Sogje
Kam një jetë shikimi më është ngrirë
përtej guri
dhe nuk më ndahet një hije e zezë
për asnjë çast
seç më mban peng ideali
dhe ajo bjeshkë e ndarë atje majë mali,
e ai gur
mbi plagë ç’më rëndon
shpesh ma zë rrezen e diellit mbi Kukës
e me pamjen e brishtë
dritën ma verbon
mbi Prizren
eh, kam një jetë që i kam vënë syrin
se si erdhi ora
se diellin me copëza
po e shoh
2022, Prizren
Vegullia e diellit të zënë
Syrin ia gërvishten diellit
derisa ia zbehën rrezen e kristaltë
të shkëlqimit
hiena nate rizgjuan
nostalgjinë e moçme
miopët
matrapazët
argatët e dreqit
antikombëtarët
orla nën qiellin e amulluar
nëpër verbërinë e moteve
edhe zogjtë e tu luajtën lojën e korbave
këmishës tënde të shqyer
shitën copëza
asht nga ashti yt
e gjak nga rrjedha
e damarëve të tu
shesh i bajraqeve hileqare
në arenën e ligësive
mbete arenë e etjeve të fqinjëve
në duart e argatëve të tu të shitur
2022
Udhëkryqet e shpresës
Nga koka, nga muza
na e pëlcitën mendimin
shpresa po thyhet
si kristalet
në buzët e njeriut
nga më të bukurat ditë
që s’po pikojnë lumturi
në kob shtrydhet koha mort
motet kovidiane
ia zunë frymën mendimit të mirë
e lanë pa qiell
tanimë
gishtat gati mbi sustat e kuqe
dhe atomi gati
luftërat dhe planet
e pakësimit të njerëzimit
strategji komitetesh
e kujt është
kjo botë
2022
Sa herë shfletoj fletët e historishme
Sa herë hap fletët e ikjeve të historishme
Deshifroi ditët e dy dekadave më parë
Dhimbja trazon plagë e ndjellë trishtim
Fletë -fletë shpaloset dhuna e kobzezës
Mbi shtatin e Dardanisë
Tek përpëlitemi ecjes drejt së nesërmes
Assesi s’ dua ta harroj
Udhën e qëndresës
Dhe luftën për të kapur pak rreze diellin
Për shtatin tim të lodhur errësirës
Kulla të shkrumbuara deri në themel
Kodra që ndrydhen varreve
E gropa që presin eshtrat e atyre
Që ende s’ u kthyen
Nënat tek vajtojnë mbi dhimbjet e tyre
Fëmijë me rritën e këputur në mes
Pleq e plaka të vrarë në pragun e kullave
Dardania ime plot plagë
Edhe sot si këtu e dy dekada më parë
Ende kriminelët e Kalamegdanit
Ngritin hierarkinë e lavdisë mbi gjenocidin
Tek thurin lëvdata për krimet
Dhe gradat që i bartin turpshëm mbi shpatulla
Dhe numërojnë kokat e prera shqiptare
E kurrë nuk i thirrin pendesës
Dhe sa herë hapë fletët e ikjeve të
historishme
Kriminelët e Kalamegdanit të zi
I shoh me një barrë krimesh e gjenocid
Që edhe sot e për dy dekada
Pinë verën e lavdisë së krimeve
Dhe pozojnë sharlatanizëm
Salloneve të Evropës plakë
Dhe sa herë shfletoi fletët e ikjeve të kuqe
Atdheu më fton në vigjilencë
Gjyshi plak me amanetin:
Kullën, frëngjinë dhe syrin vëngër
Kah veriu i zi
Shkurt, 2022

Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen