PROLOG
- Që në
mesin e qershorit, kur i pari i Kalamegdanit kremtonte fitoren e një lufte të
humbur të një moti të harruar perandorak me bashkëkombësit e tij në një fushë
diku në Kosovë, doli hapur kërkesa për armatosje. Pas intrigave të shumta që ia
vishte pushteti çdo ditë popullit shumicë të Dardanisë antike, i pari i Kalamegdanit,
e kishte zgjedhur pikërisht atë humbje të tmerrshme kundër sulltanisë për ta
kthyer në fitore. Dhe kjo kujtesë, thirrej në një fitore të
"rrejshme". E para, për ta trimëruar pakicën e vet në këto anë, e
dyta për ta mashtruar botën se ky vend na qenka i tyre dhe se populli i tij
kishte luftuar për të. Me këtë kremte, arrinte qëllimet e politikës që i kishte
vënë përpara vetes dhe ngritjes së tij. U kishte premtuar se ditën kur do ta marrë
fuqinë në duar, të gjithë bashkëkombësit e tij do të jetonin të lirë. S`do t’i
prekë askush. Se, ata që do të kenë punë me popullin e tij do të zhduken nga
faqja e dheut. Dhe ata që do të kenë punë me ju, kanë punë me gjithë shtetin e
Kalamegdanit. Nuk ishte hera e parë, që dëgjohej kjo gjuhë e urrejtjes kundër
Albanëve në tokën dardane. Ajo ishte ushqyer për dekada të tëra. Nacionalizmi,
iridentizmi, shovinizmi, e deri në kanibalizëm, ishte fjalori i tij dhe
vartësve të tij atje nga Kalamegdani kundër shumicës së shqiptarëve. Ndërsa,
mesi i qershorit plot vapë, veç sa e kishte forcuar popullimin e tij pushtetar.
Thuhej se, ai ishte përgatitur për një kohë të gjatë në kabinetet e
Kalamegdanit, veçse e kishte pritur çastin e daljes në skenë. Një thënie
tjetër, e nxirrte për “gabel”. Kështu e kishte quajtur Brozi gjatë kohës kur ky
ishte kryetar i rinisë. Dhe çka nuk thuhej, por, i pari i Kalamegdanit, tanimë
i kishte forcuar pozitat. Brozi kishte
ikur qysh moti në botën tjetër. Koha tani po punonte për të. I ushqyer me ide
antishqiptare nga të parët e tij. I dresuar nëpër taborët
e Kalamegdanit, ai ishte njeriu më urryes kundër
shqiptarëve. Pikërisht, dita e mesit të qershorit, kur po përkonte me një
betejë të humbur shekuj më parë, ishte përgatitur nga akademia e Kalamegdanit
për ta promovuar si lider. I gjithë ky promovim i ngjante një tubimi popullor,
diku në një fushë të mbushur me pasndjekës, ku ai tashmë po i krijonte themelet
e perandorisë së tij. Turma që e rrethonte, gjatë gjithë kohës thërriste emrin
e tij, për jetë të gjatë dhe shumë urata tjera. Ajo, herë pas here nxirrte edhe
kërkesa si: duam armë, duam armë ti vrasim shqiptarët, shqiptarët nën dhe,
jashtë shqiptarët, e çka jo tjetër. Kjo e gëzonte të parin e Kalamegdanit. Herë
pas here i shoqëronte thirrjet e masës, derisa grushtin e ngrinte lart në emër
të shtetit. Nuk ishte hera e parë që thirrej para popullit të tij. Tubime
kishte mbajtur mjaft, madje edhe në Kalamegdan. Kronikat televizive ishin
mbushur, madje me finesën e përzgjedhur, nxirrnin në ekran sekuencat më
urrejtëse kundër popujve tjerë. Kjo e bënte më të përkrahur nga populli i vet.
Në popull flitej se i ngjan Hitlerit për nga ashpërsia. Të tjerë shtonin se
pushteti i tij do të ngrihej aq tepër, saqë s`do të ketë fuqi kush më ta rrëzojë.
- Thuhej
se, ai do t’i realizojë të gjitha memorandumet e paraardhësve të tij për
zgjerimin e shtetit të vet. E, çfarë nuk flitej?! Nganjëherë flitej edhe për
faktin se ai do ta humbë çdo betejë dhe
shteti i tij do të ngushtohej deri në pashallëkun e Kalamegdanit. Po, kush
guxonte ta thoshte hapur?! Këto fjalë qarkullonin vetëm ndër shqiptarë.
Ndryshe, po të thuhej hapur, shkonte koka. Egërsia e shtetit të tij, në raport
me shqiptarët, ishte tepër e egër. Shqiptarët i kishte vënë si qytetarë të
rendit të fundit, dhe se, ata s`duhej të kishin shkolla, s’u
duhej liria, meritojnë shtypjen deri në atë masë sa ta braktisin vendin e të migronin në vende të huaja. Atyre, shqiptarëve pra,
jeta duhej t’u bëhej sa më e hidhur, dhe sa më parë të largohen nga Kosova. Të
gjitha këto programe dilnin nga kabineti i tij dhe zbatoheshin në praktikë nga
vartësit dhe populli i tij, i cili i shkonte si bleta prapa amzës së vet. Kjo
ditë vere e nxehtë, në ditën e kujtesës së një fitoreje të rrejshme, siç e quante
historia, po e trimëronte më shumë, ngase kështu, e merrte bekimin e popullit
dhe bëhej më i fuqishëm e më i besuar në pushtet. Vartësit të cilët e
rrethonin, herë herë nxirrnin parulla nga më të ndryshmet. Slogani i tyre
tashmë dihej: duam armë, duam armë. Derisa bëhej thirrje për armë, turma e
masës mbushullonte fushën. Prapa ekraneve, që transmetonte sekuenca nga ky
tubim, ngjasonte si një skenë teatrore duke u shpalosur programe me erë lufte. Nuk
ishte rastësi, dhe se e tëra kjo ishte e programuar, ndërsa masa e popullit që
i shkonte nga prapa, ishte fuqia që e
mbështeste.
- U
bëhej haptazi premtimi se, armët do t’i kenë të gjithë në duar dhe s`do të guxojë
t’ua prekë kush as qimen e flokut. Masa, me shishe rakie në duar, trimëroheshin.
Thirrjet për mbështetje, jehuan gjatë gjithë asaj dite të nxehtë, dhe ku, në
një fushë të tokave dardane. Pasdites së vonë, ai u kthye krenar në Kalamegdan.
Turma e njerëzve të popullit të tij, mbushte sheshet nëpër qytetet e Kosovës.
Thirrjet kundër shqiptarëve, thirrjet për armë, gumëzhinin nën flamujt e
mbretërisë së Kalamegdanit.
* * *
- Shqiptarët,
më të fortë se guri, dhe përpëliteshin me shtypjen e robërisë nga Kalamegdani,
mbështetur edhe nga grushti i pakicës serbe në Kosovë.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen