GËZIM AJGERAJ
TREGIMET E GJYSHIT
Tregime
Shtëpia Botuese “7 Days”
Prizren, 2021
Gëzim Ajgeraj
FRYMËZIM PËR BREZA
Të dashur fëmijë,
Tregimet që ua sjellim në këtë libër, janë copëzat e shpirtit atdhetar të xhaxhi poetit, që përmes rrëfimit që ai sjell për mbesën e vet, përçon edhe te ju ndjenjën e dashurisë dhe frymëzimit atdhetar, që keni nevojë ta ushqeni edhe ju.
Fati i gjyshit të Lonës, është fati i miliona bashkëkombësve tanë që në epoka të caktuara detyrimisht u larguan nga atdheu dhe tretën udhëve të botës. Me kohën, ky ishte edhe fati i Lonës, motrës së saj Lisës, e vëllait Sundit, që pavarësisht se lindën në një vend të huaj, lidhja me atdheun e prindërve të tyre me ngulm kërkon të ruhet edhe nga gjyshi i tyre, i cili, përmes tregimeve që u tregon atyre, si një bujk i mirë hedh mbi ta farën e dashurisë për atdheun.
Dhe kjo dashuri transmetohet deri te nipat e mbesat, duke i kthyer ata herë pas here në atdhe, gjithnjë duke i frymëzuar me kulturën, historinë, traditën dhe me gjithçka që kanë nevojë ata.
Pavarësisht se mosha e tyre është ende e njomë, kur dihet se Lona ende s’i ka mbushur shtatë vjet, ajo duke ndenjur gjithmonë pranë gjyshit, kurioziteti i saj shtohet për gjithçka që e rrethon.
Lonës i interesojnë festat, në veçanti ato kombëtare, që gjyshi i feston me pietet e dashuri, copëza e pjesë nga historia jonë e deri te vizitat e vendeve historike në atdhe. Për të gjitha këto, ajo ka ngritur interesimin por edhe ka gjetur kujdesin e gjyshit, i cili pa kurrfarë përtese i shpjegon asaj për gjithçka që i kërkohet atij.
Siç shihet edhe nga interesimi dhe pyetjet e kërkesat që i bën Lona gjyshit, ajo jeton fare pranë tij dhe preokupimeve të tija, duke ia kuptuar edhe atij brengën dhe dëshirën, dhe njëkohësisht edhe ajo duke u mishëruar me idetë që i sjell gjyshi nëpër tregime.
I gjithë ky komunikim, gjysh e mbesë, përmes rrëfimit të tregimeve, sikur sjell një botë të pasur për Lonën dhe moshatarët e saj, për të shpalosur pjesëza nga historia e kombit tonë.
Dhe, nga struktura dhe mënyra e shkurtër e rrëfimit, edhe gjyshi i Lonës mëton që të mos e mbingarkojë Lonën dhe juve lexues të vegjël, me ngarkesa të rrëfimeve të gjata, por gjithmonë në përputhshmëri me moshën.
Duke ju dëshiruar frymëzim e suksese juve vogëlushë të dashur, ju do e ju përqafon fort xhaxhi poet.
Autori, Zvicër, shkurt 2021
TREGIMI PËR SKËNDERBEUN
Gjyshi ishte ulur përpara televizorit dhe po e shikonte filmin për kryetrimin shqiptar, Gjergj Kastriotin - Skënderbeun. Aty pranë tij ishin ulur edhe Lona, Lisa dhe Sundi i vogël dhe po e ndiqnin me shumë vëmendje filmin.
Duke parë kuriozitetin e gjyshit, Lona që ishte mbesa më e madhe dhe shkonte në klasën e parë në një shkollë të Zvicrës, iu drejtua gjyshit dhe e pyeti: - Gjysh, a na tregon se kush ka qenë Skënderbeu?
- Gjyshi e shikoi me shumë dashuri mbesën dhe i tha:
- Po, bija e gjyshit. Gjyshi ju tregon se kush ka qenë Gjergj Kastrioti - Skënderbeu.
Që të tre vogëlushët, Lona, Lisa e Sundi i vogël u afruan rreth gjyshit dhe po e dëgjonin me shumë vëmendje.
Ndërkaq gjyshi e vazhdoi tregimin: Gjergj Kastrioti lindi më 1405 dhe qysh i vogël kur i kishte nëntë vjet, e kanë marr turqit me forcë nga babai i tij dhe e kanë çuar larg në Turqi. Atje ai u rrit, u bë burrë, u bë luftëtar shumë i fuqishëm me shpatë dhe bëri shumë luftëra. Por, erdhi një kohë kur ai u kthye në atdheun e vet dhe u vu në mbrojtje të tij. Pra, bëri ushtri shqiptare dhe u kthye në luftë kundër turqve.
E krijoi edhe principatën e vet shqiptare dhe bëri edhe shtetin shqiptar dhe flamurin me shqiponjë, që sot është simbol yni kombëtar. Skënderbeu ishte princi i shqiptarëve në atë kohë.
Ai, me trimërinë e tij bëri shumë luftëra dhe korri shumë fitore, dhe deri sa ishte gjallë Skënderbeu, nuk mundi askush ta nënshtrojë Shqipërinë. Skënderbeu, ky legjendar vdiq në Lezhë ku edhe u varros në vitin 1468.
Ky ishte Skënderbeu. Ndërkaq, ju vogëlushë, kur të rriteni, do të mësoni shumë e më shumë për trimërinë dhe heroizmat e tij.
Faleminderit Gjysh, - tha Lona, dhe vazhduan të shikojnë filmin në televizor.
CILI ËSHTË FLAMURI YNË
Elona, që tani po shkonte në klasën e dytë në kopshtin e qytetit në një qytet të Zvicrës, kishte filluar të mësonte shumë gjëra nga vendi ku jetonin, por gjyshi i saj vazhdimisht i fliste për atdheun, vendin e tij të dashur, Kosovën. Dhe, tashmë që Lona kishte filluar ta kuptonte gjyshin, edhe asaj i interesojnë gjëra që tregonte ai. Lona e dëgjonte me shumë kënaqësi e interesim. Një ditë Lona kish sjellë nga shkolla flamur të vogël të Zvicrës, por disi ndihej e interesuar të dinte se cili ishte flamuri i atdheut tonë. U ul pranë gjyshit dhe tha: - Gjysh, a më thua se cili është flamuri ynë?
- Gjyshi e shikoi me plot dashuri dhe e filloi rrëfimin e tij: - Flamuri ynë kombëtar ka dy ngjyra, kuq e zi. Mbi fushën e kuqe të flamurit tonë është shqiponja dykrenore. Fusha e kuqe e ka simbolikën e gjakut të derdhur nga paraardhësit tanë.
- Ndërkaq, shqiponja me dy koka në mes, tregon bashkimin e jugut dhe të veriut që i bashkoi Skënderbeu për të luftuar kundër ushtrisë Osmane. Pra, ky flamur u përdor edhe gjatë kohës së Gjergj Kastriotit - Skënderbeut. Ky flamur u ruajt nëpër shekuj edhe gjatë sundimit pesëshekullor osman.
- Dhe, përsëri më 28 nëntor 1912 u ngrit nga Ismail Qemajli në Vlorë, kur edhe u shpall Pavarësia e Shqipërisë. Ky është pra flamuri ynë kombëtar i të gjithë shqiptarëve.
- Faleminderit Gjysh! - Faleminderit Lona! – Po ky flamuri i kaltër me yje që e kemi në shtëpi, bashkë me atë me shqiponjë, ç`është?
Gjyshi e shikoi me habi Lonën, sepse nuk e kishte pritur një pyetje të tillë nga mosha e Lonës, dhe vazhdoi: - Ehhh, mbesa ime, - tha gjyshi, derisa po ofshante, i lëmoi flokët Lonës.
Ky flamuri i kaltër, në fushën e tij mban hartën e Kosovës dhe gjashtë yje që simbolizojnë gjashtë grupe etnike të popullatës në Kosovë. Ky flamur filloi të përdoret pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Flamur u vendos nga Kuvendi i atëhershëm i Kosovës i mbështetur nga organizata e kombeve të bashkuara dhe misionet e saj në Kosovë. E, për më tepër, mbesa e gjyshit, kur të rritesh do t’i mësosh edhe në histori.
Faleminderit Gjysh. Je gjyshi më i mirë në botë, - tha Lona, - deri sa e përqafoi gjyshin e vet.
KUSH KA QENË ADEM JASHARI
Gjyshi, së bashku me Lonën, ishin kthyer nga mërgimi për pushime në vendlindje. Një ditë pushimi në Kosovë, ata kishin vendosur të shkonin për vizitë në Prekaz, për të vizituar kompleksin memorial dhe për të nderuar heroin kombëtar, Adem Jashari dhe të gjithë të rënët për liri.
Mëngjesi i hershëm, gjyshin, Lonën e gjyshen i gjeti në Prekaz të Drenicës, pranë kullave të qëndresës. Lona vrapoi e para dhe u afrua pranë një busti që ishte ngritur aty pranë kullave muze, dhe pasi u afrua për t’u fotografuar, pyeti:
- Gjysh, a më bën një fotografi këtu, dhe më trego se kush është ky trimi në këtë bust?
Ehhh,mbesa e gjyshit, – ofshau gjyshi thellë nga ndjenjat e shpirtit dhe vazhdoi: - Ky këtu në këtë bust është heroi ynë kombëtar Adem Jashari. Ky trimi, moj bijë e gjyshit, ka qenë themelues dhe komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
• Ka qenë shumë trim, saqë nuk mbahet mend në histori. Ai ka luftuar kundër okupatorit serb për të mbrojtur e për të çliruar Kosovën nga robëria shekullore. Dhe, lufta e tij ka bërë që sot ne të jemi të lirë e të vijmë në Kosovë lirshëm.
•
- Ai ka luftuar kundër një ushtrie të tërë të Serbisë bashkë me babanë e tij, Shabanin , vëllanë Hamzën, dajën Osman, nipa e mbesa dhe e gjithë familja e tij, derisa u vranë të gjithë. Ata luftuan e qëndruan nëpër të gjitha këto kulla e shtëpi që duken këtu afër trimërisht dhe u flijuan.
- Gjysh, a ka pasur fëmijë këtu në kulla?
Ehhh, moj mbesë e gjyshit, - ofshau prapë gjyshi, - ka pasur edhe shumë fëmijë, por edhe ata janë vrarë të gjithë nga ushtria e policia e Serbisë.
- Po a ka shpëtuar ndonjë? - pyeti me shumë interesim Lona.
Po, bijë e gjyshit, në këtë luftë janë vrarë mbi pesëdhjetë anëtarë të familjes, po disa kanë shpëtuar dhe tani ata janë rritur dhe janë shtuar, dhe vazhdojnë të rriten e të trashëgojnë gjakun e familjes Jashari.
- Po ku gjenden tani ata që janë vrarë, gjysh?
I sheh ato varre radhë atje në krahun tjetër të fushës? - Atje janë të gjithë të vrarët e kësaj lufte këtu në Prekaz. Tani do të shkojmë edhe atje, mbesa e gjyshit dhe do t’i vizitojmë e do t’i nderojmë të gjithë të rënët e luftës në Prekaz. Ndërsa për luftën dhe gjithë trimëritë e këtyre luftëtarëve të lirisë, më shumë do të mësosh në histori, ti mbesa e gjyshit. Tani je ende e vogël dhe duhet të rritesh e të mësosh sa më shumë për këtë luftë e këta trima të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Tani shkojmë e i vizitojmë të gjitha kullat e rezistencës dhe atje do të na flasë edhe ciceroni i kullave muze dhe do të shkojmë edhe te varret, për të vënë lule në nderim të të rënëve.
GJYSH, PSE NUK MBAN PLIS
Lona ishte ndalur përpara portretit të stërgjyshit të saj dhe po e shikonte. Ajo e dinte mirë se plaku në fotografi ishte stërgjyshi i saj, sepse për të i kishte folur herë pas here edhe gjyshi.
- Gjyshi i Lonës, që prej tri dekadash kishte ardhur në mërgim dhe me vete kishte marrë edhe familjen e vet. Edhe babai i Lonës ishte rritur këtu në mërgim. Ndërsa Lona, e motra Elisa dhe vëllai i saj Sundi, kishin lindur e po rriteshin në Zvicër.
- Rritja e tyre mes dy kulturave çdo ditë përpara Lonës nxirrte pikëpyetje e risi nga përgjigjet që ia jepte gjyshi i saj.
Dike shikuar portretin e stërgjyshit në fotografi, Lona iu drejtua gjyshit të vet e i tha: - Gjysh, pse ti nuk mban plis?
- Ehhh, moj bijë e gjyshit! - Ky plisi i bardhë që mban stërgjyshi mbi kokë, është simbol i lashtë i popullit tonë. Ai është bartur nëpër breza, dhe siç po e sheh, edhe stërgjyshi yt e bartë atë mbi kokë.
- Edhe unë kur kam qenë më i ri, atje në Kosovë kam bartur plis, sidomos në festa, ahengje e në dasma, por kur kam ardhur në Zvicër, plisin e kam lënë në Kosovë, në kulla, sepse, ne këtu në Zvicër jemi në vend të huaj dhe ky vend ka tradita tjera, prandaj nuk mund të bartim plis këtu.
- Gjysh, po kur të shkojmë në Kosovë, a do të bart plisin ti?
Gjyshi e lëmoi në faqe Lonën me plot dashuri, dhe vazhdoi të përgjigjej. Gjyshi e do shumë plisin, sepse atë e kanë bartur të gjithë brezat përpara meje dhe dashurin për të e kam të madhe. Prandaj, sa të shkoj në Kosovë, unë do të vë plisin e bardhë mbi kokë, bile një më të vogël. Të premto, bija e gjyshit se do të ta blej edhe ty.
- Uaaa, sa mirë! - bërtiti Lona. Edhe vajzat bartin plis, Gjysh?
- Po bijë e gjyshit, edhe vajzat kanë bartur plis, bile edhe në luftëra. Heroina Shote Galica, që ka qenë një luftëtare e madhe e për të cilën do të të flas një ditë, gjithmonë e ka bartur plisin. Bile edhe në luftëra, kurrë nuk e ka hequr nga koka. Pra, edhe ka pasur nëpër kohëra, që edhe gra trimëresha e burrnesha kanë bartur plis. Prandaj, edhe ty gjyshi do të ta blej një plis të bardhë.
- Uaaa! - thirri Lona. - Faleminderit Gjysh. Edhe unë dua ta mbaj një plis e të bëj edhe fotografi me plis mbi kokë.
- Po, bijë e gjyshit, - i premtoi Gjyshi, dhe vazhdoi tregimin për plisin dhe historinë e lashtë të tij.
DUA TË BËHEM SI SHOTË GALICA
Nga dita kur gjyshi i kishte përmendur emrin e Shote Galicës dhe plisin e saj, Lona me padurim e priste që gjyshi i saj të kishte kohë që të ulej dhe t’i tregonte diçka nga historia e saj. Në një mbrëmje ajo u ul pranë gjyshit, dhe i tha: - Gjysh, më ke premtuar se do të më tregosh tregimin edhe për Shotën me plis të bardhë.
- Po bija e gjyshit, dhe më vjen shumë mirë që ke mbajtur në mend premtimin tim e nuk e ke harruar. Gjyshi u ul në ulësen në sallonin e ditës dhe filloi tregimin.
- Shote Galica ka lindur në katundin Radishevë të Drenicës më 1895. U rrit në një kohë kur vendin tonë e sulmonin shumë ushtri të huaja, si ajo serbe, austro-hungareze e bullgare. Kosova në atë kohë u pushtua nga disa ushtri të ndryshme. Ajo u martua me Azem Galicën, një luftëtar e komandant i shquar po në ato kohë që luftonte për çlirimin e vendit.
Shote Galica, pasi u martua me Azem Galicën, u vu përkrah burrit të saj për të luftuar për çlirimin e tokave tona nga okupatorët e huaj.
- Gjysh, a ka qenë trime Shota?
- Po bijë e gjyshit, Shota ka qenë trimëreshë dhe ka marrë pjesë nëpër shumë luftëra. Historia thotë se më shumë se dyzet herë ka marrë pjesë në luftime, krahas burrave të qetës së Azem Galicës. Dhe, është dalluar për shumë trimëri e guxim nëpër këto beteja.
- Gjysh, më ke thënë se Shota ka bartur plis të bardhë mbi kokë, po flokët si i ka mbajtur?
- Po bijë e gjyshit, - tha Gjyshi dhe ia lëmoi flokët. - Shota mbi kokë ka mbajtur plisin e bardhë, bash si e mbajnë burrat. Flokët e mbajtur gërshetë, ja kështu siç e mban ti herë pas here. Edhe rrobat i ka veshur ashtu siç janë veshur burrat, me tirq e xhamadan. Gjatë gjithë jetës së saj, ka qëndruar e ka luftuar krahas Azem Galicës, burrit të saj.
Po më pastaj, çka ka ndodhur me Shotën?
- Ehhh, moj bijë! - Me vrasjen e burrit të saj, Azemit, ajo edhe për disa kohë e vazhdon luftën. Dhe kur nga luftërat e shumta iu vranë edhe shumë shokë e u thye qeta, nga këto luftëra ajo ka humbur edhe 22 anëtarë të familjes së vet. Shota, me shumë fëmijë jetimë që kishin humbur prindërit në luftë, niset për në Shqipëri dhe vendoset atje. E thyer shpirtërisht dhe e sëmurë, vdiq në Fushë-Krujë të Shqipërisë.
- Sa trime paska qenë shota, Gjysh. Edhe unë dua të blej një plis dhe flokët do t’i lidh gërshet që t’i ngjaj Shote Galicës.
- Ehhh, të pastë gjyshi ty, e mira e gjyshit! - uroi gjyshi për Lonën, dhe ia lëmoi flokët.
PRANË LAPIDARIT TË HEROIT
XHEVAT BERISHA
Lona me gjyshin e vet po shëtitnin Shatërvanit të Prizrenit.
- Kishin disa ditë që ishin kthyer në Kosovë për të kaluar pushimet dhe për të vizituar të afërmit dhe vendlindjen e Gjyshit dhe babait të saj. Ishte ditë e bukur vere dhe qendra e qytetit gumëzhinte nga njerëzit e shumtë që po shëtitnin e vizitonin qytetin.
- Edhe Lona po e ndante ditën e pushimit me gjyshin e saj, për ta vizituar e për të njohur nga afër qytetin e bukur, Prizrenin.
- Gjatë shëtitjes nëpër Shatërvanin e qytetit, gjyshi i propozoi Lonës të vizitonin edhe lapidarin e mësuesit hero, Xhevat Berisha. Dhe, pasi u afruan pranë shtatores së heroit, gjyshi i bëri nderime duke qëndruar gatitu për pak kohë e që e ndoqi edhe Lona, e cila bëri ashtu siç bëri gjyshi i saj.
- Ky heroi këtu në lapidar, është heroi Xhevat Berisha, - tregoi gjyshi derisa po i drejtohej Lonës.
- Gjysh, a më tregon se kush është Xhevat Berisha? - pyeti Lona plot kuriozitet.
Po bijë e gjyshit, - pohoi gjyshi, dhe përpara se të fillonte tregimin, ofshau thellë.
- Ehhh, moj bijë e gjyshit! - Xhevat Berisha ka qenë mësues në Malësi dhe ka mësuar shumë breza e gjenerata të tëra. Ka mësuar edhe babanë tënd dikur kur ai ishte ende pa ardhur në Zvicër. Mësuesi Xhevat ka qenë veprimtar e atdhetar i flakët dhe idealist i luftës për çlirimin e Kosovës nga robëria serbe. Ai ka organizuar e ka marrë pjesë nëpër shumë demonstrata kundër okupimit serb. Ka bërë edhe shumë aktivitete tjera politike deri kur ka filluar lufta. Ka qenë edhe i burgosur nga Serbia.
- Dhe, ka qenë njëri nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rajonin e Vërrinit e të Prizrenit. Ka marr pjesë në shumë luftëra e beteja kundër ushtrisë okupatore serbe dhe, nga luftimet e rrepta ka rënë heroikisht në luftë kundër okupatorit serb në katundin Lez të Vërrinit, bashkë me shumë shokë luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
- Dhe sot, këtë liri që e gëzojmë ne sot, bashkë me të gjithë këta njerëz që po i sheh duke shëtitur lirshëm në qytetin tonë, është gjaku i këtij heroi dhe shumë heronjve të tjerë që u flijuan për Kosovën. Derisa gjyshi po i fliste Lonës, sytë i kishte mbushur me lot, ndërsa ajo po e shikonte me plot dhimbje gjyshin e saj. Pra, ky është tregimi për heroin, bijë e gjyshit.
- Po ku e ka varrin mësuesi Xhevat? - pyeti Lona.
- Ehhh, gati harrova mbesa ime. Këtu, si shenjë nderimi nga shokët e luftës i kanë vendosur bustin të skalitur në bronz. Ndërkaq varri i heroit dhe eshtrat e tij prehen në varrezat e dëshmorëve, në Landovicë, bashkë me dëshmorët e tjerë që ranë në luftë për çlirimin e Kosovë.
- Do t’i vizitojmë edh varrezat e dëshmorëve në Landovicë? - pyeti Lona.
- Po bijë e gjyshit, edhe atje do të shkojmë e do të mësosh edhe më shumë për heronjtë. Por sot, ti ende je e vogël, dhe kur të rritesh do të mësosh nga historia edhe më shumë sesa të tregova unë.
- Faleminderit Gjysh! - tha Lona për rrëfimin që i tregoi.
Vazhduan shëtitjen nëpër qytet, në drejtim të Muzeut të Lidhjesh Shqiptare të Prizrenit.
TE MUZEU I LIDHJES SË PRIZRENIT
Gjyshi e Lona, të cilët kishin dalë në shëtitje, po ecnin përskaj Lumëbardhit, drejt Muzeut të Lidhjes Shqiptare. Përskaj lumit, hijet e blirit sillnin plot aromë e bukuri, që po i shoqëronin hapat e gjyshit e të Lonës.
Për pak çaste rrugëtim sheshit përpjetë, që të dy u gjendën përpara hyrjes së Kompleksit të Lidhjes.
- Te hyrja, në tabelë, shkruante: Kompleksi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Përpara kësaj hyrjeje, gjyshi u ndal për pak çaste, lexoi mbi tabelë dhe nisi t’i tregojë Lonës.
- E shikon këtë vend këtu, dhe këtë shtëpizë? – duke shikuar në drejtim të objektit të Lidhjes. Ky është vendi ku është mbajtur Kuvendi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, më 1878. Nga ky vend jetësohet programi për bashkimin e tokave shqiptare në një shtet pas një sundimi pesëshekullor të Perandorisë Osmane mbi trojet shqiptare.
- E di moj bijë e gjyshit, se ti je ende e vogël dhe për moshën që ke, janë gjëra që ende nuk është koha të të ngarkojë me këto gjëra, por dua që pak nga ato t’i kuptosh edhe ti. Pastaj, kur të rritesh e të ngjitesh në klasa më të larta, do t’i mësosh në histori këto gjëra.
- Po Gjysh, do t’i mësoj, por diçka dua të di edhe tash, - pohoi Lona.
Gjyshi do të të tregoj, Lona, derisa do të hyjmë brenda Kompleksit dhe Muzeut, dhe nga ato që do të shohim, një nga një do të t’i shpjegoj gjyshi.
- Gjyshi dhe Lona hynë brenda rrethojave të Kompleksit të Muzeut, dhe aty takuan edhe një ciceron i cili filloi t’u tregonte shumë gjëra interesante nga koha e mbajtjes së Kuvendit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të mbajtur në vitin e largët 1878. Që të dy po i ndiqnin me shumë interesim tregimet e ciceronit, derisa po i vizitonin një nga një pjesët e Muzeut dhe dokumentet historike brenda në objekte.
- Aty kishte shumë dokumente, gjësende të kohës dhe personazheve që kishin udhëhequr Kuvendin e Lidhjes, si Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni, Sylejman Vokshi e shumë të tjerë, udhëheqës qendrorë të Lidhjes.
Aty kishte edhe shumë veshje kombëtare, punime në skulpturë, vizatime e piktura që dëshmonin për historinë e kohës dhe ngjarjet e atëhershme.
Edhe Lona e vogël po kënaqej me ato që po i shihte brenda Muzeut.
- Në fund, Lona dhe gjyshi i saj, shkrepën edhe disa foto brenda kompleksit dhe te busti i Ymer Prizrenit, Abdyl Frashërit e Sylejman Vokshit. Ajo ndihej shumë e gëzuar dhe e lumtur nga ato që kishte përjetuar e mësuar brenda kësaj dite në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Pasditen e vonë me gjyshin, të frymëzuar e plot gëzim, u kthyen në shtëpi, për të rrëfyer për të gjitha ato që kishin parë e përjetuar në Muze.
DITA E PAVARËSISË SË KOSOVËS
Gjyshi dhe Lona sot kishin festë. Edhe pse larg atdheut të tyre, Kosovës, ata po festonin ditën e Pavarësisë së Kosovës. Në sallonin e ditës ishin ulur përpara televizorit dhe po gëzonin bashkë me bashkëkombësit në atdhe. Lona kishte vendosur disa flamuj të Kosovës krahas atij me shqiponjë, dhe herë pas here i valëviste në dorë bashkë me motrën, Elisën e vëllanë e vogël, Sundi. Gjyshi, në një qoshk ulur mbi divan po gëzonte me një gotë verë dhe po uronte miqtë e vet nga celulari i tij.
Dikur u afrua Lona dhe e pyeti: - Gjysh, a më tregon për ditën e Pavarësisë së Kosovës, se, ç`është ajo?
- Po, mbesa e gjyshit. Ulu këtu pranë dhe unë do të të tregoj për këtë ditë të bekuar të pavarësisë.
- Pasi u rregullua mirë në ulësen e tij dhe vendosi celularin anash, gjyshi vazhdoi tregimin: - Për robërinë qindravjeçare të Kosovës të kam treguar herëve të tjera, mbesa e gjyshit. Edhe për luftërat e popullit tonë për çlirim, të kam folur, ashtu edhe për heronj. Dhe, pas përfundimit të luftës, diku nëntë vjet më vonë, deputetët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën në Prishtinë, më datën 17 shkurt të motit 2008 dhe shpallën Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.
Këtë deklaratë të pavarësisë përpara deputetëve të parlamentit të Kosovës dhe gjithë popullit mbarë që e ndiqte përmes medieve e lexoi kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi. Dhe, në deklaratë thuhej: "Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës."
- Dhe, nga ky çast i shpalljes së kësaj deklarate, Kosova është shtet me të drejta të barabarta si të gjitha shtetet e botës.
- Ato ditë, populli i Kosovës festoi ditë e natë pavarësinë dhe statusin e shtetit më të ri në botë. Pastaj filluan të na njohin edhe shumë shtetet të tjera të botës, si Amerika, Gjermania, Anglia, Franca, Zvicra, Austria, Shqipëria dhe mbi njëqind shtete të tjera të botës.
Për më tepër, mbesë e gjyshit, ti do të mësosh në histori kur të shkosh në shkollë, dhe atje do të kesh mundësinë të kuptosh edhe më shumë gjëra nga ajo kohë, - vazhdoi gjyshi.
- Nga ajo ditë e 17 marsit, festohet kjo ditë e Pavarësisë së Kosovës, mbesa e gjyshit.
- Sa mirë, Gjysh, që e kemi edhe shtetin tonë, dhe kemi ku të kthehemi edhe ne një ditë.
- Po, mbesa e gjyshit, Kosova është atdheu ynë dhe ne duhet t’u gëzohemi të mirave e sukseseve atje, prandaj gjyshi të uron edhe ty ditën e Pavarësisë së Kosovës.
- Urime edhe për ty Gjysh, - uroi Lona dhe e përqafoi gjyshin e saj.
Festa në familje vazhdoi gjatë tërë ditës deri në orët e vona të mbrëmjes.
Zvicër, 17 shkurt 2021
GJYSH, SA LIBRA KE SHKRUAR
Gjyshi i Lonës shkruante pa pushim në dhomën e tij të punës. Ai s’i ndahej kurrë librit dhe punës në shkrim.
Një punë të përkushtuar të gjyshit e kishte vërejtur edhe Lona, e cila tanimë po mbaronte dy vjetët në kopsht, dhe po bëhej gati të fillonte në klasën e parë në një shkollë zvicerane.
Ajo kishte lindur në Zvicër, pasi që gjyshi i saj përpara tri dekadash e gjysmë kishte emigruar nga Kosova dhe ishte vendosur këtu, duke e sjellë edhe babanë e Lonës nga atje. Babai i saj ishte rritur e ishte shkolluar në Zvicër. Tanimë e gjithë familja jetonin këtu.
Kurioziteti i Lonës rritej vazhdimisht me rritjen e saj dhe njohuritë që mësonte për jetën në përditshmëri. Dhe duke e parë gjyshin aq të përkushtuar, një ditë iu afrua pranë dhe e pyeti: - Gjysh, ke shkruar shumë libra ti?
Gjyshi e shikoi, i lëmoi flokun dhe i bëri shumë përshtypje pyetja e Lonës, - po, bijë e gjyshit, kam shkruar shumë, dhe një ditë kur ti të shkosh në shkollë e të mësosh bukur edhe të lexosh, gjyshi do të të ofroj edhe librat e mi, që ti të mësosh nga ato.
- Faleminderit, Gjysh! Unë do t’i lexoj ato, po a janë shumë?
- Shumë janë, mbesa e ime, por ti do të kesh kohë të lexosh e të mësosh shumë edhe nga ata libra.
- Po për çfarë shkuan në librat e tu, Gjysh? – vazhdoi pyetjen Lona plot kuriozitet.
- Ehhh, moj mbesë e gjyshit, - foli gjyshi tek ofshau thellë dhe vazhdoi: - I këndoj atdheut tonë, Kosovës, Shqipërisë, historisë tonë kombëtare, plagëve e vuajtjeve të popullit tonë nga okupatorët e sunduesit e ndryshëm.
Pastaj, mërgimit tonë këtu, mallit për vendin tonë, njerëzit tonë që i kemi në atdhe, dhe shumë-shumë gjëra të tjera edhe për ju fëmijët dhe hallet tuaja. Pra, gjyshi mundohet që të jap dritë sa më shumë për ju e brezat që po rriten, që të mbushen me dije e dritë për botën e jetën që i rrethon. Dhe ti, posa të rritesh edhe pak e të fillosh leximin, do të kesh mundësinë të lexosh e të mësosh edhe shumë-shumë gjëra nga librat e gjyshit.
Të faleminderit Gjysh! - pohoi Lona, dhe premtoi se një ditë ajo do t’i lexojë të gjitha librat që ka shkruar gjyshi i vet.
Gjyshi u lumturua nga premtimi i mbesës dhe uroi për të sa më shumë dritë e dituri në rritjen e saj.
Gëzim Ajgeraj
U lind më 1967 në Malësinë e Vërrinit.
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, në Prishtinë.
Nga 23 marsi 2002 është anëtarë i Lidhjes së Shkrimtarëve të Zvicrës (SSV). Është anëtar i Shoqatës së krijuesve shqiptarë në Zvicër. Jeton dhe krijon në Zvicër.
Ka bashkëpunuar dhe bashkëpunon me të gjitha gazetat dhe revistat e kohës, si: “Rilindja”, Zvicër - Prishtinë, “Bujku”, - Prishtinë, “Zëri i Kosovës”, Zvicër - Prishtinë, “Bota sot”,- Zvicër, “Koha ditore”, - Prishtinë, “Epoka e re”, - Prishtinë, “Zëri”,- Prishtinë”, “Fakti”, - Shkup, “Ars” – Tiranë, “Pena shqiptare”, - Prishtinë, “Pionieri” – Prishtinë, “Zogu i mëngjesit”, - Prishtinë, etj. Nga janari i vitit 2004, editon revistën “Metafora” (Editorial i poetit) që del çdo tre muaj. Së fundi editon edhe revistën “Vërrini” (dy herë në vit).
Veprat e botuara:
Poezi: ”Klithmë malli”, poezi, „Rilindja“, Prishtinë,1997;
Poezi: ”Ëndrra për parajsë”, poezi, “Rilindja“, Prishtinë, 1998;
Poezi: ”Qiellit po digjem”, poezi, „Rilindja“, Prishtinë, 1998;
Poezi: ”Flakë në plagë”, poezi, „Rilindja“, Prishtinë, 1998;
Poezi: ”Kënga e babait”, poezi për fëmijë, „Apolonia“, Prishtinë, 1998;
Urti popullore: “Urti popullore të Vërrinit 1”, (bashkautorësi), „Apolonia“,
Prishtinë,1998; 7. “Mallëngjimi”, poezi, „Rilindja“,2000;
Poezi: “Balada e Vërrinit”, (Poemë), KL. „F. S. Noli“, Prizren, 2001;
Dramë: “Rruga e lirisë”, dramë, „Meshari“, Prishtinë, 2001;
Monografi: “Rruga e lirisë” -intervistë me Zafir Berishën, botoi
Asociacioni i Veteranëve të ish- UÇK-së – Prizren, 2002;
Roman për fëmijë: “Pëllumbat e lirisë”, novelë për fëmijë,
Edicioni i revistës “Fidani”, Prizren, 2004;
Roman për fëmijë: “Ditët e bardha”, novelë për fëmijë,
Edicioni i revistës “Fidani”, Prizren 2004;
Poezi: “Lulëkuqet e Vërrinit”, Edicioni “Metafora”, poezi, Zvicër 2005;
Poezi: “Zana në mërgim” (poezi për fëmijë), ”Metafora”, Prizren, 2007;
Poezi: “Huqet e Benit”, (poezi për fëmijë), ”Metafora”, Zvicër, 2007;
Poezi: “Bosi lepurushi”, fabula, ”Metafora”, Zvicër, 2006;
Gjëegjëza: ”Metafora”, Zvicër, 2006;
Poemë: “Dita me Tonin” (poemë), ”Metafora”, Zvicër, 2006;
Poemë: “Muajt e vitit me Ardin” (Poemë), ”Metafora”, Zvicër, 2006;
Poezi: “Dallëndyshja në Vërri” (poezi për fëmijë), ”Metafora”, Prizren, 2007;
Poezi: “Kroi i qytetit tim”, (poezi për fëmijë), ”Metafora”, Prizren, 2007;
Monografi: “Masakra e Tuzsuzit”, Monografi, (bashkautorësi
me Ilam Berishën), „Metafora“, Prizren, 2007;
Poezi: “Degë e thyer”, poezi, “Metafora”, Prizren, 2007;
Roman: “Misioni i kriminelit”, roman, Prizren, 2009;
Roman: “Serboarmatosja”, roman, Prizren, 2012;
Poezi: “Etje në fjalë”, poezi, Prizren, 2013;
Poezi: “Kthimit furtunat m`i bëjnë prita”, poezi, Prizren, 2013;
Poezi: “Nxitoj të kthehem me dritë”, poezi, Prizren, 2013;
Monografi: “Xhevat Berisha – Legjenda e Vërrinit”, monografi, Prizren, 2013;
Poezi: “Bashkimi bën fuqinë”, (poezi për fëmijë), Edicioni i revistës “Fidani”, Prizren, 2013;
Roman: "Studentët", roman, “Metafora”, Prizren, 2014;
Studime: "Arti poetik i Ibrahim Skenderit nën optikën e rivlerësimit",
kritikë letrare, “Metafora”, Prizren, 2014;
Novela: "Shtigjet e bardha", novelë letrare, (Ribotim), “Metafora”, Prizren, 2014;
Studime: "Të jesh shkrimtar...!1", ese letrare, “Metafora”, Prizren, 2014;
Studime: "Ah, ky art i shkrimit... 2", ese letrare, “Metafora”, Prizren, 2014;
Studime: "Arti e metafora 3", ese letrare, “Metafora”, Prizren, 2014;
Antologji: „Një kafe me miqtë e metaforës“, “Metafora”, Prizren, 2014;
Antologji: „Në rrjedhën e Drinit“, “Metafora”, Prizren, 2014;
Poezi: "Çaste alpine", poezi, “Metafora”, Prizren, 2014;
Poezi: "Piktura në mur", poezi për fëmijë e të rinj, “Metafora”, Prizren, 2014;
Poezi: "Duhemi sikur...", lirika dashurie, “Metafora”, Prizren, 2014;
Poezi: "Art metafora", poezi 460 faqe, “Metafora”, Prizren, 2014;
Roman: „Helmimi“, roman, “Metafora”, Prizren, 2014;
Studime: „Metafora e lirisë“ - Vështrim rreth krijimtarisë së Bedri Halimit
Shoqata Kulturore “Ymer Prizreni”, 2014;
Monografi: “Periodiku i kohës për luftën në Vërri e Prizren – 1”,
publicistikë, botoi “Metafora”, Prizren, 2014;
Poezi: “Larg pikon malli”, poezi, botoi “Metafora”, Prizren, 2015;
Poezi: “Mbi rima bie shi”, poezi, botoi “Metafora”, Prizren, 2015;
Poezi: “Larg pikon malli”, poezi, botoi “Metafora”, Prizren, 2015;
Antologji:„Pranvera poetike në Vërri“, Metafora, Prizren, 2015;
Studime: “Metafora e fjalës”- Studime letrare, botoi “Metafora”, Prizren, 2015;
Poezi: “Kukulla Elonë”, poezi për fëmijë, botoi “Metafora”, Prizren, 2015;
Poezi: “Teatri Lona”, poezi për fëmijë, botoi “Metafora”, Prizren, 2016;
Poezi: “Gjemba në fjalë”, poezi për fëmijë e të rinj, botoi “Metafora”, Prizren, 2016;
Roman: “Rob”, roman, botoi “Metafora”, Prizren, 2016;
Përralla: “Gjashtë picimulët në olimpiadë”, përralla për fëmijë, botoi
“Metafora”, Prizren, 2016;
Poezi: “Libri është porta e botës”, poezi për fëmijë e të rinj, botoi “Metafora”, Prizren, 2016;
Roman: “Trëndafilat e pranverave të kuqe”, botoi “Metafora”, 2016;
Poezi: “Notesi i poetit mërgimtar”, “Metafora”, Prizren, 2016;
Roman: “Copëzat e idealizmit”, “Metafora”, Prizren, 2016;
Përralla: Kësulëkuqja Koni kërkon një shtëpizë, (Përralla për fëmijë),
botoi “Metafora”, Prizren, 2016;
Roman: “Ditari i ushtarit të lirisë”, SHKYP, Prizren, 2016;
Poezi: “Fjalë e mall”, “Metafora”, Prizren, 2016;
Monografi: ”Publicistika në luftë e në paqe dhe arti poetik i Qazim Thaçit”, (Monografi përmes shkrimeve autoriale), SHKYP, Prizren, 2016/17;
Tregime për fëmijë: “Trenat dhe toni”, tregime për fëmijë, “Metafora”, Prizren, 2017;
Tregime për fëmijë: “Buka e gjyshes”, tregime për fëmijë, “Metafora”, Prizren, 2017;
Tregime: “Parullat”, “Metafora”, Prizren, 2017;
Romani: “Giti”, “Metafora”, Prizren, 2017;
Urti: Katundi e bon luftën, sheri e ngrà bajrakin”, (Urti popullore e Vërrinit 2), “Metafora”, Prizren, 2017;
Etnos kulturor: “Festat dhe ahengjet në këngët e vajzave të Vërrinit”, (Etnos kulturor), “Metafora”, Prizren, 2017;
Etnos kulturor: “Unë po e thej qafën, po shkoj n`darsëm”, tregime popullore vërrinase, “Metafora”, Prizren, 2017;
Dramë: “Plaga e lirisë”, “Metafora”, Prizren, 2017;
Dramë: “Dhembjet e epokës së kuqe”, “Metafora”, Prizren, 2017;
Psikologji: “Ndërgjegjësimi i individit - vlerë e së ardhmes”, “Metafora”, Prizren, 2017;
Poezi: “Gjuha e Lonës”, poezi për fëmijë, botoi “Metafora”, Prizren, 2017;
Tregime: Stinët e udhëve të mia, “Metafora”, Prizren, 2018;
Kritikë letrare: “Poetët për poetin”, “Metafora”, Prizren, 2018;
Poezi për fëmijë: “Hajni ketër”, “Metafora”, 2018, Prizren;
Poezi për fëmijë: “Kot inat ia kemi fabulës”, “Metafora”, 2018, Prizren;
Etnos kulturor: “Anekdota nga Vërrini”, “Metafora”, Prizren, 2018;
Roman: “Rrëfimet e doktorit”, botoi, SKYP, Prizren, 2019;
Psikologji: “Pikëpamje për jetën dhe përvojat”, botoi “Metafora”, 2019, Prizren;
Poezi: “Zemërimi i fjalës”, “Metafora”, 2019, Prizren;
Etnos: “Tregime e anekdota nga odat e Vërrinit - 1“, “Metafora”, 2019, Prizren;
Etnos: “Tregime e anekdota nga odat e Vërrinit-2, “Metafora”, 2019, Prizren;
Etnos: “Tregime e anekdota nga odat e Vërrinit-3, “Metafora”, 2019, Prizren;
Etnos: “Tregime e anekdota nga odat e Vërrinit- 4”, “Metafora”, 2019, Prizren;
Etnos: “Tregime e anekdota nga odat e Vërrinit-5, “Metafora”, 2019, Prizren;
Etnos: “Tregime e anekdota nga odat e Vërrinit-6, “Metafora”, 2020, Prizren;
Etnos: “Tregime e anekdota nga odat e Vërrinit-8”, “Metafora”, 2020, Prizren;
Poezi: “Kënga e zogut”, “Metafora”, Prizren, 2020;
Poezi: “Diellnxënësit”, “Metafora”, Prizren, 2020;
Poezi: “Kronikë e udhëve”, “Metafora”, Prizren, 2020;
Poezi: “Në karantinën Alpine”, “Metafora”, Prizren, 2020;
Poezi: “Nostalgji e mall”, “Metafora”, Prizren, 2020;
Poezi: “Dritëhijet e fjalës”, “Metafora”, Prizren, 2020;
Poezi: “Drithërimë mendimi”, “Metafora”, Prizren, 2020;
Antologji:
Antologji: Cikël me poezi, “Atdheu në trastë”, botoi
revista letrare "Jeta e re" nr. 4, korrik-gusht 2002, viti LIV, Prishtinë;
Antologji: Cikël me poezi, “Atdheu i copëtuar”, në librin “Pikoi molla gjak” (Lirikë me motive arvanitase), botoi MKRSÇJR-Departamenti i Çështjeve Jorezidente,
Prishtinë, 2004;
Antologji: Cikël me poezi, “Udhë e zjarrmi”, në librin “Muzat i bien lyrës”,
Edicioni i revistës “Fidani”, Prizren, 2005;
Antologji: “Momente” (Grup autorësh nga Letërsia botërore në gjermanisht); (Augenblicke), Zvicër, 2007;
Antologji: Grup autorësh, “Shkreptimë në horizont”, (Krijime artistike kushtuar 100 vjetorit të pavarësisë), botoi Biblioteka ndërkomunale e Prizrenit, dhjetor, 2012, Prizren;
Antologji: Grup autorësh, „ Një shekull dritë“, botoi "Lidhja e Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani", nëntor, 2012, për nder të 100 - vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë;
Antologji: Grup autorësh, “Çamëri zemra ime”, përgatitur nga Fatime Kulli / Kolec Traboini, Pantheon Books, 220 fq. Tiranë-Prishtinë, 2014;
Antologji: Grup autorësh, “Lulëkuqet e lirisë” – „Çdo shesh një përmendore“,
Dibran Fylli, SHB.“Meshari“, Prishtinë, 2015;
Antologji poetike: “Zemra prindërore”, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë: Agim Bacelli, Këze (Kozeta) Zylo dhe Kostaq Duka, Amerikë, 2011;
Antologji: Grup autorësh, botoi Biblioteka ndërkomunale e Prizrenit, dhjetor, 2015, Prizren;
Antologji; Grup autorësh, “Ëndrra, shpresa dhe iluzione”, Luan Maloku,
Amanda Edit Verlag, Bukuresht, Rumani, janar 2016;
Antologji, Selatin Novosela: “Demaçi aromë atdheu”, Shoqata e të Burgosurve Politik e Kosovës, Prishtinë, 2015;
Leksikon: Leksikoni i autorëve shqiptarë në Zvicër”, Besnik Camaj dhe Shefqet Dibrani, botoi: “Faik Konica”, Prishtinë, 2016;
Antologji: “Revista albanezul – Shqiptari”, Nr. 137/2007,tema: Fati i botës varet nga Zoti dhe Kosova”, Bukuresht, kryeredaktor: Baki Ymeri, themelues
Fondi Nikolla Naço 1888, Bukuresht;
Antologji: “Antologji e poezisë moderne shqipe”, përgatitur nga Adem Zaplluzha, 2016, Kosovë;
Antologji: “Alepo”, Antologji e poezisë shqipe, Përgatiti Tyran Spahiu, Prizren, 2016;
Antologji: “Shkrimtarët për Havzi Nelën”- Shpirti i lirë i Lumës, përgatiti Rexhep Shahu, botoi Klubi i poezisë, Tiranë, 2018.
* * *
Deri më tani, ka botuar 160 libra nga të gjitha zhanret e artit të shkrimit.
Revistat: “Metafora”, Nr. 1, (2004), deri Nr. 21 (2021);
* * *
Revista: Vërrini, 1, viti 2014;
Revista: Vërrini, 2, viti 2015;
Revista: Vërrini, 3, viti 2016;
Revista: Vërrini, 4, viti 2017;
Revista: Vërrini, 5, viti 2017.
Vlerësime kritike për veprën e Gëzim Ajgerajt;
1. Kritikë letrare nga Ilam Berisha, “Gëzim Ajgeraj – Poet i mallit dhe i krenarisë kombëtare” - 1, botoi; “Metafora”, Prizren, 2012;
2. Kritikë letrare nga Ilam Berisha, “Gëzim Ajgeraj - Një zë origjinal i vlerave të artit letrar” - 2, botoi “Metafora”, Prizren, 2012.
5- Libra studimor nga Prenda Sejdia;
- POEZIA E AJGERAJT NË DIOPTRINË E ANALIZËS DHE TË KRITIKËS LETRARE - Studime letrare
- DIVERSITETI I PENËS SË AJGERAJT NËN DIOPTRINË E ANALIZËS DHE TË KRITIKËS LETRARE - Studime letrare
- METAFORA E MALLIT (Përzgjedhje poetike nga poezia e Ajgerajt)
- POETI I METAFORAVE – Studime letrare
- ROMANI I AJGERAJT NËN OPTIKËN E ANALIZËS DHE TË KRITIKËS LETRARE - Studime letrare
--------------------------------------
Çmimin: Shkrimtari më mirë i vitit 2014, nga Drejtoria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit, komuna e Prizrenit, 2014.
Çmimi 1-rë : “Abdullah Thaçi”, Bibloteka ndërkomunale Prizren, 2020
PËRMBAJTJA:
7… PARATHËNJA
11.. TREGIMI PËR SKËNDERBEUN
15.. CILI ËSHTË FLAMURI YNË
19.. KUSH KA QENË ADEM JASHARI
23.. GJYSH, PSE NUK MBAN PLIS
27.. DUA TË BËHEM SI SHOTË GALICA
31.. PRANË LAPIDARIT TË HEROIT - XHEVAT BERISHA
35.. TE MUZEU I LIDHJES SË PRIZRENIT
41.. DITA E PAVARËSISË SË KOSOVËS
45.. GJYSH, SA LIBRA KE SHKRUAR
49..BIOGRAFIA
Shtëpia Botuese “7 Days”
Prizren, 2021
Gëzim Ajgeraj
TREGIMET E GJYSHIT
Tregime
Faqe; 60

Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen