Poezi nga Gëzim Ajgeraj
THYER S`MË KENI
Edhe njëqind hile
të londërta a të berlinta të m’i bëni
mua s’më thyeni
Edhe njëqind herë
barbarit të Kalamegdanit krimet t’ia miratoni
mua s’ma humbni farën se s’ma humbni
Qe njëqind vjet
u mësova të hap e të mbyll varre
nënshtruar s’më keni
Unë isha këtu
qysh kur foli Zoti shqip
IDEALI
Më mbeti në gji
Si një suvenir i ëndrrave të prangosura
Peshën e Atdheut e mban në shpirt
Dikush i ka rënë në qafë ëndrrës
Frymën ia ka zënë shpresës
Janë hijet e liga të gjakut të prishur
A bëhet Atdheu
Me bajraqe katundi,
more hej?!
PRAPË I VETMUAR
MAJË KODRE
Një mal bubullimash
shkarkuar janë
s’ia gjej dot rrënjën
këtu ende
ka vdekje
Dhe përsëri gjej veten
majë kodre i vetmuar
tek ia luaj
vendin gurit
përpjekjes për ta shkulur
nga zemra e Pashtriku
TRE BREZA
Përtej është
toka e shenjtë
këndej na ka rënë mallkimi
në qafë
gurin duhet lëvizë
Kështu i kishte thënë
gjyshi, babait (ndjesë pastë!)
përpara se ta linte këtë botë
Eh,
Po plakemi dhe ne
me gurin mbi shpinë!
GURI I GJAKUT
Po si s’ ju shua etja
E s’i pëlciti gjerba
Nga gjaku i derdhur
Nga damarët tonë
Të pëlcitur për dritën
Ka një jetë që më bën hije
Gjoksit të Atdheut
E ia nxë frymën
Që të mos i rrahë
Pulsi në zemër
Ka një jetë që ma pi gjakun
Nga damarët e Atdheut
E me gjakun tonë
Ushqen rrënjët e rritës së vet
Atje mbi Pashtrik
PËRBALLJA ME BISHËN
Trembshëm u zgjova nga kujtimet
duke e sfiduar vdekjen
përpara ca bishave të veriut të zi
tek po korrnin kobin
mbi koka njerëzishsheshit
Nga ajo amulli kujtimi
pikuan motet e njoma të moshës
me guximin e patrembur
në përballje me korbën
për ta çliruar
rrezen e diellit nga eklipsi shekullor
Iu deshtë edhe shkundja e maleve
e skuqja e gurit
për ta sjellë kurorën e nuses
në oborrin tonë
eh, sa e kuqe
ishte velloja e saj në ditën e dasmës!
Nga ajo ditë
nuk e pashë më bishën në këto hapësira
ulërinë e krrokatë tej gardhi
me natë ndjell kobin e zi
po frëngjisë s’ i ndahem se s’ i ndahem
tek ruaj amanetin e gjyshit në thumb
ULËRIMA E UJKUT TË ZI
Nuk e di a e dëgjoni vazhdimisht
ulërimën e ujkut të zi
nuk e di nëse mua më ka hyrë frika në palcë
apo më tërheq largpamësia e kësaj
ulërime të ligë
Ulërimë e ujkut më ndjell kob
e s’ m’ i ndahet së ligës
me mort më sillet vërdallë
rreth oborrit të shtëpisë
e s’ m’i lë të qetë as zogjtë e shqiponjës
tek m’ i trazon e sjell mort
Me ligësi ma nxinë edhe qiellin rreth meje
e ma zë dritën e diellit
që pranvera mos të agojë
në oborrin tim
e pema e farës sime
të mos rritet mbi këto troje
Mbrëmë përsëri rashë me ulërimën e tij
përtej gardhi
e s’ më mori gjumi
gjithë natën e lume në rojë
me martinën e gjyshit e bëmë syrin pishë
e kuvenduam deri në mëngjes
PLAGËT
Në pergamenën e mendimit
na i shkruan
me shkronjat e gjakut
vragë të hapura
mbeti shekulli
Ku ta lëvarim
dhimbjen e saj
kur plagët ende kullojnë
e varret mbetën
hapur
në pritjen e kthimit
të të zotit
Assesi të ndahemi
nga dhimbja
që na ndjek si hije dritën
nga e kaluara
e territ tonë
plot plagë
Janë dhimbjet tona
të mbuluara
fushave e maleve
tek i bëjnë roje
plagës së të shkuarës
që na e mbolli
korba e Karpateve
ANTIKOMBËTARËT
Shpesh i mbyll
sy e vesh
të mos ua shoh surratin
e as emrin mos t’ua dëgjoj
kësaj maskarade
farëligë
Eh, atdheu im
sa shpesh ta përbaltën emrin
e të hedhin gurë mbi shtatin tënd
edhe bijtë e tu
të sojit të brishtë
Deri kur atdheu im
kjo farë e ligë
do të bimojë arave të tua?!
THYER S`MË KENI
Edhe njëqind hile
të londërta a të berlinta të m’i bëni
mua s’më thyeni
Edhe njëqind herë
barbarit të Kalamegdanit krimet t’ia miratoni
mua s’ma humbni farën se s’ma humbni
Qe njëqind vjet
u mësova të hap e të mbyll varre
nënshtruar s’më keni
Unë isha këtu
qysh kur foli Zoti shqip.
2022

Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen