Disa poezi nga libri: AGMIA E FJALËS, Botuar
nga "7 DAYS", Prizren, 2022
Sogje
Kam një jetë shikimi më është ngrirë
përtej guri
dhe nuk më ndahet një hije e zezë
për asnjë çast
seç më mban peng ideali
dhe ajo bjeshkë e ndarë atje majë mali,
e ai gur
mbi plagë ç’më rëndon
shpesh ma zë rrezen e diellit mbi Kukës
e me pamjen e brishtë
dritën ma verbon
mbi Prizren
eh, kam një jetë që i kam vënë syrin
se si erdhi ora
se diellin me copëza
po e shoh
2022, Prizren
Vegullia e diellit të zënë
Syrin ia gërvishten diellit
derisa ia zbehën rrezen e kristaltë
të shkëlqimit
hiena nate rizgjuan
nostalgjinë e moçme
miopët
matrapazët
argatët e dreqit
antikombëtarët
orla nën qiellin e amulluar
nëpër verbërinë e moteve
edhe zogjtë e tu luajtën lojën e korbave
këmishës tënde të shqyer
shitën copëza
asht nga ashti yt
e gjak nga rrjedha
e damarëve të tu
shesh i bajraqeve hileqare
në arenën e ligësive
mbete arenë e etjeve të fqinjëve
në duart e argatëve të tu të shitur
2022
Udhëkryqet e shpresës
Nga koka, nga muza
na e pëlcitën mendimin
shpresa po thyhet
si kristalet
në buzët e njeriut
nga më të bukurat ditë
që s’po pikojnë lumturi
në kob shtrydhet koha mort
motet kovidiane
ia zunë frymën mendimit të mirë
e lanë pa qiell
tanimë
gishtat gati mbi sustat e kuqe
dhe atomi gati
luftërat dhe planet
e pakësimit të njerëzimit
strategji komitetesh
e kujt është
kjo botë
2022
Sa herë shfletoj fletët e historishme
Sa herë hap fletët e ikjeve të historishme
Deshifroi ditët e dy dekadave më parë
Dhimbja trazon plagë e ndjellë trishtim
Fletë -fletë shpaloset dhuna e kobzezës
Mbi shtatin e Dardanisë
Tek përpëlitemi ecjes drejt së nesërmes
Assesi s’ dua ta harroj
Udhën e qëndresës
Dhe luftën për të kapur pak rreze diellin
Për shtatin tim të lodhur errësirës
Kulla të shkrumbuara deri në themel
Kodra që ndrydhen varreve
E gropa që presin eshtrat e atyre
Që ende s’ u kthyen
Nënat tek vajtojnë mbi dhimbjet e tyre
Fëmijë me rritën e këputur në mes
Pleq e plaka të vrarë në pragun e kullave
Dardania ime plot plagë
Edhe sot si këtu e dy dekada më parë
Ende kriminelët e Kalamegdanit
Ngritin hierarkinë e lavdisë mbi gjenocidin
Tek thurin lëvdata për krimet
Dhe gradat që i bartin turpshëm mbi shpatulla
Dhe numërojnë kokat e prera shqiptare
E kurrë nuk i thirrin pendesës
Dhe sa herë hapë fletët e ikjeve të historishme
Kriminelët e Kalamegdanit të zi
I shoh me një barrë krimesh e gjenocid
Që edhe sot e për dy dekada
Pinë verën e lavdisë së krimeve
Dhe pozojnë sharlatanizëm
Salloneve të Evropës plakë
Dhe sa herë shfletoi fletët e ikjeve të kuqe
Atdheu më fton në vigjilencë
Gjyshi plak me amanetin:
Kullën, frëngjinë dhe syrin vëngër
Kah veriu i zi
Shkurt, 2022
Largësia
Në secilën muzë të fjalës
në secilën fjalë
Kam vënë nga një lule
Të ma ruaj të freskët
Aromën e kujtimeve
Të lëna diku larg
Në secilën fjalë
E në secilin varg
Kam vënë inicialet e emrit tënd
Të m’i thirr orë e çast
Mosharrimeve
Në secilin varg
E në poezi
Kam gdhendur dashurinë tënde
Të m’i ruaj të freskëta
Kthimet
Zvicër, 2022
Me mallin morëm bjeshkën nën këmbë
Me mallin morëm bjeshkën nën këmbë
dhe bora tufa- tufa që s’i jepej diellit të prillit
horizonti më shkrihej përmallshëm dritëzave në sy
dhe pak shafran tek ndrydhja për sheqerin tim të tepërt, shtrëngoja nën dhëmbë
shkrumbi alpik tek me shkrihej në gjoks
nën freskinë e borës së bardhë të prillit mbi Sharr
eh, sa më qenka mbledhur ky mall i mallkuar si një topth
e po shkrihet përmbi tufat e borës këtu mbi Sharr
rënduaka, rënduaka sa bjeshka ky i djegshmi, imi mall
e shoh tek shkarkon lehtë e lehtë këtu përmbi Sharr
rëndon bash si ky gur i zi përpara syve të mi të përmalltë
tamam si ai gur kufiri që përtej Iliridën ma ndanë
pak përtej ç’më përmallë e çmallë një kambanë
blegërimat e njoma të qengjave dhe fyelli i një bariu m’atë anë
më trazojnë ca kujtime të një vargu të mikut të madh të pendës
dhe ca vargje për qengjin e vargut agollian
pa dashje dhe loti e përmallimit pikon nganjëherë
e bie mbi shkëlqimin e diellit të prillit plot shkëlqim
janë dhimbjet e udhëve të përmallta të dekadave alpike
që shkrihen tinëzisht nën qerpikun e syrit tim
hapat e mia ecin e ecin e s’di nga më çojnë
përtej bjeshkëve të mbuluara ende tufa - tufa me borë
këtë mall timin që ato ma trazojnë
dua ta shkrij si një dhembje shpirti e ta freskoj mbi to
Mes kufirit Kosovë - Iliridë, 24 prill, 2022
Gjurmë
Nëpër rreket e mendimit
rrjedhin si të ëndërrta kujtimet
dhe koha e zymtë e ikjeve të zbehta
merr imazhin e vegullt
në portretin e së shkuarës
nga ato imazhe që kanë mbetur
mosha e dekadave dhe udhët
mbollën të tjera imazhe
e hodhën të tjera ngjyra
mbi guernikën e kohëve
gjithçka mori ngjyrën
e një largësie alpike
që ra dhunshëm mbi portretin e Sharrit
tek vizatoi udhë, udhë e udhë
2022, Prizren
