ATA S`U KTHYEN SIVJET
Strehëve të mallit u lëvarrën kthimet
Ylbere largësish u ngritën ëndrrat
Motmoti i Kovidit mbylli gardhiqet e Evropës
Zhgënjimit digjet bukuria e stinës
Malli i mbyllur kafazeve të largësive
Zogjtë e degdisur s’u kthyen strofullit sivjet
Kullave mbetën mbyllur pritjet
Merimangat i dubluan mburojat te porta
Oxhaku i pikëlluar pikon blozën e mungesës
Ata s`u kthyen me verën sivjet
Mbetën ëndrra pritjes diku larg
Deri në ditën kur Korona të jetë harruar
Bibione, 20 korrik 2020
PRITJET MBETËN PENG
Askush nuk ia di fatin e ditës së kthimeve
Udhët mbetën udhëve të pritjes
Malli i shtrëngoi dhëmbët e zemërimit dhe dhimbjen
Dikush po e luan lojën e pangopshmërisë mbi topth
Kasta e treqind koluarëve të fildishta argëtohet
Me fatin e kokave të Zotit, tek ua qep qefinët
Politika i fërkon duart e si ngopet etja
Ujku kërkon mjegull thotë urtia e të urtit
Kokat janë bërë numra mbi këtë topth
Kovid ia vunë emrin gjithë kësaj zallahie
Lëmsh u bë e liga ec e gjeja fillin krimit
Medet ç`lojë bizare po luhet me njerëzimin
Pritjet e kthimeve mbetën pengë mbi gardhiqe
Evropa i mbylli portat e vajtjeardhjeve
Vetëm malli udhëtoi për Atdhe pa ne
Bibione, 21 korrik 2020
Diku larg-larg vendit tim
Ikën vera me hapa të rëndë e përtim
Bluaj ëndrrat e mallit që ikën pa mua me nxitim
E mua më lë këtu në ballkonin e hotelit plot zhgënjim
Nga ky vend i huaj dhe i largët
Këtij qyteti plot vapë e diell përvëlues
Ditën në i thënçin pushime e djeg e e nxij në mërzi
Përplot me zhgënjim përcëllues
Vera po pëlcet nga gëzhoja e pandemisë
As Kovidit s`ia ka hallin e si bindet kësaj enigme
Evropa ka ikur në pushim qetësisë
Veç Ballkani zihet e përzihet kësaj zallahie
Vera po ikën diku larg-larg mallit tim
Në një vend të tretë ku kripa pëlcet në pikë të diellit
Biletat e prera përplot zhgënjim
Mbetën në sirtar duke pritur atje përtej kufirit
Bibione, 22 korrik 2020
VRAPI PAS ËNDRRËS
Kur të të marrin udhët
Edhe i harruar mund të mbetesh
Kthimit si dihet kurrë
Duke e ndjekur ëndrrën
Nata mund të të zërë në shkretëtirë
E dita të të gjejë edhe pa varr
Atje larg ku t’i ndjek mashtrimin tënd
Edhe dielli ajri e toka janë të huajat
Ti dhe vetmia jote jeni një
Një ditë ëndrra jote mund të të shuhet
Edhe qiriu yt të të fiket
Pa ia parë shkëndijën e fundit askush
Jo më kot vrapit pas ëndrrës i thuhet harrim
Bibione, 22 korrik 2020
TI QË NDOQE UDHËN E ËNDRRAVE
Ty që ke mbetur diku larg
Ëndrrat i gjuan me gur
Malli të ka djegur në çdo varg
E fjala plot dhimbje mbi gur
Ty që të ka harruar largësia
Udhët e vetmia jeni bërë një
Nga fjala të pikon orë e çast mërzia
E malli me ty jeni një
Ty që ndoqe udhën e ëndrrave
E myhyrin s’e gjete se s’e gjete dot
Fjala në varg është mbytur dhimbjeve
E kënga të pikon vetëm lot
Ty një ditë edhe ëndrrat do të të shuhen
Edhe vrapi pas fatit të mashtruar
Vetëm fjala e mallit në pergamenën e bardhë e përvëluar
Edhe atëherë kur hija jote të jetë harruar
Bibione, 23 korrik 2020
TI MBETE UDHË
Nga hija jote si mbeti asgjë mallit
as edhe një copëz imazh
të ta ruajë kujtimin
harrimi i ka shkulur të gjitha gjurmët
mbi udhët e ecjes sate
janë tkurrur sokaqet
edhe kujtesës së këngëve nëpër lagje
u është shuar zëri
nga pentagrami i mungesës
Ëndrrat e pritjes janë lëvjerrë avllive skaj udhës
e i bëjnë roje mbathcave të kthimeve
mbi rrjetë merimangash pikon malli
ti mbete udhë e arratisur
Zvicër, Grabs, 2020
HESHTUR FILLIKAT
Të flasësh me heshtjen ulur në kafe
E të grindesh me udhët nëse të kanë marrë
Diku i harruar humbellave të Evropës
Të shërosh ëndrrat nëpër mall
Nganjëherë çastet zemërohen me udhët
Dhe me portat që sivjet na i mbyllën
E nganjëherë arsyetimeve ngushëllohem
Edhe pse largësia e mallit na shtrydhën
Nganjëherë pikon dhe mendim i brishtë
Pandeminë e vitit të mbrapshtë mallkon
Kafeja mbi tavolinë merr pamjen e trishtuar
Duke flatruar mendimeve pa e pirë e harron
Me heshtjen ndodh edhe të grindemi
Mendimeve diku larg në harrim
Sepse asnjëri e as tjetri largësisë së mallit s’i bindemi
Tek na ikën pabesisht e neve në kafene ulur na mashtron
Zvicër, Grabs 2020
Nëse s`më gjeni
Te pragu
Kam ikur
Me zogjtë e malit
Diku
Nëse porta
Është ndryshkur
S`ka kush t’i trazojë
Merimangat
Na ka vjedhur
Harrimi
Nëse kthimet
Kanë vonuar
E i kanë mbytur
Harrimet
Diku nën gur
Më kërkoni nëpër botë
Atje i kam lënë fjalët
Gusht, 2020
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen