Donnerstag, 26. Januar 2023




Gëzim AJGERAJ

STUDENTËT
Roman

Shtëpia botuese
METAFORA
Zvicër, 2014


KAPITULLI  I

   Aeroplani kishte ateruar në pistën e aeroportit të Cyrihut. Turma e njerëzve që nxitonin drejt daljes së aeroplanit, i kishte lënë të fundit katër studentët e vitit të katërt që po ktheheshin nga pushimet e kaluara në Kosovë. Turma që zbriste shkallëve, dalëngadalë krijonte zbrazëti në brendinë e aeroplanit. Vetëm zhurma e motorëve ende ndihej brenda  tij. Shpendi doli i pari, bëri një ulje koke në derën e aeroplanit dhe doli përtej. 
   - Paska filluar bora, - tha ai.
   - Mote pa arbitër, kanë alpet,- shtoi Blerimi, një djalë truphollë, që po ecte drejt daljes dhe me vështrimin e tij kureshtar shikoi kodrinat e zbardhuara gjithandej aeroportit të Cyrihut.
   - Mot për këmishën e Drinit, - shtoi  Blendi nga korridori i aeroplanit.
   - Diellin e ka lënë në Kosovë, - vazhdoi Blerimi, derisa po zbriste shkallëve.
   - E ka diellin tjetër, - ngacmoi me të qeshur Shpendi tek po rrapëllinte hapat teposhtë shkallëve të aeroplanit.
   - Hajde, metaforë hajde! - Ia priti Drini.
Blerimi e Blendi ia plasën së qeshurës, ndërsa Shpendi vazhdoi hapat pas kolonës e cila nxitonte në drejtim të autobusit që priste pranë aeroplanit.
   - Pse, mos ka vënë unazë me ndonjërën? - pyeti Blerimi, derisa ende po qeshte.
   - Kot nuk e hedh Shpendi, - plotësoi Blendi. 
   - I ka dhënë fjalën njërës se vitin e ardhshëm do të vënë kurorën, - vazhdoi Shpendi, ndërsa po hynte në derën e autobusit.
   - I paska bërë mirë llogaritë, - vazhdoi Blendi. - Tamam deri atëherë edhe universitetin do ta mbarojë. 
   - Kot nuk i thonë ekonomist, - tha Blerimi.
   - Mor, po ç'jeni qepur me mua sot? - pyeti Drini. 
   - Pse nuk  pranon dialektikën e transparencës me shokë? - foli Shpendi derisa po i merrnin vendet nëpër ulëset e autobusit. 
   - Ka frikë se mos dëgjon Vjollca atje në internat, - tha Blerimi.
   - Kujdes se mos na hidhërohet Blendi, - ia preu Drini plot inat.
   - E shihni si e hedh topin në fushën time, - tha Blendi duke qeshur.
   - Nuk e the keq, - ndërhyri Shpendi në drejtim të Blerimit, më tepër për ta qetësuar Drinin, i cili ishte skuqur faqeve.
   - Më mirë të ndërrojmë temë, se mos na hidhërohen të fejuarit, - shtoi Blerimi me të qeshur.
Një heshtje u krijua mes shokëve, derisa njerëzit tjerë në autobusë bisedonin ndërmjet veti.
Autobusi ishte përplot njerëz. Shpendi u hodhi një sy  bashkudhëtarëve të tij dhe bëri me kokë kah ulëset e para të autobusit. Blerimi që e kuptoi qëllimin, i hodhi një sy këngëtarit në ulësen e parë. 
   - Prapë paska ardhur të na këndojë, - tha Blerimi.
   - Kush? - pyeti Blendi i cili qe i humbur atyre çasteve.
   - Ky! - bëri me kokë në drejtim të ulëses së parë Blerimi.
   - Mirë tha Blendi, - në koncerte humanitare apo në kafene? - pyeti ai me një përbuzje ironike.
   - Ka ardhur të na i argëtojë të dashuruarit e vajtojcat e atdheut, nëpër kafene, - shtoi me të hedhur Shpendi.
Blerimi e Blendi ia plasën së qeshurës, ndërsa Drini u bë se nuk ishte atypari dhe shikimin e hodhi përtej dritareve të autobusit. 
   - Këndon bukur, pastaj dhe zërin e ka shumë melodik, - vazhdoi Shpendi. 
Shumicën e teksteve, kam lexuar diku se i bën vet, - plotësoi Blerimi.
   - Hë, hë, na qenka dhe poet, - ndërhyri Blendi me një lloj ironie.
Pse, mos ke frikë se ta vjedh profesionin? - tha Shpendi.
   - Ndoshta edhe ty, - reagoi Blendi.
Jo, e pastaj na mallëngjehen mërgimtarët këtu në Zvicër, e "Hakle" duhet ta shtojë prodhimin e palomave.
Po djall e ke mendjen Shpend, - tha Blerimi dhe prapë plasën të qeshurat. Kësaj radhe edhe Drini nuk mundi ta mbajë të qeshurën.
   - Më në fund ia dole, - tha Blendi në drejtim të Shpendit dhe i bëri me kokë kah Drini.
   - Ah, gati harrova, për këta të dashuruarit, këtij këngëtari do t’ia preferoj një tekst të Omer Khajamit,. Le të digjen rinia, - vazhdoi Shpendi.
   - Kemi mjaft nga ato turke, - plotësoi Blendi.
   - Mor, po ato atdhetare ku na mbetën? - pyeti Blerimi.
   - Tani më jemi çliruar, pak i pëlqejnë ato këngë, - u përgjigj Shpendi.
   - Mos do të thuash se e harruam shumë shpejtë luftën? - pyeti Drini, i cili deri në ato çaste nuk kishte nxjerrë fjalë që kur kishin hyrë në autobus. 
   - Jo edhe larg asaj që thoni. Pjesërisht po, - u përgjigj Shpendi.
Prapë një heshtje mes katërshes së shokëve.
Autobusi u ndal përpara një dere të madhe prej xhamave. 
Mirë, u pafshim përsëri, - përshëndeti shoferi nga altoparlantët dhe dyert e autobusit u hapën. Një rrëmujë u krijua te dalja e autobusit, ndërsa katërshja e shokëve po prisnin të dilnin të fundit.
Shpendi e kishte hedhur krahut një çantë dhe e ndihmonte edhe Blendin për bartjen e valixhes së tij. Blerimi  dhe Drini ecnin të fundit pas turmës së bashkudhëtarëve. 
E paske mbushur bomba, - tha Shpendi, tek po e mbante njërin skaj të valixhes.
Thashë se mos thua speca turshi! - plotësoi Blendi me humor. 
S'paske lënë libra në bibliotekë, - vazhdoi Shpendi.
Po ti, le diç për botim këtë herë? - pyeti Blendi.
Le të mbetet befasi këtë herë, - u përgjigj Shpendi, - po ti?
Unë jam gjithmonë transparent përpara shokëve.
Hajde-hajde! - Gërmon me atë daltën tënde të hulumtimit dhe s'u lë sekrete shokëve, - vazhdoi Shpendi.
Mos të ta hedhë si atij studenti të vonuar, majës së poetit, - ngacmoi Blerimi nga prapa.
Jo, o jo, se s'e pata andej, - u përgjigj Blendi. Ndoshta Shpendi na futi në grackë këtë herë.
Një baladë në Prishtinë dhe disa poezi për fëmijë, në dy revista letrare, - tregoi Shpendi, - po ti?
Një cikël me poezi për një antologji, - tha shkurt Blendi.
Avash, se mos ia gjeni fundin e botës me poezi, - foli Drini, më tepër si revansh.
Revansh, - tha Blendi.
Një me një, - plotësoi Blerimi.
Na e hodhi, - tha Blendi, në drejtim të Shpendit.
Do të bëjmë edhe lirika dashurie, për Romeon e gjeneratës sonë, - tha Shpendi dhe plasi së qeshuri. Qeshën të gjithë, edhe Drini.
Bisedën mes shokëve e ndërpreu thirrja e policit të kufirit nga sporteli i kontrollit të pasaportave dhe vizave hyrëse në Zvicër.
 
 
KAPITULLI II
 
Shpendi i shtrirë në krevat, e ndiente përmallshëm largimin nga atdheu. Përpos lodhjes së atij udhëtimi, malli dhe kujtimet i qenë bërë pjesë e asaj vetmie çlodhëse. Për një çast, librat e radhitur në raftet e vitrinës përballë ia trazuan dëshirat. Së shpejti edhe librat e tij do t’i shtohen asaj biblioteke, - mendoi me vete dhe sikur ëndrrat e kujtimeve u kthyen diku në atdhe. - Udhëtimi drejt kryeqytetit ia nxiste mallin për atdheun, dhe gjithnjë e ndjente mungesën. Vitet që i kishte kaluar në dhe të huaj, e përcillnin çdo hap edhe gjate pushimeve. Ato qenë hije e pandashme që i trazonin dhembje. Sërish duhet të kthehem, dhe sa herë e kujtonte këtë fjalë, e ndjente veten të huaj  edhe gjatë këtij udhëtimi me autobus. Fushat që shtriheshin përtej xhamave të autobusit, peizazhet e bukura të atdheut ia trazonin nostalgjinë për një kthim sa më të shpejtë. Ndërsa kryeqyteti që po e priste me atë diell mëngjesi plotë shkëlqim, dukej edhe më i bukur në këto ditë të bardha me frymë lirie. Kjo rritje e qytetit, ky zbukurim e gëzoi shumë Shpendin. Sukseset e atdheut ishin ëndrrat e idealit dhe dëshirave të tija. Largësia përtej atdheut ia kishte shtuar edhe më tepër dashurinë për të. Ndoshta kurrë më të lumtur nuk e kishte ndier veten se sa në atë mëngjes. 
   - Mirëmëngjesi! - përshëndeti recensenti, i cili e priste përpara zyrës së tij, aty afër pallatit të shtypit.
   - Mirëmëngjesi! - ia ktheu Shpendi, i hutuar vitrinave të një librarie aty pranë.  – Paskam humbur fare dhe nuk ju vërejta, - i tha recensentit, tek po përshëndeteshin. 
Nga ato që lexova në poezinë tuaj, keni bërë përparime të mëdha nga libri i parë, dhe kjo jep shumë shpresë se ju po ecni sigurt rrugës së letrave shqipe, - tha recensenti, derisa po i merrnin vendet në zyrën e tij.
   - Ne jemi përpjekur, por ndryshimet më bukur i vëreni ju, - tha Shpendi.
   - Pa komplimente, z. Shpend, - shtoi recensenti. - Uni që është shumë i rrezikshëm në poezi, te ju nuk ndihet fare, përkundrazi, ligjërimi juaj poetik, motivet dhe temat që i vështroni, stili i kapshëm dhe mesazhi që sillni ju në poezi, si perceptim i mallit për atdheun, vibrimi i sekuencave shpirtërore për dashurinë, njerëzit, mendimin estetik, qasjen psikologjike të subjektit si dhe një varg përjetimesh tjera, janë përjetime të një kolektiviteti të tërë që ju rrethon juve atje në mërgim.
Është e pamundshme të dilet nga ai rreth, ndaj edhe frymëzimi im është njeriu i arratisur përtej atdheut, mërgimtari, - plotësoi Shpendi.
Qasja juaj, kësaj teme më ka bërë përshtypje, sepse diaspora është pjesë e trupit të kombit tonë, dhe patjetër duhet të pasqyrohet ajo edhe në krijimtari, - vazhdoi recensenti, duke e shfletuar një letër të shkruar që e kishte përgatitur si parathënie për librin.
   - Paske bërë dhe parathënie? - pyeti Shpendi.
   - Mendoj se do t’i shkonte librit, - pohoi recensenti, - pastaj edhe me redaktorin biseduam dhe punën e parathënies ma besoi mua.
   - S'kam asgjë kundër, - tha Shpendi. 
Unë, vargun tuaj e kam quajtur si "Simbolikë të fjalës poetike", sepse brenda këtij ligjërimi në varg gjejmë shumë elemente që përbëjnë simbolikën e fjalës. Vetë vargu i lirshëm, kuptimplotë, me sens meditativ, për çfarë në plan të parë shquhet lirika peizazhiste, që bart me vete mesazh të caktuar me parime të qarta poetike. Kjo poezi, sipas meje, kap një botë të shqetësuar të subjektit lirik, botën e vetmuar larg atdheut, larg njerëzve tuaj atje në mërgim. Pra, përjetimet në dhe të huaj, kontaktet me njerëzit që kanë vajtur larg atdheut, shqetësimet shpirtërore të tyre, kanë lënë gjurmë të pashlyera, që më së miri perceptohen në varg. Dhe, unë mendoj se kjo poezi juaja, del e kapshme si një ditar intim, i standardizuar në aspektin e perceptimit të figurës poetike brenda strukturës së poezisë që krijohet në të. 
Ndarja e vëllimit në cikle siç e keni bërë ju, mendoj se është e drejtë, - pohoi recensenti.
   - Ka qenë një ndarje nga perceptimet e vargjeve nga ana ime, që sipas meje, i qëndronin ciklit, si te "Tingujt e dhembjes", "Botë pa orkestër" apo edhe te "Heshtja e thyer" - plotësoi Shpendi.
Çfarë mua më ka bërë përshtypje, te poezia hyrëse "Larg atdheut", perceptimi i dhembjes së individit të mërguar që nis nga gjendja e ndjeshme personale dhe vjen deri te shpresa dhe gjakimi për liri që nuk shuhet, por vazhdon të ekzistojë.  Për mua është një poezi, që në thelb ka aftësinë e të shprehurit, unitet motivues dhe tematik. Motivet në varg janë të përshkuara nga një frymë pa hezitime por përherë të ndjeshme, të ngashëryera, sikur është një thirrje për ta ndjerë vetminë dhe ëndrrën njerëzore. Së dyti, kjo e bën të kuptojë lexuesin, ta kuptojë flirtin që bartë bota e brendshme njerëzore, ndaj së bukurës, vetë poezisë. Për mua është një start që mjaft bindshëm arrini idetë, motivet, frymëzimet t’i shkrini në varg që sikur vjen tamam në kohën kur do ta "shpëtojë" të mërguarin mbase edhe juve që për një kohë gjendeni jashtë atdheut. Nga kjo konstatoi se vargu juaj do t’i gjejë lexuesit  vetë, ngase kush më mirë se ju ia di origjinën e gamave të individit dhe kolektivitetit, mënyrën e klithmës së mërgimtarit, imazhet, ironinë poetike me kontraste, por që kanë një kuptim të caktuar, që me pak fjalë përfshihet drama diasporë. 
   - Më duket se ka dhe diçka intime apo personale që e përcjell përditshmërinë time, si një kronikë, - ndërpreu Shpendi.
   - Pikërisht, këtu doja të dilja dhe mua sikur më tingëllon si një "Mozaik lirik i një ditari intim", - vazhdoi recensenti, sepse ka mjaft shqetësim, dhembshuri për fatin e subjektit i cili gjakon përherë liri që i mungon, duke bredhëritur nëpër botë dhe duke e ngritur zërin, vlimin e brendshëm që kuptohet përmes figurave dhe simboleve, fjalës magjike. Unë nga ky vëllim kamë pikasur tri motive bosht: nëna që simbolizon atdheun, të dashurën që shënjon dashurinë e mallëngjyer, natyra-pikturimi i rrethit, janë pra opsione lirike që përcillen por që kanë njëherësh edhe rezonancë, si atdhedashurinë, që merr funksion të caktuar stilistik, semantik dhe ideoestetik.
   - Thënia e lirshme dhe me maturi, siç e keni bërë në këtë libër, është një vëllim për njeriun që botën e kundron nga një kënd vetjak, herë-herë i mbushur me emocione të tepruara, por mbi të gjitha, të shprehura me sens poetik. Është kaq i thjeshtë objektivi i perceptimit sa edhe shqetësimi vjen i virgjër me ngashërime të mëdha, duke e bërë mbase një rizbulim mbi këtë dhembje. 
   - Për sa i përket emocioneve herë-herë të shtrënguara, ato nuk janë abstrakte, sepse lufta për çlirim vjen vetvetiu dhe kuptohet vetëm gjatë leximit mes rreshtave, si luftë për ekzistencë, më në fund edhe për art të mirëfilltë për çfarë ju po e kultivoni  në vazhdimësi. Poezitë e përmbledhura në këtë vëllim, kapin jo vetëm indin verbal, por edhe metaforik të qasjes poetike të subjektit lirik, shtresat e kujtimeve, mallit të përhershëm, që brendapërbrenda përbëjnë një mozaik lirik të shpallur si një ditar intim. 
   - Po çfarë thoni për stilin e poezisë? - ndërpreu Shpendi.
   - Edhe unë, edhe redaktori, pas një leximi të kujdesshëm, kemi nxjerrë përfundimin, si një zë i mëvetësishëm, mu për faktin se gjërat i vështron në heshtje, ndërsa frymëzimi sikur ju gjen me pendë në dorë, në vetmi, pa zhurmë, dhe sikur bën itinerarin e tyre të mbarë "për shpirtin e trazuar", siç thoni në një varg. Në fund, unë ju porosis që, ashtu siç edhe shkruani me plot vetëdije për mision që e ka krijuesi, pa mendje të turbulluar, por me interesime të mëdha për botën dhe njerëzit, të vazhdoni, pa dyshim se talenti dhe potenciali juaj krijues do të pasurohet edhe me libra tjerë, që do të jenë edhe pasuri e letërsisë sonë.
   - Faleminderit, - tha Shpendi. Patjetër se koha do të flasë me ne nëpër libra. 
   - Libri do ta shohë dritën e botimit shumë shpejt. Ky është edhe mendimi i këshillit redaktues, - tha recensenti dhe e uroi Shpendin për libra tjerë. 
   - Urojmë, - plotësoi Shpendi dhe që të dy ikën drejt redaksisë së njërës nga revistat për fëmijë.

*          *         *

Blendi i vetmuar në sallën e leximit, bënte ca vija mbi një fletore. Ai përpara veti e kishte vënë një poezi të shkruar dhe sikur po kërkonte brenda çdo shkronje fuqinë e fjalës. Ky hulumtim po e kënaqte atë, sepse i dukej sikur pas çdo detaji fshiheshin magjitë e fjalës së shkruar, dhe sikur mësonte gjithnjë e më tepër nga zbërthimi i tyre. Ky hulumtim po e kthente te këshillat e redaktorit, që ia kishte thënë gjatë një takimi, derisa ishte për pushime në Kukës. Ou, pa shih kush na paska ardhur! - tha Redaktori, tek po zgjohej nga vendi i punës në redaksinë e revistës. Mirë se na vjen Blendi!
Mirë se ju gjej, z. Redaktor! - Si keni qenë këto kohë? - përshëndeti Blendi tek po  i shtrëngonin duart.
Pasi u përshëndetën me njëri-tjetrin si dy miq të vjetër, Blendit i ofroi  edhe një karrige për t’u ulur pranë tavolinës.
Viti i fundit, apo? - pyeti Redaktori, duke aluduar në vitin e studimeve.
Po ikin vitet. Po, po, viti i fundit. 
Pastaj, do të kthehesh, apo shpreson të vazhdosh?
Të them të drejtën, nuk kam menduar rreth saj. Pastaj studimet jashtë kërkojnë mbështetje, që për këto kohë janë të papërballueshme edhe për familjen. Gjithsesi do të kthehem, të paktën të mund t’i shërbej vendit tim, me njohuritë e fituara atje, nëse gjej perspektivë këtu.
Vendi ka nevojë për kuadro si ju dhe ne shpresojmë në njohuritë e fituara jashtë, ti sillni në atdhe. Gati harrova, të të përgëzoj për librin. Urime dhe suksese!
Faleminderit!
Poezia ishte e bukur dhe si tërësi ajo prekte tema shumë aktuale të cilat më kanë bërë shumë përshtypje. I kam botuar dy cikle herë pas here edhe në revistë, të cilat janë mirëpritur nga lexuesi. Kuptohet pa lejen tuaj, gjithmonë me shpresën se nuk ke asgjë kundër.
Faleminderit shumë. Kjo më gëzon dhe nderon mua dhe poezinë time, - falënderoi Blendi.
Numrat e revistës t’i kam ruajtur, sepse e dija se do të të takoja. Redaktori i nxori disa numra të revistës dhe ia ofroi përpara mbi tavolinë Blendit.
Faleminderit, - falënderoi edhe një herë Blendi. Kjo më nderon shumë. Edhe pse unë kam munguar, fryma ime paska qenë gjithmonë mes jush. Kur ke miq të sinqertë, e ke gjithë pasurinë e botës, - shtoi Blendi. 
Do të na sjellësh këtë herë diç për botim? - pyeti Redaktori.
Më duhet të jem i sinqertë z. Redaktor. Fillimisht kam planifikuar një vizitë te ju dhe redaksisë, pastaj t’ju falënderoja për poezitë e botuara dhe së treti t’ju sjell dhe një cikël të ri me poezi, të cilin po patët vend, ta botonit në revistë, - u përgjigj Blendi.
Ndjehem i nderuar dhe në emrin tim dhe të redaksisë, mirëpresim në çdo kohë poezitë e tua, - tha Redaktori.
Nga çanta e tij, Blendi nxori tri fletë mbi të cilat i kishte renditur poezitë e tija. Ja këto janë! - tha ai dhe ia zgjati në dorë Redaktorit. Redaktori, pa folur fare, i mori në dorë dhe me shumë interesim filloi t’i lexojë poezitë e Blendit. Pak çaste ra një qetësi në dhomën e redaksisë. Pasi i lexoi shpejt poezitë, e ngriti shikimin kah Blendi. - U mërzite për pak çaste! Isha kurioz t’i lexoja. Më pëlqejnë shumë dhe të premtoj se në numrat e ardhshëm do t’u gjej vend në revistë, - premtoi Redaktori.
Qofshi i nderuar z. Redaktor! - uroi Blendi.
Mund ta presim edhe ndonjë libër të ri? - pyeti Redaktori.
Deri në fund të studimeve shpresoj, por kam edhe shumë punë të tjera. 
Ti duhet të vazhdosh Blendi. Potenciali yt krijues, fuqia e fjalës, e vargut, premtojnë shumë dhe ti duhet ta shfrytëzosh këtë talent. 
Do të mundohemi z. Redaktor. Megjithëse studimet po na e kufizojnë kohën dhe mundësitë.
Megjithatë, ju duhet të gjeni kohë për të vazhduar pa ndërprerë edhe në letërsi. Mendoj se insistimi im ka një mbështetje, duke e parë talentin tuaj në letrat shqipe. Gati harrova të të falënderoj për librin që më keni dërguar.
Nderimi është i dyanshëm z. Redaktor, - pohoi Blendi.
Kësaj radhe do të dalim ta pimë nga një kafe po nga ana ime.
Për librin? - shtoi duke qeshur Blendi.
Ndoshta edhe për librin, por nga unë. Pastaj ti je mysafir imi, - shtoi Redaktori.
Po mirë, si të thoni, - pajtoi Blendi. 

*         *        *

Drini zbriti në parkun e internatit dhe u ul aty mbi një ulëse. Çmallej kujtimeve, që aq shumë e përmallonin atë mbrëmje të parë të kthimit nga atdheu. Ishin kujtimet e një takimi, që i krijonin herë mall e herë dhembje gjatë asaj vetmie aty në kopsht. Terri e kaploi qytetin, ndërsa shkëlqimi i dritave i përcillte hapat e tyre mbi trotuar. Ajo ndjehej e lumtur dhe herë pas here shtrëngonte dorën e Drinit. Gjatë e kishte ëndërruar ditën e ndërrimit të unazës. Tani më ajo kishte hyrë në ëndrrat e saj, si ditë e shenjtë që s'do ta harrojë kurrë. Herë pas here i buzëqeshte nuri, ndërsa zemra i dridhej nga gëzimi. Edhe flokët që ia valviste era e Lumëbardhit, ia shfletonte krenarinë e saj. Gjithçka rridhte si një ëndërr e bukur, përpos mendimit që nganjëherë e pushtonte. Ai, nesër do të ikë. Kjo i bëhej dridhmë në trup. O zot, ç'dhembje kjo ditë e ikjes!
   - Nesër do të ikësh? - tha ajo me një zë të dridhshëm.
   - Patjetër, - ia preu shkurt Drini, me një ftohtësi të fjalës dhe, sikur s'deshi ta kujtojë ikjen.
   - Ofshama e saj, ra si një fërshëllimë ere mbi veshin e tij. Ajo nuk u përmbajt dot. Pika loti ranë mbi këmishën e bardhë të Drinit. Një kohë të gjatë në përqafim, e ndrydhën dhembjen e ditës së nesërme. Të ndrydhur nën heshtjen e dhembjes, ia dëgjonin frymëmarrjen e thellë të njëri tjetrit.
   - Pse po qanë? - tha ai.
   - Nuk e di! - Ndoshta që tani kam filluar ta ndiej mungesën e ikjes sate, - tha ajo. Deshi të thoshte nga gëzimi, por disi iu pre fjala. Ishin mbledhur ëndrrat e gjithë rinisë së saj, kishin hyrë brenda ditës së sotme dhe pikërisht sot ishin rrethuar nga një rreth i artë që po e shtrëngonte në gisht. Gjithë ato ëndrra të mbledhura i jepnin fuqi edhe rrahjes së zemrave që po ia dëgjonin njëri tjetrit. Ajo e ndjeu se nuk ishte në gjendje të thoshte më asgjë, sepse gjithçka do ta mbulonte loti. Vetëm ofshama e herëpashershme nuk po i ndahej.
   - Dora e lehtë e tij ra mbi flokun e saj si një ngushëllim për lotin. - As unë nuk do ta kem lehtë, - klithi me një zë të shtjerrë ai. - Është viti i fundit dhe do ta përballojmë. Vetëm shpresa se vitin tjetër do të kthehet me diplomë universiteti, ia  theu pikëllimin e ndarjes.
Të ngjitur pothuajse me njëri tjetrin, ndërsa dëgjonin frymëmarrjen e njeri tjetrit, mbetën të heshtur një copë herë. Shkëlqimi që vinte nga dritat e qytetit dhe ndriçonte trotuaret përskaj Lumëbardhit, vinte si një ngushëllim mbi siluetat e tyre. Të rinj, të lumtur e të buzëqeshur, mbushullonin korzos e cila gumëzhinte nga Shatërvani i qytetit e deri te rruga përpara muzeut të Lidhjes. Djaloshi  ndjeu se po mungonte ngushëllimi atyre çasteve. Nga dhembja e largimit të tyre, fjalët mungonin. Malli filloi të binte dhe mbytej heshtjes ndërmjet tyre.
   - Vazhdojmë, - tha ai dhe pohoi në drejtim të korzos.
   - Një pohim me kokë e bëri ajo dhe vazhduan ecjen drejt rreshtave të korzos. Ata po ecnin ngadalë pranë njeri tjetrit, ndërsa ngushëllimin herë pas here e ndrydhnin në duart e tyre që shtrëngonin njëra tjetrën.
   - Sa të buzëqeshur duken njerëzit, - tha Drini, tek po shikonte një grup të rinjsh që po kalonin korzos. 
Ajo shikoi një copë herë nëpër fytyrat e njerëzve që kalonin pranë tyre, dhe pasi i shtrëngoi dorën, - ndoshta se këta njerëz, nuk i presin udhët. Deshi të thoshte ndarja, por kjo fjalë iu duk e dhimbshme, dhe sikur i tingëllonte ndryshe dhe nuk i shkonte çastit. Fjalën ndarje as që kishte dëshirë ta kujtonte. Ndarja për të ishte  ikje përgjithmonë, e jo një kthim që do ta priste një vit të tërë. Kjo fjalë sikur ia ngjalli shpresën. Kthimi, ah, kthimi! - klithi në vete. Sa e lumtur do të jem! Do të bëjmë një dasmë të madhe dhe gjithë përmallimin do ta djegim ato ditë. Sa e largët iu duk. Sa mall do të derdh deri vitin tjetër! 
   - Do të ketë edhe kthime, bile edhe më të gëzuara do të jenë ato. Unë do të kthehem me diplomë nga universiteti, dhe ti do të diplomosh këtu dhe na pret një dasmë e madhe, - tha ai plot shpresë. 
Kjo i ngjalli shpresat asaj dhe e nxori nga çastet mallëngjyese që ia vrisnin gëzimet e ditës së fejesës. Nga gëzimi që e kaploi, sikur i shkëlqeu fytyra. Nuk foli asgjë. Brenda saj përziheshin gëzimi dhe mallëngjimi që afronte gjithnjë e më tepër dhe e kishte shumë të vështirë t’i ndante atyre çasteve. Mblodhi guximin dhe ra në kraharorin e tij. Gjatë i kujtoj ditët e njohjes me të, takimet dhe kohën që i kishte munguar sa ishte në studime në Zvicër. 
Tanimë, ata u ulën mbi ulësen që gjendej mu përpara muzeut të Besës dhe si dy zogj, po i gëzonin ditës së fejesës. Nata kishte ikur vonë, edhe turmat e të rinjve në korzon e qytetit kishin filluar të shtirreshin. 
Duhet të ikim, - tha  Drini. - Edhe nata po ikën dhe mëngjesi duhet të më gjej në aeroport. 
Shkojmë, - tha ajo me një gjysmë zëri. 
Ndarja përpara shtëpisë së saj ishte e vështirë. Gjithçka po mbytej mallit, ndërsa largimi ishte plot lot. 
 
*     *     *
 
Ndërsa Blerimi kishte ikur në dhomën e televizorit, siç e quanin banorët e internatit, sikur kishte humbur brenda një emisioni. Ai tani më po e bënte krahasimin e përvojave të modelimit gazetaresk te ne dhe ato nga televizionet e ndryshme perëndimore. Këto përvoja i kërkonte brenda modelimit të një gazetari, dhe brenda tij mundohej të kapte të gjitha elementet e veprimeve dhe lëvizjeve të tija përpara syrit të kamerës. Këto përvoja që po mundohej t’i regjistronte brenda tij, sikur po i kujtonin ditën e modelimit të tij në një televizion lokal, që e kishte pasur gjatë ditëve të pushimit. Vasha me flokë bionde dhe me sy ngjyrë deti, ngjitej shkallëve përpjetë. Ishte e fundit në grupin e studentëve që do të merrnin pjesë në debatin televiziv. Sytë e saj të kaltër përpinë të gjitha parapërgatitjet e Blerimit, që i bënte para fillimit të emisionit. Ai sot duhet të drejtojë një debat televiziv me tre mysafirë të ftuar dhe grupin e studentëve nga universiteti. Fletët e tekstit të përgatitur, i mbetën në dorë, në çastin kur grupi i studentëve hyn në korridorin përpara studios ku do të mbahej debati.
Është një grup studentësh, që do të marrin pjesë në emision, - prezantoi regjisorja në drejtim të Blerimit. - Ndërsa ky është Blerimi, një student që studion në Zvicër, ndërsa sonte për televizionin tonë drejton debatin televiziv, - tha regjisorja. 
   - Më vjen mirë, - tha Blerimi, duke u përshëndetur me studentët.
E fundit nga grupi i studentëve, përshëndeti biondja me flokë të gjata.
   - Shpesa, studente e gazetarisë, - tha ajo tek po i zgjaste dorën Blerimit.
   - Blerimi, - dhe dora e bashkuar me të sajën, iu bë sikur e përpiu të tërin. Gjithçka që kishte në kokë gjatë atyre çasteve, iu bë lëmsh trurit të tij. Një ndjenjë e hollë dridhme e përshkoi trupit dhe u ndie i plogësht përpara saj. Humbi brenda një bote tjetër, që ndoshta për herën e parë në jetë po e mashtronte. Ndjenjë të tillë nuk kishte provuar kurrë. O zot, ç'ndjenjë e çuditshme, ç'po ndodh me mua tani?! – derisa përpiqej të kthente përqendrimin e tij. Përkundër krenarisë që e kishte pasur përpara fillimit të këtij emisioni, tanimë e kishte kapluar një ndjenjë e hollë frike. Ndërsa Shpresa që gjendej përballë tij, gjithnjë e më tepër, ia dobësonte guximin. 
   - Shkojmë, - tha Regjisorja që dukej se atyre çasteve, hetoi ndryshimet te Blerimi. - Ju studentët duhet t’i merrni vendet në këndin e djathtë të studios, që dukej nga dera e hapur, ndërsa ne do të presim mysafirët e tjerë.
   Grupi i studentëve hyri brenda në studio, ndërsa Blerimi dhe Regjisorja ngelën edhe për pakë çaste, në korridorin e parastudios.
   - Si ndjehesh, përpara emisionit? - pyeti Regjisorja.
   - Mirë, - tha me një gjysmë zëri Blerimi, ndërsa dridhmat që po e shoqëronin, e kishte të vështirë t’i fshihte përpara Regjisores.
   - Urojmë, - tha Regjisorja, të mos të t’i vrasë fjalët biondja, - ngacmoi ajo duke qeshur.
   - Dreq o punë, pëshpëriti në vete Blerimi, ndërsa buzëqeshja iu bashkua asaj të Regjisores.
   - Gati për të filluar, - tha Regjisorja në drejtim të kameramanit i cili po priste prapa monitorit të kamerës. Dritat, - bëri me dorë në drejtim të ndriçimit, dhe gjithçka në sallë e mbuloi shkëlqimi. 
Përballë një arenë prej  pesë rreshtave që ngriheshin pjerrtë pas njëri tjetrit, ishte e mbushur me studentë ndërsa në njërin skaj tre mysafirët e ftuar në debat. Përballë tyre Blerimi, një student i artit dhe regjisë, në një universitet evropian, i vënë në një sprovë moderimi gazetaresk, drejtpërsëdrejti në televizion.
   - Fillojmë! - dha urdhër Regjisorja që po qëndronte në këmbë prapa kamerave në njërin skaj të studios. 
Shkëlqimi i dritave e mbuloi gjithë studion, ndërsa objektivi i kamerës fokusonte portretin e Blerimit i cili duhej të fillonte. Fillimi ishte i mrekullueshëm. Ai po prezantonte përpara kamerave një përvojë të mrekullueshme, që jepte të kuptonte përpara regjisores se përgatitja e tij shkollore dhe njohuritë e fituara, janë premtuese. Edhe lëvizjet përpara objektivit të kamerës ishin shumë të kontrolluara. Ai u ikte lëvizjeve të tepruara, që mund të dilnin huqe përpara publikut. Edhe prezantimin e mysafirëve të pranishëm në studio e bëri me shumë fjalë të zgjedhura. Ndërkaq, pyetjet me të ftuarit në emision, ishin te parapërgatitura dhe nuk sillnin ndonjë vështirësi për të. 
Kalimi i mikrofonit te studentët, trazoi tjetër ndjenjë te Blerimi. Edhe pse ishte treguar mjaft i kujdesshëm gjatë gjithë kohës, kthimi nga grupi i studentëve i trazoi një ndjenjë pasigurie.  
Kjo ndjenjë i përcillte te ai trazimet e dridhshme që e dobësonin sigurinë, përqendrimin e tij përpara kamerave. E gjithë kjo pasiguri rritej, kur shikimi i tij binte drejtë biondes në mesin e studentëve. Pyetjet që i shtruan studentët, ishin një përgjithësim i tri-katër pyetjeve që u drejtonin të ftuarve dhe kjo e nxori nga situata në të cilën u gjend Blerimi. Përgjigjet e të ftuarve në krahun tjetër, ishin kthim në temë për Blerimin. Megjithatë gjithçka shkoi bukur, përpos humbjes së herëpashershme të përqendrimit të Blerimit, të cilin pos Regjisores, vështirë se e kishte vërejtur kush. Fundi i emisionit përfundoi me fjalë të përzgjedhura të Blerimit, të cilat lanë përshtypje të mrekullueshme te të pranishmit dhe shikuesi, për kah rrjedhshmëria dhe shprehja artistike e fjalës. kjo i bëri shumë përshtypje edhe regjisores, sepse me të u bind se talenti i Blerimit shprehte njohuri dhe përgatitje të thella që posedonte ai, dhe se në të ardhmen ai do të jetë një moderator i shkëlqyeshëm te i cili mund të mbaheshin shpresa. Për sa i përket zbaticave që ajo i kishte vërejtur, i takonin moshës dhe fazës që po kalonte Blerimi dhe se gjithçka ishte e kuptueshme.
Urime, urime! - tha Regjisorja, tek po afrohej afër Blerimit. Ishte shumë bukur.
Faleminderit! - tha Blerimi, dhe e largonte mikrofonin nga njëri skaj i kollares.
Gjithçka shkoi mirë. Kam pasur frikë nga biondja, se mos ta vrasë mendjen, - ngacmoi Regjisorja.
Dreq o punë! - pëshpëriti në vete Blerimi. 
Pas përshëndetjes me të pranishmit, të cilët po largoheshin nga studio, Regjisorja i ftoi të gjithë të pranishmit në bufenë e televizionit për nga një kafe. Rrugës për në sallën e bufesë, pa e hetuar fare, pranë Blerimit ishte gjendur studentja bionde e cila e shoqëronte atë.
Ishe i mrekullueshëm, - tha ajo.
Faleminderit, - ia ktheu Blerimi, tek po kthehej drejt saj. Ka mundur të jetë më mirë po të mos... dhe fjala i mbeti në gjysmë.
Po të mos, - çka pastaj, insistoi studentja pas heshtjes së Blerimit.
Jo asgjë, asgjë, - shtoi ai, ndoshta nuk është as koha, as vendi. Ta them atë çfarë mendova. 
Studentja sikur e kuptoi arsyen e heshtjes së tjetrit, dhe nuk insistoi më. 
Ajo vazhdoi rrugën drejt bufesë përkrah Blerimit.
Ndoshta nesër do të gjeja çastin për ta thënë atë që mendova.
Tjetra sikur e kuptoi mendimin e Blerimit.
Keni kohë nesër pasdite.
Studentja pasi u mendua pak çaste, tha, ndonjë plan pos mësimeve nuk e kam.
Pas përcaktimit të orës dhe vendit të takimit, në njërin nga lokalet e qytetit, Blerimi dhe studentja bionde kishin hyrë në bufenë e televizionit. 
Të gjithë të ftuarit po i merrnin vendet njëri pas tjetrit, ndërsa Blerimin e priste vendi pranë Regjisores dhe të ftuarve që ishin ulur pranë saj. 
Urime, urime! - u dëgjuan urata nga ata që ishin pranë Regjisores.
Faleminderit, - pohoi Blerimi dhe u ul pranë Regjisores. Gjithçka i shkoi argëtimit në atë mbrëmje të bukur dhe plot emocione për Blerimin.
 
KAPITULLI III
 
Shpendi ishte ndalur pranë dritares së dhomës ku banonin dhe shikimin e kishte hedhur përtej xhamave. Nga dritarja e internatit ku banonin studentët e ardhur nga Kosova, shihej gati i tëri qyteti i Cyrihut. Ndërsa terri që kishte rënë mbi qytet, mbytej shkëlqimit të dritave të ndryshme. Ai herë pas here shikonte përtej xhamave, ndërsa nëpër dhëmbë, me zë të ulët po recitonte vargje nga një poezi e shkruar.
Blendi rrinte i shtrirë mbi krevatin e tij dhe lexonte nëpër faqet e një libri. Në dhomë kishte rënë një heshtje e cila herë pas here prishej nga ndonjë zhurmë e makinave që kalonin rrugës përskaj internatit. 
Drinin e kishte marrë gjumi mbi krevat, me një libër me faqe të hapura, që i kishte mbetur mbi fytyrë. Blerimi kishte dalë diku te shokët tjerë nëpër dhomat e internatit. Gjithçka i ngjasonte një çlodhjeje pas gjithë atyre ligjëratave të ditës që i kishin dëgjuar nga profesorët e tyre në universitet. 
Qetësinë e asaj mbrëmjeje, e theu hapja e lehtë e derës pas një trokitjeje që e bëri dy-tri herë një dorë e lehtë. Ishte Vjollca e cila e zgjati gjysmën e fytyrës pas hapjes së derës. 
Jeni gjallë ju klasa e poetëve të kombit? - tha me një zë të ulët ajo.
Mysafirja jonë, na hyn në mënyrë metaforike, duke na e dhënë vetëm gjysmën e fytyrës, - ia ktheu Shpendi.
Ka frikë se mos e sheh Drini, e s'do ta mbajnë këmbët pastaj, - shtoi Blendi.
Ai ka ikur ëndrrave, - tha Shpendi.
Ndoshta e sheh edhe në ëndërr Vjollcën.
Sa pa respekt që tregoheni ju dhoma juaj.
Pse, mos doni të thoni se dhoma juaj tregohet më me respekt? - ndërhyri Blendi.
Ka dy muaj që s'na keni ftuar në pije, - plotësoi Shpendi.
Ne nuk kemi sjellë çaj Cejloni si ju nga Kosova.
Po ti, hyr de! - e luti Shpendi.
Ajo hyri në dhomë dhe uli pranë tavolinës që gjendej në njërin skaj të dhomës. Blendi e zgjoi Drinin nga gjumi, ndërsa Shpendi po servonte me lëngje frutash.
Poetët e kombit, një fjalë shumë e përafërt me fjalën poet kombëtar, - ripërsëriti Blendi.
Ndoshta e ka dëgjuar në televizionet tona, - shtoi Shpendi. 
Nuk e ke keq, - tha Vjollca. - Ndoshta nga atje më ka mbetur në kujtesë, po ju mos u ofendoni o poetët kombëtarë.
Ha, ha, ha, ha, ha, ha! - pasoi e qeshura në dhomë. Qeshën të gjithë saqë jehona e së qeshurës depërtoi edhe përtej dritares së hapur në drejtim të oborrit të internatit.
Ua, s'ma rrit mendjen, - tha Shpendi.
As mua, - pohoi Blendi.
Ne nuk synojmë të jemi majat - vazhdoi Shpendi...
Unë s'desha të hapja debat, por ju i shkruat atdheut dhe kombit, - vazhdoi Vjollca.
Kërkon me çdo kusht të na vërë në grackë, - pohoi Blendi në drejtim të Shpendit.
Ndoshta me kohën do të bëheni, - foli Drini i cili deri në ato çaste vetëm kishte heshtur.
Jo, po, se ky titull mos ishte ndonjë femër, e do binim në dashuri me kohën, - ndërhyri Shpendi.
Kujdes, se mos e na pinë mendjen etjet për tituj, siç ia ka pirë Drinit ajo vasha.
Avash e burra, mos u nxitoni!
Pa dashur të komplimentoj, unë edhe Vjollcës, por edhe Drinit i jap të drejtë. Vërtet këto emërtime, poet kombëtar, baba i kombit, e të tilla, e të tilla emërtime që identifikohen me kombin, kanë filluar të bëhen të padurueshme. Ndoshta më mirë të thuhej se letërsia i detyrohet kombit dhe pjesërisht do t’i qëndronte, sesa një individ të identifikohet me emrin e kombit. Po kush mund të jetë ai individ, ai që ka shkruar për kombin, ai që i këndon atij, apo ai që vetëm me fjalë e ka pasqyruar dashurinë ndaj tij në varg? Po, në jetën private kush ka qenë ai, cilat kanë qenë veprimet e tij? Unë s'do të vija parime, por një titull të tillë në letërsi nuk do ta pranoja. Ai titull u takon luftëtarëve të mëdhenj të kombit që kanë luftuar e sakrifikuar për atdheun. Ndërsa për ata, që sot lakmojnë pas këtij titulli, ka histori dhe dihet ajo.
Më fal Shpend! S'desha të të ngacmoja, por se si mu dha kjo fjalë, - kërkoi falje Vjollca.
Ne tani po debatojmë Vjollcë, dhe nuk ka asgjë të keqe. Duhet të mësohemi me debatin dhe ta ndajmë atë nga grindjet që shumë herë po i shohim sa po fillon ai.
E fillove bukur Shpend, por aty mes fjalëve të tua e kapa fjalën. Letërsia i detyrohet kombit, - tha Drini.
Ndoshta do të bëje mirë të na flisje rreth kësaj teme, pastaj ti ke pasur edhe një debat në gazeta me këtë temë, - plotësoi Vjollca.
Duke pasur parasysh se kombi ynë ka kaluar shumë peripeci, sipas meje dy janë çështjet kryesore që e kanë shtyrë të qëndrojë, njëkohësisht të bëjë sfidë kundër pushtuesve. E para është se ai e ka bindur veten se duhet të rezistojë kundër pushtuesve, por shpeshherë ka hezituar edhe pse koha ka qenë e papërshtatshme. Pra, kombi ynë shumë herë ka qenë i sulmuar nga të gjitha anët dhe mezi ka arritur të mbijetojë. Ndërkaq, si çështje e dytë, për mua është letërsia e rilindësve, mbase edhe ajo më përpara, që ia ka arritur ta sensibilizojë çështjen kombëtare. Pra, asnjë shkrimtar ose poet, nuk ka arritur të bëjë gjë pa idealin e lartë që e ka ndier për popullin e vet; rezistencën e pa epur dhe luftërat e shumta  ku përherë kanë dalë në ballë prijës siç ishte Skënderbeu, më vonë koha e Lidhjes së Prizrenit, luftërat e vitit 1910 e 1912, dhe mbi të gjitha lufta e Adem Jasharit dhe e UÇK-së më 1998-1999, që i dha fund pushtimit qindvjeçar.
Që mos ta zgjas shumë, ne po dëgjojmë me kënaqësi, - ndërhyri Vjollca.
Për mua është temë shumë interesante dhe po më tërheq, - shtoi Drini.
Sa për mua, tema të tilla do të dëshiroja të dëgjoja tërë natën, shtoi Blendi.
Përsëri e vlen të përmendim qëndrimin jetësor të kombit, që diti të rreshtohej kur qe nevoja, dhe në këtë rreshtim të madh apo të vogël mbijetoi njeriu ynë. U shkruan vepra të ndryshme letrare, u shpërndanë te lexuesi dhe kësisoj e tërë ngjarja e madhe e një rrugëtimi shumë të gjatë e plot sakrifica bëhet ekuivalent i kohës. 
Shikuar kompozicionalisht këto vepra, pra vetë letërsia  rezulton me atë se çfarë kanë bërë njerëzit tanë, dhe çfarë kanë “përshkruar” krijuesit shqiptarë, sa i kanë përmbushur objektivat e tyre, dhe sa është e qëndrueshme një vepër letrare në raport me kohën.
Për pak çaste, Shpendi u ndal, shikoi drejt Drinit i cili po rrinte ulur mbi skajin e krevatit të tij dhe iu lut që, kësaj here Drini do të na e bëjë çajin.
Hë po, se gati harruam,  - shtoi Blendi.
Menjëherë, - tha Drini
Mos ta humbim fillin e bisedës, - shtoi Vjollca.
Jo, jo, - vazhdoi Shpendi. Duke qenë se gjithnjë kërkohet profesionalizëm dhe letërsia të bëhet konsekuencë për një ekzistencë shpirtërore, megjithatë, ekziston edhe diç që jo gjithherë i ka përmbushur kërkesat e kombit. Edhe në kohën e monizmit janë bërë vepra që s’kanë qenë të “pëlqyeshme” nga sistemi, por tani  për prezantimin e tyre kërkohet një qasje tjetër, ndërkaq për vepra të reja kërkohet mish dhe gjak tjetër. Krijuesi duhet ditur rrugëtimin e kombit dhe synimet e tij, dhe jashtë kohës dhe hapësirës ai s’mund të dalë. 
Për një situatë në të cilën ndodhemi, gjendja në letërsi është mjaft e volitshme. Kombi është boshti dhe organika e qenësisë, ndërsa pas fjalës së shkruar rri autori me qasjen dhe perceptimin e tij vetjak, i plotfuqishëm që ndjek një diskurs letrar dhe kombëtar.  Në formë biografike, letërsia ka përshkruar fatin e individit dhe të kolektivitetit të vetë kombit.
Letërsia dhe kombi përherë janë të pandashme, ndërsa vend qendror zë njeriu ynë, që në përjetimin e tij, duke mbajtur në kujtesë historinë e vet, nuk harron të kaluarën, e ngrit aktualitetin e së tashmes në shkallë më të lartë me vizion të qartë për të ardhmen si parakusht për të qëndruar në nivel me shtetet perëndimore, posaçërisht me ato më të avancuarat në botë.
Pra, letërsia përherë i detyrohet jetës dhe koekzistimit të kombit. Marrëdhëniet  që i japin një koherencë njëra-tjetrës, nuk janë vetëm pjesë apo çështje formale, por përmbajtësisht një sens i etikës së lartë të vetë njerëzimit.
Çaji është gati! - ndërpreu Drini dhe filloi t’i sjellë gotat mbi tavolinë.
Faleminderit! - tha Shpendi. - Edhe mua m’u qenka tharë fyti.
Më e interesuar për këtë temë ishte Vjollca se sa ne, - tha Blendi.
Ndoshta edhe ajo do të bëhet poete, - tha Drini me humor, tek po i vendoste gotat e çajit mbi tavolinë.
Ky na e hodhi të gjithëve, - shtoi Blendi duke qeshur.
I ka mësuar odave, duke pirë çaj, - plotësoi Shpendi.
Në dhomë plasi e qeshura, ha-ha-ha...
 
KAPITULLI IV
 
Ç'është ajo letër? - pyeti Blendi në drejtim të Shpendit.
Ai në fillim u qesh me një përbuzje nënçmuese, e mbylli letrën dhe e futi në zarfin nga i cili e kishte nxjerrë pak më parë. - Çfarë të të them, ftesë e një antologu, për antologji.
Hajde-hajde! - I ri i bëre vetit emër more Shpendi! - E tha me humor Blendi.
Pse, mos xhelozon? - ia ktheu me të njëjtin humor ai. - Prite ditën tjetër kur të të vijë edhe ty kjo letër.
Pse, ç'ka të keqe në të?
Jo, jo asgjë. Do të ta lexojë fjalë për fjalë.
Jo, mor, se s`më duhen letrat e huaja.
Thashë, ndoshta do të më interesonte kush është antologu.
Në fakt është një pretendent për antolog.
Mos po nxitohesh në vlerësim, mor Shpend?
Ndoshta, por për nga kriteret që do t’i vija unë, është larg emrit antolog. Pastaj, kushtet që i ka vënë, e nxjerrin që në start qëllimin e tij. Merre me mend ky farë antologu, me emrat që i paska përzgjedhur e paska krijuar një klan politik të parcializuar brenda një mendimi partiak.
Nga e di ti se shumica e atyre që qenkan në atë listë janë të parcializuar brenda grupeve politike? -  vazhdoi Blendi për ta vazhduar bisedën.
I njoh lum miku mirë këta që janë në listë. Po e dëshmojnë mendimin e tyre të cunguar përditë nëpër gazeta, pastaj në tubime e takime të herë pas hershme. 
Dashkan të të futin edhe ty në atë mes. 
Nuk bie në të tilla gracka mor Blendi. Jo që unë jam, apo pretendoj të jem dikush në letërsi, këtë le ta thotë koha dhe lexuesi, po ama kjo letër dhe kërkesë për antologji dhe disa antologji tjera, nuk kalojnë kurrë kriteret dhe kërkesat e një antologjie. 
Domethënë, sipas teje shumë antologji që po bëhen sot, nuk kanë vlera?
Ato kanë më shumë interesa. Mjafton t’u hidhet një sy kritik atyre që janë publikuar këtyre viteve. Janë komplet interesa  grupore, klanore, partiake. Pra nuk janë vënë kritere, por janë lidhur marrëveshje interesash. Dhe çfarë bëhet më tej?! Futen sa për kozmetikë disa emra të shëndoshë të letërsisë, në mënyrë që antologët ta kenë murin mbrojtës karshi kritikës.
Djall e ke mendjen mor Shpend!
Mirë që kësaj here nuk e the. Djall e keni mendjen ju kosovarët, por kësaj radhe ky është nga të tut.
Hajde guri i Pashtrikut, hajde!
S'bëra ndarje. Po kritikoj njësoj për të gjithë, por meqë këtu u zu llafi, aty edhe do të mbetemi.
E di, e di. Ti ke qenë dhe mbetesh idealist i kombit, këtë s`ta mohoj kurrë.
Janë pra këta antologët e rretheve vicioze që shesin kopalla në emër të interesave për bashkim këndej e andej kufirit e të rënë në kurthin e politikës partiake. Më vjen keq Blendi, por letrat e tilla kurrë nuk do t’i pranoja në letërsi. Janë marrëzitë parciale të kohës. Absurditet!
Ke provuar ndonjëherë të ecësh udhës së shëndoshë të letërsisë pa e ngatërruar politikën apo interesat tjera? Atëherë do t’i shohësh gjërat shumë qartë. Më vjen shumë keq. Unë nuk dua as ta mohoj e as ta lavdëroj kënd, por nga ato çfarë kam lexuar e përjetuar, jam tepër i mllefosur. Duhet stopuar njëherë e përgjithmonë gjërat që e dëmtojnë letërsinë. 
Edhe unë mendoj ashtu mor Shpend, por ja që shumë gjëra po ndodhin dhe si të ndalet hovi i tyre. Edhe te ne një pjesë bukur e madhe e krijuesve ka rënë në grackat e politikës. Më duket se jeta e përgjithshme te ne, e ka bërë gati të pamundshëm qëndrimin jashtë politikave ditore. 
Mor, po s'desha të dal atje!
Jo, po problemet janë të lidhura zinxhir njëra me tjetrën.
E kuptoj, e kuptoj çështjen, por, se gjitha këto parcializime tani edhe nëpër këto farë antologji, kjo po më tmerron. Pastaj, unë nuk jam kundër antologjive, por të jemi më seriozë rreth përpilimit të këtyre antologjive. Merre me mend, - Shpendi u zgjua në këmbë, dhe u afrua pranë dritares. Pasi mori frymë thellë, vazhdoi: Para disa ditësh e kam shfletuar njëfarë antologjie ku disa poetë i kënduakan atdheut. Dorën në zemër për disa. Ndërsa për një pjesë që gjendeshin aty, të tillë ndoshta kishin vargëzuar në varg, por veprat e tyre për kohën shumë publike, nëpër kohë e kishin dëmtuar çështjen e atdheut. Pastaj, kishte të tillë që u kishin kënduar sistemeve të huaja e regjimeve. Mos o zot, thashë me vete, e mbylla librin dhe mallkova. Dhe çfarë më tepër, kishte shëndoshmëri brenda librit, kishte interesa, klane e grupe të cilat shumë mirë i njoh në prapaskenë me sjelljet e tyre. 
Je shumë temperament Shpendi! - Është koha të thuhen troç gjërat.
Po për këtë, çfarë thua? - Blendi e nxori nga biblioteka e tij një libër të trashë, të cilën sapo e kishte marrë në postën e tij.
Hë, hë! - Shpendi e mori në duar, i lexoi titullin dhe autorësinë dhe filloi ta shfletojë. Kam lexuar dhe afërsisht e di përmbajtjen dhe përzgjedhjen. Gjithë ato që i thashë, aludoja edhe në këtë lloj antologjie. Pastaj, biseduam edhe në Prishtinë dhe mendimin që e mbaja unë e ndanin shumica e miqve të mi edhe atje. Ta jap vetëm një shembull nga kjo antologji. Tridhjetë rreshta së bashku me titujt i mbajnë të pesë poezitë e një poeti që pretendon se ka hyrë në antologji. Dhe vargje që, s'janë as poezi. Është lojë me letrat tona miku im. Aq më keq kur ato i paraqiten edhe një kulture të huaj. Është vrasje, krim, nënçmim për letërsinë tonë përpara të huajës. 
Unë çuditem pse askujt nuk i shkon ndërmend të kundërshtojë idetë e tilla, apo të japë ide më të pjekura. Shumica hesht, se ndoshta i figuron emri aty dhe punë e madhe. Më duket se çelësi i të gjitha fatkeqësive po fshihet këtu.
Dhe, unë ashtu po mendoja.
Llogarit Blendi, ky far antologu me këtë plan, kërkon të antologjizojë nja  tridhjetë e gjashtë poetë shqiptarë nëpër gjithë botën. Ide e bukur, apo jo?
Ndoshta, përderisa nuk e di qëllimin.
Nga lista e të ofertuarve, më del mbi gjashtëdhjetë për qind një antologji partie. Se si isha gjendur unë në atë listë, nuk e di, por e di një se mendimet parciale në politikë dhe ndërhyrjet në letërsi nuk i kam kritikuar ende hapur dhe ndoshta kjo ia ka mbushur mendjen këtij far "antologu të partisë". Dhe, llogarit, nga këta pretendentë, në listën e tij kërkohen diku mbi 300 US-dollarë. Shumë e majme, apo jo!? Do të shtypen nja dymijë copë, siç po ndodh te ne dhe të antologjizuarit do t’i marrin nga tridhjetë kopje, të tjerat antologu. Dy herë profit nga autorët e vargjeve.
Biznes i majmë, Shpend!
E, po, për fund edhe aheng për antologjinë dhe hop, antologu  në skenë. Poetët e mjerë kënaqen me blerjen e poezive të tyre. 
Dhe mendon se do t’ia dalë ky antologu?
Puna ishte e kryer. Unë isha i fundit, sepse gjithçka paska përfunduar. Ndoshta edhe ty do të ta hedhë.
Jo mor Shpend se nuk hyj në atë valle biznesi unë. Pastaj, ne nuk punojmë, na duhen paratë për studime.
Blendi, më  duket se është mbushur kupa dhe është koha për reagime. Duhet t’u ndalet hovi njëherë e përgjithmonë prirjeve të liga, sepse mbi të gjitha, po e pëson letërsia. Ndërsa, këtë soj antologësh ta shëndoshim njëherë e përgjithmonë nga prirjet e liga që i kanë kapluar.
Paske pasur të drejtë Shpend, po tani lëre atë letër dhe dalim në bufenë e internatit, atje i takojmë shokët.  
Letër e poshtër! - shfryu Shpendi, tek po e merrte letrën mbi tavolinë dhe e hodhi në shportë.
                  

KAPITULLI V
 
Shiko, shiko, u paska hyrë edhe përkthimeve ky Blendi ynë, - tha Blerimi në drejtim të shokëve që po e shoqëronin, derisa po hynin në sallën e pushimit.
Se mos dhe ti na përktheve diç, me atë gjermanistikën tënde? - ia ktheu Blendi.
I mban sekrete ato, përndryshe ka përkthyer mjaft. Do ta shohësh një ditë kur të dalë me ndonjë përkthim, -  ia priti Drini nga anash.
Unë mbaj sekrete, si ato dashuriçkat e tua, - ia ktheu me humor Blerimi.
Ha-ha-ha! - plasi e qeshura mes shokëve.
Ndaluni he burra! - Sërish e filluat me të hedhura, - tha Shpendi.
T’i bashkojmë këto dy tavolina dhe ulemi të gjithë bashkë, - tha Blerimi i cili në ato çaste u zgjua nga vendi dhe filloi t’i afrojë dy tavolinat, njërën pranë tjetrës. 
Ata i bashkuan të dy tavolinat dhe filluan t’i marrin vendet përreth tyre. Tanimë ishin ulur pranë tavolinave Shpendi, Blerimi, Blendi, Drini, Vjollca, Drita, Era, Loni, Dafina, dhe po i rregullonin karriget ku ishin ulur.
Domethënë, vërtet përkthyeke diçka? - pyeti Blendi në drejtim të Blerimit.
Po provoja, por mjaft punë e vështirë. Më është lutur një koleg juaji, poet t’ia përktheja disa poezi, por emrin s'do t’ua them. Kam frikë se nuk ia dal dot. Mendoj se është punë shumë me përgjegjësi dhe kërkon njohje të mirë të të dy gjuhëve. 
Po ti, i njeh mirë të dy gjuhët, - ndërhyri Drita.
E sheh se ke miq e mikesha, që shpejt dinë të të nxjerrin nga balta, - shtoi Blendi. 
A nuk është ashtu?
Ndoshta, por me frikën e Blerimit pajtohem edhe unë, - shtoi Loni, i cili deri në ato çaste nuk kishte folur fare. - Unë mendoj se nuk janë vetëm kriteret e njohjes së dy gjuhëve, por ka edhe shumë elemente tjera.
Mua më pëlqeu sinqeriteti i Blerimit, - ia priti Vjollca.
Gati na e bëre lepur tani, - ia plasi humorit Blendi.
Dafina dhe Era që nuk po flisnin fare, mezi u përmbajtën nga e qeshura dhe mbuluan fytyrat me duart e tyre.
Ç'i ke fjalët ti Blerim, gjithmonë ta hedhësh!
Veç kot më erdhi ashtu.
Po ç'thotë Shpendi?, - tha Vjollca. - Ai i njeh më mirë këto punë.
Jo, jo, asgjë. Vetëm po mendoja, - tha ai tek po kthehej në bisedë, ngase ku e di se nga kishte humbur. - Thashë se mos dikush do të pohojë se vargu i ka dalë më mirë i përkthyer, sesa në gjuhën e autorit e ta definoja si bashkautorësi e krijuesit me përkthyesin. 
Mendoj se u hap një temë e mirë për të cilën ia vlen të debatojmë, - ndërhyri Blendi.
Dhe mua më duket temë shumë interesante, - tha Era.
Se mos dhe ju doni diç të përktheni? - ia priti Drini.
Ndoshta, - pohoi shkurt Drita.
Kujdes se mos na ziheni ju të dy, e do të bëhet skandal pastaj.
Seç e ke atë humorin tënd, me të hedhur mor Blendi, - ndërhyri Era.
Më fal, se kësaj here nuk bëra fyerje gjinore.
Lëre barazinë rehat tani, - tha Drini me një ton zemërimi.
Unë mendoj se përkthimet janë mundësia më e mirë për komunikimin e kulturave të ndryshme, por jam kategorik për përkthime me nivel dhe së dyti për përkthimin e vlerave kulturore e jo për gjithfarë llumi. E para, për faktin se përkthyesi duhet të ndjehet shumë përgjegjës përpara veprës së përkthyer dhe asaj që e përkthen; dhe sipas kësaj të dytës, çfarë po i ofrohet kulturës në të cilën po përkthehet ajo vepër. A është në nivel të vlerave për t’u prezantuar për një kulturë që do t’i ofrohet, - vazhdoi Shpendi dhe vazhdoi: mendoj se brenda këtij konvertimi ndërkulturor, janë bërë punë shumë të mira dhe përkthime të arritura, por ekziston edhe fakti tjetër, se kanë filluar të bëhen lëshime, të cilat më tepër do ta dëmtojnë letërsinë tonë përpara kulturave që po u ofrohen. 
E po, pikërisht këtu e pata edhe unë, - tha Blendi, sepse nga përkthimet që po lexoj, dhe nga njohja ime, po shoh dobësi të cilat shpesh më dëshpërojnë.
Lëshime dhe gabime ka kudo, - tha Loni.
Por jo lëshime të padurueshme, apo jo Shpend? 
Shumë e drejtë Blendi. Po bëmë kërkime rreth letrarëve tanë që po përkthehen sot dhe po u serviren gjuhëve të huaja, vërtet ka vend për brenga. - Pse? Një pjesë bukur e mirë, janë letrarë që askund në letrat shqipe nuk kanë vënë emër apo edhe në revista dhe hop, përkthehen. Pra, ka emra që nuk kanë shpresë për ecje të mëtutjeshme letrare dhe i kanë tejkaluar filtrat e përkthyesve. Sa seriozë janë ata përkthyes dhe filtrat e kritereve të tyre, kjo po shihet. Pra, në të shumtën e rasteve, përkthimet nuk bëhen për interesa të letërsisë, e cila duhet të ishte prioritet, por për arsye të ngushta që i ofron njëra palë tjetrës.
Se mos dhe Blerimi na hidhërohet, - ndërhyri Loni.
Jo aspak. Shpendi ka të drejtë dhe ne e njohim mendimin e njëri-tjetrit. Më fal Shpend se të ndërpreva ndoshta, por më duhet të jem i arsyeshëm. Unë pas shumë lutjeve kam pranuar t’ia përkthej këto vargje, por jo me pretendimin që unë të bëj diç në këtë drejtim, apo qoftë edhe nën emrin tim. Thjesht po bëja një përkthim me kërkesën e krijuesit, duke i pasur shumë parasysh mundësitë dhe njohurit e mia.
Jo, mendoj se ky rast vetëm e hapi debatin, ndryshe, e kam diku tjetër. E sheh se kanë filluar të përpilohen libra e të ofrohen në gjuhë të ndryshme, libra në bashkautorësi, antologji në thonjëza për mua, etj, etj. Dhe kjo çështje është pak a shumë me të meta. Dhe pikërisht këtyre librave, siç edhe tek antologjitë tona, u vihen disa emra për ta mbajtur librin. Por, përzgjedhje pa kritere dhe pa përgjegjësi e përkthyesit karshi kulturës tjetër, se ç'vlerë i ofron, është pika e problemit. Qëndroj kritik ndaj kësaj pike, ngase i njoh mirë lakuriqësitë dhe prapaskenën e problemit. Ndërsa, matrapazllëqet që i bëhen çështjes, janë gjithmonë në dëm të kulturës. Nuk është çështja për ta vënë një emër dhe kaq. Shumica thonë se më mirë diçka të punohet se hiç. Unë e pranoj ketë, por te konvertimi i librit shqip në gjuhë tjera, kërkon seriozitet dhe njerëz të mirëfilltë e me kritere. Mendon se përkthyesit tanë kanë rrëshqitur në këtë pikë? - pyeti Vjollca.
Pjesërisht po.
Edhe unë mendoj ashtu, - plotësoi Blendi.
Fol ti Loni! - vazhdoi Vjollca.
Loni është shumë përkthyes i mirë, por i certifikatave ama, - ngacmoi Drini.
Hajde Romeo i internatit tonë, hajde! - ia priti Loni.
Kujdes se mos dëgjon unaza, e na nxjerr telashe pastaj atje në Kosovë, me vëllanë e saj, - ndërhyri Blendi.
Mos ia përmend, se e ka zënë malli e na qan me lot, - vazhdoi Loni.
Mos e ngacmoni të fejuarin e Internatit, - ndërhyri Era.
Kujdes se mos na hidhërohen shpresëthyerat, - tha Blendi.
Kujdes se mos je varur dhe ti në ndonjë Shpresë, - ia hodhi Drita.
Pse e ndërprisni Shpendin? - shtoi Vjollca, e cila ishte skuqur në fytyrë atyre çasteve.
Mua më pengojnë përkthimet pa kritere, ndryshe një pjesë e tyre po bëhet me klane, grupacione, preferenca nga individë të caktuar dhe kjo ka sjellë këtu ku jemi me këtë çështje. Pikërisht këtë kaos duhet thumbuar. Shtrohet pyetja se si do të akceptohet letërsia jonë, me disa nivele dhe vlera që i janë ofruar kulturave tjera. Kjo  për faktin se përkthimeve kanë rrëshqitur edhe krijime të paarritura dhe janë servuar për të huajt. Kjo e dëmton edhe respektin e të huajve për kulturën tonë, e cila shikuar realisht ka shumë vlera të arritura të cilat kanë mbetur në terrin e harrimit.  Unë kam ndeshur një rast kur vetë përkthyesi  i huaj e degradon autorin në mënyrë indirekte, gati deri në plagjiaturë. Sipas tij, poezinë që e kishte përkthyer vetë, gjoja se e kishte hasur diku me një tematikë të përafërt në kulturën e tij. Ky përkthyes e kishte bërë një përkthim të tillë, më shumë për ta degraduar kulturën tonë, sesa autorin, i cili nuk kishte kurrfarë niveli në letërsinë shqipe. Pra, ka përkthyes të tillë që në emër të pozitives, punojnë në dëm të letërsisë sonë. Ka përkthyes librash, përkthyes dokumentesh e certifikatash, përkthyes në organe zyrtare etj. Përkthyes letërsie, është punë me kritere dhe mendoj se duhet të mendohet mirë përpara se të hyhet në këtë punë. Mendoj se përkthyesit duhet ta respektojnë edhe një parim: nga një gjuhë e huaj, në gjuhën e vet amtare, arsyetohet diç, por nga gjuha amtare në gjuhë të huaj, nuk e shoh shumë të qëndrueshme çështjen. Duhet njohur kultura, leksiku i atij populli, tradita, gjuha po se po, po edhe shumë fakte tjera. Pikërisht këtu, me synimin të depërtojmë në kulturat tjera, na kanë rrjedhur lëshime, që s`do të na i falë letërsia. Mendoj se edhe në këtë pikë jemi brenda një kaosi. E them këtë nga njohuritë edhe të kulturës këtu ku jemi. Më falni se ndoshta e zgjata, - se Dritën po e vëmë në gjumë, - tha Shpendi duke qeshur në drejtim të saj.
Jo aspak, s'di se ç'më gjeti, - tha Drita, tek po i fërkonte sytë.
Ka lexuar vonë mbrëmë, prandaj i mbyllen sytë, - tha Era, e cila ishte e ulur pranë saj.
Kujtuam se mos ka vrapuar pas Romeos së saj.
Djall të është bërë gjuha mor Blendi! - tha Shpendi.
Pa të keq!
Mirë, mirë.
Të gjithë studentët vazhduan ahengun deri vonë në sallën e pushimit.
 
KAPITULLI VI
 
Këtë vlerësim që e jep ky far poeti në këtë intervistë, më duket shumë i pamatur dhe paushall. Merre me mend bëhet vlerësues i gjithë letërsisë së sotme dhe krijuesve që e bëjnë sot atë, - tha Blendi tek po e lexonte gazetën, të cilën e shtyu në drejtim të Shpendit.
Shpendi pa folur asgjë, filloi ta lexojë atë me plot interesim, ndërsa Loni dhe Blerimi lexonin në heshtje në tavolinën tjetër. Për disa çaste ra heshtja, ndërsa Blendi filloi ta plotësojë fjalëkryqin të cilin e kishte ndarë nga faqja e gazetës. 
Shumë interesant, - tha Shpendi. Me këto vlerësime hidhet si vlerësues i vlerës dhe i jovlerës.  Edhe unë nga këto që paska thënë, e shoh një papjekuri totale. Ngrit individë që nuk kanë sjellë asgjë në letërsi dhe anashkalon  apo ul vepra që meritojnë. 
Kush është?- pyeti Loni.
Një që ka nja dy-tre libra dhe mendon se i ka prekur majat  letërsisë. Aq më keq është hequr vlerësues dhe klasifikues i vlerave, - u përgjigj Blendi plot ironi.
Ndoshta te ka harruar të të përmendë edhe ty Blendi, - tha Blerimi nga skaji  i tavolinës ku po lexonte.
Hajde përkthyes hajde! - u përgjigj Blendi.
Mendoj se Blendi ka të drejtë. Problemi nuk qëndron aty, - tha Shpendi në drejtim të Blerimit. Edhe ti nëse e lexon këtë intervistë, do të bindesh vetë për vlerësimet. Do t’i kuptosh dobësitë dhe të metat, fillimisht ato individuale, smirën, prirjen parciale të individit, interesat koluareske përreth të cilave sillet dhe vepron, mosnjohjen e krijimtarisë së krijuesve etj. Të gjitha këto e zhveshin përpara atyre që i njohin gjërat që në brendinë e tyre. Ka vlerësime paushale, interesa grupore e klanore, interesa individuale të cilat dominojnë, mbi të gjitha ka etje për t’u dukur mbi të tjerët. Dhe kjo na sjell në pikën e neverisë. Se mos bëhem shumë kritik, por është e vërtetë mor Blend. Këto dobësitë tona dhe ky mentalitet centralist s`ka të ndalur. Një pjesë bukur e mirë nuk po çlirohen ende nga etjet e tilla, por më duket se do të vdesin me këto vese. 
Mua po më habit fakti, se si një pjesë s`po arrin të kuptojë se krijimtaria është çështje individuale e krijuesit. Dhe, në vend  se të merren me artin e tyre, na dalin dhe bëhen vlerësues të vlerave dhe jovlerave, aq më tepër, pa e dëshmuar veten fare në asnjë lëmë të letërsisë. Dalin përpara kritikës së mirëfilltë e cila tani më shumë po hesht, - vazhdoi Blendi.
Është e vërtetë dhe pajtohem, - tha Loni. - Nga ne thuhet “kur mungon ariu, dhelpra bëhet mbret”!
Bukur e the, - shtoi Blendi.
Për mua dyshimi ka filluar qysh moti, - tha Shpendi. Është e vërtetë se letrat tona janë zhvilluar me bollëk kohëve të fundit, por duhet pranuar fakti se niveli arsimor në rritje është zhvilluar shumë, dhe kjo e ka sjellë atë. Kjo është shumë pozitive. Këtyre prurjeve nuk ka mundur t’u bëjë ballë kritika, sidomos ajo e niveleve të mirëfillta institucionale. Mirëpo, punët nuk i shoh hiç më mirë edhe atje. Kjo mu për faktin se edhe një pjesë e kritikës u është vënë interesave të ndryshme, qofshin ato të politikave partiake apo edhe interesa tjera. Dhe e gjithë kjo, tanimë ka vënë në dyshim shumë çështje. Aq më keq, kemi edhe kategorinë e dytë, e cila po në ato kritere të interesave, me një nivel më të ulët vihet në ballë të çështjeve dhe problemeve të përgjithshme dhe e krijon kaosin. 
Shihe, shihe, kush na vjen! - tha Blendi në drejtim të Vjollcës, e cila në dorë mbante një litër ujë mineral dhe ca gota plastike.
Thashë se mos ju ka ngrohur dielli i vjeshtës e keni etje! - tha Vjollca dhe filloi t’i shpërndajë gotat plastike mbi tavolinë.
Të lumtë! - tha Shpendi. Se ky far "profeti" në gazetë na e ka shtuar etjen.
Mos u kanë kritikuar diçka?
Jo, jo. Nuk është problemi aty, as që është fjala për ne. Atë do ta thotë koha e do të shihet, por çështja dhe problemi është më i thellë - u përgjigj Blendi në drejtim të Vjollcës.
Ja ku e ke gazetën, merre dhe lexoje! Do ta kuptosh vetë se ku po rrah çelësi i problemit, - tha Shpendi dhe i ofroi gazetën Vjollcës. Ti bëre mirë që na solle këtë ujë mineral që ta shuajmë etjen.
Ju pashë nga dritarja dhe e dija se keni etje, - tha ajo.
Faleminderit! - falënderoi Blendi.
Deri sa Vjollca po e lexonte gazetën, të tjerët filluan t’i mbushin gotat me ujë mineral. 
Po ç'thua ti Shpend? - pyeti Vjollca.
Përpara se të vazhdoja unë, sepse thashë shumë më herët, do të të pyesja ty meqë nuk ishe në bisedë. 
Ç 'thua ti?
Për mua ka shumë të meta dhe më duket sikur ka qëllim të hidhet mbi të tjerët duke marrë role që nuk i takojnë fare, - u përgjigj Vjollca.
Se mos dhe ti na u bëre kritike? - tha Blerimi në drejtim të Vjollcës.
Jo larg asaj, por ja ku e ke dhe lexo e vlerëso rreth kësaj interviste, - u përgjigj ajo në drejtim të Blerimit.
Ka mjaft të tillë dhe Vjollcës nuk do t’i vijë as rendi, - tha Shpendi. A nuk të mjafton ky i sotmi këtu? - aludoi në drejtim të gazetës.
Këtij komplet i ka munguar dialektika e vetëvlerësimit, pa pasur të drejtë të vlerësojë si vlera  ose jovlera veprat e të tjerëve. Pa fije turpi është përzier në punët e kritikës. Hiqet si përcjellës i veprave të të tjerëve. Në fakt unë e di vetë se ky, nga shumica e krijuesve ka vepra e vepra që nuk ka pasur shanse t’i ketë në dorë. Është komplet  një etje skizofrenike për t’u dalluar mbi të tjerët.
Bukur e the, - tha Shpendi.
Dhe mua ashtu po më tingëllon, - shtoi Vjollca.
Vërtet qenka i padurueshëm, - plotësoi Blerimi, tek po lexonte mbi gazetë. Paska bërë vlerësime kuturu, me kritere e pa kritere.
Ruana zot nga djallëzitë e tilla, - tha Shpendi.
Pikërisht këto djallëzi të tija nuk çojnë askund, pos që tregojnë një etje plot skizofreni, - plotësoi Blendi. Mendoj se brenda këtyre fjalëve, fshihet një mendim shumë centralist, i cili njëkohësisht reflekton edhe shkollimin brenda të cilit është kalitur ky individ. Duket se asgjë nuk ka përfituar nga ecjet e kohës, dhe mendimit të përparuar evropian.
Ndoshta do t’i bënte shumë më nder, ta shikonte punën e vet në heshtje, pa i interesuar për vlerësime te të tjerët.
Ka etje mor Blend, ka dhe interesa, ndaj nuk mund të dalë nga kjo gëzhojë ky, - vazhdoi Shpendi.
Vërtet e paska tepruar nga ky vlerësim dhe klasifikim i krijuesve që u ka bërë. Pjesën që e njoh në veçanti disa nga këta që e kanë botuar nga një librushkë diku, i paska nxjerrë shumë lart. Pastaj, disa nga brezi i tij që kanë emër, sikur i anashkalon dhe duket se ka shumë smirë dhe interesa, - tha Loni derisa po lexonte në gazetë.
Thonë se disave nga këta në listë u ka recensuar, redaktuar apo lekturuar libra, - tregoi Vjollca.
Është e vërtetë, disa nga këto libra i kam lexuar dhe e kam parë vetë këtë që e thoni dhe të tillët që kanë renë në duar të tij, kurrë nuk do të dalin mbi nivelin e tij. Është mëkat që një të tilli t’i ofrohesh. Janë ca pionierë të letrave që ky i paska quajtur vlera dhe shpresë e letërsisë, që përulen përpara tij dhe kjo e rrit atë, e të tillët te ne në Shqipëri as që do t’i fuste kush në lista pa lëre më libra për vitrina - tha Blendi.
Disa nga këta mor Blendi, tërë jetën do të mbeten me nga një apo dy libra dhe as që pritet diçka nga ta. Për shumë veti jo të mira e kam njohur, por se është i dhënë kaq shumë pas smirës dhe interesit, tani jam bindur.
Tamam ashtu qenka Shpend, ia priti Loni.
E di çfarë po mendoja unë Shpend? Sikur rilindësit të merreshin me vlerësimet e zhvlerësimet e veprës së njëri tjetrit?!
Unë do të përgjigjesha kështu: Nuk do të ishte letërsia e Rilindjes Kombëtare kështu siç e kemi. Të pastër me mundësi përzgjedhje nga vetë lexuesi, pa na e imponuar kush për vlera a jovlera. Pra, ajo ka mbetur e shëndoshë si molla në degë, pa u ngjitur kush. Edhe diçka, mendoj se rilindësit kanë treguar një kulturë të lartë në këtë pikë, ndërsa tani koha ka sjellë përzierje të mëdha dhe, mendoj se te ne pak me tepricë. Ka humbur kodi i kritikës së mirëfilltë, vlerësimit serioz pa interesa, shkurt një kaos pa kokë. I sheh krijuesit këtu në perëndim, shikojnë artin e tyre dhe nuk çajnë kokën për tjetrin, ndërsa te ne na dalin edhe "baballarë të letrarëve" që ta qojnë neverinë. 
Ke filluar të bëhesh nervoz, Shpend!
Nuk guxoj të them jo Vjollcë, është e vërtetë. Janë disa probleme që vërtet më janë bërë të padurueshme. Personalisht jam për atë që letërsia të zhvillohet në vija të shëndosha letrare, pa politizime, pa interesa, pa smirë, pa polemikë. pra kryesisht vijës së shëndoshë letrare. Më duket se gjërat janë djallëzuar aq tepër, saqë filli i tyre ka humbur që moti. 
Ky po më duket se nuk e paska pyetur veten fare, se ç`vlera ka vetë fillimisht.
Ka dhe shumë elemente tjera ky far vlerësuesi, moj Vjollcë. E sheh sa i pasinqertë është treguar, përplot smirë, urrejtje. Për disa ka treguar përkëdhelje, simpati, ka mbrojtur interesa dhe këto e kanë nxjerrë huq përpara lexuesit, - tha Blendi dhe e ngriti një gllënjkë ujë nga gota e tij.
E sheh, edhe intervista del plot smirë e urrejtje që dominon faqes, - tha Loni në drejtim të Blendit.
Për mua ky është i nxitur, i papjekur dhe as që do të gdhendet ndonjëherë. Por, çfarë mua po më brengos, se me vlerësime të tilla një pjesë po i imponohet lexuesit dhe letërsisë. Unë jam shumë i bindur se koha dhe lexuesi do t’i vlerësojë shumë më drejt dhe për një pjesë shporta e harrimit po pret. Megjithatë, dëmet për kohën janë evidente, derisa një pjese me meritë apo pa meritë po u imponohen edhe programeve shkollore qe po përpilohen. Dhe ja, interesat po barten në hallkë zinxhiri. S'dua të dal te përpilimi dhe zgjedhja e planprogrameve mësimore nëpër shkolla, sepse do të na duheshin ditë, por edhe atje i shoh këto probleme. Hë pra, këtu është edhe sherri i këtyre vlerësimeve dhe vlerësuesve. 
Të lumtë mor Shpend, se vërtetë ashtu është! - uroi Blendi.
Dhe unë jam për atë që vlerësimet i takojnë kritikës profesionale. Po ku ta gjejmë sot atë, si ta shërojmë nga koha e sëmurë.
 

KAPITULLI  VII
 
Politikën te ne e kanë pushtuar letrarët, - tha Drita, derisa e shikonte televizorin të vendosur mbi vitrinë në sallën e pushimit në internat.
Mos deshe të thuash edhe historianët e doktorët? - plotësoi Loni.
Dikush duhet ta bëjë edhe atë, pastaj për kushtet dhe rrethanat nëpër te cilat kaluam ne si popull është e arsyeshme.
Shiko, shiko! - Edhe Shpendi dashka të hyjë në politikë!
Nuk e pata aty, as nuk desha ta mbroj kënd. E ka secili arsyen e vet. Sa për mua, politika dhe aktiviteti politik ka përfunduar me fundin e luftës. Ka qenë një kohë kur atdheu na kërkonte dhe atë e bëmë. Për mua mbeten aktivitetet, vitet e ilegales kur kërkohej guxim dhe sakrificë dhe mendoj se asaj kohe i jam përgjigjur. Tani ka mjaft hapësirë, qoftë për trima, qoftë edhe për frikacakët që na iknin dikur, - tha Shpendi derisa po i drejtohej Dritës.
Kjo vendosmëri për t’iu përkushtuar vetëm letërsisë, duke i thënë stop aktivitetit politik,  më ka bërë shumë përshtypje Shpend, - komplimentoi Vjollca.
Ka qenë bindje imja e përhershme që, ditën kur të çlirohet atdheu, të largohem nga aktiviteti. Jo se ai nuk kishte nevojë, por nuk mund të eci krah një pjese që i thyen karriget. Dorën në zemër për atdhetarë që janë vënë në shërbim të politikës, për të mirën e vendit, ndërsa tek unë, vërtet ashtu ka ndodhur por vendimi ka qenë i hershëm.
Ndoshta je lodhur?
Jo, - ndërhyri Blendi. - Shpendi ka shumë potencial dhe energji, por rruga e tij ka tjetër kahe. Ai këto ditë i pret nga shtypi edhe dy libra dhe rruga e tij e ka një drejtim, letërsinë.
Sa sekretë që jeni ju të dhomës 105! - reagoi Vjollca.
Domethënë, këto ditë paskemi festë. Tani e kam të qartë mosfutjen në politikë të Shpendit.
Jua ka lënë vendin juve, - tha me humor Loni.
Paska dashur ta respektojë barazinë gjinore, një grua më tepër në parlament, - ndërhyri Drini, që deri në ato çaste nuk kishte folur.
Ua, qenka dhe Romeo këtu! - tha Blendi dhe e ktheu kokën nga Blerimi.
E kishte në ëndërr Xhulietën, tani i doli gjumi, - tha Drita dhe filloi të qeshë.
Qeshën të gjithë, pos Drinit i cili i mrroli vetullat atyre çasteve.
Të jesh vetëm letrar te ne sot, është shumë e vështirë, në veçanti të gjendesh jashtë rrjedhave politike. Deshe ti o s'deshe, je i orientuar diku apo s'je, kjo s’ka rëndësi. Mjafton ta kundërshtosh një vlerësim politik, apo të mos pajtohesh me dikë rreth politikës, dhe automatikisht të përplasin në grupin tjetër. Kjo po ndodh pikërisht për faktin se si popull jemi politizuar së tepërmi dhe të gjithë gjërat po i shikojmë brenda mendimeve të cunguara politike. 
Unë mendoj se një pjesë e letrarëve, janë politizuar së tepërmi, saqë kanë kaluar në fanatizëm partiak, për të cilët mendoj se e njollosin shumë letërsinë. Kjo ka ndodhur edhe te ne në Shqipëri por edhe te ju, apo jo? -  ndërhyri Blendi.
Është më se e vërtetë, - pohoi Shpendi, por unë mendoj se letrarët të cilët krijimtarinë e tyre e veshin me vello të bindjeve politike të kohës, nuk janë letrarë, as nuk i takojnë letërsisë. Ata më tepër do t’i takonin politikës. 
Ma merr mendja se janë çështje interesash këto grupime dhe një pjesë edhe e krijuesve është dhënë pas tyre, - tha Loni.
Shumë e saktë ajo që thoni. Bile një pjesë e tyre në këto përzierje ka leverdi dhe privilegje. Shikuar në vizion, të tillët nuk do të jenë të respektuar në taborin e mirëfilltë të letërsisë. Pra, këtij grupi të krijuesve u ka hyrë një lloj virusi i bindjeve parciale që janë sot në politikën tonë dhe nuk ka kush ua shkul nga koka. Bile-bile, duke u cunguar brenda këtyre interesave të ngushta politike, bëhen të neveritshëm për lexuesin e shëndoshë që kërkon edhe letërsi të shëndoshë e pa politikë. Mua më vjen shumë keq, kur krijues me vizion cungohen brenda këtyre gardhiqeve, kur e dinë fare mirë se në politikë është gjithçka e përkohshme. Letërsia mbetet e shkruar dhe e përhershme. 
Janë verbuar interesave, - ndërhyri Vjollca.
Me kohën do ta kuptojnë por shumë vonë, - shtoi Loni
Atëherë do ta pësoj letërsia. Jo se dua ta bëj një prerje klasike mes këtyre dy çështjeve, sepse koha dhe nevoja i solli edhe letrarët të hyjnë në politikë, por dua të them edhe këtë se, jo që politika po e pengon letërsinë, por mishërimi me politikën po reflekton edhe në veprat e tyre te disa letrarë. Kjo është e meta e problemit. 
Po kjo i ka ndarë dhe grupuar edhe në organizime dhe manifestime letrare vetë krijuesit. Pastaj, janë vënë interesat në këtë mes dhe shumëçka e ka humbur kuptimin.
Është e vërtetë kjo që thotë Blendi. Po t’i shikosh më hollë këto çështje, vërtet është e dhimbshme kjo që ndodh. I ka kapluar një mendjengushtësi parciale që automatikisht më shumë flet politika se letërsia, megjithëse, te letrari kurrë nuk duhet të dominojë politika. Unë shpesh e them, le të mbetet përgjegjësi individuale e çdo letrari. Mbetet të shihet se sa do të mund të ecet shëndosh rrugës së letërsisë duke i bartur mbi supe këto dy barra. Për mua këto janë dy çështje: shkrimtar ose politikan.
 
KAPITULLI VIII
 
Vjollca e bënte gati tavolinën, Mbi të kishte shtruar një çarçaf të bardhë në të shkëlqyer. Në mes kishte vendosur një qiri të kuq, flaka e të cilit herë ngihej e herë ulej nga era e lëvizjeve që i bënte ajo, derisa e rregullonte tavolinën. Kishte huazuar edhe ca karrige nga dhoma numër 5 ku banonin edhe katër shoqe tjera, po ashtu nga Kosova. Mbi tavolinën e shtruar, kishte vendosur dy shishe verë dhe ca pije tjera freskuese. Gjithçka ishte gati për të ftuarit e mbrëmjes. Era dhe Drita ndihmonin rreth pamjes sa më të mirë të tavolinës. Ato, tanimë po nxitonin, sepse të ftuarit sa nuk kishin hyrë brenda.
Një trokitje përtej derës i trazoi.
Ka, urdhëroni, shtëpia e juaj! - tha Blendi tek po e hapte derën.
Mirë se vini! - uroi Vjollca.
Ua! - bëri Blendi. - Ju paskeni festë sot.
Jo asgjë e veçantë dhe speciale, - shtoi Drita.
Mirë se ju gjejmë shtëpia juaj! - përsëriti Shpendi tek po hynte brenda. 
Bukë, kripë e zemër, - tha Era, derisa uronte mirëseardhje.
Bukë e kripë po, por zemër, ama me kujdes, se Romeon e kemi këtu.
Po djalli ç'je o Blendi! - ia priti Vjollca.
Te ne thuhet, goja i zë lesh po nuk foli, - ia priti Drini nga korridori, tek po hynte në dhomë pas Blerimit. 
Po ti mbahu e burrë! - ndërhyri Shpendi në drejtim të Drinit.
E sheh se e tepron nganjëherë, u përgjigj Drini.
Urdhëroni, zini vendet, tha Vjollca.
Të gjithë u ulën pranë tavolinës së shtruar për festë.
Unë jam kurioz të di, se e kujt ishte ideja për të na ftuar sonte, pyeti Blendi. 
Vjollca heshti. Heshti edhe Era, ndërsa drita tha, le ta thotë Vjollca!
E kuptova, - tha shkurt Blendi.
E po, gëzuar! - tha Vjollca në drejtim të Shpendit, i cili ishte ulur përballë saj. 
Gëzuar! - ia ktheu Shpendi.
Cakërrimi i gotave u përzje brenda fjalës “gëzuar” që uruan të gjithë të pranishmit.  Një heshtje ra në dhomë derisa po i pinin gllënjkat e para të gjithë të ulurit përreth tavolinës.
E po, gëzuar edhe njëherë, edhe për dy librat e rinj të Shpendit, - uroi Blendi.
Gëzuar dhe urime! - thanë të gjithë. Ndërsa Vjollcën e pushtoi një ngjyrë e kuqe në fytyrë. Ndoshta ishte një çast kur shumëçka u bë të kuptohej. 
Era e cila e kishte kuptuar pozitën e shoqes së saj, mendohej se si ta ndërronte kahen e bisedës, por pa u hetuar fare. 
Domethënë, Shpendi vazhdoi rrugën e shkrimtarit e jo politikën, - pëshpëriti ajo në drejtim të Lonit, i cili kishte ardhur i fundit. Ajo deshi ta thoshte krejt qetë sa për ta ngacmuar Lonin, që ai t’ia ndërronte kahen e bisedës, por qetësia që u krijua, fjala e saj u shpërnda zëshëm rreth tavolinës. Shpendi ka qenë qysh në librin e parë shkrimtar, - tha plot gojë Blendi.
Ne po mundohemi të krijojmë diçka të bukur, por jo edhe të synojmë qysh në librin e parë se jemi dikushi, - tha Shpendi plot modesti.
Se, mos xhelozon Blendi? - foli Blerimi plot ngacmim.
Blendi u tregua shpërfillës në drejtim të Blerimit, megjithatë nuk pati shumë hapësirë mes fjalës së tij, ngase Shpendi e ndërpreu ende pa e mbaruar fjalën.
Këto ditë, edhe Blendi e pret që një libër t’i dalë nga shtypi atje në Kukës, - tregoi Shpendi.
Sa sekret që jeni ju të dy! - tha Drita.
Jo po, kam frikë, se ti ose Era, më organizoni festën e librit, - tha me humor Blendi.
Dhoma u mbush plot të qeshura. Shumëçka që rrodhi përmes humorit të Blendit, i bëri të mendojnë në vete të pranishmit pranë tavolinës.
Ndoshta do të bënte mire që Shpendi të na fliste për orientimin e tij, në rrugën e shkrimtarit dhe largimin nga drejtimi politik, propozoi Loni për t’i dhënë kahe bisedës.
Mirë thotë Loni, - ia priti Era.
Mirë e ka Loni. Më duket se e teprova ca, por për një çështje të tillë Shpendi ka debatuar edhe nëpër gazeta, dhe mendoj se e njeh mirë një çështje të tillë, - ndërhyri Blendi.
Ç'të them, kur i kam thënë të gjitha, - nguroi Shpendi.
Kjo çështje vërtet dhe mua më intereson, - tha Era.
Pret edhe më lutje, o Shpendi? - ndërhyri Drini.
Shpendi shikoi përreth tavolinës të gjithë shokët, dhe e ngriti gotën me verë. – Gëzuar! - tha ai dhe i cakërroi gotat me të gjithë shokët e shoqet të ulur rreth tavolinës.
Ç'të them, - tha ai dhe heshti për një çast. Ishin dy çështje që për mua nuk i shkonin njëra tjetrës. Pra, një individ ishte vështirë që këto dy çështje t’i vinte në një binar, për dy arsye: E para,  se si shkrimtar kërkohet që absolutisht të jesh i pavarur nga askush; dhe së dyti, në politikë të diktojnë kushtet, rrethanat, të cilat  krijon rënie dhe ngritje, e qe e dëmtojnë këtë të parën. Unë nuk kam lexuar ose hasur diku që, nga dikush, këto dy çështje të vihen në të njëjtin binar, duke dëshmuar vlera të dyanshme. Dhe, mendoj se as që do të mundet kush t’u përgjigjet këtyre dy misioneve qind për qind. Te ne, një pjesë mendon se ka dhënë sukses në këto dy fusha, fjala është për të angazhuarit. Unë nuk i pranoj supozimet e tilla, sepse shoh shumë dobësi në ato mese. Do të flasë koha dhe do t’i shihni edhe ju. 
Mund të jesh pak më i qartë? - kërkoi Blerimi.
Po, ja, shkrimtari do të ndihet i lirë kur të arrijë të krijojë pavarësi të plotë vetvetes, veprës së tij, ndërsa politika nuk është liri. Ajo ka korniza. Ka rënie, ngritje, që drejtpërsëdrejti ndikojnë fillimisht në veprën e autorit, pastaj edhe në autoritetin e tij. 
Mund të ketë shumë arsye të kyçjes së shkrimtarit në politikë, ta zëmë siç ishte koha dhe situata e atdheut tonë. Mund të ketë edhe arsye e qëllime  për t’u kyçur edhe në këtë drejtim, duke i pasur rastet specifike siç ishin në Evropën Juglindore, atëherë kur shkrimtaret me një disidentizëm i kundërshtonin zhvillimet e politikave  centraliste nëpër këto vende. 
Domethënë pjesërisht pajtoheni? - ndërhyri Loni. 
Ka arsye, nëse i marrim parimet e shëndosha të kyçjes edhe në politikë, megjithëse siç u tha, ajo reflekton pastaj në një vepër letrare të atij autori, por çështjet duhet prekur edhe nga këndi negativ i problemit. Në fund të fundit, diç nga ky mes do të dalë e humbur, dhe kjo humbje i takon letërsisë. Çështja bëhet e rrezikshme kur shkrimtari kërkon të jetë i rëndësishëm në letërsi, përmes një roli tjetër siç është politika. Pra, duke i shfrytëzuar të dy këto autoritete, fiton ndoshta merita të tepruara që nuk do t’i qëndrojnë kohës, por vetëm interesave të ditës. Dhe, këtu është shumë rrezik, të kemi vlerë kulturore apo edhe kualitet politik, që do të jetë i besueshëm. 
E po, gëzuar edhe një herë! - tha Shpendi, se na u tha goja. Gëzuar dhe për shumë hera! - tha Blendi.
Ke ndonjë shembull ilustrativ për këtë që thua? - pyeti Loni.
Ka mjaft. Mjafton të kthehemi në dyzet a pesëdhjetë vjetët e shkuara, nën sistemin totalitar. E kishim një sistem politik, me korniza brenda të cilit nuk guxoje të luaje shumë, se, mos o zot të dilje jashtë tij? Pra, shtrohet çështja, ç'kërkonte shkrimtari aty. T’i bëhej servil atij pushteti, t’i këndonte atij?! - Jo. Liria e shkrimtarit nuk mund të kufizohet brenda kornizave politike, aq më pak sistemeve totalitare nëpër të cilat kaluam ne si popull. Pra, shkrimtari ka rrugën e vet, lirinë, që duhet ta ndërtojë fillimisht brenda vetvetes, për ta shpërndarë atë në masën e gjerë të lexuesit. Dhe, tani mund të më thoni ju se, a nuk ka ndodhur kjo te ne, edhe në Shqipëri, apo jo Blendi?
Shumë e saktë! - Bile aq më keq te ne, por jam shumë i bindur se edhe te ju në Kosovë, një pjesë të shkrimtarëve, politika i ka persekutuar, e besa edhe vrarë e ekzekutuar, dhe, në i jap të drejtë Shpendit kur ndien alergji për politikën. Bile, ajo më ka bërë përshtypje, kur thotë: një politikan m’i përcaktuaka kornizat e lirisë së shprehjes dhe mendimit tim, mos o zot kurrë! E dini, sa herë e kam përsëritur nëpër intervista, kjo fjalë ka bërë jehonë të madhe edhe te ne. Më fal se të ndërpreva Shpendi, por edhe një herë gëzuar, se ju në Kosovë e çoni më rrallë dhe më ngadalë.
Gëzuar! - thanë të gjithë, mes cakërrimit të gotave.
Duke u kthyer në të tanishmen, shpesh e pyes veten: ç'kërkon shkrimtari në politikë? - Kjo me krijon shumë pasiguri për të ardhmen e letërsisë. Mos po parcializohemi e politizohemi së tepërmi, dhe pastaj të hyjmë brenda kornizave politike. Kjo çështje hap shumë dilema dhe supozime, të cilat për fat të keq, shpesh janë të sakta. Shkrimtari, duhet t’u shërbejë klaneve, apo ta ruajë rolin e vet në letërsi!? Ndoshta ky fakt mund të kapet nga një hapësirë e gjerë, por fusha e veprimit shkon e përkufizohet brenda hapësirave të klaneve dhe, duke u rikthyer sërish mbrapa. Nëse dikur një shkrimtar ka qenë shkrimtar i oborreve, politikës centraliste qe i ka diktuar fushat e lirisë së veprimit, tani më kjo fushë është parcializuar edhe më brenda një programi të caktuar të klaneve, të cilat i diktojnë ato. Vetë prezenca e shkrimtarit politikan, brenda këtyre klaneve, absorbon në dëm të veprës së tij nga një grupim tjetër. Pra, këtu lind edhe parcializimi i veprës letrare. Flasim gjithmonë në konditat e nivelit të demokracisë politike te ne. 
Shumica mendojnë se ata janë mbrojtës të mirë të të drejtave të popullit dhe lirisë së tij, - ndërhyri Drita.
Unë e thashë, ka shumë motive të hyrjes në politikë. Dikush mendon se është i denjë edhe për politikë, tjetri vihet në ballë të mbrojtjes se të drejtave të popullit të tij me pretendime pozitive. Por, ka raste kur çështja djallëzohet brenda djallëzisë që mund ta ketë ndonjë shkrimtar kur kyçet në politikë. Çështja e afirmimit më të madh, interesat e ngushta personale, karriera, nostalgjia për pozita, etj. Këto janë elementet që në masë të madhe reflektojnë shumë negativisht. Dhe, këto ngritje, apo edhe rënie, janë shumë të përkohshme. Unë do të kthehem edhe njëherë te hyrja e shkrimtarit në politikë në kohën e sotme. Nëse një shkrimtar mendon se mund të rrezatojë autoritet moral edhe në politikë, në ditën e sotme duhet ta ketë parasysh se i shërben vetëm një klani të caktuar, dhe autoriteti i tij ngrihet dhe përfundon brenda atij rrethi vicioz apo klani të cilit i shërben. Një angazhim në politikë i shkrimtarit, mund të arsyetohej jashtë klaneve të politikës parciale. Megjithatë, çdo angazhim në politikë i shkrimtarit, shikuar në vizion, çon në dëm të vlerës së quajtur shkrimtar i mirë. Pra, për mua gjithmonë mbetet çështja shkrimtar ose politikan. Ndoshta ju mërzita, - tha Shpendi dhe e ngriti gotën.
Gëzuar dhe për shumë libra tjerë! - tha Blendi. Kësaj radhe do ta falënderojmë Vjollcën, dhe t’i urojmë që në librat e tjerë të Shpendit të festojmë në Kosovë. 
Gëzuar! - thanë të gjithë, pos Vjollcës e cila deshi diç të thoshte, por nuk pati guxim.
E po djalli që je, o Blendi! - pëshpëriti Shpendi me zë të ulët në drejtim të Blendit.
Ahengu vazhdoi deri në orët e vona të së shtunës mbrëma.
 
   
KAPITULLI IX
 
Kur e bën krahasimin e informacioneve që japin televizionet, shpesh cungohet fjala e lirë e gazetarëve, - tha Loni, derisa po shikonte lajmet pranë monitorit.
Censurë vëllaçko, censurë, - ia priti Blendi, nga ulësja pranë tij.
Cezurë?- pyeti Drita.
A nuk i sheh ndryshimet e informacioneve nga stacioni në stacion, - iu drejtua Loni.
Shpendi vetëm po dëgjonte në njërin skaj të sallës dhe s'po fliste asgjë. Bisedën mes shokëve po e përcillte krejt i heshtur. Herë pas here hiqej se po e shikonte televizorin, ndërsa përpara në  tavolinë e mbante një gazetë nga e cila lexonte. 
Unë mendoj se nuk mund të ketë censurë në këtë kohë te ne, kur dihet se në çfarë procese demokratike jemi, - ia priti Era.
Shpendi e hodhi shikimin drejt saj, por seç përtypi diç nën dhëmbë dhe heshti në vete. Blendi, pasi i lëshoi një shikim, filloi të qeshë.
A nuk ta mbushin mendjen këto ndryshime informatash nga këto mediume informative. Në lajmet e mëparshme, këto që u thanë tani, në këtë të dytin, as që u përmendën. Pastaj shumë gjëra tjera u than tërthorazi. E gjithë kjo është censurë, - u shpreh plot mllef Bendi. 
Edhe unë mendoj se ka censurë dhe atë jo vetëm nëpër televizionet e radiot tona por edhe nëpër gazeta e institucione tjera, - ndërhyri Blerimi.
Edhe unë mendoj kështu, por ama censura te ne është ende institucionale. Dhe, kjo flet se ne ende nuk jemi çliruar plotësisht nga shpirti centralist. Ndoshta edhe shkollimi ka qenë i tillë për nga ideja dhe pasojat na përcjellin, - tha Drini.
Shihe, shihe Romeon, e definoi më bukur se ne të gjithë, - tha Blendi dhe shikoi në drejtim të Shpendit. 
Edhe Vjollca që ishte ulur afër Shpendit, nuk fliste, por fjala e Drinit sikur e tërhoqi.
Mirë e tha,- pohoi shkurt ajo.
Po si thua ti Shpend? - ka liri të fjalës apo ka ende censurë për ju shkrimtarët?- pyeti Drita në drejtim të Shpendit. 
Shpendi seç ndihej i lodhur dhe nuk donte të hynte fare në temë. Sikur i pëlqente të dëgjonte mendimet e shokëve të tij rreth kësaj çështjeje.
Po pse s'na thua një fjalë, o Shpendi? - ndërhyri Loni.
Ndoshta e ka hidhëruar Vjollca diç, - ngacmoi Blendi.
Ai vetëm me buzëqeshje e përcolli fjalën e Blendit.
Vjollca uli kokën dhe nuk foli asgjë. 
Ndoshta do të jetë shumë e mangët të thuhet se ka ose s`ka censurë, pa e zbërthyer në detaje atë. Dhe, për ta ilustruar më së miri këtë çështje, duhet shikuar shkrimtarin dhe kohen nëpër të cilën krijoi ai. Duke bërë një kthim mbrapa në kohë, për shumë shkrimtarë, sidomos ata në vendet e Evropës Lindore, lirinë e të shprehurit e kishin të cunguar, dhe kjo hise u takoi edhe shkrimtarëve tanë. Pra, liria e fjalës është shumë ngushtë e lidhur me lirinë e një kolektiviteti. Meqë jemi te çështja e lirisë së fjalës së shkrimtarit, liria e fjalës është edhe çelësi i realizimit të një vepre të mirë letrare. Kur ajo mungon, është i pamundur pasqyrimi komplet i mendimit të autorit. Kjo mungesë lirie e shkrimtarit, reflekton shumë fuqishëm edhe te lexuesi i cili e kërkon atë. 
Doni të thoni se, pa lirinë e plotë të fjalës së  shkrimtarit, nuk ka vepër të mirë? - pyeti Era.
Jo. Vepra të mira ka edhe në këtë kohë. Bile shumë të mira, falë mjeshtërisë metaforike të shkrimtarit, por unë desha të kthehem sërish në fillim. Nëse shikojmë kah letërsia botërore, sa është zhvilluar ajo në kohën kur shkrimtari ynë përballej me censurë të fjalës, do ta shohim ndryshimin. E thashë, edhe përkundër kohëve, letërsia jonë ka avancuar mirë edhe në këto kohë. Bile, metafora jonë, sidomos ajo në poezi, është fuqizuar shumë, saqë sot prin në mes shumë letërsive të huaja. Pra, sa herë që është shtypur fjala, është forcuar metafora, dhe e ka ruajtur brenda vetes atë lirinë e brendshme të shkrimtarit. Kjo ka ndodhur edhe në Shqipëri, edhe te ne. Autori gjithmonë ka qenë në kërkim të fjalës, përmes së cilës, lirinë vetë shkrimtari ta përcjellë te lexuesi.
Sido që të ketë qene ajo liri, shkrimtari është përpjekur që brenda asaj lirie të kufizuar, ta thotë atë që vlon brenda tij. Megjithatë, një pjese të shkrimtarëve, pikërisht për këtë liri të fjalës, u janë ndaluar vepra,  janë izoluar, persekutuar, diferencuar, burgosur e ekzekutuar. Dhe kjo ka ndodhur në të gjitha hapësirat tona, kudo që ka qenë shkrimtari dhe dëshira e tij për fjalën e lirë. Këto që kanë ndodhur me krijuesin, janë barra më e rëndë që e mban koha dhe ata që i shërbyen asaj kohe. Për t’i shpëtuar kohës, nëpër shumë vepra u bë kozmetikë edhe sistemi, i cili me plotë gojë iu bë njollë e zezë letërsisë. 
E po, të lumtë o Shpend! - tha Blendi.
E pate vështirë të më nxisësh në fjalë, e tani s'do të mund të më ndalësh.
Jo, nuk e pata aty. Vjollca të më falë, se mos na hidhërohet edhe ajo.
Ha, ha, ha! - qeshën të gjithë.
Pra, kjo kohë nxori shkrimtarë të niveleve të shkëlqyeshme, që i dhanë jetë letërsisë.
Po ç'thoni për sot, sa është e lirë ajo?- pyeti Drita.
Pikërisht, këtu desha të dal. Kjo liri, edhe pse në pamje të parë duket se është, unë mendoj se nuk është ende e plotë. 
Mos fajin sërish e ka politika?
Gjithsesi! - u përgjigj Shpendi në drejtim të Erës. Është një parcializim i përgjithshëm i politikave nëpër programe partiake të cilat i janë bërë sërish mollë sherri letërsisë.
Mos deshe të thuash se edhe shkrimtarët janë politizuar? - ndërhyri Drita.
Kjo, po se po! Ka ndodhur dhe po ndodh përditë, për fat të keq te ne. Ky parcializim, apo ky strukturim edhe i shkrimtarëve nëpër politika parciale, sikur  ka kufizuar lirinë e shkrimtarit. Apo edhe tjetra, në rastin kur shkrimtari nuk u përgjigjet politikave parciale ditore, atëherë janë ato politika që ia cungojnë lirinë, qoftë në forma interne, në prapaskena e në disa raste edhe hapur. Pra, drejtpërsëdrejti mund të thuhet se jo vetëm në të kaluarën, por edhe sot në demokraci që thuhet, liria e fjalës së shkrimtarit është e kufizuar. Ai, jo gjithmonë, mund ta thotë të vërtetën e hapur, sepse do të bjerë ndesh me ata që nuk u pëlqen liria e fjalës, apo edhe i pengon ajo.
Doni të thoni se pjesërisht e kemi të trashëguar mendimin centralist? - pyeti Loni.
Edhe kjo është më se e vërtetë. Është një çështje që reflekton krahas kësaj që e thamë. Dua të dal edhe një herë te liria  fjalës sot, për të dhënë edhe disa detaje. Në momentin kur një shkrimtar nuk i përshtatet politikave partiake në pushtet, ai në forma të ndryshme do të përballet me sanksione që ushtrohen në forma të heshtura dhe interne. Kjo mund të ilustrohet me shembuj. Partitë në pushtet te ne, po i bëjnë programet shkollore, dhe çfarë po ndodhë?! - Po censurohet ai që nuk e përkëdhel partinë në pushtet. Lirohen fondacione për botimin e librave, ndahen shpërblime, mbahen manifestime të ndryshme. Dhe të gjitha këto, shpesh marrin ngjyra partiake. Prapë, të pabindurit e partive, pra, fjala është për shkrimtarët e lirë, anashkalohen. Janë këto disa nga format e diskriminimit që i bëhet shkrimtarit me mision lirinë e fjalës. 
Mos është bërë ndonjë gabim, që aq tepër janë politizuar një pjesë e shkrimtarëve dhe i janë nënshtruar politikës? - pyeti Drini, i cili po dëgjonte me kujdes gjatë gjithë kohës.
Nënshtrimi i shkrimtarit, brenda klaneve politike, është rënie e papranueshme për mua. Këtë nënshtrim e urrej dhe jam kategorik kundër. Një shkrimtar i mirëfilltë që u nënshtrohet programeve partiake, apo klaneve, unë e quaj vdekje në raport me interesin letërsi dhe komb. Ky ngushtim rreth këtyre rretheve vicioze, apo programeve të ngushta e parciale, është nënshtrim i shkrimtarit. E shtyjnë apo jo interesat, le të mbetet çështje e tyre. Unë jam për atë, që shkrimtari të jetë i lirë, përtej këtyre parcializmave partiake. Në fund të fundit, çka janë partitë për një shkrimtar?! - Asgjë. Liria dhe vizioni i tij shtrihet më larg, përtej këtyre interesave. Për mua, as që mund të ekzistojë nënshtrimi kundrejt kohës dhe politikës. Do të vazhdoj ta ndërtoj lirinë e fjalës brenda meje, ta trasoj atë te lexuesi im, pavarësisht koncesioneve të kohës a të politikës. Vetëm në këtë drejtim, mund të ndërtohet liria e fjalës. 
Të lumtë! - tha Blendi, në drejtim të Shpendit. - Me këso guximi dhe pavarësie, mund ta ndërtojmë lirinë e fjalës.
Keni pasur sanksione direke deri më tani? - pyeti sërish Drita.
Posi! - Kjo as që më brengos. Shpesh kam dërguar shkrime në gazeta e revista, disa nga ato nuk janë botuar, sepse nuk u përshtatkan me politikën e ditës të zhvilluar te ne. Apo edhe forma tjera të diskriminimit që i ndërtojnë kuluaret e ndërskamcaxhinjve nëpër organe udhëheqëse, shoqata e asociacione tjera. Megjithatë, format e publikimit të fjalës së lirë te ne, tanimë mund të gjenden. Ato gjithmonë i gjej, dhe kurrë nuk e gëlltis fjalën e lirë, por e them, pavarësisht se shumëkujt i dhemb, – tha Shpendi dhe ia rriti zërin televizorit.
 
   

KAPITULLI X
 
Paske mbetur vetëm sot Shpend! - tha Blendi tek po hynte në derë.
Një rast i mirë, të shkruaja diç, - tha ai derisa e ktheu kokën të shihte kah dera.
Të ngacmon muza e frymëzimit.
Jam mërzitur ca dhe ky vit i fundit, më duket pakëz i gjatë. Meqë isha vetëm, thashë të regjistroja ca sentenca nga perceptimet e çasteve. Ishin ca ide që i mbaj në notes dhe herë pas here i kompletoj ato.
Po ti, po bën diç këto ditë?
Jam i preokupuar me provimet, por herë pas here, gjithë këto zhvillime rreth nesh, sikur më ngacmojnë të hedh diç në letër. 
Poezi?
Po, - tha Blendi dhe qeshi me vete. E di pse qesha? Një mik imi librashitës, por ama kuadër i ngritur edhe në letërsi e thoshte: “poezia është arti i dembelëve”. E di pse e thoshte? - Ajo nuk do shumë kohë. Një fletë dhe një laps dhe pak çaste.
Por ama, jo edhe aq punë e lehtë sa thua ti apo ai miku yt, - ia ktheu Shpendi.
Shumëkush mendon ashtu. Për kah koha, ndoshta mund të qëndrojë kjo, por mjeshtëria kërkon përgatitje. E thashë më shumë për humor, sesa për të ridefinuar diç. Sido që të jetë, për mua poezia mbetet maja e letërsisë. Arti i baronëve thoshte një mik imi.
Bukur e paska thënë. Ajo tani për tani, lexohet nga shtresa të zgjedhura lexuesish, dhe gjithnjë e më pak. Ndoshta në shumë raste ajo është bërë shumë hermetike dhe është e vështire për t’u kuptuar.
Megjithatë, ka sot poezi të ndryshme për të gjitha shtresat, - ia preu Blendi.
Flas për majat e poezisë. Është e vërtetë se sot kemi poezi e poezi. Në të shumtën e rasteve, nga ato që aluduat ju, një pjesë janë të palexueshme e të padurueshme. Herë-herë kjo poezi është e mbytur përkushtimeve, saqë unë nuk e quaj poezi, por thjesht ca fjalë të autorit. 
Je shumë i prerë me kritere të ashpra, mor Shpend.
Ndoshta. 
Unë pajtohem plotësisht me atë që thua. Bile-bile, shpesh më ka shkuar mendja se edhe me poezinë po luhet shumë.
Është hulumtim stilesh dhe secili autor synon të sjellë diç të re në varg. Megjithatë rrallë ia dalin të sjellin forma të reja në poezi. Poezia e sotme, që ne po e quajmë moderne, është cunguar shumë, saqë shpesh më duket se nuk është më poezi. Pastaj, ka autorë që bëjnë vargje në tre-katër rreshta dhe e quajnë poezi, e tjerë, e tjerë. Nuk ka ndonjë rregull të prerë për poezinë, dhe kjo i mbulon të metat që e përcjellin edhe poezinë. Këtë laramani stilesh e arsyetoj me faktin e dëshirave dhe shtresave të ndryshme të lexuesit.
Nuk isha i qartë në këtë se çfarë doni të thoni?
Ha, ha! - Mendoj se edhe lexuesi për nga shija është i ndryshëm, dhe me këtë laramani stilesh ai ka shumëçka të zgjedhë. Mendoj se kjo e ndihmon leximin e poezisë nga shtresa të ndryshme të shoqërisë. Mendimi se te ne poezia krijohet shumë dhe lexohet pak, më brengos. Më brengos ashtu siç më brengos fakti se libri në përgjithësi po lexohet pak. Ky është një fakt brengosës. Do ta krahasoja këtë me një fakt të lexuar diku. Skocezët deri në vdekje, për çdo frymë njeriu, lexojnë deri në njëmijë libra. Pra, është fjala për një mesatare. Dhe kjo kur shikohet te ne, vërtet është brengosëse. 
Një kulturë e lartë e të lexuarit, apo? Unë i shoh edhe zviceranët që lexojnë shumë. Por, nga disa hulumtime që kam bërë, edhe këtu poezia i takon një shtrese të caktuar të lexuesve, - plotësoi Blendi. 
Poezia kërkon kulturë dhe njohuri të lartë të të kuptuarit në lexim, dhe është pak e rëndë për t’u kuptuar thelbi i saj. Flas për shtresa të caktuara të lexuesit, prandaj shumica i largohen asaj. Unë poezinë e shoh si ushqim shpirtëror që në çaste të caktuara më qetëson. Kur e lexoj atë,  ndjehem i pushuar nga streset dhe lodhja  psikike. 
Trokitja nga prapa derës i tërhoqi vëmendjen Shpendit e Blendit. 
Hyr! -  tha Shpendi..
Dera u hap lehtë dhe pas saj u shfaq Vjollca. Ajo hyri lehtë në dhomë, duke menduar se mos i pengonte shokët në lexim.
Se mos ju pengoj, ndoshta po mësoni! - tha Vjollca. 
Jo, jo, po bisedonim. Në fakt Shpendi ishte duke shkruar dhe unë e nxora nga puna. Po flisnim për poezinë, ama jo për vajza, se mos na hidhërohet Shpendi- tha Blendi me humor.
Jo, fare! - tha Shpendi. - Urdhëro e ulu! - iu drejtua Vjollcës.
Ku e lamë e ku na mbeti! - recitoi Blendi.
Eh, Noli i shkretë! Vetëm ata që e kanë përjetuar një fat të tillë si të tij, ia njohin më së miri klithmën e vargut të tij. Të jesh larg atdheut, apo të vihesh në pozita të një të arratisuri, do ta ndjesh klithmën e çdo shkronje brenda vargut. A nuk është ashtu?
Mua më pëlqen shumë poezia e tij, - shtoi Vjollca.
Është klithma e shpirtit të kombit për kohën të cilën e prezanton vargu i tij, - tha Blendi, - se dolëm te Rilindja Kombëtare.
Eh, ajo kohë dha poetë që i vulosën rrënjët e letërsisë dhe për mua kjo poezi më tërheq gjithmonë. Ajo mbetet poezia më e respektuar për mua. Një kohë ka qenë edhe burim i frymëzimit tim, dhe ushqim i idealizmit tim kombëtar. Dhe, sa herë që ndjej mall për zgjim ndjenjash të idealizmit, i lexoj me shumë kënaqësi këta poetë. 
Poezia e tyre përkon me realitetin dhe zhvillimet e kohës. Pra, i qëndron realitetit kohor, shumë besnike edhe në varg, gjë që për poezinë dhe disa poetë të sotëm nuk lidhen shumë me realitetin dhe zhvillimet e kohës. Te disa, bile mendoj se ku jetojnë këta njerëz që rrinë larg realitetit kohor.
Ke shumë të drejtë Blendi. Në Kosovë e kishim një luftë, që te shumica e poetëve, as që zihet në gojë ajo. Janë aq larg realitetit saqë nuk mund t’u besosh në asnjë varg. Trajtimi i luftës, sikur u dhemb në krijimtari. Kjo për mua, disa krijues, i ka fshirë nga faqet e letërsisë. Le t’u këndojnë ëndrrave e klaneve. Mendo se pak krijues po merren me trajtimin e saj. 
Këtë e kam vërejtur  edhe unë te krijuesit në Kosovë, - ndërhyri Shpendi.
Është shumë e vërtetë. Bile, për pjesën që merret edhe me temat aktuale, sidomos atë te luftës, pjesa tjetër, ndjenë njëfarë ironie. Kjo më ka rastisur të dëgjoj shpeshherë, për çfarë edhe jam mllefosur. Një kritik, që për mua është edhe poet i mirë, në një vlerësim që i bën një libri të një poeti, e thotë: në vargun e tij e ndjejmë frymën e kohës, brenda së cilës përpëlitet ai dhe populli i tij për mbijetesë, por ai i mungon një kohe shumë delikate, siç ishte lufta. Aty bën anashkalim, thuaj se asgjë s’ka ndodhur, dhe del te paslufta. Kjo flet qartë për një joseriozitet në krijimin e vargut.
Paska pasur të drejtë kritika. Për mua, të tillët nuk mund t’i qëndrojnë kohës, sepse vetë kërkesat e lexuesit për një kohë të caktuar, kur ai i ka munguar asaj, do ta hedhin në harrim. Unë nuk dua të them, që me poezinë të bëhemi kronikanë, por ama të jemi besnikë me kohën dhe të krijojmë vizionin e të ardhmes te lexuesi.
Ashtu tha Shpendi, - drejt Blendit, - se mos na mërzitet Vjollca. 
Jo aspak, - tha ajo.
Ne do të dalim pak, - tha Shpendi.
Ndërsa unë kam ca punë rreth përgatitjes së një cikli me poezi për një revistë, - tha Blendi, dhe e hapi derën e vitrinës ku i mbante librat e tij. Ju kalofshi mirë dhe kujdes me Vjollcën! - shtoi Blendi me humor.
Do t’i kem parasysh porositë tuaja, zoti Blendi! - ia ktheu Shpendi duke qeshur.
Ata ikën drejt sheshit të qytetit, ndërsa Blendi u ul pranë tavolinës rreth dritares dhe filloi të shkruajë.       
 
 
KAPITULLI XI
 
Një letër për ty Shpend, - tha Vjollca në çastin kur po hynte në dhomë.
Mos i shkruan ndonjë e dashur, - ia priti Blendi nga krevati ku po rrinte i shtrirë.
Po të ishte ashtu, s'do t’ia sillja unë atë letër.
Hopa, e zbulova! - klithi Blendi. - Shiko se mos na bëhesh xheloze tani në këtë Romeon tonë.
Jo, o jo! - Shpendin e njoh më mirë se ti.
Domethënë, e beson?
Shumë, - ia priti Vjollca. 
Po ti, pse s'flet he burrë!? - tha Blendi në drejtim të Shpendit.
Nga kush? - pyeti Shpendi në drejtim të Vjollcës. 
Nga Lidhja e Shkrimtarëve të ADS-së, me sa lexova.
E sheh se je xheloze, përderisa e ke lexuar nga kush vjen, - ndërhyri Blendi.
Veç i hodha një sy, - tha Vjollca, - tek po ia jepte letrën Shpendit. 
Faleminderit, - tha ai, dhe e mori letrën në dorë. Qenka letër nga Lidhja. Derisa Shpendi po e shfletonte letrën dhe po e lexonte, në dhomë ra një heshtje. Blendi, siç duket ishte rikthyer në lexim, ndërsa Vjollca e kishte marrë vendin pranë tavolinës dhe ishte ulur.
Është një njoftim rreth pranimit të anëtarëve të rinj në lidhje dhe disa ftesa për të marrë pjesë në konkurse në të gjitha zhanret e letërsisë. Pastaj, njoftimet rreth të hyrave buxhetore nga kontoja shtetërore në atë të lidhjes. 
Aktivitet shumë trasparent, apo? - tha Blendi. - Të vijnë shumë letra nga Lidhja.
Çdo të dytën javë. Lidhja e bën një punë shumë transparente dhe secili krijues është i barabartë. Bile, ajo me këto skripte në formën e informatorëve që i përcjell rregullisht, luan një rol të madh edhe në afirmimin e krijuesve, nëpër institucione vendore dhe te lexuesi. 
Shembull për lakmi, apo?
Tamam ashtu, Blendi. Ndoshta do të ishte shembull i mirë edhe për institucionet tona, në veçanti ato të qarqeve letrare të mësonin nga kjo formë, megjithëse ka shumëçka të mësohet nga këtu. 
Mendon se jemi larg nga ky nivel i organizimeve? 
Ka shumëçka që nuk shkon në rregull te ne, - u përgjigj Shpendi në drejtim të Vjollcës. Dhe roli i institucioneve, në veçanti atyre kulturore, në afirmimin e krijuesit, sidomos atyre të rinj, nuk është askund. Brenda kësaj çështjeje, shpeshherë është sjellë suksesi dhe mossuksesi i krijuesit te ne. Në shikim të parë, kjo tingëllon absurde, por në i bëjmë një analizë detaje kësaj çështje dhe do të bindeni edhe vetë.
Vjollca e përcolli me habi këtë mendim të Shpendit. Si është e mundur që institucionet, apo dikush brenda këtyre institucioneve ta përcaktojë fatin e afirmimit të krijuesit? Kjo pyetje po e mundonte, por nuk kishte guxim ta shtronte. Këtë habi të Vjollcës e hetonte shumë mirë Shpendi.
Ndoshta është pak e çuditshme, - tha Shpendi.
Domethënë, pavarësia juaj krijuese, sërish e varur brenda institucioneve.
Çështjet janë të lidhura zinxhir njëra me tjetrën, dhe këtu edhe më tej ndërlidhen. Jam për atë që pavarësinë krijuese mos ta varë brenda institucioneve dhe jam shumë i përcaktuar për të. Përderisa disa institucione ekzistojnë, ato duhet të jenë lokomotivë shtytëse e sukseseve më të mëdha të krijuesit. Me një fjalë, ato janë një rrugë e dytë në afirmimin e krijuesit. Dhe, meqë suksesi dhe mossuksesi i krijuesit te ne është varur nga rrethanat e përgjithshme shoqërore, roli i institucioneve, në veçanti atyre letrare, për krijuesin kanë qenë të rëndësishme. Dhe kur flas për këtë, e kam parasysh hapësirën krijuese që mund ta përcaktojnë faktorët e zhvillimeve politike brenda një sistemi të caktuar. Nëse një krijues është i prirë ta thotë mendimin e lirë, por nuk u përshtatet zhvillimeve politike në kohë të caktuar, hapësira e tij është e kufizuar. Dhe, ku janë institucionet? Në cilat pozita vihen ato? Në atë mbrojtëse dhe afirmative, apo në atë denigruese dhe diferencuese. E para, do ta ndihmonte shkrimtarin dhe fjalën e lirë, për çka edhe e kanë për detyrë këto institucione. Ndërsa e dyta, do ta varroste për një kohë të caktuar fjalën dhe suksesin e shkrimtarit. Kjo ka ndodhur dhe po ndodh edhe sot te ne, - tha Shpendi.
Në ato çaste, në dhomë hyri Blerimi dhe Drini, të cilët po ktheheshin nga ligjëratat.
Paskemi mysafirë, - tha Blerimi. - Mirëdita dhoma e poetëve!
Do të na diplomoni përpara kohe ju të dy, - ia ktheu Blendi. – Apo, mos keni rënë diku? Kujdes unazën e Drinit!
Nuk e japim lehtë beqarinë ne, pastaj kemi lidhur besë me unaza, - ia ktheu Blerimi.
Një ditë edhe ju, - u përgjigj Drini, në drejtim të Shpendit. 
Domethënë, intrigoni në Vjollcën? - ngacmoi Blendi.
Ndoshta edhe te ti një ditë.
Mjaft, o mjaft se na nxore nga tema e bisedës! Vazhdo Shpendi! - tha Blendi.
Nëse pak kthehemi mbrapa dhe vëmë ballë për ballë institucionet, t’i marrim shoqatat, klubet letrare apo edhe institucionet tjera, të cilat drejtpërsëdrejti kanë qenë të varura nga institucionet shtetërore dhe krijuesin me kërkesat e tij për një liri të plotë të mendimit, do të ballafaqohemi në shumë raste me këtë fenomen. Pra, kur krijuesi nuk u është përshtatur interesave, institucioneve, pa qoftë edhe interesave të individëve nëpër ato institucione, është përballur me pengesa. Në këtë rast, për disa krijues, këto institucione kanë luajtur rol negativ. Ndërkaq, për ata që u janë përshtatur këtyre interesave, këto institucione kanë luajtur rol pozitiv në afirmimi e krijuesit në shoqëri. Në këto kohë kemi pasur rënie të shkrimtarëve që ka pasur shumë nevojë letërsia për ta dhe ngritje të tepruara, që i kanë vënë njolla letërsisë. A nuk janë njolla në letërsi, vargjet për sistemet, për individët politikë, që u prinë atyre sistemeve politike në shoqëri?! Të gjitha këto u bëhen barrë e rëndë letrave tona dhe i njollosin ato. Në anën tjetër, shumë krijues kanë përfituar nga këto përshtatje, pa llogaritur në misionin e vet dhe të pendës. Unë këto  përshtatje i mohoj plotësisht dhe as që i pranoj si vlera në letërsi. 
Ç'thua për sot Shpend? - pyeti Vjollca.
Është njësoj. Janë po ata individë me po ato shkolla. Me po atë mentalitet dhe do të na duhet kohë deri te një transformim rrënjësor, në veçanti, kur jemi te këto çështje. Unë njoh edhe sot shkrimtarë, që në raport me këto institucione, janë të diskriminuar. Ndoshta jo publikisht, por në prapaskenë ka raste. Aq më keq kur këto institucione tani janë klanizuar e parcializuar rrymave politike që po zhvillohen te ne dhe, edhe nëse tenton të mbetesh apolitik, të përplasin dika, vetëm pse e kundërshton një mendim të caktuar. Dhe, pasi të të kenë hedhur në ndonjë krah, ti je i "dënuar" nga këto far institucione. Fatkeqësi, apo jo?! Dhe, ana tjetër, të përkëdhelurit, qofshin vlera apo jovlera për letërsinë, lavdërohen, ngrihen e afirmohen nga këto institucione koluareske. 
Për shembull? - ndërhyri Blerimi.
Nëse i përcjell promovimet, përzgjedhjet e antologjive, hapësirat në mjetet e informimit, shpërblimet, mjetet për botimin e librave, e tjera, e tjera, të gjitha këto e bëjnë atë kaosin mes institucioneve dhe krijuesit. Ka shumë çështje tjera në prapaskene, që u takojnë individëve që janë në ato pozita. Dhe, kur ata me djallëzinë e tyre të zezë vihen në dëm të krijuesit, sjellin shumë dëme. Të tillë ka mjaft, që me preferencat e tyre kanë ndikuar shumë te përkthyesit e huaj, te përzgjedhësit e antologjive, te hapësira afirmative e krijuesit. Të gjitha këto dihen pa u vënë pikë problemeve. Është fat i mirë kur shkrimtari është i pavarur nga askush. Sado pengesa të ketë, ai do t’i tejkalojë, bile, do të dalë shumë më i fortë dhe më i pastër përballë së ardhmes.
Ti o Shpend, kërkon të mbetesh vertikale e kohës, - tha Drini.
Le të jetë ashtu. Nganjëherë është më mirë i vdekur se i nënshtruar. Vetëm kështu mund ta mbrojmë parimin e shëndoshmërisë njerëzore dhe të letërsisë. 
Të them të drejtën, për këto vitet e njohjes me Shpendin, kam përfituar shumë nga vendosmëria e tij. Bile me këtë frymë, më ka bërë të ndihem edhe krenar karshi kohës që shtrohet përpara meje dhe së ardhmes, - ndërhyri Blendi.
Ndaj, po i vuan edhe Shpendi këto padrejtësi.
Punë e madhe! - Koha do të flasë vetë, -  tha Shpendi.
Bisedat mes shokëve vazhduan deri në mbrëmjen e vonë rreth preokupimeve për të ardhmen. 
                                     
 
KAPITULLI XII
 
Jeni paraqitur në konkursin letrar? - pyeti Drita derisa po hynte në derë.
Shiko, shiko, paska ardhur të na e kujtojë, mos e ke me të hedhur? - ia priti Blendi.
Jo, kot pyeta. E kam lexuar diku se ishte një konkurs poezie.
Ne gati kishim harruar për epilogun e atij konkursi, dhe ti na e kujton tani, - u përgjigj Shpendi, i cili po lexonte një libër në tavolinën pranë dritares. 
Pse qenka mbajtur? – pyeti e habitur Drita
Ke qenë këtej dje? – tha Shpendi, në drejtim të Dritës
Hë, prandaj nuk ishit dje në internat – shtoi Ajo. Ishit edhe ju?
E dija se të ka munguar Blendi. Kur do ta shpallni fejesën?
Revansh! - klithi Blendi.
Drita shikoi drejt Blendit dhe uli kokën, ndërsa Shpendi përcolli me buzëqeshje lëvizjet e saj. Ai sikur kërkonte me çdo kusht të zbulonte diç brenda ndryshimeve të saj. 
Vërtet, si u ndatë? - deshi të dalë nga ajo gjendje që u krijua. 
Aspak të kënaqur, - tha Blendi.
Se nuk fituat ju, apo?
I fituari është caktuar, që ditën kur është caktuar organizimi i një manifestimi të tillë. Kjo nuk na çudit aspak dhe as që kemi pritur diç të drejtë e të bukur nga ky takim, - shpjegoi Shpendi.
Vetëm sa për të marrë pjesë dhe për t’u paraqitur. Përndryshe, epilogu i një organizimi të tillë, dihet si shumë herë te ne, - plotësoi Blendi.
Pse nuk i thua, se e kishim më tepër për të marrë pjesë në një sprovë drejtësie. 
Se, mos del klasike Shpendi!
Në ato çaste në dhomë hyri Blerimi e Drini. 
Mirëdita! - përshëndetën të dy.
Qenkeni mbledhur kokë më kokë e i qani hallet.
Domethënë, e vëni në dyshim ndarjen e çmimit?- tha Drita, sa për të vazhduar ku mbetën.
S'ka dilema, - tha Blendi.
Sërish me atë të djeshmen? - pyeti Blerimi.
Nuk e di si e filluam.
Ndoshta unë e nisa, - tha Drita në drejtim të Shpendit.
Kishte vërtet parregullsi në atë mes, - ia priti Drini, i cili donte të tregonte se edhe kishte marrë pjesë në atë tubim.
Pse mos, dhe ti ke konkurruar? - pyeti Drita, më tepër për nxitje të humorit.
Ha-ha-ha, - u dëgjua e qeshura në dhomë. 
Jo po ishte e thjeshtë për t’u kuptuar. Edhe idiot po të ishe, do t’i merrje vesh punët. 
Ka të drejtë Drini, - tha Shpendi, sa për ta qetësuar situatën. Në juri ishte caktuar një person, që kurrë nuk kishte publikuar poezi. Së dyti, shpërblimin i jep një personi që aspak nuk e ka merituar. Një poezi, që më tepër i ngjante përkushtimeve, apo një tregimi amator që edhe haber mos të kesh në poezi, do ta kuptosh çfarë është e dobët. Për poezinë nuk do të flas më, se për mua nuk ishte as poezi. Ky është mendimi i shumicës nga poetët pjesëmarrës. Por, të gjitha këto ishin servuar e konservuar në baza partiake dhe s’ke çfarë diskutosh më tepër rreth shpërblimit.
Bukur ia bëre! - Ia the në sy të gjitha, në tavolinë pas takimit, - tha Drini.
Nëse do të vazhdojmë, ta ulim kokën përpara padrejtësive, ato do të na ndjekin gjithmonë nga pas. 
Shpendi ia punoi bukur të gjitha në sy. Edhe jurisë, edhe fituesit, - plotësoi Blendi.
I pe si ikën? - Nuk patën guxim të rrinin në tavolinë. Sa po filluan të reagojnë edhe tjerët, ata u zgjuan. Dhe merre me mend, çfarë tha "juria"; Për sonte, bosi është fituesi. Dhe ikën drejt një "bari nate". E tha me humor, për ta nxjerrë veten, por ama ra më keq.
Bukur e tha Drini, tamam ashtu ishte. 
Shumëçka është parcializuar brenda grupeve të ngushta, më tepër në baza partie dhe brenda këtyre grupeve nuk ka asgjë. S'ka as letërsi të mirëfilltë aty. Është një politizim i tepruar që nuk i lë njerëzit të ecin përpara lirshëm. Aq më keq, për krijuesit e cunguar brenda kësaj mendje ngushtësie kur i lejojnë vetes të bien viktimë e gjithkujt, se mos dal nga tema. Shpërblimi që u nda dje, dhe shumica që po ndahen nëpër këso organizime, u mungon merita e drejtësisë. Janë bërë si ato lojërat e fëmijëve, kur secili anonte nga i veti. Është turp i kohës.
Përgjithësisht thua, apo ka përjashtime Shpend? - ndërhyri Drita.
Jo. Është gabim të flitet në përgjithësi. Ka përjashtime, sepse ka edhe njerëz të sinqertë që e mbrojnë etikën e drejtësisë, e në këso raste atë të më të mirit. Por, nga këto që po ndodhin te ne, janë turpi i logjikave mendjengushta. 
Edhe çmimi Nobel për mua është bërë i dyshimtë. Këtë vit ia dhanë një Iranianeje. Çka mendon ti Shpend?- ndërhyri Blerimi.
Ka plot vend për dyshime. 
Edhe unë ashtu mendoj, - u pajtua Blendi.
Ka shumë interesa politika e strategjike me qëllime të caktuara. Mungon qëllimi parësor. Nëse i ndahet vetëm për letërsi, atëherë nuk e ka merituar, sipas meje. Por këtu është bërë një, politika me letërsinë dhe nuk ka më besim. Kryekëput, politik.
Edhe mua, që ditën kur kam dëgjuar për këtë, kam dyshuar, - plotësoi Drita.
Janë disa zhvillime politike atje, që bien në kundërshtim me politikat evropiane dhe këta të dytit mundohen të vënë një linjë tjetër të orientimit, e cila ndoshta do të krijonte tjera raporte dhe rrethana. Pikërisht këtu qëndron strategjia e ndarjes së atij çmimi. Le të jetë si të do me këtë çmim, por është halli i shpërblimeve te ne. 
Jemi bërë lokalistë, mor Shpend, - tha me humor Blendi.
Hallall na qoftë! Bota shkon drejt globalizmit, ndërsa ne në sistemin praktik të organizimit, kemi filluar me të madhe ta zbatojmë parcializmin.
Ndoshta jemi vonuar, dhe kjo fazë që po e kalojmë, është e demoduar për kohën. 
Si do që të jetë, këtu i ka futur thonjtë politika parciale dhe po mundohet t’ia zërë frymën mendimit të lirë dhe letërsisë. Kohë e ligë shokët e mi. Një e ardhme plot me sfida po na pret edhe neve dhe kjo mua po më brengos shumë. Ne të gjithë në fund të këtij viti do të dalim nga këto banka, po pastaj? Dhe për ta lidhur me këtë, desha të them se shumë zhvillime të jetës te ne po zhvillohen kësisoj, si kjo puna e shpërblimeve. Ku do vemi ne, të panënshtruarit dhe të papërkëdhelurit e partive e grupeve parciale, apo, mos o zot edhe ne duhet të djallëzohemi?! - E di kush nga ju përgjigjen e kësaj pyetjeje?
Të gjithë i rrudhën krahët dhe filluan të mendojnë rreth pyetjes së Shpendit. 
 
 
KAPITULLI  XIII
 
Unë e kam gjetur përgjigjen, - tha Drita në drejtim të Shpendit të nesërmen deri sa po drekonin në kuzhinën e internatit. 
Pse, mos ke vendosur të hysh në politikë? - ia preu shkurt ai.
Ashtu disi, por partinë s'po e gjej, - ia ktheu me humor ajo.
Politikane Drita! - klithi nga përtej Drini.
Pse, ç'na kujton ti ore?
Jo, jo, - asgjë. Pse, mos edhe ti, do të na bëhesh politikan? - e pyeti Drini Blendin.
Ndoshta, se pastaj na duhet një vend pune. Ndoshta, mëma parti ma zgjidh hallin.
Plasi e qeshura në mesin e shokëve. Qeshi edhe Shpendi, i cili këtë kohën e fundit, rrallë shihej të buzëqeshej. Një preokupim gjithmonë ia vidhte atë. Qeshi edhe Loni, Era e Blerimi, që deri në ato çaste nuk kishin folur asnjë fjalë. 
Domethënë, ju si intelektual të ardhshëm të kësaj shoqërie, e paskeni zgjidhur hallin e së ardhmes, - tha Shpendi, - po s'na i treguat emrat e partive, nga doni të aderoni?
Unë, vetëm bëra shaka. Ndryshe, fatin e së ardhmes sime, kurrë nuk do ta lidhja përmes politikës, - tha Drita. 
As unë nuk do ta flijoj pozitën time, për interesa të ngushta, - pohoi Blendi.
Po ti, edhe ashtu do të ishe një politikan i vogël i provincës, - ngacmoi Shpendi.
Pse, provincë e politikës të duket Kukësi?
Ashtu disi.
Sërish ra e qeshura mes shokëve.
Mos deshe të thuash Ballkani, - tha dikush mes të qeshurës.
Ndoshta. Sot është shumë e lehtë të bëhesh politikan. Mjafton të aderosh në njërën nga partitë dhe hop, disa hapa i ke bërë. Pak reklamë nëpër fushata elektorale dhe ti je ylli. Esenca e problemit qëndron në faktin se ti je i përcaktuar në programe partiake dhe është pikëpyetje a je vënë në ballë të interesave gjithpopullore, kombëtare e shtetërore. Këtë e thashë mu për faktin, se shumë interesa të popullit sot te ne po nëpërkëmben, pikërisht nga partitë, për arsye të ndryshme individuale e klanore. Mjafton të shikohet pakënaqësia e popullit në raport me politikën sot. E si do të ndihet intelektuali? Të jesh intelektual sot dhe të mos jesh në politikë, je i harruar nga shoqëria.
Kujdes se mos ia mbush mendjen ndonjërit nga ne, - ndërhyri Loni.
Ndoshta Drinit, - ngacmoi Blendi.
Ty ose Dritës, - ia ktheu Drini.
Bukur ia ktheu, - Loni i pëshpëriti Erës me zë të ulët.
Sipas kësaj, gjithçka ka kaluar në duar të politikës, - shtoi Blerimi.
Politika është bërë modë te ne, si në vitet e shtatëdhjeta e pas, xhinsat, - plotësoi Blendi.
Sipas kësaj, bota na u sjellka rreth politikanëve.
Shumëçka ka kaluar në duar të politikës, - u përgjigj Shpendi në drejtim të Erës. 
Përgjithësisht edhe populli është politizuar shumë.
Ka të drejtë Blendi. - Robëria e gjatë e ka bërë atë t’i drejtojë sytë kah politika. Por, kjo modë nuk do të zgjatë shumë. Është një fazë kalimtare të cilën do ta demodojë koha dhe hallet. Gjithçka do të kalojë në tepri, deri në ironi. Unë këtë e kam ndier qysh në fillim të këtyre zhvillimeve. Bile, ne kemi shembull të mirë këtu ku jemi. U intereson këtyre aq shumë politika sa na intereson neve? Apo ju ka rënë rasti të takoni dikë që të zihet për politikë a parti. - Kurrë! Unë nuk dua të them që mos të interesohemi fare, por një politizim i tepruar te ne, ka sjellë përçarje. 
Si mendon Shpend, thua se të gjithë politikanët i takojnë një grumbulli? - pyeti Drita.
Jo, nuk mendoj ashtu. Ka nga ata që vërtet e duan atdheun dhe janë vënë në ballë të interesave të tij, por, ka edhe nga ata që janë vënë në shërbim të interesave individuale e karrieriste. Karrigia është e butë dhe e lakmojnë shumica, por ka edhe nga ata që aspak nuk kanë merituar të jenë në politikë. 
Unë do ta bëj një krahasim me të kaluarën. Kishim atdhetarë dhe kolaboratorë. Të parët i shërbenin idealit kombëtar, duke e vënë në rrezik edhe kokën e tyre; të dytët i shërbenin okupatorit. - Po sot?! Kemi politikanë që vërtet i shërbejnë popullit dhe interesave të atdheut. Dhe kemi të tillë që e plaçkitin atë - shtetin. Pra, e dëmtojnë interesin e përgjithshëm të shoqërisë sonë. Dhe këta njerëz,  kryejnë atë punën e atyre kolaboratorëve dikur.
Të lumtë Shpend! - Bukur e the, - tha Loni.
Vërtet ashtu është, - pohoi Blerimi. - Këta të dytët vërtet po e dëmtojnë atdheun.
Këto më së miri i vlerëson populli. Ndoshta ai nuk ngutet, por kur të të dënojë, nuk ka fuqi në botë që të të falë më. Mua më brengos halli i intelektualit të paangazhuar në këto procese, i cili ka mbetur nën hijen e kohës.
Unë mendojë se pozita e intelektualit në shoqërinë tonë të sotme, ka kaluar nën hijen e autoriteteve politike dhe gati-ati, ka mbetur i harruar. Janë ngjitur politikanë me bollëk siç e thoni ju kosovarët në skenë dhe auditori nuk ka kohë t’i dëgjojë intelektualët, - th Blendi.
Le të merret ky auditor me ta, derisa një ditë të ngopet dhe ta kuptojë se gjithçka është tepruar, - ndërhyri Loni. 
Unë këtu i kam pyetur disa njerëz, dhe shumica nuk e dinë as kush është kryetari. As që u interesonte bile, - tha Era.
Këta nuk humbin kohë pas fushatave elektorale për të dhënë duartrokitje boshe prapa individëve. Pastaj, edhe bujku që e punon tokën, ndjehet i barabartë me kryetarin e shtetit dhe unë e çmoj këtë demokraci.
Larg jemi ne nga kjo demokraci, - tha Drini në drejtim të Vjollcës.
Unë s'doja t’i ndaja intelektualët nga politika, por në politikë nuk ka vend për të gjithë intelektualët, ashtu siç nuk e kanë vendin shumë politikanë që kanë hyrë në të. Dhe këtu, del halli i shumë intelektualëve të ngritur dhe të përgatitur shkencërisht dhe me tituj, e që fatit të tyre i prijnë shumë politikanë naivë. Do ta tregoj një histori për ta argumentuar këtë: Një mik imi më kishte ftuar për një vizitë në Prishtinë. Ai kishte doktoruar në letërsi dhe ishte kritik i shkëlqyeshëm. Ishte kohë e fushatave elektorale që mbaheshin kudo. Meqë ishim afër, u gjendëm edhe ne në mesin e masës së tubuar. Takuam dhe shumë miq tjerë atje, kryesisht njerëz të dijes. Përpara na mbanin fjalim ca politikanë që mezi u dilnin fjalive deri në fund dhe asgjë nuk thoshin. Shtonin premtime e premtime. Atdheun do ta bënin parajsë. Nuk mundëm të duronim deri në fund. Mjerë  atdheu, më tha miku dhe ikëm drejt universitetit. Në ato çaste, Prishtina m’u duk e zymtë, dhe as diellin mbi Kosovë atë ditë nuk e pashë. Me mikun biseduam gjatë për pozitën e intelektualit të paangazhuar në politikë dhe për çudi, në shumë pika kishim konstatime të njëjta, sikur të kishim biseduar me vite për këtë çështje. Unë e them se pozita e intelektualit, edhe shumë kohë do të nëpërkëmbet te ne, përderisa t’i lejojmë politikanët gjysmakë të na i servojnë politikat e tyre. Atdheu ka nevojë për politikanë dhe intelektualë, vlerat e të cilëve do të reflektonin perspektivë dhe ardhmëri të ndritshme. 
 


KAPITULLI XIV
 
Shpendi, ulur pranë tavolinës, duke lexuar gazetën, radhazi shfletonte faqet  e kulturës. 
Mirdita! - përshëndeti Blendi, tek po hynte në dhomë.
Mbarove?- Ai aludo në ligjëratat.
Deri tani. Po ç'thotë kritika sot?
Kritika? - apo kritika në thonjëza?
Blendi shikoi habitshëm në drejtim të Shpendit dhe e luhati kokën disa herë.
E çuditshme? - ia ktheu Shpendi.
Nuk e pata aty. Më bën përshtypje finesa jote e hollë e kapjes së gjërave. U shkon shumë thellë çështjeve dhe i zhvesh ato deri në palcë.
Jemi bërë edhe ne njëfarë kritiku, - e tha me humor Shpendi. Në këtë kohë, seç më dalin dy lloj kritikësh.
Si ka mundësi?
Në kritikë dhe kritikë në thonjëza, - ia ktheu Shpendi.
Djall e ke mendjen!
Vërtet?
Po, si i ndan ti ata?
Unë e pranoj faktin se, koha ka prurë shumë të arritura edhe në letërsi, ashtu siç është ngritur e rritur edhe niveli i shkollimit te ne dhe për t’i vlerësuar gjithë këto prirje në letërsi, nevojitet një kritikë, por, brenda këtyre zhvillimeve, po më lind njëfarë kaosi edhe në kritikë, dhe kjo po më bën të dyshoj. Po ma merr mendja se, kritika e mirëfilltë pjesërisht ka heshtur dhe është aktivizuar një lloj mëdyshje e kritikës e cila po më ngjall dyshim në vlera. 
Do të thuash, të mos kemi kritikë?
Kritikë po, por jo edhe "kritikë". Kritika, përveç që është e mirë për veprën dhe letërsinë, ajo është e rëndësishme edhe për lexuesin. Por, kritika duhet të kapet në kuptimin pozitiv të fjalës. Kjo çështje është shumë e rëndësishme se nga cili prizëm vlerësohet një vepër, por unë këtu, dua të dal diku tjetër. Do ta shtroja pyetjen, kush vlerëson sot? Kush është kritiku? Sa është real ai karshi interesave të kohës dhe kërkesave reale të letërsisë dhe nga cili tabor vjen? - kur dihet i gjithë ky politizim që ka ndodhur te ne. Pastaj, këtu, herë-herë shoh kritikë, që as edhe një varg të vetin nuk kanë arritur ta publikojnë diku, dhe hiqe njohës të kritikës. Për mua shumëçka nuk i shkon kohës.
Kjo që thoni, është shumë e vërtetë. Edhe në kritikë e shoh një ndarje nëpër taborë e klane, se mos del klasike kjo. Një pjesë ka mbetur në vijën e rregullt të kritikës, por një pjesë tjetër po ma merr mendja se janë klanizuar për qëllime të caktuara.
Mirë e tha Blendi, por unë e kam hallin te paraqitja e këtyre të dytëve, të cilët kurrë nuk do t’i pranoj për kritikë. Ata i janë vënë barrë kritikës së mirëfilltë, të cilën e kanë njollosur dhe kanë vënë shumëçka në dyshim. Merre me mend, këtu në gazetë një "kritik" i shpikur e lavdëron veprën e një miku të tij, që unë i njoh fare mirë të dy. Janë në një parti në politikë dhe ia ndihmojnë njëri tjetrit. 
Interesa klanesh, - ndërhyri Blendi.
O, po ka shumë interesa tjera që shkojnë zinxhir njëra pas tjetrës dhe këto interesa, i janë bërë barrë edhe kritikës. Unë këto gjëra kam filluar t’i absorboj me dyshim dhe t’i hulumtoj. Dhe, në momentin kur i vërtetoj se ka vija interesash e jo moral etik të kritikës, i hedh në koshin e plehrave. 
Ke filluar të jesh klasik në vendime.
Ndoshta, por ca gjëra vërtet nuk po mundem t’i përpij më.
As unë, hiç më mirë nuk po ndihem.
Aq më keq, për disa "kritikë" të rinj, të cilët vazhdojnë të bien viktimë e një mentaliteti të vjetruar. Një pjesë e tyre, siç thashë më herët, as edhe nga një varg nuk kanë qenë në gjendje ta publikojnë, dhe shtiren për kritikë. Dua të them se, janë disa gjëra që kërkojnë njohje të artit nga brenda. Vetëm atëherë do të mund t’i kapësh të gjitha segmentet e vlerësimit. Dhe, pikërisht këtij hulumtimi, ndoshta do të ishte mirë t’i shtohet edhe klasifikimi i kritikëve, në kritikë dhe "kritikë", kuptohet duke i pasur parasysh elementet që i përmenda më parë dhe shumë interesa tjera. Edhe këtu, njëherë e përgjithmonë duhet të ndahet shapi nga sheqeri. Ndryshe, këtij kaosi, patjetër se do ta pësonte arti dhe letërsia. 
Ky fenomen moti është shfaqur, por ndoshta jo në përmasa të tilla çfarë është sot. Mua ma merr mendja, si një fenomen në rritje, - shtoi Blendi.
Unë nuk e dua një kontroll të  rreptë në këtë çështje, se do ta mendonim, cenzurë ndoshta, por për një rregull të një kritike të mirëfilltë e cila pastaj do të pikëniste klasifikimin e veprave letrare në bazë të kritereve të shëndosha. Kjo ndoshta s'do t’i interesonte fare lexuesit, sepse në fund të fundit, ai zgjedh vetë. Me kohën, pason hartimi i programeve të reja shkollore, të cilët pa tjetër se do të prekeshin nga ky problem. Atëherë, do të vijnë në shprehje kriteret. Se sa do të respektohen ato pastaj, kjo është një problem në vete, por duke u mbështetur në kritikën, si kriter i parë i përzgjedhjes, problemi bëhet kompleks. Apo jo, Blendi?
Mendoj se nga prizmi që i shikoni gjërat, ju keni të drejtë, pa qoftë edhe në dyshime, është shumë e saktë se këta të dytët janë shtuar si tepër - u përgjigj Blendi.
Kërkojnë të jenë pjesë e rëndësishme e proceseve në shoqëri.
Bukur e thua.
 
KAPITULLI XV
 
Po afrohej fundi i vitit. Ishin muajt e fundit që Shpendi, Blendi, Blerimi, Drini, Era, Vjollca, Drita e Loni, po i kalonin në internat. Ata, për pak ditë do t’i mbronin temat e diplomës dhe do të mbarojnë studimet. E gjithë kjo kohë krijonte një ndjenjë kënaqësie në mesin e shokëve e shoqeve, se koha e vështirë e studimeve po mbaronte. Megjithatë, hetohej edhe ndjenja e nostalgjisë për vitet e kaluara bashkë. Ata ishin mbledhur rreth tavolinës në dhomën 105, apo siç e quanin shpesh me humor; dhoma e poetëve, dhe po gëzonin fundin e studimeve. 
Gëzuar, dhe për shumë suksese në jetë! - tha Shpendi, tek po e ngrinte gotën me verë.
Gëzuar! - thanë të gjithë, dhe i cakërronin gotat.
Urojmë edhe për studime pas-diplomike kush i ndjek ato, - uroi Blendi.
Urojmë! - plotësoi Shpendi.
 E po, gëzuar, Romeo ynë! - tha Blendi, derisa i cakërronte gotat me Drinin.
Gëzuar Romeot e mi! - ia ktheu Drini.
Kritikë për të gjithë, - shtoi Loni.
Por ama, me takt e me humor, - ia ktheu Blerimi.
Na e punoi shumicës, - tha Blendi.
Kujdes se mos hapni debat, e pastaj do të bëheni përrallë, - ia priti Era.
Debat po, por jo ama edhe kritikë, sepse në fund dikush mund të na dalë i hidhëruar.
Unë pajtohem me Shpendin. Është shumë e rëndësishme të dallojmë këto dy nocione.
Kujdes Era, se mos e hidhëron Vjollcën, ia priti Drini.
Qenka i disponuar për llafe sot dreqi! - pëshpëriti Era, në drejtim të Blendit.
Po i numëron ditët e beqarisë, dhe së shpejti do t’i bjerë në përqafim asaj Zhulietës, të cilën e ka përmalluar që prej një viti.
E shkreta, - shtoi Era, me humor.
Kujdes se mos e bën të qajë me lot.
Revansh se jo shaka! Më fal Shpendi se të ndërpreva më duket, - tha Shpendi. Edhe unë jam që Shpendi ta bëjë dallimin mes këtyre dy nocioneve. Ai është marrë më tepër në letërsi me këto çështje,  dhe meqë  kemi dy poetë këtu, le të debatojmë për debatin në letërsi, - ndërhyri Era.
Vërtet, mirë e ka Era. Debatohet sot për sot në letërsi te ne? - pyeti Blerimi.
Shumë pak, - tha Blendi, sepse shumë shpejtë kalohet nga debati në kritikë dhe gjithçka merr tjetër kahe. 
Është mungesë përvoje, për debate, njëkohësisht mungon edhe toleranca për debat. Prandaj, është e rëndësishme të ndahen këto dy nocione. Atëherë kur ngatërrohen të dy nocionet njëra me tjetrën, nuk ka sukses debati, - shtoi Shpendi. Në debat, për një çështje të caktuar, mund të hyhet me një shëndoshmëri njerëzore e intelektuale, pa qëllime djallëzore, por gjithmonë me qëllimin më të mirë të diskutimit dhe avancimit të një çështjeje të caktuar. Prandaj, kjo çështje te ne është shumë e ndjeshme, sepse shtrohet pyetja, kush ngrit debat? cilat janë njohuritë në fushën e caktuar? – Pra, është shumë e rëndësishme, se sa mund të respektohen kriteret që i shtron një debat për t’i dalë çështjes deri në fund. 
Doni të thoni se çështja kur djallëzohet dhe kalon në kritikë, prishet debati? 
Po, po, tamam kritika që bëhet me qëllime të caktuara dhe të djallëzuara, siç po ndodh shpesh te ne, e prish çdo debat, - u përgjigj Shpendi drejt Dritës.
Po për një debat të suksesshëm?- pyeti Era.
Mendoj se debatohet për çështje të përgjithshme, siç është letërsia, mendoj se mund të ketë sukses. Por kur situata i afrohet individualitetit, hyn në fazën kritike, sepse shumë lehtë mund të shndërrohet në kritikë. Edhe kritika mendoj se duhet të ndahet, në atë pozitive dhe negative. Pikërisht këtu qëndron çelësi i suksesit. Kur i kemi parasysh interesat, djallëzitë te ne, shumëçka ikën përtej realitetit. Pra, ashtu si edhe në shumë pore të jetës, edhe në këtë çështje, nuk shoh mundësi për debate të gjëra. Gjithçka është përzier brenda këtij lëmshi dhe është i vështirë suksesi. Njerëzit sot janë shumë të disponuar për kritikë, pa qoftë edhe të kuptimit negativ, sesa për debat. 
Fatkeqësi, apo? - pëshpëriti Era.
 
KAPITULLI XVI
 
Filloi fushata elektorale, - tha duke hyrë në derë Drini.
Pse s'thua fushata e fjalamanëve, - ia preu shkurt Blendi.
Phhhiu!- klithi me ironi Shpendi, dhe shikimin e treti drejt diellit kah dritarja.
Pse s'thoni se po bëhet mirë ju të dy?
Të përgëzoj për optimizëm mor Drin, por kush i duron këto ditë fjalamanët e fushatava, që atdheun e ndërtojnë në xhep e karrige. Keq e ke humbur besimin Shpend.
Ndoshta po, por kjo s’ka rëndësi. Unë jam vetëm një individ dhe s'u çon peshë shumë. Ajo që ka filluar të më brengos mua, është populli. Ai është habitur nga parajsa e fjalëve nëpër bina të improvizuara e ekrane televizive. Në fund të fundit, nga kualiteti dhe niveli i ulët politik i tyre, po e pësojmë të gjithë. Dhe së dyti, Kosova sa është e tyre, është edhe imja, jotja, e tjetrit, e e tjetrit. Dhe kemi të drejtë të brengosemi të gjithë. Për këto vite, pas largimit të okupatorit, dikush vuajti shumë e dikush u pasurua shumë. Po si?
Ndoshta, po ku ta di, ndoshta edhe kompetencat i kanë të kufizuara nga UNMIK-u.
Kur ka mossuksese, faji i hidhet tjetrit. Aty ku ka suksese i shpojmë gjokset duke i rrahur me gishtërinjtë tanë. Kemi filluar të ndërtojmë perandori e faraon. Këto do të na hakmerren në të ardhmen, sepse do ta kemi vështirë t’i rrëzojmë më vonë. Çka dua të them, sa u duhet vota, vrapojnë pas popullit, kur vijnë në pozita, e harrojnë atë. 
Tamam ashtu. Qëndrimi i gjatë në pushtet po i verbon dhe po shkëputen nga interesat e popullit, pastaj po harrojnë se populli është mbi ta, e ata janë vetëm argatët e tij, - shtoi Blendi. 
Mua ma merr mendja se po sillen rreth një rrethi vicioz të politikës, brenda së cilës një pjesë e mirë kanë gjetur hapësirë për veten dhe janë bërë mjeshtër të ruajtjes së pushtetit të vet, - shtoi Blerimi.
Mor, po ne jemi si konserva, i flasim kokë më kokë njëri tjetrit, kush më patriot se tjetri, e s'na dëgjon askush. Gjithçka po rrotullohet rreth famës dhe karriges.
Bukur tha Drini. Na ka rastisur bota shumë e madhe, e s'po na dëgjon, se s'do të na linte politikanë. OKB-në do ta mbushnim përplot, - tha me humor Blendi.
Populli i mjerë!
Ai nuk nxitohet, - pohoi shpendi në drejtim të Blerimit. Njëherë i shiten kumbullat e papjekura, së dyti i hedh në koshin e plehrave ato. Ai është si një gur i palëvizshëm nga vendi. Pavarësisht vërshimeve politike që na kanë pushtuar sot, një ditë do t’ua gjejë vendin të pamerituarve. 
Po, por ama do të bëhet vonë. 
Është proces ky dhe duhet kohe për një selektim. Apo për një sitje në sita, siç thotë populli. Do të ikë kohë, por mielli do të ndahet nga krundet. 
Për mua, këta fjalamanët e fushatave janë bërë të padurueshëm, - ndërhyri Drini.
Vërtet ka të drejtë Drini, – shtoi Shpendi.  Unë në një pjesë bukur të madhe, nuk shoh përgjegjësi të fjalës, të premtimit e të mashtrimit. Janë bërë zhurmaxhinj fushatash, që vetë ia prishin qetësinë popullit. E mashtrojnë e e gënjejnë atë. I premtojnë e i bëjnë parajsë të ardhmes, vetëm e vetëm për t’ua marrë votën. Dhe kur vijnë në pushtet, thonë, nuk kemi mjete. Unë në këtë mes shoh shumë defekte. Shumë premtime e fjalë të pavlera. Ju ka rënë rasti të dëgjoni për kandidimin e këtyre zviceranëve? Nuk bëjnë as fushata e as shumë premtime. I selektojnë një ose dy prioritete për mandatin që e kërkojnë dhe i realizojnë ato. Te ne shtrojnë njëqind premtime dhe nuk realizojnë fare. Pra, unë këtu e shoh joseriozitetin e tyre dhe jopërgjegjësinë përpara detyrave të shtruara dhe përpara fjalës së dhënë elektoratit.
Kjo po përsëritet edhe te ne në Shqipëri, - ndërpreu Blendi.
Përgjithësisht në politikat ballkanike po përsëriten të njëjtat metoda. Për eliminimin e këtyre dobësive, mendoj se duhet një vetëdijesim më i gjerë i popullit, karshi politikës dhe pushtetarit, apo politikanit. Te një vetëdijesim i përgjithshëm, këta shumë fjalëpremtues, do të binin shumë më shpejt nga skena, mirëpo kjo do kohë, dhe për këtë kohë do të jemi të detyruar të vuajmë nën haraçin e ligësive, që na i sjellin këta fjalëbosh. Koha do ta thotë fjalën bashkë me popullin, ndërsa ligësitë e atyre që i nëpërkëmbin interesat, do të mbeten njolla të zeza të këtyre proceseve dhe të historisë.
Mjerë ata që do të shkelin ligësive. E ardhmja do t’i gjykojë, - plotësoi Blerimi.
Lum ata që punojnë drejt për interesat e këtij populli, - shtoi Drini.
Kurrë më mirë nuk ia ka qëlluar, - ndërhyri Blendi në drejtim të Drinit.
Pse, çfarë po të dukem unë ty? Mendon se nuk po i shoh zhvillimet te ne edhe këto katër vjet këtu unë?
Jo, jo, kësaj radhe nuk e pata me të hedhur, - u përgjigj Blendi me një buzëqeshje të lehtë.
Thashë.
Blendi nuk e ka ndërmend të hyjë në politikë, ndaj mund t’i besosh më tepër, - tha Shpendi sa për ta nxitur humorin.
Është bërë vigjilent ky, - tha Blendi, në drejtim të Drinit. Sërish plasi e qeshura mes shokëve.
 


 KAPITULLI XVII
  
Në jetën e përgjithshme te ne, ideja e komunizmit ka lënë pasoja, - tha Drini, tek po e shikonin një emision “pro et-kontra” në televizion.
Në cilin aspekt mendon? - pyeti Vjollca.
Në të gjithë lëmenjtë e jetës. A nuk i sheh gjithë ato probleme që lindin pa kurrfarë arsye, qoftë në politikë, në kulturë, në arsim e kudo. E gjithë kjo, nëse shikohet nga përvoja jonë e këtyre viteve në Zvicër, është shumë më e lehtë t’i dallosh problemet.
Luftë interesash, - tha Vjollca.
Lufta e klasave, - plotësoi Loni.
Luftë e partive dhe individëve, - tha me ironi Shpendi.
Por edhe e individëve e klaneve, - plotësoi Blerimi.
Është një përzierje e përgjithshme që s'di si ta definojë njeriu. Megjithatë populli po e pëson, - plotësoi Blendi.
Unë nuk di si ta shpjegojë, - tha Loni.
Nuk është e vështirë për t’u shpjeguar. Blendi përmendi pasojat e trashëgimisë nga e kaluara, është shumë e saktë. Fazat që po i kalojmë ne, i kanë kaluar të gjithë popujt, por te ne këto zhvillime janë të vonuara, që nuk u shkojnë zhvillimeve dhe kohës. Prandaj, disa gjëra duken të tepruara dhe krijojnë alergji në popull. Të gjitha kanë shpjegim dhe zgjidhje. Nëse e marrim individin e një fushe të caktuar, ta zëmë figurë politike apo letrare, dhe ta studiojmë nga aspekti i shkencës së dianetikës, rezultatin do ta gjejmë shumë lehtë.
Shumica e shokëve mbetën të habitur, duke e shikuar Shpendin.
Po, po, - gjithçka ka zgjidhje. Edhe kjo gjendje, nëse e shikojmë nga syri real dhe pa interesa.
Vërtet Shpend, nga ajo trajtesa jote në gazetë, kam lexuar përfundime të bukura, sidomos për politikanët dhe letrarët, - ndërhyri Era.
Shpendi fillimisht i shikoi të gjithë shokët për të parë nëse ishin të disponuar ta dëgjonin. Pasi u bind se ata ishin kuriozë, ai filloi. Unë, vërtet e kam bërë një ndarje, ashtu siç e bën shkenca e dianetikës për njeriun. Këtu është fjala për shëndetin mendor të tij. Nga prizmi i dianetikës, personaliteti njeri dhe shëndeti mendor i tij, ndahet në dy grupe, në atë Clear dhe të aberruar. Në këtë ndarje e kam vënë gjendjen e politikanit dhe krijuesit, si dy pika të rëndësishme për shoqërinë. Për ta ndihmuar këtë klasifikim, është shumë i rëndësishëm koncepti i perceptimit të tanishmes, në rastin tonë, sjellja dhe veprimet e tanishme. 
Je bërë djall i madh o Shpend. Ke vënë në peshojë shëndetin mendor të këtyre dy kategorive, po Blendin ku? - ngacmoi me humor Drini.
Mua te Clearët, ndërsa ty te të aberruarit, - ia ktheu Blendi.
Pse je gjithçka i përkryer ti? - Unë nuk jam as poet, as politikan - reagoi Drini.
Ti je Romeo i aberruar. 
Pse, mos deshe ta vësh në dyshim të kaluarën time?
Hej, hej, - debatoni ju të dy apo kritikoni? - ndërhyri Loni.
Na fal o Shpend, se deshëm të nxisim pak humor, - kërkoi falje Blendi.
Pati frikë se mos e klasifikon në mesin e të aberruarve, ndaj ndërpreu, - vazhdoi Drini.
Jo, ore! - tha Blendi me ironi.
Qeshën të gjithë.
Kur ishim te perceptimi i së tashmes, ajo ndryshon nga individi në individ. Pra metoda e përballjes me realitetin, nuk është e njëjtë për të gjithë. Perceptimi real dhe joreal i së tashmes, është i lidhur ngushtë me realitetin individual të së kaluarës së individit. Pra, në njëfarë mënyre, individi që është në gjendje të përballet me realitetin real të së kaluarës, ai do të jetë në gjendje të përballet edhe me të tashmen. Nëse e kaluara individuale, ka ikur aberrimit individual, ajo do t’i përsëritet edhe në të tashmen, për çka edhe e ardhmja është e aberruar për këtë kategori. Kur jam te përballja me të kaluarën, unë e kam vënë edhe një krahasim. Në dianetikë flitet për rikthimin, apo rievokimin, ku thuhet se, përballja me të kaluarën, kërkon zotërimin e aftësive të rievokimit apo rikthimit. Ndërsa unë, në ndarjen e dytë rreth kësaj çështjeje, e kam vënë individin në kohën e shkuar, duke ia marrë për bazë sjelljet dhe veprimet në të kaluarën. Kjo ndarje nuk do t’i takonte dianetikës, sepse nuk është në pyetje shëndeti mendor, por e kaluara. Megjithatë, është një shembull i mirë krahasues për çështjen që po flasim. 
Unë nuk e kam të qartë sa duhet aftësinë e rievokimit, apo të rikthimit, - pohoi Drita.
Në definimin dianetik, thuhet kështu: Aftësia e rievokimit apo rikthimit, i jep hapësirë ekzaminimit të figurave shqisore të regjistruara në kohë dhe në ngjarje të caktuara. Dhe ky kthim në konkluzionet e  parafytyrimit të së shkuarës është një ndihmë e konsiderueshme në studim. Kërkime apo edhe akceptime sa më reale të së tashmes. Pra, ndodh një rizgjim i ndjenjave për të zgjeruar aftësitë e perceptimit tek individi që përballet me një çështje të caktuar në kohën e tashme. Pra, sipas kësaj na dalin dy çështje që lidhen njëra me tjetrën. E para, se sa ka qenë real individi në perceptimet e tij në të kaluarën, që lidhet drejtpërsëdrejti me veprimet e tanishme të tij. Ka qenë në vija të drejta të reales që në dianetikë e quajnë clear, apo asaj të aberracionit. Nëse ka qenë në të parën, ai do të jetë në gjendje të përballet realisht edhe me të sotmen. E gjithë kjo lidhet me problemin e dytë të çështjes, me rievokimin apo rikthimin i cili i jep hapësirë ekzaminimit të figurave shqisore të regjistruara më herët. Thënë thjesht, ushqimi i trurit apo edukimi me gjëra të gabuara, patjetër krijon hapësirë që tek individi të përsëriten ato. Me një përkushtim të veçantë, dhe me një edukim të shëndoshë, mund të arrihet, që këto zbatica të eliminohen. Megjithatë, kërkohet shumë përkushtim dhe seriozitet.
Mos të nxora nga thelbi i problemit? - shtoi Vjollca.
Jo, aq më mirë, kjo ndihmon që ne të kthehemi tek e kaluara e këtyre dy kategorive tona që i kemi në bisedë, - tha Shpendi.
Do të thoni, që të hulumtohet e kaluara e individit? - pyeti Blerimi.
Po, po, sepse sipas këtyre parimeve është shumë e rëndësishme e kaluara në perceptimin e së tashmes dhe në ndërtimin e vizionit të së ardhmes. 
A nuk është një kthim mbrapa? - vazhdoi Blerimi.
Edhe pse po, kjo është më se e rëndësishme për hulumtim. Me një shembull në politik, nëse një individ i ka shërbyer dikur pushtetit, e dihet që në periudha të caktuara te ne kanë sunduar pushtetet e huaja, ta marrim atë individ dhe ta vëmë sërish në pozita udhëheqëse dhe ne t’i shkojmë sërish prapa tij, po ai sërish do të na shpjerë udhëve të huaja. Unë ca e thjeshtësova problemin, i cili do të duhej të zbërthehej shumë gjerë.
Mos ndoshta dilet te metodat e diferencimit me këtë që thua? - ndërhyri Loni.
Të tillët e kanë diferencuar vetë vetveten, përderisa në një kohë kanë perceptuar fazës së aberracionit, për hir të interesave të ngushta personale, ata vështir mund të largohen nga ato interesa. Është shumë më e keqja, se të tillët edhe sot e kësaj dite i janë qepur si rriqra shoqërisë sonë dhe e kanë infektuar me  një farë lloj hemorragjie edhe politikën e sotme. 
Më duket se tingëllon, sikur mohim i së kaluarës, - shtoi Loni.
Jam për selektimin e saj. Nëse ka qenë e hidhur për ne, pse jo. T’u them atyre që punuan për serbin, se e kishit mirë dhe t’i themi se ishte mirë, kurrë! E kaluara duhet të ndriçohet dhe të selektohet. Çka ishte e mire, ishte e mirë dhe çka ishte keq, e tillë le të mbetet. Ne sot në politikë kemi nevojë për njerëz të shëndoshë nga të gjitha pikëpamjet dhe me të tillët vendi do të ecë përpara. Ndërsa një pjesë tjetër duhet ta shkulë nga mendja atë nostalgjinë për Beogradin. Dhe për shërimin e kësaj shtrese, duhet hartuar një dianetikë kombëtare e nacionale.
Je djall, o Shpend! - tha Blendi.
E thashë me humor, sepse shumë sëmundje, as këtë të nostalgjisë nuk mund ta shërojë dianetika. Aberracioni i kohës, te ta i ka futur rrënjët thellë, aq më tepër edhe në trashëgimi.
Je shumë radikal në gjykime, - tha Drita. 
Unë nuk dua të gjykoj kënd, Dritë, por ama nuk duroj që të më udhëheqë gjithkush. Nëse si popull ecim të gjithë kësaj vigjilence, nuk do ta kemi vështir të ecim përpara, sepse do të dimë të zgjedhim në këtë kaos vlerash.
Ndoshta keq e interpretova fjalinë: - Desha të them, gjuha që shpreheni, - ndërhyri Drita.
Shpendi, bukur e ka. Të zezës duhet t’i thuhet e zezë dhe të bardhës e bardhë. Ai po e përdor shprehjen klasike, sepse ashtu po kërkohet. Mos duhet përdorur metaforat? - tha Blendi.
Ka ende nevojë te ne për ndarjen klasike të problemeve, - shtoi Blerimi.
Është pikërisht arsyeja që jam shumë me rezerva karshi politikanëve. Përderisa nuk ia njoh të kaluarën, nuk mund t’i shkojë nga prapa.
Por, është shumë e rëndësishme se si gjendet karshi kohës dhe politikës sonë ama, - shtoi Era.
Shumë e saktë. Unë këtë çështje e akceptoj me shumë rezerva. Kam frikë se i osciluari në një kohë, sërish do të oscilojë. Babai im shpesh e thotë: vështir është të vdesësh burrë pa u koritur, sidomos në politikë. Mos i beso gjithkujt biro! Mjaft na mashtruan neve nëpër histori e na priu gjithkush. 
Thënie e mençur, - tha Blendi.
Unë shoh shumë të drejta në gjykimet e Shpendit, - pohoi Loni.
Prandaj, për mua, nuk është e vështirë sot të dallohet e bardha nga e zeza. Dua që të tanishmen, ta akceptojë  Clear, e jo i aberruari.
Të lumtë! - tha Blendi.
Së shpejti, po vjen fundi i vitit, dhe festën e fundit do ta gëzojmë në dhomën 105, - propozoi Shpendi.
Mirë se vini! - uroi Blendi.
Në dhomën e poetëve, - tha me humor Drini.
Mos një ditë na del edhe ti poet i lirikave të dashurisë, ti Romeo i dhomës 105? - ia ktheu Blendi.
Plasi e qeshura. Qeshën të gjithë, edhe Drini, i cili e luhaste kokën, herë majtas  herë djathtas duke qeshur.
                    
 

KAPITULLI XVIII
 
Po afrohej fundi i vitit. Ishin muajt e fundit që Shpendi, Blendi, Blerimi, Drini, Era, Vjollca, Drita e Loni, po i kalonin në internat. Ata, për pak ditë do t’i mbronin temat e diplomës dhe do të mbarojnë studimet. E gjithë kjo kohë krijonte një ndjenjë kënaqësie në mesin e shokëve e shoqeve, se koha e vështirë e studimeve po mbaronte. Megjithatë, hetohej edhe ndjenja e nostalgjisë për vitet e kaluara bashkë. Ata ishin mbledhur rreth tavolinës në dhomën 105, apo siç e quanin shpesh me humor, dhoma e poetëve, dhe po i gëzoheshin fundit të studimeve. 
Gëzuar, dhe shumë suksese në jetë! - tha Shpendi, tek po e ngrinte gotën me verë.
Gëzuar!- thanë të gjithë, derisa po i cakërronin gotat.
Urojmë edhe për studime pas-diplomike, kush i ndjek ato, - uroi Blendi.
Urojmë! - plotësoi Shpendi.
E po, gëzuar Romeo ynë! - tha Blendi, dhe i cakërronte gotat me Drinin.
Gëzuar Romeot e mi! - ia ktheu Drini.
Kritikë për të gjithë! - shtoi Loni.
Por ama, me takt e me humor, - ia ktheu Blerimi.
Na e punoi shumicës, - tha Blendi.
Kujdes se mos hapni debat, e pastaj do të bëheni përrallë, - ia priti Era.
Debat po, por jo ama edhe kritikë, sepse në fund dikush mund të na dalë i hidhëruar.
Unë pajtohem me Shpendin. Është shumë e rëndësishme të dallojmë këto dy nocione.
Kujdes Era, se mos a e hidhëron Vjollcën! - ia priti Drini.
Qenka i disponuar për llafe sot dreqi, - pëshpëriti Era në drejtim të Blendit.
Po i numëron ditët e beqarisë, dhe së shpejti do t’i bjerë në përqafim asaj Zhulietës që e ka përmalluar që prej një viti.
E shkreta! - shtoi Era me humor.
Kujdes se mos e bën të qajë me lot.
Revansh se jo shaka. Më fal Shpendi, se të ndërpreva më duket, - tha Shpendi.
Edhe unë jam që Shpendi ta bëjë dallimin mes këtyre dy nocioneve. Ai është marrë më tepër në letërsi me këto çështje,  dhe meqë  kemi dy poetë këtu, le të debatojmë për debatin në letërsi, - ndërhyri Era.
Vërtet, mirë e ka Era. Sa debatohet sot për sot për letërsi te ne? - pyeti Blerimi.
Shumë pak, - tha Blendi, - sepse shumë shpejt kalohet nga debati në kritikë dhe gjithçka merr tjetër kahe. 
Është mungesë përvoje për debate, njëkohësisht mungon edhe toleranca për debat, prandaj është e rëndësishme të ndahen këto dy nocione. Atëherë kur ngatërrohen të dyja nocionet njëra me tjetrën, nuk ka sukses debati, - shtoi Shpendi. Në debat, për një çështje të caktuar, mund të hyhet me një shëndoshmëri njerëzore e intelektuale, pa qëllime djallëzore, por gjithmonë me qëllimin më të mirë të diskutimit dhe avancimit të një çështjeje të caktuar. Kjo çështje te ne është shumë e ndjeshme, sepse shtrohet pyetja, kush ngrit debate dhe cilat janë njohuritë në fushën e caktuar. Pra, është shumë e rëndësishme, se sa mund të respektohen kriteret që i shtron një debat për t’i dalë çështjes deri në fund. 
Doni të thoni se çështja kur djallëzohet dhe kalon në kritikë, prishet debati? 
Po, po, tamam kritika që bëhet me qëllime të caktuara dhe të djallëzuara, siç po ndodh shpesh te ne, e prish çdo debat, - u përgjigj Shpendi në drejtim të Dritës.
Po për një debat të suksesshëm?- pyeti Era
Mendoj se debatohet për çështje të përgjithshme, siç është letërsia. Mendoj se mund të ketë sukses. Kur situata i afrohet individualitetit, hyn në fazën kritike, sepse shumë lehtë mund të shndërrohet në kritikë. Edhe kritika mendoj se duhet të ndahet, në atë pozitive dhe negative. Pikërisht këtu qëndron çelësi i suksesit. Kur i kemi parasysh interesat, djallëzitë te ne, shumëçka ikën përtej realitetit. Pra, ashtu si edhe në shumë pore të jetës, edhe në këtë çështje, nuk shoh mundësi për debate të gjëra. Gjithçka është përzier brenda këtij lëmshi dhe është i vështirë suksesi. Njerëzit sot janë shumë të disponuar për kritikë, pa qoftë edhe të kuptimit negativ, se sa për debat. 
Fatkeqësi, apo? - pëshpëriti Era.
Është shumë e saktë, - pohoi Blendi.
Përderisa debatin nuk e ndajmë nga misioni kritik, debati gjithmonë do të dështojë. Në këtë pikë edhe vetë ai që dëshiron të ngritë debat, vihet në sprovë. Dhe, sa do të jetë në gjendje të jetë kritereve të debatit, do të ketë sukses. Fillimisht duhet ndërtuar një kulturë personale për debat, e cila pastaj do të krijonte kushtet përreth, drejt një debati të suksesshëm. Debat mund të ngritë çdo individ, nëse ka parime të shëndosha, pa qëllime djallëzore e denigruese për individët, paragjykime e smirë, por një shëndoshmëri e kulturë intelektuale. Ky element është shumë i rëndësishëm, sepse përvoja ka treguar te ne se shumë debate kanë dështuar, është kaluar në shantazhe, denigrime e degradime të individëve, grindje e polemika nëpër mediume të ndryshme etj. Dhe shumë shpejt është kaluar në kritikë, deri në kritikë negative në dëm të dikujt. 
Ka të drejtë Shpendi. Këto fyerje e shantazhe, i kemi përditë, qoftë në medie të shkruara apo elektronike, e deri të bartura edhe nëpër libra si polemika. Edhe unë mendoj se këto debate shpesh kanë kaluar në shantazhe dhe kritika, dhe pikërisht këtu kanë rënë nga sprova, vetë debatuesit. Bile, shumë herë është tejkaluar edhe masa e kufirit të kritikës, - shtoi Blendi.
E dini ç'thotë Wrigston për kritikën: “Sado superior dhe objektiv të jetë njeriu, ai nuk mund të çlirohet kurrë nga prirjet paragjykuese të pikëpamjeve, zakoneve, simpative dhe antipative të tija”. Pra , kjo na jep të kuptojmë, se për të filluar një debat nevojitet shëndoshmëri e lartë intelektuale e njerëzore, ndryshe kritika është e paevitueshme. Kritika është arma më e rrezikshme te njeriu, dhe duhet të përdoret me rezerva dhe me takt, ndryshe, ajo sjell reagimin e kundërt që mund të jetë hakmarrës, pavarësisht se ndonjëherë ajo mund të jetë objektive. Kritika nuk mund të jetë gjithmonë e suksesshme, siç mund të jetë debati. Ndërsa Watson, për kritikën thotë se: “Ajo nis rrugën e vet nga diskutimet e grave të ndyra rrugëve, tek buzëqeshjet e djallëzuara të nëpunësve që shpërthejnë nga ashensorët e shtëpive të larta për t’u futur në një stacion hekurudhor nëntokësor”. 
Një definim i bukur për kritikën, - shtoi Loni
Lexon edhe psikologji, Shpend? - pyeti Drita.
Pjesërisht. Gjithçka varet nga koha. Siç shihet, kritika mund të jetë më shumë e dëmshme sesa e dobishme. Është e dëmshme, sepse ai që kritikohet, nuk e përfillte atë. Ajo e largon përgjithmonë simpatinë që mund të ketë pasur subjekti i kritikuar. Dhe, këtu nisin armiqësitë të cilat nuk çojnë askund. Kjo do të vlente edhe për ne letrarët dhe letërsinë. Këtu nis sherri edhe te letrarët për një afrim mes tyre. Për të vazhduar përpara me debat, duhet shmangur sa më tepër kritikën si kritikë. Dua t’i jap përgjigje pyetjes, që mund ta shtrojmë secili nga ne, pse është e dëmshme kritika? Sepse, ajo e plagos njeriun në atë pikë që është më e shtrenjtë në ndjenjën për t’u dalluar. Siç shihet, kjo e dyta po e pengon të parën.
E po, gëzuar! - tha Blendi, pasi e pa se Shpendi e mbaroi fjalën.
Gëzuar! - thirrën të gjithë, tek po i cakërronin gotat njëri me tjetrin.
Në dasmën e Drinit, sa më shpejtë! - uroi Blendi plot humor.
Edhe në të Dritës! - ia ktheu Drini.
Vjollca ishte skuqur përskaj Shpendit dhe shikonte drejt Erës.
Gëzuar edhe një herë! - tha Loni. - Sivjet do të kemi gëzime të dyfishta. 
Kënga filloi:
Dhe ikën vitet, ikën e tretën
bashkë me ëndrrat rinore, 
kujtime të ëmbla mbetën
Nga bankat shkollore...
E gjithë jehona e këngës, shpërndahej përtej dritareve të internatit, si një gëzim i ëndrrave të bukura rinore të mbushura plot shpresë.

                                     Fund       

                                                             Zvicër, 16. 5. 2006
 

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen