Montag, 20. Juni 2022


 Gezim Ajgeraj, poezi nga libri: Magma e shpirtit

Uverturë

 

Nga parzma e shpirtit

e nxori fjalën

e për të vdiq

në logun e vargjeve


Në logun e fjalës

 

Na kërkoi një etje majë e mendimit

Në logun e fjalës atje ndër maja

Herën e parë na i ranë dy fjalë dhimbjeje muzës

Herën e dytë na ftoi tek fronti i vargut

Sa pak ia kishim njohur fuqinë e fjalës

E sa thellë na kish gërmuar nëpër ajkën e mendimit

Se mos na i kapnin litarin e fjalës

E të na i lidhnin mendimit gojën

Guximit të saj hante dhe koka koha

E për frontin e fjalës i duhej gjak mendimit

E nesërmja e dritës na donte faqebardhë

Lum kush i dha dritë muzës

Dhe e mbolli lulen e fjalës


Poetët

 

Nga koka, nga mendimi

kapën ngacmimin e muzës

 

dhe gjumin e natës i prishën

me një mijë halle, me një mijë derte

 

as fjalën s’e lanë të flejë

e torën nëpër shtëllunga vargjesh

 

me më të bukurat e pemës së fjalës

mbëltuan dhimbjen e shpirtit

 

mbi fletën e bardhë i mbollën dhimbjet

tek i shkulën nga shpirti

 

nga më të bukurat këngë nga më të bukurat fjalë

i dhanë dritë vargut

 

      2022


Nën pemën e vargut

 

Nga më të bukurat e pemës së muzës

zgjodhi  frutat e frymëzimit

 

nga më të bukurat e mendimit

mblodhi frutat e fjalës

 

jetë i dhanë mendimit

për mbijetesën e fjalës

 

nga pema e frutave të vargut

mbëltoi këndshëm e nesërmja

 

lum kush mbëltoi

nën pemën e vargjeve

 

     2022


 E lumja poezi

 

Nga muza

le ta ushqejmë frymëzimin

dritë së nesërmes

 

gjak e asht

le t’i japim mendimit

le të rrojë përjetësisë

 

vetëm ai që di të vdesë për fjalën

jetë i dha vargut

 

e lumja poezi 


Aksiomë kohe

 

Nga koka, nga mendimi

E zhveshën njeriun

 

I dhanë dhe pak politikë

Në vend të shafranit

 

Një daç pije njëherësh

Në daç ngadalë

 

Kur ia helmuan muzën

E lanë pa asgjë

 

Medet ç’ shpëlarje logjike

Na i bënë kokave

Gjithçka e përpiu helmi


Inercia e smirës

 

Nëpër llapërçinën e baltës së fjalëve

nuk i dilet m’ atë anë ligësisë

pa ia spërkatur gjuhën vetvetes

 

gjuha e ligë nxjerr helm

e fjala e saj fle në një strofull me gjarprin

djallit asnjëherë s’iu pre e liga

 

kujt i ka zënë myk mendimi

të nesërmen s' e sheh

e sotmja vegullon nën thjerrën e dritës

 

ndaj e liga ka fut rrënjë në këtë mes

e na pipon si metili mbi koka

mendimit të mirë i ka zënë pritë

 

se kush kujt të ia përbaltë fjalën

 

        2021

------------------------

*LLAPËRÇINË f. 1. Baltë e hollë në vende a në rrugë të shkelura, llucë; vend me baltë të tillë. Rrugë me llapërçinë.



Saga e vargut

 

Burimeve të thella

Të muzës së mendimit

Ia kërkuam frymëzimin

 

Krojeve të bardha

Të fjalës

I dhamë jetë vargut

 

Horizontit të hapësirave

Të guximit

Rritë e kemi

 

Për dritën e bardhë

 

    2022

Mos vdis për së gjalli

 

Në u bëfsh

Bëhu lule

Në frymëzimin e stinës

 

Në u bëfsh

Bëhu rreze

Të ndriçosh jetën

 

Kurrë mos u bëj

Gjethe e tharë

Në degët e jetës

 

I vdekur për së gjalli

Mos qofsh kurrë

 

      2022

Himn i çastit

 

Nga një gurgullimë

e moçme

na rrodhi mençuria

 

Stina në stinë

dhe mosha në moshë

e poqën mendimin

 

Drita për të nesërmen

dhe fjala

e gjetën veten në varg

 

Në mos u zgjofshim nesër

të paktën sot

i ndezëm një kandil vetes

 

     Zvicër, 2022


Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen