Dienstag, 10. Dezember 2024



LEZI - NJË HISTORI E SHKURTË NËPËR SHEKUJ

Nga: Gëzim Ajgeraj

Në regjionin e Vërrinit, si territor ku sot gjeografia e tij i mbulon tetë katunde, siç janë: Lezi, Kushtendili, Malesia e Vërrinit, Gjeq-i (Jeshkova), Hoqa e Qytetit, Kushtrimi (Billusha), Poslishti dhe (Arbëria) Leskoveci. Do të ndalemi në Lez, për të u marrë në vija të trasha me historikun e këtij katundi.

Kuptohet se historia e jonë, nuk na ofron të dhëna të mjaftueshme për regjionin e Vërrinit, por megjithatë, nga ato të pakta arkiva që i disponojmë, do të përpiqemi, të japim një historiografi të shkurtë për këtë vendbanim të vogël në trevën e regjionit të Vërrinit. Vërrini si territor, shtrihet në pjesën jugore të qytetit të Prizrenit, në të dalë nga qyteti e deri për rreth kodrës së *Cfilenit, për të vazhduar më pastaj në rrafshin mbi Kushtendil, deri mbi kodrat e Lezit, përskaj rrafshit të *Shtavave rrëzë rrafshnaltës së Opojës, mbi malet e Jeshkovës e Billushës, për të vazhduar me shiritin e asfaltit Prizren-Zhur- Dragash. Ky është një përkufizim gjeografik që kryesisht bazohet edhe në pronat e këtyre fshatrave, që merren edhe si kufi ndarës me territorin e Zhupës, Opojës, Lumës e Prizrenit. Nuk do të detajiizohemi më shumë rreth territorit si tërësi gjeografike, sepse atë e kemi dhënë më të zgjeruar nëpër shkrimet tona në vazhdimësi, për ata që i përcjellin kronikat tona, për të krijuar hapsirë të ndalemi në pikën më të epërme të Vërrini, në katundin Lez-ë. Jo me shumë dëshirë i hymë këtij studimi për Lez-in; e para se nuk jemi Historian dhe e dyta, se na mungojnë të dhëna të shumta, që do të më shërbenin në shënimet e mia, për të dalë i kompletuar dhe profesional. Edhe përkundër këtij ngurrimi, jam i detyruar, si krijues që vijë nga këto anë dhe së dyti që të u ofrojmë brezave atë që dimë dhe mundemi ta arkivojmë për të ardhmen. Dhe duke pasur parasysh këto që e thash më parë, sa do i zbehtë të dukej ky shkrim, të paktën kemi ofruar diç, për një vendbanim i cili mbijetoi me shekuj dhe po zhduket në kohën e modernizmit dhe zhvillimit kibernetikë të botës. Zatën, ky është edhe qëllimi i studimit tonë, sepse duke qenë dëshmitar të kësaj zhdukje, nuk guxojmë të heshtim karshi kohës. Lezi: Një katund i vogël, në regjionin e Vërrinit, në një lartësi mbidetare rreth 1100 metra lartësi, rrëzë bjeshkëve dhe maleve të Sharri-t. Katundi nëpër histori, njihet si vendbanim, po në vendin ku sot gjinden gërmadhat e shtëpive të djegura e të rrënuara, nga lufta e fund shekullit të shkuar, dhe ato pak shtëpi që ende po i mbijetojnë kohës. Lezi njihet si vendbanim i vogël, që nëpër ekzistencën e tij është afruar numrit të dyzet shtëpive, e më pak, por jo edhe më shumë. Gjykojmë këtu për epokën e shekullit të fundit të ekzistencës së tijë, ndërsa familjet që kanë jetuar në të, kanë qenë kryesisht Berisha-jt, pa ndonjë përzierje nga ndonjë mbiemër tjetër brenda katundit. Por neve do të vihemi në kërkime të hershme, duke hulumtuar ekzistencën e Lezit, nëpër arkiva e dokumente historike, për të prezantuar përpara juve. Do të hulumtonim nëpër arkiva, nga ato që mundë të gjenden, për të hyrë edhe në lashtësinë e Lezi-t. Dhe sipas një listë me të dhëna statistikore për çdo fshat të nxjerrë nga defterët e Sanxhakut të Dukagjinit të viteve 1571 dhe 1591, lidhur me popullsinë, me dinamikën e procesit të islamizimit dhe me raportin e përafërt midis antroponomisë shqipe dhe asaj sllave që mbanin kryefamiljarët me beqarët e fshatrave të Opoljes (Opojës), shihet se në mesin e 25 fshatrave, ndodhen edhe fshatrat Bilush (Billushë - Kushtrim i sotëm) dhe Janiclaz (Lez), të cilët i përkasin trevës së Vërrinit. Neve do të japim këtu vetëm të dhënat për fshatin Lez, me që pika e referimit të studimit tonë, është ky fshat. Dhe sipas këtyre të dhënave, fshati Janiclaz (Lez), në vitin 1571 kishte një shtëpi, sa edhe në vitin 1591 (p. e k.). Fshati Jeniclaz (Lez), në vitin 1571, kishte 4 çifte (familje me një sasi tokë prej çifti), dhe dy Bennak (të martuar pa tokë), dhe 4 beqarë. Ndërsa në vitin 1591 kishte 5 çifte (e një sasi tokë prej çifti), dhe 1 Bennak. *Selami Pulaha: Të dhëna ekonomike dhe demografike për krahinën e Opoljes (Opojës) në gjysmën e dytë të shek. XVI Studime historike 1975, fq. 109. Gjithashtu janë të regjistruara edhe të dhënat për akçe, ku të dhënat për fshatin Janiclaz (Lez), japin 1421 Akçe. *Selami Pulaha.

Fshati Lez, në dokumentet e shkruara, me emrin Lezibaba, varet nga Peja, është i regjistruar në defterin e Sanxhakut të Shkodrës, të vitit 1485 dhe kishte 5 shtëpi. Në defterin e Sanxhakut të Prizrenit të vitit 1530, është i regjistruar me emrin Jegeni Lez, me tetë shtëpi, ndërsa në defterin e Sanxhakut të Dukagjinit të vitit 1571, nahija e Opoljes, është i regjistriuar vendbanimi Jenice Laz, me 4 çifte, 2 benak, 4 beqarë, 1 shtëpi e krishterë. Ndërkaq, në këtë dokument fshati Lez përmendet si: Fshati Jenice Llaz varet nga Opolja (Timari i Mustafa Husrevit). Jepen edhe të dhënat për banorët: Mustafa Abdullahu (ç) Hasan Kola (m) Ibrahim Pali (ç) Rexhep Ibrahimi (m) Hysejn Abdullahu (ç) Hasan Hysejni (q), Mustafa Hysejni (m) Memi Gjoni (ç) Iljas Memi (q) Kurd Memi (m) Kola Pali, Çift 4, benak 2, beqarë 4, shtëpi të krishtera 1. Të ardhurat: ispenxhja dhe taksa e çiftit, e benakut dhe e beqarëve-161; grurë-barrë 14 (700); elb-barrë 10 (300); ujem - barrë 20 (400); taksa e kullotës-20; taksa e perimeve-8; e dhjeta e linit-15; e dhjeta e bletëve-30; vlera e kashtës-25; nijabeti, taksa e martesës dhe të tjera -62; Shuma 1421.[38]    Selami Pulaha:Të dhëna ekonomike dhe demografike për krahinën e Opoljes (Opoja) në gjysmën e dytë të shek. XVI, Studime historike 1975, fq.123;  Me emrin Jegini Lez me 8 shtëpi përmendet në defterin e Sanxhakut të Prizrenit, nr. 368, viti 1530. [39]  Dr. Jusuf Osmani : “Vendbanimet e Kosoves 20 (Sharri /Dragashii)”; fq. 158; Poashu përmendet edhe në defterin tjetër të vitit 1591 me 1 shtëpi, 5 çiftë dhe 1 benak. Sipas studimit, të bërë nga S. Pulaha, ende gjatë gjysmës së dytë të shek. XVI banorët mbanin si mbiemra, emrat e krishterë të prindërve, që në shumicën e tyre ishin emra shqipe, dhe vetëm në raste të rralla ndeshim influenca të antroponimisë sllave. Kishte edhe familje të krishtera të pa islamizuara që mbanin kryesisht antoponimi shqipe. Në vendbanimin Janilaz (Lez - Ç.B.), në defterët e kohës janë të regjistruara antroponimet: Hasan Kola, Ibrahim Pali, Memi Gjoni, Kola Pali. [40] Selami Pulaha:Të dhëna ekonomike dhe demografike për krahinën e Opoljes (Opoja) në gjysmën e dytë të shek. XVI, Studime historike 1975, fq.103;  Lez-i si vendëbanim, së bashku me fshatrat e tjerë të Vërrinit, është i regjistruar edhe në Sallnamet e Vilajetit të Kosovës, të viteve 1893, 1896 dhe 1900. Shënim i Dr. Jusuf Osmanit; Vendëbanimet e Kosovës 18 (Prizeni), fq. 130. Kemi arritur kështu në fillimin e shekullit të XX, edhe atë në kohën mes dy luftërave botërore, dhe në këtë kohë Lez-in, e gjejmë me 17 Familje dhe 124 Banorë, (shqiptarë, musliman) në kuadër të Komunës së atëhershme të Lybeqevës, së bashku me Kushninin dhe Leskovecin, ndërsa fshatrat e tjerë; Jeshkova, Billusha, Poslishti, i takonin komunës së Hoqës së Qytetit. Dok: Prizreni midisi dy luftrave botrore 1918-1941, fq. 42, Ramadan Muja.

Duhet përmendim këtu edhe një fakt shum të rëndësishëm: Në Lez prej shekujsh ekziston Tyrbja e Ymer Babës, për të cilën na mungojnë të dhënat e ekzistencës së sajë, por duke ju referuar tregimeve të banorëve, kjo Tyrbe, ekziston me shekuj, në mesh të fshatit. Gradualisht me këtë ecje të shkurtë nëpër kohë, kemi arritur tek pjesa e historisë së pas luftës së dytë Botërore, deri në fillimin e luftës së UÇK-së, kundër okupatorit serbë 1998/99, ku Lezin si fshat e gjejmë shumë aktiv në Luftën çlirimtare. Le të ndalemi pak brenda kësaj epoke, për ta paraqitur në vija të trasha historikun e luftës çlirimtare dhe kontributit të Lezi-t, si fshat. Dihet fare mirë se në këtë kohë Lezi numëronte në mes 20 e 30 shtëpive, me një pjesë bukur të madhe, përpara luftës, të migruar në qytetin e Prizrenit. Kulmi i historisë, na ndalë në pranverën dhe verën e vitit 1998, të fundit të shek. XX, për të shkruar më gjerësisht për atë se çfarë ndodhi në këtë mot, në fshatin Lez, të Vërrinit. Pranvera e vitit 1998 shënon në Vërri, shënon daljen publike të UÇK-së dhe organizimin e sajë deri në shpalljen e Vërrinit si zonë e lirë, ku vepronin dhe e kontrollonin ushtarët e Ushtrisë çlirimtare të Kosovës. Në kuadër të kësaj zone, hynte edhe Lezi, pika e referimit tonë, për këtë studim. Lezi, si pika më e epërme për zonën e Vërrinit, përfaqësonte pjesën lindore të Vërrinit, me një hapësirë të gjerë të vijës frontale, në raport me madhësinë e fshatit. E gjithë kjo kapte hapësirën nga rrafshit mbi Kushtendil (afër Cfilenit), për gjithë vijës së maleve në pjesën lindore, deri në Shtava të Opojës. Por kjo, tani për tani, nuk është synimi i ynë, janë djemtë e Lezit, banorët e tij, lufta e tyre në mbrojtje të trojeve stërgjyshore dhe për lirinë e Kosovës. Janë pra pra djemt e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Xhevat Ahmet Berisha (komandant i ZKZ-së)e Selajdin Berisha (komandant i policisë ushtarake të UÇK-së në zonën e Vërrinit), luftëtarë të orëve të para të themelimit të UÇK-së në Vërri.  Të cilët së bashku me: Remzi Ademaj-n, dhe disa shokë të tjerë, fillimisht themeluan njësitin e parë Petriti (në Malësi të Vërrinit) dhe pastaj me rritjen e numrit të ushtarëve, shpallën Vërrinin zonë të lirë, të ndarë në dy Bataljone dhe themeluan shtabin e UÇK-së, me seli në Jeshkovë. (Për më shum detaje, tek libri; Xhevat Berisha - Legjenda e Vërrinit, - Gëzim Ajgeraj, Prizren 2014), apotek libri; (Rruga e lirisë- intervistë me Zafir Berishën, G.Ajgeraj, Prizren 2002). Xhevat Ahmet Berisha, dhe Selajdin Berisha, ishin djem të rritur në Lez, edhe pse kishin vite që jetonin në qytet, fillimi i luftës, i gjeti në Lez, sepse atje e gjetën mbështetjen e parë nga djemtë dhe banorët e fshatit, për të u mobilizuar për një luftë të ardhshme. Pa hyrë në shumë detaje të organizimit, sepse këto do ti takonin një teme më të gjerë, vijë tek beteja e 1 shtatorit 1998 dhe luftës frontale në mes të forcave të UÇK-së dhe ushtrisë e policisë serbe (falsim vetëm për pikën e Lezit). Mëngjesi i 1 shtatorit, filloi me granatime nga tanket e ushtrisë armike, nga kodrat për rreth, drejtë fshatrave të Vërrinit, ndërsa pika më e rrezikuar ishte ajo në Lez, sepse ushtria armike synonte të hynte nga atje, drejtë Vërrinit.
Pas një lufte shumë të pa barabartë për nga numri i forcave ushtarake dhe armatimit, dhe pas një lufte shumë të përgjakshme të datës së 1 shtatorit 1998, mbi kodrat e Lezit, bien heroikishtë shum ushtarë të UÇK-së, si; Selajdin Berisha (komandant i policisë ushtarake), Xhevat Ahmet Berisha, - (komandant i ZKZ-së), Shefqet Berisha, Hasim Berisha, Nehat Berisha, Bekim Berisha, Alajdin Berisha, Mursel Osmani, Shahadin Berisha, Ibrahim Osmani (Rizren), Izeir Berisha, Asllan Berisha, Naip Berisha, dhe tre djem nga Opoja (në pozicionet e Shtavave), si: Muhamet Shemsedini (23 ), Xhymret Shemsedini (21) dhe Sabri Maliqi (19).

Duhet përmendur fakti se gjatë gjithë asaj dite, ushtarët e UÇK-së, të mbështetur edhe nga banorët e Lezit, rezistuan heroikisht kundër një ushtrie okupatore barbare të ardhur nga Serbia, dhe shumë mercenarëve tjerë nga shtetet e ndryshme. Duhet të kujtojmë një fakt se nga dëshmitarët e gjallë në këtë betejë, ushtria e okupatorit serbë, pati shumë humbje në numër të ushtarëve të vetë.

Dhe pas një lufte shumë të pa barabartë, rreth mbrëmjes së 1 shtatorit, ushtria armike hyn në Lez, duke shkatërruar, e djegur gjithçka nëpër këtë fshat. Rënja e pikës së Lezi-t, ishte sa e dhimbshme aq edhe tragjike për Vërrinin, sepse kjo rënje po shënonte edhe pushtimin e zonës së Vërrinit, e cila atakohej nga të gjitha anët dhe mbi të gjitha fshatrat, nga artileria serbe. Neve nuk do të zgjatemi më shumë rreth luftës, duke mbetur gjithmonë tek Lezi, nëpër histori, duke lënë hapësira tjera për epokën e luftës së UÇK-së, për të cilën kemi folur edhe në librat si: Ai për *Xhevat Berishën, pastajë; *Rruga e Lirisë (intervistë me Z.B.) dhe *Masakra e Tuzsuzit. Por duam të shtojmë se djegia e Lezi-t, nga forcat e okupatorit serbë, shënon edhe shkatërrimin total të këtijë fshati, të mbijetuar nëpër shekuj. Paslufta, banorët e mbijetuar të Lezi-t, i gjeti të vendosur në qytetin e Prizrenit, të cilët edhe nuk u kthyen më, për të jetuar në Lez. Për afro dy dekada, kur po e shkruajmë këtë shkrim, në Lez jeton vetëm një çift, i cili kryesisht merret me blegtori dhe herë pas here në përkujdesje të Tyrbes së Ymer Babës, kthehen familjet që gjithmonë nëpër shekuj janë kujdesur për Tyrben, ato të; Mahmut Berishës, Mejdi e Hasan Berisha. Fatkeqësisht jeta në Lez, tani për tani mundë të themi se nuk frymon, apo edhe në frymoftë, është tepër e zbehtë. Gjurmët e luftës janë kudo nëpër gërmadhat e shtëpive të djegura e të shkatërruara deri në themel, të cilat flasin për një histori sa krenare aq edhe tragjike për banorët e Lezi-t.

                                                           Zvicër, 2014

 

*[40] Selami Pulaha:Të dhëna ekonomike dhe demografike për krahinën e Opoljes (Opoja) në gjysmën e dytë të shek. XVI, Studime historike 1975, fq.103;

**Selami Pulaha: Të dhëna ekonomike dhe demografike për krahinën e Opoljes (Opojës) në gjysmën e dytë të shek. XVIStudime historike 1975, fq. 109.

* Dr. Jusuf Osmanit; Vendëbanimet e Kosovës 18 (Prizeni), fq. 130.

*[39]  Dr. Jusuf Osmani : “Vendbanimet e Kosoves 20 (Sharri /Dragashii)”; fq. 158;

* Prizreni midisi dy luftrave botrore 1918-1941, fq. 42, Ramadan Muja.

* çerkin Bytyqi; Vërrini nëpër shekuj

*Arkiva: *Xhevat Berishën – Legjenda e Vërrinit, Gëzim Ajgeraj, Prizren, 2014

*Rruga e Lirisë (intervistë me Z.B.), Gëzim Ajgeraj, Prizren, 2002

*Masakra e Tuzsuzit- (G. Ajgeraj dhe I. Berisha, Prizren, 2008


Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen