PASTHËNIE
Gëzim Ajgeraj: ANTISIMBIOZË,
Poezi
Letërsia i detyrohet kombit,
thotë Gëzim Ajgeraj.
Si idealist i tillë vrapoi fort
madje ethshëm nëpër gjurmët e figurave letrare të kombit siç qe Naimi, Asdreni,
Fishta i Madh etj. por idetë e tij kaluan kufijtë madje shumë larg, dhe si një
studiues i rregullt i Borgesit u mishërua edhe më tej me atdheun e tij, qytetin
historik, atdheun apo dhe çështje tejet delikate siç janë ato me tema
atdhetare.
Jam e sigurt që studiuesve të kohërave të
reja u takon ta studiojnë veprimtarinë e tij Noliane, pasi e sotmja ende s’e ka
fillin. Ajgeraj, si shkrimtar, prozator a dramaturg, kritik e poet, u mishërua
si mishi me kockën për çështjen kombëtare.
Si një i përndjekur në atdhe, që në moshë
të re, emigroi diku në Evropë, atje rrëzë alpeve për ta parë atdheun me syrin
magjik, duke ia ndjerë rrahjet e dobëta të zemrës, vuajtjet, vrasjet e
shkatërrimet, zhdukjet pa gjurmë e rënkimet e njëpasnjëshme që lëshonte nga
plagët shekullore. Duke ia ndjerë e përjetuar dhimbjen herë me prani e herë në
distancë, e kështu duke u kthyer në pjesë të dhimbjes por dhe të mbështetjes së
fuqishme, ndonëse të pazëshme ashtu siç dinte më së miri ai t’ia qante hallet
vendit të tij, t’ia mëkonte plagët por dhe t’ia mbante krahun, pasi ai me
shqiponjat nuk dinin të heshtnin, sepse, heshtjen e vlerësonte si mbështetje të
okupatorit.
Pena e tij, mendja e puna e Gëzim Ajgerajt
në shërbim të mëmëdheut nuk njohu asnjëherë pushim, por ama as sot.
Vjen me vëllimin e 167-të poetik
të titulluar, “ANTI SIMBIOZË “
Kam pasur rastin të lexoj gjithë vëllimet
e tij poetike, dhe nuk ka ndonjë vëllim që mund ta veçoj se po ta bëja, do të
gjendesha shumë në dilemë, pasi secili ka shumë brendi, tema e mesazhe të
shumta që ta mbushin shpirtin plot emocion e ndjenjë gëzimi apo dhe brejtjeje
sipas situatave.
Gjithashtu edhe poezitë e këtij vëllimi
poetik që vjen me një temë unike dhe shumë të veçantë e gjitha, ku pjesa më e
madhe e poezive janë: po me një stil ende më të veçantë në të cilat realisht të
kërkohet fjalor që të lexosh.
Fuqia e fjalës, thellësi e mendimit e
diapazoni i gjerë i njohurive në fjalor, histori e ngjarje e hermetik, këtë
vëllim poetik, ku të magjepsin por dhe ta hapin një botë plot shtigje ndër sytë
e tu.
Për ta dalluar flakën mbi atdhe, lëmshin e
zjarrtë llamburitës tek rrokullisej pragjeve apo nga njëri skaj i atdheut drejt
cepit tjetër, vështrimi i tij kridhet tej në mjegullën e Evropës, që natyrisht
ishte aso kohe, ku nuk na jep mundësinë të nxjerrim shumë kuptime nga një
vizion. Na bën thirrje të shohim qartë duke mos i lënë vullnet të lirë
lexuesit, sepse forca e tij krijuese dhe përshkruese e shkel këtë fantazi duke
qëndruar fuqishëm mbi këtë optikë të pashoqe e cila e bën poezinë e tij
madhështore, të pavdekshme. Pamja e jashtme ngjan tym, madje e vrazhdë që vret
dhe me fjalë.
Por ama, gjeneratat që po vijnë e
gjejnë aty atë veprën e madhe të artit ku nuk mund të masë vetëm me
intensitetin e tyre, vetëm me autorin që i krijoi por edhe efektin tek masat.
Sikur s’u ngop qe 100 vjet
me gjakun tim
që ma piu ditë e natë
e me eshtrat e tij
ndërtonte kalanë
e hierarkisë
atje mbi Kalamegdan
Këto vargje e metafora a nuk janë
e gjitha ajo çfarë përshkruam më lart?!
Situata poetike të ndërthurura me
art mbi realitetin e skllavërimit nga pushteti i lig e pushtues serb mbi
Kosovën martire për një periudhë të gjatë shekullore;
Për gjakun e të rënëve si dhe vlerësimi me
poste e grada për gjithë krimet njerëzore që kryheshin mbi popullin e
pambrojtur shqiptar nga kriminelët pa shpirt e zemër;
Nga ngjarjet e trishta në vrasje e djegie
të trupave shqiptarë e masakra tejet ç’njerëzore;
Në tërë shtrirjen e rrafshit poetik me
gjithë përmasat është ajo dhimbje e thellë mbi gjeografinë e vendlindjes ku
lëshohet klithmë e urrejtjes për njeriun që humbi gjykimin njerëzor e duke u
kthyer në “kafshë mishngrënëse”.
Vargje që ta kallin. Pra, në këtë vëllim
poetik, Gëzim Ajgeraj është tepër i madh dhe i pakrahasueshëm për fuqinë e
fjalës, forcën e vargut dhe poezisë që janë pa diskutim majat e fjalëve dhe
këto kritere i takon në çdo poezi përpos temës.
Ama i gjithi ngelet po brenda të
njëjtit stil, po kaq të veçantë që do magjepsë lexuesin për mënyrën e
botëkuptimit ku ai përshkruan mbi plagë e dhimbje, dhe se si orë e çast i
këndojnë himnin e krimit mbi shqiptarët, hap e mbyll varre.
Bisha me krrokamën e korbit i
ngjan satanait të pashpirt e pa gjak, ku historia e dhimbjeve me rrënjë në
gjak, seç shfryn tërë duf e mllef mbi dhuratën që Evropa mbolli për shqiptarët.
Në të zezë
e kam veshur mendimin
qysh ditën
e pikëllimit të madh
që të ma ruajë
fshehur
dhimbjen e shpirtit
Ashtu si Uill Rogers, shprehet
dhe Ajgeraj.
“Vendit tonë i nevojiten
thonj më të pistë e mendje më të pastra”, sepse do i shërbenin por dhe
do i shërbejnë të ardhmes së atdheut.
Eh, dija është pushtet, kështu që edhe poeti me gjithë forcën e pushtetit krijues me thellësinë e
mendimit e forcën e fjalës e sjell të gjallë metaforën mbi varg ‘Në të
zezë kam veshur mendimin’ shpalos pikëllimet e shpirtit me të fshehtat
e gjithë dhimbjet e zemërimit që cipën shpirtit ia zhvesh, apo plagët që
pikojnë shtatit.
Por, ai cek edhe shënjestrën kah
veriu i furtuntë si amanet i gjyshit.
Evropa qe 100 vjet
mbyllur i ka veshë e sy
hileve të pazareve
Gjithçka kridhet si në rrethe
vicioze duket se i ka përfshirë bataku nga brenda.
Politika bën aktonacira të
vërteta, fjalët vorbullohen, kërcejnë tutje, lozin me kuptimin e tyre,
thumbojnë njëra-tjetrën me romuz
Përpiqen ta gabojnë shoqja-shoqen, një
tekë e fuqishme i shtyn në vallen e madhe.
Evropës ia palos mllefin për
dredhitë shekullore apo pazaret hileqare, ama ky vullnet krijues endet tejet i
magjepsur brenda botës, krijimtarisë por edhe brenda botës reale i një saktësie
të veçantë, si instrument i mrekullueshëm e i pagabueshëm, i paepur e vizionar,
vështrimmprehtë, mendjeftohtë si Alpet, sy çelik.
Vërtet sy i çeliktë, i ngjan kasafortës
brenda së cilës gjenden gjithë forca, njohuritë, virtytet njerëzore që e bëjnë
një Penë të Artë për Kombin, ku asgjë nuk i shpëton. Madje ka
vrapuar koherent me kohën ku rendit histori, ngjarje e mbresa, njëra pas
tjetrës e me tehun e çeliktë ndan mjegullën shekullore, pasi, ngjarjet, mllefet
e urrejtjet brenda këtyre poezive janë të paanë e pafund si deti.
Re të zeza stivohen në qiell, çahen,
grumbullohen sërish, ajri i gaztë e plumbat si breshër, vërtiten si aso kohe
mbi mëmëdhe nga krimi i satanait të veriut.
Njerëzia nuk e donte tmerrin, i cili ta
çan gjoksin si rrufe, e gjakun ta ngrin e të kallin mornicat, por ndjenin frikë
nga vetë ndjenjat e tyre të fuqishme.
Ashtu si ndër libra bashkëkombasit
dëshironin, veçse lirinë në trojet e tyre e ndjenjën mirale brenda petkut të
virtytshëm.
A nuk m’i shihni
varret tek oborri
kullat e shkrumbuara
fëmijët e djegur në djepa
plakun e shkrumbuar në kullë
e varret e mbeta thatë
Ah ç’përjetim nga familja por dhe
jo vetëm
Pyetje thumbuese plot mllef e
shpirt ndër dhëmbë për gjithë krimet e kryera në mënyrë shfarosëse e madje
askush fjalë s’thotë. Klithmë e shpirtit e dhimbje e xhanit deri në përvëlim
për të drejtën njerëzore nga shpirti luftarak e njëherësh krijues e pajis
autorin me një arkitektonikë magjepsëse.
Ajgeraj është shprehja më e lartë
poetike e mishëruar në traditën shqiptare ku shpesh gjendet mes ëndrrës
dhe realitetit, ndaj prek majën më të lartë të përmbushjes poetike të letërsisë
bashkëkohore shqiptare, por nuk u ndje kurrë rehat brenda sferës së mëmëdheut.
Madje kurrë, por ende nuk synon të kalojë kufirin artistik, moral apo estetik
të Kosovës apo kombit të tij. Ajo ç’ka krijon Ajgeraj qëndron e fortë, e sigurt
mbi themelet e traditës dhe kulturës shqipe.
Është karakteristika dalluese e këtij
njeriu, gjeni, si shpirt i mishëruar i një tradite për të luftuar sikundër një
bote që e rrethon, si stërgjysh i kësaj breznie të re, duke nxjerrë në pah
gjithë djallëzitë e një bote të marrosur, pasi koha tregon dy botë të ndara, të
cilat vërtet këmbejnë me njëra tjetrën dritën dhe hijen. Ama, ato sikur
rrotullohen në sfera të ndryshme, por që kërkojnë të jenë qytetarë të lirë të
botës madhe. Larg asaj zbrazëtirës së acartë e të ashpër ku qenë të pambrojtur
nga stuhitë e rrezikshme të jetës e sulmeve aventureske e kriminale.
Zot ç’trishtim
kur sheh
gjakpirësit e etnisë
kah lëpijnë
pjatave të huaja
të krimit
Në kësi lloj rastesh që realisht
nuk janë të pakta, fjala mbetet ngrirë e dora zor se shkruan, se si do e duan
mbi kombin tënd okupatorin.
Te këto vargje vjen si piskamë a
klithmë trishtimi, tek shesin farë e fis për një thelë, ku s’ua dëgjon dot
emrin, apo s’ua dëgjon bëmat atyre maskaradave për ata njerëz “Pa din e pa
iman”, farë e ligë që përbaltin emrin e shqiptarit, ai soj i brishtë.
Deri kur
atdheu im
kjo farë e ligë
do të bimojë arave të tua..?
Kjo pyetje që ta ngjeth mishin e
poret e kokës, t’i hapë aq sa toka e dheu nën këmbë të lëvizë. Një filozofi e
thellë ku në kuptim metaforik, kapërthen në vete një univers të gjerë mendimi
në pak fjalë a metafora fjalësh. Këto vargje janë aq të përsosura saqë në çdo
kohë ruan kuptimësinë e freskinë e mendimit.
Jo më kot thuhet se në do të gjesh fajin
real, së pari llogarinë kërko te vetja dhe më së miri këto vargje na sjellin në
kujtesë dyfytyrësinë apo pabesinë e njeriut të pamoral apo më saktë pa gjak njeriu
që ndër deje i valon gjaku i satanait.
Tema e këtij vëllimi të jashtëzakonshëm
janë të larmishme ku çdo lexues e gjen veten nëpër vargje apo poezitë e
ndryshme.
Poeti shpalos ndjenjat mbi ngjarjet
shekullore të atdheut të tij, luftërat e përgjakjet, vrasjet e djegiet,
tradhtitë etj.
Nuk i shpëton penës së krijuesit as niveli
shoqëror brenda shoqërisë shqiptare, lufton ashpër padrejtësitë e cinizmin duke
reflektuar sedrën e shëndetshme njerëzore dhe fisniken që buron nga shpirti, si
dhe thirrja për ndërgjegjësim të parimeve njerëzore përballë ligësive e
veprimeve monstruoze.
Gëzim Ajgeraj, poeti me karakter
të fortë e me virtyte në raport me këto zhvillime .
Sigurisht që askush nuk pajtohet
me ligësitë që ne përcjellim a përjetojmë si shoqëri.
Prenda Sejdia
Lezhë, janar
2021

Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen