SHKOLLA DHE ARSIMIMI NË MALËSI
Nga: Gëzim
Ajgeraj
Si kudo nëpër Kosovë, edhe në Malësi, paslufta e dytë botërore e këtej, shënon
hapjen e shkollës në këtë anë. Deri në këto kohë, në fshat njihen pak të rinj
që kanë ditur shkrim lexim, të mësuar gjatë shërbimeve ushtarake apo diku në
kurbet. Dhe deri në këto kohë, letrat që vinin nga kurbeti, apo nga djemtë e
shkuar ushtarë, duhej të gjendej dikush që dinte shkrim këndim që t’i lexonte
ato letra.
Në këto
vite, kohët shumë shpejt ndryshuan, me hapjen e shkollave të para shqipe në
këto anë. Por duhet shtuar faktin se, edhe ata që pak a shumë, mund të
shkruanin a lexonin, më tepër e njihnin alfabetin serb, sepse kryesisht në këtë
gjuhë kishin mësuar. Në fakt nuk flitet për ndonjë njohje të thellë të
arsimimit, por thjesht një shkrim lexim qe kishin mësuar jashtë shkollave. Dhe
tani më, nevojat për hapjen e shkollës, dhe dëshira e banorëve ishte e madhe.
Kësisoj u krijuan edhe disa kushte e faktorë për hapjen e një shkolle në
Malësi.
Hapja e shkollës
Shkolla e parë shqipe (katër klasash) në Lybeqevë (sot Malësi), u hapë në vitin
1948, si paralele e ndarë e shkollës fillore; "Mustafa Bakiu" në
Prizren. Në këtë kohë shënon të ketë pasur diku 50 nxënës nga Lybeqeva, Lezi
dhe Kushnini. Mësuesi i parë që filloi e këta nxënës në këtë shkollë, ishte
Leon Laçi nga Prizreni, i cili punoi nga 4 prilli 1947, deri më 1 dhjetor 1948.
Mësues pas Leon Lajqit ishin: Selajdin Krasniqi, Sylejman Ajgeraj, Shyhrete
Ajgeraj, Fehrije….., Hajdin Spahiu, Isa Morina, Ymer Xerxa,, Milaim Reçi, Isuf
Kelmendi Florije Kelmendi, Nafi Gashi, Masar Gashi, Muharrem Gashi, Elez Hagjosaj, Halit Hagjosaj,
Dihet
fare mirë se në këtë kohë, kushtet dhe rrethanat në fshat, ishin tepër të
vështira dhe mësimi fillimisht filloi të mbahej në mejtepin e xhamisë. Më
pastaj kjo shkollë bartet në objektin ku sotë ndodhet shtëpia e familjes Avdaj,
(Qemajl Avdaj-t). Ne vitin 1968 Asip Shabanaj leshoi truallin e vet për ndërtimin
e shkollës se re, shkolla e re 6 klasash u përurua në janar të vitit 1968. Në
vitin 1971 filloi gjenerata e parë 8 klasash. Gjenerata e parë që kreu klasën e
8 doli në vitin 1974. Me ndërtimin e objektit
të ri, në vendin ekzistues të shkollës së sotme (të modelit montazh nga druri e
asbesti, sipas një stili Slloven), u krijuan kushte më të mira, që nxënësit nga
këto tre fshatra, të fillonin mësimin në këtë objekt.
Nga viti 1952, deri në vitin 1960 shkolla
fillore e Malësisë, ishte paralele e ndarë e shkollës; "Ramiz
Sadiku", të Zhurit. Ndërsa nga viti 1960, deri në vitin 1989, kjo shkollë
ishte paralele e ndarë fizike e shkollës fillore; "Muharrem
Bekteshi", të Hoçës së Qytetit. Nga 1 shtatori i vitit 1989, kjo shkollë u
pavarësua, duke u emëruar si; shkolla fillore "Lybeqevë", në
Lybeqevë, me paralelet e saja të ndara në Lez dhe Leskovec (Arbëri). Me
pavarësimin e kësaj shkolle, u zgjodhën edhe organet udhëheqëse të sajë, ku për
drejtor u emërua; Selajdin Istref Selmanaj, ndërsa sekretarë; Limon Hasan
Kryeziu. Ndërsa në vitin 1992, shkolla fillore në Malësi, u emërua me emrin e
patriotit të shquar; “Mic Sokoli”, të cilin e bartë edhe sot e kësaj dite. Për
gjatë këtyre dekadave të ekzistimit të shkollës në Malësi, drita e arsimimit
ndriçoi rrugët e jetës së banorëve, të cilët me të madhe pushtuan botën e
zhvillimit dhe arsimimit të mëtutjeshëm, duke arritur suksese nëpër shumë sfera
të jetës në përgjithësi. për këtë çështje sigurisht se do të flasim më vonë.
por le të ndalemi edhe pak, tek kronologjia e rritës dhe zhvillimit të sajë
nëpër dekada të ndryshme, duke u ndalë me theks të veçantë pas viteve të
nëntëdhjeta, kur edhe shkolla shqipe në përgjithësi në Kosovë, nga pushteti
okupues serbë përjetoi të gjitha format e dhunës, deri në mbylljen e tyre
institucionale. pra, pushteti okupator i nxori ato nga jeta institucionale dhe
nga financimi, dhe kësisoj, popullatës shqiptare në Kosovë i mbeti në dorë vetë
organizimi i arsimit dhe vetë financimi, i cili vazhdoi gati për një dekadë,
deri në fillimin e luftës për çlirimin e Kosovës, nga UÇK, në vitin 1998.
Janë
këto kohë, kur pushteti okupator serbë suprimoi autonominë e Kosovës dhe
shkolla shqipe ishte ndër të parat që u bë viktimë e terrorit dhe dhunës serbe,
deri në mbylljen e tyre. Dhe punëtorët e arsimit, ishin të parët që
kundërshtuan nënshtrimin, duke mos pranuar plane dhe programe serbe, por duke
kundërshtuar me forcë, në ruajtjen e autonomisë së shkollave shqipe dhe
programeve të tyre. Në këto kohë pra, Serbia i mbylli portat e shumë shkollave
për nxënësit shqiptarë. Në Malësi në këtë kohë, ishte fat që fshati ishte
etnikisht i pastër shqiptar, dhe ekzistimi i objektit shkollor, ndihmonte në
zhvillimin normal të arsimit. Ndërsa personeli arsimor, sigurisht se e ndjeu
dhe e pësoi më së vështiri, herë pas here, si nga mungesa e financave ashtu
edhe të mjeteve tjera të nevojshme mësimore. Megjithatë, vullneti, dashuria dhe
dëshira për edukimin e brezave, në këtë kohë, personelin arsimor e radhitë në
majat e kontributit që ata i dhanë Kosovës, për gati këto dhjet vite, të
aparteidit serbë mbi Kosovë.
Në
këtë kohë, në pjesën më të madhe për mbijetesën e shkollës shqipe në Kosovë,
barrën e financimit e barti mërgata e emigruar nëpër shtetet e ndryshme të
Evropës. Ndërsa pas lufta në Kosovë, shënon tjera zhvillime të shkollës dhe
arsimimit edhe në Malësi.
Lufta e UÇK-së, e viti 1998/99, shumicën nga pjesëtarët e arsimit në Malësi i
gjeti të angazhuar në UÇK me pushkë në dorë për çlirimin e atdheut nga robëria
shekullore serbe.
Një fakt
tjetër shumë i rëndësishëm për kohën është ai i kontributit të shkollave, në veçanti
të komunitetit të arsimtarëve dhe mësuesve që i dhanë luftës çlirimtare të
vitit 1998/99 de UÇK-së, në zonën e Vërrinit. Dihet fare mirë se pjesa
dërmuese e këtyre mësuesve, ishin pjesëtarë të UÇK-së, të cilët dhanë kontribut
të çmueshëm, në luftën për çlirimin e atdheut. Nga Malësia, në këtë luftë ishin
të angazhuar; Limon Kryeziu, udhëheqës i shkollës ushtarake në Malësi, cili nxori disa gjenerata të ushtarëve, gjak
kohës së ekzistimit të anës së lirë të Vërrinit. Pastaj, Baki Avdaj, udhëheqës
ushtarak i angazhuar në zonën e lirë të Vërrinit (të shpallur nga UÇK-ja), etj. Ne duhet të
përmendim një fakt të rëndësishëm këtu, duke kujtuar se Heroi i Kosovës, Xhevat
Ahmet Berisha, ishte mësues mbi dy dekada në shkollën e Malësisë dhe punoi deri
në rënien e tij heroike, më 1 shtator 1998, në Lez. (shënimet; Xhevat
Berisha-Legjenda e Vërrinit, të autorit Gëzim Ajgeraj, botoi Metafora, 2013,
170 faqe). Po nga kjo shkollë, nga paralelja e ndarë fizike në Lez, ku
për një kohë të gjatë ishte mësues edhe në Malësi, doli edhe Asim Berisha, i
cili u vra në Lez më datën 1 shtator 1998. Ndërsa nga paralelja e ndarë fizike
e shkollës së Malësisë, paralelja në Kushnin, u vra punëtori ndihmës i kësaj
shkolle, Tamil Beqir Shala (më 1 shtator 1998, në Kushnin. Të gjithë këta të
rënë, dikur ishin nxënës të shkollës në Malësi, e më vonë edhe punëtorë të
kësaj shkolle, deri në rënie. Ndërsa nga minat e mbetura të cilat i patën
vendosur serbët nëpër ara e Vërrinit, pas ofensivës së shtatorit të vitit 1998,
u vranë edhe këta nxënës të paraleles së ndarë fizike të Leskovecit (Arbërisë),
Ashim Enver Krasniqi, nxënës i klasës III, Behar Mejdin Xhemaj, kl.IV dhe Betim
Xheladin Xhemaj, kl. VI. Ndërsa u plagosën rëndë me pasoja të përjetshme,
Shpetim Mejdin Xhemaj, kl. V, Nafi Xheladin Xhemaj, kl. V, dhe Milaim Avdullah
Krasniqi, kl. VI. Duhet të kthehemi edhe pak tek ofensiva dhe dhuna serbe e
shtatorit kundër Malësisë në tërësi, duke mos e lënë as shkollën anash e cila,
më datën 4 shtator 1998, tek po tërhiqeshin nga Malësia, në largim e sipër,
(mes orës 12.30 dhe 13, i vënë flakën objektit të shkollës në Malësi) e djegin
tërësisht objektin e shkollës, deri në themel. Pas përfundimit të ofensivës
serbe kundër popullatës vërrinase dhe forcave të UÇK-së, popullata civile nis
të rikthehet sërish në Malësi. Fshati tani më ishte i djegur i tëri dhe i
ngjante gërmadhave, ndërsa shkolla ishte rrafshuar deri në themel, që e
mbulonte një plato betoni mbi dhe. Mësimi ishte i pa mundur këtu. mirëpo me
dëshirën dhe iniciativën e disa nga mësuesve të atëhershëm të Malësisë,
shtrohet kërkesa për rifillimin e mësimit të nxënësve, pavarësisht në kushte të
vështira lufte. Dhe ishin këta; Baki Qemajl Avdaj, Sinan Muharrem Maqkaj, Rami
Shani Shala dhe Maliq Asllan Oruqaj, të cilët edhe për kundër kushteve teknike,
numrit të vogël të nxënësve të kthyer në fshat, dhe kushteve të gjendjes së
luftës që mbretëronte, vazhduan mësimin e nxënësve nga klasa e parë deri në atë
të IV, në mejtepin e xhamisë së fshatit, i cili u kishte shpëtuar, flakëve të
luftës. Me kthimin e familjeve në fshat dhe rritjen e nxënësve, në mungesë të
lokalit për mbajtjen e procesit mësimorë, nxënësit u transferuan në shtëpinë e
Merxhan Metë Shalës, në një objekt afër xhamisë.
Në
gjysmëvjetorin e dytë, kur shumica e familjeve ishin kthyer në Malësi dhe numri
i nxënësve ishte rritur, nga ky këshill
vendoset që mësimi nga klasa e parë deri në klasën VIII, të mbahet në shtëpinë e Rexhep Maçkajt,
në lagjen Maçkaj. Në këtë kohë, mësimi u mbajt në dy turne; cikli i parë nga
klasa e V-të deri në klasën VIII, mbahej paradite, ndërsa nga klasa e parë deri
në klasën IV, mësimi mbahej në turnin e pasdites. Në këtë shtëpi shkollë,
mësimi u mbajt deri më datën 10 mars 1999. Më datën 11 mars 1999, mësimi u
ndërpre përsëri, për shkak të ofensivës së dytë, të forcave okupatore serbe
kundër fshatrave të Vërrinit. Dhe ky vit, për shkak të dëbimit të popullatës
civile të këtyre anëve, për në Shqipëri, mësimi u ndërpre, deri në rikthimin e
sërishëm të sajë, pas 12 qershorit 1999.
Viti i ri shkollorë 1999/2000, filloi në shtëpinë shkollë të Hazër Zyber Mehmetaj-t, dhe me rritjen numerike të nxënësve që ktheheshin vazhdimisht, shkolla u transferua në shtëpinë e Sabrit dhe Bilall Isa Ponikut afër lagjes Ajgeraj. Në këto dy shtëpi, mësimi u mbajt deri më datën 19 shtator të vitit 2001. Le të kujtojmë edhe disa fakte që lidhen me shkollën në Malësi, dhe mbijetesën e sajë. Pas mbarimit të luftës, u hapën shtigje të reja të organizimit dhe me këtë; kryesia e fshatit në bashkëpunim me drejtorin e atëhershëm të shkollës; Selajdin Istref Selmanajn, morën iniciativën për ndërtimin e një shkolle të re në Malësi. Dhe me ndihmën e mërgimtarëve nga bota e jashtme, u ble dhe u sigurua vendi, në të cilën do të ndërtohej shkolla e re. Dhe me ndihmën e donacioneve të huaja, që atëherë operonin në Kosovë, më saktë të atij japonez, u bë i mundshëm ndërtimi i kësaj shkolle fillore në Malësi të Vërrinit. Më 20 shtator të vitit 2001, u bë përurimi i kësaj shkolle, njëra nga shkollat më moderne në Kosovën e atëhershme të pasluftës. Drejtor i atëhershëm i kësaj shkolle ishte Selajdin Istref Selmanaj, i cili mbajti mandatin nga viti 1989, deri më datën 12 prill të vitit 2010. Nga data 12 prill, këtë post e mban Baki Qemajl Avdaj, një punëtor i devotshëm i arsimit shqip në Malësi. Sot në këtë shkollë, mësimin e ndjekin diku 250 nxënës, me kushte shumë të mira, si: kabinete, laboratorë, sallën e edukatës fizike, e ndërtuar fare pranë shkollës nga Monarkia e Lichtenshtajnit ( e kërkuar dhe e siguruar nga autori i këtij libri (G.A.), i cili në ato kohë ishte shumë afër me njerëzit e ministrisë së kësaj monarkie). Ka një staf profesional dhe të përgatitur mirë, i cili i përshtatet edhe kushteve të sotme moderne, ku pjesa dërmuese e orëve mësimore mbahen me projektor elektronik. Dhe si rezultate të sukseseve, kjo shkollë për disa vite zë vend më të merituar në kuizet e diturisë, si në komunën e Prizrenit, edhe më gjerë. Tanimë kjo shkollë boton edhe revistën e shkollës "Rrezja e diturisë". Duhet shtuar edhe faktin se sot në këto kushte, në shkollën e Malësisë dhe në paralelen e ndarë në Leckovec (Arbëri), mësimin e ndjekin 253 nxënës me 16 arsimtarë. Ndërsa fatkeqësisht, paralelja e shkollës në Lez, nuk ekziston më, si dhe ajo në Kushnin, për shkakun se këto dy fshatra nga lufta e këndej, janë shuar tërësisht dhe banorët e tyre janë dyndur në qytet. Nga brezat e kaluar, në vitet tetëdhjeta e këtej, kjo shkollë ka arritur numrin e nxënësve, deri në 530, sikur edhe numrin e lartë të banorëve, që kishte fshati, por shpërngulja e popullatës drejtë qytetit, migrimi dhe emigrimi familjeve në shtetet e Evropës Perëndimore, ka bërë që fshati dhe kjo shkollë, të ketë këtë numër nxënësish, i cili gjithnjë e më tepër po zvogëlohet. Këtij fakti, i prinë edhe nataliteti i ulët, si model i brezit të ri, i cili po praktikojnë të kenë më pak fëmijë.
Do të kthehemi tek rezultatet e kësaj shkolle, kur në vitin 2013/14, arriti sukseset më të mira në;Testin e arritshmërisë, me: 54.38%. Llogaritet prej shkollave me të mira dhe më të pastra në nivelin komunal të regjionit të Prizrenit. Nga kjo fole e dijes dhe arsimimit, nga Malësia kanë dalë gjenerata e gjenerata, të cilët kanë treguar rezultate të larta në lëmin e dijes, shkencës, kulturës etj. dhe i kanë shërbyer vendit dhe çështjes së pazgjidhur kombëtare, me të gjitha format dhe mjetet e mundshme. Tanimë nga kjo shkollë kemi emra që prijnë në institucione si në arsim, kulturë, shkencë, mjekësi, etj. Dhe kujtojmë se kjo çerdhe ishte dritë frymëzim për gjenerata e gjenerata, që dolën nga kjo shkollë. Unë emra nuk do të jap këtu, sepse e di se do t’i ngelem borxh shumëkujt, por malësorët e sotëm tanimë i kanë bijtë e vet, që e bëjnë Malësinë të mburret me ta. Në fund, do të japim edhe listën e arsimtarëve dhe punëtorëve tjerë arsimorë, që punuan në këtë shkollë, nga 1 shtatori i vitit 1989, deri në ditët e sotme. Gusht 2014.
Edhe disa të dhëna për objektin e
ri të shkollës fillore "Mic Sokoli" në Malësi të Vërrinit
Siç kemi thënë më lart, objekti i ri i kësaj shkolle u ndërtua në vitin 2001
nga donacionet e qeverisë japoneze, pasi që objekti i vjetër ishte djegur gjatë
luftës nga forcat e okupatorit serb. Kjo shkollë u ndërtua në vendin e njëjtë
ku ishte shkolla e vjetër, por kuptohet me truallin shtesë që u ble nga mërgimtarët
dhe banorët e fshatit në vlerë diku 160.000 marka të atëhershme. Ky objekt sot brenda vetes ka kompleksin e
shkollës dhe sallën e sportit të ndërtuar nga monarkia e Lichtensteinit. Fare
pranë dhe ambulancën e fshatit, të ndërtuar nga
qeveria gjermane. Shkolla e mban emrin e patriotit të shquar; Mic Sokoli në Malësi të Vërrinit. Shkolla i takon
tipit të shkollave publike të nivelit: 0, I dhe II, ku mësohet në gjuhën
shqipe. Numri i nxënësve nga klasa e parë deri në atë të nëntën, janë 264, dhe
i fëmijëve të arsimit parafillorë janë 29 nxënës. Drejtor i saj sot (2014),
është Baki Avdaj me një staf të arsimtarëve - 17, një edukator dhe 4 persona të
stafit teknik. Sipërfaqja e objektit shkollor është 2900 m/2, ndërsa godina
shkollore prej 1618 m/2. Me 8 dhoma mësimore, ku sipërfaqja e tyre arrin në 540
m/2, dy zyra për administratën me 64 m/2 dhe katër dhoma tjera. Shkolla e ka
dhe punëtorinë e saj me 18 m/2, arkivin e shkollës me 18 m/2, bibliotekën e
shkollës me 27 m/2, kabinetin e informatikës me 48 m/2 dhe kabinetin e fizikës
me 76 m/2. Shkollës i është bashkëngjitur edhe salla sportive, e cila ofron
kushte të mrekullueshme për punë dhe edukimin fizik të nxënësve të kësaj
shkolle. Ajo sot përdoret për orët e edukatës fizike, garat sportive në nivel
të shkollës, tubime e koncerte të ndryshme, dhe ofron një komoditet të mirë për
punë dhe shërbim në këtë shkollë.
(Të dhënat, nga Baki Avdaj, drejtor i kësaj shkolle, 2014)
Lista e punëtorëve
dhe arsimtarëve të shkollës fillore "Mic Sokoli", në Malësi të
Vërrinit, dhe e paraleleve të ndara të kësaj shkolle në Arbëri, dhe atyre të
dikurshme në Lez e Kushnin (tani më shkolla të shuara për shkak të mungesës së
banorëve në këto dy fshatra
Mësuesit dhe personeli kujdestar, që punuan gjatë gjithë kohës së ekzistimit të
kësaj shkolle, nga themelimi i saj, deri në ditët e sotme, janë si, Limon H.
Kyeziu (1952), Selajdin I. Selmanaj (1956), Naim I. Çejku (1960), Mitat E.
Krasniqi (1957), Hasim S. Berisha (tani
dëshmor), Hazër Z. Memedaj, Ridvav M.. Berisha (1957), Ramush H. Thaqi (1960), Bashkim J. Likaj , Kasam N. Berisha
(1959), Maliq A. Oruqaj, Baki Q. Avdaj (1958), Rami Sh. Shala, Miriman M.
Shala, Ilam D. Berisha (1959), Zineta S. Koraq (1963), Dalip A. Shabanaj
(1963), Rafet Gj. Berisha (1959), Shaban H. Berisha, Selman D. Berisha (1962),
Shukri M. Xhemaj (1964), Zymer D. Krasniqi, Tafil S. Berisha, Sinan M. Maqkaj
(1966), Lulzim A. Berisa, Elbasan Xh. Shoshaj, Ymrijan Gashi, Nystret I. Shala,
Liman I. Halilaj, Hajri A. Berisha (1963), Ismet Kryeziu, Shefqet Ahmeti
(Ferizaj), Rami A. Berisha, Fazli Shala, Sahit Cenaj, Zenel Lokaj, Xhevat A.
Berisha (hero i Kosovës), Reshit Kushaj, Amet I. Noci, Shefki Demiri, Rrahim A.
Berisha (1962), Hajriz B. Shala (1965), Tamil B. Shala (tani dëshmor), Lirim V.
Berisha, Ismet V. Krasniqi (1971), Nail S. Kryeziu (1971), Samidin S. Ramadani
(1971), Flurije H. Gashi, Halim B. Thaqi, Ali J. Berisha, Axhi T. Xhemaj,
Bajram A. Oruqaj Kapllan M. Poniku, Myfajet M. Maçkaj, MemetA. Shala, Samir F.
Xhemaj, Behajdin M. Berisha, Neshat A. Shala (1965), Dashurije Xh. Sertolli,
Nasuf M. Krasniqi, Nexhat S. Maqkaj (1977), Asllan R. Kryeziu, Rrezak N.
Berisha (1969), Shemsidin T. Shala, Namik Xh. Shoshaj, Refki Q. Avdaj, Besim M.
Berisha (1962), Jahir F. Xhemaj (1968), Sabit S. Berisha, Lendita Gashi (1977),
Nail G. Buduri, Besa G. Xhaha, Gjylhajr Shala, Rakip R. Kryeziu (1941), Esengyl
Xharra, Vait Sh. Kryeziu, Sadri H. Maqkaj, Vllaznim I. Berisha, Bislim M. Ponik
(1982), Kujtim E. Avdaj, Atnan S. Halilaj, Ajredin K. Krasniqi, Bekim B.
Koqinaj, Reshat H. Halimi, Ridvan Elezi, Etem Bytyqi, Nebije A. Mehmeti, Osman
F. Shala, Hasim V. Iballi, Zenel Asllani, Nebije A. Mehmeti, Egzona Gjigolli,
Arben S. Berisha, Zehadin H. Berisha, etj.
Duhet të përmendim faktin se në këto lista, janë arsimtarë dhe punonjës tjerë të shkollës, nëpër periudha e dekada të ndryshme të funksionimit të arsimit në Malësi. Dhe si e tillë, nuk kemi dhënë periudhat kohore të punës, por pjesërisht vitet e lindjes. Së dyti, duhet të përmendim faktin se kemi edhe shumë mësues që kanë punuar në këtë shkollë, por janë harruar emrat e tyre, për shkakun se ata kanë qenë nga të gjitha viset shqiptare, dhe nëpër vite edhe janë harruar. Kjo mungesë e emrave vjen edhe si pasojë e asaj se shkolla nëpër dekada tri herë ka qenë paralele e ndarë, njëherë e shkollës në Prizren, asaj të Zhurit dhe në fund e asaj të Hoçës, deri në pavarësimin e saj. Dihet mirëfilli se arkivat e këtij brezi të arsimtarëve janë nëpër këto shkolla. Por një faktorë shumë i veçantë, që na vështirëson hulumtimin tonë është edhe djegia e shkollave në Vërri dhe arkivave të tyre nga ushtria serbe në vitin 1998/99, duke zhdukur çdo gjurmë nëpër shkollat e Vërrinit, e me theks të veçantë në Malësi. Për ta argumentuar këtë që e thamë, do të kujtojmë edhe disa emra që kanë ngelur në kujtesën tonë nëpër vite, si, Mësuesi Ramë (në shkollën e Lezit), mbiemrin e të cilit nuk kemi mundësi ta kujtojmë, apo mësuesi Xhevat nga Buzezi i Opojës, apo mësuesi Bekë nga Deçani, apo mësuesi im i parë (vetëm tre muaj), mësuesi Haxhi, mësuesi Hajriz, e shumë të tjerë. Dhe kur i shikojmë këto lista, kemi mësues nga një gjeografi e gjerë e hartës shqiptare që nga Nikshiqi i Malit të Zi, Gjakova, Ferizaji, Peja, Suhareka, Dragashi, etj. Ndërsa nga Prizreni, është shumica e këtyre arsimtarëve. Nga këto lista, sigurisht se pjesa dërmuese janë arsimtarë dhe djem nga Malësia, të cilët u rritën, mësuan në këtë shkollë dhe tani bartin barrën e arsimimit të brezave në Malësi.
Do të
ripërsërisim dhe veçojmë këtu kontributin e arsimtarëve vendas të cilët i
shërbyen arsimit në këtë fshat, qysh gati nga themelimi i saj, e këta janë, si
Sylejman K. Ajgeraj dhe Shyhrete Ajgeraj (punuan si mësues shumë herët në këtë
shkollë). Më pastaj kemi brezin tjetër si, Limon H. Kryeziu, Selajdin I.
Selmanaj, Baki Q. Avdaj, Hazër Z. Memetaj, Bashkim J. Likaj Maliq A. Oruqaj,
Miriman M. Shala, Rami Shala, Sinan M. Maçkaj, Neshat A. Shalaj, e deri te
brezi më i ri, Nexhat S. Maçkaj, Myfajet Maçkaj, Atnan S. Halilaj, Bislim M.
Poniku, Mehmet A. Shala, Kujtim Avdaj, Refki Avdaj, etj. Të gjithë këta
arsimtarë, dikur nxënës të kësaj shkolle tani mësues dhe bartës të organizimit
të arsimit në Malësi të Vërrinit.
Nga kjo shkollë kanë dalë kuadro që sot i gjen gjithandej Kosovës nëpër institucione të ndryshme dhe në profesione të ndryshme. Në këtë gjashtëdhjetë e sa vjet të ekzistimit të kësaj shkolle, për Malësinë ajo ka qenë drita e dijes dhe e zhvillimit të përgjithshëm për banorët e kësaj ane. Ajo edhe sot e kësaj dite mbetet vatra më dritëdhënëse e diturisë ku mësojnë e kaliten me dije brezat e rinj.
**(Listën e punëtorëve punëtorëve të
shkollës fillore në Malësi dhe paraleleve të ndara fizike në Leskovec, Lez e
Kushnin, na e siguroi drejtori i tanishëm i kësaj shkolle, Baki Q. Avdaj).
Shkolla e re në Malësi të Vërrinit

Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen