Dienstag, 10. Dezember 2024



MASAKRA E TUSUZ-it

Masakrat serbe kundër shqiptarëve, dëshmi e gjenocidit të një populli, kundër një populli tjetër.

Masakra e Tusuzit, seri e gjenocidit serb mbi shqiptarët, gjatë luftës në Kosovë, 1998/99

E vërteta për masakrën e Tusuzit, që e kryen serbët ndaj popullatës së pambrojtur civile, në Prizren më 26 maj 1999

Shkruan: Gëzim Ajgeraj

Sulmet e NATO-s nga ajri, mbi caqet serbe tani më kishin dy muaj që vazhdonin pa ndërprerë, derisa Ushtria Çlirimtare, anë e këndë Kosovës zhvillonte luftë të pandërprerë kundër ushtrisë, policisë, e njësiteve paramilitare serbe si dhe mercenarëve  rusë e të tjerë në tokë. Si kudo nëpër Kosovë, edhe në Vërri dhe Tusuz (paralagje e Prizrenit), vepronin tanimë dy njësite të Brigadës 125 të UÇK-së të Zonës Operative të  Pashtrikut, të udhëhequra nga kom. Zafir Berisha-Zafa dhe kom. Samidin Xhezairi-Hoxha. Këto njësite kryenin aksione të njëpasnjëshme  kundër forcave serbe. Një sulm i tillë u krye këto ditë në hyrje të Lagjes Tusuz, ku u vranë shumë policë dhe paramilitarë serbë, dhe si përherë, ushtria serbe për justifikimin e humbjeve përpara udhëheqjes në Beograd, hakmerrej mbi popullatën civile, njëherësh mundohej ta dobësojë mbështetjen që i bënte popullata luftëtarëve të lirisë. Që prej fillimit të luftës në Kosovë, e veçanërisht pas krijimit të zonës së lirë në Vërri, forcat serbe u stacionuan në hyrje të kësaj lagje duke provokuar, maltretuar, rrahur e burgosur banorë të kësaj lagje dhe të Vërrinit.  Si gjithmonë, forcat serbe, për t’i arsyetuar humbjet para udhëheqjes së tyre në Beograd, edhe kësaj here  në shenjë hakmarrje, ndërmarrin sulm mbi  popullatën  e  pambrojtur civile  në  Lagjen Tusuz   ( sepse një pjesë e banorëve të kësaj lagje nuk i kishin lëshuar vatrat e tyre). Në fillim bëhet rrethimi i plotë i lagjes nga forcat serbe në të gjitha hyrje daljet, pastaj një pjesë e tyre vendosen nëpër shtëpi, ballkone dhe nënkulme (është pra fjala për snajperistët serbë), duke e futur në rrethim të plotë dhe nën kontroll këtë lagje. Pastaj, me ndihmën e disa shqipfolësve  shqiptarë dhe jo shqiptarë (për të cilët kjo lagje dhe organet kompetente  në  Prizren dhe rrethinë i dinë shumë mirë) që ishin vënë në shërbim të kriminelëve Shqekiq e Deniq, forcat serbe  fillojnë hyrjen nëpër shtëpitë e kësaj lagje (por kuptohet, duke i selektuar ato), njerëzit që gjendeshin në to, vriteshin, masakroheshin dhe çfarë nuk bëhej mbi ta, po ashtu fati i njëjtë i gjente edhe ata që gjendeshin në rrugë, në oborr e kudo, dhe si e tillë çfarë ndodhi kjo masakër, të gjithë ata  shqiptarë që u  kapën atë ditë në këtë lagje u vranë dhe u masakruan nga ushtria, njësitet paramilitare, mercenarë,  policia serbe e të tjerë, ndërsa një pjesë e popullatës që kishte arritur të dalë nga kjo lagje para se të bëhej rrethimi i kishte shpëtuar  kësaj masakre. Pas të gjitha  këtyre  vrasjeve, filloi plaçkitja e shtëpive shqiptare dhe pastaj ua vënin zjarrin atyre. Po këtë ditë, në Lagjen Tusuz, përveç që i  vranë 25 shqiptarë, forcat serbe dhe të tjerë i dogjën edhe 245 shtëpi. Kështu pra, dita e 26 majit 1999 në Tusuz, përveç që u skuq me gjakun e martirëve, që u martirizuan në shtëpitë e tyre, në tokën e tyre dhe në atdheun e tyre, në Kosovë, mbi qiellin e kësaj lagje  mbuluan retë e zeza të tymit që dukej sikur dilte nga zemra e tokës. Më 26 maj 1999, në Lagjen Tusuz u vranë, si Neki Gashi 1935, Hesat Xhemshiti 1937, Bejan Xhemshiti 1975, Rafet Abdylmexhidi 1947, Sami Abdylmexhidi 1951, Shefik Abdylmexhidi 1978, Behar Abdylmexhidi 1982, Mirsat Osmani 1975, Hyrmet Sylejmani 1964, Bislim Qengaj 1921, Selvinaze Qengaj 1923, Salih Elshani 1936, Ymer Thaqi 1945, Avdi Berisha 1921,Refki Berisha 1961,Hajrim Arifi 1977,Sani Bajrami 1968, Selim Berisha 1932,Feim Berisha 1927, Xhemajli Poniku 1933,Halil Poniku 1937, Fazile Maqkaj 1968, Rexhep Maqkaj 1923, Nijazi Muja 1959, Fadil Ramadani.

 

Këtyre krimeve serbe në Prizren i paraprijnë edhe shumë krime tjera në Vërri e rrethinë

 

Për ta dokumentuar edhe më me fakte këtë që e thamë, serbët në Prizren dhe rrethinë kryen edhe më herët këso krimesh dhe masakra edhe në fshatrat e Vërrinit gjatë ofensivës së shtatorit 1998, në Lez e vranë Asllan Berishën (66v.) dhe Izair Berishën (66v.), kurse në malet e Lezit, të vrarë u gjetën edhe Muhamet Shemsedini, Xhymret Shemsedini nga Zaplluzha dhe Sabri Maliqi nga fshati Kuklibeg i Opojës, ndërsa në mbrëmjen e 1 shtatorit `98, forcat serbe vranë edhe Tamil Shalën (43 v.), Refki Shala (28v.) dhe Milaim Thaqi (28v.) të gjithë nga Kushtendili, ndërsa  një ditë më vonë, pra më 2 shtatorë 1998, në fshatin Malësi e Vërrinit e vranë: Bajram Thaçin (65v.), Nesim Krasniqin (68v.), Mursel Halilaj (76v.)  Skender Mehmedaj (86v.), Agush Kryeziu (70 v.) dhe Qazim Poniku (86v.), ndërsa një ditë më herët edhe fëmijën 5 vjeqar; Arlind Kryeziun, ndërsa më datën 4 shtatorë `98, po në këtë fshatë u ekzekutua i riu Afrim Maliqaj. Edhe në Jeshkovë (Gjeq), gjatë datës 2 shtator 1998 sërbët vranë shumë civilë si, Kadishe Berisha  1926, Merxhan Shala 1925, Fatime Shala 1944, Myrvete  Shala 1968, po të njëjtën ditë në Hoçë të Qytetit: Hate Shala (70 v)dhe Xhemil Krasniqi (47 v.).Më datën 7 shtatorë në shtëpinë e tyre në Prizren, nga policia serbe u vranë Astret Poniku dhe Arsim Poniku. Po ashtu më datën 11 mars 1999, në rrugën e fshatit HoÇë e Qytetit, serbët e vranë plakun Asllan Krasniqi (62 v.).Kah fundi i marsit, derisa serbët po e dëbonin popullatën  e fshatit Struzhë (Sharr) për në Shqipëri, snajperistët serbë vranë të riun Anif Mujin dhe plakun  Emrush Sezallari (92v.), po ato ditë  në afërsi të kodrës së (Kryekodrës)*Cvilenit vranë edhe Sejdi Thaçin (64v.), Ramadan Thaçin 1962 dhe e plagosën Ismail Thaçin (39v), të gjithë nga fshati Kushnin. Ndërsa më datën 7 prill 1999, pas humbjeve që i pësuan në fshatin Kushtrim (Billushë), serbët i vranë katër pleq që i kishin zënë rob në Hoçë të Qytetit: Amet Krasniqi  1917, Mehmet Shala, Tamil Krasniqi, dhe Rrahim Shala, po të njëjtën ditë edhe në Kushtrim (Billushë) plakun Ahmet Dervishaj.  Shënimeve tona për krimet serbe u mungojnë edhe shumë të vrarë në komunën e Prizrenit, por shpresojmë që në një shënim të ardhshëm do t’i plotësojmë të dhënat për krimet serbe të bëra kundër popullatës civile në këto anë. Pra krimet serbe mbi popullatën civile, kapin numrin më të madh të krimeve që i kemi dhënë këtu, sepse u mungojnë shumë të zhdukur në këto anë të vrarë në burgje etj. ndërsa për luftëtarët e lirisë në një shënim tjetër më të gjerë. Vlerësuar nga ky këndë, serbët  në të shumtën e rasteve, në pamundësi për t’u përballur me ushtarët e UÇK-së, kryen shumë vrasje dhe masakrime mbi popullatën civile, me qëllim që të krijojnë urrejtje dhe ta dobësojnë mbështetjen që i bënte popullata civile UÇK-së, të futin frikë dhe panik në popull për t’i lëshuar vatrat, t’i justifikojnë humbjet përpara qeveritarëve të vet, dhe shumë faktorë të tjerë në shërbim të interesave të tyre hegjemoniste, që kërkojnë një trajtim të gjerë në këtë drejtim.

 

Disa dëshmi rreth vrasjes së martirëve të masakrës së Tusuzit

 

Vrasja e banorëve civilë në Lagjen Tusuz nga policia serbe më datën 26.5.1999, u krye në mënyra  më makabre dhe më barbare  nëpër vende të ndryshme, kudo që i hasën ata. Popullata civile e pambrojtur atë ditë pat mbetur nën mëshirën e kriminelëve dhe barbarëve serbë dhe shërbëtorëve të tyre shqipfolës, disa myslimanë (të ashtuquajtur boshnjakë tani) dhe disa romëve që ishin vënë në shërbim të okupatorit. Siç dihet, që prej fillimit të luftës policia serbe ishte stacionuar në skaj të Lagjes Tusuz në një shtëpi private që e kishte kthyer stacion policor, prej nga maltretoheshin, torturoheshin dhe rriheshin banorët e Lagjes Tusuz dhe ata të fshatrave të Vërrinit që duhej të kalonin atypari. Dhe dihet tanimë se, serbët, humbjet e veta gjithmonë i shndërronin në hakmarrje mbi popullatën civile. Një sulm të këtillë ata e ndërmorën po këtë datë kundër popullatës civile të Lagjes Tusuz, e cila kishte qenë halë në sy për okupatorin serb gjatë gjithë luftës, për shkak të kontributit të dhënë në shërbim të UÇK-së dhe në mbështetjen e saj e të luftës çlirimtare që e zhvillonte ajo. Në fillim nga forca të shumta policore, ushtarake e paramilitare, u bë rrethimi i lagjes, e cila u fut në rrethim të plotë në formën e unazës, prej nga ishte gati e pamundur të dilej. Këtij rrethimi i kishin shpëtuar vetëm ata që kishin dalë përpara se të bëhej rrethi nga ushtria e policia okupatore, ndërsa popullata e cila kishte ngelur në këtë rreth, tanimë ishte në duart e barbarëve serbë dhe shërbëtorëve të tyre. Pra tani më në Lagjen Tusuz, kishte filluar krimi mbi popullatën civile. Do t’i japim disa versione se si u vranë dhe u masakruan banorët e kësaj lagje: Sulmi kishte filluar që nga mëngjesi i ditës së mërkurë, 26 maj 1999, ndërsa pasdite futen në shtëpinë e Hesat Xhemshitit. Këtu ushtarët serbë dhe policia i fillojnë maltretimet kundër tij dhe vëllait të tij Xhevatit, të cilin më vonë e largojnë nga aty, ndërsa në shtëpi i mbajnë Hesatin dhe djalin e vëllait të tij Bejanin (i cili edhe më parë kishte qenë  i zënë rob nga forcat serbe, vetëm pak ditë përpara ishte liruar), të cilët i torturojnë  dhe në fund i ekzekutojnë në shtëpinë e tyre. Ndërsa Rafet Abdylmexhidi, një burrë 52 vjeqar, i cili shumë herë kishte vënë kontakte me njësitin e UÇK-së në anën e Vërrinit, ditë e 26 majit, u gjend në shtëpinë e tij  së bashku me vëllanë e vet Samiun, me të ishin edhe djemtë e vëllait Shefiki dhe Behari, kushëriri i parë i tyre Hyrmet Sylejmani dhe djali i dajës së tyre Mirsat Osmani. Paramilitarët serbë u futën në oborrin e shtëpisë së tyre, pra duke kaluar mbi mure, fillimisht futen në shtëpinë e Xhevat Xhemshitit, duke vazhduar edhe në shtëpinë e Vahit Abdylmexhidit, dhe pasi u futën në oborr, serbët  i vunë zjarrin veturës e cila gjendej në oborr, pastaj me kondak pushke e sulmojnë  Rafetin përpara anëtarëve të familjes, të cilin e mbulon gjaku, dhe pasi i plaçkitin, anëtarët e familjes i largojnë nga shtëpia, ndërsa Hyrmetin e marrin me vete dhe e çojnë deri në shtëpinë e vet, ia marrin edhe veturën dhe përsëri e kthejnë në oborrin e shtëpisë së Rafetit. Pastaj i ekzekutuan para shtëpisë, pra aty u ekzekutua Rafeti me të vëllanë Samiun, djemtë e Samiut, Shefiki dhe Behari,  kushëriri i tyre Hyrmeti dhe djali i dajës Mirsati. Shefiku, Bejani, Mirsati dhe Hyrmeti, që të katër edhe më herët kishin qenë të zënë rob nga forcat serbe, vetëm pak ditë para masakrës në Tusuz ishin liruar. Me rëndësi të ceket, se Behar Abdylmexhiti, ishte më i riu në masakrën e Tusuzit, ende pa i mbushur 17 pranvera dhe ishte nxënës i medresesë së Prizrenit, prandaj sipas një dëshmitari okular, përpara se ta vrisnin barbarët serbë, ai kishte thirrur ezan. Në  këtë grup siç e thashë, u ekzekutua edhe Hyrmeti, të cilin e kishin dërguar duarlidhur deri në shtëpi, ia kishin marrë veturën, pasi ja ndezën edhe shtëpinë dhe pastaj e vranë së bashku me kushërinjtë e vetë. Sipas një dëshmitari okular, thuhet se në mesin e kriminelëve serbë kishte edhe të atillë që e flitnin mirë gjuhën shqipe. Ndërsa plakun Bislim Qengaj së bashku me plakën e vet, serbët pasi i morën një shumë të hollash  i ekzekutuan të dy në dhomën e ditës. Me rëndësi është që të citojmë se ky plak, atyre që i larguan për në Shqipëri u kishte thënë: Ju ishalla do të ktheheni, por neve vështirë se do të na gjeni, megjithatë ne më lehtë e kemi kur juve nuk ju shohim në duar të barbarëve. Edhe Salih Elshanin, serbët e vranë në oborrin e shtëpisë së vet, pra ky ishte një plak i vendosur që për asnjë çmim nuk kishte pranuar ta lëshonte Prizrenin. Ymer Thaçi, vetëm një javë përpara se ta lirojnë, ngase ishte rob në hapjen e istikameve në kufirin me Shqipërinë, si shumë banorë tjerë të Tusuzit, ia bastisin shtëpinë dhe ia vrasin kalin në ahur, ndërsa atë e patën liruar më 22.5.`99, pak ditë përpara vrasjes. Edhe Avdi Berishën, në fillim të majit e patën arrestuar serbët dhe për tri ditë rresht ishte keqtrajtuar në mënyrat më barbare dhe kur ishte liruar ashtu i rrahur ishte strehuar te miku i tij Ymeri. Plaku 78 vjeçar Avdi Berisha citohet të ketë thënë, për ditët që ishte në torturë: Nuk ishte i rëndë dajaku, sa ishte i rëndë momenti kur ma hoqën kësulën e bardhë dhe ma shkelën përpara syve të mi. Ndërsa ditën e krimit, Ymer Thaçin dhe mikun e tij Avdi Berisha nga fshati Arbëri (Leskovec), dy agjentë serbë rreth orës 18.45 hyjnë në oborrin e shtëpisë së Ymerit dhe aty i gjejnë të dy, pastaj i marrin dhe i futin njërin në njërën dhomë dhe tjetrin në dhomën tjetër dhe me nga një plumb në kokë i ekzekutojnë. I varrosën ushtarët e UÇK-së gjatë asaj nate në oborrin e shtëpisë së Ymerit në pamundësi për t’ i varrosur në varrezat e qytetit. Edhe Refki Berisha u ekzekutua në shtëpinë e tij në Tusuz. Hajrim Arifin, serbët e gjetën në shtëpinë e tij me familjen. E ndajnë nga familje dhe e dërgojnë në bodrumin e shtëpisë dhe aty e ekzekutojnë me dy plumba në gjoks, pastaj ia kallin edhe shtëpinë. Gjurmëve të kërkimit të kufomës, babai i tij shkon në spitalin e Prizrenit, ku mjekët serbë i kërkojnë 3000 DM, vetëm për ta identifikuar kufomën në morgun e spitalit, por gjatë rrëmujës së krijuar, kur  në ato momente serbët i sjellin 50 kufoma të ushtarëve dhe policëve të vet të vrarë, ai përfiton nga rasti dhe e merr kufomën e djalit të vet. Edhe Sani Bajramin serbët e gjetën në shtëpinë e tij. Pasi ia nxjerrin familjen nga shtëpia ia futin flakën shtëpisë, ndërsa familjes i thonë të niset menjëherë për Shqipëri, ndërsa Saniun e ndalën. Pas kthimit të familjes nga Shqipëria, në oborrin e shtëpisë u gjetën tre plumba, njolla gjaku dhe tri gropa. Neki Gashi, u vra nga forcat serbe po ditën e 25 majit rreth orës 8.30 minuta, në korridorin e shtëpisë së vet në prani të bashkëshortes së tij, pastaj i dogjën edhe shtëpinë, ndërsa sipas dëshmive të bashkëshortes së tij, së bashku me kriminelët serbë ishin edhe romë dhe të tjerë që u shërbenin atyre, ndërsa varrimin e bëri bashkëshortja me disa të afërm tjerë në varrezat e qytetit të Prizrenit. Selim Berisha, së bashku me vëllanë e tij Feimin, ditën e vrasjes ishin në qytet për të blerë bukë. Duke u kthyer diku rreth orës 11.30, në rrugë mbi varrezat e qytetit hasin në policinë serbe, me këtë rast ata fillojnë t’i plaçkitin dhe t’i maltretojnë, e pastaj edhe i  ekzekutuan. Trupat e pajetë i dërguan në morgun e spitalit të Prizrenit, ku u mbajtën një javë e pastaj i varrosën një javë më vonë në një varrezë masive. Edhe Xhemajli Poniku së bashku me vëllanë e vet Halil Poniku, pasi  i kishin legjitimuar të dy vëllezërit, i ekzekutuan  në rrugën pranë varrezave të qytetit, afër shtëpisë së Garip Krasniqit nga policë e paramilitarë serbë. Fazile Maçkaj, ishte invalid e paralizuar, të cilën paramilitarët serbë rreth orës 10.00, e kishin vrarë dhe djegur gjysmën e trupit. Kur ishte kthyer babai dhe nëna që nuk kishin qenë në shtëpi, trupin e vajzës e gjetën gjysmë të djegur dhe pastaj gjatë asaj nate e varrosin në oborrin e shtëpisë, pastaj të dy prindërit largohen për në Shqipëri. Fazilja është e motra e dëshmorit të kombit Selver Maçkaj, i cili po ato ditë ra heroikisht në vijat e frontit mbi Pashtrik. Rexhep Maçkaj, po ashtu është vrarë ditën e 26 majit 1999 në Lagjen Tusuz të Prizrenit. Trupi i tij i pajetë u gjet në një grumbull plehu. Ndërsa për Fadil Ramadanin dhe Nijazi Mujën nuk kemi të dhëna. Po ashtu, përveç gjithë këtyre vrasjeve, serbët plaçkitën shumë pasuri në këtë lagje dhe i dogjën rreth 250 shtëpi të shqiptarëve, për të humbur shumë gjurmë të krimeve të tyre. Kështu pra dita e 26  majit 1999 në Tusuz,  përveç që u skuq me gjakun e martirëve, që u martirizuan nëpër shtëpitë e tyre në tokën e tyre dhe atdheun e tyre – Kosovë, mbi qiellin e kësaj lagje mbuluan retë e zeza të tymit që dukej sikur dilte nga zemra e tokës, nga zemra e qytetit të lashtë të Prizrenit, nga zemra e Kosovës.


Pjesë nga libri “Masakra e Tusuzit, Gëzim Ajgeraj ,janar 2003.

 


Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen