RECENSION
Prenda Sejdia
Gëzim Ajgeraj: ETJE NË FJALË, Poezi
Ka botuar romane, monografi, tregime e ese, a vëllime të shumta poetike të
stileve të ndryshme.
Me një kontribut të pashoq në
fushën e kulturës dhe të artit letrar në tërësi dhe veprimtarisë së botimeve.
Ndërlidhet në mënyrë të veçantë me revistën vjetore tashmë mbi
njëzetvjeçare, “Revista Metafora”, kjo revistë shumë e rëndësishme për poetet
e, madje, poetët e rinj në veçanti, pa dyshim dhe Kosovën.
Gëzim Ajgeraj gjendet në krye të atij klasifikimi me shumë vepra e botime,
duke sjellë për lexuesin e gjerë brenda e jashtë kufijve shumë shkrime e
krijime interesante.
Kështu që bota e tij krijuese,
strukturat përmes njohurive të pafund, diapazonit të gjerë dhe dashurisë së
pakufishme për artin dhe letërsinë, ku shpalos hareshëm e plot finesë efektin
stilistik figurativ dhe estetik.
ETJE NË FJALË
Vepra poetike e radhës: “ETJE NË FJALË”, e
cila përbëhet nga 78 poezi, ku dëshmon një konceptim mahnitës ky poet me vizion
e botë të madhe, që vazhdoi në gjurmët e Borgesit, ndaj dhe shprehet me
definicion se poezia është shprehje e së bukurës nëpërmjet fjalëve të thurura
me finesë dhe në mënyrë artistike. Në këtë vëllim, përmes vargut poetik,
shpërthen me trajtat e ligjërimit mbi aktet e kthimeve dhe përvëlimit të
mallit, duke shprehur ëndrrat e pafundme për atdhe, përmes forcës së fjalës, ku
fjala brenda magjisë së vet krijuan atë figuracion artistik ndër vargje dhe
kështu jep imazhet reflektuese, kur brenda muzës së mendimit lind ideja se në
vete mbërthen një kohë të gjerë, ku mbështjell vitet në mërgim.
/Ç’pikoi pena e fjalës vesës së mendimit
/Dhe ngriu në varg si një kokërr vesë
/Zjarrmi e përmalltë ma shkriu pendimin
/Mbeten metaforat pa pikë e pa presje
Nëpër këto vargje “Motiv me mall” plot
metafora, ku vargu i tretë tregon atë ndjeshmëri që fiton një farë çlirimi, ku
mendja e krijuesit shpik lëndën ku:
“Zjarrmi e përmalltë ia shkriu pendimin” me
një ndjenjë epike dhe tragjike, ku heroi na prin brenda muzës së mendimit, ku
brenda vargjeve kërkon hapësira, ku mall dhe brengë i shpreh përmes metaforave
dhe thellësisë mendimit.
Në
fakt, çdo poezi ka ndjeshmërinë dhe ritmin e saj. Që të funksionalizojë parimin
krijues është e natyrshme të parapëlqejë kodin tematik dhe estetik.
Në
krijojmë përfytyrimin dhe shpërfytyrimin e harresës, mahnitjes, ikjes, durimit,
vetmisë, mallit, plagëve, krizave, klithmës së lirisë, shënjestrës së armikut,
lashtësisë, errësirës e dritës, mungesës e shpresës, etj., të cilat janë
trajtuar ndër tema të shumta e të larmishme të këtij vëllimi.
Situatat dhe ngjarjet, detajet dhe rrëfimet
metaforike zbulojnë fuqinë e dimensionit dhe kuptimin e ndjeshmërisë së thellë
të atdhetarisë mbivendosur në relacionet midis stilit, figurës a ritmit.
Kjo
cilësi e formëson deri në ngurtësim e hera - herës botën e poetit, duke
shpërthyer në sfondin e përjetimeve, ku renditen sipas shkallës përjetimit,
pra, ku ka mall e dhimbje ka dhe shpresë.
Aty ku mendohet se ka harrim, ka më shumë
dashuri.
/Unë jam këtu qysh se puthej toka me qiellin
/Rrënjët i kam thellë në zemrën e tokës e kokën kah qielli
/Rojë i bëj shekujve kah parakojnë furtunshëm këtejpari
/I bëj roje tokës, kullave, lashtësisë stërgjyshore
/Dhe shqip i flas dheut bjeshkës të m’i ruaj këngët
Kush
janë qirinjtë e galaktikës së Gëzim Ajgeraj në këtë vëllim poetik, ku përpiqet
të kapë ndriçimin, spërkat ndjenjat e mendimet, si autokton brenda vendit
stërgjyshor, ku ndjenjën shpirtërore e lidh me zemrën e tokës dhe qiellin si
mbulesë? Tregon krenari të pamasë për ekzistencën shumëshekullore apo bërjen
ballë të furtunave të fuqishme, që kanë përjetuar brezat, dhe forcën e pamat që
tregon kohërat, por edhe premtimin që i bën vetes për të përmbushur amanetin e
të parëve. Por, edhe dëshirën e madhe e dashurinë e pamasë ndaj kullave të
lashta stërgjyshore e ndjenjën e thellë për tokën mëmë.
Por
edhe forca e mendimit mbi ruajtjen e gjithçkaje që trashëgoi. Pra, kjo është
pikërisht fuqia filozofike e poezisë dhe majat e fjalës brenda së cilës
shkrihet e fshihet një botë e thellë mendimi, si botëkuptim i logjikës së
thellë e fuqisë intelektuale të krijuesit, ku forcën magjepsëse të tij e shohim
brenda kësaj filozofie të vargut.
Fantazia
për krijuesin është shumë e përafërt me botën reale së cilës i referohet, duke
krijuar premisa të kapshme e logjike e ndjenjat emocionale të lexuesit dhe
shpaluesit e ndjenjës së vargjeve.
Kur e them këtë, sigurisht parafytyron
lexuesin e imagjinon atë, sepse do të ishte vetëm imagjinata dhe hija që
përcjell, ndaj vargu do t’ia krijojë atij që e shpalos vargun.
/Me tërbim korbash ranë bishat e veriut
/Vranë prenë e dogjën gjithçka rrotulluan së prapthi
/Medet ç’egërsirë është njeriu fatkeqësi e kësaj toke
Kumt
i frikshëm, që përmenden shpesh ndër vargje e poezi, me mllef ndaj egërsisë së
njeriut dhe dukshëm shpreh zemërimin në fjalë se bishat e veriut u dyndën mbi
atdhe dhe përshkruan mes zemëratës maskaradën që përjetoi njerëzia.
Me
figuracion e sjell njeriun egërsirë që djeg, pjek e shkatërron ç’i del përpara,
ndaj ndjenja që përjeton poeti për njeriun e kthyer në egërsirë vjen në mënyrë
të përsëritur në tekst, por në forma të ndryshme, me frymën e trajtave
gjuhësore dhe kap efektin stilistik, figurativ dhe estetik.
Forma
më e përshtatshme për të shpalosur potencialin që mbart autori brenda vetvetes
është dhe gjendet brenda artit dhe magjisë së tij, pasi është shija njerëzore
që ngacmon njeriun, ku gjithnjë ushqen shpresën dhe frymëzimin për tokën
stërgjyshore atdhe e komb. Ndaj, brenda vargjeve gjejmë ato elemente që ngacmon
imagjinatën e reflekton në vargje.
Pra, sado e fuqishme të jetë dhe vlera të
mëdha artistike të ketë, gjithçka varet nga ndjenja e shijes që ngacmon
lexuesin.
Në
këtë vëllim poetik të stilit për të rritur s’ka se si të mos të bien në sy
poezitë e gjata plot brendi, finesë dhe hermetizëm.
Vargje,
ku flasin shumë sa një jetë e tërë me thellësi mendimi, ku përmes fantazisë
shprehet në art, duke u kthyer misionar i prirjes së zhvillimit dhe i ecjes
njerëzore me largpamësi marramendëse brenda boshtit të temës dhe poezisë. Pra,
muza e poetit është edhe burimi i artit të poezisë, ku bart shpirtin e epokës
së caktuar, ku përcaktohen vlerat, që ka ky lloj arti, siç është ky vëllim poetik.
Poeti
si një shkronjës, këngëtar, i cili të bukurën e shpirtit e transmeton përmes
fjalës, është magjia e vargut, pasi është fryma e tij e kënga e shpirtit.
Zëri
që na josh në poezi, jo vetëm me vargun, por me një krijues, ku shkrihet i
gjithë shpirti dhe mjeshtëria e artbërjes.
/Ju mbushulloi drita nga rrezet e mallit
/Të mos ju mbyt hije e largësive
/Edhe kur harrimi verbon
Vargu
nis nga individualja. Bëhet mesazh apo thirrje për një shoqëri të gjerë me të
njëjtat ndjenja, karshi mallit e largësive, rrjedhimisht, mbi interesat
kombëtare, ku vjen si shkëndijë dhe dritë që hap shtigje, ta ndjejmë, ta shohim
a ta prekim përmes vargjeve, me shkëndija dritëdhënëse, ku fjala bie mbi
auditorin e gjerë, ku qëndron magjia e vargut, ku nga një ndjenjë individuale
që ndjen poeti e përcjell te publiku i gjerë.
Magjia
e vargut ka arritur qëllimin përmes mesazheve që ka përçuar tek shoqëria e
gjerë.
Për poetin, poezia është kënga e shpirtit që
merr udhë përmes mjeshtërisë së fjalës dhe diapazonit të gjerë të tij.
Nuk
flas për klasifikim të muzikës, por shembulli përkon me afërsinë që e bën atë
dhe dëgjuesi është afër tij, duke pikasur ndjenjat që ju krijon dy palëve.
Them se mjafton përshkrimi mbi përafrimin mes
këngës dhe poezisë, gjithashtu, edhe këngëtarit e poetit.
Pra, sa më shumë ta zbërthejmë botën e
brendshme të poetit, si dhe poezisë e artit poetik, aq më brilant e gjen e plot
larmi koloriti.
Në
këtë vëllim poetik fuqia e fjalës është tejet e dukshme.
Thënia
e Robert Luis Stevenson se: “MATERIALI I POEZISË ËSHTË FJALA, E FJALA ËSHTË
DIALEKTIKA E JETËS” u kthye në motiv për Gëzim Ajgerajn, pasi rëndësia e
vendosjes saj në vendin e duhur ka shumë peshë, sepse nga mjeshtëria e
vendosjes së saj do të varej bukuria, estetika, fuqia e poezisë, mesazhi e
ndjeshmëria e saj te lexuesi. Jo gjithmonë për fjalën në varg, autori nuk e
mendon si fjalë të përditshmërisë, por atë e mendon si metaforë pasi aty ai
fsheh botën e filozofisë dhe mendimit të thellë poetik.
Ashtu si Borgesi edhe Ajgeraj thotë:
“POEZIA MUNDOHET TA SJELLË GJUHËN NË RRËNJËT
E VETA”.
Fakti
se brenda artit të poezisë ruhen, trashëgohen, por dhe krijohen fjalë, të cilat
i pasurojnë fjalorët deri në përsosmëri të tyre, duke e transformuar në
simbolikë e metaforë, që i japin kuptim
vargut apo poezisë e shndërruar atë në kuptimësi të gjerë, ku ngacmon
imagjinatën e lexuesit, pasi magjia e fuqisë së fjalës së autorit ndez
shkëndijat e shpresës përmes vargut poetik.
Pastaj
muzikaliteti te poezitë e këtij vëllimi dhe tingëllima e fuqisë së tij tek
depërton thellë brenda shpirtit të atij që e lexon atë - janë mjaft të
rëndësishme për poezinë.
/Arën tonë e korrte xhandari i veriut
/As edhe qiranë e tokës s’na jepte
/Me pushkë i ruante sheshet
/Që rrezja e diellit nis të zbriste në tokë
Një makth i thellë që gërryen ndjenjën e
autorit, për gjestin barbar të ushtruar mbi bashkëkombës, pushtimi që i bëhet
një populli a kombi të copëtuar.
Armët që janë të dukshme sheshit sa ta kall
krupën me atë egërsi sundimi, që pllakos e sjell ethshëm ndër vargje, si një
kohë e errët dhe e paharrueshme që shoqëria përjetoi.
Dhe,
në mënyrë filozofike, përmes vargjeve plot metafora, përmes ankthit shton edhe
mungesën e rrezeve të diellit, ku përmes këtyre vargjeve sjell njëmijë
kuptimësi e mesazhe më vete në formë të plotë dhe imazhin që jep në gjuhën e
shkruar, ku gjatë leximit të vargjeve ndjehen gjithnjë këto problematika.
Ndaj,
konstatojmë se në gjuhën e vet secili varg ka impulset e veta në trazimin e
ndjenjës së të konceptuarit.
Poeti
përmes këtyre vargjeve nuk flet për individualitetin, por për ndjenjën e
shumicës që arrin ta perceptojë.
Poeti ka bërë përzgjedhjen e metaforave, pasi
i njeh, identifikon dhe i jep, duke përkuar me emocionet e përzgjedhjen e tij
dhe formulon vargjet, duke krijuar ngjashmërinë e mesazhit.
Gëzim
Ajgeraj ia ka arritur që lexuesi të ndjejë atë që ka ndjerë ai si një përjetim
çasti, duke përçuar këtë ndjenjë përmes fjalëve.
Pa
dyshim, se ky libër është pjesë e letërsisë së avancuar, bërthamë e letërsisë
bashkëkohore, që këtij autori do t’i kushtojë në historinë e letërsisë, duke
qenë model frymëzimi dhe përcjell ide për studime të reja për poetët a
studiuesit, si dhe shkrimtarët bashkëkohorë, duke bërë që ky libër të meritojë
vlerësim maksimal.
Urimet
mia më të sinqerta për poetin, por edhe për lexuesin e Gëzim Ajgeraj!
Suksese librit!
Lezhë, 12.12.2020
