Sonntag, 13. September 2020

 


TË JESH SHKRIMTAR...!

Gëzim Ajgeraj:

Të jesh shkrimtar, nuk do të thotë të jesh vetëm individ që shpreh ndjenjat e tua në letër apo ta marrësh thjesht si një pasion artin e shkrimit. Jo rrallë thuhet: duhet të jesh i lindur për artin e shkrimit. Sigurisht se, pena kërkon edukim, përgatitje, shkollim në vazhdimësi për t’i qëndruar përballë kërkesave të artit. Por, një fakt tjetër që duam të vëmë në spikamë është edhe personaliteti krijues, që për artin e shkrimit është tepër i rëndësishëm. Jo rrallëherë si lexues, kur lexojmë ndonjë vepër, na rastis që brenda asaj vepre të caktuar, të shpalosim edhe karakterin krijues të shkrimtarit. Dhe, sigurisht se brenda asaj shpalosjeje  reflektohet ndjeshëm nganjëherë vetë jeta e shkrimtarit. Nëse një libër lexohet me finesa të holla dhe ndjeshmëri për artin, sigurisht se të paktën do të krijohet edhe një vizion i dytë për botën prapa librit, apo vetë shkrimtarin, si personalitet e krijues i veprës, e të mos flasim për librat autobiografikë. Për botën komplekse të krijuesit, për personalitetin e tij, për udhën e të bërit art dhe për të gjitha zhvillimet rreth tij, janë problematika e punimit në vazhdim, për ta zbërthyer në vija të trasha krijuesin dhe artbërjen e tij, si dy botëra të mishëruara me njëra - tjetrën.  Do të ndalemi pak te profesioni i shkrimtarit në kushtet dhe konditat tona. Të jesh shkrimtar te ne nuk është aspak privilegj, përkundrazi është një sfidë me përplotë ngarkesa e pengesa jetësore, jo gjithmonë të favorshme për misionin që ke si shkrimtar. Është mënyra e konceptimit të një personaliteti krijues nga shoqëria, sistemet politike, zhvillimet dhe zukamat e kohës, ato të cilat e bëjnë personalitetin e krijuesit nëpër sfida të ndryshme.  Një barrë tjetër është varshmëria për jetën, një faktor tepër i rëndësishëm për artmarrje dhe artbërje, sepse jo rrallëherë ajo dikton kushtet dhe faktorët, që një krijues të ecë lirshëm në rrugën e artit të tij. Jo rrallëherë pengesat që i krijojnë faktorët e jashtëm, përballë një krijuesi, bëhen pengesa edhe për artin. Dhe, pikërisht këto kufizime, te ne bëhen faktorë të rëndësishmën që diktojnë udhën e artit dhe shkrimtarin. Nga këndi i zvillimeve te ne, jo rrallëherë ky emër po degradohet në format e ndryshme, duke e dëmtuar  kriterin e mirëfilltë të të qenit. Megjithatë, pika tona të referencës mbeten vlerat e mirëfillta dhe njerëzit e penës, që profesion, punë dhe jetë e kanë artshkrimin, duke jetuar brenda tij dhe për të. Pra, këtu nuk është fjala për krijues që kanë shkruar një libër a dy dhe janë harruar në raftet e kohës, apo edhe për krijues të çfarëdo niveli, që s’duam të merremi as të vlerësojmë kë. Çështja jonë mbetet e gjithë problematika e artit dhe rreth tij, si dhe krijuesi si personalitet brenda rregullave që duhet t’i respektojë ai vetë, si dhe të gjitha aspektet psikologjike që mbërthehen brenda kësaj bote. Se si do të tejkalohen ato shpresojmë t’i zbërthejmë brenda shembujve nga trajtesa jonë, përvoja dhe referencat tona nën ombrellën e shkrimtarit. Shpresojmë që shumëçka nga kjo përvojë, t’i shërbejë si një mësim i mirë lexuesit dhe të gjithë atyre që synojnë të merren me artbërje, në mënyrë që kjo përvojë  imja personale,  të ketë efekte pozitive në ngritjen e vlerave dhe kritereve në art dhe në personalitetin e një krijuesi. Për ta plotësuar edhe pak këtë fjalë hyrëse, e cila flet për botën e shkrimtarit, do të japim një pjesë të një eseje të publikuar nëpër publicistikën letrare të kohës. Ka pak libra autobiografikë të shkrimtarëve. Por, ato që janë,  nëse lexohen me kujdes, janë shumë më tërheqëse se çdo roman i shkruar nga vetë ai. Nga këndi i jashtëm i të kuptuarit, nga ana e lexuesit kjo sikur tingëllon absurde, por nga një perceptim më i hollë dhe nga një njohje e brendshme e zhvillimeve të botës së shkrimtarit, kjo është shumë e qëndrueshme. Për ta zbërthyer botën e shkrimtarit, pikasim shumë zhvillime interesante brenda psikologjisë së tij, të cilat rrallëherë trajtohen në libra apo edhe në studime shkencore. Vetë bota e thellë psikologjike e shkrimtarit sjellë aspekte të zhvillimeve  interesante që ndodhin brenda tij. Duke  pasur parasysh këtë fakt dhe vetënjohjen e të jetuarit nën këtë vello, mund të themi se brenda jetës së shkrimtarit ka edhe një jetë tjetër nga e cila merr vazhdimisht, për t’i dhënë jetë fjalës. Të jetuarit brenda kësaj velloje është tepër e vështirë, sepse është një botë imagjinative brenda së cilës si shkrimtar, duhet mësuar së jetuari brenda saj. Të jetuarit brenda kësaj bote është vetë koha e shkrimit të librave. Megjithatë, ndeshja në mes botës reale dhe kësaj që e thamë është një proces tranformimi, që ndodh gjithmonë te shkrimtari. Pikërisht, ky proces mes të jetuarit në jetën reale dhe botës së brendshme të shkrimtarit, është transformimi më i mundimshëm. Përballimi i gjithë asaj që quhet reale, duke i pasur parasysh të gjitha zhvillimet që ndodhin përreth shkrimtarit, kur dihet se çfarë zhvillime  ndodhin te ne dhe në botë është depresion i tërë asaj që mblidhet përreth tij. E themi depresion, sepse syri dhe mendja e shkrimtarit nuk mund të pajtohen kurrë me zhvillimet që ndodhin rreth tij. Kjo për faktin se, të qenit shkrimtar nuk është vetëm emër. Brenda tij ka jetë, ka dritë, ka vizion. Pikërisht janë këto çështjet që e shtyjnë mospajtimin me shumë zhvillime rreth tij. Ndërsa, drita e tij, vizioni i tij ndriçon larg, kërkon shkëlqim tjetër. Pikërisht në mes të këtyre dy çështjeve qëndron filozofia e të perceptuarit të botës së shkrimtarit.

Pra, të gjitha këto zhvillime brenda botës së shkrimtarit, rrallëherë janë të përshkruara apo fare pak në libra. Është liria njerëzore, liria e fjalës, vetë njeriu që dëshiron të jetë i lirë. Pikërisht kjo liri rritet në shpirtin e tij, në vetë qenien e tij, për ta nxjerrë pastaj përtej fjalës, që ua falë të tjerëve. Janë vetë ngacmimet që i bëhen muzës së tij dhe nuk e lënë të qetë për asnjë çast. Është dhuntia e fjalës ajo që shpërthen brenda tij dhe kërkon dritë  me botën e fjalës. Pra, është ai transformim i muzës së tij në fjalë, procesi  e sjellë në jetë fjalën. Pikërisht, këto zhvillime i bëjnë shumë më interesante autobiografitë e shkrimtarëve, se sa vetë librat e tyre. Ata janë personazhi më besnik dhe më origjinal i të gjitha personazheve nëpër librat e tyre. Pra, vetë jeta e shkrimtarëve është një roman shumë interesant, që për fat të keq shpesh nuk është shkruar.

 

1.


Kur krijuesi, i cili ka krijuar një vepër dhe brenda vlerësimit të tij e ngacmon muza e mendimit, se ka bërë veprën më të mirë që mund të bënte, në raport me vepra dhe krijues të tjerë, sigurisht se gjykimi dhe vlerësimi i tillë, do të krijonte hapësira që çojnë nëpër shkallë të dyshimta të ngritjes së mëtejme. Kësaj do t’i shtonim vlerësimin psikologjik, sepse pikërisht nga këtu nis edhe rreziku i ngritjes së mëtutjeshme të krijuesit. Dhe, së dyti, gjykojmë se as në jetë dhe as në art, asnjëherë nuk mund të jetë gjithçka absolutisht e përkryer. Ekzistojnë kritere të ndryshme brenda të cilave vlerësohet një vepër e krijuar, ashtu siç ekzistojnë edhe shijet për të. Kësisoji po dalim nga një vepër e krijuar, në vlerën që i jep krijuesi, deri te vlerësimet dhe akceptimi i saj që do të vijë nga publiku dhe vlerësuesit e ndryshëm. Edhe në këtë pikë, do të ndalemi patjetër, për të dhënë mendimin tonë rreth vlerësimit të një vepre të caktuar. Edhe për kritikën, do të vlente i njëjti kriter, kur një vlerësues thotë se ka dhënë një vlerësim të përkryer, i cili do të mund të ishte i qëndrueshëm. Janë këto dy paralele të temës sonë, për të cilat do të flasim në vazhdim të këtij punimi. Por, le të ndalemi në pikën e parë, për të parë gjithë problematikën në detaje nga këndi se si e shohim ne.

                                    *****
Për mua, arti dhe rruga e tij, janë një maratonë që nuk i duket fundi. Nëse ndalemi dhe e shikojmë ecjen e krijuesve, do t’i bindemi krahasimit. Fillimisht dua  të them, se në fillesat e mia të para gjithmonë kam menduar se shumëçka në letërsi është thënë, si dhe dominonte bindja se vështirë të gjendet hapësira për të thënë diçka të re në art.  Ky mendim do t’i takonte së kaluarës së hershme, të cilën ecja nëpër kohë dhe marrja me artin e krijimit në vazhdimësi, e zbehu tërësisht, sa që tani më për mua as që ekziston si nocion. Hapësirat e krijimit të artit, janë aq të gjera, sa është vetë hapësira psikofilozofike e botës së brendshme të krijuesit. Duke ilustruar këtë në formën metaforike, do të themi se sa i thellë që të jetë deti i botës së tij, aq e thellë do të jetë bota krijuese e tij. Kësisoji, rrjedha e krijimtarisë së tij, do të kishte një bazë të fuqishme, prej nga pashterrshmëria në art do të vazhdonte maratonën e vet. Për mua si shkrimtar, rruga e artit, pavarësisht se është maratonike dhe tepër e lodhshme, ajo është  e shenjtë dhe e dashur, si luftë e përhershme me kohën për ta avancuar një epokë. Ky definim në të shumtën e rasteve edhe mund të akceptohet gabueshëm, por vlerësimi  ynë përkon në pikën, që ta ndryshojmë atë. Magjia e artit në këtë rast do të vinte në shprehje te një shoqëri e caktuar, e cila i referohet asaj vepre, që përmes dritës së artit të arrijë që të evitojë varfërinë shpirtërore, verbërinë, pasionet, po pse jo edhe shpirtin kriminal e çmendurinë, duke i shalosur anët e shkëlqyeshme të jetës njerëzore. Pavarësisht, se në hapësirë, ndikimi i veprës në ndryshimin e kohës dhe proceseve, shpesh nuk duket. Ndikimi i saj sigurisht se do të ndryshojë atë dhe rrjedhën e saj, kur kemi parasysh vepra të caktuara arti që kanë bërë emër në rrjedhat dhe raportet me kohën. Ky ndikim do  t’i ngjasonte pikave të dritës, të cilat fillojnë brenda një epoke të etshme për të, e që me kohën do të japin efektin e vet të shkëlqimit. Le të ecim më tutje, gjithmonë nga këndi personal i krijimtarisë dhe, nga përvoja e dekadave brenda saj, për të dhënë atë rezonancën e asaj përvoje edhe për lexuesin. Si krijues, përpiqem që mos t’i bindem asnjëherë egërsisë së kohës, por përmes mjeshtërisë në art, përpiqem gjithmonë ta zbus atë. Pavarësisht se rezistenca e saj është e tmerrshme dhe jo e bindshme, gjithmonë mes dobësive të caktuara që i vë ajo, si pengesa, përmes dritës së artit, përpiqem t’i nënshtroj, ndryshe po nuk u ndeshe me çështje të caktuara ballë për ballë, për t’i mundur me ide, do të ndihesh i humbur. Pra, e gjithë koha përpara krijuesit të një vepre është një metaforë në vete, që në një formë apo tjetër përpiqet të rezistojë deri në mosbindje. Në artin krijues, nëse nuk e kemi kapur atë metaforë për ta zbutur me artin e fjalës, përpara egërsisë së saj do të ndiheshim të humbur. Por, nëse krijuesi me krijimtarinë e tij, ka arritur ta kapë atë, ta zbusë  apo edhe ta fitojë atë betejë, vepra e tij, mbijetesa e saj ia ka arritur qëllimit, në këtë rast edhe arti i krijuesit dhe synimi i tij përse shkruan.

Ky definim nxjerr në pah kohën dhe egërsinë e saj, e cila është në luftë të përhershme me artin dhe krijuesin. Ajo është metaforë në vete, që në një farë forme reziston pandërprerë deri në mosbindje. Por, nëse eseja me kohën do të jetë e artë për krijuesin, sigurisht se vepra e tij, përmes dritës së atyre pikave të mendimit (që kanë qarë errësirat e verbërisë së kohës), do t’i mbijetojë epokave.  Sigurisht se do të vinte në pyetje lufta për ide të reja, për dritën e mendimit, që brenda një verbërie të një kohe të caktuar, do të ndriçonte me anët e shkëlqyeshme të dritës së artit. Pra, lufta e ideve për ne do të jetë zbutësja më e mirë e një kohe dhe e një epoke, që për krijuesin do të ishte mbijetesë e artit të tij. Nëse brenda një vepre të caktuar, do të na mungonin mesazhet, idetë, drita, e cila do të mbushëllonte varfërinë shpirtërore, shkëlqimi që do ta mbyste verbërinë e marrë, mposhtjen e pasioneve, filozofia e mendimit për ta ndikuar kohën dhe synimin e ndryshimit të saj, efekti dhe synimi në art do të kishin sukses. Duke ditur gjithmonë, se faktori kohë asnjëherë nuk mund të jetë i njëjtë, sepse rrethanat  e caktura historike shpeshherë përplasen pamshirshëm mbi krijuesin dhe artin, gjithmonë kërkohen rrugë të reja, ide, mjeshtri, guxim, sakrificë e vendosmëri, për t’i bërë ballë kohës. Në këtë rast dua të ndalem në planin lokal brenda hapësirave tona, kur mbijetesa e artit dhe e krijuesit përpëliten brenda fortunave dhe shtërngatave politike të kohës, duke e vrarë pamshirshëm veprën dhe artin, po pse jo në rrethana të caktuara edhe fizikun e krijuesit. Megjithatë, edhe brenda kësaj kohe te ne dolën vepra të mira, shkëndija, të cilat sigurisht se e vranë terrin e verbërisë së etjeve politike, që rrinin si bisha mbi artin dhe krijuesin. Sigurisht se edhe këtyre dekadave nuk u kanë munguar idetë, se përndryshe veprën dhe artin e krijuar brenda kësaj kohe, do ta zhbënte koha. Por, duhet të jemi të vetëdijshëm se pa sakrificën e krijuesit, guximin dhe vendosmërinë e tij, vështirë se do të mundeshin edhe ligësitë e asaj kohe. Dhe, në këtë plan, sigurisht se ndikimi i artit dhe i kulturës, ka kontributin dhe ndikimin e vet të madh, për ta zhbërë atë errësirë dhe për të përhapur dritë mbi verbërinë dhe të metat e një shoqërie. Nëse ndalemi sot, shikojmë prapa dhe  bëjmë autopsinë e një epoke të caktuar, do të shohim se sa i madh do të kishte qenë ndikimi i artit në ndryshimet dhe në rrjedhat brenda asaj kohe. Dhe vetë këto ndryshime, janë drita dhe mbijetesa e artit, që perceptohet edhe nga veprat që janë krijuar brenda asaj kohe. Flasim gjithmonë për artin pa ngjyrime dhe përshtatje me kohën, sepse një art i tillë, i cili do t’i nënshtrohej asaj, me ndryshimet dhe zhvillimet brenda një sistemi shoqëror, do të zbeheshin e do të përfundonin bashkë me sistemin e caktuar. Këto lloj veprash më shumë do t’i shërbenin interesave të caktuara të rrethanave politike të kohës dhe interesave, si dhe misionit maratonik që ka udha e bërjes së artit. Pra, e gjithë kjo kohë, për të cilën u ndalëm pak më parë, iku e shkoi. Megjithatë, kohezioni dhe rezistenca e saj shumëherë e zbehu edhe artin, por edhe krijuesin prapa veprës, sepse ashpërsia e saj përbiu një numër të madh veprash dhe krijuesish, të cilët, fatkeqësisht, i zbehu vetë koha dhe sistemet. Kësisoji del në pah se edhe krijuesi në këto rrethana të caktuara zbehu veten, me përshtatjen dhe servilizmin që  bëri, jo për interesa të artit. Koha dhe sfidat e saj, sikur janë gjithmonë kërkuese nga krijuesi, që të jetë rezistent  dhe prijës në pëhapjen e ideve të reja. Dhe, nëse krijuesi brenda këtyre sfidave nuk avancon me kohën, zhbërja e vlerave të tij ka rrezik fundosjeje. Por, nëse ai ka arritur ide dhe vlera që do ta mundin kohën, sigurisht se qëllimi i artit dhe i krijuesit ka arritur synimin, për të cilin bëhet arti.  Dhe pak fjalë për misionin maratonik të udhës së artit. Se udha e artit është një maratonë, kjo s’ka dyshim. Në art hyhet me synimin për të sjellë vlera, të cilat do t’i shërbenin një shoqërie dhe një epoke të aktuar. Të paktën përvoja  jonë krijuese për dekada në udhën e artit këtë e sheh.  Brenda këtij vizioni përpiqemi të shpërndajmë dritën në art. Kurrë nuk më ka ngacmuar ideja, se po hyjmë në maratonën e artit, për të thënë dije, për ta sprovuar veten, apo për t’i krijuar hapësira vetes përmes rrugëve të artit. Hyrja në art kërkon vizion, guxim, vendosmëri, dashuri për të, përgjegjësi ndaj artit dhe veprës. Sigurisht fjala është edhe për një botë të mendimit të thellë psiko-filozofik, tek i cili do të ngriteshin themelet e maratonës së artit. Pra, udha e artit është gjithmonë kërkuese nga krijuesi, gjatë gjithë ekzistencës së tij, sepse vetë sfidat e kohës që dalin përballë tij, e bëjnë përgjegjës atë që të përballet gjithmonë me të.  Dhe në këtë rast, heshtja e tij karshi këtyre sfidave është kapitullimi përpara maratonës së artit. Definuar shkurt, ne vlerësojmë se maratona e krijimit të artit duhet të vazhdojë sa vetë ekzistenca e ekzistimit të krijuesit, ndërsa për vlerat e artit të krijuar, duhet synuar majat, në  mënyrë që vepra e krijuar  t’i mbijetojë epokave.

 


Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen