Sonntag, 13. September 2020

 

Gëzim Ajgeraj

ARTI SI PËRPJEKJE DHE LUFTË PËR IDE

 Në fillesat e rrugës së artit, gjithmonë e kam menduar se shumëçka është thënë, dhe edhe nëse themi diçka, s’do të duket e re për artin e fjalës, apo edhe nuk ka çfarë të thuhet më. Kjo ide, ndoshta s`duhet të thuhet në artin e njerëzve profesionistë, megjithatë, mbetet një mendim i së shkuarës fillestare. Për mua si shkrimtar, pavarësisht se rruga e artit është udhë tepër e lodhshme dhe e gjatë maratonike, ajo mbetet e shenjtë dhe shumë humane në përpjekjet e mia, në luftë me kohën. Gjithmonë kërkoj nga vetja të mos i bindem asaj, por me mjeshtërinë e artit të shkrimit, kërkoj ta zbusë në vazhdimësi. Pavarësisht se rezistenca e saj është e tmerrshme dhe e pabindur, kërkoj nga vetja të mos i nënshtrohem, a të mos më nënshtrojë, sepse atëherë si shkrimtar do ta ndieja veten të humbur. Pra, e gjithë koha përpara nesh, është një metaforë në vete, që në një formë a në një tjetër përpiqet të na rezistojë deri në mosbindje. Me metaforë, zbutur në artin e fjalës, përpara kësaj beteje do të ndiheshim të humbur, mirëpo, nëse ne me krijimtarinë tonë kemi arritur ta mundim atë, t’i mbijetojmë, apo edhe ta fitojmë këtë betejë, me mbijetesën e veprës, domethënë ia kemi arritur qëllimit tonë, përse shkruajmë atëherë?! Është e gjithë kjo një përpjekje për mbijetesë, është lufta e ideve, ajo që e mund dhe e zbut kohën. Çdo shkrimtar, edhe mua, pikërisht ky nocion më bën të eci sigurt dhe pathyeshëm në rrugëtimin e artit. Vetëm lufta për ide, në art është dominuese. Nëse brenda një vepre letrare na mungojnë mesazhet, idetë, të veshura brenda fjalës së bukur - metaforë, ka shumë rrezik që koha e bren atë vepër e bashkë me të edhe krijuesin, domosdo. Duket ditur gjithmonë se faktori kohë, asnjëherë nuk është i njëjtë dhe furtunat e saj shpeshherë në historinë njerëzore janë përplasur pamëshirshëm edhe mbi krijuesin, sfidat që i ofron ajo dhe lufta me të, gjithmonë ka kërkuar mjeshtëri, guxim, vendosmëri dhe dije, të cilat në të shumtën e rasteve, e kanë mundur kohën. Pra, mbijetesa dhe krijimi i veprave të mira, edhe në kohë furtunash, kur shtrëngatat përpiqen ta vrasin pamëshirshëm, jo vetëm krijuesin, por edhe fizikun e tij, kanë dalë vepra të mira, të cilat kanë arritur t’i mbijetojnë kohës dhe ta mundin atë. Patjetër, lufta për idenë nuk ka munguar, se ndryshe do ta zhbënte koha.  Jo rastësisht, por gjithmonë, me vetëdije të plotë, i jam përkushtuar rrugëve të artit letrar, pavarësisht sfidave dhe përpjekjeve të lodhshme, e të rrezikshme herë herë në raport me kohën. Gjithmonë në jetë, më ka prirë dashuria dhe shkëlqimi i dritës së artit, duke mos e ndrydhur në vetvete, por duke e nxjerrë atë brenda artit të së bukurës, për të shpërndarë si një rreze dielli që ndriçon rreth nesh. E gjithë kjo, brenda meje vjen si një mision, si një kërkesë përtej vetvetes në sfidat me kohën dhe në luftën për ide të mëdha. Mendoj se, në të shumtën e rasteve ia kam dalë, kur i kemi parasysh kronikat dhe kohën nëpër të cilën kapërceu populli ynë dhe unë vetë si krijues. Vetëm sot kur shikojmë mbrapa dhe i bëjmë autopsinë e asaj kohë, do të shohim se kishim të bënim me një kohë bishë, që të kapërdinte pamëshirshëm, e herë herë, besa edhe të mbyste harrimi. Kjo kohë më bën të ndihem mirë sot, sepse edhe atëherë kur deshe o s`deshe, ti ose ishe i bindur e i nënshtruar, ose…, dhe pikërisht kjo kohë, në luftën e ideve, nuk arriti të na mposhtë, ndërsa, ajo kohë u mposht, sepse vetë mbijetesa e qenies sonë, e mposhti atë. Pra, duke ecur kësaj kohe dhe duke i analizuar veprimet tona, edhe si krijues, por mbi të gjitha edhe ne si popull, me përpjekjet tona në luftën e ideve të mëdha, kapërcyem kohën epokë e errët, që e përcolli për njeriun tonë. Duke analizuar brendinë e kësaj kohe, duket si një metaforë në mes që kërkonte ide të mëdha, të cilat në ato kohë nuk munguan për një mbijetesë. Flas në planin e përgjithshëm, pikërisht atëherë kur nga ne kërkohej një mobilizim i tillë, për ta kapërcyer sfidën e dhunshme kohë. Ishte kjo një kohë e dhunshme dhe e dukshme, për dikë më shumë sfiduese. Megjithatë, ajo iku, shkoi. Pra, kohët te ne kanë sfida, kanë kohezionin e rezistencës dhe nevojën e luftës së faktorit njeri, edhe krijues mbi të gjitha, madje, edhe shumë më vështirë, sepse rreziku i saj është më i ashpër, të zhbën padukshëm në këtë harbim vlerash. Nëse ti nuk ke arritur të krijosh ide vlerash që do ta mundnin kohën dhe do t’i mbijetonin asaj, ajo të zhbën verbërisht. Mirëpo, nëse ti me idetë e tua, ke arritur të bëhesh dritë për kohën, që mund errësirën e saj, është shkëlqimi i dritës ai që ty të mban gjallë në mbijetesën kohë.  Përmes rrugëve të artit, jam përpjekur të eci dritës, me synimin e shenjtë për të arritur diku. Gjithmonë jam përpjekur ta nxjerr kohën nga ku u nisa, për t’i bërë dritë asaj dhe për të ardhur deri në ditët e sotme. Është Vërrini im, kullat e tij, e folmja e gjysheve tona, ato që më së tepërmi më kanë frymëzuar në jetë. Gjyshja dhe babai për mua gjithmonë mbeten, e para enciklopedia e fjalës së moçme shqipe, ndërsa i dyti mbamendësi edhe pas gjashtëdhjetë vjetësh mbrapa, të vargjeve nga fëmijëria, që m’i recitonte për çdo ditë. Në autopsinë e asaj kohe, gjejmë figurinat e zanafillës së dashurisë për artin, për të bukurën, për idenë. Gjithmonë kjo kohë nuk më ka lënë rehat. Ajo më ka ngacmuar sa herë jam ndeshur në metaforën kohë, të cilën edhe si karakter, i jam vënë përballë për ta luftuar atë, e zbutur për mes ideve. E gjithë kjo, në kuptimin rutinë, duket si një ëndërr, por që në realitet më solli këtu ku jam sot. Duke mbështetur besimin në vetvete, në punën time, në përpjekjen e pakursyer në këtë rrugë, kam përshtypjen se koha do të dijë e të flasë në favorin tonë.                          

 


Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen