Dienstag, 13. August 2024



P A S T H Ë N I E

 

AJTHI POETIK, SA MAGJI, AQ DELIR SHPIRTI

 

• 1. Në vështrimin metaforik

 

Ky këndvështrim është veçse një nga veçantitë, brenda shumicës së dukshme të komponentëve, pra si aspekt i përmbajtjes, por edhe i idesë, ama pa dashur të anashkaloj as stilin e veçantë filozofik apo psiko-filozofik të largpamësisë e dytësisë së mendimit, duke u përqendruar në rrafshin e bashkëkohësisë, por edhe situatave të ndërlikuara, që karakterizon ndër dekada autorin, Gëzim Ajgeraj.

     I pasionuar në kërkim të shtresave të thella të thesarit popullor e gjuhësor, me sinteza të bindshme logjike, ku ndërgjegjja e përkushtimi, janë palë në përdorimin e stilit të tij karakteristik, ku krejt natyrshëm e ngre në nivelin e universalizimit poetik, letrar e filozofik.

    Metafora është element thelbësor i poetikës së autorit me anë të të cilave të transporton në dimensionet e pafundme të fjalës, të mendimeve, të gjykimeve e të veprimeve të matura e të pamatura.

     Pra, eksploron çdo labirint të qenësishëm të kësaj materie, sepse leximi të bën të kuptosh  se autori seç qëllon, gjuan, gjëmon, ankohet përmes metaforave, përmes fjalës. Prandaj, vjen tek ti, e ke përballë dhe ndjen praninë e tij, me gjithë dimensionet. Ky moment të mbështjellë metaforikisht brenda gjithë ndjesive në fjalë, varg, strofë a poezi, brenda gjithë figurave letrare.

     Kështu ndodh në gjithë poezitë e  librit: “MAGMA E SHPIRTIT”.

Muza e frymëzimit, ideja dhe muza e ngacmimit janë elemente, me të cilat autori është i mishëruar ndër vëllime. Andaj, këto substanca e kanë zhytur thellë autorin në brendi të krijimeve, duke shpalosur gjithë diapazonin krijues dhe duke e ngritur atë në majat më të larta të letërsisë bashkëkohore shqiptare, e duke i bërë të konkurrueshme më poetët botërorë, megjithëse ju përket atyre përmasave dhe niveleve.

     Përmes diapazonit që zotëron autori i majave të fjalës e forcës së saj, më thellësi e dytësi mendimi dhe finesat në varg, gjejmë artin e së bukurës plot forcë, ndaj dhe na pushton e magjeps poezia.

     Pasi mbresat që rrjedhin nga leximi poetik janë të shumta, prandaj përmes metaforave flet shumë në ligjërim dhe interpretim poetik, ku dhe mendimet rrjedhin lirshëm.

     Në këtë vëllim poetik vështirë (nëse kërkon) të gjesh poezi pa metaforë, sepse autori thotë:

- “Poezia që nuk ka metaforë është njësoj si kocka që nuk ka mish”.

Prandaj, drita poetike ndriçon shpirtin e poezisë së Ajgerajt.

     Ky vëllim poetik zgjon emocione të veçanta me ndjesi të jashtëzakonshme, ku “të detyron” të pyesësh veten dhe të kundrosh mbi dimensionin, sa horizontal, aq edhe vertikal, mbi mjegullnajën e jetës, pikë- pikë i derdh dyzimet, me doza të forta poetike, hap shtigje të reja komunikative, pasi trishtimi është veshur me mbulesën e tejdukshme të gjakimit e të fjalës metaforike, si shfaqje e shqetësimeve dhe e trazimeve, që shpirtërisht, sikur e tundojnë poetin.

 

•. 2. Edhe në vdeksha për fjalën le të vdes

 

Zot ç’ndjesi.

Përmes fjalës duket qartë dora e mjeshtrit.

E kur poeti, poeti don me vdek për fjalën, për themelin e komunikimit.

Eh, fjala!

     Fjala është si vetë perëndia, citon mjeshtri përmes vargut, se pa fjalën s’bëhet asgjë.

     Ndaj, ky çmim e mishëron autorin që vargëzon për njerëzinë, e mbushullon më dritën e saj dhe frymëzon lexuesin e zgjon botën, duke mishëruar drejtësinë e të vërtetën atje, në logun e fjalës, ku i kërkon etje maja e mendimit dhe e fton te fronti i vargut.

     Për zgjim mbi njohjen e pakët të fuqisë së vargut.

Sepse fjala e gërmon ajkën e mendimit e mos t’ia kapin litarët e fjalës, se për frontin e fjalës i kërkohet gjak mendimit, e përmes dritës së muzës i mbjell lulet e fjalës.

 

NË LOGUN E FJALËS 

 

Na kërkoi një etje majë e mendimit

Në logun e fjalës atje ndër maja 

 

Autori përmes fjalës gjëmon në çdo poezi, ku qan e këndon mbi halle e derte.

Pasi gujën e rëndë ia vesh mendimit, nën hije të trishtimit e turbulencave të kohës, pasi verbër ecën koha mbi kohë, thotë autori se qielli verbon përtej hijes e territ.

Turbulencat e epokës po mbjellin terr mbi dritë dhe së bukurës i ka rënë shëmti e  errët mbi horizont.

Fjala e metafora për poetin janë: “mishi e kocka”  apo “mushti e vera” , ku përmes mendimeve të lira bën një ligjërim, sa poetik dhe letrar, aq edhe ironik ndaj fenomeneve të përditshmërisë apo edhe epokave, të cilat treguan vrazhdësinë e tejskjashme.

     Poetët, si Ajgeraj janë paracaktuar që të sjellin fjalën metaforike e të zbulojnë të vërtetën e njerëzimit, ku përmbledhin histori dhe superior kalërojnë mes turmash, se fjala është udhërrëfyesi më i pagabueshëm për poetin dhe, kështu, përjetësisht i mbetet besnik kësaj bote, krejt universit.

     I madhi, Gëzim Ajgeraj, që prek këtë natyrshmëri të vetvetishme, jo vetëm me jetën e kombit tonë është vibrim madhështor brenda hapësirave shqiptare dhe jashtë saj, e si zë përfaqësues i gjithë këtij shtresimi.

Ndjenja dhe kënaqësia estetike të gjithë përbërjes e dimensioneve do të jenë thelbi shpirtëror dhe mendor i  vizionit të poetit Ajgeraj.

     Ai vigjilon personalitetin, ky zë i artikuluar përmes fjalës në krejt botën shqiptare, por dhe evropiane, ku krijoi poetikën e tij personale, më një regjistër të pasur shprehjesh figurative mjaft të rralla, më dendësi kuptimore plot emocion të brendshëm dhe më një estetikë krejt të përsosur sa për t ’ ia pasur zili.

Kënga e shpirtit të Ajgeraj është fjala e poezia.

 

• 3. Poeti dhe poezia në unitetin stilistik.

 

Që nga arbëreshi, Lekë Matrënga, asnjëherë kjo energji krijuese nuk ndal për ta hedhur a mbjellë farën e dijes e mbushulluar vetëdijesimin, sepse poeti kërkon të mposhtë sfidat e kohës, e kështu ta kultivojë shpirtin fisnik të shqiptarit më pishtarin e shpresës, duke i dhënë ngrohtësinë zemrës e për ta plotësuar më së miri mozaikun e letërsisë.

     I duhet njerëzimit poezia, me gjithë sferat e saj, se poetët thotë autori dhe gjumin e natës e prishin, më njëmijë halle, më njëmijë derte, as fjalën s’e lanë të fle.

     E torën ndër shtëllunga vargjesh, me më të bukurat e pemës së fjalës mbëltuan dhimbjet e shpirtit.

Nga më të bukurat këngë, nga më të bukurat fjalë, i dhanë dritë vargut.

 

NËN PEMËN E VARGUT 

 

Nga më të bukurat e pemës muzës

Zgjodhi frutat e frymëzimit 

Nga Pema e frutave të vargut  

Mbëltoi këndshëm e nesërmja

Lum kush mbëltoi

Nën pemën e vargjeve

 

Ajgeraj, ky poet i mbi 200 librave e ndër to i mbi 100 vëllimeve poetike, që numërohen tashmë, shkruar për njerëzimin, vlerëson më ndjenjë të thellë poetët, sepse është shpirti dhe organika e artit të të shkruarit.

Ai shkruan për burimin e poezive, por edhe ndjenjën, që i jep poetit dhe deklamimin që i jep publikut.

Poeti, vlerëson gjithnjë poetët që bënë epokë dhe ndikuan në formimin intelektual, si manifestim i jetës pa kufizime dhe i lirisë së shprehjes së mendimeve, por edhe qasjes sipas kriterit të gjeneratave, që Ajgeraj është në perfeksion të plotë, si në pikëpamje të interesimeve tematike e motivuese, ashtu edhe në pikëpamje me stilet, gjuhën, mjetet e shprehjes a figuracionet apo edhe elementet e tjera ideo- estetike të strukturës letrare e artbërjes.

Thellësisht vjen në vëllim Ajgeraj, si poet i mendimit të lirë, por kërkon në një farë mënyre pak “revolucion” pasi shprehja:

     “Gjak e asht le t’i japim mendimit, le të rrojë përjetësisë”, i qëndron aq besnik vargut e lumja poezi.

     Autori, Ajgeraj, ky profil interesat i poetit, që kërkon ringritje, qëndresë dhe rezistencë e vetëdijesim.

Tematika dhe uniteti stilistik, kriter tipologjik i poetit mbi poezinë.

 

• 4. Smira në mentalitetin psikologjik të botëkuptimit

 

Poezia e Ajgeraj njeh e zbulon elemente tipike mbi karaktere të ndryshme e ndodhi, po ashtu, e cila zbërthehet më së miri, kur nga studimi dalin edhe burimet e frymëzimeve, prej të cilave është pasuruar me elemente më të përshtatshme të ndëshkueshmërisë së fenomeneve.

     Pra, përmes vargut ndëshkon shkeljen e parime njerëzore, të cilat shpesh marrin përmasa të gjëra e, madje, tejet negative.

     Edhe heshtja thotë autori bëhet palë e së keqes së pakthyeshme.

 

“Lum kush mblodhi veten, nuk zbriti tek llumi 

Heshtja përbri dhimbjes, dhimbshëm përbuz hiqen”.

 

- A nuk është tipike për rrethin ku ka kërkuar frymëzimet?!

 

Kështu ka përdorur metaforat, fjalorin a simbolet e përshtatshme, apo edhe shprehjet mjaft tipike për stilin, ku kjo del nga studimi e njohja e mentalitetit njerëzor.

     Ndaj elementet në këtë tip poezie i ka përdorur me mjaft maturi në hartimin e vargjeve poetike, ku duket se mjaft të fuqishme e ka ndjenjën dhe shprehjen, ndaj realitetin që shpesh e ndeshim.

     Ndaj dhe programi i angazhimit poetik ka brenda saj mesazhin përcjellës, dhe qëndron stoik duke kërkuar kohë solide.

     Kjo del qartazi se është aq bindëse e sugjeruese të përballojnë “rrebeshet e kohërave” e mos të përzihen në llumin që të gllabëron.

 

• Ikje e udhë në zhargonin e mallit poetik 

 

Përmes gjuhës së artit letrar modelon universin, i cili përbëhet nga brendia shumëngjyrëshe, e që përfshin formën e ekzistencës njerëzore në thellësinë e qenësishme të poetikës.

     MAGMA E SHPIRTIT të poetit është në unison me vargun, fjalën, imazhin e simbolet, pastaj autori njihet nga vëllimet e shumta, si poet i mallit e largësive, dhimbjes shpirtërore të kombit e në gjithë variacionet e saj.

     Ai vargëzon mbi brengat me një mori ndjenjash, përpiqet ta mbushë kraharorin nga zbrazëtitë e kohës në mënyrë metaforike, dhe objekti i frymëzimit është i mbështjellë me simbolika dhe përpiqet ra shkërmoqë mjegullnajën dhe bëhet akoma më i pakapshëm.

 

"Një etje e moçme na kish thirrur udhëve për pak arrati ikjeje, pak mërgim, dhe pak mall në shpirt na i kish dhënë largësive me farën e mosharrimit na i kish mbështjell etjet"...

 

Si obsesion, e kaluara këtu zë vend, e bëhet nyje, ku të lidhet çdo gjë,  madje, edhe ajo ndjenjë e athët që kërkon ngushëllim, ku impulset e nervit nuk gjejnë qetësi.

     Frymëzimi bën që poeti të ketë fron e të ndjehet i koncentruar, pasi bredhja në mendime e lejon që nëpër vargjet e tij, të frymojë fluiditet.

     Kështu që fluiditeti i jep shpirtin e vet poezisë e shfaqet në refleksione emocionale e meditative.

Poeti brenda shpirtit ka folenë e vendlindjes, e bëhet imazh i pakapshëm tek bredh e rreket në imagjinatë.

 

"Gurrë e freskët dhe e pashtershme për poetin është frymëzimi, ndaj posedon diskurs të lartë komunikimi me vargun dhe ligjërimin e konsolidon në marrëdhëniet ndërnjerëzore me kulturë evropiane".

 

"As bukën tek çerepi nuk kishte kush ta piqte

Se moti loket kishin ikur lamtumirës përgjithmonë".

 

     Malli e dhimbja prekin telat e shpirtit, pasi harrimeve ecin me vetëdijen mashtruese, por nuk ndalet së kërkuari himnin e lavdisë të  së djeshmeve  tek pret një fjalë të ëmbël për të hapur portat e dritës dhe të shpresës.

     Autori jep shenjat e një komunikimi të brendshëm, aq stërmundues e gati dramatik, ku ndjeshëm artikulon emocionet dhe tensionin, që shkakton përmes vargjeve, duke i bërë funksionalë ato në përshtatje me konstruktin poetik.

Hap pas hapi, (step by step),  Ajgeraj me shumë punë dhe vullnet, plot natyrshëm i ngjiti shkallët drejt majave të poezisë shqiptare. 

Objeksionet i pati që nga botimet e hershme, atëherë kur botonte tek: "Rilindja në Prishtinë ", gjatë viteve të errëta të sundimit.

     Por, botimet pasuan njëra- tjetrën, ku spikatin tituj të shumtë poetik që zor është të veçosh ndonjërin për nga cilësia.

     Vargu i Ajgerajt  del nga thellësia e shpirtit, e sidomos, kur i këndon mallit, dhimbjes, vendlindjes, Atdheut. 

     Nëse e lexojmë gotën gjysmë boshe, thotë autori, fobia e dritës s'mund të na përndjekë. Uroj sa më shumë dritë dhe refleksion Penës së Ajgeraj e sa më këndshëm për lexuesin e gjerë! Udhë të mbarë librit!

 

                              Prenda Sejdia 

                             Lezhë Maj 2022


Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen