NJË PËRKUFIZIM I SHKURTËR I REGJIONIT TË VËRRINIT TË SOTËM
Nga: Gëzim Ajgeraj
Në jug të Prizrenit,
përkatësisht nga "Ura e Vlashnjës" e deri mbi "Malet e
Lezit" zgjatet shtati i Vërrinit. Në veri me Prizrenin dhe regjionin e
"Zhupës" dhe në jug me regjionin e Opojës. Vërrinin e përbëjnë tetë
fshatra, si Lezi, Kushnini, Malësia e Vërrinit, Arbëria, Gjeq (Jeshkova), Hoqa
e Qytetit, Kushtrimi dhe Gurra (Poslishti). Për nga hapësira shtati i tij kap
gjatësinë lindje-perëndim nga Lezi e deri te ura e Vlashnjës, në një hapësirë
ajrore diku dhjet kilometra dhe diç më pak në atë veri jug. Zona e Vërrinit
është kryesisht kodrinore-malore. Kjo zonë është në kuadër të administrimit të
komunës së Prizrenit. Lidhjet rrugore janë kryesisht me qytetin dhe pjesërisht
me disa rrugë lokale të fshatrave mes vete. Popullata e këtyre anëve, kryesisht
më herët është marrë me bujqësi (për më tepër vreshtarin) dhe me kurbet. Me që
pushtetet e huaja gjithmonë e kanë injoruar (për më tepër për shkak të mos
bindjeve kundrejt okupatorëve), zonën asnjëherë nuk kanë synuar për ta
zhvilluar. Si e tillë ajo mbeti gjithmonë zonë që më së shumti, meshkujt e sajë
i kanë marr rrugët e kurbetit. Një zhvillim i hovshëm në ndërtim, në këto zona
ka filluar në vitet shtatëdhjeta, tetëdhjeta e sidomos pas nëntëdhjetës. Me që
tani dihet fare mirë se gjatë luftës çlirimtare, zona e Vërrinit u ngrit e tëra
në luftë kundër Serbisë, ajo edhe u dëmtua më së tepërmi gjatë kësaj lufte. U
vranë shumë njerëz, Vërrini u dogj e u shkatërrua, e në veçanti disa fshatra
deri në themel. Megjithatë, Vërrinasit si kurbetçar të vyeshëm, brenda pesë
viteve të pas luftës, Vërrinin e rindërtuan sërish. Më duhet të them dhe një
element të rëndësishëm se dyndja e popullatës fshatare drejtë qytetit, në këtë
kohë kapë shifrat më të mëdha se në çdo kohë tjetër që ka ekzistuar kjo dukuri.
Po gjatë kësaj kohe gati dy fshatra të tërë; Lezi dhe Kushnini thuaj se u
braktisën plotësisht nga popullata e tyre, që u shpërngul në qytetin e
Prizrenit. Kështu që sot për sot këto dy fshatra, gati janë të zbrazur
plotësisht. I dhamë vetëm disa të dhëna të shkurta për regjionin e Vërrinit,
sepse nëpër shumë media e institucione të Kosovës, nuk njihet sa duhet. Bile aq
më keq, kur Vërrini, nëpër disa libra historik as nuk përmendet fare apo aq më
keq evidentohet me Opojë. Këto dy regjione edhe pse kufizohen njëra me tjetrën,
pozita gjeografike i shkëputë të gjitha lidhjet mes regjioneve dhe si të tilla
ato janë regjione në vete. Vërrini i takon komunës së Prizrenit ndërsa Opoja
nën administrimin e komunës së Sharrit. Pra Vërrini mbetet regjion në vete me
tetë fshatra kompakte; Lezi, Kushtendili, Lybeqevea, Leskoveci, Jeshkova, Hoça
e Qytetit, Billusha dhe Poslishti, tërësisht me popullsi etnike shqiptare gjatë
gjithë shekujve të historisë së ekzistimit të Vërrinit e deri më sot.
2005

Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen