1.
Ai u zgjua lehtë dhe
brenda atij çlirimi ndjeu edhe atë mpirjen e muskujve të këmbëve, nga udhëtimi
torturues e plot vapë. Dielli që e kishte përcjellë gjatë gjithë rrugëtimit, i
ishte krijuar një lloj sikleti, që e ndjente me kokëdhembje. Shpeshherë kishte
hapur dritaren e vockël afër tavanit të autobusit, sa për t’u freskuar pak,
megjithatë, mungesa e ventilimit të brendshëm në brendinë e makinës krijonte
vapë. Pas gjithë këtij sikleti, ai dukej se po çlirohej tek po zgjohej.
Derisa po drejtohej në
këmbë, kthehu kokën mbrapa drejt brendisë së kabinës së autobusit. Më tepër se
gjysma e ulëseve të përparme ishin të zbrazëta. Iu kujtuan shokët që kishin
zbritur në stacionin e autobusëve në Prishtinë prej nga kishin marrë
destinacionet e caktuara nëpër qytetet tjera të Kosovës. Deri në zbritjen e
tyre, ai nuk e kishte ndier udhëtimin, ngase bisedat me shokët ia kishin
vjedhur kohën e atij udhëtimi. Pas zbritjes se tyre, në autobus kishin mbetur
disa qytetarë të thjeshtë për të, kryesisht të nacionalitetit të tij që po
udhëtonin për halle të veta. Kështu që, nuk e ndjente të nevojshme ndërrimin e
ndonjë llafi, pos me shoferin e autobusit, aty këtu ndonjë pyetje. Pasi u uroi
rrugë të mbarë bashkudhëtarëve, nisi të zbriste shkallëve teposhtë. Në dorën e
majtë mbante një mantel ngjyrë të kaltër të gjatë, ndërsa në tjetrën një
grumbull gazetash që kryesisht ishin nga periodiku ditor serb. Shoferi që
kishte zbritur nga krahu tjetër i daljes së autobusit, e hapi kapakun e
bagazhit të autobusit për t’i nxjerrë valixhet.
- Cilat janë valixhet tuaja, zotëri? - Pyeti shoferi, në serbisht.
- Ja, ato dy valixhe të zeza, - tha, tek tregoi me gisht në
brendinë e kabinës së valixheve.
- Shoferi u përkul drejt
brendisë së kabinës dhe me një mirësjellje përulëse, i nxori ato dhe i vendosi
përskaj trotuarit, përpara hotelit.
- Shoferi, pasi mbylli kapakun e bagazhit të autobusit,
fërkoi disa herë duart e tij që të largonte pluhurin. Uroi dite të bukura
pushimi në këtë qytet plot bukuri dhe u ngjit shkallëve në brendi të autobusit.
I posa zbrituri, priste
të largohej autobusi, që edhe ai të merrte drejtimin e tij.
Dioksidi i karbonit, që
la nga prapa largimi i autobusit e mbuloi të tërin. Tymi i zi u shpërnda
shpejt, por gazi i rëndë që e thithi atyre çasteve ia kujtoi misionin për të
cilin edhe kishte ardhur. Megjithatë, largimi i shpejtë i tymit dhe pamja e
qytetit që iu shfaq përpara nuk e la të mendonte shumë rreth këtij misioni.
Pamja e qytetit që iu shfaq përpara e nxori nga ai gaz kundërmues i tymit të
autobusit. Një heshtje që u krijua atyre çasteve, nga mungesa e lëvizjeve të
makinave në rrugën përskaj lumit po i jepte mundësi të hidhte vështrimin për
disa çaste pjesëve të qytetit, në veçanti asaj të nënklasë, e cila po shfaqej
përpara nga hyrja kryesore e hotelit.
Shtëpi për shtëpi po e
ngrinte shikimin përjetë. Shtëpitë shfaqeshin njëra pas tjetrës sikur themelet
e tyre i mbanin njëra tjetrën. Dritaret e tyre ngjanin shumë me njëra tjetrën
dhe thuajse i kopjonin strukturat e njëra tjetrës. Vetëm ngjyrat e shtëpive
dallonin aty këtu. Mbi to si një kurorë, lëshonte shtat kalaja e qytetit, e
cila sillte dëshmi të një sundimi të gjatë të një perandorie nga Azia.
Pak më poshtë, mbi lumin
e qytetit hidhte shtat Ura e Gurit, e cila i lidhte dy pjesët e qytetit. Deri
sa po hidhte një sy gjithë pjesëve të qytetit, një thirrje nga prapa e trazoi.
Ishte recepsionisti i hotelit, i cili me siguri e kishte vërejtur zbritjen e
tij nga autobusi dhe kishte dalë ta ndihmonte të sapoardhurin.
- Mirëdita zotëri! - përshëndeti ai në drejtim të sapoardhurit. -
Doni t’ju ndihmoj?
Pasi i ktheu përgjigjen,
- po tha. Këtë valigjen e madhe, nëse bën. Këtë më të voglën e mbaj vetë, -
shtoi ai.
- Do të t’i bart të dyja, -
shtoi recepsionisti.
- Ai bëri vetëm një lëvizje
koke në shenjë mohimi për jo, dhe vazhdoi shkallëve drejt hyrjes së hotelit me
valixhe në dorë.
Mbi banakun e
recepsionit, recepsionisti nxori një libër, në të cilën e mbante evidencën e
bujtësve në hotel, dhe pasi i hapi disa fletë, e ngriti kokën drejt të
sapoardhurit. – Emrin, ju lutem?
- Unë kam një rezervim, -
tha i sapoardhuri. Në ato çaste u ndie ngushtë. Kurrë nuk e kishte menduar
pyetjen rreth identitetit të tij, bile as këtë, sepse në hotel duhej
regjistruar me emër e mbiemër.
- Emrin ju lutem! -
përsëriti recepsionisti, - tek po kërkonte fletëve në fletoren e banuesve të
hotelit.
Ju e keni një rezervim
për mua me emrin: mysafiri nga Beogradi, - tha i sapoardhuri, me një ton gati
kërcënues karshi recepsionistit. Për një çast u mrrol në fytyrë, dhe gati me
një përgjigje si ato të ushtarakëve, - kërko nëpër listat e rezervimeve, - i
urdhëroi recepsionistit.
- Tjetri pa e ngritur fare kokën nga libri i rezervimeve, vazhdoi
të kërkonte. Në ato çaste u afrua një person i dytë që me siguri duhej të ishte
njëri nga zyrtarët e hotelit. Pasi i uroi mirëseardhje të sapoardhurit, pyeti
mysafiri nga Beogradi.
- Po, - u përgjigj shkurt tjetri. - Ah, - mos kërkon në lista, iu
drejtua recepsionistit, - kërkojmë falje për pritjen, - iu drejtua të
sapoardhurit, gjithçka është e kryer.
Edhe dhoma e hotelit nga më të mirat është e rezervuar për ju, - dhe bëri me
kokë kah recepsionisti, sikur donte t’i thoshte të kapte valixhet.
Përsëri recepsionisti deshi t’i kapte të dy valixhet, por tjetri
atë më të voglën nuk e lëshoi nga dora. Do ta bart vetë këtë të voglën, tha ai
tek po hynte brenda në ashensor.
Fjalët e recepsionistit
tek po i prezantonte dhomën dhe kushtet e saj, iu dukën të tepërta. Sikleti që
e kishte vënë pak më parë rreth emrit, sikur i kishte krijuar neveri, ndaj edhe
i tha se mjaftonte ndihma e tij në bartjen e valixhes dhe se kishte nevojë që
sa më parë të ishte vetëm. Tjetri e kuptoi bezdinë e të sapoardhurit, dhe duke
i uruar pushim te mirë, u largua nga dhoma.
Dy orë kishin ikur që kur
kishte bërë dush dhe kishte fjetur ca. Kishte fjetur qetë, saqë i dukej sikur
të kishte fjetur një natë të tërë. Qetësia dhe klima pranverore e qytetit e
kishin bërë ta harronte gjithë atë udhëtim të gjatë me autobus. Ishte ndier me
fat, që gjatë kësaj kohe askush nuk e kishte penguar dhe as miqtë e tij që
duhej t’i takonte më vonë. Gjithë këtë qetësi relaksuese po e shijonte tek po
rrinte shtrirë mbi krevat aty për skaj dritares. Pasi bëri një rrotullim drejt
dritares, largoi njërin skaj të perdes të shihte përtej xhamave. Përsëri lagjja
e nënkalasë dhe pjesa drejt qendrës së qytetit. Nuk ishte hera e parë që
gjendej në këtë qytet. Ai kishte qenë edhe shumë hera tjera me punë dhe detyra
ushtarake. Tani që mbante rolin e një kimisti, e bënte të ndihej më i çliruar.
Nuk mbante rroba ushtarake që të dallohej nga njerëzit e këtij qyteti. Pastaj,
liria e tij nuk ishte e kufizuar, përkundrazi, gjithçka ishte e tij. Kjo po i
krijonte një lloj çlirimi të brendshëm gjatë atij pushimi çlodhës.