Gëzim Ajgeraj
D I T Ë T E B A R D H A
Novelë për fëmijë
(Pjesa e dytë e novelës “Pëllumbat e Lirisë”)
P R I Z R E N
2004
Rrezet e diellit të mëngjesit, filluan të depërtonin brendisë së pyllit. Ato shkëlqenin fëshfërimave duke përhapur dritë edhe aty ku mungonte ngrohtësia e këtyre bardhësive. Qershori, siç duket, do të shpërndajë ngrohtësinë në zemrat e atyre që përjetuan ankthin më të tmerrshëm të historisë njerëzore. Përpëlitjet e njerëzve të strehuar në pyllin e dendur, më në fund do të shndërrohen në gdhirjet rrezearta të ditëve të ëndërruara. Edhe Granit Sharri, me nënën, gjyshen dhe Blertën e vogël ndodheshin nën strehën e shkurreve të improvizuara në formë kasollesh, për t’u shpëtuar kthetrave ogurzeza të armikut. Përkujdesje pa kursim, për njerëzit e strehuar nën gjethet shushuritëse të qershorit, tregonin ushtarët e UÇK-së të cilët u qëndronin pranë gjithmonë. Vërtet, ditë të vështira të fëmijërisë përjetoi edhe Graniti.
Humbja e gjyshit ishte dhimbje e përhershme. Ai qe flijuar në luftë kundër okupatorit, duke mos dashur t’i lëshonte trojet e veta në duar të armikut. Sa e madhe ishte dhimbja, më e madhe ishte krenaria për Granitin, për një gjysh trim që kishte. Pikëllimi e kishte kapluar për të gjithë trimat që ranë therorë gjatë luftës. Shumicën i kishte njohur Graniti, duke pohuar se ata i kishte shokë të ngushtë. Edhe rënia e mësuesit e kishte zhuritur atë. Ndërkaq, dajë Xhema, bashkë me shokë të tjerë mbanin të paluhatshëm vullnetin e djaloshit për ditë më të mira, që siç duket nuk janë të largëta. Hëna mbi pyll ka filluar errësirën ta bëjë dritë, ndërsa këngët e bilbilave duke ndërtuar foletë, sikur paralajmërojnë ardhjen e ditëve të bardha të lirisë.
Atdheu u çlirua! - Erdhi një zë i fuqishëm nga skaji i pyllit. Të shtëna armësh të një kumti të bardhë u dëgjuan atyre çasteve.
Atdheu u çlirua! – Kumti i gëzimit, si një rreze drite, u shpërnda në tërë hapësirën e pyllit të dendur. Pylli buçiste nga gëzimi i njerëzve. Të gjithë po i mblidhnin rroburinat duke gjetur rrugën e daljes nga shkurret, për t’u bashkuar me vëllezërit e tyre, ushtarë të UÇK-së, të cilët po ashtu në ato çaste i kishte kapluar një ndjenjë e fortë gëzimi.
- Kemi ardhur t’ju kthejmë në katund! – Atdheu u çlirua! - iu drejtua me një zë të lartë dajë Xhema turmës që po vraponte drejt daljes së pyllit. - Lufta ka përfunduar dhe tash do të jemi të lirë!
- Gëzimi dhe buzëqeshja dukeshin tek të gjithë, po më së shumti tek fëmijët. Ata po vraponin teposhtë drejtë ushtarëve, duke thirrur pa ndërprerë: LIRI! LIRI! LIRI! LIRI! LIRI!... LIRI..., pa munguar edhe thirrjet në shenjë përkrahjeje për ushtarët: UÇK! UÇK! UÇK!...
- Natyrisht, Graniti ishte më i zëshmi. Ai po vraponte drejt dajë Xhemës duke iu hedhur në përqafim dhe nga shtrëngimet, sikur donte t’ia zinte frymën. Sytë i ishin mbushur lot gëzimi, ndërsa fjalët i qenë pushtuar nga ky mallë e dashuri e zjarrtë.
- Granit! - trimi i dajës, erdhi liria! – tha dajë Xhema duke e puthur në faqet e njoma djaloshin.
- Urime dajë! - përgëzoi Graniti.
- Gjithmonë të gëzuar qofshi! - uroi dajë Xhema.
Urime gëzimi, të shoqëruar me lot në sy pasonin nga të gjithë, nga ushtarë, nga pleq e nga fëmijë. Kush mbeti pa i përqafuar ushtarët e lirisë?! Edhe mali dukej sikur ishte gëzuar. Lulet sapo kanë hapur polenin, ndërsa në shenjë nderimi nga fëmijët, nuk mungonin buçetat në duart e arta të ushtarëve.
- Festa e Ditës së Bardhë në Kosovën e lirë vazhdoi rrugës teposhtë që shpie për në katund. Për vogëlushin Granit Sharri dhe për bashkëkombasit e tij, ndoshta ishte dita e përjetimeve më të lumtura.
II
- Dita e parë e lirisë. Lufta ka përfunduar, ndërkaq, shumë plagë vëreheshin të hapura. Zymtësia ishte e pranishme kudo në fytyrat e njerëzve, ndërsa katundi i bërë shkrumb e hi, ishte plaga që kërkonte shërim sa më të shpejtë. Shtëpitë duhej të rindërtoheshin sa më parë, që njerëzit t’i ktheheshin jetës normale. Kjo ishte arsyeja e njeriut të vuajtur, e njerëzve të dëmtuar. Në katund, kudo filloi të dëgjohej tak-tukja e çekanit. Kudo ndihej gjallëri dhe jetë. Ndjenjat e gëzimit për ardhjen e lirisë ishin të përziera. Krahas djegies së shtëpive, vrasjes së kafshëve shtëpiake, mizoritë ndaj pleqëve, fëmijëve dhe të të gjithë të pafajshmëve, vështirë se do të qetësohen zemrat e të mbijetuarve. Edhe Granitit, nënës së tij, gjyshes dhe motër Blertës, sikur u ka humbur buzëqeshja. Mungesa e gjyshit të vrarë për shkakun se nuk kishte dashur t’i lëshonte trojet e tija stërgjyshore, Granitit sikur ia bënë të nditshme ëndjen e kësaj bote. Megjithatë, forca i rikthehej, kur mendonte se sa gjatë kishte luftuar kundër okupatorëve barbarë, deri në çastet e fundit të jetës së tij. Gëzimi e dëshprimi ishin mbështjellur dhe bërë lëmsh. Shtëpia e shkatërruar dhe e djegur. Me të arritur nga pylli ku kishin qenë të strehuar për një kohë të gjatë, filluan meremetimin për t’iu kthyer jetës. Edhe gjësendet ishin bërë shkrumb. Djegia e librave që i kishte të palosura në një vitrinë në skaj të dhomës së djathtë të shtëpisë, ia “ftohën” jetën tej mase. Ç’të bënte i mjeri?! Edhe fotografitë e shokëve bashkë me kujdestarin e klasës, me mësuesin tashmë dëshmor, ishin bërë hi. Ashtu i dëshpruar, me lot në faqe, vështronte fshisën tek po pastronte nëna dhe gjyshja.
- Nënë, edhe librat më qenkan djegur të tërat! - sapo nxori një zë të çjerrë Graniti.
- Të pastë nëna biro! - Do t’i blejmë përsëri librat e tua, vetëm sa të qetësohemi pakëz, - ngushëlloi ajo.
- Do t’i blejmë të gjitha, trimi i gjyshes, vetëm ti të mësosh, - shtoi gjyshja duke e puthur në faqe dhe duke ia përkëdhelur flokët e njoma të nipit. - Po gjyshe, - vazhdoi Graniti. Përqafimi i saj ia kujtoi përqafimin e gjyshit. Kujtimi për të e preku thellë në shpirt në ato çaste.
Britma e Besës së vogël, pak sa ia tërhoqi vëmendjen.
- I dua lodrat! Ku janë ato? - bërtiti ajo me zë të përvajshëm duke ia plasur vajit.
Nëna që po e pastronte blozën dhe hirin nëpër dhomat e shtëpisë, vrapoi drejt Besës për ta qetësuar shpirtin njomëzak të saj.
- Do t’i blejmë bijë e nënës të gjitha, - i tha Besës.
- Ndërsa Graniti së bashku me gjyshen kishin filluar të pastronin djegurinat për të kaluar netët pranë oxhaqeve që qëndronin si statujë nën qiellin e hapur. Pasdite në oborrin e shtëpisë erdhi Petriti, Iliri, Beni, Albani, Urimi, Mërgimi, Fatmiri, Shkëlqimi, Lirija...
- Kemi ardhur ta thërrasim Granitin, - iu drejtua Petriti gjyshes së tij, - derisa ajo hidhte mbeturinat përtej oborrit.
- Menjëherë, tha gjyshja, - dhe hyri brenda shtëpisë. – Granit!- Të thërrasin shokët biri i gjyshes.
- Do t’u ndihmoj juve gjyshe, - tha ai.
- Jo biri i gjyshes, ti shko me shokët, ne do ta rregullojmë këtë dhomë bashkë me nënën, - tha gjyshja.
- Shko Granit! - Mos ua prish dëshirën shokëve, iu lut nëna.
Graniti, mendoi për një çast dhe duke kuptuar këmbëngulësinë e nënës e të gjyshes, u nis drejt oborrit. U përshëndet me të gjithë shokët, ngase, nuk ishin parë që moti derisa ishin të strehuar në pyll.
- Po topi, më është djegur, - tha Graniti.
- Do të luajmë ndonjë lojë tjetër, - shtoi Iliri.
Të gjithë fëmijët shkuan kodrës përpjetë, për tek stadiumi ku loznin më parë.
III
Në kodrën e katundit ku gjendej stadiumi i futbollit, fëmijët e gëzuar, ishin ndarë në dy grupe dhe po luanin. Në vend të topit të djegur, improvizuan një top me lecka të mbledhura grumbull në një mbështjellëse najlloni, që i gjasonte përafërsisht topit të djegur. Topi leckarosh, deridiku ua çonte mallin, ndonëse kur shutonin vështirë jepej gol, megjithatë, kur s’ka, edhe kështu bëhet. Ekipi i Granitit, ku ishte Iliri, Fatmiri e Albani po epërsonin. Ata, që në fillim të lojës, shënuan golin e parë. Por, ja që, loja lojë është dhe rezultati do të ndryshojë.
- Gol! Gol! - bërtiti Shkëlqimi.
Rezultati u barazua.
Ndërsa Lirija, që po mbronte në portë, po shikonte në drejtim të kodrës, kah kolonat e ushtarëve. Ishin kolonat e ushtarëve të UÇK-së që po zbrisnin nga malet dhe po marshonin në drejtim të qytetit.
- Edhe Graniti, që deshi t’i thoshte Lirijes se ku ishte habitur, kur e pa kolonën e ushtarëve atje mbi kodër, heshti. Shikimi i tij, treti atje mbi kodër, në drejtim të kolonës së ushtarëve, ndërsa për golin e marrë as që i shkoi mendja asnjërit nga fëmijët.
- UÇK! LIRI! UÇK! LIRI! LIRI! UÇK! LIRI! ... - filloi të zëgëzohej ai. - Vazhduan të gjithë njëzërit: UÇK! LIRI! UÇK! LIRI! UÇK! LIRI!... UÇK! LIRI!...
- Tashmë lojën e kishin ndërprerë dhe askujt as që i shkonte mendja për të.
- Thirrjet vazhduan: Liri, Liri, Liri.
Të gjithë fëmijët vrapuan drejt kolonës së ushtarëve të UÇK-së. I përqafuan ata dhe ua uruan lirinë.
- Nuk keni top, vogëlush? - pyeti komandanti i ushtarëve nga kreu i kolonës.
- Jo, - tha Graniti, - na e kanë djegur barbarët. Edhe shtëpitë na i kanë djegur, edhe librat, edhe...! - vazhdoi ai.
- Mos u bëni merak vogëlush! Çdo gjë do të bëhet mirë. Jua jap fjalën, se do t’jua sjell një top, premtoi komandanti. Edhe shtëpitë do t’i bëjmë më të bukura. Vetëm ju të bëheni të mirë, të mësoni e të rriteni në liri, - uroi ai.
- Do të mësojmë, - premtuan të gjithë fëmijët njëzërit.
- Kolona e ushtarëve mori udhën teposhtë në drejtim të qytetit, ndërsa fëmijët u kthyen nëpër shtëpitë e tyre për ta mbajtur premtimin.
IV
Ditët e lirisë kishin sjellë gëzim gjithandej. Ndonëse përpëlitjet nga plagët e luftës ishin të mëdha, banorët i gëzoheshin lirisë në forma të ndryshme. Gjallëria kudo mbretëronte. Të vjetrit mblidheshin dhe kuvendonin për ditët e shkuara, për lirinë, për organizimin e jetës së re, për të ardhmen, për... Dikush rindërtonte shtëpinë, dikush... Ushtarët po ktheheshin nga fronti. Edhe në fytyrat e fëmijëve nuk mungonte buzëqeshja për ditët e bardha. Nga mërgimi, për çdo ditë, ktheheshin mërgimtarët. Këto ditë duhej të kthehej edhe babai i Granitit. Ai qe përmalluar së tepërmi dhe me padurim priste kthimin e babait.
- Babai! Babai! Babai! - u dëgjua zëri i Granitit duke vrapuar rrugës së lagjes.
- Përpara tij, ishte babai që po kthehej nga mërgimi. Atë e shoqëronte dajë Xhema. Fytyra i buzëqeshte, dhe hapat sa po e afronin drejt Granitit. Krahëhapur, në mes të rrugës, priste
përqafimin e Granitit, i cili pa një pa dy, shumë i përmallshëm iu hodh në përqafim.
- Qenke bërë burrë! - i tha babai dhe e puthi faqeve.
- Po ti si je baba? - e pyeti Graniti. - Urime liria! Urime! – pasonin përgëzimet ndaj babait.
- Mirë, trimi i babit, urime dhe juve! - e uroi edhe babai Granitin.
- Trimi i dajës, - uroi edhe dajë Xhema duke i përkëdhelur faqet e buta të djaloshit.
Babai i Granitit, mbi shpinë mbante një çantë të vogël. Ata vazhduan rrugën drejtë shtëpisë së tyre.
- Graniti po i përpëlite mendimit, nëse ishte çasti që ta ngushëllonte babain për rënien e gjyshit, apo ta linte për më vonë. Kjo po e mundonte, derisa po ecnin krahas pranë njëri-tjetrit, në drejtim të oborrit të shtëpisë. Kur hyri në oborr, babai, ndonëse i paramendonte pasojat e luftës, lëshoi një vështrim, duke parë, zhuritjet e një vrastie të pamëshirshme gjakatare. Edhe lagjja, e tëra kundërmonte, megjithatë babai i Granitit, shqetësimet siç duket i shndërroi në forcë krenarie. Përballë, nën hijen e mollës, gjendeshin dy-tri karrige ashtu të blymosura nga tymi i luftës. Shikoi me dhimbje në drejtim të saj dhe sytë iu
mbushën lot. U mundua të përmbahej por dhimbja ishte e madhe. Mungesa e gjyshit të vrarë në mbrojtje të pragut të shtëpisë gjatë ditëve të para të shtatorit, vështirë se do t’ia qetësonte shpirtin babait. Lotët pikonin faqeve të babait, ndonëse ishte shumë i fortë në zemër, po, ja kështu e ka lufta.
- E pagoi veten, - deshi të ngushëllonte dajë Xhema. - Luftoi dhe nuk u mposht deri në rënie, vazhdoi ai.
Nuk e kam ditur se gjyshi ishte aq trim baba! - tha Graniti, ndërsa lotët i pikonin faqeve. Përqafimet nuk kanë të shkoqur, sikur donin të ngushëllonin njëri-tjetrin.
Po pëllumbi i babit, ai vërtet ishte trim, ndaj, ti duhet të krenohesh me të, - tha babai.
Nga dera e shtëpisë, me vrap doli Blerta, pas saj gjyshja dhe nëna.
Babai! Babai! - thirrte ajo duke iu hedhur në përqafim.
Edhe gjyshja e Granitit, me lot në sy, i uroi mirëseardhje djalit të saj dhe e ngushëlloi për babain. Nëna e Granitit u tregua më e përmbajtur. Ajo u përshëndet me babain, e ngushëlloi atë dhe të gjithë së bashku u drejtuan drejt hijes së mollës në kopshtin e shtëpisë.
V
Veprimet e shëmtuara të okupatorit, bënë që lufta ishte e pashmangshme. Ai vrau, dogji e rrafshoi çdo gjë që ishte shqiptare mbi këto troje. Prandaj, duhej vënë gishtin në kokë për të menduar, të jemi apo të mos jemi?! Nuk kishte zgjidhje tjetër pos shpalljes së luftës në mbrojtje të atdheut, - u tha dajë Xhema, burrave të lagjes dhe shokëve, në një ndejë që po rrinin aty në kopshtin e shtëpisë. Në historinë e përgjithshme të botës, nuk njihet ndonjë vend të jetë çliruar pa luftë dhe asnjë okupator nuk është larguar pa iu kundërvënë në këtë formë çfarë ne e bëmë. Për luftën brenda në Kosovë, shumica i njihnin ngjarjet, ndërkaq, njëri nga pleqtë e lagjes filloi të rrëfente për organizimin e mërgimtarëve, për ndihmën e tyre ndaj atdheut, të cilët ishin pjesë e pandashme dhe financues kryesorë të UÇK-së. Meqë ai kishte qenë anëtar i ngushtë i shtabit të UÇK-së atje në mërgim, i njihte shumë mirë gjërat. Edhe dajë Xhema, nguli këmbë që shoku i tij i idealit nga mërgimi, të tregonte rreth këtij organizimi. Fillimisht babai i Granitit, nuk kishte
dëshirë të fliste, por meqë të gjithë këmbëngulën, ai filloi të rrëfejë:
Kontributi ynë, në krahasim me tuajin ka qenë shumë i vogël, - tha babai, sepse ju keni dhënë shumë më tepër, e dikush edhe jetën. Megjithatë, mërgata si pjesë juaja e këtij populli, u desh t’i bëhej krah luftës çlirimtare dhe ajo, ndoshta pjesërisht u bë. Që në fillim, kur filloi lufta e armatosur këtu, ne u desh të organizohemi atje. Disa nga djemtë tanë që ishin atje, u bënë vullnetarët e parë të kësaj lufte dhe erdhën në Kosovë. Pjesa tjetër vazhdoi përkrahjen në forma tjera për ta mbështetur luftën e UÇK-së. U formuan edhe bazat e shtabit për diasporën, tek të cilat tuboheshin ndihmat materiale, ato financiare, rrobat e ndryshme për UÇK-në dhe një pjesë e armatimit që sigurohej gjithandej nëpër Evropë. Ndërsa në terren i kishim këshillat rajonale të cilat e mbulonin gjithë territorin e mërgatës ngado që kishte shqiptarë dhe ato ndihma silleshin në qendrën e shtabit. Kështu, përkrahja me mjetet e luftës në dorë vazhdonte udhën drejt Shqipërisë për të depërtuar deri tek ushtarët e UÇK-së. Është bërë një punë e madhe edhe atje, por krahasuar me
vuajtjet tuaja këtu, zotimi ynë ishte më i vogël.
- Megjithatë, pa ndihmën tuaj, - ndërhyri Kushtrimi, njëri nga komandantët e dalluar të UÇK-së, vështirë e kishim ta mbanim luftën. Përkrahja dhe mbështetja juaj e bënë që lufta jonë çlirimtare më në fund të korrë suksesin e merituar. Shumë djem trima erdhën nga mërgimi dhe iu bashkuan radhëve të ushtrisë, disa prej të cilëve u vranë nëpër vijat e frontit. Mandej edhe unë vetë a nuk erdha nga mërgimi? - vazhdoi ai - Unë them gjithmonë, se luftën e kemi bërë bashkë. Hise jona ishte të ndodheshim në flakën e luftës, ndërsa ju, edhe nga atje ku ishit, u bëtë krah i djathtë kundër armikut.
Ashtu - tha xha Dema, një plak i lagjes. – Ju na dhatë krahë e forcë, dhe kështu luftën e vazhduam deri në fitore.
Sa e sa demonstrata i keni bërë gjithandej nëpër botë, sa e sa lëvizje, gjithnjë të karakterit kundër pushtuesit shekullor, shtrigës së Ballkanit, - ndërhyri Arberi, njëri nga luftëtarët dhe komandantët e UÇK-së.
Po, po, - tha babai i Granitit, - mërgata ka ndihmuar mjaft, por ne që i njohim vuatjet tuaja
dhe qëndrimin e paluhatshëm tuajin, na shkon mendja se mos vallë jemi borxhlinj të kësaj toke?!
- Lufta për çlirimin e tokave tona, qe një luftë e përkrahur nga populli i Kosovës, ndërsa ju ishit pjesë e pamohueshme e një përkrahjeje të tillë, - ndërhyri Limi, njëri nga luftëtarët e lirisë.
- Ashtu është, - ia preu dajë Xhema.
Këto rrëfime Graniti po i dëgjonte nga një skaj ku ishte i ulur mbi një gur dhe po i bënte detyrat e shtëpisë që ia kishte dhënë mësuesi.
Për mungesën e babait gjatë luftës, ai gjithmonë ishte brengosur, por kur i dëgjoi këto biseda, sikur pakëz ndjeu një lehtësim. Ai u bind se babai i paskësh ndihmuar çështjes kombëtare dhe luftës së UÇK-së.
Biseda ende po vazhdonte, ndërsa Graniti duhej të mbaronte detyrat dhe t’i ndihmonte gjyshes rreth punëve të shtëpisë.
VI
Nën hijen e mollës, në kopshtin e shtëpisë së djegur, aty ku qëndronte dikur gjyshi, duke bluar mendimet për të ardhmen, Graniti bashkë me babain, filluan t’i trazojnë kujtimet e tyre. Këtu ulej gjyshi mëngjeseve dhe çurgë i shkonte tymi i duhanit. Sa herë që shkoja në shkollë, nuk mungonin përshëndetjet e mia ndaj gjyshit, - ishin fjalët e Granitit. Malli për gjyshin ndjehej në palcën e babait mërgimtar, që kush e di kur ia kishte parë fytyrën plakut, por forca është më e madhe dhe kështu loti shndërrohej në krenari burrërore.
- Nata filloi të afrohej. Nën qiellin e hapur, pranë zhuritjeve të shtëpisë së djegur, duket pak më freskët. Megjithatë më e ëmbël është nata nën qetësinë e hapësirës qiellore se ato netët e vështira në pyllin e dendur të përcjella nën krisma pushkësh. Në të gdhirë, babai, nga përpjekjet, pa bërë gjumë në sy, doli në oborr dhe zuri vend aty ku ulej rëndomë gjyshi.
- Mirëmëngjesi baba! - përshëndeti Graniti.
- Mirëmëngjesi Granit!, - ia ktheu babai. - Si fjete sonte? - pyeti ai.
- Mirë baba, po ti?
- Mirë, - u përgjigj babai.
Graniti u afrua pranë kroit që gjendej në oborr, u freskua pak dhe u drejtua tek vendi ku po pushonte babai. E përqafoi atë duke gjetur vend pranë tij. Përkundër ditës me diell, dhimbja për gjyshin, për pak çaste ia pushtoi buzëqeshjen.
- Ç`pate Granit? - pyeti babai.
- Jo, asgjë baba.
- Po, po, - më dukesh i zbehur në fytyrë, tha ai.
Graniti që nuk ishte mësuar të fshihte asgjë nga prindërit, u ndie ngusht. Nuk donte ta lëndonte babain me kujtimet e tija.
- Po, po, - nguli këmbë babai.
- M’u kujtua gjyshi baba, - foli Graniti dhe sytë iu mbushën lot.
- Granit, mos qaj të lutem! – Tashmë je burrë, dhe burrat nuk qajnë, - ngushëlloi babai. Sot do ta vizitojmë varrin e tij dhe të të gjithë të rënëve të luftës në katundin tonë dhe duhet të mbahesh i fortë, - shtoi babai.
- Para se të niseshin për tek varret e dëshmorëve, Graniti mblodhi buçeta lulesh të kuqe që kishin shpëtuar nga shkeljet e barbarëve. - Pasi që babai piu kafenë e mëngjesit, ndërsa Graniti qumështin që ua kishte sjellë nëna, u nisën kodrës përpjetë, në drejtim të varrezave të dëshmorëve dhe të të gjithë martirëve të rënë gjatë luftës.
Mbi varrin e gjyshit, Graniti vendosi lulëkuqet, duke nderuar të gjithë të rënët me nga një buçetë. Aty, babai i Granitit dukej se u ndal pakëz më gjatë. Në buzët e tij vërehej një pëshpëritje, ndërsa më në fund u dëgjua një zë: Lavdi!- Lavdi! - përsëriti dhe Graniti.
- Të dy së bashku, pasi nderuan të rënët për liri, u nisën teposhtë rrugës për në katund, duke bartur me vete kujtimet më të mira për të rënët. Kjo sikur e kishte lehtësuar edhe Granitin nga ato dhembje për mungesën e gjyshit.
VII
- Me kthimin e babait të Granitit, nga mërgimi vizitat në shtëpi janë të njëpasnjëshme. E vizitojnë të afërm, shokë të idealit, veprimtarë të ndryshëm të çështjes kombëtare, e kush jo tjetër?! Ai është veprimtar i vjetër për çështjen e atdheut, ndaj ka shumë shokë. Ditët e lirisë sapo kanë aguar dhe, tashmë kanë krijuar rrethana të reja. Shokët shkojnë lirshëm tek njëri-tjetri, kuvendojnë të lirë për çështjen kombëtare dhe askush nuk i pengon. Nuk është më ajo koha e paraluftës kur shokët e babait të Granitit shkonin e vinin natën, për të mos i parë kush, ndryshe përfundimi do të ishte në pranga nga policia serbe. Është kjo kënaqësi e veçantë që e gëzon së tepërmi babain. Shokë të idealit, babai i Granitit i kishte pasur edhe mësuesin, komandantin, tribunin e Vërrinit, dajë Xhemën dhe sa e sa djem të shumtë që shumica nga ta, tashmë janë dëshmorë të atdheut. Dëshira e babait, ishte që t’i vizitonte edhe familjet e shokëve të tij. Këtë ia kishte thënë edhe Granitit dhe dajë Xhemës. - Ishte mëngjesi i dytë i mërgimtarit. Sot do ta vizitojmë familjen e mësuesit, - u dëgjua zëri i babait të Granitit.
- Dua të vij edhe unë baba, - tha Graniti.
- Pa tjetër, - shtoi babai.
- Granit, ai ka qenë mësues juaj dhe do të të marrim edhe ty, - shtoi dajë Xhema.
Me një makinë të dajë Xhemës, u nisën drejt qytetit. Në shtëpinë e mësuesit, priste xha Meti. Plaku plisbardhë, pakëz i lodhur nga pamja fizike, po shumë krenar për humbjen e të birit. Në dorë mbante shkopin të cilin e quante këmbë e tretë e pleqërisë. Përmallshëm u përqafuan me babain, dhe dajë Xhemën.
Kur e shoh Xhemën, bashkëluftëtarin dhe shokun e ngushtë të birit tim që këtij atdheu iu përkushtuan me tërë qenien e tyre, besoni që ia kam bërë hallall kësaj toke, - ishin fjalët e xha Metit.
- Ky është Graniti, - i tha babai xha Metit. - Ka qenë nxënës i mësuesit.
• E gëzofshi lirinë, biri i xhaxhit! - tha xha Meti dhe e përqafoi Granitin. - Do t’i ngjash atij? - vazhdoi më tej ai.
- Graniti, është djalë trim i ushqyer me virtyte nga gjyshi dhe i edukuar ashtu siç e ka mësuar mësuesi. Gjatë tërë kohës ka kërkuar të jetë ushtar me ne, - tregoi dajë Xhema.
- E di, e di, - tha xha Meti, - më ka folur edhe mësuesi për Granitin. - U bëfsh trim si gjyshi dhe të mësosh! - porositi xha Meti, derisa po uleshin në odën e burrave.
- Xha Meti, me një interesim të posaçëm donte të dinte për babain, si u kishin vajtur punët rreth organizimit në mërgim. Ndërkaq, babai dëshironte të nxjerrte më shumë nga xha Meti, për luftën, për mësuesin, rënien e tij...
Na falënderoi për vizitën edhe bashkëshortja e mësuesit së bashku me fëmijët dhe disa të afërm që ndodheshin aty.
Ndërkaq, babai interesohej edhe për fëmjët e mësuesit.
Fëmijët po vazhdojnë drejt diturive të reja, po i vijojnë mësimet - tha xha Meti. - E ardhmja është përpara tyre.
Edhe babai uroi që fëmijët e mësuesit të rriten në liri, të mësojnë e të shkollohen, sepse vetëm ashtu do të plotësohet dëshira dhe amaneti i mësuesit.
Xha Meti, babai i mësuesit, ishte burrë trim dhe kurrë nuk jepej përpara dhembjes. Mbante qëndrim burrash. Thonë se edhe ditën kur e ka marrë vesh lajmin e rënies së mësuesit, nuk është ligështuar fare. Atdheu kërkon trima dhe për këtë ia kemi rritur djemtë. Edhe vetë xha Meti, paskësh qenë pjesëmarrës në luftë, për mbrojtjen e kufijve të atdheut, ndaj, mirë i njihte rrjedhat e luftës. Por, tash që mosha ia kishte marrë fuqinë, brengat pakëz i ishin shtuar.
- Nuk munda t’u ndihmoj djemve, - i tha babait, derisa po bisedonin për luftën. - Vitet më patën lodhur.
Ç’të bënte xha Meti?! Ndonëse i vlonte barku për t’u ndihmuar luftëtarëve, pleqëria e bëri të vetën, megjithatë tek ai vërejmë pathyeshmëri.
- Vizitat e babait, vazhduan edhe nëpër familje tjera, ngado që kishte shokë.
VIII
Të rënët që u flijuan gjatë luftës për çlirimin e Kosovës, nuk duhet harruar kurrë. Kështu e kishte dëgjuar Graniti babain tek po kuvendonte me dajë Xhemën në kopshtin e oborrit. Prandaj, për të kujtuar ata, veprën e tyre dhe për ta bartur atë nëpër breza, në shenjë kujtimi, duhet ndërtuar lapidarë. Kështu thoshte babai gjatë kuvendimit. Një mendim të tillë e kishin të gjithë shokët e babait. Të gjithë pajtoheshin, se të rënëve për liri, u duhet ngritur lapidarë. Në lapidarin që do të ngritet, do të shkruhen të gjithë emrat e të rënëve për lirinë e atdheut, duke ua bashkangjitur edhe portretet e tyre. Aty do të shkruhet emri i mësuesit, komandantit dhe të gjithë emrat e atyre që ranë në betejë në mbrojtje të atdheut. Kjo ide e gëzoi shumë edhe Granitin.
- Sa mirë, - tha me vete ai. - Edhe unë do të ndihmoj në ngritjen e lapidarit.
Atë ditë kur babai kuvendonte me dajë Xhemën, filloi edhe aksioni për ndërtimin e lapidarit. Babai i dha ndihmat e para për lapidarin dhe aksioni gëzonte përkrahje të gjithanshme, brenda në katund dhe në qytet. Kështu flisnin shokët e dajë Xhemës, që e udhëhiqnin aksionin. Për disa ditë rresht, projekti i paraparë qe realizuar. Ditën kur filloi të ndërtohej lapidari, Graniti, bashkë me babain u zgjuan shumë herët. Babai i Granitit po bëhej gati të shkonte në ditën e fillimit të ndërtimit, për ta dhënë kontributin e tij edhe me punë.
- Qenke zgjuar herët Granit! - i tha babai Granitit.
- Mirëmëgjesi baba! - përshëndeti Graniti.
- Mirëmëngjesi pëllumbi i babait! - ia ktheu babai.
- Do të vij dhe unë me ju, - tha ai. - Dua të ndihmoj edhe unë në ndërtimin e lapidarit, - vazhdoi Graniti.
- Ke detyra për sot? - pyeti babai.
I kam mbaruar mbrëmë baba, - dhe ju premtoj se kohën e humbur do ta kompensoj në mësime, premtoi Graniti. Duke parë këmbëngulësinë e Granitit dhe dëshirën për të ndihmuar në
ndërtimin e lapidarit, në fytyrën e babait u vërejt një buzëqeshje duke pohuar me kokë se edhe ai mund të vijë për t’ia filluar punimeve për ngritjen e lapidarit.
- Pas një ceremonie dhe fjalë rasti që i mbajtën disa nga komandantët e UÇK-së, filluan punimet për ngritjen e lapidarit të dëshmorëve të kombit. Edhe Graniti, krahas babait, bënte ndonjë punë që i shkonte për dore dhe lapidari i përkujtimeve të gjallërisë së dëshmorëve filloi të marrë shtat. Në mermerin e lapidarit, u skalitën emrat dhe portretet e të rënëve në luftë për çlirimin e atdheut. Ishte portreti i mësuesit, komandantit, shokëve të tyre. Ishte edhe portreti i gjyshit, kujtimi i të cilit do të jetë përherë prore në zemrat e brezave që do të vijnë. Për Granitin, Granit Sharrin kjo ishte një ndjenjë e veçantë. Kështu, trimat e luftës njëherë e përgjithmonë do të përjetësohen dhe do të jetojnë në zemrat tona.
IX
Ditët që shkonin e vinin, pa më të dashurit që kishin shkuar në përjetësi, ishin të dhimbshme. Mungesa e tyre vërehej në zymtësinë e njerëzve. Babai i vrarë, daja, nipi, gjyshi e gjyshja, pak sa e kanë vjedhur buzëqeshjen. Për Granitin, ditët pa gjyshin ishin shumë të mërzitshme. Nuk ka më Graniti një gjysh me të cilin do të uleshin nën hijen e mollës dhe të kuvendonin si dy burra. Ai plisbardhi, mungon më në ballin e odës së burrave ulur këmbëkryq, prej nga historia e përvuajtur tregohej ashtu siç kishte ndodhur. Tregohej historia e vërtetë e përjetuar e gjyshit patriot, që sytë i mbetën hapur për një atdhe të lirë e të bashkuar siç e dëshironte ai. Kujtime këto që vështirë se mund të durojë njeriu pa rrjedhje loti. Gjyshja, që vazhdimisht i qëndronte pranë, ia kuptonte dhimbjen. Edhe ajo e ndjente mungesën e gjyshit por nuk jepej. Vendin e gjyshit, tashmë e mbante babai i Granitit. Ai, për
çdo mëngjes, ulet në kopsht, atje ku gjyshi e kalonte kohën më të gjatë. Edhe në odën e burrave e ruan vendin e tij. Shkojnë e vijnë shokë nga të gjitha anët e atdheut. Babai i Granitit ishte veprimtar politik i çështjes kombëtare dhe njihet me shumë njerëz. Por mungesën e gjyshit, nuk e zëvendëson dot askush. Qe rritur me të dhe është mësuar pranë tij.
Edhe për mësuesin, Graniti ndjente vazhdimisht dhembje. Mungesa e tij në shkollë, në klasë krijonte zbraztësi. Shkollës i mungonte gjallëria. Asgjë nuk ishte si më parë. Sa herë që mësonte në fletore e në libra, i kujtohej ai. I kujtohej fytyra e buzëqeshur, zëri i tij i ëmbël, kujdesi që tregonte ai për ta. Ishin këto ditë plotë dhembje dhe kujtime për ata që mungonin. Që herët në mëngjes, tek babai i Granitit, kishin
ardhur shumë shokë. Kishte nga ushtarët e UÇK-së, nga mësuesit e shkollës, nga udhëheqësit e katundit e të tjerë. Kishin vendosur të bënin një ditë përkujtimi për të gjithë dëshmorët dhe martirët e vrarë gjatë luftës.
- Kemi vendosur që t’i përkujtojmë të rënët gjatë luftës, - tha njëri nga ushtarakët, i veshur me rroba të UÇK-së.
- Edhe dajë Xhema ishte me ta. - Ndonëse lufta sa po ka përfunduar dhe kujtimet janë të freskëta, ne do t’i përkujtojmë, - tha ai.
- Do të bëni shumë mirë, tha babai i Granitit. Kujtimi për ta kurrë nuk duhet të shuhet dhe sa herë që përkujtohen ata, nderojmë luftën, veprën e tyre, gjakun, lirinë... - vazhdoi babai.
Të gjitha këto biseda, Graniti po i dëgjonte nga dhoma ku po i kryente detyrat e shtëpisë. Kur i mbaroi ato, zbriti shkallëve dhe doli në kopsht ku po kuvendonin babai me shokët e tij.
- Ooo, Graniti! - tha dajë Xhema. - Si të kam? - pyeti ai.
- Mirë dajë, po juve si ju shkojnë punët?
- Mirë, mirë, - trimi i dajës. – Siç duket ti po ecësh përpara në mësime.
• Është i shkëlqyeshëm, - u përgjigj babai. Graniti u përshëndet me të gjithë shokët e babait. Pas tri ditësh, të gjithë njerëzit e katundit, por edhe nga katundet tjera, u mblodhën për të përkujtuar të rënët në luftë, të atyre që u flijuan për liri. Edhe Graniti mori pjesë në këtë tubim përkujtimi. Aty u fol për mësuesin, shokët e tij, qëndrimin e
tyre stoik në luftë kundër okupatorit. U fol edhe për gjyshin, si një burrë trim që nuk i lëshoi kullat, duke rënë me pushkë në dorë. Përkujtimi, ua zbuti dhembjet të pranishmëve, ndërsa në veçanti, Granitit.
X
Përkujtimi ndaj dëshmorëve të lirisë, të një historie të tmerrshme që e kishte kapluar popullin shqiptar, tek brezat është rikujtim i të kaluarës për të ndërtuar të ardhmen. Kështu duke përkujtuar ata, nderojmë gjakun e tyre, lirinë... nderojmë atdheun. Vetëm kështu mund të ecim përpara dhe mund të ndërtojmë ardhmërinë tonë. Armikut ia kemi thyer qafën. Atë e shporrëm nga këtej dhe detyrat për ndërtimin dhe forcimin e shtetit tonë ndodhen në duart dhe mendjet tona. Amaneti i dëshmorëve duhet çuar deri në finale. Kështu fliste babai i Granitit, në tubimin përkujtimor që mbahej për nder të ditës së dëshmorëve të kombit. E gjithë turma e njerëzve përpara foltores prej nga po shfaqeshin evokimet, u zgjua në këmbë dhe po duartrokiste. Edhe Granit Sharri gjendej në mesin e tyre. Ai u gëzua shumë për fjalët e bukura që i tha babai i tij. Kishte pleq në mesin e turmës që nxjerrnin lot gëzimi nga fjalët që tha
babai i Granitit. Pasi mbaroi fjalën, babai i Granitit u kthye në mesin e turmës së njerëzve që kishin ardhur për të përkujtuar të rënët. Programi vazhdoi edhe me pika tjera. Pati edhe fjalime tjera nga oficerë të UÇK-së, ndërkaq, nuk mungoi edhe kënga kreshnike, gjithnjë në përkushtim për dëshmorët. Për mësuesin, recitoi kush tjetër pos Granitit të talentuar. - Granit Sharri! - thirri konferencieri nga bina, që udhëhiqte programin. Derisa po ngjitej në binë, emocionet vinin e shtoheshin në shpirtin e Granitit. Ishte hera e parë e një karakteri të këtillë para kaq shumë të pranishmëve. Pas përshëndetjes siç e pat bërë shprehi Graniti, recitimi sa e shfryu atë, ndërsa tek të pranishmit rrëqethja shtohej në fytyrat e tyre. Duartrokitjet s’kishin të ndalur, ndërsa babai shumë zor e kishte të qëndronte derisa të kryhej recitimi. Megjithatë sa herë që Graniti ndodhej në situata të këtilla, gjente forcë dhe çdo gjë e përfundonte me sukses.
-Pas përfundimit të recitimit, duke përshëndetur me refrenin LAVDI! – shkoi pranë babait. - Të lumtë! - tha babai. – Ke qëndruar burrash dhe vërtet me këto ndjenja, ruhen të gjalla kujtimet për trimat e Kosovës.
- Falemnderit baba! - e kisha mjaft vështirë, por... pohoi Graniti.
Programin e përcollën deri në fund dhe recitimet nuk kishin të ndalur. Njëri nga shokët e klasës së Granitit, recitoi poezi edhe për gjyshin e Granitit.
Kjo e mallëngjeu edhe më shumë babain. Edhe Graniti ndjeu kënaqësi për nderin që iu bë gjyshit. Me të mbaruar programi, ata u kthyen në shtëpi, ku kishin ardhur shokë të babait në shenjë respekti për gjyshin dhe veprën e tij.
XI
- Ooo, Graniti! - tha doktori. – Po ti qenke bërë burrë! - dhe filloi t’ia përkëdhelë faqet e njoma të tij.
- Falemnderit xhaxhi doktor! - Po ju si jeni? - pyeti Graniti.
- Të më falësh bacë, - tha doktori. - Me Granitin jemi shokë që nga fillimi i luftës, po ty si të kemi? - e pyeti babain e Granitit ai.
- Mirë doktor, - u përgjigj babai i Granitit. - Po ju këtu në flakën e luftës ndjej se e kishit vështirë.
- Lufta është luftë, por suksesi nuk mungoi, ngase, bazuar në luftërat e mëparshme, ishim më të bashkuar dhe kështu erdhëm deri këtu ku jemi.
-Nuk munguan edhe përkrahjet nga ju bashkatdhetarët, ndaj meritoni përgëzimet tona, - tha doktor Sherifi.
- Borxhi ndaj atdheut është detyrim, - tha babai i Granitit.
- Ju lumtë! Ju lumtë! – tha doktori. Ndihma juaj vërtet nuk ka munguar. Me Granitin njihemi që nga fillimi i luftës, sa ishte gjallë gjyshi, lavdi pastë dhe e
vizitoja nganjëherë kur gjeja kohë. Madje këshillat e tij i pranoja me ëndje, duke i vënë në praktikë gjatë luftës. Lëvizjet e kokës, sikur pohonin thëniet e doktorit.
- Gjyshi ishte shumë i vendosur, po edhe të tjerët na përkrahën me çdo gjë që kishte nevojë ushtria jonë. Dyert ishin të hapura. Edhe zemrat i kishin të hapura dhe ky popull u mishërua fund e krye me ne. Hapëm spitalin, logjistikën për gjithë zonën, shkollën e regrutëve, kuzhinën për ushtrinë tonë, magazinën e armatimit dhe çdo gjë që duheshte. Mbi të gjitha, përkrahja dhe humanizmi janë virtyt i popullit tonë dhe kjo u dëshmua edhe gjatë kësaj lufte. Edhe njëri nga shokët e mi, derisa po mjekonim një të plagosur, më pat shprehur mendimin se vërtet lufta jonë do të ngadhnjejë, duke parë se kolona e të rinjve ishte e gjatë që dhuronin gjak për t’ua shpëtuar jetën ushtarëve. Nuk mund t’i përfshij të gjitha ndodhitë e përjetuara tha doktori, ndaj kërkoj ndjesë. Këto ngjarje do të shkruhen në letrat historike dhe kurrë nuk do të harrohen, u shpreh dr. Sherifi.
- Ju falemnderit, për këto njoftime, sa rrëqethëse, aq edhe kuptimplota e krenare. - tha babai i Granitit.
Xhaxhi Doktor! – E kemi lirinë tonë ne sot?
Po si Granit!- tha doktori. Luftën e kemi bërë për këtë, që kurrë më të mos na sundojë i huaji. Do të gëzojmë lirinë dhe të gjitha të mirat do t’i kemi.
- Granit! – Tash të mësosh më me vullnet, sepse atdheut i duheni të shkolluar, - vazhdoi doktori.
- Është i shkëlqyeshëm, - u përgjigj babai.
- Të lumtë! - Vetëm nëse ti mëson dhe vazhdon kështu, do ta nderosh mësuesin dhe do t’ia çosh në vend këshillat e tij. Edhe gjyshi kështu të ka porositur që t’i shërbesh atdhut, për një të ardhme sa më të lumtur.
Kuvendimi i doktorit me babain e Granitit vazhdoi edhe më tutje, ndërsa Graniti shkoi me shokët atje ku po ndërtohej bina mbi të cilën do të mbahej një tubim përkujtimor. Ai u nda shumë i kënaqur nga biseda dhe fjalët e mira të doktorit.
XII
Shkëlqimi i diellit, vërtet ua kishte hapur rrugën fluturimeve zig-zake të dallëndysheve tashmë në horizontin e kaltër të këtij nënqielli. Bashkë me fluturimet e lehta të tyre, përcillej edhe gëzimi i pamasë i kalamajve që ishin shkepur kodrës përpjetë. Dikush luante futboll, dikush këndonte, të tjerët... Edhe Graniti, së bashku me babain, kishte ardhur në festën e madhe ku bëhej riemërtimi i katundit për të kthyer atë toponimin stërgjyshor të Arbërisë. Rruga drejt kodrave përpjetë për në Arbëri nuk ishte edhe aq e mundimshme kur kihet parasysh mëtimi i kësaj kremteje. Pejzazhet e bukura të Vërrinit aq shumë e frymëzuan babain, sa që në mendje krijoi poezinë të cilën do ta recitojë para të pranishmëve gjatë shfaqjes së programit festiv.
- Jam përmalluar, i tha Granitit, ndaj dua të bëj një udhëtim më këmbë.
- Edhe unë do të të shoqëroj, - i tha Graniti. Kështu, bashkë me shokë të tjerë, inspirimi për
natyrën e bukur, për lisat shtathedhur, për fushat me lule dhe për këngën e bukur të bilbilit, i përcolli deri tek tubimi “Në Kodrën e Trimave” në Arbëri.
Tubimi filloi. Atje në kodrën e katundit, në “Kodrën e Trimave” siç e quanin banorët vendas, janë mbledhur burra e gra nga të gjitha anët për të kremtuar festën e rikthimit të emrit të lashtë. Jehona e këtij manifestimi pushtoi hapësirat gjithëshqiptare që nuk njihte kufij, as ata kufij që dikur hermetik ishin të mbyllur. Vëllezër nga Kukësi, nga Tirana, kishin ardhur të shfrynin mallin, atë mallin e zjarrtë që dikur vështirë mund të paramendoje, dhe sot, e vërteta nuk njeh kufij ndërvëllazëror.
- Paramendo, - ç’është liria i tha babai Granitit. Për ne s’pati rrugë tjetër, veçse grykë e pushkës na solli deri këtu.
- Sa mirë, - pohoi Graniti.
Bisedën për një çast e ndërpreu zëri i profesorit të gjuhës, zëri i Ilamit, njërit prej anëtarëve të Këshillit Organizativ për riemërtimin e katundit, i cili duke shpallur të hapur kremtën, me një minutë heshtje, bashkë me turmën e mbledhur, në shenjë respekti dhe
përkujtimi, nderuan dëshmorët e kombit dhe të gjithë të rënët për lirinë e Kosovës.
Për historikun e katundit dhe për përjetimet në të parandejshmen foli profesor Muja. Ai, pos tjerash, rikujtoi amanetin e të parëve tanë se vetëm të bashkuar mund ta bëjmë dhe ta mbrojmë atdheun. Vërtet, bashkimi bëri fuqinë dhe sot jemi mbledhur këtu për të kremtuar fitoret që me gjakun e bijve tanë sot frymon ditë lirie. - Sot jemi të lirë, ndaj e gëzofshim emrin e dikurshëm, emrin e lashtësive shekullore, dhe, gëzuar!!!
Folën edhe disa nga komandantët e luftës, të cilët evokuan përjetimet e luftës, natyrisht duke qenë mirënjohës për përkrahjen që gëzuakëshin. Ndërkaq, nxënësit e shkollave shfaqën programin e tyre duke recituar e kënduar këngë për trimat e luftës. Edhe poeti i Vërrinit, tash më i njohur, recitoi vargje për trimat. Graniti, për disa çaste, derisa zgjati programi, nga kënaqësia, ndoshta e harroi dhimbjen për gjyshin, madje edhe ndjehej krenar për rënien e tij përkrah trimave tjerë. Pas përfundimit të programit, të pranishmit vizituan katundin. Njerëzit kanë filluar t’i kthehen jetës dhe në fytyrat e tyre
vërehet buzëqeshje, përkundër dëmeve të shkaktuara të cilat shumë shpejt do të rigjallërohen. Kështu, vizita përfundoi, ndërsa
katundi do të gëzojë emrin e lashtësive, “emrin e ri”-Arbëri.
- Për Granitin, tregimi për rikthimin e toponimit ishte diçka që s’ia kapte mendja. Ndaj duke ecur kodrës, derisa po ktheheshin për në katundin e tyre, filloi t’i parashtrojë pyetje babait, që t’i shpjegojë lidhur me këtë.
- Po, Granit, - iu përgjigj babai. Këto vende gjithmonë kanë qenë të banuara me shqiptarë, që nga iliria e lashtë prej nga ne e kemi rrjedhën. Që atëherë, këto vende kishin emra shqip. Me ardhjen e popujve sllavë, në veçanti atyre serbë, ata filluan t’i vënë toponimet sllave mbi toponimet tona. Kjo bëhej me mëtimin për të asimiluar popullin shqiptar, e që përmasa më të mëdha mori gjatë qindvjetëshit të fundit. Kështu po i fliste Granit Sharrit, babai i tij, rrugës derisa po ecnin për t’u kthyer në Malësi. Graniti u nda shumë i kënaqur nga tregimi i babait, ngase disa gjëra të tilla nuk i kishte mësuar edhe në lëndën e historisë.
XIII
Dëshira e babait ishte që t’i vizitonte të gjitha vatrat e luftës, por ardhjet e shokëve, nuk ia lejonin as edhe një orë të dilte nga shtëpia. Mendimet, siç duket sot e kanë trazuar më herët. Dielli sapo kishte dalë mbi kodra. Zuri vend në oborr dhe filloi të pijë kafenë e mëngjesit. Edhe Graniti, që ditën kur është kthyer babai nga mërgimi, ka filluar të zgjohet më herët, gjithnjë duke dashur të çmallet me të.
- Mirëmëngjesi baba! - përshëndeti ai.
- Mirëmëngjesi Granit! - ia ktheu babai, plot kënaqësi. - Je bërë i hershëm dhe s`ma lëshon krahun, - shtoi babai.
- Nuk më flihet baba, - tha ai.
- Ke detyra? – pyeti babai.
- I kam mbaruar mbrëmë. Kam ca përsëritje të njësive mësimore dhe një lektyrë, - u përgjigj ai.
- Po ju? – shtoi pak me humor Graniti.
- Hë-hë-hë! - buzëqeshi babai dhe e luhati kokën. - Unë sot kam një detyrë të veçantë, ndaj do të iki sa më parë. Babai sikur e kuptoi kuriozitetin e Granitit dhe vazhdoi: Do t’u bëj vizitë vendeve të betejave të luftës.
- Të vij edhe unë? – pyeti Graniti.
- Nëse nuk mbetesh mangu në mësime, eja! – tha babai.
Që të dy u nisën kodrës përpjetë. Graniti vazhdimisht po i rrëfente babait për ato çka kishte parë dhe dëgjuar, për ditët sa kishin zgjatur luftimet. Ai i njihte mirë të gjitha betejat që i kishin zhvilluar ushtarët e UÇK-së kundër ushtrisë barbare serbe. Kështu, këmba-këmbës, duke rrëfyer përjetimet e luftës, arritën në katundin Lez. Këtu qe zhvilluar beteja më e përgjakshme ndërmjet luftëtarëve të lirisë dhe forcave të armikut. Shtëpitë duken të djegura, ndërkaq në muret gërmadhë qëdrojnë oxhaqet, që lënë të kuptojnë se jetës do t’i kthehet normaliteti. Përmes skenave të djegura, rishpalosej historia e luftës, duke u hapur plagë shqetësimi në shpirtin e vizitorëve. Aty në mes të katundit, një shtëpizë e vogël me ngjyrë të
gjelbërt. E vetmja e shpëtuar gjatë asaj barbarie të bërë nga okupatori. Muret sikur donin të flisnin. Vrimat e plumbave dhe granatave, ishin shenjëzuar kudo. Ato, herë pas here e përcillnin dritën e diellit deri në brendin e saj. Përbrenda një varr i vjetër, që shënonte lashtësinë qindravjeçare, përreth të cilit kush e di, sa e sa njerëz kanë bërë homazhe lutjeje pranë tij. Është ky një varr me të cilin identifikohej katundi në këtë lokalitet. Edhe varri paskësh përjetuar golgotën!
Pak më andej, për të dëshmuar se kjo botë njerëzore nuk mund të zhbëhej, shiheshin lëvizje njerëzish.
- Si të kemi Shpat? – tha babai i Granitit dhe i zgjati dorën atij.
- Ja, siç po na sheh, i nderuar – tha ai. - Po ty mor trim, si të kemi?- u kthye kah Graniti ai.
- Mirë, xhaxhi Shpat, - u përgjigj Graniti.
- U rritsh, trimi i xhaxhit! - tha ai.
• Graniti ka hyrë në radhën e burrave, - tha babai dhe vazhduan rrugën përpjetë. Na u vranë djemtë më të mirë në luftë, - tha xha Shpati derisa iu drejtua babait të Granitit
- dhe vazhdoi: U vranë, por qëndruan shumë. Luftuan kundër armikut deri në plumbin e fundit. Nuk i lëshuan trojet për së gjalli. Ky qe betimi i tyre dhe e mbajtën atë. Edhe armiku e pagoi shtrenjtë. Si një ciceron i vërtetë, rrëfeu xha Shpati për luftën e zhvilluar mbi këto kodra. U vranë nga luftëtarët tanë, por armiku pësoi humbje më të madhe. Edhe në Kushtëndil, – dhe bëri me dorë kah katundi i vogël rrëzë malit të Kryekodrës, u zhvillua betejë e rreptë. Përkundër vrasjeve të disa trimave, edhe aty pushtuesit iu shkaktuan dëme. Fjalët e Shpatit, përcilleshin me një kujdes të veçantë nga Graniti dhe babai i tij dhe fjala-fjalës, vazhduan rrugën deri në vendluftimin, atje në majë të kodrës për të parë vendin e gjakderdhjes më të madhe ku nuk mbahet mend të kishte ndodhur ndonjëherë, për të parë vendin e rënies së mësuesit. Tregimi për mësuesin se ai paskësh luftuar fyta-fyt me një numër tejet të madh forcash të aramtosur deri në dhëmbë, ushtarë çetnikë e paramilitarë serbë, ia shtoi krenarinë Granitit dhe babait. Udhëtimi nuk ishte i gjatë, po rrëfimet për luftën në Vërri, thuaja se do të
mbushin faqe të tëra të historisë që do t’u barten breznive.
Diku rreth pasdites, Graniti dhe babai u kthyen teposhtë kodrës, për në katundin e tyre.
XIV
Katundi Gjeq ishte plagë tjetër e babait të Granitit. Lufta, sapo kishte përfunduar, por pasojat vëreheshin në çdo pëllëmbë të tokës. Edhe aty, luftimet ishin të rrepta. Siç dihet, aty ishte vendkomanda e UÇK-së për regjionin e qytetit tonë. Nga aty udhëhiqej i gjithë organizimi dhe lufta në zonën e Vërrinit. Për të gjitha këto, Granit Sharri kishte njohuri edhe derisa bëhej lufta. Të gjitha ia pat mësuar gjyshi. Për të mos lejuar futjen e armikut brenda në katund, shumë ushtarë ranë dëshmorë. Ndërkaq nga ana e armikut dëmet ishin shumë më të mëdha dhe në shenjë hakmarrjeje armiku sulmonte gjindjen e paarmatosur. Mizorisht vriteshin pleqtë e plakat, gratë e fëmijët. Kështu, varret e këtyre të pafajshmëve, të shkaktuara nga tërbimi dhe çmenduria serbe, renditeshin njëri pranë tjetrit. Ç`dëshmi e kësaj barbarie të armikut për kohërat që do të vijnë!
- Këto varre flasin shumë, - i tha babai Granitit. Kështu flisnin më të moshuarit. Këto trishtime
kanë ndodhur edhe më parë nga po ky armik i tërbuar. Sa e sa njerëz kanë përjetuar kalvarin, edhe atë, vetëm pse ishin shqiptarë.
Kështu po fliste, babai i Granitit derisa po i shikonte plot dhembje varret e martirëve dhe dëshmorëve të luftës në katundin Gjeq. Edhe Graniti e shoqëronte atë në homazhet që po i bënin mbi varret e të rënëve. Graniti, në shenjë respekti për shokët e vet siç i quante, çdonjërit ua hidhte nga një lule për t’ua njomur pak shpirtin e tyre të pavdekshëm.
Ashtu trimi i babait! - tha ai duke qëndruar “gatitu” në këmbë, për të nderuar me një minutë heshtje përpara varreve. Edhe Graniti e bëri të njëjtin veprim.
Për disa çaste, një heshtje ra aty pranë.
- Lavdi! - tha babai.
- Lavdi! - shtoi edhe Graniti.
Një heshtje mbretëroi tek vizitorët, dhe ashtu duke mos mundur ta ngushëllojnë njëri-tjetrin vazhduan udhëtimin e tyre deri tek lapidari i lirisë. Aty shkëlqenin portretet e dëshmorëve të rënë. Shkëlqente fytyra e ndritur e patriotëve të
cilët fituan pavdekësinë e kësaj bote, duke qenë udhërrëfyes për breznitë që vijnë pas. Përsëri, me qëndrimin “gatitu” u bëhet nderimi i veçantë për ta, për veprën e tyre madhështore. Ndërkaq, Graniti, mbi mermerin e lapidarit vendosi tufa lulesh.
- Lavdi! - thanë të dy dhe u nisën rrugës drejt që shpie për në katundin e tyre. Gjatë asaj dite, ata bënë shumë vizita nëpër familjet e dëshmorëve dhe martirëve në katundin Gjeq.
XV
Te kulla e Hoqës, quhet vendi ku ishin mbledhur shumë burra e gra, për të përkujtuar të rënët e luftës. Kishte të pranishëm nga të gjitha viset, edhe nga Shqipëria. Prania e atyre nga Shqipëria e bënte të lumtur babain e Granitit. Dikur, as që mund të paramendohej një gjë e tillë.
- Kjo është liria, - i tha Granitit babai. Ja, ai është gjenerali i ushtrisë shqiptare, prefekti i qytetit të Kukësit e sa e sa të tjerë. Dikur, vetëm po t’i afroheshe atij kufiri, - dhe tregoi me dorë drejt bjeshkës së Pashtrikut babai, - përfundoje burgjeve. Na patën ndarë dhunshëm fuqitë e mëdha dhe mirë u bë që kjo luftë na bashkoi me vëllezërit tanë “andej kufirit”.
Babai njihej me shumicën nga njerëzit aty, edhe me gjeneralin, prefektin, e sa e sa njerëz të tjerë. Edhe Graniti u njoh me shokët e babait. Sa i lumtur që ndjehej.
Zëri i konferencierit i ndërpreu të gjitha bisedat e njerëzve që ishin ulur përpara binës së improvizuar pranë lapidarit të dëshmorëve të këtij katundi. Ai, në pika të shkurtëra foli për historikun e këtyre anëve duke paralajmëruar rrjedhën e programit në vazhdim. Evokuan shumë nga të pranishmit, si ministri, gjenerali i ushtrisë shqiptare nga Shqipëria, prefekti i Kukësit, komandant Kushtrimi, njëri nga komandantët e UÇK-së që Graniti e njihte nga ditët e luftës dhe sa e sa të tjerë. Kishte edhe oficerë dhe ushtarë nga Trupat e Mbrojtjes së Kosovës, nga shpresa e ushtrisë së ardhshme e atdheut tonë. Kënga për dëshmorët buçiste. Edhe recitimet zgjonin tek të pranishmit emocionet dhe programi bëhej gjithnjë më i fuqishëm nga duartrokitjet për veprën revolucionare të trimave të luftës.
Ndërkaq, vëllezërit nga Shqipëria që kishin ardhur të lirë sot në Kosovë, shprehën pikëpamjet e tyre se sot janë këtu për të nderuar veprën sublime të dëshmorëve, ngase me luftën e tyre, ata na i hapën rrugët që të jemi të lirë dhe të lirë të shkojmë tek njëri-tjetri. Ishte kjo njëmirënjohje për dëshmorët që e bënë vëllezërit tanë nga Shqipëria.
Tubimi vazhdoi përpara shkollës së katundit. Skulptori nga Kukësi e kishte punuar skulpturën e dëshmorit të kombit për ta vendosur dhe për ta bërë të pavdekshëm idealin e tij për të cilin ideal edhe u flijua.
Bashkë me rrezet e diellit, të asaj paraditeje që po ndriçonte mbi Vërri, shkëlqente edhe truporja e dëshmorit. Buzëqeshjet në fytyrat e të pranishmëve, sa i bëjnë të pavdekshëm dëshmorët, aq më tepër rriten shpresat për ditë të bardha lirie.
- Këta nuk do të harrohen kurrë, - tha babai. Vepra e tyre e vetëflijimit për atdheun, na detyron neve që t’i përjetësojmë ata me vepra të këtilla dhe t’ua mësojmë brezave historinë e ndodhive të vërteta.
Pasi mbaroi ceremonia e zbulimit të bustit, ata i bënë edhe një vizitë objektit të shkollës përbrenda duke u frymëzuar mjaft që këto ngjarje hollësisht të futen në historinë më të re. Ditës, sapo i është afruar ngrysja, Graniti bashkë me babain u nisën rrugës për në katundin e tyre.
XVI
Ditët e lirisë, kanë filluar të hedhin dritë në çdo pore të jetës. Në katundin e Granit Sharrit mbi hirin e shkollës së djegur filloi të ndërtohej shkolla e re. Kujtimi dhe fotografitë për shkollën e vjetër ruhet gjithnjë. Nga ajo kishin dalë breza të tërë shkollarësh. Edhe babai i Granitit kishte mësuar në atë shkollë. Edhe vetë Graniti i kishte mbaruar mësimet e para aty. Shkolla e vjetër u dogj, po ja që dielli ka filluar të rrezojë përsëri dhe filloi të lëshojë shtat shtëpia e bardhësive të reja, shkolla e re, madje edhe më e bukur. Kështu, shqetësimi i Granitit dhe i shokëve të tij për karriget e djegura, për skeletet e hekurta të tyre do të shndërrohet në buzëqeshje dhe gëzim që ndoshta ata as që kanë paramenduar një gjë të tillë. Kujtimi për shkollën e djegur tek Graniti rikthen atë kujtimin për mësuesin, për fjalorin e tij të ëmbël që gati në çdo orë ishte refren i tij: dashuri, atdhe, liri.
Krahas shkollës, në vend të oxhaqeve të vjetra, lartësohen tymtaret e shtëpive të reja.
Përpjekjet për një jetë të re të pasluftës shtojnë vullnetin tek të rinjtë e sidomos tek Graniti, i cili tashmë plotësisht beson se fryt i gjithë kësaj është rënia e gjyshit dhe i të gjithë atyre që u flijuan për liri. Tek të gjithë vërehet gëzimi. Buzëqesh Petriti, Iliri, Beni, Albani, Urimi, Mërgimi, Fatmiri, Shkëlqimi Lirija... Edhe mësuesit duke vizituar klasët, ndjehen më të lumtur, natyrisht me optimizmin për suksese më të mira.
- Është shumë e bukur, - tha Graniti.
- Edhe më e bukur se shkolla e vjetër, - shtoi Fatmiri.
- Edhe Lirija shprehu gëzimin e saj.
- Këtu do të ndërtohet edhe një sallë sportive, - bëri me dorë Graniti, drejt fushës së zbrazët pranë objektit të shkollës.
- Kush ta tha? - pyeti Iliri.
- Babai, - ia preu shkurt Graniti.
- Sa mirë do të bëhet! - tha Albani. - Do të kemi ku të luajmë edhe gjatë dimrit, - shtoi ai.
- Kjo nuk mund të bëhet, tha Lirija.
- Është shumë e sigurt! Për kokë të babait, nuk gënjej! - iu drejtua Lirijes Graniti. - Ai më ka thënë për këtë dhe kjo do të bëhet.
- Edhe unë e besoj, - tha Iliri.- Unë e njoh babain e Granitit, më ka folur babai për të. Ai është burrë i fjalës dhe i besës, - lavdëroi ai, - prandaj unë besoj se do të ndërtohet edhe një sallë sportive.
- Madje shumë shpejtë, - vazhdoi Graniti. Do t’i kemi të gjitha të mirat.
Zilja e shkollës së re i ftoi të gjithë vogëlushët të hynin nëpër klasë. Të buzëqeshur prisnin mësuesit. Vetëm mësuesi i Granitit mungonte. Mungonte pranë ditarit të nxënësve ndërsa kujtimi për të është i pranishëm tek të gjithë nxënësit dhe kolegët e tij.
XVII
- Vendi më i bukur, natyrisht, është atdheu. Këtë e kanë thënë edhe të parët tanë, edhe mësuesi, dhe vërtet këto bukuri, këtë tokë mund ta bëjnë më të çmuar, - tha babai i Granitit, derisa po shikonte hapësirën në drejtim të qytetit.
Vizitat nuk kanë përfunduar ende dhe sa shëtitej njeriu, dashuria për bukuritë e atdheut shtohej gjithnjë e më tepër. Një puhi e lehtë frynte në kodrën para hyrjes në Kushtrim. Si në pëllëmbë të dorës dukej qyteti i Besëlidhjes Shqiptare. Fushat e gjëra shtrihen përreth tij deri në rrjedhën e Drinit, prej nga aty ngjitet edhe bjeshka e lartë e Pashtrikut. Aty pranë tyre ndodhet shkolla e re që edukon dhe rrit djem për t’i dalë zot atdheut. Duke vështruar rrugën gjarpërore që lidh Kushtrimin me katundin Gurrë, drejt tyre po afrohej një plak i thinjur me kërrabë në dorë, ndërsa në kokë i shkëlqente plisi i bardhë si bora.
- S’na paskëti harruar, - i tha babait, plaku duke u përshëndetur me dorën në zemër për mirëseardhje.
- Larg qoftë harresa o xhaxhi! - po si ju kemi juve? – pyeti babai. – Ja, kështu siç po na sheh. Lufta pakëz na ka lodhur, megjithatë ne po mbahemi. Rroftë kjo! - tha si me humor plaku dhe e ngriti shkopin që po e përdorte për t’u mbështetur mbi të.
- Xha Cani, - tha babai, ndërsa ky është Graniti, - njoftoi djaloshin dhe plakun e thinjur.
- Qenke bërë burrë mor trim! - i tha xha Cani Granitit dhe e lëmonte faqeve të njoma të tij.
- Si dukeni o xhaxhi? – pyeti babai i Granitit.
– Po, lufta është luftë, dhe, çdo të keqeje njeriu duhet përballuar. Më në fund e shporrëm atë katil. Djemtë si ju, e përzunë nga këndej dhe po më duket se e theu qafën njëherë e përgjithmonë. I sheh ato automjete ushtarake të djegura aty? – duke bërë me kërrabë në drejtim te disa hekurishteve, meturina të makinave të djegura përskaj rrugës, - janë makinat e shkive. Aty i lanë edhe eshtrat e tyre. U dogjën në flakën e pushkëve të djemve tanë. Ah, po ju lumtë pushka trimave të UÇK-së! Shtrenjtë e pagoi hakun shtriga e vjetër e Ballkanit! – vazhdoi më tej plaku. Dhe mu për këtë, i ligu, në shenjë hakmarrjeje, i sheh ato varre atje, është një fëmijë dymbëdhjetë vjeç i vrarë nga snajperistët serbë. Aty afër varri i plakut të gjymtuar që s'mundkësh të lëvizte nga shtrati. Ja, kështu veproi qelbësira e Ballkanit, që më në fund të gjitha këto i pagoi shumë shtrenjtë. Atje poshtë, në Gurrë, armiku la qindra ushtarë të vrarë. Aty i lanë eshtrat e tyre ato ndyrësira. Po ti? - e ndërroi bisedën plaku, - kishe një baba trim. Gjithmonë ka punuar në shërbim të atdheut. Në luftën e dytë, me vite, me pushkë në dorë ka qenë këtyre maleve. Këtë e dëshmoi edhe në këtë luftë, ndonëse në moshë, qëndroi si burrat. Ti duhet të krenohesh me të. Lum që ke pasur të tillë baba, - e ngushëlloi xha Cani. Po, ç'të them tjetër për luftën?! - Vërrini e dha të vetën, duke mos i mbetur borxh atdheut. Trimat që ranë, janë fryt i ardhmërisë sonë, janë drita e kombit, që si qiri u dogjën në flakën e luftës për ta shëndritur errësirën shekullore. Ndaj, kjo për ne është krenari. Ndërsa për brezat, le të ruhet porosia dhe amaneti i tyre, që në këtë tokë arbërore, kurrë më të mos shkelë këmbë e huaj. Vetëm kështu, do t’i nderonim ata. Apo
trimi i xhaxhit? - tha xha Cani, duke iu drejtuar Granitit.
- Po xha Cani, edhe ne do të punojmë në të mirë të atdheut dhe të kombit, ia kemi borxh, - tha Graniti.
- Të lumtë trimi i xhaxhit! - paske fjalë burrash, uroi xha Cani.
- Graniti, tashmë ka hyrë në radhën e burrave, - shtoi babai i Granitit.
Tregimi për ngjarjet e luftës, vazhdon edhe më tej, ndërsa të tre, vazhduan rrugën tutje përmes katundit. I vizituan varret e martirëve duke mos lënë pa i kuptuar hallet e këtyre banorëve për vështirësitë që kërkon jeta, megjithatë, shpresa për ditë të mira vërehet tek fytyrat e njerëzve. Edhe kjo vizitë në Kushtrim, Granit Sharrin e gëzoi shumë, ndërsa babain e frymëzoi, që këto ngjarje të luftës, ky heroizëm i trimave të kësaj ane, të gjejnë vend në bardhësinë e letrave të artit e të historisë për t’ua përcjellë brezave që do të vijnë.
XVIII
- Lavdi! - tha Graniti dhe babai i tij, thuajse njëzëshëm, tek po nderonin përpara lapidarit të mësuesit, që ishte vendosur në shatërvanin e qytetit. Faqeve të Granit Sharrit, nga sytë e tij të njomë, përshkojnë pika loti. Edhe babai e kishte vështirë, megjithatë, gjeti forcë për pak çaste dhe e mbajti disi veten.
- Mbahu trim! - i tha Granitit ai, tek po ia shikonte lotin syve të tij. - Duhet të jesh krenar për një mësues të tillë. – Ky tashmë ka hyrë në pavdekësinë e historisë së atdheut dhe nuk duron lot, - vazhdoi babai.
- Falemnderit baba! - tha Graniti, ndërsa me duar duke fërkuar faqet, po mundohej t’i fshinte pikat e njoma të lotit.
• E di se kujtimet për të kanë dhembje, por vepra e madhe e tij për çlirimin e atdheut, është shumë më e madhe se dhembjet tona. Prandaj, për ty o Graniti i babit, është krenaria më e madhe për këtë mësues që pate ti.
- Kështu po e ngushëllonte Granit Sharrin, babai i tij derisa po bënin homazhe pranë lapidarit. Mbi mermerin ku është i vendosur lapidari, nuk munguan lulekuqet për t’i bërë nder madhërisë së trimit.
Mbi ballë, në kapelën e tij skalitet emblema e UÇK-së që shëndriste mbi bronz si maleve të Vërrinit dikur. Rrudhave të ballit, vijëzohen rrugët e atdheut nëpër netët e gjata pa gjumë. Ndërmjet vetullave të tij, shtrydhet zemërimi për korbin që pat zënë rrezen e dritës. Ndërsa në sytë e tij shkëlqen vizioni i ditëve që shpejt do të agojë bardhësia. Sa bukur i këndonte lirisë! Kush më bukur i thuri këngët e shpresave të bardha për t’u bërë gjerdan i kohës?! Në gjoksin e tij, rrahën furtunat e moteve të liga ndërsa ai mbeti mburojë e pathyeshme. Kohës i bëri kronikë në ditarin e kujtimeve, dhe, s’kishte faj, s'duhet harruar kohëligën, ndryshe hakmarrja e historisë do të jetë edhe më e dhimbshme. Qëndrimi i tij, kujton kohëkuqen e maleve tona për rrugët e dritës, këngën e lavdisë, dhe sikur thotë: Kujdes lirinë!!!. Në dorën e djathtë e shtrëngon fuqishëm
armën. Liria fitohet dhe mbrohet me pushkë! Gjithmonë gati në mbrojtje të saj! Shikimi i tij, kah veriu, andej nga fryjnë orëligat. Ah, sa bukur i flet atdheut! Andej, kah molla e kuqe shkojnë e
vijnë barbarët, carët e vojvodët. Kujdes! Gjithmonë i gatshëm me pushkë e pendë dhe vetëm ashtu e donte atdheun. Hapin përpara, bashkë me kohën. Gjithmonë i gatshëm në shërbim të lirisë dhe vetëm kështu me shkronja të arta, do të shkruhet historia e lavdisë.
- Kështu po e pëshkruante babai i Granitit atyre çasteve lapidarin e mësuesit. Ndërsa Graniti, ia kishte ngulitur sytë babait derisa po e përshkruante pamjen e qëndisur të tij.
- Përpara tij, shtrohet me lule historia. Përulet plisbardhi. Përulen për të nderuar nënat që ia poqën misërniken te oxhaku në ditët më të vështira, vogëlushët të cilëve ua falte dritën, shokët që e përkrahën në rrugën e idealit, miqtë dhe të afërmit e tjerë, populli i tij që sot jeton i lirë. Vetëm ai nuk plaket. E sheh si përtërihet, si atëherë kur i hoqi prangat e barbarit dhe u ngjit maleve për ta thurur kurorën e lirisë. Me hapin prej kreshniku, maleve të Vërrinit, si shqiponjë, u printe rreshtave të çlirimtarëve. Ah, sa bukur i
fliste atdheut bashkë me tribunin e Vërrinit, kreshnikun e maleve tona e me komandant Petritin. Rrezja e tij ndrit qytetin e besës. Krenaria e tij rritet atje mbi vetull, ndërsa goja e tij mbëlton tek brezat dhe zëri i tij, sikur përsërit refrenet: Kujdes lirinë! Ajo fitohet me pushkë dhe me pushkë mbrohet!!!
- Në fytyrën e babait, vërehet sikur emocionet po shtoheshin.
• Falemnderit shumë baba! - tha Graniti, me një ton dhembjeje që dilte nga goja e tij.
- Kam dëshirë ta vizitojmë edhe lapidarin që qëndron afër Shëshit të Lidhjes. Të vendosim ca lule edhe atje dhe të vizitojmë edhe Kompleksin e Lidhjes së Prizrenit, vazhdoi Graniti.
- Posi, trimi i babait! - U pajtua babai shumë i gëzuar, - dhe ikën përpjetë rrugës përskaj lumit të qytetit.
XIX
- Babi! O babi! - thirri Graniti në drejtim të babait, i cili po rrinte ulur nën hijen e mollës, në kopshtin e shtëpisë. - Disa njerëz nga komisioni për vlerësimin e dëmeve të luftës kanë ardhur për t’i parë dëmet për ndarjen e ndihmave për rindërtimin e shtëpive tona. Ata kanë filluar nëpër lagje dhe do të vijnë edhe tek ne, - tregoi ai, duke u afruar në drejtim të babait.
- Mirë, mirë, i tha babai, po ti eja ulu këtu pranë meje.
- Graniti u ul në ulësen pranë babait dhe po priste se çfarë do të thoshte babai. Shikimi i tij drejt babait, sikur po priste që babai të fillonte sa më parë bisedën.
Granit! - trimi i babait, - vazhdoi ai, shtëpitë tona, përkundër përpjekjeve të miqve tanë që duan të na ndihmojnë, ne me mundin tonë, me djersën tonë, duke u mbështetur në forcat tona, do të bëjmë shtëpi e atdhe. Ti je i ri, trimi i babait dhe duhet t’i mbash mend mirë këto gjëra. Ardhmëria për shtetin, për atdheun tonë, është në duart tona, - tha babai.
- Falemnderit baba! - tha Graniti. Ai u nda shumë i kënaqur nga ato që i dëgjoi prej babait të tij duke u
nisur lagjes tutje, për ta çuar fjalën e babait në vend. Pas rrëfimeve të këtilla, Graniti bashkë me shokët e lagjes, u nis për të luajtur futboll në stadiumin që ndodhej mbi katund.
XX
- Vitet kalojnë, e bashkë me kohën rritet edhe shtati i Granitit. Ai tashmë, më tepër ka filluar të mendojë për amanetet që ia patën lënë gjyshi dhe mësuesi. Kështu, brenga për Kosovën dita-ditës sa vinte e i shtohej dhe donte të njihej më hollësisht për të ardhmen.
- Baba! - ka mundësi të më flasësh, do të bëhet më mirë? - iu lut Graniti babait.
Babai u ndal pakëz dhe filloi t’ia përkëdhelë flokët. - Trimi i babait, - mirë bëre që ma shtrove këtë pyetje dhe kjo tregon se ti vërtet ke filluar të mirresh me çështje që i takojnë së ardhmes. Do të bëhet mirë, patjetër Granit! Gjaku i dëshmorëve do të bëjë dritë kudo në tokat shqiptare. Kështu mëtonin trimat e UÇK-së.
- Sa mirë! – Do ta gëzojmë lirinë, - tha Graniti.
- Po trimi i babait, po. Falë luftës dhe gjakut të dëshmorëve, të gjitha të mirat do t’i kemi.
Falemnderit shumë baba! - tha Graniti, - duke e përqafuar babain dhe ashtu i gëzuar u nis drejt dhomës së fjetjes.
- Natën e mirë! - i tha babait.
- Natën e mirë biro! – ia ktheu ai.
Graniti, herë majtas e herë djathtas përpëlitej, duke shoshitur rrëfimet që pati dëgjuar nga babai. Ndërkaq, gjumi i ëmbël e kaploi nën shoqërimin e ëndrrave për lindjet e bardha.
XXI
Ditët e bardha, që hapëronin kudo, në çdo pore të jetës, ndërmjet ndjenjave të dhembjes dhe të gëzimit, ishin përditshmëri e njerëzve. Fëmijët, ndjeheshin më të gëzuarit. Ndërsa, Granit Sharri, mosha e të cilit ishte ende e njomë, por pjekuria e tij duket më e hershme, u ka hyrë punëve të të rriturve. Babit nuk i ndahej për asnjë çast. Këtë të shtunë e shoqëron atë në një manifestim kulturor që mbahet në qytet.
- Derisa po udhëtonin drejt qytetit, rrugëve plot kthesa, babai ishte thelluar në mendime, ndërsa Graniti shikonte pejzazhet e bukura të atdheut.
- E di çfarë po mendoja këto çaste? - tha babai.
- Më trego baba! - interesohej Graniti.
- Këto rrugë përplot kthesa, m’i kujtojnë rrugët e jetës. Edhe jeta është e tillë. Megjithatë, njeriu duhet përpjekur për të ecur përpara dhe gjithmonë duhet zgjedhur rrugën më të mirë. Ti je i ri Granit. Duhet të dallosh të mirën dhe të ecësh drejtimit të tillë, - tha babai.
Ndonëse makina lëshonte zhurmën e saj, Graniti po e dëgjonte me kujdes babain.
Siç kemi thënë edhe më herët, rruga për ardhmërinë është në duart tona, ndaj Granit, biri i babait, duhet të shkollohesh dhe t’i dalësh zot atdheut.
Granit! - ke ndonjë plan për zgjedhjen e profesionit? - pyeti babai.
- Po baba. Kam menduar dhe gjatë e kam rrahur mendjen për një gjë të tillë. Dua të bëhem oficer i ushtrisë së Kosovës. Do të jem besnik, dhe tërë qenien time do t’ia fal atdheut ashtu siç kanë porositur dëshmorët e lirisë.
- Të lumtë! - tha babai, dhe për t’u frymëzuar edhe më tej, zbritën nga makina, për të vazhduar më këmbë deri tek sheshi i Lidhjes.
Malësi e Vërrinit, 2000

Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen