PËR ARTIN E POEZISË
Për lexuesin tonë, sigurisht se njëra nga pyetjet që do t’i shtrohej është edhe
kjo që shpesh jemi përballur në debatet për artin e poezisë: Si lind një ide
për poezinë, nga vjen ajo dhe cila do të ishte lënda e parë, që një krijues e
përdor, për ndërtimin saj që një poezi të jetë e përkryer, për të na shkaktuar
emocione, apo ta prekë ndjenjën e publikut të gjerë? Sigurisht se përgjigjja
nuk do të ishte e shkurtër, për atë këto pyetje s`do t’i mjaftonin as poetit, as
artit të krijimit të poezisë. Sikur t’i mjaftonin vetëm disa përgjigje të
thjeshta këtyre pyetjeve, atëherë edhe mjeshtëria e artit të krijimit nuk do të
ishte aq e komplikuar, sa edhe vet logjika dhe filozofia e të bërit art.
Nëse për poezinë do të
jepnim një definim të shkurtër nga Borgesi, ai jepte këtë definicion: Poezia është një shprehje e së bukurës
nëpërmjet fjalëve të thurura në mënyrë artistike. Sigurisht se do të dukej një
definim i thuktë dhe i pamjaftueshëm. Por, ai shtonë se; /Ka diçka shumë të rëndësishme,
diçka që jo vetëm na jep zemër për ta provuar dorën e shkrimit të poezisë, por
na bën të kënaqemi me të dhe na bën të ndihemi se dimë gjithçka për të. Kjo do
të thotë se e njohim poezinë. E njohim aq mirë sa që s`mund ta definojmë me
fjalë, ashtu siç nuk mund ta definojmë shijen e kafesë, ngjyrën e kuqe apo të
verdhë, domethënien e zemërimit, të dashurisë, të urrejtjes, të perëndimit të
diellit, të dashurisë për vendin tonë. Këto gjëra janë shumë të thella brenda
nesh sa që mund të shprehen vetëm me simbole të përgjithshme që ne posedojmë.
Pse pra na nevojiten fjalë të tjera?/. Pra, pas gjithë këtij
përkufizimi vjen përgjigjja e pyetjes për lëndën e parë, të cilën e përdorim.
Pra fjala është brumi i poezisë nga e cila do të mund të ndërtohej ajo. Por, as
kjo s`do t’i mjaftojë kësaj përgjigje, dhe sipas Borgesit; /na nevojiten fjalë të
tjera/. Gradualisht po hyjmë në kërkim të fjalëve tjera, apo siç quhet
në artin e krijimit: Metafora. Sigurisht se për metaforën do të flasim në një
temë të veçantë, për t’i hapur hapësirë filozofisë së krijimit të poezisë dhe
përgjigjeve që kërkuam në pyetjet tona, të shtruara më lartë. Por, do të
kthehemi sërish tek fjala, si brumë për vargun, megjithatë, kjo aspak s`do ti
mjaftonte as përgjigjes dhe as vargut, përballë mungesës së ideve, muzës së
idesë, fuqisë psikofilozofike të krijuesit, talentit e mjeshtërisë së tij, etj.
Të gjitha këto elemente gërshetohen rreth artit të ndërtimit të strukturës së
poezisë, pa dalë pastaj tek forma, struktura e saj, metafora, muzikaliteti,
etj, etj. Me këtë nuk pretendojmë të themi se arti i art-bërjes së poezisë
është shumë i vështirë, por aspak i lehtë, edhe sa mund të paragjykohet. Këtu
çështja qëndron në faktin se cilat nivele të poezisë synojmë të arrijmë,
pavarësisht se po flasim për poezinë si tërësi. Nëse për prozën apo romanin
mund të thuhet se i takon një rrëfimi të ëndrrës apo përrallës, poezia për ne është
kënga e ndjenjave shpirtërore, e cila përmes fjalës metaforike, shpalos
ndjenjën u muzës së krijuesit përmes vargjeve. Jo se ajo ka gjuhën e këngës,
por se ndjenja që krijon dhe reflekton, si dhe në leximin që i bëjnë të tjerët,
është një ndjenjë e botës së brendshme emocionale, ashtu si edhe tek kënga.
Flasim gjithmonë për poezinë si tërësi, dhe jo për atë poezi lirike, epike apo
edhe elegjinë, ku e para lëndën e parë e merr nga tragjiket e lashta. Ndërsa, ne
po flasim për poezinë e lirë, ku lëndën e parë
krijuesi e shpik nga mëndja e tij. Nga ky fakt, na del pra, se edhe
ideja e cila vjen si burim për vargun, është po aq e rëndësishme sa edhe vetë
fjala. Nëse sërish kthehemi tek fjala, Borgesi i bën këtë krahasim asaj me
zërin e muzikantit; / Fjalët përdoren për qëllimet e jetës së përditshme dhe janë materiali
i poetit ashtu siç është zëri material i muzikantit/. Duhet të sjellim
edhe këtë thënie të Borgesit, përpara juve, për ta sqaruar më së miri rëndësinë
e fjalës në raport me jetën: / Materiali i poezisë është fjala, e fjala
dialekti i jetës/. Ndoshta mund të dukej absurde, por do të japim një
shembull praktik edhe pse do të flasim edhe më vonë për këtë lloj krahasimi,
dhe kujtojmë se shembuj të tillë kanë dhënë edhe studiues e filozofë të mëdhenj
të letërsisë, në formën figurative për fjalën dhe ndërtimin e poezisë. Le ta
marrim në këtë rast një figurë apo ikonë të ndërtuar nga katrorët e vegjël
kryesisht nga guri apo qeramika. Sigurisht se në finalen e saj dhe në një
perfeksionizëm të mjeshtrit të saj kemi një figurë të përsosur dhe kubëzat e
vendosura me mjeshtri, na japin imazhin e dëshiruar, atëherë do të na interesonte
vendosja e atyre kubëzave të vogla me ngjyra, dhe mjeshtëria e artistit, sa me
përkushtim e mjeshtri t’i ketë përzgjedhur e vendosur ato, brenda asaj ikone
apo figure. E po në këtë rast, lënda e kubëzave, ngjyrat e saja do t’i ngjanin
fjalës, përzgjedhjes së saj dhe vendosjes në vargje-poezi. Nëse në muzikë mund
të thuhet se forma, zëri dhe substanca nuk mund të ndahen, kjo pak a shumë
ngjan edhe tek poezia, kur kemi formën, muzikalitetin e fjalës dhe fjalën si
substancë që e përbën atë. Sigurisht se nuk do të ndalemi të japim shembuj
krahasues mes këtyre dy fenomeneve, sepse në temat që pasojnë do të preken
shumë elemente që e bëjnë edhe këtë krahasim mes poezisë dhe këngës, të
përafërt dhe të kapshëm për mënyrën e perceptimit tuaj të këtij krahasimi.
Por sërish do të
kthehemi tek brumi i poezisë - fjala, por jo gjithmonë duke aluduar për fjalën
në varg duke pasur parasysh se ato janë sajuar duke pasur natyrë konkrete, e jo
abstrakte, (shënim i Borgesit). Kur e themi fjalën konkrete, sigurisht se
aludojmë në atë poetike, si fjalë që do të ndërtojnë vargun tonë. Le të marrim
disa fjalë që do të na japin një kuptim krahasues nga një formë tjetër e të
shprehurit apo një kuptim të përafërt, por duke u shprehur me fjalë tjera. Le
të marrim fjalën; /mall, mërgim /, që do të nënkuptonim si; / largësi, mungesë/, etj.
Duke shfrytëzuar kështu fjalët nga poezia personale, që si fjalë dominon në
poezinë time. Apo fjalën tjetër; /udhë/, që do të kishte kuptimin si;
/
ikje, arrati /, etj. Dhe nëse vazhdojmë të sjellim përpara juve forma
të tilla krahasuese, sigurisht se gradualisht do të kalojmë në metaforë, apo
fjalë metaforike, të cilat për neve janë substanca e fjalës në varg. Pra, kjo
ngjashmëri, apo krahasim gradualisht na nxjerr tek metafora, për të cilën do të
flasim në një rast tjetër, po brenda këtij studimi.
Me këto shënime për
artin e poezisë, nuk pretendojmë se kemi arritur të themi shumëçka, por synojmë
gjithmonë ta pasqyrojmë atë që e ndjejmë nga bota e një krijuesi, i cili nuk
synon hapa të mëdhenj, por me artin tonë përpiqemi t’i japim pak dritë kësaj
epoke, atë që e ndjejmë, nëpër kapërcimin tonë.
Me që jemi ende në
fazën fillestare të zbërthimit të poezisë, dëshiroj të flas edhe për një
përbërje tjetër që është po aq e rëndësishme sa edhe fjala, që në varg e
quajmë: muza e frymëzimit, ideja, apo edhe muza e ngacmimit, për ta ndërtuar
një poezi. Sigurisht se edhe kjo substancë e poezisë, është e pandashme dhe po
aq e favorizuar sa edhe vetë fjala, sepse pa njëra-tjetrën, s`do të na krijonin
mundësinë e ndërtimit të vargut. Nëpër këtë substancë, siç po e quajmë, do të
shkrihej gjithë ajo faza fillestare e rrjedhës së idesë e cila si burim pastaj
do të krijojë mundësinë e ndërtimit dhe strukturimit të poezisë, në lidhshmëri
me fjalën, me metaforën si mjeshtri në varg. Në artin e poezisë, shpesh
definohet si; muza e ngacmimit prej nga pastaj këtë fenomen si një ide e
kërkojmë brenda fjalëve, për ta përshkruar atë në formën më të bukur të
mundshme. Nëse lindja e diellit në një mëngjesin me rrezet e tij si shpërndahen
në horizonte do të na ngacmonte me
ndonjë pikë të caktuar, e kapim atë si një ide, atëherë mund të themi se brenda
logjikës sonë ka ndodhur një proces i ngacmimit për një ide, të cilën pastaj
mendojmë ta fiksojmë në varg. Apo brenda një çasti të caktuar, brenda neve lind
një ide si ajo e një /çasti alpik/,
të nxjerrë nga vargjet e krijimtarisë sime, sigurisht se ndjenja brenda neve do
të na ngacmoi dhe vë në kërkim të definimit, apo formulimit të idesë për ta
kompletuar atë, por edhe në kërkim të fjalëve më të bukura poetike, me të cilat
do të mund ta përshkruanim idenë përmes fjalëve. Le të marrim dhe një shembull
tjetër, kur brenda muzës së mendimit na lind ideja për një kronikë. Dhe këtë ide
duam ta përjetësojmë në varg, duke u përcaktuar, jo për një kronikë çasti, por
për një kronikë që mbërthen në vete një kohë më të gjerë, që na i mbështjell
vitet tona në mërgim. Për ndërtimin e vargut, tanimë vihemi në kërkim të
tematikës që duam ta trajtojmë brenda vargjeve duke i përzgjedhur edhe fjalët
poetike. Le të japim disa vargje, ku fjala brenda magjisë së vetë krijon
figuracionin artistik nëpër vargje, duke dhënë imazhe reflektuese / Ikjet dhe udhët
kishin ndezur mallin / Kulla e mbyllur e vatra, zjarri i fikur në oxhak /
Gjeografi e harta i përpinë hallet / Dhe një dashuri të lënë diku larg /.
Brenda këtyre fjalëve të çiltra kemi ndërtuar imazhet e një kronike, kur në
disa raste fjalët bashkë nëpër fjali, na japin kuptime metaforash, si p.sh,
vargu i tretë, që bëhet më i ndjeshëm. Pra, këtu kemi të bëjmë me shpikjen e
lëndës nga mendja e krijuesit, dhe dallon nga poezia, epika dhe tragjiket e
lashta të cilat në këtë stil, vijnë si lëndë e parë në idenë për poezi. Në këto
të dytat, kemi një hero i cili na prin brenda muzës së mendimit, dhe kërkon
hapësira brenda vargjeve me ngjarje të ndryshme. Ndërsa në rastin e parë, në
vargun e shpikur, vetë krijuesi përmes imagjinatës krijon imazhe, gjithmonë
duke qenë në lidhshmëri të ngushtë me temën e definuar në titullin e poezisë. Në
këtë shpikje, sigurisht se kërkohet zgjuarsi, mjeshtri e njohuri për vargun dhe
fjalën si brumë i saj, për ta pasqyruar sa më mirë atë që synon ta portretizojë
brenda vargjeve. Në rastin e skulpturës me kubëza të vogla, që e shtjelluam më
lartë, në pasqyrimin dhe krahasimin për fjalën, tek ideja shkojmë më lartë,
duke synuar gjithmonë se si do të dukej pamja e saj brenda imagjinatës sonë, me
çfarë imazhesh do ta rrethojmë atë dhe si do të na dukej ajo, të cilën më
pastaj do ta realizojmë si vepër. Mendojmë se kemi përafruar një shembull
konkret edhe për idenë e poezisë, brenda këtij krahasimi, duke mbetur që
materiali në skulpturën e përmendur, në varg do të na ishte fjala. Me këtë
ilustrim, mendoj që kemi arritur t’i zbërthejmë këto dy substanca të poezisë,
të cilat janë të pandashme në këtë art. Duke kujtuar se të paktën kemi ofruar
në pika të shkurta një vizion për dy substancat e para të poezisë, dua të
ndalem edhe tek fuqia e fjalës, apo e vargut, një fenomen tjetër në varg, që
për mua ka shumë peshë në vlerën dhe forcën magjike të poezisë, se me çfarë
mjeshtërie është mbështjellë tema brenda vargut. Sigurisht se kjo mjeshtëri,
dallon tek çdo krijues, duke pasur gjithmonë parasysh talentin, mjeshtrin,
botën e tij psiko-filozofike, të cilën do ta përdor në elaborimin e idesë
brenda fjalëve në vargje. Të mos e harrojmë metaforën si lëndë që do të
ndikonte më së shumti, në shprehjen e filozofisë së mendimit. Nuk po nisemi as
nga teoritë e ndryshme që kanë dhënë studiuesit për poezinë, nëpër kohë dhe as
nga teoritë e letërsisë, por nga përvoja dhe njohuritë personale, duke i
shfrytëzuar ato si vlera origjinale të njohurive për artin e poezisë. Për mua,
jo gjithë çka është shkruar nga
krijuesit, aludohet të jetë poezi, apo poezi e mirë, në këtë pikë jam shumë i
ndjeshëm, duke e parë kohën dhe zhvillimet që ndodhin tek ne, dhe pikërisht
fuqia filozofike e poezisë është faktori i cili më bën që të ndihem i rezervuar
në gjykimin për poezinë në përgjithësi. Por le të flasim për poezinë e majave
të fjalës, brenda së cilës shkrihet dhe fshihet një botë e thellë e mendimit,
dhe një filozofi që do ta mbyllte vargun, si një botëkuptim i logjikës së
thellë dhe fuqisë intelektuale të krijuesit. Brenda kësaj filozofie të vargut,
sigurisht e shohim edhe forcën magjepse të tij, se sa do të arrijë që një poezi
e caktuar, të na pushtojë ndjenjën për të na përvetësuar, duke na bërë që të
ndihemi edhe si lexues brenda botës së tij. Këtë herë nuk do të japim shembuj,
që të mos duket e tepërt përzgjedhja e jonë, por duke shpresuar se kemi arritur
që ta shpalosim si një temë që kërkon studim më të gjerë, në një rast të
caktuar, rreth fuqisë së poezisë.
Duke dalë tek poezia si
shprehje e botës emocionale të krijuesit, largohemi nga substanca e ndërtimit
të saj, për të trajtuar më vonë edhe disa nga elementet bazë që e
bashkëshoqërojnë poezinë. Pra, duam të dalim tek bota e krijuesit që e krijon
atë. Sigurisht se brenda krijuesit ekziston ndjenja e ngacmimit ndaj botës përreth
tij dhe perceptimi i saj nga ajo ndjenjë. Gjithmonë mendojmë për ndjenjën
artistike, për botën dhe paraqitjen e saj me ndjenjat poetike. /Ai krijon një botë të fantazuar, të cilën e
merr shumë seriozisht, d.m.th. e trajton me pasion të madh duke e ndarë qartë
nga realiteti /, një përkufizim i Frojdit, mbi letërsinë dhe artet.
Ndërsa gjuha poetike e përkufizon dhe definon ndjenjën e fantazuar përmes
fjalës; e bën atë të kapshme përmes atij figuracioni artistik të cilën ia jep
krijuesi. Do të japim këtu edhe një përkufizim nga Frojdi, që pikërisht ka të
bëjë me këtë fenomen: /Nga bota artistike joreale dalin pasoja shumë të
rëndësishme për teknikën artistike, sepse shumë gjëra që si objekte reale nuk
do të na japin kënaqësi, në kuadrin e lojës së fantazisë për dëgjuesin,
shikuesin dhe krijuesin bëhen burime kënaqësie, megjithatë, janë ngacmime
munduese/. Brenda kësaj që u tha, del se bota emocionale e krijuesit dhe
fantazia e tij, përmes artit synojnë po me të njëjtën ndjenjë të kalojnë edhe
tek lexuesi në këtë rast, duke i krijuar atij të njëjtën kënaqësi që do t’i krijonte
ndjenja e shprehjes në art, krijuesit të saj. Kjo ndjenjë, për krijuesin vjen
edhe si një çlirim i brendshëm nga bota e fantazisë dhe kjo nga ana
psikologjike do të thuhej se njeriu ka nevojë gjithmonë të rrëfehet, të
shprehet për t’u çliruar nga ai ngarkim i brendshëm psikologjik. Po në këtë
rast, jo gjithkush është i gatshëm të shpalosë botën emocionale apo edhe
vizionin e tij, nga bagazhi i memories së vet. Atë e shtyn gjithmonë dhe një
ndjenjë, ajo e dashurisë për artin, botën përpara tij dhe për të ardhmen. Sepse
në art gjithmonë synohet të ecet përpara, duke e bërë artin një lloj drite
prijëse në vizionin dhe dritën për njerëzimin. Por duam të kthehemi edhe
njëherë tek fantazia e krijuesit. Sigurisht se fantazia për krijuesin është
shumë e përafërt me botën reale së cilës i referohet ai, duke krijuar premisa
të kapshme logjike për ndjenjë emocionale të lexuesit dhe shpalosësit të
ndjenjës së vargjeve.
Me që këtu u përmend
fjala ndjenjë, në rastin tonë si ndjenjë e asaj që kur e lexojmë ndonjë poezi
të bukur dhe na e zgjon atë, dua të japë edhe gjykimin tim në këtë pikë.
Ndjenja ekziston gjithmonë brenda neve, por asaj i duhet një pik e caktuar për
ta trazuar atë, dhe kësisoj në rastin tonë pika e caktuar mund të jetë një
poezi e cila na ka ngacmuar atë, për të na bërë të bashkë-ndjejmë vargun. Por
gjithmonë po mbetemi tek ndjenja si aspekt psikologjik, e cila në raport me një
vepër artistike, shpalosë akceptueshmërinë e shijes për atë lloj vepre. Duke e
ilustruar në shembullin praktik fenomenin mes artit dhe ndjenjës për të, japin
një definim të Berkley-t, një peshkop Amerikan, i cili shkruan se: /Shija
e mollës as nuk është mollë - se molla s`mund ta shijojë veten - as gojën e
atij që e ha mollën, por në kontaktin midis mollës dhe gojës/. I njëjti
shembull do të mund të thuhej edhe për artin, e në rastin tonë, për poezinë.
Ajo sado e bukur, e fuqishme dhe me vlera të mëdha artistike, gjithçka do të
varej nga ndjenja e shijes së atij që e lexon atë. Nga kjo që thamë, shtojmë se
për një poezi të caktuar, dalin shije dhe ndjenja të ndryshme të akceptimit të
saj, e më vonë edhe të vlerësimit. Nuk do të zgjatemi më shumë për çështjen e
ndjenjës në art, duke kujtuar se kemi folur edhe herëve tjera në temat siç janë
ato të vlerësimeve për artin dhe për vlerësuesit e tij, ku gërshetohet edhe ky
fenomen. Si rrumbullakim i kësaj që e përmendëm më lartë, mundë të themi se në
këtë rast poezia është një tufë me fjalë e vargje të vdekura, të cilat në
kontakt me lexuesin sikur ringjallen e vijnë në jetë. Ky definim do të
qëndronte edhe për librin si tërësi të cilin në moshë të re më duket se e kam
lexuar diku, e që tani nuk më kujtohet.
Do të japim këtu edhe
një vlerësim të Nietzsche-s, për
muzën e poetit: / Muza e poetit që nuk është i dashuruar me realitetin nuk mund të jetë
aspak realiteti, dhe do të lindë për të fëmijë me sy plot rrathë e me kocka
tepër të brishta /. Pra, sipas këtij vlerësimi, sado që krijuesi të
fantazojë brenda muzës së tij të mendimit, ai patjetër duhet të jetë i lidhur
ngushtë me realitetin. Përmes fantazisë së tij, duke e shprehur atë në art ai
duhet të bëhet misionar i prirjes së zhvillimit dhe ecjes njerëzore, sigurisht
se këtu e kemi parasysh edhe largpamësin që duhet ta ketë një krijues në art.
Të mos mendojmë se po dalim nga boshti i temës për poezinë, por kur flasim për
muzën e poetit, sigurisht e mendojmë faktin se burimi i artit të poezisë është
ky fenomen. Në fund të këtij shënimi, duam të konstatojmë se arti është
realiteti i një epoke, sado që duket i veshur brenda vellos së fantazisë, ai
brenda vetes duhet të bartë shpirtin e një epoke të caktuar, që për jetën e tij
do ta përcaktojë vlerat që ka në vete ai lloj arti, e në rastin e studimit tonë-poezia.
Zvicër, 2014

Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen