Samstag, 26. September 2020





















GAZMEND BEQAJ

EMRI I TIJ MË I MADH SE VDEKJA
/ Ibrahim Rugova /

Kur të tjerët të frikësuar
shartuan gjuhën
e heshtën të përulur
ai qetë e urtë ndër vite
gjeti rrugën e durimit
gjer te thellësitë e urtisë…
që mos të gervishtet heshtja
nga ndryshku i pabesisë

Se krejt ata që mësojnë notin
nuk dalin me ëndrrën në breg
se ëndrra e madhe
kajherë di ta vret
edhe ëndërrimtarin e vet

Kur hijet e dyshimeve
frikshëm klithën
me dhëmbjen e plagës së thellë
me guximin që bëhej 
sikur gjitha dredhitë e jetës i di
me flakën besimit të tij
që kurrë s’bëhet hi
ai u rilind përsëri…

Në kërkim të ëndrrës

Mos e kthe kurrë më
kokën pas 
bija ime…
Sado që kam mall
sado që sa shumë dua 
të të kam pranë…
Mos lejo të të zë gjumi
nën hijet me kujtime
se ëndrra e do guximin
e jo gjumin 
bija ime…

Mos e kthe kurrë më
kokën pas
bija ime…
Ndiqi thirrjet e zemrës
me urti me ëndje 
në kërkim të fatit të shkruar
në kërkim të ëndrrës tënde…
Se gjethet kanë po atë peshë
bija ime
është koha ajo
që i rrëzon në vjeshtë…

Mos e kthe kurrë më
kokën pas
bija ime…
Me fluturat e shpirtit të trazuar
ti nisu si uji në krua
në kërkim të etjes së filizit
për jetë…
Me ëndrrën në sqetull 
e me shumë shpresë
se dashuria në ty
kurrë sdo të vdesë…

Vdekja e atdheut

Atje është atdheu
biri im
atje ku merr frymë lirshëm
e je i lirë
ku shpresa jote gjen veten
e ti ndjehesh i arrirë
atje ku gjurmët mbijetojnë
hapin tënd
e caku yt ndrit hir...

Atje është atdheu 
biri im
përtej lumishteve të heshtjes
që ngjallin frikë
përtej fatit të nemur
të zënë në pritë
përtej etjes së filizit për jetë
që edhe gurin çan
dhe rritet përpjetë…

Atje është atdheu
biri im
atje ku fjala jote
lë gjurmë
e ëndrrat e tua
të lënë pa gjum
atje ku krismat e marrëzisë
me urti shndërrohen 
në melodinë e dashurisë…


POETËT

Poetët jetojnë një jetë pak si më ndryshe
pa naze pa luks krejt thjesht
e ndjejnë dhembjen në heshtje
edhe kur bie gjethja e zverdhur në vjeshtë

Poetët ecin flasin ëndrrojnë më ndryshe
duke shkruar vargje sikur bëjnë dashuri
ëndjet e tyre si poezi i fusin në shishe 
në detin e trazuar t’shpirtit me valë e stuhi

Poetët jetojnë pak si më ndryshe
të shpërqëndruar të shkret krejt vet
të dashuruar në fjalën pa mëdyshje
gjithmonë një hap para kohës së vet