Dienstag, 10. Dezember 2024


NJË PËRKUFIZIM I SHKURTËR I REGJIONIT TË VËRRINIT TË SOTËM 

Nga: Gëzim Ajgeraj

Në jug të Prizrenit, përkatësisht nga "Ura e Vlashnjës" e deri mbi "Malet e Lezit" zgjatet shtati i Vërrinit. Në veri me Prizrenin dhe regjionin e "Zhupës" dhe në jug me regjionin e Opojës. Vërrinin e përbëjnë tetë fshatra, si Lezi, Kushnini, Malësia e Vërrinit, Arbëria, Gjeq (Jeshkova), Hoqa e Qytetit, Kushtrimi dhe Gurra (Poslishti). Për nga hapësira shtati i tij kap gjatësinë lindje-perëndim nga Lezi e deri te ura e Vlashnjës, në një hapësirë ajrore diku dhjet kilometra dhe diç më pak në atë veri jug. Zona e Vërrinit është kryesisht kodrinore-malore. Kjo zonë është në kuadër të administrimit të komunës së Prizrenit. Lidhjet rrugore janë kryesisht me qytetin dhe pjesërisht me disa rrugë lokale të fshatrave mes vete. Popullata e këtyre anëve, kryesisht më herët është marrë me bujqësi (për më tepër vreshtarin) dhe me kurbet. Me që pushtetet e huaja gjithmonë e kanë injoruar (për më tepër për shkak të mos bindjeve kundrejt okupatorëve), zonën asnjëherë nuk kanë synuar për ta zhvilluar. Si e tillë ajo mbeti gjithmonë zonë që më së shumti, meshkujt e sajë i kanë marr rrugët e kurbetit. Një zhvillim i hovshëm në ndërtim, në këto zona ka filluar në vitet shtatëdhjeta, tetëdhjeta e sidomos pas nëntëdhjetës. Me që tani dihet fare mirë se gjatë luftës çlirimtare, zona e Vërrinit u ngrit e tëra në luftë kundër Serbisë, ajo edhe u dëmtua më së tepërmi gjatë kësaj lufte. U vranë shumë njerëz, Vërrini u dogj e u shkatërrua, e në veçanti disa fshatra deri në themel. Megjithatë, Vërrinasit si kurbetçar të vyeshëm, brenda pesë viteve të pas luftës, Vërrinin e rindërtuan sërish. Më duhet të them dhe një element të rëndësishëm se dyndja e popullatës fshatare drejtë qytetit, në këtë kohë kapë shifrat më të mëdha se në çdo kohë tjetër që ka ekzistuar kjo dukuri. Po gjatë kësaj kohe gati dy fshatra të tërë; Lezi dhe Kushnini thuaj se u braktisën plotësisht nga popullata e tyre, që u shpërngul në qytetin e Prizrenit. Kështu që sot për sot këto dy fshatra, gati janë të zbrazur plotësisht. I dhamë vetëm disa të dhëna të shkurta për regjionin e Vërrinit, sepse nëpër shumë media e institucione të Kosovës, nuk njihet sa duhet. Bile aq më keq, kur Vërrini, nëpër disa libra historik as nuk përmendet fare apo aq më keq evidentohet me Opojë. Këto dy regjione edhe pse kufizohen njëra me tjetrën, pozita gjeografike i shkëputë të gjitha lidhjet mes regjioneve dhe si të tilla ato janë regjione në vete. Vërrini i takon komunës së Prizrenit ndërsa Opoja nën administrimin e komunës së Sharrit. Pra Vërrini mbetet regjion në vete me tetë fshatra kompakte; Lezi, Kushtendili, Lybeqevea, Leskoveci, Jeshkova, Hoça e Qytetit, Billusha dhe Poslishti, tërësisht me popullsi etnike shqiptare gjatë gjithë shekujve të historisë së ekzistimit të Vërrinit e deri më sot.

                                                         2005



FESTAT DHE AHENGJET NË GOJËN E VAJZAVE TË  VËRRINIT


Nga: Gëzim Ajgeraj

 

Ndryshimet  historiko shoqërore na obligojnë që ti qasemi një teme të tillë në lëmin e folklorit popullorë, e në veçanti në një lëmi jo fortë të dokumentuar në kronikat e letrave tona shqipe, për çfarë do të sjellim në këtë shënim. Ndryshimet që kanë ndodhur si dhe ato që po ndodhin , kanë ndikuar dhe po ndikojnë që në traditat kulturore të popullit tonë, të gërshetohen edhe rrymimet e kohëve dhe periudhave të caktuara nëpër traditat tona, të cilat janë ruajtur në zemrën e popullit, por që një pjesë e tyre me kohën edhe po zhduken fare. Prandaj duke qenë të bindur se një pjesë të kësaj kulture popullore e ka ruajtur edhe kënga e dalë nga goja e nënave tona duke u bartë nëpër gjeneratat e reja, kemi këtu parasysh vajzat, ne do të shkëpusim shumë këngë nga folklori i vajzave të Vërrinit (regjion afër Prizrenit), të cilat edhe sot e kësaj dite këndohen në: lindje, festa, ahengje, fejesa, dasma etj. Duke qenë të bindur se tema do të sjellë diçka nga kultura e jonë që do ti mundësojë edhe ardhmërisë një studim më të thellë në këtë drejtim, me përkushtim kemi bërë mbledhjen e tyre dhe paraqitjen në gjuhën origjinale e cila përdoret në këtë regjion nga goja e vajzave.

 

GRUPI I VAJZAVE

 

Zakonisht këngët ne festa, ahengje, dasma, gëzime familjare etj, këndohen në grupe vajzash, të lagjes, farefisit, fshatit etj,duke e përshtatur zërin dhe metodën e vallëzimit. Pra ato përbëjnë një korë muzikorë të larmishëm në stilin e zërave dhe kombinacionin e tyre duke e nxjerrë një tonë shumë të këndshëm për veshin e dëgjuesit, njëkohësisht duke e paraqitur një larmi kulturore që rrallë popuj mundë ta kenë në botë. Të habitë përshtatshmëria e zërave edhe në ato momente kur grupi përbëhet nga vajzat e fshatrave të ndryshëm, por që koordinimi i zërave bëhet shumë shpejtë pa kurrfarë pregaditje paraprake, e që kjo të bënë të kuptosh se kjo kulturë jeton në shpirtin e vajzave dhe buron nga ai. Veshjet e vajzave janë shumë të larmishme dhe ato paraqesin një kulturë në kombinacionin e veshjeve dhe ngjyrave që krijojnë një estetik të shkëlqyeshme të grupit të vajzave. Këngët zakonisht këndohen nga grupi i vajzave, që për vegël përcjellëse e përdorin defin (një instrument i ndërtuar nga një rreth druri, që për mbulojë e mbanë një lëkurë dhie e terur mirë dhe e tërhequr për skajet e rrethit. Ndërsa këngëve u prinë njëra nga vajzat e cila dinë këngë më tepër. Herë herë ato këndojnë në një rreth në pozitën e qëndrimit në vend, e nga një herë edhe vallëzojnë. Vallet udhëhiqen nga njëra prej vajzave që e njeh më bukur vallëzimin, e tjerat kapen pas sajë dorë për dorë apo në mesë. Defin e interpreton ajo që i prinë valles, njëkohësisht u prinë edhe këngëve, të cilat pastaj e shoqërojnë edhe vajzat tjera mbrapa.

                               

VESHJET

 

Kostumet e vajzave në Vërri kanë pësuar ndryshime të mëdha me kohën dhe modernitetin e sajë e në veçanti në këto vitet e fundit duke qenë faktor kryesorë kurbeti dhe migrimi i madh i Vërrinasve. Veshja më herët njihet veshja tradicionale shqiptare, gjatë kohës së sundimit osman bëhet një gërshetim në kulturën e veshjeve tona , duke pasur ndikim të fortë edhe feja në këtë drejtim, ndërsa meshkujt prej kohësh e kanë ruajtur veshjen kombëtare shqiptare. Por me rrjedhën e viteve dhe me ndryshimin e kohërave edhe veshjet u transformuan në forma të ndryshme, kuptohet këtu ndikojnë edhe zhvillimet ekonomike të shoqërisë në ndryshimin e veshjeve. E veçantë e veshjeve është se pjesërisht ruhen motive nga kultura jonë e lashtë (duke aluduar në dimija, kostume plakash, bofshe ose përparse, jelekë, këmisha të bardha, shami, çorapë prej leshi të dhenve etj). Pjesërisht këto veshje mundë ti gjen  edhe sot në Vërri. Pra veshja e sotme e vajzave Vërrinase është e larmishme  duke përfunduar deri në veshjet moderne evropiane.

 

 

LINDJA E FËMIJËS

 

Lindja e fëmijës për kullat tona gjithmonë ka qenë një gëzim i veçantë, sepse prej aty fillon trashëgimia e qiftit dhe jeta ka kuptim  siç thonë vërrinasit. Në veçanti lindja e djalit në këto treva gjithmonë ka qenë më e privilegjuar, sepse ai do të jetë shtyllë e shtëpisë dhe shpresë e një pleqërie të ardhme i cili do të kujdeset për prindërit e vetë, njëherëshdo të jetë trashëgimtarë i gjithë asaj pasurie të cilën e posedojnë prindërit. Këto këngë fillojnë qysh para lindjes, në fazën e shtatëzanisë, pastaj pas lindjes duke vazhduar në festa e ahengje tjera. Por ne këtu do të ndalemi pakë edhe në festën e cila organizohet pas lindjes, të  cilën e festojnë gratë e afërta të familjes, fisit, miqësis së ngushtë, vajzat e lagjes etj,e që mblidhen një ditë të caktuar për ta gëzuar lindjen e fëmijës, e kjo ditë në vërri quhet: dita e babinës, ose dita e përgimit.

Ni oxhak po qet tim, për Valbonën po bajmë përgim

Synin e zi, ore V....... synin e zi, na për ty po bajmë gosti

Na kofsh me jetë, ti ore V....... na kofsh me jetë, na për ty po bajm ziafet

Na ka lind V...... në vakt të iqinis, na jan gëzue drunat e shpis

Po shtohet Kosova për çdo dakik, se po i lindin trima çdo ditë

Me gëzim kishim knue mu pas kan liria, se fmit tanë po na i vret serbia

 

NINULLAT

 

Ato zakonishtë këndohen vetëm, pranë djepit dhe zakonishtë nga nëna, por shpeshë kur ato këndohen nga motra, xhyshja apo dikush tjetër vetëm bëhet përshtatja e tyre, mvarsishtë nga kush këndohen ato.

Nina nana birin nër hije të mollës, mu bafsh ore bir luftar i Kosovës                           

Nina nana birin në djep të ri, tëta rriti  nana luftar për liri

Pe përkundi Durimin nuk pe lodhi dorën, se po e rriti trim për Kosovën

Ore D....... fli me nanën ti, u rritsh ore bir jetofsh në liri

Ore D...... rritu ma shpet, po të rriten Kosovë trimat në djep

Në djep të hekrit, nina D....... në djep të hekrit ne të na baet plak i miletit

 

SYNETI

 

Edhe festa e synetit në vërri bëhet në shumë frma, mvarsishtë nga pasuria e individit dhe rëndësia që i kushton asajë. Ka raste kur ajo i afrohet një dasme të vërtet, janë ato arsyet kur një familje një kohë të gjatë nuk ka pasur gëzime në atë shtëpi, raste tjera kryhen në mënyra më të pa zëshme (pa ndonjë ceremoni të veqantë) etj, por kryesishtë ato festohen, pastaj kryen vizita nga të afërmit duke shkuar paralelishtë edhe urimet e dhurata për fëmijën.

Peshku i detit, ore Durim peshku i detit, gji po ti veshim petkat e synetit

Kur të vjen gjerati, mos u tut D...... kur të vjen gjerati, se e kije loken e të rri te shtrati

Për hajr syneti ore D....... për hajr syneti, të prift hajri edhe shëneti

Dorën e leht, na e past berberi dorën e leht, na baft D..... tepërpjet

 

FEJESA

 

Me rastin e fejesës së djalit, në vërri kjo ngjarje festohet duke organizuar ceremoni të veqantë në një ditë të caktuar ku mblidhen të gjithë të afërmit, rrethi i ngushtë etj, ndërsa vajzat që nga dita e fejesës e deri në ditën e ceremonisë mblidhen çdo mbrëmje dhe këndojnë në shtëpin e djalit që është fejuar.

Këngët për ditën e fejesës janë këto:

Kur të ka lidhë nana në djep për Valonin të ka ba nijet

Nana në beshik kur të ka lidh nana në beshik, për V....... të ka porosit

E lishoj kovën edhe Valbona i lishoj kovën duël V....... ja dha dorën                            

E lishoj lesën edhe kjo V........ e lishoj lesën, duël V........ ja dha besën,

ja dha besën me besa besë, jam e jotja deri të vdes.

S`deshti dukat ni nana nuses sdeshti dukat, deshti vajzën me ba rahat

Mik ish kann, baba i nuses mik ish kann, me të parën fjalë vajzën na ka dhanë

Mik me lira, nuk jemi ba mik me lira, jemi ba mik me fjal të mira

Kur të na vjen shkusi i ri, tëti bajm shum sojgi

Kur të na vjen shkusi fushës, eshëmllëki i E..... nuses

Kret të lypën nuse sun ta gjetën shpin, dole A....... ja lujte shamin

 

CAKTIMI I VADES PËR MARTESË OSE KËPUTJA PUNË (MARRJA E PENIT)

 

Ekzistojnë disa terme për këtë ditë në Vërri, kjo bënë të kuptohet edhe nga vetë titulli dhe nëntitujt e kësaj dite. Caktimi i kohës së dasmës nga një herë bëhet një vit përpara, gjashtë muaj apo edhe më shkurtë, kjo nuk ka aqë rëndësi shumë, mvarsishtë nga kushtet e miqëve se kurë mundë të gjenden në shtëpi(sepse pjesa dërmese e Vërrinasve ndodhen në kurbet), ndaj gjithmonë planifikohet kur të jenë kyrbetqarët në shtëpi. Kjo ceremoni organizohet te babai i vajzës i cili u pregaditë pritjen e mikut, i cili vjenë me pesë- gjashtë burra tjerë më të afërm të fisit, ku merren veshë për të gjitha qështjet miqësore. Ndërsa ajo qka neve më tepër na intereson është kënga e vajzave, të cilat mblidhen në shtëpin e djalit dy a tri mbrëmje përpara dhe ditën e caktuar dhe gjatë gjithë kohës që burrat gjenden te miku, ato këndojnë e luajnë, pra është kjo një ditë që paralajmëronë një gëzim të afërt në familje.

Këngët janë këto:

 

Ori V...... del lidhe qenin, se të erdhi koha me ta marr peni

I morëm i shitëm ja dy sheka grun, i tham babës nuses ajde presim punë                           

Thoni babës nuses pare mos na ha, thoni për A...... le tët vjen gjynah

Mos i lyp moj nuse shtat par petka se po na shesish arën te reka

Mos e lyp moj nuse pesëshen me zingjir, se po na shesish arën në zidin

Mos na lyp moj nuse, sandokan, mos i korit babë edhe nanë

Mos na shkrui letër, e ori V....... mos na shkrui letër, se na e dim ti bina ma tepër

Plas tuj vajtue,ori nana nuses plas tuj vajtue, vadja e qikës tu ka caktue

Ore baba i nuses ha, sa të hash pare, sun e koritish derën e madhe

Mjeri ti gji je korit, derën tonë sun e ke fikë

Mjeri ti gji je marrue, se për ni muji kemi met pague

Baba i djalit po vjen tej kesh, paret e mikit si ka marr veshë

 

SHTATË DITË PARA DASMËS

 (Krisja e pushkës ose me qirue)

 

Zakonisht kjo ditë bëhet shtat ditë para dasmës, e që në Vërri quhet me qirue, quhet  kështu sepse atë ditë vajzat e lagjes së dhëndrit mblidhen dhe në një shoshë drithi të mbushur me grurë, ku përzihen edhe para të metalta, të cilat pastaj nxirren një nga një dhe ky grurë ruhet për ditën e dasmës, që  kur të kthehen krushqit  me nusen  hidhet mbi ta, e që aludohet që nusja po vjen me bereqet. Termi i dytë, krisja e pushkës: paralajmëron se dasma filloi, dhe prej asaj dite, dyert e shtëpisë së djalit janë të hapura për urime, ndërsa më të afërmet,motrat dhe të gjitha ato që shprehin dëshirën për me ardh më përpara nisin e vijnë, deri në ditën e fundit të dasmës, ku pastaj për çdo ditë dhe natë deri rreth mëngjesit këndojnë dhe luajnë vajzat e lagjes dhe mikeshat. Sipas një tradite të vjetër po atë ditë rreth pasdites, vajzat shkojnë për fier në ara, livadhe apo pyje ku gjendet kjo bimë, e cila dikur ka shërbye për ta shtruar në oborre, lama të shirjes së grurit, apo diku tjetër, varësisht ku është planifikuar vendosja e dasmorëve në ditë vere, sepse në kohë të mirë gjatë ditës deri në mbrëmjen e vonë miqtë rrinin ulur mbi fier të mbuluar me qilima. Edhe sot e kësaj dite nga vajzat kjo traditë ruhet.

Disa nga këngët që këndohen këtë ditë janë këto:

Kur na krisi pushka e parë, babës djalit i koft për hajr

Te A...... u nis dasma, babës nuses ju ba plasja

Te A...... u nis loja, nanës nuses ju farkue goja

Shkrui me ni letër, ori V...... shkrui me ni letër, edhe ni jav ma shum stë kan metën

Mos bjer me pulat, ori V..... mos bjer me pulat, rri e qitjo qarapve lulat

Ajde mori shoqe për fiër të shkojmë, se edhe A...... po e martojmë

Nana e nuses kur ti nijën lodrat, tët i dalin ment,tët i përlan kodrat

Kur të na bajn lodrat me ardh, ori nana nuses mytu në bunar

Kur të na rrehin lodrat në kodër, au bane gati ori lira e vogël

Topi panamës, ori V..... topi panamës, mjera nana e jote për natën e kanës

Nana e nuses kur e njeu pushkën, i dolën mend e përlau fushën

Na për fiër gji po shkojmë, dasmën e A....... të ja heshojmë

Po ta fikim shpin, ori nana nuses po ta fikim shpin, po ta marrim rrushin po ta lamë hardhinë

Po ta fikim derën, ori nana e nuses po ta fikim derën, po ta marrim lulën, po ta lam ferrën

 

DITA E PETKAVE

 

Dy ditë para se të vjen nusja, dërgohen rrobat e nuses të blera nga familja e djalit për nusen dhe dhuratat për familjen e nuses. Katër ose pesë nga burrat e fisit shkojnë te familja e nuses, duke i marrë të gjitha ato rroba që janë blerë për nusen dhe dhuratat, e i qojnë te miku, e pas një dreke që ua jep miku, atac merren veshë për kohën e ardhjes së krushqve ditën e dasmës dhe për çështje tjera. Gjatë kësaj kohe vajzat që presin derisa të kthehen petkaxhinjtë, ato këndojnë, vallëzojnë dhe luajnë.

Një pjesë nga këto këngë janë:

Kur ti nisim petkaxhit malit, eshëmllëki i A....... djalit

Kur ti nisim petkagjit fushës, eshëmllëki i V....... nuses

Edhe mori nuse, fshiu mas dere, thui vjerrit a un erdhe

Ori nuse del te dera, del kqyri teshat, gji po ti bjer vjerra

Ori nana e nuses, ae bane nërpetën, se i zoti shpis nuk po vjen vetën

Ori nana e nuses, ae bane bakllavën, se i zoti shpis po ta bjer llavën

Del te dera shpis, ore baba i nuses del te dera shpis, del e pritja petkagjit e bis

Del te dera votrës, ore vllai nuses del te dera votrës, del e pritja petkagjit e motrës

Edhe mori nuse, lula e ferrës, a të pylqyën teshat e vjerrës

Baba i djalit, kur të hi në kurt, mos ja qit moj nuse, maramën e shkurt

Ori nana e nuses ori dilingje, gjeth ato pare për telegjie

 

KANAGJEGJJA

 (Dita e kanës)

 

Është dita e fundit e vajzëris së vajzës te babai. Kjo ditë në Vërri nisë një ditë para se vajza të shkonë nuse, ku i mblidhen shoqet e vajzërisë, të afërmit e familjes dhe farefisi.Atë ditë pra edhe shoqet e vajzërisë, duke vazhduar edhe natën deri vonë e edhe nesër, e këndojnë  shoqen e tyre, duke evokuar kujtimet e vajzërisë në këngë, duke e shprehë mërzinë që e kanë për largimin e shoqes nga rrethi i tyre, e deri te nxitja e shoqes, që ajo të ja merrë vajit.

Disa nga motivet e këtyre këngëve janë:

Kaj ori V....... hijen edhe hain, ku ke nejtë verës me vllain

E ori V..... gji të kum than dje, jelekin e burrit, vërvite qatje

Ulu oj V...... përmi  arkë, mlidhi shoqet me hangër darkë

Ulu oj V...... përmi qekmegje, mlidhi shoqet për kanagjegje

E ori V..... kalle llamën, edhe sonte rri me nanën

Ori nana e nuses kalle aletrikën, edhe sonte rri me qikën

Kur të ta ze gjumi vllain në qardak, nuk je oj V...... me que në shtrat

E ori V...... kai e plas, se vajzënia stë njek përmas

 

                                Vazhdon ne numrin 2, të revistës Vërrini


URTIA POPULLORE E VËRRINIT, GJUHA E RUAJTUR NDËR SHEKUJ NË KËTË ZONË

Nga: Gëzim Ajgeraj dhe Ahmet Poniku

KATUNDI E BÖN LUFTËN, SHERI E NGRA BAJRAKIN

(Urti popullore e Vërrinit 2

Fjalët e urta apo proverbat janë fraza të shkurtra të cilat brenda pak fjalëve, shprehin atë filozofinë popullore e cila shpesh quhet si Urti popullore. Pikërisht për këtë, ato edhe quhen nga populli, si fjalë të urta, që shprehin në një farë forme edhe pasurinë intelektuale, të një populli. Urtia popullore, apo proverbat i ka thuaj se çdo popull në botë, që në një formë a një tjetër, brenda filozofisë së mendimit kanë një lloj ngjashmërie, apo identitet. Pos se ato mundë të dallojnë nga përvojat dhe historiku i zhvillimit të një populli, përvojës historike, dhe rrethanave tjera të ecjes nëpër kohë. Proverbi lirishtë mundë të thuhet se është po aq e vjetër sa vet e folmja e njerëzimit, sepse në një formë apo tjetër, ato në të shumtën e rasteve janë përdorë edhe në formën e një këshille, që i është dhënë dikujt. Kemi proverba qysh në librat e parë shqip, si për shembull tek Bardhi, i cili përdorë atë proverbin për turkun.  E më vonë ato veq sa zhvillohen, duke qenë në një far forme edhe kronologji e pasqyrimit të kohë, e tek ne edhe sundimeve të ndryshme, të cilat më pastaj reflektojnë në simbolika, shenja e gjuhë të përdorura brenda këtyre zhvillimeve.  E gjithë zona e Vërrinit, si një përkufizim në vete, ka veçantitë e saja dhe veçoritë, të cilat e bëjnë të dallueshme nga zonat tjera. Zona ka tetë katunde dhe pozita gjeografike e tyre, sa i bënë të lidhshme njëra me tjetrën, aq edhe i ndanë nga rrethet e tjera të regjionit të Prizrenit. Për çudi, këtu janë ruajtur si traditat e moçme në folklor, artin e të jetuari, edhe gjuha e folur dhe në këtë rast urtia, me një veçanti që rrallë zona të mundë ta gjen. Një veçori tjetër është se përpos dallimeve si zonë, që ka me zonat tjera, në fjalë të ndryshme, në shprehjen e tyre, por edhe në të folme, herë herë dallon edhe mes katundeve brenda zonës, pavarësisht lidhjeve gjeografike dhe afërsisë që mbajnë këto katunde.  Prandaj, në të shumtën e rasteve, ju do të ndeshni fjalë të kuptimësisë së njëjtë, me shprehje të ndryshme. Kjo dëshmon, ndonjë shprehje aty këtu, që dallojnë nëpër këto katunde. Dhe si të mbledhura nëpër të gjithë zonën, ato shprehje përbëjnë kornizën e të folmes Vërrinase, nëpër të gjitha këto katunde. Me kohën dhe me shkollimin e gjeneratave të reja, gjuha e folur nëpër këto katunde ka ecur dhe është zhvilluar, prandaj edhe fjalët dhe frazat e ndryshme ecin nëpër kohë dhe zhvillohen edhe ato, deri në ditët e sotme, të shprehjeve që mundë ti gjeni nëpër libër.  Për lexuesin e shohim të arsyeshme ta sqarojmë edhe më tej pozitën gjeografike të vendndodhjes së zonës së Vërrinit. Zona ndodhet në jug të qytetit të Prizrenit, prapa kodrës së Cfilenit dhe gjithë pjesës jugore, më saktë nga malet e katundit Lez, Kushnin, Arbëri, Malësi e Vërrinit, Jeshkovë, Hoçë e Qytetit, Poslisht dhe Billushë.  Pra brenda tërësisë territoriale të këtyre katundeve, shtrihet e gjithë zona e regjionit të Vërrinit, ku edhe jemi përqendruar përbrenda kësaj urtie. Proverbi që haset në këto katunde, ndonjëherë dallon për një nuance shumë të vogël në shqiptim, duke ruajtur aty këtu ndonjë karakteristik të shprehjeve më të vjetra, në disa katunde.  Për shembull, fjala Gji (çka), është më e ruajtur në Malësi, dhe është shum e theksuar brenda urtisë. Pastaj zanorja à, përsëri përdoret më shumë se ë-ja, për shembull; në Malësi thuhet; Zàmra, Zàmrat, e në Jeshkovë apo Billushë, zanorja ë, dominon në këto shprehje. Një shembull; Shteti leprin  e (zà) (ze) me kerr, është një fjalë, me shqiptime të ndryshme varësisht se në cilin katund e ndëgjon, këtë urti, apo tjetra;  Mos ja shplo (zemren) (zàmrën) gjithkuj, një dallim në zanoret a dhe e, që po ashtu dallojnë në përdorim, nëpër këto katunde. Dallime të tilla me nuanca të vogla dalluese në shqiptim, ka mjaftë, por esenca dhe bërthama e urtisë është po ajo, e njëjtë kudo që e dëgjon. Janë nuanca shumë të vogla, të cilat i bëjnë pjesërisht të dallueshme urtitë. Ndërsa në këto katunde, një specifikë dalluese, shumë e lehtë është edhe e folmja, e cila kërkon një studim të veçantë.  Kjo nuancë dalluese, pa tjetër se reflekton edhe në urtinë popullore, e cila thuajse nxjerrë shumë dritë edhe nga e folmja e Vërrinit. Katundi e bon luftën, sheri e ngra bajrakin, është urti që përdoret në dhjetëvjeçarin e fundit, të pasluftës në Kosovë, në anën e Vërrinit, kur e kemi parasysh të kaluarën në këto anë. Shpresojmë që, për mes kësaj urtie, të kemi arritur të japim një pasuri shumë të rëndësishme për zonën, në letrat shqipe. Dhe kjo pasuri e cila gradualisht po zhduket, me zhvillimin e zonës dhe me shkollimin e ecjen e gjuhës, ky studim do të mbetet një vlerë shumë e çmuar për studimet e të ardhmes.  (G. A.)

--------------------------------------------------

Katundi e bon luftën, sheri e ngrà bajrakin

Kush fol me oka, ju kput shoka

Mos ja mat kilet po matja hilet

Burri s`matet me kanar, po matet me fjal

Tradhtarin e vret tradhtija e vet

Dyjaja osht shkallë-shkallë, do hypin e do zhdrypin

Muër dhuna dhenë

Gjylpana kret botën e veshë,për veti rri vdeshët

Tej kqyr punët e huja, i ka harrue t`vetat

Kqyre gardhin e shpis, mos ju ban ferra kojshis

Mos e shti krevin në thes të budallës

Vorbës hujë mos i qit kryp

Në më shkelsh në fërkam se në ikball sun më shkelish

Qdo kush i bar gajlet e veta, mullingjia të ujit

Qdo njani e do shoqin e mir, pak kush munohet vet mu kanë i mirë

Miqt shkojn e vin, almiki nuk ikë pa e përzan

Kujtoju për të mir, se e keqja vjen pa e grish

Kurr mos fol fjal të mdhaja për punët e vogla

Ai gji ka hangër udër nuk e nijën erën e vetë, po ja nijin qerët

Ai gji ti jep fjalët e mëdhaja, i ka punët e vogla

Hasmit thuji: "Të pofsha pa punë"

Nji Babë gji e la djalin e mirë masë, nuk ka vdek.

Babën e mirë duhet me nerue, Babën e keqë duet me durue

N`hapsone osht dera e modhe me hij, po e vogël me dal

Rrana ësh sukur varra, edhe kur shnoshet jetë shajë.

Kush ka pos bisht ja kan pre, kush nuk ka pos ja kan ngjitë.

Qàni e luën bishtin për me ntràsh miqsinë.

Ma trim asht ai gji e përdor dijenin, e jo fuqin

S`osht qudi kur gabon budalla, kur gabon i menqmi, quditet mahalla

Se ka nxe dielli i sabahit, pe pret me nxe dielli i akshamit

Me mikin ha e pi, allashveresh mos ban

Dy llobenica me ni dor nuk mahen
Ruju shkelmit te magarit kur të ban me cof
Maje zogin sa e kije në dor, se si të të ikë, ma sun e zash
Kur sàsht uki,dhelpna ban dasëm
Në dor të laperit mos rafsh
Shpiuni nuk ka komb, as fe e as atdhe
Pe shet vatanin, si mu kan malli i babës vet
Para se me fol, kqyri katër qyshet e sobës
Kur të pështysh, mos e lipi mà
Pushkën ruje për almikin, e jo për vëlla
Unë me buk e ti me gur
Kallaballëk në goj, e fukara në punë
Aj gji tutet pej hijes vet, mos i lyp trimni
Gur mi gur, nreqet kalaja, fjal mi fjal, niset belaja
Burrnia s`matet në kanar, po në fjalë
I pa besi, qon gjithni uje në mulli të hasmit
Burri lidhet për fjalë, kërpeshi asht për kalë
Dy hatllar, nuk lidhen me ni mullar
Kret generala, as ni ushtarë
E ka djeg tamli, py fryn edhe dhalltit
Me zjarm, nuk luhet
Mos u kap për dega, po për rrajë
Rrajët e kalbëta, nuk rritin lisa
Ruju aty ku ba mire, se të kthehet me të keqe
As kaperanes tande, mos i ze besë
Po kujton se pi di kreta, e s`po di mi fshi, hundët e veta

Ja kish nis me politik, se e kish hallin për karrikë

Me i pas kqyr punët e tija, ma mir i kish punët, dilingjija

Ruju pej ati gji e ha dirsën e popllit, as në tesha mos tët fërkohet, se të vjen era edhe ty

Sot thot unë jam trimnija, e kemi pa, kah përmi dullija

Në thes të qerrët, mos qit kallamoq

Sa pat pula dhe qurana, pati miq edhe jarana

Bashkimi ban fuqin

Uji flen, hasmi s`flen

Ore pash, ore pash, po vjen puna veq tu ntrash
 I yti te shtyn deri rreth bregit, po të ma, stë le me ra

Shkavi të pret në bes, kur je ma ngusht
Pesqindvjet Turkija, niqin vjet Serbia, sun kan ngul këtu, as sun ka me ngul kush
Kosova ju ka hangër krenat Sulltanave, Pashallarve e edhe Krajlave
Mjer ai milet, gji udhiqet prej barkmdhejve

I ka dal magari, atit përpara

Ploitikanët tan i kan rrit barkat, i kan voglue krenat

Kish pas than mreti, faqezive nuk ju liet pushteti

Serbijen veq pushka e përza prej knena

Rrenat e gjithkujë si ha poplli

Kret kta të politikës, po ngasin mas karrikës

Vaj halli për Kosovën, me politikanat e sodit, gji ja vodhën, votat e popllit, tash po ja vjedhin edhe xhepat

Pa vjedh, kërkush s`të thot hajdut

Pesëdhet vjet ata të parët, edhe pesdhet këta të dytët,

vaj halli për ne, shkoj jeta nor të të ligve

Paria e jon, si vera e plakave

                                 Vërri, 2014




MASAKRA E TUSUZ-it

Masakrat serbe kundër shqiptarëve, dëshmi e gjenocidit të një populli, kundër një populli tjetër.

Masakra e Tusuzit, seri e gjenocidit serb mbi shqiptarët, gjatë luftës në Kosovë, 1998/99

E vërteta për masakrën e Tusuzit, që e kryen serbët ndaj popullatës së pambrojtur civile, në Prizren më 26 maj 1999

Shkruan: Gëzim Ajgeraj

Sulmet e NATO-s nga ajri, mbi caqet serbe tani më kishin dy muaj që vazhdonin pa ndërprerë, derisa Ushtria Çlirimtare, anë e këndë Kosovës zhvillonte luftë të pandërprerë kundër ushtrisë, policisë, e njësiteve paramilitare serbe si dhe mercenarëve  rusë e të tjerë në tokë. Si kudo nëpër Kosovë, edhe në Vërri dhe Tusuz (paralagje e Prizrenit), vepronin tanimë dy njësite të Brigadës 125 të UÇK-së të Zonës Operative të  Pashtrikut, të udhëhequra nga kom. Zafir Berisha-Zafa dhe kom. Samidin Xhezairi-Hoxha. Këto njësite kryenin aksione të njëpasnjëshme  kundër forcave serbe. Një sulm i tillë u krye këto ditë në hyrje të Lagjes Tusuz, ku u vranë shumë policë dhe paramilitarë serbë, dhe si përherë, ushtria serbe për justifikimin e humbjeve përpara udhëheqjes në Beograd, hakmerrej mbi popullatën civile, njëherësh mundohej ta dobësojë mbështetjen që i bënte popullata luftëtarëve të lirisë. Që prej fillimit të luftës në Kosovë, e veçanërisht pas krijimit të zonës së lirë në Vërri, forcat serbe u stacionuan në hyrje të kësaj lagje duke provokuar, maltretuar, rrahur e burgosur banorë të kësaj lagje dhe të Vërrinit.  Si gjithmonë, forcat serbe, për t’i arsyetuar humbjet para udhëheqjes së tyre në Beograd, edhe kësaj here  në shenjë hakmarrje, ndërmarrin sulm mbi  popullatën  e  pambrojtur civile  në  Lagjen Tusuz   ( sepse një pjesë e banorëve të kësaj lagje nuk i kishin lëshuar vatrat e tyre). Në fillim bëhet rrethimi i plotë i lagjes nga forcat serbe në të gjitha hyrje daljet, pastaj një pjesë e tyre vendosen nëpër shtëpi, ballkone dhe nënkulme (është pra fjala për snajperistët serbë), duke e futur në rrethim të plotë dhe nën kontroll këtë lagje. Pastaj, me ndihmën e disa shqipfolësve  shqiptarë dhe jo shqiptarë (për të cilët kjo lagje dhe organet kompetente  në  Prizren dhe rrethinë i dinë shumë mirë) që ishin vënë në shërbim të kriminelëve Shqekiq e Deniq, forcat serbe  fillojnë hyrjen nëpër shtëpitë e kësaj lagje (por kuptohet, duke i selektuar ato), njerëzit që gjendeshin në to, vriteshin, masakroheshin dhe çfarë nuk bëhej mbi ta, po ashtu fati i njëjtë i gjente edhe ata që gjendeshin në rrugë, në oborr e kudo, dhe si e tillë çfarë ndodhi kjo masakër, të gjithë ata  shqiptarë që u  kapën atë ditë në këtë lagje u vranë dhe u masakruan nga ushtria, njësitet paramilitare, mercenarë,  policia serbe e të tjerë, ndërsa një pjesë e popullatës që kishte arritur të dalë nga kjo lagje para se të bëhej rrethimi i kishte shpëtuar  kësaj masakre. Pas të gjitha  këtyre  vrasjeve, filloi plaçkitja e shtëpive shqiptare dhe pastaj ua vënin zjarrin atyre. Po këtë ditë, në Lagjen Tusuz, përveç që i  vranë 25 shqiptarë, forcat serbe dhe të tjerë i dogjën edhe 245 shtëpi. Kështu pra, dita e 26 majit 1999 në Tusuz, përveç që u skuq me gjakun e martirëve, që u martirizuan në shtëpitë e tyre, në tokën e tyre dhe në atdheun e tyre, në Kosovë, mbi qiellin e kësaj lagje  mbuluan retë e zeza të tymit që dukej sikur dilte nga zemra e tokës. Më 26 maj 1999, në Lagjen Tusuz u vranë, si Neki Gashi 1935, Hesat Xhemshiti 1937, Bejan Xhemshiti 1975, Rafet Abdylmexhidi 1947, Sami Abdylmexhidi 1951, Shefik Abdylmexhidi 1978, Behar Abdylmexhidi 1982, Mirsat Osmani 1975, Hyrmet Sylejmani 1964, Bislim Qengaj 1921, Selvinaze Qengaj 1923, Salih Elshani 1936, Ymer Thaqi 1945, Avdi Berisha 1921,Refki Berisha 1961,Hajrim Arifi 1977,Sani Bajrami 1968, Selim Berisha 1932,Feim Berisha 1927, Xhemajli Poniku 1933,Halil Poniku 1937, Fazile Maqkaj 1968, Rexhep Maqkaj 1923, Nijazi Muja 1959, Fadil Ramadani.

 

Këtyre krimeve serbe në Prizren i paraprijnë edhe shumë krime tjera në Vërri e rrethinë

 

Për ta dokumentuar edhe më me fakte këtë që e thamë, serbët në Prizren dhe rrethinë kryen edhe më herët këso krimesh dhe masakra edhe në fshatrat e Vërrinit gjatë ofensivës së shtatorit 1998, në Lez e vranë Asllan Berishën (66v.) dhe Izair Berishën (66v.), kurse në malet e Lezit, të vrarë u gjetën edhe Muhamet Shemsedini, Xhymret Shemsedini nga Zaplluzha dhe Sabri Maliqi nga fshati Kuklibeg i Opojës, ndërsa në mbrëmjen e 1 shtatorit `98, forcat serbe vranë edhe Tamil Shalën (43 v.), Refki Shala (28v.) dhe Milaim Thaqi (28v.) të gjithë nga Kushtendili, ndërsa  një ditë më vonë, pra më 2 shtatorë 1998, në fshatin Malësi e Vërrinit e vranë: Bajram Thaçin (65v.), Nesim Krasniqin (68v.), Mursel Halilaj (76v.)  Skender Mehmedaj (86v.), Agush Kryeziu (70 v.) dhe Qazim Poniku (86v.), ndërsa një ditë më herët edhe fëmijën 5 vjeqar; Arlind Kryeziun, ndërsa më datën 4 shtatorë `98, po në këtë fshatë u ekzekutua i riu Afrim Maliqaj. Edhe në Jeshkovë (Gjeq), gjatë datës 2 shtator 1998 sërbët vranë shumë civilë si, Kadishe Berisha  1926, Merxhan Shala 1925, Fatime Shala 1944, Myrvete  Shala 1968, po të njëjtën ditë në Hoçë të Qytetit: Hate Shala (70 v)dhe Xhemil Krasniqi (47 v.).Më datën 7 shtatorë në shtëpinë e tyre në Prizren, nga policia serbe u vranë Astret Poniku dhe Arsim Poniku. Po ashtu më datën 11 mars 1999, në rrugën e fshatit HoÇë e Qytetit, serbët e vranë plakun Asllan Krasniqi (62 v.).Kah fundi i marsit, derisa serbët po e dëbonin popullatën  e fshatit Struzhë (Sharr) për në Shqipëri, snajperistët serbë vranë të riun Anif Mujin dhe plakun  Emrush Sezallari (92v.), po ato ditë  në afërsi të kodrës së (Kryekodrës)*Cvilenit vranë edhe Sejdi Thaçin (64v.), Ramadan Thaçin 1962 dhe e plagosën Ismail Thaçin (39v), të gjithë nga fshati Kushnin. Ndërsa më datën 7 prill 1999, pas humbjeve që i pësuan në fshatin Kushtrim (Billushë), serbët i vranë katër pleq që i kishin zënë rob në Hoçë të Qytetit: Amet Krasniqi  1917, Mehmet Shala, Tamil Krasniqi, dhe Rrahim Shala, po të njëjtën ditë edhe në Kushtrim (Billushë) plakun Ahmet Dervishaj.  Shënimeve tona për krimet serbe u mungojnë edhe shumë të vrarë në komunën e Prizrenit, por shpresojmë që në një shënim të ardhshëm do t’i plotësojmë të dhënat për krimet serbe të bëra kundër popullatës civile në këto anë. Pra krimet serbe mbi popullatën civile, kapin numrin më të madh të krimeve që i kemi dhënë këtu, sepse u mungojnë shumë të zhdukur në këto anë të vrarë në burgje etj. ndërsa për luftëtarët e lirisë në një shënim tjetër më të gjerë. Vlerësuar nga ky këndë, serbët  në të shumtën e rasteve, në pamundësi për t’u përballur me ushtarët e UÇK-së, kryen shumë vrasje dhe masakrime mbi popullatën civile, me qëllim që të krijojnë urrejtje dhe ta dobësojnë mbështetjen që i bënte popullata civile UÇK-së, të futin frikë dhe panik në popull për t’i lëshuar vatrat, t’i justifikojnë humbjet përpara qeveritarëve të vet, dhe shumë faktorë të tjerë në shërbim të interesave të tyre hegjemoniste, që kërkojnë një trajtim të gjerë në këtë drejtim.

 

Disa dëshmi rreth vrasjes së martirëve të masakrës së Tusuzit

 

Vrasja e banorëve civilë në Lagjen Tusuz nga policia serbe më datën 26.5.1999, u krye në mënyra  më makabre dhe më barbare  nëpër vende të ndryshme, kudo që i hasën ata. Popullata civile e pambrojtur atë ditë pat mbetur nën mëshirën e kriminelëve dhe barbarëve serbë dhe shërbëtorëve të tyre shqipfolës, disa myslimanë (të ashtuquajtur boshnjakë tani) dhe disa romëve që ishin vënë në shërbim të okupatorit. Siç dihet, që prej fillimit të luftës policia serbe ishte stacionuar në skaj të Lagjes Tusuz në një shtëpi private që e kishte kthyer stacion policor, prej nga maltretoheshin, torturoheshin dhe rriheshin banorët e Lagjes Tusuz dhe ata të fshatrave të Vërrinit që duhej të kalonin atypari. Dhe dihet tanimë se, serbët, humbjet e veta gjithmonë i shndërronin në hakmarrje mbi popullatën civile. Një sulm të këtillë ata e ndërmorën po këtë datë kundër popullatës civile të Lagjes Tusuz, e cila kishte qenë halë në sy për okupatorin serb gjatë gjithë luftës, për shkak të kontributit të dhënë në shërbim të UÇK-së dhe në mbështetjen e saj e të luftës çlirimtare që e zhvillonte ajo. Në fillim nga forca të shumta policore, ushtarake e paramilitare, u bë rrethimi i lagjes, e cila u fut në rrethim të plotë në formën e unazës, prej nga ishte gati e pamundur të dilej. Këtij rrethimi i kishin shpëtuar vetëm ata që kishin dalë përpara se të bëhej rrethi nga ushtria e policia okupatore, ndërsa popullata e cila kishte ngelur në këtë rreth, tanimë ishte në duart e barbarëve serbë dhe shërbëtorëve të tyre. Pra tani më në Lagjen Tusuz, kishte filluar krimi mbi popullatën civile. Do t’i japim disa versione se si u vranë dhe u masakruan banorët e kësaj lagje: Sulmi kishte filluar që nga mëngjesi i ditës së mërkurë, 26 maj 1999, ndërsa pasdite futen në shtëpinë e Hesat Xhemshitit. Këtu ushtarët serbë dhe policia i fillojnë maltretimet kundër tij dhe vëllait të tij Xhevatit, të cilin më vonë e largojnë nga aty, ndërsa në shtëpi i mbajnë Hesatin dhe djalin e vëllait të tij Bejanin (i cili edhe më parë kishte qenë  i zënë rob nga forcat serbe, vetëm pak ditë përpara ishte liruar), të cilët i torturojnë  dhe në fund i ekzekutojnë në shtëpinë e tyre. Ndërsa Rafet Abdylmexhidi, një burrë 52 vjeqar, i cili shumë herë kishte vënë kontakte me njësitin e UÇK-së në anën e Vërrinit, ditë e 26 majit, u gjend në shtëpinë e tij  së bashku me vëllanë e vet Samiun, me të ishin edhe djemtë e vëllait Shefiki dhe Behari, kushëriri i parë i tyre Hyrmet Sylejmani dhe djali i dajës së tyre Mirsat Osmani. Paramilitarët serbë u futën në oborrin e shtëpisë së tyre, pra duke kaluar mbi mure, fillimisht futen në shtëpinë e Xhevat Xhemshitit, duke vazhduar edhe në shtëpinë e Vahit Abdylmexhidit, dhe pasi u futën në oborr, serbët  i vunë zjarrin veturës e cila gjendej në oborr, pastaj me kondak pushke e sulmojnë  Rafetin përpara anëtarëve të familjes, të cilin e mbulon gjaku, dhe pasi i plaçkitin, anëtarët e familjes i largojnë nga shtëpia, ndërsa Hyrmetin e marrin me vete dhe e çojnë deri në shtëpinë e vet, ia marrin edhe veturën dhe përsëri e kthejnë në oborrin e shtëpisë së Rafetit. Pastaj i ekzekutuan para shtëpisë, pra aty u ekzekutua Rafeti me të vëllanë Samiun, djemtë e Samiut, Shefiki dhe Behari,  kushëriri i tyre Hyrmeti dhe djali i dajës Mirsati. Shefiku, Bejani, Mirsati dhe Hyrmeti, që të katër edhe më herët kishin qenë të zënë rob nga forcat serbe, vetëm pak ditë para masakrës në Tusuz ishin liruar. Me rëndësi të ceket, se Behar Abdylmexhiti, ishte më i riu në masakrën e Tusuzit, ende pa i mbushur 17 pranvera dhe ishte nxënës i medresesë së Prizrenit, prandaj sipas një dëshmitari okular, përpara se ta vrisnin barbarët serbë, ai kishte thirrur ezan. Në  këtë grup siç e thashë, u ekzekutua edhe Hyrmeti, të cilin e kishin dërguar duarlidhur deri në shtëpi, ia kishin marrë veturën, pasi ja ndezën edhe shtëpinë dhe pastaj e vranë së bashku me kushërinjtë e vetë. Sipas një dëshmitari okular, thuhet se në mesin e kriminelëve serbë kishte edhe të atillë që e flitnin mirë gjuhën shqipe. Ndërsa plakun Bislim Qengaj së bashku me plakën e vet, serbët pasi i morën një shumë të hollash  i ekzekutuan të dy në dhomën e ditës. Me rëndësi është që të citojmë se ky plak, atyre që i larguan për në Shqipëri u kishte thënë: Ju ishalla do të ktheheni, por neve vështirë se do të na gjeni, megjithatë ne më lehtë e kemi kur juve nuk ju shohim në duar të barbarëve. Edhe Salih Elshanin, serbët e vranë në oborrin e shtëpisë së vet, pra ky ishte një plak i vendosur që për asnjë çmim nuk kishte pranuar ta lëshonte Prizrenin. Ymer Thaçi, vetëm një javë përpara se ta lirojnë, ngase ishte rob në hapjen e istikameve në kufirin me Shqipërinë, si shumë banorë tjerë të Tusuzit, ia bastisin shtëpinë dhe ia vrasin kalin në ahur, ndërsa atë e patën liruar më 22.5.`99, pak ditë përpara vrasjes. Edhe Avdi Berishën, në fillim të majit e patën arrestuar serbët dhe për tri ditë rresht ishte keqtrajtuar në mënyrat më barbare dhe kur ishte liruar ashtu i rrahur ishte strehuar te miku i tij Ymeri. Plaku 78 vjeçar Avdi Berisha citohet të ketë thënë, për ditët që ishte në torturë: Nuk ishte i rëndë dajaku, sa ishte i rëndë momenti kur ma hoqën kësulën e bardhë dhe ma shkelën përpara syve të mi. Ndërsa ditën e krimit, Ymer Thaçin dhe mikun e tij Avdi Berisha nga fshati Arbëri (Leskovec), dy agjentë serbë rreth orës 18.45 hyjnë në oborrin e shtëpisë së Ymerit dhe aty i gjejnë të dy, pastaj i marrin dhe i futin njërin në njërën dhomë dhe tjetrin në dhomën tjetër dhe me nga një plumb në kokë i ekzekutojnë. I varrosën ushtarët e UÇK-së gjatë asaj nate në oborrin e shtëpisë së Ymerit në pamundësi për t’ i varrosur në varrezat e qytetit. Edhe Refki Berisha u ekzekutua në shtëpinë e tij në Tusuz. Hajrim Arifin, serbët e gjetën në shtëpinë e tij me familjen. E ndajnë nga familje dhe e dërgojnë në bodrumin e shtëpisë dhe aty e ekzekutojnë me dy plumba në gjoks, pastaj ia kallin edhe shtëpinë. Gjurmëve të kërkimit të kufomës, babai i tij shkon në spitalin e Prizrenit, ku mjekët serbë i kërkojnë 3000 DM, vetëm për ta identifikuar kufomën në morgun e spitalit, por gjatë rrëmujës së krijuar, kur  në ato momente serbët i sjellin 50 kufoma të ushtarëve dhe policëve të vet të vrarë, ai përfiton nga rasti dhe e merr kufomën e djalit të vet. Edhe Sani Bajramin serbët e gjetën në shtëpinë e tij. Pasi ia nxjerrin familjen nga shtëpia ia futin flakën shtëpisë, ndërsa familjes i thonë të niset menjëherë për Shqipëri, ndërsa Saniun e ndalën. Pas kthimit të familjes nga Shqipëria, në oborrin e shtëpisë u gjetën tre plumba, njolla gjaku dhe tri gropa. Neki Gashi, u vra nga forcat serbe po ditën e 25 majit rreth orës 8.30 minuta, në korridorin e shtëpisë së vet në prani të bashkëshortes së tij, pastaj i dogjën edhe shtëpinë, ndërsa sipas dëshmive të bashkëshortes së tij, së bashku me kriminelët serbë ishin edhe romë dhe të tjerë që u shërbenin atyre, ndërsa varrimin e bëri bashkëshortja me disa të afërm tjerë në varrezat e qytetit të Prizrenit. Selim Berisha, së bashku me vëllanë e tij Feimin, ditën e vrasjes ishin në qytet për të blerë bukë. Duke u kthyer diku rreth orës 11.30, në rrugë mbi varrezat e qytetit hasin në policinë serbe, me këtë rast ata fillojnë t’i plaçkitin dhe t’i maltretojnë, e pastaj edhe i  ekzekutuan. Trupat e pajetë i dërguan në morgun e spitalit të Prizrenit, ku u mbajtën një javë e pastaj i varrosën një javë më vonë në një varrezë masive. Edhe Xhemajli Poniku së bashku me vëllanë e vet Halil Poniku, pasi  i kishin legjitimuar të dy vëllezërit, i ekzekutuan  në rrugën pranë varrezave të qytetit, afër shtëpisë së Garip Krasniqit nga policë e paramilitarë serbë. Fazile Maçkaj, ishte invalid e paralizuar, të cilën paramilitarët serbë rreth orës 10.00, e kishin vrarë dhe djegur gjysmën e trupit. Kur ishte kthyer babai dhe nëna që nuk kishin qenë në shtëpi, trupin e vajzës e gjetën gjysmë të djegur dhe pastaj gjatë asaj nate e varrosin në oborrin e shtëpisë, pastaj të dy prindërit largohen për në Shqipëri. Fazilja është e motra e dëshmorit të kombit Selver Maçkaj, i cili po ato ditë ra heroikisht në vijat e frontit mbi Pashtrik. Rexhep Maçkaj, po ashtu është vrarë ditën e 26 majit 1999 në Lagjen Tusuz të Prizrenit. Trupi i tij i pajetë u gjet në një grumbull plehu. Ndërsa për Fadil Ramadanin dhe Nijazi Mujën nuk kemi të dhëna. Po ashtu, përveç gjithë këtyre vrasjeve, serbët plaçkitën shumë pasuri në këtë lagje dhe i dogjën rreth 250 shtëpi të shqiptarëve, për të humbur shumë gjurmë të krimeve të tyre. Kështu pra dita e 26  majit 1999 në Tusuz,  përveç që u skuq me gjakun e martirëve, që u martirizuan nëpër shtëpitë e tyre në tokën e tyre dhe atdheun e tyre – Kosovë, mbi qiellin e kësaj lagje mbuluan retë e zeza të tymit që dukej sikur dilte nga zemra e tokës, nga zemra e qytetit të lashtë të Prizrenit, nga zemra e Kosovës.


Pjesë nga libri “Masakra e Tusuzit, Gëzim Ajgeraj ,janar 2003.

 



SHKOLLA DHE ARSIMIMI NË MALËSI

Nga: Gëzim Ajgeraj


Si kudo nëpër Kosovë, edhe në Malësi, paslufta e dytë botërore e këtej, shënon hapjen e shkollës në këtë anë. Deri në këto kohë, në fshat njihen pak të rinj që kanë ditur shkrim lexim, të mësuar gjatë shërbimeve ushtarake apo diku në kurbet. Dhe deri në këto kohë, letrat që vinin nga kurbeti, apo nga djemtë e shkuar ushtarë, duhej të gjendej dikush që dinte shkrim këndim që t’i lexonte ato letra.

Në këto vite, kohët shumë shpejt ndryshuan, me hapjen e shkollave të para shqipe në këto anë. Por duhet shtuar faktin se, edhe ata që pak a shumë, mund të shkruanin a lexonin, më tepër e njihnin alfabetin serb, sepse kryesisht në këtë gjuhë kishin mësuar. Në fakt nuk flitet për ndonjë njohje të thellë të arsimimit, por thjesht një shkrim lexim qe kishin mësuar jashtë shkollave. Dhe tani më, nevojat për hapjen e shkollës, dhe dëshira e banorëve ishte e madhe. Kësisoj u krijuan edhe disa kushte e faktorë për hapjen e një shkolle në Malësi.


Hapja e shkollës

Shkolla e parë shqipe (katër klasash) në Lybeqevë (sot Malësi), u hapë në vitin 1948, si paralele e ndarë e shkollës fillore; "Mustafa Bakiu" në Prizren. Në këtë kohë shënon të ketë pasur diku 50 nxënës nga Lybeqeva, Lezi dhe Kushnini. Mësuesi i parë që filloi e këta nxënës në këtë shkollë, ishte Leon Laçi nga Prizreni, i cili punoi nga 4 prilli 1947, deri më 1 dhjetor 1948. Mësues pas Leon Lajqit ishin: Selajdin Krasniqi, Sylejman Ajgeraj, Shyhrete Ajgeraj, Fehrije….., Hajdin Spahiu, Isa Morina, Ymer Xerxa,, Milaim Reçi, Isuf Kelmendi Florije Kelmendi, Nafi Gashi, Masar Gashi, Muharrem Gashi,  Elez Hagjosaj, Halit Hagjosaj,

Dihet fare mirë se në këtë kohë, kushtet dhe rrethanat në fshat, ishin tepër të vështira dhe mësimi fillimisht filloi të mbahej në mejtepin e xhamisë. Më pastaj kjo shkollë bartet në objektin ku sotë ndodhet shtëpia e familjes Avdaj, (Qemajl Avdaj-t). Ne vitin 1968 Asip Shabanaj leshoi truallin e vet për ndërtimin e shkollës se re, shkolla e re 6 klasash u përurua në janar të vitit 1968. Në vitin 1971 filloi gjenerata e parë 8 klasash. Gjenerata e parë që kreu klasën e 8  doli në vitin 1974. Me ndërtimin e objektit të ri, në vendin ekzistues të shkollës së sotme (të modelit montazh nga druri e asbesti, sipas një stili Slloven), u krijuan kushte më të mira, që nxënësit nga këto tre fshatra, të fillonin mësimin në këtë objekt.

 Nga viti 1952, deri në vitin 1960 shkolla fillore e Malësisë, ishte paralele e ndarë e shkollës; "Ramiz Sadiku", të Zhurit. Ndërsa nga viti 1960, deri në vitin 1989, kjo shkollë ishte paralele e ndarë fizike e shkollës fillore; "Muharrem Bekteshi", të Hoçës së Qytetit. Nga 1 shtatori i vitit 1989, kjo shkollë u pavarësua, duke u emëruar si; shkolla fillore "Lybeqevë", në Lybeqevë, me paralelet e saja të ndara në Lez dhe Leskovec (Arbëri). Me pavarësimin e kësaj shkolle, u zgjodhën edhe organet udhëheqëse të sajë, ku për drejtor u emërua; Selajdin Istref Selmanaj, ndërsa sekretarë; Limon Hasan Kryeziu. Ndërsa në vitin 1992, shkolla fillore në Malësi, u emërua me emrin e patriotit të shquar; “Mic Sokoli”, të cilin e bartë edhe sot e kësaj dite. Për gjatë këtyre dekadave të ekzistimit të shkollës në Malësi, drita e arsimimit ndriçoi rrugët e jetës së banorëve, të cilët me të madhe pushtuan botën e zhvillimit dhe arsimimit të mëtutjeshëm, duke arritur suksese nëpër shumë sfera të jetës në përgjithësi. për këtë çështje sigurisht se do të flasim më vonë. por le të ndalemi edhe pak, tek kronologjia e rritës dhe zhvillimit të sajë nëpër dekada të ndryshme, duke u ndalë me theks të veçantë pas viteve të nëntëdhjeta, kur edhe shkolla shqipe në përgjithësi në Kosovë, nga pushteti okupues serbë përjetoi të gjitha format e dhunës, deri në mbylljen e tyre institucionale. pra, pushteti okupator i nxori ato nga jeta institucionale dhe nga financimi, dhe kësisoj, popullatës shqiptare në Kosovë i mbeti në dorë vetë organizimi i arsimit dhe vetë financimi, i cili vazhdoi gati për një dekadë, deri në fillimin e luftës për çlirimin e Kosovës, nga UÇK, në vitin 1998.

Janë këto kohë, kur pushteti okupator serbë suprimoi autonominë e Kosovës dhe shkolla shqipe ishte ndër të parat që u bë viktimë e terrorit dhe dhunës serbe, deri në mbylljen e tyre. Dhe punëtorët e arsimit, ishin të parët që kundërshtuan nënshtrimin, duke mos pranuar plane dhe programe serbe, por duke kundërshtuar me forcë, në ruajtjen e autonomisë së shkollave shqipe dhe programeve të tyre. Në këto kohë pra, Serbia i mbylli portat e shumë shkollave për nxënësit shqiptarë. Në Malësi në këtë kohë, ishte fat që fshati ishte etnikisht i pastër shqiptar, dhe ekzistimi i objektit shkollor, ndihmonte në zhvillimin normal të arsimit. Ndërsa personeli arsimor, sigurisht se e ndjeu dhe e pësoi më së vështiri, herë pas here, si nga mungesa e financave ashtu edhe të mjeteve tjera të nevojshme mësimore. Megjithatë, vullneti, dashuria dhe dëshira për edukimin e brezave, në këtë kohë, personelin arsimor e radhitë në majat e kontributit që ata i dhanë Kosovës, për gati këto dhjet vite, të aparteidit serbë mbi Kosovë.

Në këtë kohë, në pjesën më të madhe për mbijetesën e shkollës shqipe në Kosovë, barrën e financimit e barti mërgata e emigruar nëpër shtetet e ndryshme të Evropës. Ndërsa pas lufta në Kosovë, shënon tjera zhvillime të shkollës dhe arsimimit edhe në Malësi.

 
Lufta e UÇK-së, e viti 1998/99, shumicën nga pjesëtarët e arsimit në Malësi i gjeti të angazhuar në UÇK me pushkë në dorë për çlirimin e atdheut nga robëria shekullore serbe.

Një fakt tjetër shumë i rëndësishëm për kohën është ai i kontributit të shkollave, në veçanti të komunitetit të arsimtarëve dhe mësuesve që i dhanë luftës çlirimtare të vitit 1998/99 de UÇK-së, në zonën e Vërrinit. Dihet fare mirë se pjesa dërmuese e këtyre mësuesve, ishin pjesëtarë të UÇK-së, të cilët dhanë kontribut të çmueshëm, në luftën për çlirimin e atdheut. Nga Malësia, në këtë luftë ishin të angazhuar; Limon Kryeziu, udhëheqës i shkollës ushtarake në Malësi,  cili nxori disa gjenerata të ushtarëve, gjak kohës së ekzistimit të anës së lirë të Vërrinit. Pastaj, Baki Avdaj, udhëheqës ushtarak i angazhuar në zonën e lirë të Vërrinit (të shpallur nga UÇK-ja), etj. Ne duhet të përmendim një fakt të rëndësishëm këtu, duke kujtuar se Heroi i Kosovës, Xhevat Ahmet Berisha, ishte mësues mbi dy dekada në shkollën e Malësisë dhe punoi deri në rënien e tij heroike, më 1 shtator 1998, në Lez. (shënimet; Xhevat Berisha-Legjenda e Vërrinit, të autorit Gëzim Ajgeraj, botoi Metafora, 2013, 170 faqe). Po nga kjo shkollë, nga paralelja e ndarë fizike në Lez, ku për një kohë të gjatë ishte mësues edhe në Malësi, doli edhe Asim Berisha, i cili u vra në Lez më datën 1 shtator 1998. Ndërsa nga paralelja e ndarë fizike e shkollës së Malësisë, paralelja në Kushnin, u vra punëtori ndihmës i kësaj shkolle, Tamil Beqir Shala (më 1 shtator 1998, në Kushnin. Të gjithë këta të rënë, dikur ishin nxënës të shkollës në Malësi, e më vonë edhe punëtorë të kësaj shkolle, deri në rënie. Ndërsa nga minat e mbetura të cilat i patën vendosur serbët nëpër ara e Vërrinit, pas ofensivës së shtatorit të vitit 1998, u vranë edhe këta nxënës të paraleles së ndarë fizike të Leskovecit (Arbërisë), Ashim Enver Krasniqi, nxënës i klasës III, Behar Mejdin Xhemaj, kl.IV dhe Betim Xheladin Xhemaj, kl. VI. Ndërsa u plagosën rëndë me pasoja të përjetshme, Shpetim Mejdin Xhemaj, kl. V, Nafi Xheladin Xhemaj, kl. V, dhe Milaim Avdullah Krasniqi, kl. VI. Duhet të kthehemi edhe pak tek ofensiva dhe dhuna serbe e shtatorit kundër Malësisë në tërësi, duke mos e lënë as shkollën anash e cila, më datën 4 shtator 1998, tek po tërhiqeshin nga Malësia, në largim e sipër, (mes orës 12.30 dhe 13, i vënë flakën objektit të shkollës në Malësi) e djegin tërësisht objektin e shkollës, deri në themel. Pas përfundimit të ofensivës serbe kundër popullatës vërrinase dhe forcave të UÇK-së, popullata civile nis të rikthehet sërish në Malësi. Fshati tani më ishte i djegur i tëri dhe i ngjante gërmadhave, ndërsa shkolla ishte rrafshuar deri në themel, që e mbulonte një plato betoni mbi dhe. Mësimi ishte i pa mundur këtu. mirëpo me dëshirën dhe iniciativën e disa nga mësuesve të atëhershëm të Malësisë, shtrohet kërkesa për rifillimin e mësimit të nxënësve, pavarësisht në kushte të vështira lufte. Dhe ishin këta; Baki Qemajl Avdaj, Sinan Muharrem Maqkaj, Rami Shani Shala dhe Maliq Asllan Oruqaj, të cilët edhe për kundër kushteve teknike, numrit të vogël të nxënësve të kthyer në fshat, dhe kushteve të gjendjes së luftës që mbretëronte, vazhduan mësimin e nxënësve nga klasa e parë deri në atë të IV, në mejtepin e xhamisë së fshatit, i cili u kishte shpëtuar, flakëve të luftës. Me kthimin e familjeve në fshat dhe rritjen e nxënësve, në mungesë të lokalit për mbajtjen e procesit mësimorë, nxënësit u transferuan në shtëpinë e Merxhan Metë Shalës, në një objekt afër xhamisë.

Në gjysmëvjetorin e dytë, kur shumica e familjeve ishin kthyer në Malësi dhe numri i nxënësve ishte rritur,  nga ky këshill vendoset që mësimi nga klasa e parë deri në klasën  VIII, të mbahet në shtëpinë e Rexhep Maçkajt, në lagjen Maçkaj. Në këtë kohë, mësimi u mbajt në dy turne; cikli i parë nga klasa e V-të deri në klasën VIII, mbahej paradite, ndërsa nga klasa e parë deri në klasën IV, mësimi mbahej në turnin e pasdites. Në këtë shtëpi shkollë, mësimi u mbajt deri më datën 10 mars 1999. Më datën 11 mars 1999, mësimi u ndërpre përsëri, për shkak të ofensivës së dytë, të forcave okupatore serbe kundër fshatrave të Vërrinit. Dhe ky vit, për shkak të dëbimit të popullatës civile të këtyre anëve, për në Shqipëri, mësimi u ndërpre, deri në rikthimin e sërishëm të sajë, pas 12 qershorit 1999.

Viti i ri shkollorë 1999/2000, filloi në shtëpinë shkollë të Hazër Zyber Mehmetaj-t, dhe me rritjen numerike të nxënësve që ktheheshin vazhdimisht, shkolla u transferua në shtëpinë e Sabrit dhe Bilall Isa Ponikut afër lagjes Ajgeraj. Në këto dy shtëpi, mësimi u mbajt deri më datën 19 shtator të vitit 2001. Le të kujtojmë edhe disa fakte që lidhen me shkollën në Malësi, dhe mbijetesën e sajë. Pas mbarimit të luftës, u hapën shtigje të reja të organizimit dhe me këtë; kryesia e fshatit në bashkëpunim me drejtorin e atëhershëm të shkollës; Selajdin Istref Selmanajn, morën iniciativën për ndërtimin e një shkolle të re në Malësi. Dhe me ndihmën e mërgimtarëve nga bota e jashtme, u ble dhe u sigurua vendi, në të cilën do të ndërtohej shkolla e re. Dhe me ndihmën e donacioneve të huaja, që atëherë operonin në Kosovë, më saktë të atij japonez, u bë i mundshëm ndërtimi i kësaj shkolle fillore në Malësi të Vërrinit. Më 20 shtator të vitit 2001, u bë përurimi i kësaj shkolle, njëra nga shkollat më moderne në Kosovën e atëhershme të pasluftës. Drejtor i atëhershëm i kësaj shkolle ishte Selajdin Istref Selmanaj, i cili mbajti mandatin nga viti 1989, deri më datën 12 prill të vitit 2010. Nga data 12 prill, këtë post e mban Baki Qemajl Avdaj, një punëtor i devotshëm i arsimit shqip në Malësi. Sot në këtë shkollë, mësimin e ndjekin diku 250 nxënës, me kushte shumë të mira, si: kabinete, laboratorë, sallën e edukatës fizike, e ndërtuar fare pranë shkollës nga Monarkia e Lichtenshtajnit ( e kërkuar dhe e siguruar nga autori i këtij libri (G.A.), i cili në ato kohë ishte shumë afër me njerëzit e ministrisë së kësaj monarkie). Ka një staf profesional dhe të përgatitur mirë, i cili i përshtatet edhe kushteve të sotme moderne, ku pjesa dërmuese e orëve mësimore mbahen me projektor elektronik. Dhe si rezultate të sukseseve, kjo shkollë për disa vite zë vend më të merituar në kuizet e diturisë, si në komunën e Prizrenit, edhe më gjerë. Tanimë kjo shkollë boton edhe revistën e shkollës "Rrezja e diturisë". Duhet shtuar edhe faktin se sot në këto kushte, në shkollën e Malësisë dhe në paralelen e ndarë në Leckovec (Arbëri), mësimin e ndjekin 253 nxënës me 16 arsimtarë. Ndërsa fatkeqësisht, paralelja e shkollës në Lez, nuk ekziston më, si dhe ajo në Kushnin, për shkakun se këto dy fshatra nga lufta e këndej, janë shuar tërësisht dhe banorët e tyre janë dyndur në qytet. Nga brezat e kaluar, në vitet tetëdhjeta e këtej, kjo shkollë ka arritur numrin e nxënësve, deri në 530, sikur edhe numrin e lartë të banorëve, që kishte fshati, por shpërngulja e popullatës drejtë qytetit, migrimi dhe emigrimi  familjeve në shtetet e Evropës Perëndimore, ka bërë që fshati dhe kjo shkollë, të ketë këtë numër nxënësish, i cili gjithnjë e më tepër po zvogëlohet. Këtij fakti, i prinë edhe nataliteti i ulët, si model i brezit të ri, i cili po praktikojnë të kenë më pak fëmijë.

Do të kthehemi tek rezultatet e kësaj shkolle, kur në vitin 2013/14, arriti sukseset më të mira në;Testin e arritshmërisë, me: 54.38%. Llogaritet prej shkollave me të mira dhe më të pastra në nivelin komunal të regjionit të Prizrenit. Nga kjo fole e dijes dhe arsimimit, nga Malësia kanë dalë gjenerata e gjenerata, të cilët kanë treguar rezultate të larta në lëmin e dijes, shkencës, kulturës etj. dhe i kanë shërbyer vendit dhe çështjes së pazgjidhur kombëtare, me të gjitha format dhe mjetet e mundshme. Tanimë nga kjo shkollë kemi emra që prijnë në institucione si në arsim, kulturë, shkencë, mjekësi, etj. Dhe kujtojmë se kjo çerdhe ishte dritë frymëzim për gjenerata e gjenerata, që dolën nga kjo shkollë. Unë emra nuk do të jap këtu, sepse e di se do t’i ngelem borxh shumëkujt, por malësorët e sotëm tanimë i kanë bijtë e vet, që e bëjnë Malësinë të mburret me ta.  Në fund, do të japim edhe listën e arsimtarëve dhe punëtorëve tjerë arsimorë, që punuan në këtë shkollë, nga 1 shtatori i vitit 1989, deri në ditët e sotme. Gusht 2014.

Edhe disa të dhëna për objektin e ri të shkollës fillore "Mic Sokoli" në Malësi të Vërrinit


Siç kemi thënë më lart, objekti i ri i kësaj shkolle u ndërtua në vitin 2001 nga donacionet e qeverisë japoneze, pasi që objekti i vjetër ishte djegur gjatë luftës nga forcat e okupatorit serb. Kjo shkollë u ndërtua në vendin e njëjtë ku ishte shkolla e vjetër, por kuptohet me truallin shtesë që u ble nga mërgimtarët dhe banorët e fshatit në vlerë diku 160.000 marka të atëhershme.  Ky objekt sot brenda vetes ka kompleksin e shkollës dhe sallën e sportit të ndërtuar nga monarkia e Lichtensteinit. Fare pranë dhe ambulancën e fshatit, të ndërtuar nga qeveria gjermane. Shkolla e mban emrin e patriotit të shquar; Mic  Sokoli në Malësi të Vërrinit. Shkolla i takon tipit të shkollave publike të nivelit: 0, I dhe II, ku mësohet në gjuhën shqipe. Numri i nxënësve nga klasa e parë deri në atë të nëntën, janë 264, dhe i fëmijëve të arsimit parafillorë janë 29 nxënës. Drejtor i saj sot (2014), është Baki Avdaj me një staf të arsimtarëve - 17, një edukator dhe 4 persona të stafit teknik. Sipërfaqja e objektit shkollor është 2900 m/2, ndërsa godina shkollore prej 1618 m/2. Me 8 dhoma mësimore, ku sipërfaqja e tyre arrin në 540 m/2, dy zyra për administratën me 64 m/2 dhe katër dhoma tjera. Shkolla e ka dhe punëtorinë e saj me 18 m/2, arkivin e shkollës me 18 m/2, bibliotekën e shkollës me 27 m/2, kabinetin e informatikës me 48 m/2 dhe kabinetin e fizikës me 76 m/2. Shkollës i është bashkëngjitur edhe salla sportive, e cila ofron kushte të mrekullueshme për punë dhe edukimin fizik të nxënësve të kësaj shkolle. Ajo sot përdoret për orët e edukatës fizike, garat sportive në nivel të shkollës, tubime e koncerte të ndryshme, dhe ofron një komoditet të mirë për punë dhe shërbim në këtë shkollë.

 (Të dhënat, nga Baki Avdaj, drejtor i kësaj shkolle, 2014)

Lista e punëtorëve dhe arsimtarëve të shkollës fillore "Mic Sokoli", në Malësi të Vërrinit, dhe e paraleleve të ndara të kësaj shkolle në Arbëri, dhe atyre të dikurshme në Lez e Kushnin (tani më shkolla të shuara për shkak të mungesës së banorëve në këto dy fshatra


Mësuesit dhe personeli kujdestar, që punuan gjatë gjithë kohës së ekzistimit të kësaj shkolle, nga themelimi i saj, deri në ditët e sotme, janë si, Limon H. Kyeziu (1952), Selajdin I. Selmanaj (1956), Naim I. Çejku (1960), Mitat E. Krasniqi (1957),  Hasim S. Berisha (tani dëshmor), Hazër Z. Memedaj, Ridvav M.. Berisha (1957), Ramush H. Thaqi  (1960), Bashkim J. Likaj , Kasam N. Berisha (1959), Maliq A. Oruqaj, Baki Q. Avdaj (1958), Rami Sh. Shala, Miriman M. Shala, Ilam D. Berisha (1959), Zineta S. Koraq (1963), Dalip A. Shabanaj (1963), Rafet Gj. Berisha (1959), Shaban H. Berisha, Selman D. Berisha (1962), Shukri M. Xhemaj (1964), Zymer D. Krasniqi, Tafil S. Berisha, Sinan M. Maqkaj (1966), Lulzim A. Berisa, Elbasan Xh. Shoshaj, Ymrijan Gashi, Nystret I. Shala, Liman I. Halilaj, Hajri A. Berisha (1963), Ismet Kryeziu, Shefqet Ahmeti (Ferizaj), Rami A. Berisha, Fazli Shala, Sahit Cenaj, Zenel Lokaj, Xhevat A. Berisha (hero i Kosovës), Reshit Kushaj, Amet I. Noci, Shefki Demiri, Rrahim A. Berisha (1962), Hajriz B. Shala (1965), Tamil B. Shala (tani dëshmor), Lirim V. Berisha, Ismet V. Krasniqi (1971), Nail S. Kryeziu (1971), Samidin S. Ramadani (1971), Flurije H. Gashi, Halim B. Thaqi, Ali J. Berisha, Axhi T. Xhemaj, Bajram A. Oruqaj Kapllan M. Poniku, Myfajet M. Maçkaj, MemetA. Shala, Samir F. Xhemaj, Behajdin M. Berisha, Neshat A. Shala (1965), Dashurije Xh. Sertolli, Nasuf M. Krasniqi, Nexhat S. Maqkaj (1977), Asllan R. Kryeziu, Rrezak N. Berisha (1969), Shemsidin T. Shala, Namik Xh. Shoshaj, Refki Q. Avdaj, Besim M. Berisha (1962), Jahir F. Xhemaj (1968), Sabit S. Berisha, Lendita Gashi (1977), Nail G. Buduri, Besa G. Xhaha, Gjylhajr Shala, Rakip R. Kryeziu (1941), Esengyl Xharra, Vait Sh. Kryeziu, Sadri H. Maqkaj, Vllaznim I. Berisha, Bislim M. Ponik (1982), Kujtim E. Avdaj, Atnan S. Halilaj, Ajredin K. Krasniqi, Bekim B. Koqinaj, Reshat H. Halimi, Ridvan Elezi, Etem Bytyqi, Nebije A. Mehmeti, Osman F. Shala, Hasim V. Iballi, Zenel Asllani, Nebije A. Mehmeti, Egzona Gjigolli, Arben S. Berisha, Zehadin H. Berisha, etj.

Duhet të përmendim faktin se në këto lista, janë arsimtarë dhe punonjës tjerë të shkollës, nëpër periudha e dekada të ndryshme të funksionimit të arsimit në Malësi. Dhe si e tillë, nuk kemi dhënë periudhat kohore të punës, por pjesërisht vitet e lindjes. Së dyti, duhet të përmendim faktin se kemi edhe shumë mësues që kanë punuar në këtë shkollë, por janë harruar emrat e tyre, për shkakun se ata kanë qenë nga të gjitha viset shqiptare, dhe nëpër vite edhe janë harruar. Kjo mungesë e emrave vjen edhe si pasojë e asaj se shkolla nëpër dekada tri herë ka qenë paralele e ndarë, njëherë e shkollës në Prizren, asaj të Zhurit dhe në fund e asaj të Hoçës, deri në pavarësimin e saj. Dihet mirëfilli se arkivat e këtij brezi të arsimtarëve janë nëpër këto shkolla. Por një faktorë shumë i veçantë, që na vështirëson hulumtimin tonë është edhe djegia e shkollave në Vërri dhe arkivave të tyre nga ushtria serbe në vitin 1998/99, duke zhdukur çdo gjurmë nëpër shkollat e Vërrinit, e me theks të veçantë në Malësi. Për ta argumentuar këtë që e thamë, do të kujtojmë edhe disa emra që kanë ngelur në kujtesën tonë nëpër vite, si, Mësuesi Ramë (në shkollën e Lezit), mbiemrin e të cilit nuk kemi mundësi ta kujtojmë, apo mësuesi Xhevat nga Buzezi i Opojës, apo mësuesi Bekë nga Deçani, apo mësuesi im i parë  (vetëm tre muaj), mësuesi Haxhi, mësuesi Hajriz, e shumë të tjerë. Dhe kur i shikojmë këto lista, kemi mësues nga një gjeografi e gjerë e hartës shqiptare që nga Nikshiqi i Malit të Zi, Gjakova, Ferizaji, Peja, Suhareka, Dragashi, etj. Ndërsa nga Prizreni, është shumica e këtyre arsimtarëve. Nga këto lista, sigurisht se pjesa dërmuese janë arsimtarë dhe djem nga Malësia, të cilët u rritën, mësuan në këtë shkollë dhe tani bartin barrën e arsimimit të brezave në Malësi.

Do të ripërsërisim dhe veçojmë këtu kontributin e arsimtarëve vendas të cilët i shërbyen arsimit në këtë fshat, qysh gati nga themelimi i saj, e këta janë, si Sylejman K. Ajgeraj dhe Shyhrete Ajgeraj (punuan si mësues shumë herët në këtë shkollë). Më pastaj kemi brezin tjetër si, Limon H. Kryeziu, Selajdin I. Selmanaj, Baki Q. Avdaj, Hazër Z. Memetaj, Bashkim J. Likaj Maliq A. Oruqaj, Miriman M. Shala, Rami Shala, Sinan M. Maçkaj, Neshat A. Shalaj, e deri te brezi më i ri, Nexhat S. Maçkaj, Myfajet Maçkaj, Atnan S. Halilaj, Bislim M. Poniku, Mehmet A. Shala, Kujtim Avdaj, Refki Avdaj, etj. Të gjithë këta arsimtarë, dikur nxënës të kësaj shkolle tani mësues dhe bartës të organizimit të arsimit në Malësi të Vërrinit.

Nga kjo shkollë kanë dalë kuadro që sot i gjen gjithandej Kosovës nëpër institucione të ndryshme dhe në profesione të ndryshme. Në këtë gjashtëdhjetë e sa vjet të ekzistimit të kësaj shkolle, për Malësinë ajo ka qenë drita e dijes dhe e zhvillimit të përgjithshëm për banorët e kësaj ane. Ajo edhe sot e kësaj dite mbetet vatra më dritëdhënëse e diturisë ku mësojnë e kaliten me dije brezat e rinj.

**(Listën e punëtorëve punëtorëve të shkollës fillore në Malësi dhe paraleleve të ndara fizike në Leskovec, Lez e Kushnin, na e siguroi drejtori i tanishëm i kësaj shkolle, Baki Q. Avdaj).

              

                     Shkolla e re në Malësi të Vërrinit