numëroj krijuesit dhe veprat, por edhe artet e tjera, që më kanë frymëzuar në udhën e artit poetik, sigurisht se tanimë pas disa dekadave në art, nuk do të mundja t’i numëroja edhe krijimet e mia, që do ta dëshmonin gjithë atë që e shtjelluam brenda kësaj teme, por shpresojmë se edhe lexuesi duhet të jetë një lloj hulumtuesi i cili gjithnjë e më tepër do të bëhet shumë kërkues, edhe në shpalosjen e veprave tona, prej nga do pasurojë vizionin edhe për rrugën dhe artin tonë si tërësi. Dhe me këtë, sigurisht se do të bindej gjithnjë e më tepër, në besimin tonë që e ndjejmë në rrugën e artit dhe asaj që e transmetojmë në libra.

                                          Zvicër, Gusht, 2014


Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen