Gëzim Ajgeraj
KUR
SHTËPIA NA HARRON
Kur të piqet vjeshta, në
mollëzat e fushave,
kur pemët të zhvishen, si njerëz që s’kanë më ç’të fshehin
dhe toka të mbulojë me gjethe, varret e verës,
atëherë ndoshta, do të
kujtohemi për rrugën.
Do të kthehemi...
Por rruga nuk do të jetë më
ajo, që dikur e njihte hapin tonë,
do të ketë mësuar gjuhën e barit, dhe do të na shikojë
si një plak i harruar, që kërkon në fytyrën tonë, emrin e dikurshëm.
Nëna, eh, nëna...
Ndoshta atëherë, do ta ketë
vjelë rrushin, me duar që dridhen nga koha
dhe mbi raftet e heshtura, do t'i ketë radhitur ftonjtë
si kujtime të verdha, për nipër që u plakën larg.
Do të ketë lënë, dardhat e
mollët mbi kashtë,
sikur të ruante, një stinë për kthimin tonë.
Por disa pritje, plaken më
shpejt se njerëzit.
Dhe kur të mbërrijmë, strehët
nuk do të pikojnë më lot,
do ta kenë mësuar heshtjen.
Oborri do të jetë tretur, nën
barin e gjatë,
si një kujtim, që askush nuk e ka thirrur prej vitesh.
Porta...
Ah, ajo portë, do të jetë
mbuluar nga ndryshku,
një plagë e kuqe në trupin e shtëpisë.
Do ta shtyjmë ngadalë, dhe ajo
do të kërcasë
jo nga gëzimi i kthimit, por nga dhimbja,
që dikur e kemi lënë pas.
Qeni i shtëpisë, nuk do të
ngrihet.
Ndoshta do të ketë ikur edhe
ai në amshim.
Ose ndoshta, qeni është vetëm
një metaforë
për kohën:
ai që dikur na njihte nga
larg,
sot nuk njeh më as erën tonë.
Loket nuk do të jenë më ulur para
portave,
me duart mbi gjunjë, dhe sytë përtej udhës.
Do të mungojnë, ato gra të
vjetra
që dinin historinë e çdo hapi, pa pasur nevojë të pyesnin.
Fëmijët e lagjes, do të dalin në prag
dhe do ta pyesin njëri-tjetrin;
Kush është ky?
Dhe kjo do të jetë, goditja më e dhimbëshme e kthimit;
të kthehesh në vendin tënd, dhe të kuptosh
se je bërë i huaj, për kujtesën e tij.
Atëherë do ta kuptojmë
se njeriu nuk largohet vetëm nga vendi.
Largohet pak nga pak, nga
vetvetja.
Një ditë nga oborri, një ditë
nga nëna,
një ditë nga gjuha e fëmijërisë,
një ditë nga emri që kishte në atë prag.
Dhe kur kthehet, sjell me vete
vetëm
një valixhe me kujtime,
që askush nuk di më, ku t'i vendosë.
Prandaj, nënëloke, mos na prit
pafund.
Koha është një nënë, që nuk di
të ndalet te dera.
Ajo i merr një nga një, fytyrat,
zërat, portat,
dhe në fund na lë përballë shtëpisë,
si dy të huaj.
Ne do të vijmë, patjetër do të
vijmë.
Por ndoshta, do të jetë shumë
vonë
për të gjetur atë që kërkojmë.
Sepse kthimi i vërtetë, nuk
është të mbërrish te shtëpia,
është të mbërrish te vetja, para
se koha
të ta ndryshojë emrin.
Dhe kur të trokasim, në portën
e ndryshkur,
nëse askush nuk hap, mos na
qaj, nënëloke.
Ne nuk u vonuam në rrugë;
u vonuam në jetë.
2026
