GËZIM AJGERAJ
PIKËPAMJE PËR JETËN DHE PËRVOJAT
(Dhjetë pika për jetën)
Jetëpërshkrime
PARATHËNIE
Në këtë projekt kemi përzgjedhur dhjetë sfida nga jeta, brenda së cilës në pika të shkurtra, kemi sjellë pikëpamjet tona, përvojat dhe gjithë atë çfarë ne mendojmë për çështjet e caktuara. Njëkohësisht, përmes fjalëve dhe thënieve të njerëzve dhe filozofëve të ndryshëm, kemi pasqyruar dhe argumentuar të gjitha ato qëndrime tona, por në këtë rast duke i argumentuar ato përmes përvojave të të tjerëve. Këto dhjetë pika, që i sjellim brenda kësaj teme, për ne nuk janë vetëm pikëpamjet tonat, por ato me vete bartin dhe shtjellojnë qëndrimet e njerëzores, një lloj thirrjeje për një ndërgjegjësim brenda njerëzores, kur ajo ka filluar të devijojë ose është devijuar. Kjo thirrje, sado e thuktë që mund të akceptohet, është një lloj kandili drejt njerëzores, për t’i thirrur asaj secili brenda vetes. Nëse secili njeri a individ përpiqet të jetë sa më njerëzor, sa më i edukuar, sa më i ndërgjegjësuar e i sjellshëm, do të krijonte, jo vetëm hapësirë e ambient të mirë e të shëndoshë, por do të ishte edhe shembull i mirë për familjen, të afërmit dhe rrethin më të gjerë shoqëror. Kësaj vije përpiqemi, vazhdimisht, që me shkrimet tona të sjellim dritë në mendimin tuaj, për t’i thirrur në çdo çast ndonjë gabimi të mundshëm, apo të metë, drejt një vetëdije më të avancuar dhe më të shëndoshë, në raport me jetën dhe njerëzit që ju rrethojnë.
Të gjitha temat që i kemi trajtuar brenda këtij punimi të përbashkët, synojnë ngritjen e vetëdijes tek individi, për një edukim në sjellje dhe në veprime, në raport me të tjerët dhe me jetën e atë që e rrethon.
Për të qenë njeri i mirë dhe i sjellshëm nuk është aspak e vështirë, sa e vështirë është të jesh i pasjellshëm dhe i lig. Kjo gjithmonë varet nga virtytet, që bart një individ nga edukimi i tij brenda vetes.
Duke qenë më të shëndetshëm, të jemi të virtytshëm e të ndërgjegjshëm, është e pakuptimtë të na shoqërojë ligësia dhe pandërgjegjshmëria. Megjithatë, i takon çdo individi veç e veç të zgjedhë e të ecë në jetë, ndërgjegjshëm, në raport me të tjerët.
Pra, synimi ynë është që, gjithmonë të ngacmojmë ngritjen e vetëdijes dhe të ndërgjegjes, për të krijuar një individ të shëndoshë e të virtytshëm, sepse vetëm atëherë do të ishte i dobishëm për familjen, rrethin dhe shoqërinë e gjerë.
Ne nuk do të thellohemi më gjerësisht në këtë parathënie, duke i lënë hapësirë lexuesit, që të shfletojë e të lexojë me kujdes të gjitha trajtesat tona. Për të gjykuar e vlerësuar edhe qëndrimet e veta personale, e ndoshta edhe diçka për të mësuar e korrigjuar brenda virtyteve, gabimeve e boshllëqeve, që mund ta kenë përcjellë në jetë.
Janar, 2019
1.
TRE TIPA NJERËZISH RRETH TEJE
Nga një thënie për jetën, i bashkangjitemi porosisë për të mos i harruar kurrë tre tipa njerëzish që sillen rreth jetës tënde: 1. Ata që të ndihmuan në momente të vështira, 2. Ata që të braktisën në momente të vështira, dhe 3. Ata që krijuan momente të vështira.
Këto tri kategori sikur e përmbledhin gjithë karakterin njerëzor dhe atë ndërnjerëzor të sjelljeve dhe të veprimeve. Dihet fare mirë se jeta njerëzore e ka të mirën dhe të ligën, dy pole që i kategorizojnë sjelljet dhe veprimet e njeriut në raport me të tjerët. Këto pole, sikur në vazhdimësi e kërkojnë kategorizimin e njeriut dhe e gjithë lufta në mes tyre ndodh: se kush t’i përmbledhë ata në taborrin e vet. Në fakt, është vetë njeriu, karakteri i tij i brendshëm, ndërtimi i tij shpirtëror dhe ndërgjegjshmëria e ndërtuar brenda tij, se cilën nga këto dy veti do t’i pranojë. Shëndoshmëria mendore e njerëzore, që ka një njeri i ndërgjegjshëm, sigurisht se pak ose rrallë arrin që të rrëshqasë brenda së ligës, duke qenë më së shumti i mishëruar me të mirën dhe kategoria e dytë e atyre të ligëve, që në vazhdimësi e ushqejnë atë dhe ushqehen nga ajo. Vetë njeriu, duke u klasifikuar brenda këtyre taborreve, i reflekton edhe sjelljet e veta, për të cilat tanimë i kemi ndarë në këto tre tipa njerëzish, në raport me ty.
Miqtë që të ndihmuan në momente të vështira
Nuk ka njeri në botë, që të mos ketë pasur sfida apo të mos jetë i sprovuar me të mira dhe me të liga, që i afron jeta, individi apo shoqëria njerëzore. Dhe, sapo të ndodhë një sfidë, qoftë e mirë apo e ligë, detyrimisht do të ndeshemi në këto tre karaktere apo tre tipa njerëzish, përballë teje dhe sfidës tënde. Mjafton që t’i vësh sy çështjes dhe ta përcjellësh atë.
Do të përpiqemi që qasjes së kësaj teme t’i lëshojmë një vështrim nga disa kënde, në mënyrë që atë ta kapim sa më mirë dhe të jemi më të qartë. Fillimisht, do të nisemi nga një fjalë e urtë shqipe, e cila tipin e njerëzve që të ndihmuan në momente të vështira do ta definonte kështu: “Miku i mirë, në ditë të vështira”. Përvoja e popullit ka vlera të pakontestueshme, prandaj edhe definimi që na japin urtitë të ngritura nga këto përvoja, janë definimi më i mirë që ju bëhen çështjeve të caktuara. Sigurisht se, ndonjëherë, jeni gjendur në ndonjë telashe e hall. Në ato raste ia keni qajtur hallin ndonjë miku dhe, pavarësisht çështjes dhe sfidës, ai ju ka ndihmuar. Sigurisht se këta miq, që ju kanë ndihmuar, ju çmojnë, ju duan e ju respektojnë, ndaj marrin përsipër, që brenda halleve tuaja, të ndajnë me ju gjithë sfidën.
Shembuj në planin individual te njerëzit në botë kemi me miliona. Ato do të na kërkonin hapësirë, por ju si lexues të kësaj trajtese, mjafton të kujtoni ndonjë hall a sfidë që keni pasur, si dhe dikush nga miqtë tuaj, ju ka ndihmuar. Kjo kthjellje brenda kësaj kujtese, do t’i kujtojë edhe miqtë tuaj të mirë, që ju çmojnë e ju respektojnë.
Më kujtoj kjo, një mikun tim të vjetër (në fakt, fillimisht, ai kishte qenë mik i xhaxhait tim). Përpara tri dekadave, si student kisha ardhur në Zvicër. Vendosja dhe rehabilitimi nuk ishin edhe aq të lehta në një vend të huaj, me gjuhë, kulturë e traditë krejt të panjohur. Xhaxhai im, që ishte (gati një dekadë nga kjo kohë) në mërgim, kishte krijuar miq dhe të njohur nga shtresat e ndryshme të shoqërisë. Ndër ta kishte njohur edhe një inxhinier informatike, që nuk e ushtronte këtë profesion, por ishte drejtor i një muzeu kulturor dhe i një kështjelle për afro dhjetë shekujsh e vjetër. Kur erdha në këtë vend, ishte shumë e vështirë të gjeja punë, që do të më shkonte për shtati.
Në këtë rast, ishte miku i xhaxhait tim, i cili në atë kohë më ndihmoj, që unë të rehabilitohesha në një punë shumë të mirë, e cila më përcolli këto tri dekada. Vonë e kisha kuptuar, se miku i xhaxhait tim, kishte marrë një barrë të rëndë mbi vete, për të qenë referenca ime, në gjigantin, ku u vendosa. Megjithatë, ai kishte besuar në tregimet e xhaxhait për potencialin dhe kapacitetin tim dhe më kishte ndihmuar. Ikën vitet e dekadat dhe me kohën isha integruar në shoqëri e mjedis. Kisha krijuar përshtypje e simpati në gjithë kolektivin. Miku i xhaxhait, që më ndihmoj në ato kohë të vështira, mbeti dhe miku im. Edhe tani, kur ai gjendet në moshë të thyer, është shumë krenar për të arriturat tona dhe për ndihmesën, që më ka dhënë në kohë të vështira.
Bile, ai tani shkon edhe më lart, sepse përmes njohjes sonë, ka arritur që të njohë edhe kombin tonë, vuajtjet nëpër të cilat kemi kaluar si popull, që shumëherë është solidarizuar edhe gjatë kohëve më të vështira të luftës në Kosovë. Por, edhe për ne, mbetet mik shumë i çmuar dhe i rëndësishëm. Gjithmonë jemi përpjekur ta çmojmë e ta respektojmë, për atë që e ka bërë për ne.
Pra, kjo e dyta ka shumë rëndësi, sepse karshi së mirës, që ta bënë një njeri, duhet të jesh mirënjohës dhe të mos e harrosh kurrë, brenda mundësive t’ia kthesh me të mirë.
Ne, shqiptarët, duhet ta përmendim dhe një fakt, që s’duhet harruar kurrë: Në vitin 1999 të shekullit të shkuar, Kosova ishte në luftë me okupatorin serb. Niveli i forcave në terren, nuk ishte aspak i favorshëm për ne shqiptarët. Vrasjet, djegiet dhe depërtimi masiv i popullatës shqiptare nga trojet e tyre, që e bënte Serbia, duhej disi të ndalej. Një popull i tërë po rrezikohej në zhdukje. Kosova po spastrohej nga popullata shqiptare, që jetonte me shekuj aty. Ishte iniciativa amerikane, në fakt, iniciativa e presidentit Bill Klinton, i cili duke e ndjerë se një popull i tërë gjendej në rrezik, vendosi që së bashku me Aleancën e NATO-s, të sulmojë ushtrinë, policinë e forcat serbe, si dhe vetë Serbinë, për ta detyruar atë deri në kapitullim.
Pra, ky ishte Ai: “Miku i mirë, në ditë të vështira”.
Shembujt e tillë, duhet të na shërbejnë në jetë, për të qenë të denjë për mikun, shokun, e në përgjithësi për njeriun në nevojë, kur i duhesh atij.
Ata që të braktisin në momente të vështira
Fatkeqësisht, karakteret njerëzore janë të ndryshme. Vetë jeta jote do të përballet në vazhdimësi edhe me të atillë, që në një situatë jo të volitshme tënden, të të braktisin. Dhe, ti ke menduar gjithmonë se ke shumë miq, por sfida jote, do t’i vë në sprovë edhe ata e do t’i klasifikojë brenda këtyre tre grupeve. Sepse, kur ti je mirë dhe gjithçka shkon në rregull me ty dhe nuk kërkon ndihmën atyre, por ndoshta ata kanë nevojë pë ty, ndaj të rrinë afër. Por, në rastin kur te ju ka pëlcitur ndonjë sfidë, që do t’ia keni nevojën, atëherë do ta shohësh fytyrën dhe karakterin e vërtetë të tyre.
Për këtë pikë, që po trajtojmë, do të sjellim një thënie, e cila na jep një definim të bukur dhe shumë qartë të kuptueshëm: “Miqtë falso ikin kur t’i qan”. Nëse e analizojmë pjesën dhe këtë thënie, sikur çlirohemi nga vetëdefinimi ynë i këtij tipi a këtij lloji të njerëzve.
Këtë tip të miqve, ne shpesh nëpër trajtesat tona i quajmë si miq të rremë, të cilët me perfeksionizmin e tyre të afrohen dhe të përfitojnë për vete, derisa ata kanë nevojë për ty. Do të japim këtu edhe një thënie të bukur, e cila shumë shkurt na pasqyron një imazh rreth këtyre miqve: “Miku i rremë është si hija që na ndjek, derisa dielli perëndon”(Carlo Dossi). Një shprehje e mrekullueshme, e cila shumë bukur e metaforizon karakterin dhe veprimet e kësaj kategorie, që deri në situatën tënde jo të volitshme të janë hequr miq.
Të gjitha sfidat e individit (në të shumtën e rasteve), janë sfida e sprova edhe për miqtë, ku në pasqyrën e këtyre sfidave ti do të kesh mundësi të shohësh fytyrën e vërtetë të këtyre karaktereve njerëzore.
Një fjalë e bukur shqiptare thotë: “Duhet ngrënë një thes kripë, për ta njohur mirë një mik” (e popullit). Kjo thënie, fillimisht, për mua është një lloj këshille, e cila na jep dritë për të mos u nxituar në krijimin e miqve dhe raporteve miqësore me ta, derisa nuk njihemi mirë. Çdo nxitim në krijimin e miqve, do të krijonte mundësi dhe hapësirë që të infiltrohen lloj-lloj miqsh, që në një kohë, jo vetëm se do të jenë një lloj deficiti për ty dhe për besimin tënd, sepse pastaj do ta akuzosh veten për nxitimin e treguar në fillet e fillimit të miqësimit.
Ne e kemi parasysh se njeriu nuk është aq i përsosur dhe absolut. Duhet të kihet parasysh toleranca në mes, por ne jemi ndalur tek ai tip i miqve, që të braktisin në situata të vështira dhe brenda këtyre kornizave po përpiqemi të klasifikojmë llojin e miqësisë.
Kur jemi këtu, duke i pasur parasysh ato që thamë më lart, sjellim dhe një thënie të bukur rreth kësaj çështjeje: “Më mirë të kemi armiq të betuar, se miq të shtirur. Të parët shpesh thonë të vërtetën, kurse të dytët kurrë” (Marco Porcio Catone).
Gjithmonë po flasim për miq të shtirur, sepse të shtirur do të mund t’i quanim ata miq, të cilët do t’ju braktisin në situatën, kur ju nuk do të jeni mirë apo do ta keni nevojën e tyre.
“Njeriut i pëlqen të shoh të përulur edhe mikun e tij më të mirë. Pikërisht mbi përulësinë bazohet pjesërisht miqësia” (Tolstoi). Fatkeqësisht, karakteri dhe virtytet njerëzore udhëhiqen edhe nga këto parime. Sepse, ka vese njerëzore, të cilat udhëhiqen nga parimet e mbitjetrit dhe vuajnë nga ato. Këtu i japim të drejtë definimit të Lev Tolstoit.
Jo gjithmonë, çështjet duhet parë në kontestin negativ a të interesave. Sigurisht se çdo njeri ka kriteret e veta për miqësinë, aq sa edhe kujdesin. Pa miq as nuk mund të imagjinohet jeta njerëzore. Për këtë do të sjellim një thënie nga William Blake: “Zogu ka çerdhen, marimanga ka rrjetën, njeriu ka miqësinë”. Porse, klasifikimi i tyre, gjithsesi, duket të bëhet dhe është i domosdoshëm, që secilit t’i bëhet vendi në bazë të meritave dhe të sjelljeve të tij në raport me ty. “Pa miq askush s’do të donte të jetonte, edhe po të kishte të gjitha të mirat e tjera” (Aristoteli). Pra, me këtë deshëm të tregojmë se lumturia, jo gjithmonë, qëndron në pasuri dhe në interesa, por edhe në raportet e tjera ndërnjerëzore.
Ne do të mund të flasim edhe gjatë për këtë çështje, por do të përpiqemi të rrumbullakojmë trajtesën tonë me një shprehje të bukur, e cila na tregon se miqtë e mirë apo edhe ata të tjerë, mund t’i dallosh, jo vetëm në situatat e vështira të tuat, por i dallon në çdo hap dhe në situatë të jetës, mjafton syçeltësia individuale. Roberto Gazvaso me një thënie të bukur, pikërisht rreth kësaj që thamë, e definon shumë bukur: “Nuk është e vërtetë se miku dallohet vetëm në rast nevoje, miku dallohet gjithmonë. Pra, ai që është mik i vërtet juaji, dallon në çdo kohë. Miku hileqar gjithmonë dallon dhe bie viktimë e sjelljeve dhe e veprimeve herë - herë jo të sinqerta, në raport me ju dhe, sigurisht se, syçeltësia juaj, do t’i dallojë shenjat, që ai i reflekton nga huqet e veta.
Ata që krijuan momentet e vështira
Pa dyshim, se njeriu ka nevojë për miq. Kur dikush të afrohet për miqësi, pakkush mendon në biografinë e atij individi, në tipare apo edhe në qëllime. Së dyti, është edhe perfeksionizmi i atyre që të afrohen për qëllime të caktuara, të cilët të bëjnë pak të mendosh apo të hetosh për karaktere, tipare apo edhe për qëllime. Nuk do të hymë më thellë te këto njohje apo fille të miqësisë, por do të nisemi nga miqësia. Qëllimi ynë tanimë është që të merremi me ata miq, që të krijojnë momente të vështira. Po ndalemi te miqësia, por e kemi parasysh gjithmonë tiparin e njerëzve, që të krijojnë momente të vështira. Kemi bashkuar grupin e miqve dhe të njerëzve të tjerë bashkë, për një arsye: sepse kur të krijon miku momente të vështira, është më e rëndë se sa dikush, që e ke larg apo nuk ke kurrfarë lidhjeje. Duke i analizuar këta të parët, nuk do të thotë se po i përjashtojmë të dytët, ose i nxjerrim si më të mirë, janë i të njëjtit llum. Sepse, ata që krijojnë momente të vështira për tjetrin, nuk mund të gjendet ndonjë term estetik, që do t’i madhëronte a do t’i klasifikonte në rangun e të mirëve. Bota është e tillë e ndërtuar dhe secili i njeh sjelljet e veta dhe konform tyre e vetëklasifikon veten se cilit grup do t’i takojë. Pra, njerëzit që u krijojnë të tjerëve momente të vështira, apo u bëjnë të liga, ata nuk mund të jenë ndryshe, pos njerëz që i takojnë ligësisë. Ky tip njerëzish nuk i takon më rangut të miqësisë, por rangut të armiqëve tuaj. Nuk do të ndalemi te raportet, sjellja apo distanca, që ju do të mbani në raport me ta, sepse ajo do të mbetet çështje juaja dhe e mjeshtërisë e perfeksionizmit tuaj.
Do të nisemi nga një fjalë e urtë shqipe, për të vazhduar më tej, me këtë tip njerëzish: “Nga i ligu, s’pritet asgjë tjetër, pos ligësive”. Kjo fjalë, na udhëzon në syçeltësinë tonë, kur e afrojmë dikë apo kemi të bëjmë me dikë, për një çështje të caktuar, deri në masën ku mund t’i shmangemi këtij tipi të njerëzve e “miqve”.
Në jetën e përgjithshme shoqërore, sigurisht se keni pasur shembuj secili nga ju, kur dikush ka tentuar që t’u krijojë vështirësi në jetë. Kjo do t’ua kujtojë atë tipin e njerëzve me karakter të ligë, të cilët tiparin e keqbërjes e bartin mbi shpinën e vet, si një barrë që një ditë pesha e saj do të rëndojë edhe mbi ata. Po pse ka të tillë, që jetojnë brenda rrethit të së ligës? Sigurisht se nuk janë sa duhet të ndërgjegjësuar në sjelljet dhe në edukatën, që bartin brenda vetes dhe se ligësia që rëndon mbi ata, përpiqen ta shpërndajnë edhe te të tjerët. Se sa e pranojmë atë ne dhe si e pranojmë, edhe kjo ka shumë rëndësi, nëse ne e afrojmë apo e mbajmë larg. Ndërsa, ligësia nga distanca e atyre, që nuk hyjnë në grupin e miqve apo të atyre që nuk i kemi afër, është krejt diçka tjetër.
Unë besoj shumë në faktin se secili nga ju është sprovuar edhe me përvoja personale, kur dikush t’u ketë krijuar momente të vështira, ose t’i keni krijuar dikujt. Dhe, është mirë që gjatë leximit të kësaj trajtese, të rikujtojmë edhe ato përvoja, për ta kuptuar më mirë thelbin dhe esencën e temës, si dhe tipin e njerëzve, që krijojnë momente të vështira për të tjerët.
Do të flasim edhe për ndonjë rast, nga ato shumë përjetime e përvoja, që kemi kaluar në jetë, por nga këndi i atyre, që në fillim na u hoqën si miq nga afër, e jo për ata që i kishim larg dhe na krijuan vështirësi. Kjo e afërsisë është më e dhembshme. Ajo e tipit të atyre, që nuk i ke brenda rrethit tënd apo nuk i njeh, nuk të habitë edhe aq shumë, kur të shkaktojnë telashe ose momente jo të mira.
Në përvojën time, kam pasur rastin të më afrohen njerëz të natyrave, profesioneve e gjinive të ndryshme, por ne do të flasim nga përvojat e atyre letrare. Si shkrimtar, si poet, si kritik, si botues, por edhe si financues e si ndihmues në shumë raste, miqtë shtohesheshin, ashtu siç shtohen kërpudhat. Kurrë nuk kisha nënkritere, apo edhe të mendoja për tipat e miqve e mikeshave apo edhe për qëllimet e tyre. Sinqeriteti dhe dashamirësia gjithmonë më kishte dominuar dhe nuk merresha asnjëherë që të hulumtoja tipin e atij miku, që po afrohej si mik. Brenda mundësive i kisha ndihmuar të gjithë. Profite personale apo privilegje për veten as nuk kisha kërkuar dhe as që kërkoja, meqë potenciali ekonomik dhe ai intelektual i njohjes për artin, më krijonin privilegje në këtë aspekt. Do të marr një shembull për tre individë (dy nga gjinia e kundërt dhe një mashkull), por pa zënë emra të përveçëm, që i kisha ndihmuar më shumë se nga dy - tre herë apo edhe dhjetë herë e më shumë. I ndihmoja në artin e tyre, në nivelin dhe kualitetin e vargut, në atë teknik, por herë- herë edhe financiar. E di se interesa personale nuk kisha realizuar kurrë nga ata. Dhe, kështu ndihmesa ime vazhdonte për disa vite, pa menduar kurrë në kthimin e së mirës apo në mbjellje të huas, siç thuhet në popull.
Dikur, me kalimin e viteve, miqtë shtoheshin, por edhe sfidat dhe gjithçka po bëhej e tepërt dhe e papërballueshme për kohën time të cunguar. Edhe këtyre tre miqve fillova t’u mungojë apo siç thotë populli: Edhe t’ua ndalë tagjinë*. Kjo ndalje dhe kjo mungesë imja, gradualisht, po krijonte inate tek ata dhe herë pas here dëgjoja gjuajtje sporadike të fjalëve deri në intriga të papërballueshmme. Nuk është shumë e çuditshme, sepse në grup ishin të përfshirë të dy gjinitë, ku të ligat e mundshme janë më të rënda. Pra, ky grup i kishte harruar të mirat. Ishin verbuar ndaj etjes për të çnukur sa më shumë. Ishin verbuar nga smira, saqë kishin kaluar në urrejtje, deri në krijimin e intrigave dhe momenteve të vështira për mua. Tanimë kishin sajuar e sajonin intriga të gjera, të papërballueshme, deri në konflikte.
Pa u zgjatur më shumë, si dhe pa hyrë në detaje, desha të pasqyroj një tip njerëzish, të atyre që të krijuan apo të krijojnë momente të vështira. Ky tip është nga ata njerëzit e ulët me ndërgjegje të dobët: si njerëzore ashtu edhe intelektuale.
Pra, ky tip njerëzish, përveç se është në gjendje të të braktisë në momente të vështira, shkon edhe më larg, duke të sajuar momente të vështira për ty. Unë e lë këtë çështje të hapur, që ju të gjykoni vetë, për këtë tip njerëzish.
Duke i parë këto situata dhe zhvillime brenda njerëzve të afërt, apo miqësive, më kujtoj një thënie nga Sokrati: “Mos u ngut të zësh miq, por, kur t’i zësh, mos i braktis”. Pra, kjo këshillë, na porositë që jo gjithkë ta afrojmë afër vetes pa e filtruar mirë, nëse jemi të denjë të jemi miq ose jo, në të kundërtën do të zhgënjeheshim, ja kështu si rasti im më lart.
Do të citoj dhe një thënie për fund nga Mark Tuein: “Gjithmonë falini armiqtë, asgjë s’i mërzit më shumë”. Një thënie brilante dhe një porosi për njeriun me begram dhe nivel intelektual, që do të zgjidhte shumë probleme brenda njerëzimit.
Do ta përmbyll me dy thënie të bukura këtë vështrim për tipin e tretë të njerëzve. Një fjalë e bukur shqipe thuhet: “Kur ke armiq, ta dish se punët i ke mirë”. Dhe, një të dytë rreth kësaj teme, si përmbyllje të gjithë asaj që elaboruam nga Uinston Çurçill: “Keni armiq? Mirë! Kjo do të thotë se keni luftuar për dikë dikur në jetën tuaj”.
2.
MERITAT DHE GRABITËSIT E TYRE
Brenda kësaj trajtese, në këtë libër, do të përcaktojmë dhjetë pika nga dhjetë thënie të ndryshme, të cilat i shohim si të rëndësishme për t’i zbërthyer nga këndi ynë se si i shohim ato. E para, që do të trajtojmë, ka të bëjë me dy kategori njerëzish, që për nga virtytet dhe veprimet dallojnë shumë. Jemi frymëzuar nga një thënie e Indira Gandhit, për këto dy kategori, e cila thotë: “Ka dy kategori njerëzish: Ata që punojnë dhe ata që i marrin meritat. Mundohu të jesh në kategorin e parë, ka më pak konkurrencë”.
Shikuar, vlerësuar dhe analizuar ecjen e njerëzimit dhe zhvillimin e tij, jeta dhe shoqëria shpesh janë të padrejtë ndaj individit. Ka shumë faktorë, arsye dhe shembuj, që do ta ilustronin këtë fenomen të padrejtësive. Janë rrethanat shoqërore, rrethi dhe ambienti ku jeton individi, karakteret, sistemet e ndryshme, etj, etj, që krijojnë hapësira dhe padrejtësi karshi individit.
Le të merremi me fenomenin e parë të atyre që punojnë. Ka shumë njerëz në botë, që punojnë ndershëm dhe pa zë, duke u mbështetur në logjikën e njerëzores, duke shikuar punën e vet dhe pa tendenca për t’u dukur në shoqëri. Ka të atillë që kjo heshtje i dëmton në vazhdimësi dhe i shtyp gjithnjë e më tepër, duke krijuar hapësirë, që kategoria e dytë e profiterëve të përfitojë në meritat e të tjerëve. Në shoqërinë njerëzore ka shumë të tillë. Të tillët, veç sa e vështirësojnë jetën e këtyre të parëve, për interesa antihumane e jonjerëzore, që i ushqen etja e tyre. Duke u nisur nga thënia më lart, si dhe duke kujtuar një fjalë të urtë shqiptare: “Mbjell ti e korr të tjerët”, na nxjerrë tamam në thelbin e asaj që duam dhe synojmë ta trajtojmë.
Do të ndalemi përpak tek ata, që i përvetësojnë meritat e të tjerëve. Sigurisht këta tipa njerëzish gëzojnë një lloj talenti në lëmin e përvetësimit. Ashtu siç kanë arritur që ta përvetësojnë këtë mjeshëtri, gjithashtu, ata kanë arritur që ta përvetësojnë edhe talentin e përvetësimit. Do të kujtojmë këtu një thënie nga një aktor Gerard Depardieu, i cili për talentin thotë: “Talenti shpesh është rezultat i asaj që të tjerët kanë bërë për ty”.
Dhe, si vlerësim i tillë për talentin e profiterëve, na del se edhe dija e tyre e mbjellë, brenda psikologjisë dhe individualitetit në memorien e tyre, është e mbjellë në vazhdimësi, në korrjen e sukseseve të të tjerëve, si një ves i krijimit të të mirave dhe privilegjeve për veten, deri në një egoizëm të skajshëm.
Jam shumë i bindur se secilit nga ne, qoftë në fëmijëri, në rini apo edhe në moshën madhore, aty ku gjykojmë më së shumti, u ka ndodhur një fenomen i tillë. Nuk ka se si t’i shmangesh këtij fenomeni, sepse në jetën njerëzore, si një zinxhir që hallkat e tij janë të lidhura për njëra- tjetrën, edhe te njeriu jeta ka lidhshmërinë e vet dhe të sprovon me gjithfarë lloj sprovash të ndryshme. Le të marrim shembull një kompani, ku do të punonin shumë punëtorë. Dhe, le të hymë në detaje dhe në veprimet e punën e secilit punëtor. Do të shohim se puna përpos, që nuk do të jetë asnjëherë e barabartë, do të ketë padrejtësi nga më ndryshmet, ku meritat nuk do të ndahen kurrë barabartë. Ka të atillë që punojnë në heshtje, kryejnë punën e tyre dhe nuk vrapojnë pas meritave. Po këtu do të gjejmë edhe tipa, që në hierarkitë e kompanive, dijnë t’i përvetësojnë sukseset e të tjerëve, duke i rrahur shpatullat e veta, për merita si të tyre. Kjo kategori individësh nuk mban kurrfarë logjike me humanen dhe njerëzoren dhe se ndërgjegja e tyre nuk është logjika e drejtësisë, por e karrierizmit dhe e profitit personal.
Me këto gjykime nuk duam që të fajësojmë, por as edhe që të ngrisim askë, pa kurrfarë tendence, por duam të zgjojmë ndërgjegjen e përgjithshme njerëzore, për një syçeltësi e drejtësi në ndarjen dhe në korrjen e meritave - secili të vetat.
Sigurisht se në mes të këtyre dy koncepteve: të atyre që kontribuojnë, punojnë, veprojnë dhe, të atyre që grabisin, korrin, vjedhin meritat e të tjerëve, ka një padrejtësi të madhe ndaj këtyre të parëve. Si njeri me vetëdije dhe individ me logjikë e me shëndoshmëri njerëzore, fenomenin e dytë assesi s’duhet pranuar, por duhet gjykuar e dënuar, sepse si fenomen as nuk është human, as i drejtë, po pse mos të themi edhe i palejueshëm, e shpesh edhe i dënueshëm ligjërisht. Sepse, duke i bërë padrejtësi tjetrit (në përvetësimin e meritave të tij), ti shkelë etikën njerëzore, humane e ligjore, nuk ka se si të jetë ndryshe, që ti të korrësh meritat e tjetrit dhe të jesh i “ndershëm”.
Le të ilustrojmë edhe më tej shembuj rreth këtij fenomeni, sepse sa më e ilustruar të jetë trajtesa, aq më të kthjellët do ta kemi vizionin e të kuptuarit të problemit.
Le të dalim te politika: Një masë e gjerë njerëzish, identifikon një individ, e ngritë atë dhe i jep besimin, duke i krijuar atij mundësi nga më të ndryshmet të detyrave me udhëheqjen. Shumë bukur! Njerëzit kanë menduar, besuar dhe vepruar, duke dhënë kontributin e tyre, sepse rregulla e lojës e kërkon atë, porse meritat tanimë i korrë tjetri. Masa nga prapa mbetet si një tufë delesh. Meritat shkuan diku larg, te tjetri, sipas rregullës së lojës. Por, sa do te jetë në gjendje ai që të përfitojë nga kjo turmë? T’ua kthej atyre. Kjo mbetet të shihet, e që historia e politikës pak e ka dëshmuar. Pra, meritat shkuan drejt një pikëpyetjeje të madhe, që ti vështirë e ke t’i korrësh vetë, derisa tjetri të ka harruar ty dhe të llogaritë si një dele brenda një tufe, sepse
ai tani hapëron brenda privilegjeve të veta, të mirave për veten dhe klanin e tij, dhe pozitave që me çdo kusht kërkon t’i ruajë. Jemi dëshmitar të kohës, sidomos në Ballkan, kur individë të caktuar, brenda politikave, korrin meritat e të tjerëve pa fije etike morale e humane.
S’do të ndalemi më tej në këtë pikë, sepse shumëçka edhe vetëkuptohet, kur individi përballet me këso situatash. Do të ilustrojmë dhe një shembull që zakonisht ndodh në zonat e pasluftërave. Do të përmendim një shembull të një luftëtari në Bosnjë gjatë luftërave të fundshekullit të kaluar, që ndodhën atje. Duke qenë shumë afër ish-presidentit të ndjerë, Alija Izetbegoviqit, në një rast e pyet: Ç’do të ndodhë tash pas përfundimit të luftës, me ne luftëtarët?
Presidenti, duke u ndier ngushtë thotë një thënie nga shprehjet ushtarake: “Kolona do të prapakthehet” (Na levo krug)*. Që jep të kuptojmë se ata, që ishin të parët në front, do të mbeten të fundit, kurse këta të fundit do të dalin të parët! Shumë e dhembshme. Ne do të pyesim: Përse ky shembull? Arsyen do ta kuptojmë më vonë.
Ata që ishin të parët, luftuan e u vranë. U dogjën e u plagosën. Ata më edhe s’do të flasin, por edhe nëse flasin, flet vepra, puna dhe sakrifica e tyre. Nevojë për të folur më shumë do të kenë këta fjalamanët e fundit, sepse do ta nxjerrin veten përpara. Do të vrapojnë pas meritave, që i sollën të tjerët - ata që më së shumti u dëmtuan.
Për vendet dhe njerëzit që kanë kaluar nëpër këso situatash, çështja kuptohet shumë lehtë, si dhe rezultati matematik i problemit është shumë i thjeshtë. Të merituarit i kanë meritat e veta, kurse të pamerituarit do të bëjnë çmos për t’i kapur ato, bile edhe të të tjerëve. Fatkeqësi!
Do të citojmë një thënie të Hajnrih Hajne, i cili thotë: “Kur heronjtë largohen nga skena, atëherë hyjnë kllounët”*. Dhe, pikërisht kjo thënie i përmbyll ato që i përmendëm më lart.
Por, çështjen nuk do ta lëmë me kaq, pa e përmendur dhe një thënie të Mark Tuenit: “Është më mirë t’i meritoni nderet dhe të mos i gëzoni ato, se sa t’i gëzoni dhe të mos i meritoni”. Marrësit e meritave të të tjerëve, gjithmonë do të mbeten të pandërgjegjëshëm përpara vetes dhe shoqërisë së gjerë. Do ta ripërsërisim një pjesë citatit të I. Gandit, që e dhamë më lart: “Mundohu të jesh në kategorinë e parë (pra të atyre që punojnë, veprojnë, - cit. yni), ka më pak konkurrencë”. Me këtë nënkuptojmë se ndershmëria nëpër shumë hapësira mungon, ashtu siç e përbëjnë pakicën, njerëzit e ndershëm, flasim gjithmonë në kornizat e problematikës, që po e trajtojmë.
Sot, kur i qasemi këtij problemi, sidomos në Ballkan, e kemi të theksuar, në shumë vende dhe në shumë sfera të jetës në shoqëri. Ekziston në këto hapësira një etje dhe njëfarë lloji i populizmit nëpër individ, për t’u dukur brenda shoqërisë. Ata bëjnë çmos për t’i korrur meritat e të tjerëve. Për t’i realizuar etjet dhe synimet individuale, e klanore, në dëm të atyre të parëve, që punojnë e veprojnë në heshtje, pa tendenca për t’u dukur në shoqëri.
Nuk deshëm të nxjerrim shembuj nga përvojat tona jetësore për këtë fenomen, që të mos e ngarkonim së tepërmi këtë trajtesë. Por, duke qenë dëshmitarë në x raste (sigurisht se si individ, që kemi dhënë kontribut në shumë etapa dhe sfera në shoqërinë tonë), si dhe duke i parë të tjerët si i rrahnin gjokset nëpër sukseset e aktiviteteve dhe punëve tona, praktika na bënë që ta ndiejmë shumë për së afërmi karakterin dhe virtytet e këtyre të dytëve - pra korrësve të meritave.
Në fund, duam të konstatojmë se meritat e veta secili duhet t’i meritojë me punë e sakrificë, pa ndonjë tendencë për t’ia grabitur tjetrit ato, se ndryshe do ishte akt jo i moralshëm, i pandërgjegjshëm dhe në raste të caktuara edhe i dënueshëm ligjërisht.
3.
MOS LEJONI QË NJERËZIT NEGATIVË TË HUAZOJNË HAPËSIRË NË KOHËN TUAJ. RRITENI ÇMIMIN E QIRASË - ATA LARGOHEN VETË
Nuk e di se si më erdhi ky titull dhe ky mendim, por e rëndësishme është që ne, brenda këtyre kornizave, të japim mendimin tonë dhe ta elaborojmë atë sipas një logjike që synon syçeltësinë njerëzore dhe ndërgjegjësimin e saj nëpër hapat e jetës. Le të synojmë gjithmonë kah përsosshmëria dhe ajo më e mira që mund të na përcjellë në udhëtimin tonë jetësor, duke njohur këto virtyte njerëzore, për të qenë sa më larg atyre, që na krijojnë çaste jo të mira apo na e prishin rehatinë tonë.
Do të sjellim për ju, një thënie shumë të bukur, që përkon me temën dhe porosia e saj, sikur rrumbullakon shumëçka brenda asaj, që duam të sjellim përpara jush në trajtesën tonë: “Qëndro larg personave, të cilët ndajnë me ty vetëm ankesa, probleme, histori dramatike, frikë dhe gjykime për të tjerët. Nëse dikush kërkon një kosh për të hedhur mbeturinat e tij, sigurohu që ky kosh mos të jesh ti!" (Dalai Lama).
Në fillim nuk do të ndalemi te porosia e *Lamës, që na jep përmes kësaj thënieje. Por, le të fillojmë nga e para, duke pasur parasysh titullin e temës sonë, se koha juaj, disponimi, qetësia dhe rehatia janë tepër të vlefshme. A nuk është e kot, që ju të investoni kohë për ata që rrojnë brenda negativitetit të tyre dhe kërkojnë ta shpërndajnë atë edhe te ti? Dhe, një humbje kohe e tillë, sa është e kot, është edhe rehatiprishëse për ju dhe për disponimin tuaj. Sigurisht se ju nuk keni nevojë për të tillë, që ju shesin a kërkojnë të mbjellin brenda jush elementin e mendimit negativ, kur ju jetoni brenda një rehatie dhe pozitiviteti që u sjell rehati e të mira në udhëtimin tuaj. Çdo mendim apo element negativ, që ju bashkëshoqëron juve, përpiquni ta largoni nga vetvetja, sepse do t’u sjellë vetëm të liga. Pra, njësoj ashtu siç po kërkojmë që ta flakim vesin e ligë apo negativ nga ne, ashtu duhet të përpiqemi të qëndrojmë sa më larg atyre njerëzve, që kërkojnë të huazojnë hapësirë nga koha juaj, për ta mbjellë apo shitur edhe te ju - atë të keqe që pretendojnë.
Nëse do të themi se unë do ta largoj apo nuk do t’i jap hapësirë një individi të tillë dhe s’do të merret kush me ta, atëhere ç’do të ndodhë me ata njerëz? Ata do të bëhen të dëmshëm edhe për shoqërinë në raste të caktuara! Edhe për ta, mund të gjendet qare dhe derë, ku mund të përfundojë çmenduria e tipave të tillë. Në fund të fundit, janë qendrat rehabilituese, institutet e ndryshme apo edhe klinikat, por jo ju, qetësia dhe rehatia juaj, sepse atëherë ju do të jeni viktima e rangut, për të cilin po flasim.
Le të ndalemi pak tek urtia e Dalai Lamës dhe atë të pjesës së parë: “Qëndro larg personave, të cilët ndajnë me ty vetëm ankesa”. A nuk ju duket e drejtë kjo porosi? Nëse ti ke kohë, durim dhe interes që nga dikush të dëgjosh vetëm ankesa, të duket punë me mend? Aspak! Është veprim jo profitabil, i cili në një kohë të caktuar do të ndikojë për të keq edhe te ju.
Le ta ilustrojmë me ndonjë shembull, që mund ta keni pasur si sprovë gjatë jetës suaj. Le ta kujtojmë ndonjë individ, që njohim nga këto sjellje dhe veprime. Le të kujtojmë ankesat e tij të përhershme, karshi jush. Sa të mërzitshme e neveritëse do t’ju duken, nëse individi i caktuar, ka përsëritur në vazhdimësi ankesat e tij për një çështje të caktuar, karshi jush. Ne nuk deshëm të ndajmë përvojat tona, por i lamë ato të hapura, që ju më për së afërmi me shembujt tuaj, t’i vlerësoni gjithë ato që po trajtojmë brenda kësaj hapësire.
Le të shkëpusim një detaj nga urtia e Lamës, ku thotë: “Gjykime për të tjerët”. A nuk është arsye për largim apo rritje të qirasë së kohës suaj për tjetrin, kur ai me idetë dhe interesat e veta, kërkon që edhe brenda fushës suaj të mbushur me lule, ta mbjellë një manaferrë mendimesh të liga për tjetrin, si dhe hapësirave tuaja ta përhapë mjegullën e ligësisë? Në asnjë periudhë kohore të jetës suaj nuk do t’u bëjë mirë, përkundrazi do t’u infektojë me të ligën. Dhe, pikërisht ky lloj virusi (do ta quanim në termin shkencor), gradualisht do të infektojë hapësirat e mendimit të mirë tuajit. Jo më kot, na vie porosia tjetër siç qëndron në tiullin e kësaj teme: “Rriteni çmimin e qirasë, ata do të largohen vetë”.
Do të vazhdojmë dhe për pak çaste, edhe me një thënie tjetër, që shohim një lloj lidhshmërie me atë që po themi e synojmë ta përmbledhim brenda kësaj hapësire. Le të sjellim këtu një thënie nga Giacomo Casanova, i cili thotë: “Fatkeqësia më e madhe që mund t’i ndodhë njeriut inteligjent është që të caktohet vartës i budallait”.
Duke u shprehur në thënien klasike, siç thuhet më lart: A nuk është budallallëk të huazosh kohë për ata që shërndajnë hapësirave mjegull negative, apo kërkojnë që edhe brenda kohës e hapësirave tuaja, ta ndotin ambientin me elemente negative? E po këtu duhet kërkuar budallain, nëse ti je në gjendje ta dëgjosh atë dhe koha jote të jetë vartëse e negativitetit, që kërkon të ta shesë tjetri. Dhe, vërtet është fatkeqësi të humbësh kohë, apo t’i japësh hapësirë tjetrit të të tregojë çfarëdo lloji të përrallave, që ta prishin qetësinë e ta ndotin mendimin, që ti e ke krijuar me aq mund e sakrificë. Në të përditëshmen moderne, ky lloj vlerësimi i fundit si përgjithësim, po emërohet si stres. Pikërisht për këtë emërtim do të japim një thënie të bukur të Albert Ajnshtajnit, si cili thotë: “Shkaktari kryesor i stresit është kontakti i përditshëm me idiotë”. A nuk është e saktë kjo që thotë Ajnshtajni? Ne vlerësojmë se po! Sepse të infektohesh nga dogmat e huaja, të jetosh brenda brengave dhe telasheve të tjetrit, është stres i kot, apo humbje kohe e palëvërdishme dhe e pashëndetshme për veten tuaj.
Aq më keq, kur tjetri kërkon që me çdo kusht të të fusë brenda kornizave të negativitetit të vet, që e ushqen në shpirt. Dhe, shih për këtë, një thënie tjetër që do ta sjellim për ju shkon edhe më larg. Me këtë duam t’i japim një definim asaj që duam të themi dhe ne: “Inteligjentët sëmuren duke u përpjekur t’i durojnë idiotët”, thotë Lope de Vega. Duke pasur parasysh këtë formulim, çështja na bën sa të jemi të kujdesshëm, aq edhe të ndjeshëm ndaj kësaj shtrese njerëzish, për t’u qëndruar larg atyre apo ta themi më mirë, ashtu siç e kemi emëruar më lart: “Për ta rritur koston e qirasë ndaj tyre, në mënyrë që ata të vetëlargohen nga ti”.
Deri këtu, ku kemi arritur, me këtë elaborim, mendoj që do t’ju kujtoj ndonjë individë të tillë, që është infiltruar brenda kohës suaj. Por, a jeni në dijeni dhe sa mund ta kujtoni se nëse një i tillë e ka e vjedhur kohën tuaj? A ju kujtohen gjurmët e pasojat që ai mund të ketë mbjellë brenda jush? Kjo ka rëndësi shumë që ta kujtoni, ta hulumtoni elementin negativ brenda jush, si dhe ta flakni atë përtej, ashtu siç e keni flakur individin me tendenca negative, duke ia rritur koston e kohës suaj të çmuar. Dhe, kur t’ia arrini që ta izoloni situatën dhe dobësinë e elementit negativ brenda jush, atëherë automatikisht e keni flakur nga ju individin, që kërkon të mbjellë një ferrë të ligë në mendjen tuaj.
Nganjëherë të rastisë, krejt pa dashjen tënde, në ndonjë aheng, ndeje apo edhe në media të ndryshme, kur dikush hedh mjegull brenda hapësirave tuaja dhe t’i krejt pa dashje, je i spërkatur me të ligën. Apo të themi më thjesht: kur dikush plason një informacion apo ngjarje, e cila për nivelin tënd, ka elemente krejt qëllimkëqija apo negative. Deshe apo s’deshe, për një çast, edhe juve ju ka pushtuar ajo ligësi. Por, ju duhet të jeni ai që e skanoni dhe e filtroni, për ta pranuar ose jo brenda jush. Anatole France e thotë një thënie të bukur, që i përafrohet këtij rrethi njerëzish: “Më shumë se çdo gjë më tremb budallai, që përpiqet të bëjë biseda inteligjente”. Edhe ky tip njerëzish, mendoj se i përafrohen rrethit të atyre që përhapin mjegull negative nëpër hapësira të të tjerëve, sepse deshi o nuk deshi, ky tip individi, do të jetë i gabueshëm dhe mjegullpërhapës, nga i cili do të jeni i goditur dhe ju.
Qëllimisht i dhashë disa thënie, për ta elaboruar më qartë dhe më mirë, si dhe për ta përforcuar atë që ne e vlerësojmë si të dëmshme dhe të padobishme. Dhe, të pranosh një rreth të tillë, që të sillen vërdallë rreth teje e të mbjellin në arën e memories tënde, çfarë të duan ata - duhet kujdes.
Sot rrugët dhe mundësitë janë të hapura në përzgjedhje të rrethit, të shoqërisë e të miqësisë, pavarësisht se nganjëherë jeni i imponuar, mbani në kujdes memorien tuaj, që të tillët mos t’i pranojë të depërtojnë deri aty. Rriteni koston e qirasë, që ata të mos mund të jenë afër teje, apo rritini kriteret tuaja karshi tyre, në mënyrë që ata të mos kenë shanse e mundësi të infiltrohen brenda hapësirës suaj!
4
EDUKIMI YT NUK MBARON ME PËRFUNDIMIN E SHKOLLIMIT, POR AI DUHET TË VAZHDOJË GJATË GJITHË JETËS
E gjithë jeta e njeriut është një lloj sprove, ku ai në vazhdimësi, sado që të mendojë si di shumëçka, gjithmonë i nënshtrohet një procesi, ku do të mësojë pandërprerë gjëra nga jeta. Përveç kësaj, kjo përvojë do të jetë një lloj edukimi dhe shkollimi, ku ai vazhdimisht do të përballet me nevojën për të mësuar e për t’u edukuar, sepse përsosshmëria e atij edukimi, do të ecë në vazhdimësi bashkë me jetën njerëzore. Dhe, duke e parë me syrin real këtë që përmendëm më lart, edukimi i vazhdueshëm do të jetë i pashmangshëm dhe i domosdoshëm, ndryshe ai që nuk do t’i nënshtrohej këtij procesi, do të rrojë brenda një miopie të kufizuar, që do ta demodojë koha, apo më mirë të themi: Ai do të udhëtojë brenda akrepave të një ore gjithmonë në lodhje.
Gjithmonë rreth kësaj çështjeje, sjellim për ju edhe një thënie nga Jim Rohn, i cili thotë: “Ju mund të mbaroni shkollën, por kurrë nuk mund të mbaroni edukimin”. Pra, edhe nga kjo referencë, kuptojmë se nevoja e edukimit duhet të na përcjellë gjatë gjithë jetës, pa na përbirë mendimi se ne kemi arritur shkallë të mjaftueshme të edukimit dhe nuk kemi nevojë më për të. Dhe, duke gjykuar këtë mendim, për ne të gabuar, individi që do të mendonte ashtu, sikur do t’i afrohej fazës së skizofrenisë.
Do të kthehemi përsëri te fillimi. Le të kujtojmë kohën e shkollimit tonë. Le të mendojmë atë se çfarë kemi mësuar? Sa kemi arritur të mësojmë? Çka kemi mësuar? A do të ishte e mjaftueshme ajo që kemi mësuar? Kur ta kërkojmë atë përgjigje brenda vetvetes, si dhe ta analizojmë në detaje atë mundësi të nxënies së dijes personale, do të mund ta bindim veten më lehtë, se nevoja për edukim të vazhdueshëm është primare dhe obligative. Pra, ai lloj edukimi, ku individi do ta marrë gjatë shkollimit, kurrë nuk do të jetë i mjaftueshëm, po s’u përpoq që atë ta thellojë e ta forcojë edhe më tej gjatë gjithë jetës së tij.
Do të sjellim për ju edhe një fjalë nga urtia shqiptare, që shumëherë na ka rastis ta dëgjojmë nga pleqtë e vjetër: “Shkollën e paska mbarue, po njeri nuk koka bo! Pra, kjo tregon se jo gjithçka arrihet me shkollim. Çështja e edukimit të njeriut ka një diapazon më të gjerë për përsosshmëri dhe ndërgjegjësim. Kur e themi këtë fjalë, ndërgjegjësimin duhet ta kuptojmë si një edukim drejt një përsosshmërie sa më perfekte dhe sa më njerëzore, me tipare e virtyte të shëndosha, që duhet ta shoqërojnë një njeri.
Do të sjellim dhe një thënie të bukur nga Xhorxh Bernard Shou, i cili na jep një thënie të bukur: “Koha është një mësues i mirë, por i vret të gjithë nxënësit e tij”, dhe se në një zbërthim të mëtejmë, na jep një porosi të mrekullueshme. Ajo na e vërteton nevojën e një edukimi të vazhdueshëm në jetë, ndryshe të gllabëron brenda stagnimit tënd, nëse ti nuk je në gjendje ta kapësh atë dhe të përballesh me të. Dhe, kjo përballje jotja, do të ishte metoda e edukimit tënd në vazhdimësi, brenda zhvillimeve e sfidave, që t’i afron koha gjatë jetës tënde.
Nëse me arsimim do të përkufizonim kohën e të nxënit brenda institucioneve shkollore, ajo do të ketë një kohë të caktuar, pra një fillim dhe një mbarim (për kohën sa ju do të jeni nëpër shkolla). Por, kur kjo kohë do të përfundojë. Ky lloj arsimimi për shumëkë do të mbarojë. Pra, kemi një etapë të caktuar, e cila nuk i jep mundësi gjithkujt të jetë në rrjedha të vazhdueshme të arsimimit. Dhe, jo rastësisht, ndarjen, që i bëjmë fjalës edukim, duam të jemi më të qartë dhe ta kuptojmë më thellësisht këtë fjalë. Jo sa duket në pamje të parë, kur themi: arsim dhe edukim, bashkë. Ai lloj edukimi, që potencohet nëpër shkolla, fakultete, ka një kornizë të caktuar, kur ti je i përcaktuar brenda një profesioni, që nesër do t’i shërbesh atij.
Edukimi, për të cilin po flasim ne, ka një diapazon më të gjerë dhe të gjithanshëm, i cili në hapësirën kohore e kapë gjithë jetën e individit, sa të jetë gjallë. Kjo për shkakun se njeriu gjithmonë ka nevojë për mësim dhe edukim të vazhdueshëm.
Më duhet një ilustrim, që të jemi më të qartë në kuptimin e termit edukim dhe diapazonit të kësaj fjale, sipas nesh: Le ta memdojmë se jemi arsimuar, kemi kryer shkolla e shkolla e krahas saj jemi edukuar në masën e nevojshme, që do të duhet për jetë, si dhe për ta transmetuar atë edukatë te të tjerët. Kur ne mendojmë se kemi mjaft edukatë, përpara nesh shfaqet një individ apo mik yni edhe më i edukuar, me njohuri dhe diapazon të edukatës, që do të na nxirrte në hije. Nevoja për të mësuar nga ai, do të na ngacmojë vetvetiu, që të marrim atë që na mungon neve. Pra, vetvetiu po shfaqim nevojë për një lloj edukimi të mëtejmë, brenda nesh. Kjo kaptinë, e vërteton atë, se edukimi ynë do të jetë i domosdoshëm në vazhdimësi gjatë jetës.
Apo na ndodh secilit nga ne që të bëjmë gabime apo llapsuse, për të cilat na qorton dikush apo edhe ligji, përballë të cilit nuk mund të jemi kurrë absolut. Përballja me të, a nuk është një lloj testi në edukimin tonë?
Nevoja për edukim të vazhdueshëm, na kujton edhe shembuj të tjerë: Unë njoh e kam njohur individë me arsimim superior nga lëmitë e ndryshme dhe profesione të ndryshme. Nuk do t’i bëjmë ndonjë vërejtje arsimimit të tyre profesional, por se nevoja e analizimit të sjelljeve të tyre dhe e edukatës, na nxitë që të merremi me ta. Më ka ndodhur shpesh që ta përcjell sjelljen e tyre në shoqëri, në miqësi, e në përgjithësi në jetë, ku niveli edukativ, fatkeqësisht, ka çaluar, duke pasur parasysh sjelljet e tyre.
Kur një njeri të arsimuar e përcjell tek bën veprime jo të ndërgjegjshme, antiligjore e antihumane, kjo të jep të kuptosh se çfarëdo arsimimi të ketë pasur, ka nevojë edhe më tej për edukatë dhe edukim. Të shpresoj se nuk do të shihet me sy kritik kjo tërheqje e vërejtjes, karshi atyre individëve, që do ta gjenin veten brenda këtij vlerësimi. Por, le të jetë një thirrje dhe një vërejtje për një ndërgjegjësim, që do ta çonte individin drejt një syçeltësie kah edukimi i vazhdueshëm.
“Eduko veten, për të mësuar dhe edukuar të tjerët”, me këtë thënie, duam të shpërndajmë porosinë për brezat që po arsimohen e po vijnë prapa nesh. Kjo për faktin se shpesh po më bie në vesh fjala: “Ka mbaruar fakultetin e edukimit”. Është e vërtetë se shumëkush ka mbaruar, po mbaron e do ta mbarojë fakultetin e edukimit, studimet e mëtutjeshme, deri në titujt më të lartë shkencorë. Por, shtrohet pyetja: Çfarë edukate ka fituar individi? Të cilit do t’i besohen brezat e ardhshëm. Dhe, nëse ky individ, nuk ka kurrfarë edukate personale: Sa do të jetë i denjë për t’i edukuar të tjerët?
Duke mos u marrë me kritere, me standarde të tilla dhe me këtë tolerancë, që ka në shoqërinë tonë, vazhdimisht do të kemi pasoja, të cilat vështirë të riparohen.
Arsyeja, jo pse shoqëria nuk po merret me edukatën e atyre, që shpërndajnë edukatë, por se po besojmë vetëm në arsimimin e individit, kurse vetë individi rrallëherë e hedh gishtin drejt vetvetes, për ta analizuar edukatën dhe nivelin e vet edukativ.
Ne po flasim për një edukatë të përgjithshme njerëzore, e jo të një lëmie edukative e arsimore. Pra, po flasim për virtyte të përgjithshme njerëzore, të cilat do të reflektonin në jetën e përgjithshme shoqërore.
Do të sjellim një thënie nga William Ralph Inge, për arsimin: “Qëllimi i arsimimit nuk është njohja e fakteve, por njohja e vlerave”. Edhe një thënie nga Mark Twain, për arsimimin: “Sapuni dhe arsimimi nuk kanë efekt të menjëhershëm, siç ka një masakër, por në terma afatgjatë janë të pakrahasueshëm”.
U kthyem dhe njëherë tek arsimimi i mirëfilltë, prej nga edukimi ka përmasa institucionale dhe se si edukim i mirëfilltë ka edhe sukseset dhe rezultatet. Por, kurrë nuk mund të themi se edukimi fillon nga aty. Ai ka zanafillën shumë më herët, te prindërit dhe te familja, duke e përcjellë individin përgjatë gjithë jetës.
Pra, për fund, sa do që një individ të jetë i arsimuar dhe i edukuar, ai ka nevojë që edukimin e tij ta vazhdojë gjatë gjithë jetës së tij. Nëse një individ mendon se ka arritur kulmin e edukatës, do të jetë gjithmonë i gabuar, sepse asgjë në jetë nuk është perfekte dhe absolute. Edhe edukimi i individit, duhet t’i nënshtrohet relevancës.
5
KURRË MOS VUAJ NGA FAKTI SE ÇKA MENDOJNË TË TJERËT PËR SUKSESIN TUAJ
Ka shumë njerëz që vuajnë nga fakti se çka mendojnë të tjerët për të? Ç’thonë për të? Ç’bëjnë për të? Sa janë të interesuar për të? Sa flasin për të? A e respektojnë atë? E shumë e shumë aspekte të tjera të interesimit për të. E gjithë kjo brengë, për ne, në këtë trajtesë është një sindromë, i cili e ngarkon një individ me çështje të parëndësishme dhe me ngarkesë për të vuajtur më tepër. A duhet të preokupohemi për këtë çështje? Këtë duhet ta peshojmë gjithmonë shtruar e mirë, për ta gjykuar më pastaj nëse ia vlen ose jo. Në një përgjigje të shkurtër, do të themi: Aty ku nuk na preket interesi ynë, s’ia vlen të merremi a të vuajmë nga ky ves. Por, meqë fjalën e kemi te suksesi, është e qartë se këtë sporovë, si individ, duhet synuar për ta tejkaluar, në mënyrë që ngarkesa juaj për t’u marrë me një sindrom të tillë, nuk do të ekzistojë brenda jush.
Do të fillojmë nga një thënie e bukur e shkrimtarit, Paulo Cohelo, i cili pikërisht për këtë çështje thotë: “Nëse nuk të intereson se çfarë mendojnë njerëzit, atëherë ju e keni kaluar hapin e parë të sukseseit”.
Sigurisht se të arriturat e Cohelos, nuk kanë kaluar në tepihun e kuq apo nëpër fusha të lulëzuara. Ato i kanë pasur sfidat e veta. I kanë pasur rrugët e vështira që vetëm ai është ballafaquar dhe ka arritur që t’i tejkalojë ato. Sigurisht se ka pasur miq të mirë, por edhe kundërshtarë, të cilët janë përpjekur që ta ulin veprën dhe punën e tij. Nga këto kondita, ai ka ditur dhe ka arritur t’ia dalë mbanë me sukses, duke ecur gjithmonë përpara, pa u ndalur dhe pa u lodhur për të tjerët, se çfarë mendojnë e çfarë thonë për të. Me këtë tejkalim, ai ka ecur drejt sukseseve, pa u ndalur në faktin se çfarë mendojnë të tjerët për të.
Në fakt, nëse një individ do të vuajë nga sindromi i asaj se ç’thonë të tjerët, nëse unë e bëjë këtë apo atë punë, atëherë vija e suksesit tuaj do të ndiejë pasojat apo do të vuajë nga pasojat e saj.
Për shembull: Nëse ju filloni të krijoni një vepër lerare apo një punë të çfarëdolloji, e para pyetje që do t’ju mundojë juve është se çdo të thonë të tjerët? Si do të pritet ajo nga lexuesi? Dhe, nga ky sindrom, do të lindin pasojat, të cilat do t’u tërheqin zvarrë juve dhe suksesin tuaj. Por, kur ju, do të përpiqeni t’i injoroni këto pyetje, ta injoroni këtë sindromë, do të jeni më i çliruar dhe më lirë për të punuar e për të vepruar. Çfarë thonë e çfarë mendojnë të tjerët? Le ta thonë e le ta mendojnë secili në këndin e vet dhe për veten.
Do të japim një shembull të thjeshtë: Nëse ju keni filluar të ndërtoni një pallat rreth një rruge, sipas planit, kërkesave dhe nevojave tuaja. Pak ka rëndësi shija e të tjerëve. Ju me dijeninë tuaj, njohuritë dhe kapacitetet tuaja, do ta bëni më të mirë. A duhet të vuani ju nga sindromi i asaj se çdo të thonë të tjerët? Ose: A do t’u pëlqejë të tjerëve? Sigurisht se jo!
Por, do të ndalemi te fakti tjetër, që sikur ju të vuanit nga kjo brengë dhe ta nxirrnit dëshirën tuaj në publik, si dhe t’i pyesni fqinjët, kalimtarët dhe të tjerët: Se si do të duhej të dukej pallati juaj? Njëri do t’ju thoshte: Unë do ta kisha kthyer me fytyrë kah dielli; tjetri nga perëndimi, tjetri një dritare këtej e andej e tjetri një derë këtu, ku asnjëri s’do t’ua thoshte të njëjtat dëshira e kërkesa.
Pra, projekti juaj do të pësojë ndryshime orë e çast. Ju s’do të ndiheni i qetë e i rehatshëm asnjëherë. E njëjta gjë do të ndodhte në çdo lëmi dhe punë, që ju duhet ta bëni. Sigurisht se përgjigjja për mosvuajtjen nga fakti se çka mendojnë të tjerët, gradualisht e morëm edhe brenda këtij shembulli. Me këtë, sikur arrijmë ta bindim edhe vetveten, se këtë fenomen duhet injoruar e tejkaluar, bile -bile as për t’u mos u marrë aspak me një çështje të tillë, sepse ajo veçse do ta komplikojë punën tonë, si dhe do të bëhet një lëmsh, i cili do të na i ngatërrojë punët tona.
Në fund të fundit, jo të gjithë do të donin të të shihnin mirë apo të suksesshëm në ecjen tuaj. Shih për këtë ata do të të sfidonin apo do të ngatërroheshin me ligësitë e tyre, nëpër çështjet tuaja. Do të të përbaltnin punën tuaj, vetëm e vetëm që të ti prishnin planet dhe sukseset tuaja. Dhe, mosmarrja juaj me një çështje të tillë, do ta hermetizonte punën tuaj, do t’ua mbyllte hapësirën e të tjerëve për të influencuar te ti. Do të ishe më i çliruar për të ecur suksesshëm në punën tënde.
Përpara se të japim një shembull nga përvojat personale për këtë çështje që po flasim, le të sjellim dhe një thënie nga Francis Scott Fitzgerald, i cili thotë: “Po nuk mendove vetë, mendojnë të tjerët për ty. Të heqin pushtetin e të shtrembërojnë shijet natyrore, të civilizojnë e sterilizojnë”.
Pra, ne po kërkojmë vetëbesim në vetveten tonë, ashtu siç porositë edhe kjo thënie e Scottit. Kjo kërkesë e ngritjes së vetëbesimit, në atë që doni të bëni, sigurisht se i ka arsyet e veta, disa nga të cilat i përmendëm më lart. Dhe, duke pasur vetëbesim në vetveten, ti krijon besim edhe te të tjerët. Sigurisht se detyra primare e suksesit tënd varet nga ti. Pikërisht ti je ai, që duhet t’i prish punës për suksesin. Por, nëse ti nisesh prej asaj se ç’thonë të tjerët, për punën e suksesin tënd, do të vuash nga ato pasoja. Apo aq më keq nëse ti u jep hapësirë, që të tjerët të infiltrohen apo të jesh ti ai që nga vuajtja se çdo të thonë të tjerët për ty, të krijosh hapësirë, që ata të jenë pjesë e punës dhe suksesit tuaj është alibi. Pra, me një fjalë nëse ti i jep hapësirë vetes, që në njëfarë mënyre të tjerët të kryejnë punët tuaja, është e paimagjinueshme. E pse atëherë të vuajmë nga fakti se çka mendojnë të tjerët për ne e sukseset tona?
Do të flasim pak dhe për shembujt personalë, në mënyrë që ta ilustrojmë nga afër këtë fenomen: Duke ardhur nga një rreth, ku paragjykimet shumëherë u prijnë njerëzve, që të ndërtojnë një vizion për ty, për familjen, për rrethin, për personalitetin, etj., kjo çështje sikur e arrin pikën kulmore, për t’u zbatuar si metodë, që do të të çonte drejt suksesit. Pra, arsyeja bëhet më e fuqishme, për të mos menduar apo interesuar aspak se çfarë thonë e çfarë mendojnë të tjerët. Detyra jote bëhet e domosdoshme, që sa më parë të çlirohesh nga këto dogma, të cilat të çojnë drejt stagnimit dhe mossuksesit.
Ardhja nga një rreth tejet i mbyllur dhe hyrja në letërsi nga këto rrethana dhe kondita, kërkon më tepër se guxim, më tepër se vetëmohim, më tepër se flijim. E para, në një kohë robërie dhe shtypjeje aparteidi, pastaj të hysh brenda një bote arti, kur askush rreth teje nuk ka haber e as që të flet ndonjëherë për të, ku ti gjithmonë je nën një lloj ndrydhjeje përreth teje. Pra, ti jeton brenda një presioni, kur gjithçka rreth teje është faktor ndrydhës dhe pengesë e ecjes tënde më tej.
Pak do të ishte e rëndësishme kjo, në raport me krijuesit e arteve të njëjta, vlerësimet, inercionet, xhelozinë e propagandat e tjera, që i zhvillojnë ata për njëri- tjetrin. Shtoja kësaj edhe artzhvatësit dhe artprofiterët, që nuk janë me pakicë nëpër qytetet tona (pra, po flasim vetëm për sferën e artit, ku e njohim mirë situatën), dhe po të lodheshim për faktin se çfarë do të thonë ata, do të ishte e tepërt apo dobësi jona të ndaleshim te ky mendim.
Nëse ti (në këtë rast situata personale jona) i nënshtrohesh fenomenit se: Ç’mendojnë të tjerët për rrugët tona të zgjedhura, për sukseset, atëherë shpejt do të shuhesh dhe sukseset e tuaja s’do të kalojnë as përtej një lagjeje. Por, vendosmëria që të mos merremi me këtë fenomen, që të mos vuajmë nga një çështje e tillë, por duke e injoruar çdo mendim rreth këtij fenomeni, sigurisht se hapat tona kanë ecur jashtëzakonisht drejt sukseseve. Gjykimet për punën e veprën, le të vijnë më vonë, le të merren me to më pastaj, por vetëm profesionistët dhe jo ata që nuk kanë haber nga arti i të shkruarit. Kësisoji, duam të themi se për ne, kjo pikë, qysh në fillimin e rrugës sonë ka qenë e tejkaluar.
Çdo punë, çdo detyrë apo çdo obligim që i vihet vetes, sigurisht se vetëbesimi është më se i rëndësishëm, sa është e rëndësishme edhe dashuria për punën apo detyrën që i keni vënë vetes. Duke iu përkushtuar me dashuri e vetëbesim, sigurisht se puna dhe suksesi juaj do t’i reflektojë ato dhe do t’i bëjë edhe të tjerët të lumtur (flasim gjithmonë për ata që mbështesin dhe e përkrahin rrugën e suksesit dhe suksesin tuaj).
Rreth kësaj që e thamë më lart, japim edhe një thënie të bukur të Anna Frankut, e cila thotë: “Kush është i lumtur i lumturon edhe të tjerët”.
E dhamë këtë mendim për faktin se nga përvoja jonë personale: “Artbërjen, jo vetëm që e bëjmë me shumë dashuri, por ajo edhe na lumturon në shpirt, duke na frymëzuar e shijuar jetën brenda saj”. Sigurisht se kjo do t’i gëzojë dhe do t’i lumturojë edhe të tjerët (ata që kanë fatin ta shijojnë e ndiejnë shijen e artit).
Megjithatë, detyra dhe puna jonë fillestare gjatë artbërjes, nuk ka vuajtur dhe as nuk vuan nga fakti se çfarë thonë të tjerët apo çfarë do të thonë? Gjithmonë kemi pasur parasysh sfidat tona, të cilat në momentin, kur jemi çliruar nga ato, rrugët tona në artbërje kanë qenë të lira dhe pa kurrfarë pengesash përpara.
Pra, nëse ti shqetësohesh se ç’do të thonë të tjerët? Si do të të vlerësojnë ata? Vuajtja nga kjo dozë do të të bëhet një lloj pengese në vazhdimësi, sikur atletit në pistën me pengesa. Dhe, ato pengesa, do të jenë të reflektueshme dhe të paevitueshme, derisa ti nuk e eviton në tërësi brengën se çka mendojnë të tjerët.
Ta marrim këtë çështje edhe nga këndi pozitiv. Të vlerësojmë se të tjerët e çmojnë punën tuaj dhe ju vlerësojnë juve. Edhe kjo pikë është tepër e rrezikshme, sepse nëse ju vuani nga ndonjë etje për famë apo nam, kjo për ju do të bëhet gllabëruese. Ajo do t’ju kaplojë si ndonjë shpend me krah. Do t’ju bartë deridiku dhe më pas do t’ju harrojë. Kjo për faktin se, fama dhe nami as nuk hahen, as nuk pihen, por ato diku përfundojnë. Ju duhet të përpiqeni që punën tuaj ta kryeni në mënyrën sa më të mirë, me shumë përkushtim e dashuri, që ajo t’ju lumturoj juve, pa menduar në asgjë më tej: nëse do të vlerësohet apo të zhvleftësohet suksesi dhe puna e juaj. Brengat dhe vuajtjet nga kjo dozë, duhet hequr përtej vetes, sepse vetëm atëherë, puna juaj do të ecë suksesshëm e do të japë rezultatet e veta.
6
SA MË SHUMË QË T’I JAPËSH DIKUJT QË NUK E MERITON, AQ MË SHUMË MOSMIRËNJOHËS BËHET
Përvojat e jetës dhe vetë evolucioni njerëzor nëpër kohë, shumëherë e ka dëshmuar se sa më shumë që t’i japësh një njeriu që nuk e meriton, më shumë mosmirënjohës do të bëhet. Se mosmirënjohja është virtyt, ku në të shumtën e rasteve e shoqëron individin, apo bashkëjeton me të dhe herë - herë e reflekton atë karshi të tjerëve. Njerëzit e tillë nuk janë të denjë, që njëherë ta kthejnë logjikën në favor të falënderimit, por duke e ushqyer në vazhdimësi pangopshmërinë e tyre, verbohen drejt etjes së vazhdueshme, për të përfituar më tej. Dhe, kjo etje, sikur e ushqen virtytin e dobët të mosmirënjohjes. Por, ne nuk do t’i bëjmë ndonjë analizë virtytit të kësaj kategorie, por problemit, që po e shtrojmë dhe na e afron vetë ky titull provokativ.
Fillimisht, duket johumane, apo dikujt do t’i tingëllojë jo mirë, po sa të ndeshet me titullin e kësaj trajtese, porse realiteti njerëzor është i tillë dhe duhet të shtjellohet, për t’u sqaruar njëherë e mirë disa gjëra.
Se ky fenomen, ka një përmasë të gjerë dhe reflektohet kudo, është më se e vërtetë, dhe si të tillë duhet parë me shqetësim. Sa më shumë po rriten kërkesat njerëzore, aq më shumë po reflekton edhe mosmirënjohja. Ne, këtë fenomen, duam ta shohim nga pole të ndryshme dhe vlerësimet, që kanë dhënë të tjerët, për mirësinë dhe mosmirënjohjen.
Një vlerësim që vjen tani është i vjetër mbi dy mijë e katërqind vjet, nga Konfuci, i cili thotë: “Mos u nis të bësh mirë nëse nuk je i përgatitur për mosmirënjohjen”. Pra, aq sa e vjetër është bamirësia, po aq edhe mosmirënjohja. Si i tillë ky fenomen nuk është problem i një brezi a i një gjenerate. Porse thënia e Konfucit, sikur përpiqet ta tejkalojë atë, dhe pavarësisht saj, bamirësia duhet të vazhdojë. Por, filozofia e thënies së Konfucit, sikur kërkon ta përgatitë individin për moszhgënjim dhe se pavarësisht ligësisë së atij, që e pranon të mirën, dhuruesi i saj duhet të vazhdojë me bamirësinë.
Do të ishte mirë, që ky fenomen të ilustrohej edhe me ndonjë shembull nga praktika e përgjithshme jetësore, p.sh.: Ti ndihmon diku brenda një organizimi për të ndihmuar diku. Dhe, ti e di se projekti që ndërmerr një grup i caktuar njerëzish, organesh apo grupimesh, dedikohet për një qëllim, që ndoshta, ty as që të intereson më se ku po shkon ajo ndihmë dhe kontribut juaji. Në këtë rast, ti direkt nuk je i falënderuar, që tërthorazi i bie se kontributit tuaj nuk i kthehet mirënjohja. Ndihma juaj mbetet si një qëllim human, për dëshirën tuaj. Për ne kjo do të tingëllonte, se ti je i përgatitur edhe për mosmirënjohje, por se humanizmi juaj vazhdon.
Raste të tilla individuale kemi: kur e ndihmon një lypës në rrugë, e që nesër ai as që do të të njohë ty, por ti vazhdon ta ndihmosh përsëri, edhe pse je i vetëdijshëm për karakterin dhe virtytin, që mund të ketë një lypës rruge.
Është koha që sërish të japim ndonjë thënie nga të tjerët, për ta parë edhe ne, se si e shohin të tjerët, këtë fenomen njerëzor, p.sh.: Mark Twain e thotë Kështu: “Nëse merr një qen që po vdes urie dhe e ushqen, nuk do të të kafshojë. Është ky ndryshim në mes të qenit dhe njeriut”.
Një shembull jashtëzakonisht i mirë dhe i ilustruar bukur, për ta kuptuar karakterin e mosmirënjohësit. Sepse, ku ka veprim më të ulët se dikush të të ndihmojë dhe ti të mos jesh falënderues ndaj tij. Aq më keq, kemi raste kur, pikërisht, aty ku njerëzit kanë ndihmuar, nga aty ju ka buruar e keqja, sepse mosmirënjohësi ia ka kthyer me të liga.
Dhe jo rastësisht, një fjalë e urtë shqipe thotë: “Nuk kam frikë aty ku nuk kam bërë mirë, por frikohem nga ata që iu kam bërë të mira”.
Ky fenomen, reflekton tepër në përditshmërinë tonë. Le të japim ndonjë shembull, si ilustrimi i asaj që thamë: Më ka ndodhur shumëherë që të ndihmojë njerëz kur kanë pasur nevojë për të holla, për një kohë të caktuar. U kam dhënë me afat dhe pa kurrfarë interesi. Por, kur ka ardhur koha e kthimit të borxhit, në disa raste huamarrësi është hidhëruar. Kjo është mosmirënjohje, sepse në vend se të falënderohet për shërbimin që i kam kryer, kam marrë mosmirënjohje nga ai. Aq më keq, kur nga shumë shërbime që u kam kryer shumëkujt, nga disa, jo që nuk më kanë falënderuar për kontributin e afruar, por me ligësinë e tyre kanë hedhur sa kanë mundur gurë prapa shpine. Asnjëherë nuk jam ndier i zhgënjyer, pavarësisht se ndonjëri nga ta e ka përsëritur disaherë. Vazhdimisht i kam dhënë rast që të korrigjohet, por në momentin kur jam bindur se logjika e tij është e paaftë për përmirësim dhe korrigjim, e kam larguar nga rrethi im.
E ilustrova këtë praktikë, për ta vërtetuar thënien e Mark Twainit, si dhe për të tërhequr vërejtjen atyre që lexojnë këtë trajtesë, si një thirrje për një ndërgjegjësim.
“Njeriu i keq, edhe pas njëqind të mirave, nuk e harron një të keqe që i ke bërë. Njeriu i mirë, edhe pas njëqind të këqijave, nuk e harron një të mirë që i ke bërë”, thotë Michele Colombo.
Pra, ky është një vlerësim për të dy kategoritë e njerëzve rreth mirënjohjes, si një peshim në mes të këtyre dy kategorive.
Ndërsa, Francesco Domenico Guerrazzi për mosmirënjohjen thotë: “Mosmirënjohja është monedha e zakonshme me të cilën njerëzit paguajnë”.
Nga shembujt e shkurtër, që përmendëm më lart, ne vlerësojmë se: “Mosmirënjohja s’ka as korniza dhe as kufi. Disa njerëzve edhe shpirtin t’ua japësh, nuk e vlerësojnë kurrë”. Kjo është kulmi i ligësisë së atij individi, që shoqërohet e bashkëjeton me një virtyt të tillë.
Më ka rënë në sy diku një thënie shumë interesante nga një njeri, që donte të ndihmonte, ku thotë: “Dua të ndihmojë njerëzit dhe në asnjë mënyrë ta dinë ata se nga kush u vjen kjo ndihmë. Arsyeja, sepse dua të shmangë më të tmerrshmen ndjenjë që shkakton mosmirënjohja e dikujt”.
E dhembshme dhe neveritëse kjo ndjenjë për mosmirënjohjen dhe mosmirënjohësit, por se si ide dhe vlerësim i drejtë, sepse ai që ndihmon, i vë kufi dhe mbrojtje personalitetit të vet, për ta ruajtur atë të palënduar nga dobësia e tjetrit.
Kur një njeri nuk është në gjendje që të njohë një të mirë, ta vlerësojë atë, atëherë i shtrojmë pyetje vetes: Me ç’lloj njeriu kemi të bëjmë? Apo: Ç’e shtynë një njeri të jetë mosmirënjohës? Nënvlerësues i së mirës? Për mua mosmirënjohja është njëri nga tiparet më të liga, që mund të ketë një njeri. Mosmirënjohësi është njeriu më i ulët, që mund të ekzistojë, pasi që ai ta lëndon krenarinë dhe të bënë që të ndjehesh i shfrytëzuar, kështu do të vlerësonim nga këndi ynë - tiparin e mosmirënjohësit.
Përkundër të gjithë asaj, që thamë e vlerësuam më lart, do të themi: Nëse nuk rrezikon, nuk merr nga jeta të mirat, por edhe të ligat e saj. Dhe, është më mirë të rrezikosh e të bësh mirë, pavarësisht se nganjëherë ta kthejnë me të liga, se sa asgjë, apo edhe aq më keq, të bësh keq, sepse ka njerëz mirënjohës, që do ta shërblejnë me mirënjohje.
“Toka nuk krijon gjë më të urryeshme se njeriu mosmirënjohës”, thotë Decimus Magnus Ausonius. Është një vlerësim tepër i vrazhdë dhe i ashpër, të cilin duhet pranuar, pasi që edhe vetë mosmirënjohja e kontributit të tjetrit, është tepër e ulët dhe e vrazhdë, që ul vlerat dhe tiparet njerëzore të individit.
Sjellim për ju edhe thënie interesante nga Eric Hoffer, i cili thotë: “Njerëzit që kafshojnë dorën e atij që ushqen, zakonisht përfundojnë, duke lëpirë këpucët e atyre që i shqelmojnë”.
Pra, ky është vlerësimi më i qartë për fatin dhe përfundimin e mosmirënjohësit, prandaj le të mësojmë e kuptojmë, nga këto që i thamë, për t’u bërë një analizë të detajuar sjelljeve dhe tipareve tona, në mënyrë që mos të bimë pre e këtij virtyti të ligë.
Nëse gjithë kohën folëm për mosmirënjohësit dhe mosmirënjohjen, pse mos t’i themi dhe disa fjalë për mirënjohjen, si virtyt, që do të mbulonte atë veprim e ves të ligë, duke e kthyer kahjen dhe qëllimin e jetës në drejtim pozitiv. Dhe, jo që mosmirënjohësi nuk e njeh fjalën mirënjohje, por se virtyti negativ, që ushqehet brenda tij, e ka verbuar atë kah e liga.
Do të ndalemi edhe pak te mosmirënjohja, duke e përafruar atë deri te njerëzit më të afërt të familjes, në mënyrë që mos të mbetet mosmirënjohja si fajësi vetëm e njerëzve përtej rrethit të ngushtë. Siç e dimë, jeta njerëzore është një zinxhir i lidhur hallkave, sikur jeta që vazhdon e trashëgohet brezave. Dhe, nëse e shikojmë trashëgiminë, atëherë edhe neve dikush na ka sjellë në jetë, ashtu siç ne i sjellim fëmijët tanë dhe kështu vazhdon më tej trashëgimia. Qëllimi nuk është këtu, por ajo që duam të prekim ne, është kujdesi, mirënjohja dhe mosmirënjohja ndër breza. Njeriu sa është i fortë, punon e i gjendet disi jetës së vet, por kur thyhet në moshë, nevoja për kujdes nga të tjerët, ka raste kur u mungon. Në jetën e përgjithshme shqiptare, ky fenomen ka marrë një hov të madh, si dhe kujdesi ndaj gjeneratave, ka rënë tej mase. Le ta ilustrojmë më qartë: Prindërit e sjellin në jetë fëmijën, e rrisin përafro dy dekada, e shkollojnë, e qe besa edhe nga pasuria e tyre i trashëgojnë. Dhe ç’ndodh pastaj? Ka raste kur fëmijët rriten, shkollohen, martohen, trashëgojnë pasuri dhe ikin nga kujdesi ndaj prindërve, tanimë të thyer në moshë. Ka këso rastesh sa të duash, sa do të mundohemi t’i gjejmë arsye këtij shembulli. A nuk është mosmirënjohje kjo? Është akt i ligë dhe aspak human. Dhe, tani që shumica e brezave e dinë se zhgënjimi do të vie më vonë, prapëseprapë vazhdojnë me trashëgiminë dhe me kujdesin, pavarësisht se mund të jenë të zhgënjyer nga mosmirënjohja. Në këtë rast, mosmirënjohja dhe mirënjohja kanë diapazon më të gjerë, që ne do ta quanim kujdesi prindëror apo kujdesi ndaj atyre, që dikur u kujdesën për ne, e sot duhet të kujdesemi ne për ta.
Pra, mirënjohja dhe mosmirënjohja është një kolorit shumëngjyrësh dhe shumëdimensional, që kapërthen botën njerëzore. Ajo si e tillë duhet të shikohet me shqetësim dhe respekt, karshi këtyre dy lloj fenomenesh. Megjithatë, është nevojë e secilit individ të ndërgjegjësohet dhe të mos bie kurrë pre e mosmirënjohjes, sepse humnera e saj do ta përpijë vetë atë individ, ku ai do të jetë humbësi më i madh. E pse të mos jemi mirënjohës?
Do të sjellim një histori shumë interesante nga nga një shkrim, që dikur ishte në faqen: Shqiptari.net, një ngjarje që motivon për të mirë njerëzimin. Për ne nuk është e rëndësishme ajo çfarë ndodh këtu, por ka rëndësi mirënjohja, në raport me mosmirënjohjen, për të cilën folëm deri më tani. Ngjarja fillon kështu: Një çift i moshuar, në një natë të stuhishme në Filadelfia të SHBA-së, kërkonte strehë në një hotel , për t’i ikur shiut dhe natës së stuhishme, me shpresë se do gjenin një dhomë. Recepcionisti i hotelit, një djalosh tepër miqësor, i tregon arsyen pse në hotelin e tyre nuk kishte vende të lira, ngase atë ditë në qytet ishin mbajtur tri konventa. Duke u treguar shumë i arsyeshëm dhe duke i parë dy pleqtë e moshur, djaloshi vendosë që t’i afrojë dhomën e tij, edhe pse nuk do të ishte edhe aq komode dhe e mjaftueshme për çiftin. Çifti, fillimisht, refuzoi, sepse u ndien ngusht, ngase djaloshi i recepcionit s’do të kishte vend për veten. -Mos u shqetësoni për mua! - tha djaloshi dhe insistoi te pleqtë që të sistemoheshin. Të nesërmen në mëngjes, burri i moshuar, derisa po e paguante faturën, iu drejtua djaloshit me këto fjalë: “Ti je ai lloj menaxheri, që duhet të jesh shef i hotelit më të mirë në botë... ndoshta një ditë do ta ndërtojë një për ty”. Punonjësi e shikoi dhe buzëqeshi. Qeshën të tre me të madhe. Dy vjet më vonë, kjo ndodhi, u bë realitet, sepse një letër që kishte pranuar recepcionisti, ishte tamam si një ëndërr, por e realizuar. Burri i moshuar që ndërtoi hotelin, Waldorf Astoria ishte William Waldorf-Aster, ndërsa punonjësi që u bë menaxher i tij ishte: George C. Boldt.
Nëse shfletuam këtë ngjarje dhe e kuptuam atë, mund të konstatojmë se e mira e sjell të mirën, kështu thotë një fjalë e urtë jona. Po atëherë të pranojmë diç nga dikush dhe të bimë pre e mosmirënjohjes, kur mirënjohja është më e dobishme.
Pra, unë nuk dua të merrem shumë me ngjarje e ndodhi, por le të mësojmë nga shembujt e mirë, që ndodhin, gjithandej, në botë edhe rreth nesh, si dhe le t’i vëmë gishtin kokës, e të kthjellemi në favor të së mirës e mirënjohjes. Por, fatkeqësisht bota njeh edhe shumë njerëz mosmirënjohës, ku kjo gjithmonë do të prodhojë pasoja jo të favorshme në favor të mirësisë.
Megjithatë, ne më mirë do t’i shërbejmë mirënjohjes dhe falënderimit, sepse kështu do të jemi më të mirë e më frytdhënës.
Pra, nëse dikush ty të ka ndihmuar e të ndihmon, praktiko të thuash: Faleminderit! Të falënderosh atë që të ka ndihmuar e të ndihmon. Kjo rritje e vetëdijes tënde të nxjerrë nga humnera e mosmirënjohjes.
Do të sjellim një thënie të Meister Eckhardit që koincidon me mirënjohjen është: “Nëse e vetmja lutje që thua gjatë gjithë jetës tënde është “Faleminderit”, është mjaftueshëm”. Dhe, a do të na kushtonte shumë që të jemi mirënjohës, se sa të jemi krah i së kundërtës, që do të na dëmtonte neve si kultivues të saj, në vazhdimësi.
Pra, mirënjohja, si akt dashurie për veten dhe si akt respekti për jetën dhe të tjerët, pse ta bënim të kundërtën? Ta dënojmë vetveten dhe të tjerët? Kjo nuk do të ishte aspak njerëzore dhe aspak humane, që ne të shoqërohemi me të ligën dhe ajo të na udhëheqë në jetë.
Edhe këtë duhet ta dimë se: mosmirënjohja më shumë do të na dëmtojë neve si individ nëse e praktikojmë atë, se sa tjetrin që mund të ketë qenë human, në raport me ju, apo t’ju ketë ndihmuar. Kjo, për faktin se, mund ta zhgënjeni atë dhe në një rast tjetër ai do të heq dorë për t’ju ndihmuar, ku ju do të jeni humbësi apo pala e dëmtuar.
Por le t’i themi edhe dy fjalë për mirënjohjen dhe mosmirënjohjen, si dy pole të kundërta, përballë mirësisë: nëse juve do t’ju afrohet një mirënjohje dhe një mosmirënjohje, cilën do ta pranonit ju? Sigurisht se secili do ta pranonte mirënjohjen. Po pse atëherë, kur kemi dëshirë që ta marrim gjithmonë mirënjohjen, nuk mendojnë, që atë ta japim nga vetvetja edhe për të tjerët, apo të mos vuajmë nga një egoizëm i stërtepruar, i cili nuk do të na çojë askund. Pra, le të bëhemi mirënjohës, karshi së mirës për tjetrin. Ndërsa, ti si individ, që ndihmon dikë, më mirë bëje një të mirë e hidhe në det, sepse nga ai çast në llogarinë tënde është regjistruar diku një e mirë, që herët a vonë, do të të shërbejë për të mirë.
8.
KURRË MOS E GJYKO TJETRIN, PËR DIÇKA QË NUK E KE PËRJETUAR TI!
Më shumë se një trajtesë me dimensione të gjëra nga të gjitha sferat e jetës, mund të shërbejë si një mësim dhe si një këshillë, me të cilën përpara se të fillojmë të gjykojmë, vlerësojmë apo edhe akuzojmë, gjithmonë duhet të nisemi nga pika zero - nga vetvetja. Kjo është më se e domosdoshme, nëse synojmë të vlerësojmë, gjykojmë apo edhe akuzojmë drejt një çështjeje të caktuar, karshi problemit.
Çështja e gjykimit, paragjykimit, akuzimit dhe diskreditimit të individit, nga një tjetër, ndodhin e po ndodhin shpesh në shoqërinë dhe në jetën njerëzore. Dhe, këto gjykime e akuza, shumëherë nuk kanë kurrfarë bazamenti apo argumenti për t’u mbështetur, si dhe për të krijuar një gjykim të drejtë, në raport me një çështje të caktuar.
Dhe, kur ndodh kjo, pakkush mendon se brenda vetes bart peshën e hakut a të fajësisë, nga ai gjykim i padrejtë. Ne shkurt do ta quanim: Mendjelehtësi në gjykim, aktin e gjykimit periferik, pa argumente dhe pa ndonjë bazament për çështjen.
Po shtrohet pyetja: Se cilat mund të jenë ato gjykime, paragjykime, akuza?
A nuk kemi mjaft akuza, kundërakuza e përbaltje të personalitetit të individit në mediat elektronike, të shkruara, në rrjetet sociale e deri te thashethemet e odave, kafeneve e rrugëve, si dhe në zyrat e institucionet e ndryshme?
Një porosi, që shpesh na ka rënë ta dëgjojmë nga librat, si dhe nga urtitë, na porosit: “Mos gjykoni rrugën e tjetrit, nëse nuk keni përjetuar udhëtimin e tij!”
Në këtë rast, nuk është fjala për një udhëtim, por dimensioni i hapësirës së fjalës, kap dimensionin e gjerë jetësor të individit, sfidat dhe udhët që ka kaluar brenda jetës së tij. Në këtë pikë, synojmë të sjellim idenë, se para një gjykimi që mund ta japim, t’i vëmë kritere vetes, për një gjykim të drejtë, të matur e të mirëpeshuar. Ndryshe, një vlerësim paushall për tjetrin, për njerëzit e mirëfilltë të njohurive të gjëra, s’do të kishte kurrfarë peshe. Gjykimi i atij që jep, do të ishte si një frymë kundërmuese në ajër.
Ne e dimë fare mirë se një mendim a një mendje të dytë nuk mund ta gjesh askund në botë, ashtu siç mendon ti, por ka një përafrim konceptesh, të cilat mund të përputhen me njëra- tjetrën. Megjithatë, koncepti i gjykimit gjithmonë duhet të ecë shkallë - shkallë, por jo në ekstrem, aq më tepër kur nuk i njohim konditat, kushtet, rrethanat, e pastaj të mund të gjykojmë. Nëse nuk kemi arritur që, të paktën, të futemi nën hijen, apo nën ombrellën e tjetrit, për të mos thënë nën lëkurën e tij, atëherë gjithmonë do të kemi hapësirë të jemi të gabuar në gjykime, në vlerësime po pse jo edhe në denoncime.
Të jemi më të qartë, kur e përdorim fjalën gjykim, e kemi gjithmonë mendimin tek akuzat, kundërakuzat, vlerësimet e ulëta për tjetrin, apo thënë më qartë: përbaltja e personalitetit të individit nga një individ tjetër dhe assesi në gjykime gjyqësore, nëse mund të mendohej.
Dhe, ne përsëri vimë te thënia: “Përpara se diçka të gjykosh, pyete veten se a e ke provuar ti? Vetëm atëherë kemi besim (se nëse nuk vuani nga dhelpëria apo djallëzia), se do t’ia arrini qëllimit që të vlerësoni a gjykoni drejt.
Le të nisemi nga shembujt, për ta zbërthyer pak a shumë çështjen, për të cilën po flasim: Dihej fare mirë se në Shqipëri kishte një sistem që quhej diktaturë (derisa ishte sundimi komunist) dhe kjo ishte e vërtetë. Por, për ne shqiptarët në Kosovë, ai sistem nga një pjesë e madhe përkëdhelej e pëlqehej. Të gjitha këto ishin gjykime, vlerësime nga periferia, sepse peshën e saj ia njohin veç ata që e kanë provuar mbi shpinën e tyre. Por, ajo që na preokupon ne është fakti se, atje gjatë fundit të këtij sistemi, ndodhën edhe shumë gjëra të dhembshme.
E gjithë kjo kohë, nëpër vlerësimet e ndryshme që jepnin shqiptarët nga Kosova, për sistemin dhe pjesën e vëllezërve andej kufirit, shpesh dilnin qesharake, paushalle apo vlerësime pa mend, vetëm përmes bindjeve, euforisë apo edhe interesave personale. Pra, shpesh, pjesa e shqiptarëve në Kosovë, pa hyrë nën lëkurën e atyre, që e kanë përjetuar atë sistem, përpiqeshin të vlerësonin nëse ishte mirë apo keq. Kjo krijonte divergjenca, ndasi, inate e grindje. Pra, këto ishin ato gjykime paushalle, të cilat vinin nga ata që nuk e kanë provuar një sistem të tillë dhe përpiqeshin t’ua vlerësonin jetën dhe sistemin matanë kufirit.
E njëjta gjë, ndodhte edhe me vëllezërit tanë andej, duke e vlerësuar si jetën më të mirë nën okupim, ku gjendej Kosova deri në mesin e vitit 1999.
Ne nuk do të ndalemi më gjerësisht në këtë çështje, duke ua lënë juve që t’i kujtoni të gjitha ato zhvillime dhe përzierje, që kanë ndodhur gjatë kësaj kohe.
Do të kujtojmë këtu një thëne që koincidon me atë që përmendëm më lart” “Kush nuk ka vuajtur, nuk di asgjë: nuk njeh as të mirën as të keqen; as njerëzit, as veten”, nga Fénelon.
Për ta plotësuar këtë vlerësim dhe atë që e thamë më lart, do të japim edhe një thënie tjetër nga Dag Hammarskjold, i cili thotë: “Kush nuk ka vuajtur kurrë, as të ngushëllojë nuk di”.
Pra, këtë e forcojmë me vlerësimin tonë se: pa e përjetuar diçka, mos gjyko për tjetrin!
Por, ne do të sjellim në vazhdimësi thënie, që rrahin gjithmonë në këtë pikë: “Mund të jenë të këqij njerëzit, që nuk e kanë provuar dhembjen, sepse kush e ka provuar, nuk mund të dojë, që dikush tjetër të vuajë”, Carlo Cassola.
Nga kjo thënie, nxjerrim faktin se pa hyrë në lëkurën e tjetrit, mund të gabosh në vlerësim a gjykim, ndërsa kjo thënie na çon në faktin ekstrem të vlerësimit. Pra, në çdo vlerësim, kërkohet maturi, fakte, argumente, por edhe njohuri e përvojë nga vetë individi, që vlerëson apo gjykon.
Pikërisht për këtë, ne e kemi fjalën e urtë shqipe: “Pa hy nën lëkurën e tjetrit, kurrë mos e akuzo”.
Ndërsa, Johann Wlfgang von Goethe për çështjen e vlerësimit të individit me vlera, na thotë: “Njeriu me vlera ndihet në siklet kur vlerësohet nga budallenjtë”.
Këtu kemi të bëjmë me vlerësimin e individit, por që për ne kjo thënie ka shumë vlerë, sepse kapë po të njëjtat dimensione të çështjes, që po trajtojmë, ndaj e kemi përzgjedhur për trajtesën tonë.
Shpesh na bie që të dëgjojmë ndonjë vlerësim, kur dikush e akuzon një tjetër për një rast të caktuar, pa menduar mirë në rrethanat dhe kushtet e tjetrit, që e kanë shtyrë të veprojë apo të sillet ndryshe. Brenda këtyre gjykimeve, gjejmë epitete të ndryshme, akuza e emërtime deri në ato më banale. Të tilla akuza rrjedhin edhe nëpër media të ndryshme. Jo rrallëherë nëpër media të ndryshme gjejmë edhe emra e mbiemra, të cilët etiketohen me arsye e paarsye, apo edhe vlerërësohen, nënvleftësohen apo edhe përbalten emra, që herë - herë ato akuza dalin të paargumentuara dhe askush nuk përgjigjet për to. Ne nuk duam të shkojmë aq larg deri në atë pikë të përgjegjësisë, por duam të ndalemi te vlerësimi i tjetrit apo etiketimi, pa i njohur kushtet, rrethanat, apo pa i shfrytëzuar në maksimum njohuritë personale rreth çështjes, që pastaj të vlerësohet me pjekuri e drejt.
Kalojmë dhe në shembuj më individual, për ta përafruar më afër dhe për ta kuptuar më drejt: Kemi raste kur një individ e kryen një punë a një veprim sipas tekeve, dëshirës a kushteve të tij. Pa detajuar në arsye a shembull, kalojmë te pala vlerësuese a gjykuese. Dhe, sigurisht do të dëgjonim vlerësime të ndryshme, gjykime e paragjykime, deri tek ato më të ultat, e shpesh edhe me epitete të ndryshme. Pra, gjejmë gjithfarë lloje gjykimesh e paragjykimesh, të cilat vijnë nga jashtë, apo nga të tjerët, pa hyrë thellë në botën e tij; pa hyrë tjeshtë nën lëkurën e tij. Këto gjykime e vlerësime, për ne nuk janë as të qëndrueshme, as të matura, por i takojnë vlerësimeve paushalle.
Fenomeni i gjykimit, i vlerësimit, te ne më tepër është i prirur për të gjykuar e për të vlerësuar nga negativja, që për ne, kjo kohë me këtë mentalitet më shumë të çartur, na shqetëson së tepërmi. Ndaj, kërkesa jonë është përpjekja për t’i thirrur logjikës së shëndoshë dhe vlerësimit apo gjykimit të drejtë. Po pse në fund të fundit: gjykimi i tjetrit? Pse mos të ndalemi veç te tregimi, për t’i shikuar më tepër punët tona? Pse të merremi me çështjen e tjetrit, e jo me tonat? Kjo është absurde dhe e tmerrshme. Aq më tepër kur vlerësojmë e gjykojmë një tjetër, pa i njohur kushtet e rrethanat e tjetrit.
Nuk di, nëse isha i qartë me shembujt e afruar, sepse ato i solla si përgjithësim, pa u detajuar në shembuj individual, por duke pasur parasysh preokupimin e çështjes sonë, secili nga ne mund të nxjerrë përvojat e veta jetësore, në ballafaqim me këtë problem, si dhe ta nxjerrë përfundimin që ne po mundohemi ta qartësojmë.
Në linjën e përvojave personale, do të përmendja njërën nga fushat, me të cilat jemi sprovuar më së tepërmi: Problemi i letërsisë në Shqipëri dhe Kosovë, përpara vitit 1999, në Shqipëri, gjatë sistemit të diktaturës dhe në Kosovë, nën robërinë e sistemit jugosllav. Në këto raste, nëse njëra palë do të gjykonte a vlerësonte për palën tjetër, pa i njohur rrethanat e përgjithshme, jemi të bindur se vlerësimi nuk do të dilte real. Kësisoji, nëpër takime me miqtë e artit, këso vlerësimesh kam dëgjuar shpesh dhe nganjëherë edhe kemi polemizuar, për çështje të caktuara, duke i qëndruar besnik kriterit se: për ta vlerësuar një tjetër, duhet të kesh hyrë thellë nën lëkurën e tij. Pra, në këtë rast, për të vlerësuar një letërsi, në cilëndo anë të kufirit, duhet të kesh jetuar brenda atij sistemi, për t’i parë rrethanat dhe kushtet, brenda të cilave krijuan e u zhvillua ajo letërsi.
Nuk do të ndalemi më tepër nëpër shembuj, por do të dëshiroja që këtë ide e çështje që po e ngrisim ne, të përdorej për çdo sferë dhe aspekt të jetës, me kriteret më të mira të mundshme, në rast vlerësimi apo gjykimi për një çështje.
Ndoshta, do të ishte më e drejtë, që më tepër të merremi me çështjet dhe problemet personale dhe në vlerësimin e vetvetes. Kjo do të krijonte premisa për vetëkorrigjim të ndividit, sepse duke mbetur në idenë e gjykimit apo të vlerësimit të të tjerëve, sikur merremi me punë të kota, apo me çështje konfliktuoze, duke vetëkrijuar ndasi e përçarje pa nevojë. Le të shikojmë më larg, te mentalitetet e popujve evropianë, se sa larg qëndrojnë nga çështjet, që nuk u takojnë atyre, apo i takojnë institucioneve. Dhe, si të tilla, me to ka kush merret, derisa ne merremi me vlerësimin e veprës sonë, veprimeve tona, por edhe gjykimin e atyre në rastet kur nuk jemi konform ndërgjegjes dhe detyrave si individ.
Për këtë çështje japim një thënie të Indro Montanelli, i cili thotë: “Njerëzit dinë të masin dhe të vlerësojnë vetëm fatin e të tjerëve. Fatin e vet, kurrë”.
Dhe, është më se e saktë kjo, që thotë Montanelli, në raport me atë që e elaboruam më lart, na e formulon në thënien e tij.
7.
KURRË MOS E PRIT NGA TJETRI ATË, QË JU JENI TË GATSHËM TA BËNI PËR TË, SEPSE DO TË NDIHENI TË ZHGËNJYER
Një njeri me virtyte të larta njerëzore dhe me shpirt human, sigurisht se do të jetë zanafilla dhe epiqendra prej nga do të nisemi, për ta filluar çështjen që na preokupon në këtë temë. Dhe, sigurisht se ky njeri ka pritje, ka kërkesa, por ka edhe zhgënjime, sepse në atë që e reflekton ai me qëndrimet e veta, nuk do t’i marrë nga pasqyra tjetër përballë. Kjo, sigurisht se në vazhdimësi do t’ia prishë disponimin dhe herë - herë do ta zhgënjejë. Megjithatë, gjithmonë duhet kërkuar tejkalimin e këtyre situatave deri në injorim, si metodë më e lehtë për tejkalim.
Që në fillim, le të hymë në thelbin e problemit, që duam ta trajtojmë, me një shembull të thjeshtë, për t’i hapur rrugë vlerësimeve dhe fakteve të tjera, për këtë fenomen.
Keni vërejtur nganjëherë kur ju silleni me shumë respekt ndaj dikujt tjetër, ku këtë veprim e përsëritni në vazhdimësi kundrejt tij. Por, ndodh që të mos jetë personi ideal, që ju e çmoni dhe e respektoni, sepse mund të ndodhë, që ai abuzon me respektin tuaj, deri në faktin që t’ju zhgënjejë.
Ne, në temat e shkuara, gjithmonë kemi porositur për vëmendje dhe kujdes, me mënyrën dhe masën e sjelljeve tuaja, sepse do ta akuzoni veten dhe do të vetëfajësoheni për mënyrat dhe sjelljet tuaja. Pse e lejova një veprim të tillë? Pse u tregova aq tolerant apo i marrë?
Me këtë duam t’ju tërheqim vërejtjen, se problemi kërkon vigjilencë, syçeltësi dhe fillon nga pika zero, atje ku je ti. Sa toleron ti? Cilat kritere i përdor ti?
Por, jo gjithëherë e nuhasim situatën. Gabimet ikin dhe besimi i tepruar nganjëherë të mashtron deri në atë masë sa ti të gjendesh përpara aktit të kryer.
Pa u zgjatur më shumë, le të sjellim një thënie, që përkon me temën, trajtesën tonë dhe problematikën që e kemi ngritur: “E dini pse ndonjëherë mbetemi të zhgënjyer? Sepse besojmë se të tjerët janë të gatshëm të bëjnë, atë që ne do ta bënim për ta!” (Gaetano lo Presti)
Reciprociteti i veprave dhe i veprimeve të mira në jetë, jo gjithmonë ndodh në shkallën e pritshmërisë, ndaj edhe s’duhet pritur shumë apo për të rënë deri në zhgënjim. Ajo që ju takon juve të reflektoni e të veproni me ndërgjegje, si njeri dhe individ i klasit, bëjeni, se a do të kthehet ajo në pritshmërinë tuaj, hiqni dorë nga ato mendime!
Ndërsa, kur është fjala te reciprociteti në të liga, atëherë shumica e njerëzve janë të prirur ta kthejnë atë. Dhe, shih për këtë, do të sjellim një thënie nga Ugo Bernasconi, i cili thotë: “Dashuria e dhënë nganjëherë edhe nuk kthehet, kurse urretja kthehet përherë”.
Fatkeqësisht është një e vërtetë, që shumëherë e ka vërtetuar ekzistenca e njeriut dhe historia e njerëzimit, si një e keqe e madhe, që e përcjell logjikën njerëzore.
Ndërsa, G. G. Markuez na porosit: “Mos kalo kohë me dikë që s’dëshiron të kalojë kohë me ty”.
Në fakt, kjo thënie sikur na jep një mësim, që energjia jonë pozitive të kursehet për individë më të merituar, por edhe na kursen nga moszhgënjimi individual, në rast se ne do t’i jepnim mundësi një individi të pamerituar, të zhvatë mbi sjelljet tona humane e njerëzore. Në këtë rast, sikur do të kurseheshim edhe nga ai zhgënjimi i mirësjelljeve tona.
Nëse marrim një thënie të Inayat Khan, ku thotë: “Mos prano asgjë që s’mund të kthesh, pasi ekuilibri i jetës bazohet mbi reciprocitetin”. Ndërsa, Thomas Fylleri shkon edhe më larg, duke na porositur që: “Me dhelprat duhet të sillemi si dhelpra”.
Me këto dy thënie, sikur ecëm pak larg me misionin e temës sonë, por sigurisht se do të rikthehemi te sjellja jonë e ndërgjegjshme, sigurisht me një kujdes të shtuar, pa i fryrë aromës së zhgënjimit, që nganjëherë mund të na pushtojë.
Ndoshta do të ishte mirë që këtë trajtesë ta elaboronim edhe me ndonjë shembull personal, për t’i dhënë mundësi relaksuese lexuesit tonë dhe shije çështjes, që po e zbërthejmë.
Jeta na ka sprovuar me shumë karaktere të ndryshme njerëzore dhe falë mundësive tona të mira ekonomike dhe potencialit intelektual, kemi pasur mundësi të vihemi në sfida të ndryshme. Sigurisht se pritshmëria jonë, jo gjithëherë ka marrë atë që ka reflektuar. Ka pasur raste edhe kur jemi zhgënjyer, por në asnjë mënyrë të thyer, sepse me kohën kemi bërë përvojën tonë dhe kemi ndërtuar tolerancën edhe për ata që nuk kanë qenë në gjendje të reflektojnë pozitivisht, karshi sjelljeve tona pozitive. Por, kemi pasur edhe zhgënjime, në raste kur e mira, jo që nuk është njohur, kthyer apo repektuar, por është kthyer me të liga.
Në profesionin e krijuesit, duke pasur mundësi dhe potencial, kemi ndihmuar dhe shumë krijues të tjerë, qoftë në aspektin intelektual, në përvojë, në aspektin teknik, por edhe atë material, etj. Kjo përvojë na ka sfiduar shumëherë, herë për të mirë, herë në formën e heshtjes, deri në injorancë, por edhe deri në zhgënjim, kur mirënjohja na është kthyer me të liga. Ka ndodhur kur kemi mbështetur krijues apo krijuese, deri në finalizim të projektit, ku në vend të falënderimeve, kemi marrë gënjeshtra e mashtrime nga më absurdet, sikur kur nuk ke bërë asgjë për të. Apo aq më keq, nga ai apo ajo, kur në vend të mirënjohjeve për atë që kemi bërë, kemi marrë intriga e gurë prapa shpine, që do të ishte shumë absurde të zbërtheheshin në detaje. Megjithatë, këto veprime kurrë nuk na thyen as kurrë nuk na ndalën, për të vazhduar edhe më tej, me reflektimin tonë pozitiv, karshi kërkesave të të tjerëve.
Shembulli ynë shkon pak më larg, deri në çështjen e ndihmës, por nuk duam të merremi me atë fenomen, pasi këtë çështje e kemi trajtuar herave të tjera. Për ne e rëndësishme është pritshmëria dhe zhgënjimi. Në fakt, nuk kemi pritur asgjë, nga ajo që kemi vendosur ta bëjmë apo ndihmojmë, por kur rasti i kalon kufijtë e njerëzores, sigurisht se zhgënjimi vie domosdoshmërisht.
Dhe, sigurisht se kujdesi ynë për tjetrin apo tjetrën, nuk e ka pasur parasysh ndonjë pritëshmëri interesi, por thjesht kemi reflektuar humanizmin dhe njerëzoren, pa ndonjë pritje për reciprocitet pozitiv, çfarë ne kemi afruar.
Dhe, se deri në një masë të caktuar kemi qenë të përgatitur për ndonjë mirënjohje të madhe, por kur ajo që bëni ju karshi tjetrit, kalon kufijtë e mosmirënjohjes, domosdoshmërisht sado i përgatitur të jesh - zhgënjimi vjen.
Kjo ndodh edhe nga pakujdesia, përzgjedhja e njerëzve e mundësia që ju u afroni, sepse para çdo veprimi, duhet ta keni parasysh individin dhe karakterin me të cilin keni të bëni. Pra, edhe në këtë rast, ju duhet të jeni syçelë se kë e afroni afër vetes dhe çfarë mundësie i jepni ju tjetrit apo tjetrës.
Nga analizat tona dhe autopsia që ia bëjmë herë pas here situatave dhe sjelljeve të njeriut, në këto dy dekadat e fundit: “Njerëzit tanë me të madhe po vuajnë nga smira dhe egoizmi”, apo thënë më ndryshe: “Nga mungesa e virtyteve që e bëjnë njerëzoren të kompletuar dhe të denjë për t’u ballafaquar shëndetshëm në shoqëri”, apo për të ruajtur raportet e shëndosha ndërnjerëzore, duke absorbuar mirënjohje dhe respekt karshi njëri - tjetrit.
Do të sjellim për ju një thënie nga Sandor Marai, i cili për egoizmin thotë: “Të gjitha marrëdhëniet njerëzore fundosen në moçalishten e veseve dhe të egoizmit”.
Kjo që e thotë ky mendimtar, përkon bukur me konkluzionin që e dhamë më lart, rreth fenomenit të mungesës së virtyteve të shëndosha njerëzore, apo pandërgjegjshmërisë intelektuale në kuptimin e **ndërgjegjësimit.
“Egoizmi është këshilltari më i keq”, pati thënë dikur, Napoleon Bonaparta, ndërsa Richart Gutzwiller thotë: “Egoizmi është kundër dashurisë”. Dhe, mendoj se pak a shumë jo veç ne, por edhe të tjerët, me thëniet e tyre, shpalosin atë pasqyrën e veprimit të asaj, që ne po trajtojmë, si dhe virtytin si pikë e dobët e asaj, që po e kërkojmë në qëllimin tonë brenda kësaj teme.
Ndërsa, për smirën do të sjellim një thënie tonën, që e mbajmë në arkivat ende të pabotuara: “Smira i shtynë njerëzit të jenë të padenjë për miqësi të sinqertë”.
Pra, siç del nga kjo thënie, sinqeriteti njeërzor gjithnjë e më tepër po vihet në pikëpyetje nga këto virtyte, sepse dominimi e tyre e ka pushtuar individin, si dhe e ka fundosur në masë të madhe edhe sinqeritetin.
Do të jemi pak më të ashpër me një thënie të dytë, jo në kuptimin e ligë, por në sensin e qortimit, për një syçeltësi në veprim, për çështjen dhe temën, për të cilën po flasim: “Mos e respekto injorantin, sepse një ditë do të të zhgënjejë me egon e tij”. Edhe për më tepër rreth kësaj, që të mos keqkuptohemi në porositë dhe këshillat tona, do të japim edhe një thënie tjetër: “Respektin duhet përdorur me masë, takt dhe me karar”.
Dhe, siç duket nga të gjitha ato që i thamë, kërkesa e temës sonë, mungesa e respektit, apo thënë ndryshe: individi i pajisur me këtë virtyt njerëzor, krijon këso mundësish, që në vazhdimësi të prodhojë zhgënjime te të tjerët në raport me të. Për respektin, si përmbyllje, nga arkiva jonë e thënieve filozofike, ende të papublikuara, po sjellim disa nga to, që ta ndihmojmë çështjen, që trajtuam deri tani: “Gabohesh nëse e mban dikë gjithmonë në majën e respektit, ai do të të shoh ty gjithmonë nga lart!”
“Mos i mëso njerëzit me peshën e respektit të tepruar, sepse nuk do të dijnë ta bartin atë”! Sigurisht se këshilla bart një mision përvoje dhe se duhet pasur parasysh në vazhdimësi.
“Mos abuzo me respektit e tjetrit, sepse një ditë mund të mbetesh i zhgënjyer nga injorimi!” Pra, sigurisht se kur mungon reciprociteti në raporte ndërnjerëzore, individi zhgënjehet apo zemërohet dhe ia kthen injorancës, si një element apo virtyt jo i mirë për ta aplikuar në vete.
“Zakonisht, ata që kanë fituar respekt të tepruar nga të tjerët, nuk dijnë si ta menaxhojnë atë, shpesh u derdhet mbi egoizëm vorbulla e injorancës!” Pavarësisht se thëniet duken të përafërta, do t’i japim të dy variantet, për ta elaboruar sa më qartë dhe më mirë qëllimin e temës sonë.
“Ata që kanë fituar respekt të stërtepruar, ka shumë rrezik që në kohë egoja e tyre mbytet injorancës”! Dhe, ky është njëri nga faktorët, që më pastaj krijon zhgënjim”. Dhe, se sa jeni në gjendje t’i përballoni kësaj sfide, ju mbetet të jeni të parapërgatitur për ballafaqim, si edhe me zhgënjimin në raste të caktuara. Megjithatë, njeriu duhet kërkuar gjithmonë që të mos bie viktimë e zhgënjimit, duke i vënë vetes faktorët mbrojtës, që pak a shumë përmendëm deri tani. Në fund të fundit, mos lejoni veten të bini pre e injorancës së të tjerëve dhe të zhgënjimit. Lërjani ato virtyte tjetrit! Assesi mos i pranoni ato të bëhen pjesë e ndërgjegjes dhe jetës suaj.
----------------------------
* Absorbim: - përthithje.
**Ndërgjegjësimi: - Libër i botuar në vitin 2017, nga autori.
9.
JO GJITHÇKA I NËNSHTROHET FORCËS, ZGJEDH ATË MË TË MIRËN DERI TE QËLLIMI!
Jemi mësuar në jetë, që gjërat t’i shohim bardhë e zi, apo duke i ndarë ato në dy pole, si pozitive dhe negative. Duke mos i lënë udhë zgjidhjeve të tjera të mundshme, si zgjidhje alternative deri në qëllime. Dhe, për zgjidhje të çështjeve dhe arritjes së qëllimeve, sigurisht se pos poleve që përmendëm më lart, ekzistojnë gjithmonë dhe zgjidhjet alternative, për zgjidhje apo arritje të qëllimeve.
Në rastin tonë, zgjidhje e një çështjeje të caktuar apo arritja e një qëllimi me anë të forcës, shihet si pol negativ i problemit, dhe e dyta me anë të një marrëveshjeje të plotë dypalëshe, si pol pozitiv. Por, në raste kur as njëra dhe as tjetra nuk kanë vija të përbashkëta, gjithmonë duhet kërkuar rrugët alternative, në mënyrë që mos të biem viktimë e përdorimit të mjeteve jo humane.
Qysh në fillim, do të japim një thënie të Albert Einsteinit, që në fakt përkon me tematikën dhe çështjen që ne duam ta trajtojmë: “Ka një forcë shtytëse më të madhe se avulli, se elektriciteti dhe se energjia bërthamore është vullneti”. E po pikërisht kjo e fundit na duhej neve. Vullneti është pika qendrore e zgjidhjes së çdo problemi dhe eleminimit të çdo paqartësie që lind mes njerëzve.
Le të sjellim dhe një shembull nga Jean de la Fontaine, i cili na sjell një thënie të bukur: “Koha dhe durimi arrijnë më shumë se forca dhe tërbimi”. Pra, në rastin tonë, duke zbërthyer këtë thënie, e nxjerrim kohën dhe durimin, si pika më të mira deri në arritjen e qëllimit.
Nëse e marrim këtë të parën: Kohën, sigurisht se çdo problem për zgjidhje e kërkon momentin, pra, kohën. Gjithçkajes që duhet ta zgjidhim i duhet kërkuar koha, mundësia, çasti.
Le të marrim një shembull: Nëse një fermer do të dëshironte të mbillte misrin në arën e tij, sigurisht se duhej ta priste fillimin e majit. Pra, do t’i duhej koha e përshtatshme. Por, nëse ai do ta bënte më herët, p.sh.: në shkurt apo në mars, bima nuk do të kishte efekt. Pra, ky ishte ai momenti që duhet pritur. Edhe për problemet dhe çështjet e tjera, vlen e njëjta formulë, përndryshe, jo gjithçka do të shkonte në vijën e dëshiruar.
Gjatë kërkimit dhe pritjes së kohës, rrugës sonë si çështje na del edhe durimi. Pra, jo gjithmonë duhet të nxitohemi me një çështje të caktuar, por duhet të durojmë deri në çastin, kur të jetë koha e përshtatshme për ta filluar zgjidhjen e një problemi të caktuar. Për ne, pra, këto ishin ato dy çështje, që në pika të shkurtra i elaboruam, e që do të na ndihmonin në zgjidhjen e problemeve të caktuara.
Kur jemi te këto dy pika, zgjidhja e çështjeve të caktuara, pavarësisht se ndonjë nga çështjet i nënshtrohet forcës, i duhet koha e caktuar për t’u filluar një punë.
Në Kosovë, më mirë se kush tjetër, iu kemi nështruar këtij nocioni gati për një dekadë. Për njohësit e epokës së viteve 1990-98, apo edhe për ata që e përjetuan këtë kohë, kur Kosova ishte nënshtruar brenda një aparteidi të paparë nga Serbia, vimë në përfundimin se sikur të mos i respektonim parimet e kohës dhe të durimit, pasojat e zgjidhjes së problemit tonë si komb, do të ishin më fatale se sa ishin në vitin 1998-99. Pse? Kjo për faktin se Serbia po ta fillonte luftën në vitin 1990 në Kosovë, do të na dëmtonte deri në fatalitet si komb, sepse opinionin ndërkombëtar e kishte në favor të vetin, kishte forcën e madhe, si dhe interesat e saj ishin me pikësynin në Kosovë. Por, kur ajo e filloi në Slloveni, në Kroaci, në Bosnjë, krijoi jo vetëm armiqësi me botën, por edhe pjesërisht u dëmtua si forcë.
Kjo na dha mundësi neve, si Kosovë, që të paktën, të mobilizoheshim, jo në nevojat e kërkuara, por për të krijuar miq në botë, që në rast konflikti, do të të na mbështesnin, ashtu siç edhe ndodhi. Pra, ne po synojmë të themi se jemi tamam në çastin e duhur të fillimit të këtij konflikti, të një durimi të paktë a të tepruar, apo edhe të zgjidhjes së problemit me forcë (ashtu siç na e imponoi okupatori), e pse rrethanat i diktuan zhvillimet.
Por se durimi deri në një masë dhe koha, ishin efektiv për neve si popull, të paktën ky është këndvështrimi ynë. Pra, kërkesa e kauzës sonë, gjithmonë ishte që t’i ikej me forcë zgjidhjes së problemit, në kërkim të rrugës dhe mundësisë më të mirë për t’u arritur deri te qëllimi. Por se nganjëherë, pala tjetër është faktor i rëndësishëm që impononte metoda jo të përshtatshme, gjoja për zgjidhjen e një problemi, e që në fakt ajo më shumë komplikohej. Sado që forca kërkonte që t’i zgjidhë problemet, është paqja dhe tavolina ajo ku zgjidhen problemet. Pra, jo gjithçka arrihet me përdorimin e forcës, por brenda saj askush nuk mund të dalë fitues dhe i lumtur.
Pra, në këtë rast, Serbia si okupatore në Kosovë, kërkoi përmes forcës t’i ulë shqiptarët dhe të drejtat e tyre, gjoja në emër të zgjidhjes së problemit, duke e përdorur forcën. Sigurisht se rezultati përfundimtar i doli kundër llogarisë së saj, duke dalë si humbës nga Kosova.
Kur jemi te ky rrëfim, do të sjellë një thënie nga Adam Copeland, i cili thotë: “Nuk duhet të jesh më i madhi, as më i forti, por më i zgjuari”.
Sigurisht se zgjuarësia jonë, përgjatë dekadës së paraluftës, dha efektet e veta në favorin tonë, sado që edhe gjatë kësaj kohe ishim dëmtuar. Mençuria jonë kishte mënjanuar atë më të keqen, që do të na kishte gjetur si komb.
Do të japim dhe një thënie interesante nga Blais Pascal, i cili thotë: “Drejtësia pa forcë është paaftësi, forca pa drejtësi është tirani”. Le ta kuptojmë si të duam këtë thënie, por për ne ka shumë domethënie, por që për trajtesën tonë dhe temën me të cilën po merremi, nuk e shohim të arsyeshme ta komentojmë apo ta zbërthejmë më tepër.
“Aty ku shpon fjala, nuk e shpon as plumbi”, thotë një fjalë shqipe. A ka referencë më të bukur se kjo, që do t’i shkonte temës dhe trajtesës sonë. Pra, përjashtimi i arritjes së një qëllimi, jo gjithmonë është forca. Ajo për ne do të ishte opsioni i fundit në raste të caktuara, po jo gjithmonë. Sepse është fjala, dialogu, mbështetja te metodat më të mira për një zgjidhje të çështjeve apo mosmarrëveshjeve. Njëkohësisht kjo thënie na porsit, që asnjëherë mos ta vëmë në funksion metodën e fundit, përballë marrëveshjeve, sepse jo gjithmonë do të ketë efekt apo rezultat qëllimi i zgjidhjes së një çështjeje. Sepse, gjithmonë kërkesa për zgjidhjen e problemeve me forcë, i komplikon dhe i rëndon më shumë situatat, sa që pastaj as metodat e tjera s’do të kishin efekt në zgjidhjet për çështjen e caktuar.
Pa u zgjatur edhe më tej me shembuj praktikë apo me ilustrime e fakte, e përmbyllim këtë temë me një thënie nga përvoja e popullit tonë, i cili thotë: “Atë që mund ta mrrinë me të mirë e dialog, kur s’mujsh me arritë me të keqe (forcë)”. Ne qëndrojmë prapa kësaj thënieje, kur kemi të bëjmë me çështje individuale brenda jetës dhe shoqërisë njerëzore.
10.
FAMILJA MBI TË GJITHA
Nga të gjitha ato tema që trajtuam brenda këtij punimi, e shohim të rëndësishme, që një qasje t’i japim edhe çështjes së familjes, si diçka shumë e rëndësishmme e primare, për ekzistencën, rritën dhe mbijetesën e një shoqërie. E kuptojmë se tema: Familja, për një trajtesë të tillë është shumë e gjerë, por ne do të ndalemi në vija të trasha, duke prekur elementet primare të zbërthimit të saj.
Le të fillojmë nga fjala: Familja (e), (që në latinisht thuhet: familia, pra nga famulus – rob shtëpie, shërbëtor), që është njësia shoqërore më e vogël e përbërë nga dy ose më shumë persona, të cilët kanë midis tyre lidhje martesore, gjaku ose birësimi; që jetojnë në të njëjtin mjedis, për një kohë relativisht të gjatë, kanë marrëdhënie kulturore dhe ekonomike të përbashkëta, si dhe përkujdesen për njëri-tjetrin. Pra, ky është njëri nga përkufizimet e shumta që na japin sociologët dhe antropologët, për familjen.
Sociologjia dhe antropologjia, familjen e konsiderojnë si funksion thelbësor të reproduktimit biologjik, shoqëror ose të dyja bashkë - shoqëria. Nga pikëpamja e fëmijëve, funksionet e familjes janë drejtuese: ajo shërben për t’i orientuar ata në shoqëri dhe kulturë. Ndërsa, nga perspektiva e prindërve, familja shërben si mjet i pjellëshmërisë, më synim shumimin, edukimin dhe shoqërimin e fëmijëve.
Definime e studime të tilla gjejmë shumëkund në literaturë, për çka ne nuk do të thellohemi, në këto studime, por duam të sjellim pikëpamjet dhe qëndrimet tona, rreth kësaj çështjeje. Ajo, që neve na ka nxitur në këtë trajtesë, është një thënie e Mihael J. Fox, i cili thotë: “Familja nuk është diçka e rëndësishme, është gjithçka”. Pra, sipas Foxit, familja është gjithçka, që një njeri ndërton në këtë botë.
Ndërsa, ne themi se nga familja nis baza e ekzistencës, e rritës dhe e mbijetesës së një shoqërie. Por, si e shohim ne familjen, nga qasja dhe trajtesa e jonë: në kuptimin e ngushtë familja është çifti në bashkëshortësi, fëmijët (pa i harruar prindërit). Duke dalë në planin më të gjerë; farefisnia, lidhja e gjakut, e lidhjet e tjera që e përbëjnë atë. E që të gjitha këto ndarje apo grumbullime e definime, i kemi nëpër shumë studime të ndryshme. Ajo që neve po na intereson, është bërthama e ngushtë e ndërtimit të saj dhe rëndësia.
Por, “Sa e rëndësishme është familja?” Kjo është çështja, që neve po na intereson në këtë rast dhe duam t’i qasemi, gjithmonë nga prizmi ynë.
Ndoshta është mirë që për këtë çështje, të japim një shembull sa të thjeshtë e praktik, aq edhe domethënës për temën.
Dihet fare mirë se ne, si komb shqiptar, kemi një plagë të vjetër e shumë të veçantë: atë të migrimit, mërgimit apo kurbetit, e për të qenë më i qartë, largimi i shqiptarëve nëpër vendet e botës, në kërkim të mundësive për mbijetesë. Një plagë shumë e vjetër e shqiptarëve. Megjithatë, kjo nuk është çështja, që tani duhet t’i qasemi, por është një pikë tjetër e relevancës me temën tonë.
Si shumë shqiptarë, personalisht kam pasur një fat të tillë, që të largohem nga vendlindja - atdheu, për arsye të ndryshme, dhe të emigroj në Zvicër. Kuptohet, fillimisht, i vetëm dhe pa familje. Familjen, gruan dhe dy fëmijët më kishin mbetur në Atdhe. Për afro dhjetë vite më është dashur të bëjë përpjekje i vetmuar për mbijetesë dhe vendosje të rregullt në shtetin helvetik. Kuptohet, në atdhe jam kthyer e rikthyer për pushime e festa, por se shumicën dërrmuese të këtyre moteve e kam kaluar i vetëm, duke i kryer të gjitha punët në kompani dhe në shtëpi, duke u kujdesur për të gjitha vetë. Mote jo të lehta për mua, si i vetmuar! Po pse e rrëfeva këtë pjesëz nga copëzat e jetës sonë?
Është koha, kur njeriu e ndien shumë mungesën e familjes dhe e kupton më së miri vlerën e saj. Përveç nevojave për përkujdesje ndaj njëri - tjetrit si çift, ka dhe shumë arsye të tjera, që njeriun e bëjnë të jetë i motivuar e me shpresë për punë e jetë të dinjitetshme e stabile në familje. Njeriu në këso situatash ndihet i vetmuar, i harruar, i humbur deri në ekstrem, e i përmalluar. Dhe, në motet, kur kemi arritur ta sjellim edhe familjen me vete, gjithmonë jemi ndjerë më të stabilizuar nga çdo sferë e jetës. Por, pa hyrë në detaje të tjera, vlera e familjes, nuk ka ndonjë masë për ne, ajo është mbi të gjitha. Sepse, kur njeriu e ka familjen, e ka shpresën, motivin, arsyen për jetën, gjithçka jashtë saj e humb kuptimin e jetës.
“Familja është sikur degët në një dru, ne të gjithë rritemi në drejtime të ndryshme, megjithatë, rrënjët qëndrojnë si një. – Autor i panjohur (nga anglishtja)
Pra, flasim për familjen, asnjëherë nuk mendojmë në kuptimin e ngushtë: gruaja, fëmijët, por ajo për ne përfaqëson: nënën, babain, gjyshin, gjyshen, farefisin, rrënjët më të thella nga shtrihet dhe rritet ajo. Prandaj, nxorëm këtë thënie nga anglishtja, për ta rrumbullaksuar këtë vlerësim tonin.
Njeriu gjithmonë ka nevojë për afërsinë, për rrethin, gjithmonë duke iu referuar rrethanave tona dhe jetës së përgjithshme shqiptare, si në trojet tona e gjithandej, ku shpërndahemi si komb. Sepse, në fund të fundit vetë ekzistenca jonë është varur shumëherë nga lidhshmëria jonë me rrethin, vendin, kombin (në kuptimin më të gjerë). Duke u nisur nga kjo thënie, që e sollëm më lart, lidhja e familjes, është si ajo e lisit me degë, që ka nevojë të domosdoshme për lidhje të vazhdueshme drejt trungut. Por, qëllimi ynë është ai i zhvillimit dhe domosdoshmërisë së ruajtjes dhe ekzistencës së saj, si diçka e shenjtë për individin.
“Familja është bërthama e shoqërisë”. – thotë Will Durant. Kjo për faktin se kur kemi një familje të shëndoshë, kemi edhe një shoqëri të shëndoshë. Arsyeja se nga aty fillon baza e edukimit të individit. Një individ i edukuar mirë është një shoqëri e mirë. Shih për këtë që vlerësuam, Konfuci thotë: “Forca e kombit rrjedh nga integriteti i shtëpisë”.
E sa është e rëndësishme një familje e shëndoshë, për një shoqëri të mirëfilltë, do të ndalemi dhe te një shembull, të cilin do ta elaborojmë pak më gjerë: Ndërtimi i një familje të shëndoshë, për ne është ndërtimi i një shoqërie të shëndoshë. Kjo për ne ka një diapazon më të gjerë, deri te një civilizim të shëndoshë. Le të ndalemi për pak këtu te shoqëria dhe te ndërtimi i saj, si shoqëri e shëndoshë.
Për këtë pikë kemi pikasur tri shtylla që e ndërtojnë atë: Familja, arsimimi dhe shembëlltyra. Të gjitha këto janë të lidhura ngushtë mes vete. Por, le t’i kufizojmë këto pika brenda familjes, sepse, fillimisht, nga aty fillon edhe baza e tyre.
Familja e shëndoshë, fillimisht, për ne janë prindërit, janë pika A, prej ku fillon baza e edukimit, e arsimimit dhe e shembëlltyrës. Një grua e mirë, e përkushtuar, e denjë për bashkëshortin, dhe e kundërta, duhet të jetë një nënë e mirë, e denjë për të rritur një fëmijë të mirë - të edukuar. Dhe, si e tillë ajo duhet të jetë e respektuar edhe nga partneri, për të qenë edhe burrë i mirë, i respektuar, një prind i mirë dhe një edukator i mirë, që duhet të krijojë shembëlltyrë te fëmija i tij (këtu nuk kemi të bëjmë dallime në profesione, qoftë amvise, inxhiniere, mjeke, por secili profesion duhet respektuar në kulmin e respektit nga partnerët), sepse fëmija është incizuesi më i mirë i situatave, që do të reflektojë më vonë. Pra, nëse kemi arritur të krijojmë një partneritet të denjë, që do ta mbante në nivel partneritetin familjar, do të mund të ishim të denjë edhe për fëmijën, edukimin e tij dhe shembëlltyrën, që do ta krijonim te brezi i ri. Pikërisht, nga këtu pastaj do të frymonte shoqëria e shëndoshë, e cila burimin do ta kishte nga një familje e shëndoshë.
Të ecim pak më tej me një thënie të bukur, që përkon me atë që folëm pak më parë: “Fëmijët nuk do t’u mbajnë mend për gjërat materiale që ju keni afruar, por për ndjenjat që u keni dhuruar atyre”, thotë Richard L. Evans. Pra, nga kjo thënie nxjerrim përfundimin e asaj, që zbërthyem, për të gjitha ato tri metoda që elaboruam, brenda rrethit të ngushtë familjar dhe familjes së shëndoshë. Nëse nisemi nga përvoja e fatit tonë si shqiptarë, dhe udhëve të mërgimit që i bashkëshoqëruan ata, në veçanti ikja e të rinjve jashtë atdheut, familja gjithmonë ka qenë ai litari lidhës, që të riun e migruar, e ka mbajtur peng, që mos të humbet si individ, por të ruajë lidhjen me atdheun, familjen, afërsinë etj. Shembuj, sigurisht se nëse hulumtojmë artikuj, shkrime, rrjete sociale etj., do të gjejmë me qindra, që do të na dokumentonin këto që i thamë dhe ne. Por, përvoja interesante dhe shembuj si mërgimtarë në një vend të huaj, kemi edhe këtu, ku jemi, duke i shpalosur ato të popujve të tjerë, që na ka rastisur të jemi mes tyre. Këtu në Zvicër, kemi shembuj të shumtë, nga ata që nuk kanë pasur fatin të krijojnë familje, jo gjithmonë kanë arritur të krijojnë jetë të rehatshme për vetveten. Thënë në një formulim tjetër: rrallë ka nga ata që nuk kanë krijuar familje, si dhe ta kenë jetën në binarët e duhur. Pra, në këtë rast, sikur familja krijon një lloj pjekurie e afërsie për të kapur jetën në kondita serioze e normale, sepse duke qenë pranë saj, duke u kujdesur për të, ti do të sillesh shumë normal, konform jetës dhe vetvetes. Ajo që përmendëm diku më lart, për mërgimin dhe mungesën e familjes për një kohë të caktuar, më kujton një thënie të zonjës, Barbara Bush, e cila thotë: “Në fund të jetës suaj, nuk do të pendoheni që nuk keni kaluar edhe një test, që nuk keni fituar edhe një aktgjykim, ose që nuk keni realizuar edhe një marrëveshje. Ju do të pendoheni për kohën që nuk e keni kaluar me burrin, shokun, fëmijën, prindin”. Kjo thënie, më kthen në vitet e humbura, siç i quaj unë, vitet pa familjen time sa isha në mërgim. Sikur ndjej një dhembje për ato vite më të bukura të rinisë sime, duke mos e shijuar jetën sa duhet, duke mos i parë rritën fëmijës, duke mos e ndarë kohën me njerëzit më të dashur, me ata që të duan e i do, por duke u përpëlitur jetës, si i arratisur në një dhe të huaj. Janë këto vite, që sa herë u kthehem, më ther shpirti, e sikur ende edhe sot e kësaj dite e ndjej tek më djeg ai mall. Ndaj, jo rrallë e përsëris thënien: “Familja mbi të gjitha”, sepse duke ia njohur thelbin e mungesës së saj, njeriu sikur i bindet nocionit: se pa familje, jeta s’ka kuptim dhe është tepër e zbrazët. Pra, në këtë rast mund të themi se pasuria më e madhe për njeriun, duhet të jetë familja, sepse brenda shenjtërisë së saj, njeriu fiton lumturinë, gëzimin, kënaqësinë, motivin për jetën dhe të mirat e saj.

Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen