KAPITULLI I PARË
Në qytetin buzë Lumëbardhit, terri
sapo kishte filluar të zbriste. Bora e Sharrit që shkrihej, dhe shirat e pranverës, i kishin
mbushur skajet e shtratit të lumit që gurgullonte rrjedhës teposhtë përmes
qytetit. Uji që përplasej gurëve të shtatit të lumit, gjarpëronte valë të vogla
që iknin furishëm rrjedhës, ndërsa shkëlqimi i dritave të qytetit, rrezatonte
shkëlqim mbi ujin e bardhë.
Askujt
s’i bënte përshtypje çiltërsia e ujit, pos Kolonelit, i cili, derisa kishte
zbritur nga autoblinda, aty pranë lumit i hodhi një shikim pjesës së Nënkalasë
së qytetit, që shtrihej deri buzë shtatit të lumit. Gjatë e kishte ëndërruar
ardhjen në këtë qytet, por tani që po e shijonte bukurinë, gjatë kësaj
mbrëmjeje, simpatia për të po i ndizej edhe më. Ditë pranvere.
Gjethi
sapo iu vesh pemëve e lisave që gjendeshin pranë shtëpive e malit mbi qytet.
Petku i këtillë magjepsës, nën dritën e hënës kujdestare, ia shtonte bukurinë
kësaj mbrëmjeje. Koloneli e njihte mirë këtë qytet. Edhe më herët e ka vizituar
Kosovën dhe, sa herë zdirgjej këtej, nuk ikte pa e vizituar Prizrenin. E
lidhnin shumë ngjarje historike nga e kaluara me këtë qytet. Kishte lexuar edhe
shumë libra për të, pastaj sa herë kishte ardhur me detyra ushtarake në kufi,
asnjëherë nuk kishte pranuar të flinte në kazermë. Për qejfi e kishte pjesën e
vjetër të qytetit dhe vendosej gjithmonë në hotelin përballë. Ndoshta
kishin ndikim tregimet e gjyshit, të babait, apo librat dhe, Koloneli, ndjente
lakmi të madhe për këtë qytet. Tanimë që kishte hyrë në brendinë e tij, e
ndjente melankolinë se, një ditë qyteti do të jetë i tij. Melankolinë, edhe më
ia trazonin dosjet sekrete që i mbante të mbyllura në çantë.
Para hyrjes në qytet, nga xhami i
vogël i autoblindës, shikonte fushat që shtriheshin djathtas deri në rrjedhën e
Drinit, ndërsa herë-herë në të majtë shikonte shpatet që ngriheshin deri në
majat e Sharrit. Ato bjeshkë sikur e ngacmonin atë dhe çdo çast e kaplonte
frika se, papritmas mund t’i vijë ndonjë predhë nga andej, ndaj vetëm djathtas
shikonte. Sapo i pa shtëpitë e para të qytetit, dhe, sikur iu largua ankthi.
Kazerma e ushtrisë serbe, që ishte mësuar ta shohë gjithmonë në anën e majtë të
hyrjes së qytetit, nga aeroplanët e NATO-s qe rrafshuar me tokë. Tashmë,
Koloneli dukej si i tërbuar.
- Të poshtër! – e derdhi mllefin ndaj
aleancës së NATO-s, që ato ditë vazhdimisht i goditnin caqet e ushtrisë së
Kolonelit.
Përtej shtriheshin copa muresh,
rrënoja, makineri ushtarake e objekte tjera të djegura deri në themel.
Kjo ia shtoi trishtimin dhe frikën se luftën do ta humbnin. Megjithatë ai nuk
jepej para përcjellësve të tij. Pamjet e vrazhda të këtyre goditjeve, sikur ia
kërcënonin realizimin e misionit. I pari i tij e priste krenar atje lart në
Beograd. Hë pra, ai duhej ta kryente misionin. Do të bëjë çmos. Do t’i shfarosë
shqiptarët dhe do ta shkulë qytetin. Lavdia do t’i ngrihej atje në Kalamegdan.
Mision i lartë në lavdin e tij. Gjatë atyre çasteve, iu kujtuan fjalët e të
parit të tij që ia paskësh thënë përpara nisjes tek po ia jepte dosjet në dorë:
"Ti do të jesh lavdia dhe krenaria e Serbisë". Qe rrëqethur derisa i
kishte marrë në dorë ato dosje.
Tani që udhëtimi mbaroi dhe ai kishte
hyrë në hotelin buzë Lumëbardhit, e ndjente veten të çliruar, ndërsa ndjenja
për çlodhje, ia ngacmonte dëshirën për pushim.
Nuk
kishte kohë. Për pak qaste duhej të vinte delegacioni i komandës që mbahej një
takim. E bëri një dush, ndërroi rrobat ushtarake duke veshur ato civile, dhe u
ul pranë dritares së ballkonit të hotelit. Lëshoi një ofshamë çlodhëse dhe për
pak qaste i mbylli sytë.
Nuk e
dinte nëse ishte lodhja nga udhëtimi apo ankthi që e kishte shoqëruar gjatë
rrugës. Rreziku e priste ndoshta edhe pa menduar, ngase mund të sulmohej
karvani ushtarak, qoftë nga ushtarët e UÇK-së apo nga avionët e NATO-s dhe ta
linte kokën në Kosovë. Kjo frikë e kishte shoqëruar gjatë gjithë rrugës,
prandaj e paskësh zgjedhur buzëmbrëmjen, ngase më pak mund të gjendej i
sulmuar. Ky ankth e kishte dërmuar. Aq më tepër fjala e gruas së tij,
Svetlanës, e cila përpara nisjes i paskësh thënë: Kosova ua ka ngrënë kokat e
sundimtarëve gjithmonë, - të lutem mos shko! Ky zë i gruas së tij i kishte
mbetur në vesh. U zgjua trembshëm nga ulësja ku po dremiste një sy gjumë nga
trokitja në derë e kamerierit që i solli shishen e shlivovicës.
- Më falni zoti Kolonel, ju solla
rakinë e porositur, – tha kamerieri.
- Hë, po, faleminderit! - Lëre aty
mbi tavolinë, - foli me përtesë Koloneli, tek po zgjohej trembshëm, dhe sërish
i mbylli sytë.
Përballë hotelit u dëgjuan krisma
armësh. Koloneli sërish u zgjua trembshëm. Nuk e dinte sa kohë i kishte mbyllur
sytë, por trupi i dridhej nga plogështia që ia kishte krijuar ajo kllapi gjumi.
Shikoi andej nga erdhën krismat. Përballë dritares së hotelit, shpatit përpjetë
shtrihej lagjja “Nënkalaja”, siç e quanin vendësit që popullohej kryesisht nga
bashkëkombësit e tij.
Duhet
të jetë ndonjë gëzim familjar, - mendoi me vete Koloneli, tek po e tërhiqte
vëmendjen andej nga vinin zëra të ndryshëm të muzikës. Kjo po i bënte
përshtypje Kolonelit. Ia kujtonte Valevën, Kragujevcin, Nishin, Beogradin.
Gëzojnë
bashkëkombësit e mi edhe këtu tha ai, derisa po i përcillte tingujt e një kënge
nga muzika popullore serbe. Kush e di ç'festë do të bëhet ditën kur do ta futim
Prizrenin në duart tona. Kjo edhe më tepër ia shtoi lakminë Kolonelit. Çudi,
tha me vete, shqiptarët s'dëgjohen për të gjallë. Po, ç'bëjnë tani ata? Ndoshta
flenë. Nuk është e mundur. Iu kujtua fjala e gjyshit kur i kishte thënë: Ata
edhe kur flenë, janë të zgjuar. Kjo ia dridhi mishin Kolonelit. Shqiptarët...
pëshpëriti ai. Ah sikur të mund ta fshija këtë emër nga faqja e dheut, shfryu
plot mllef Koloneli.
Ky është
fundi i tyre tha, dhe shikimin e hodhi drejt çantës së tij që e kishte vendosur
mbi një tavolinë aty përballë. Kjo e kthjelloi nga ajo kllapi lodhëse që po e
mundonte që prej kohës kur ishte ulur mbi këtë ulëse. Filloi ta ngacmojë
krenaria, se një ditë ky qytet do të jetë i tëri nën këmbët e tij dhe se fjala
e tij do të jetë fryma e këtij qyteti. Me të do të lidhet gjithçka, ndërsa
lavdia serbe, emrin e tij do ta shkruajë ndër të parët në histori. Ndihej i
fuqishëm. Më i fuqishmi i këtij qyteti. Tani më nën çizmet e tij, ky qytet po i
numëronte ditët dhe çdo gjë do të ndryshojë për pak ditë. Dhe, lavdia e
Kolonelit, do t’i prekë majat e qiellit. Edhe atje në Beograd do t’ia lëshojnë
vendin trimërisë dhe lavdit të tij. Do të jem më i merituari i perandorisë
sonë, thoshte Koloneli. Ëndrra të këtilla luante Koloneli. Në derën e dhomës ku
qëndronte, si në befasi trokiti shërbyesi i hotelit.
- Ka ardhur majori, S.! - Ju kërkon
z. Kolonel!
- Thuaj se do të zbres poshtë së
shpejti, - tha Koloneli.
- Si urdhëroni, z. Kolonel! - tha
shërbëtori dhe iku përtej derës.
Koloneli u zgjua nga ulësja dhe
zbriti shkallëve në katin e parë të restorantit të hotelit.