Sonntag, 8. November 2020



VITI I MBRAPSHTË

 

Me uratat më të mira e nisëm dhe motin sivjet

Uruam të mira për të gjithë njerëzit e botës

S’pati borë këtu në Alpe e as akull këmba të të rrëshqasë

As janari, shkurti e as marsi nuk ia zbardhën tokës

 

Dimri pak borë mbi bjeshkë apo fare pa të mbikaloi

Alpet veç sa i damkosi e fare nuk u zbardhuan

Klimë e çuditshme me të ngrohtë këtej ra e shkoi

Por, gripe të flamosura shumë shpesh na vizituan

 

Më e tmerrshmja plot ankth na pushtoi në mars

Thonë ka rënë ky corona virusi e u shpall pandemi

Erdhi plot me terror me ushtarë të padukshëm e pa shpatë

I hyri globit mes për mes e thonë se bëri kërdi

 

Njeriun e mbylli në karantinë e s’e la të dalë përjashta

As pranverës kush nuk ia pa lulet mbi lëndina

Sheshet e qytetet u shkretuan e mbetën të thata

Thonë se globin e ka pushtuar apokalipsa

 

U mbyllën dhe udhët, hyrjet e daljet, kufijtë u çelikosën

S’ka lëvizje tek njëri - tjetri apo kthimi në atdhe

Edhe sikur të vdisje a arkivolin ta kenë blombosur

As të të varrosin ku ke lindur mundësi nuk do të kesh

 

Dhe lutet gruaja kësaj katrahure e këtij tmerri

Zot,  ruana të mos vdesim këtu larg në kohë pandemie

Sa vit i mbrapshtë për njerëzimin sivjet na erdhi

As nuk po mund të kthehemi në atdhe -  në vendlindje

           Zvicër, fundmaji 2020




DOZA E PANDEMISË

 

Na tmerroi pandemia ankthit e pritjes e na çmendi kokave fare
Aq më shumë nga paniku e mediet e lajthitën njerëzimin
Nga fjalët e tepërta e gënjeshtrat dhe të vetat halle
Gjithçka u bë e tepërt sa njeriu të humbë edhe durimin

 

Kam frikë se dikujt i ka humbur edhe drejtpeshimi

Në mos mbyllja në burgun e karantinës ia lajthiti udhët e jetës

Në vend se të kthjellemi dhe ta kultivojmë respektin e mirëbesimin

Dikush qartet nga smira e del nga kornizat njerëzore të së vërtetës


Vetes i bën mirë kur dikujt ia mbyll telefonin

Përralla kopilësh e ndërskamca është mirë të mos i dëgjosh

Apo të presësh se ku ta hedhin grepin e të synojnë portofolin

E të çmendesh nga etja e jashtëlogjikës me synimin e tjetrit për kosh

 

Një tjetër e ka zënë sikleti, pandemia e ka çakërdisur fare

Harron deri ku e ka kufirin logjika dhe e drejta e fjalës për mikun

Të thuash se kultura politike na u shtrua në sofra e na u bë ushqim pjate

Na i dha zallahi mendimit e për gjithçka te fjala na ka humbur guri i kufirit

 

Edukata, respekti e kultura janë arti i jetës e i të jetuarit

Sa do që jeta është e vrazhdë edhe mund të na sfidojë

Mendjen e logjikën duhet ruajtur të mos na e pinë sorrat e furtunave

Sepse tjetri ka mendjen e kthjellët të kthen shpinën e di si të të largojë

 

                  Maj, 2020





















DHE PO TË KTHEHESHA

Dhe po t’i kthehesha moshës ende pa vënë brisk në fytyrë
Këngët për Atdheun ndër V'rrina do t’i tundnin malet
Për dritën e së nesërmes edhe pionier do të hyja në ilegale
Me daullen e guximit do t’i tundoja katundet deri në sheshin e Avdylit

Për amanetin e bashkimit kandilin e idealizmit ndezur do ta mbaja

Dhe asnjë hap nga udha e ndjekur s’do ta kisha ndryshuar


Eh, po t’i ktheheshim bankave të dijes e dritës
Diellin e majës së fjalës do ta kisha kërkuar ditë e natë
Me të do të ndërtoja kështjellat ma të larta të vargut e të mendimit

Atdheut do t’i thurja kurorën e vargjeve të dritës
Dhe me brumin e tyre do të gatuaja bukën e pathyer të së nesërmes

Me fjalë do t’i shkundja bjeshkët deri në majën e Pashtrikut


Me ujkun e zi në arenën e sheshit do të ndesheshim përditë
E s’kish skafandër e helmetë që do të na e trembte guximin

Zjarrin në gji për vorbullën e pazier të Atdheut kush s’do ta shuante

As etjen e madhe për diellin e lirë korbat s’do t’i duroja
Ditë e natë zgjimit thirrje e pamflete do t’i shkruaja atje në internate

E me shokët e ilegales deri te sheshi i Lidhjes do ta zbukuroja


Me udhët e ikjes kurrë nuk u pajtuam as me harrimet larg
Por, jo edhe me prangat e kafazit të na mbyllin e te ndrydhemi të harruar

Me dëshirë as lulja kurrë nuk do të thahej në kopsht
As edhe terri s’do t’ia lëshonte dritën e diellit në mëngjes
As zogu s’do ta braktiste folenë e tij kur i turret gjarpëri i zi

Ndaj domosdoshmërisht na zgjodhi për pikë ikja


Jo se udhët na hodhën harrimeve e me harrimet u harruam
Me vete morën shkëndijat e idealit e në mal idealesh e shndërruam

E me kushtrimin e tij sheshet e botës në jehona kumbuan:
Gjeneva, Berni, Cyrihu, Parisi, Berlini... kujtimet në kronika na i ruajnë

Gjurmët e kërkesave tona kujdestarojnë kancelarive deri në zyrat e OKB-së

Dhe po t’i kthehem dekadave përsëri do ta ndiqja të njëjtën udhë


Dhe ora e maleve të atdheut domosdoshmërisht erdhi me flakët
Jo se e kishim kërkuar, por liria nuk po vinte me lule e pëllumba

Ujkut të veriut të zi i duhej zënë prita e përzënë nga oborret e kullës sonë

Dhe jo se na gjeti pritjeve të kota, por e kishim pritur gjatë ditën e flakëve

Pa më të voglën mëdyshje ishim e mbetëm logjistika e maleve edhe nga larg

E kullat në atdhe i kishim bërë strehë dhe sofër për bartësit e dritës

 


E dita e bardhë që mbushi kullat, dritë na gjeti faqebardhë

Gjithmonë në ballë të detyrave për ditën e ardhë
S’na përkuli korba e veriut me skafandra e helmeta
As motet e liga që na i sollën të tjerët me misionet e veta
As bajraqet e ulëta të fiseve e të katundeve me politikat e veta

Mbetem ideal i kombit e i atdheut, se jemi bijtë e shqipes, heu tungjatjeta!

 













Brahim Ibish AVDYLI.

RRUGËTIMET E KËNGËS

1.


E kapa

pranverën e vargjeve

të këndoj

 

e çuditërisht u lëshua

përtej dhembjes sime!

 

Kënga lëshonte lot

prej vargut tim

deri në mjekrën e viteve!

 

2.

 

Nuk dëshiroj

të më përloten të gjitha lulet

e lulëkuqet,

 

as Dielli t’i fshijë sytë

pas shtëllungave te reve,

 

nuk desha ta thyej

korpën e viteve

 

e fjalët të reshin

nëpër vetëtima faji!...

 

3.

 

Tani

nuk mund t`i zë

stinët e përtëritjeve,

 

aromat e buzëqeshjeve

e fëmijët e rritës...

 

Më përlotet kënga

me mallin e filizave të mia,

 

nuk e di çka i shtyri

larg prej meje,

 

e u thyhen vargjet

në një këngë

me ultra zë-

 

oshëtimë

në hapësirë!...

 

 

Hurden, 06.05.2020